GJITHKUJT TË VETËN

Më qëllon ndonjëherë të lexoj një roman dhe të mos kuptoj asgjë. Si rregull, te ky roman më ka çuar fama e tij ose e autorit, ose – në thelb – vaniteti im prej lexuesi, i maskuar si kuriozitet.

Kështu më ndodhi me një roman të shkurtër tani së fundi, The Pathseeker (A nyomkereső), të Imre Kertesz, një shkrimtar hungarez që ka fituar çmimin Nobel në 2002.

E nisa, më tërhoqi në krye, pastaj pashë se nuk po më çonte askund dhe do ta kisha lënë përgjysmë, sikur të mos ishte aq i shkurtër. Thashë: do ta nxjerrë patjetër gjëkundi. Dhe si pa e marrë vesh, u gjenda në faqen e fundit.

Nga Kertesz pata lexuar më parë një Detective Story, që më ish dukur pak si shumë i lëmuar nga stili, por që më shokoi me ngjarjen që rrëfente. Për fatin tim, edhe ai i shkurtër.

E megjithatë, The Pathseeker m’u duk krejt opak, madje qëllimisht opak; a thua se autori po mundohej t’i mbante jashtë një pjesë të lexuesve, madje edhe pa shkruar veçanërisht bukur.

Në pasthënien e librit, përkthyesi Wilkinson kish aluduar në çfarë duhej të dinte lexuesi, që ta kuptonte romanin; aty mora vesh edhe që kish qenë fjala për Holokaustin dhe kujtimin e tij të vështirë për t’u evokuar, sidomos nga të mbijetuarit.

Në fakt, Kertesz ka qenë vetë i internuar në Auschwitz dhe pastaj në Buchenwald kur ende fëmijë 14-vjeçar; dhe kësaj eksperience i ka kushtuar disa vepra (të cilët nuk ia kam lexuar).

Te libri i tij intervistë Dossier K (pa lidhje me opusin homonim të Kaloçit), është ndalur gjatë te thënia e njohur e Adornos, se “Të shkruash poezi pas Auschwitz-it është barbare”, të cilën ai e refuzon.

Versioni i Kertesz-it, i kësaj aforizme të shumë-përfolur, mbase do të tingëllonte kështu: për Holokaustin u dashka shkruar vetëm në mënyrë kriptike, ose duke e detyruar lexuesin që ta deshifrojë, duke kaluar nga një hint te tjetri, pa qenë kurrë i sigurt se interpretimi i tij ka ndonjë afinitet çfarëdo me intentio operis, apo është thjesht nënprodukt i moskuptimit ose kompensim i minutës së fundit.

Përshtypja ime sfilitëse gjatë leximit ishte se po trokisja në derën e një klubi privat, të mbyllur për jo-anëtarët.

Sipas përkthyesit dhe disave që e kanë analizuar romanin në hollësi, lexuesi i The Pathseeker duhet të jetë në gjendje të deshifrojë, mes të tjerash, që Brabag (Die Braunkohle-Benzin AG) paska qenë një kompani që siguronte punë të detyruar për Reich-un e tretë; dhe se motoja “Jedem das Seine” (gjithkujt të vetën), që mezi lexohet në portë gjysmë të ndryshkur, i referohet Buchenwald-it; dhe se qyteti ku heroi pa emër i romanit pret autobusin është afër Weimar-it të Goethe-s, i cili gjithashtu paska shkruar për Buchenwald-in, para se këtij t’i dilte nami për tjetërçka.

Lexuesi gjithashtu duhet të jetë në gjendje të kapë referencat ndaj një poeme të Goethe-s, “Hermann und Dorothea”, si dhe të kapë lidhjen me romanin The Pathfinder të James Fenimone Cooper, meqë alter ego-ja i Kertesz-it në roman, si fundmi i të mbijetuarve të Shoah-ut, është sivëlla i të fundmit të mohikanëve; dhe se Hermann-i i Kertesz-it i referohet novelës Bartleby the Scrivener të Herman Melville-it. E kështu me radhë, përfshi edhe Ifigjeninë në Tauridë të Euripidit (dhe të Goethe-s) dhe deri edhe një bisedë midis Heine-s dhe Goethe-s, ku i pari lëvdon kumbullat në rrugën që lidh Jenën me Weimar-in.

Një përgjigje logjike ndaj këtij dështimi timit si lexues do të ishte: libri nuk ka qenë për ty. Këtë lloj përgjigjeje besoj edhe Kafka, një nga prekursorët e preferuar të Kertesz-it, do ta miratonte. Është nga ato formula që, çuditërisht, të garantojnë një farë lumturie minimale – sepse nënkuptojnë që lexuesi bën mirë të kërkojë për librat e shkruara për të, dhe t’u rrijë larg të tjerëve. Njëkohësisht, që nuk të lënë të thuash se “libri ishte i keq” a “nuk bënte”, meqë do ta shihje veten në rolin e dhelprës poshtë rrushit.

Ose të pranojë se disa dyer do t’i mbeten përgjithnjë të mbyllura.

Si lexues do ta pranoja këtë verdikt; si njeri i letrave jo. Nuk mund ta shoh veten në rolin e Sfinksit, që i vë përpara lexuesit një enigmë dhe i kërkoj që ta zgjidhë, nëse dëshiron ta kuptojë mesazhin tim. Përkundrazi, mendoj se letërsia e mirë duhet të veprojë në disa nivele – dhe kush nuk i kap nivelet më ezoterike, mund të kënaqet dhe të mjaftohet me ato më të ulëtat.

Një shembull i njohur: “Emri i trëndafilit” i Eco-s mund të shijohet për bukuri, pa qenë specialist i Mesjetës; edhe pse një medievalist do të gjente aty pasuri marramendëse.

Aq më tepër që letërsia me temë nga Holokausti ka arritur tashmë kulme aq të admirueshme, sa askush nuk shtrëngohet të gjejë përgjigje për gjëzat e Kertesz-it, që të përjetojë këtë hata të madhe të shekullit XX.

Mundimi im prej lexuesi lidhet edhe me hermetizmin; kohët e fundit, kur u dha një çmim letrar në Tiranë, u tha se autori është “elitist” dhe nuk do të kuptohet nga të gjithë: medemek, mbylleni gojën ju lexuesit e Dan Brown-it.

Natyrisht: madje një autor mund të jetë aq elitist, sa të kuptohet vetëm nga e dashura; por këtu duhet bërë kujdes për të mbajtur gjithnjë parasysh kufirin që ndan letërsinë si art nga letërsia si hobby; si dhe që, nëse disa vepra elitiste janë hermetike dhe disa vepra hermetike janë elitiste, kjo nuk lejon të nxirret ndonjë përfundim me vlerë parashikuese.

Romani i Kertesz-it nuk hyn në kategori të tilla për snobët; opaciteti i tij ka të bëjë më shumë me një lloj manierizmi letrar karakteristik për Mitteleuropa-n, dhe që e thith ndoshta limfën jetëdhënëse nga Kafka; por edhe një imponim automatik nga regjimi shtypës nën të cilin botonte autori hungarez në vitet 1970 (kur është shkruar The Pathseeker).

Me pak sforcim, mund të përfytyroj edhe autorë që e përdorin hermetizmin për të mbajtur larg veprës së tyre ata lexues që do t’ia dëmtonin; njëlloj sikurse i kërkojmë muratorit që të ngjitë me llaç copa xhami në murin rrethues të vilës.

Jedem das Seine, vërtet.

9 Komente

  1. Ardian, paçka se nuk e kam lexuar, edhe une mendoj se ky liber nuk eshte per ty, ne kuptimin qe autori, kur e shkroi, kishte ne mendje nje lexues tjeter, nje lexues qe ta njihte atmosferen, gjuhen, simbolet, kodin e librit, pa qene nevoja qe nje perkthyes t’ua shpjegonte ne pasthenie.
    Kur nje liber, per t’u kuptuar, ka nevoje per shpjegime si ato qe ben perkthyesi ne pasthenie, atehere eshte me mire te mos perkthehet fare sepse nuk eshte per ata lexues.

    Ne e lexojme dhe e kuptojme shume mire “Perbindeshin” apo “Pallatin e endrrave” te Kadarese, sepse na e lejon “enciklopedia” jone e perbashket me ate te autorit; sepse ata libra u shkruan per lexues si ne. Po ti e perfytyron dot se si i kuptojne keto romane, fjala vjen, japonezet, pa u dhene shpjegime te hollesishme ne pasthenie?

  2. Ne fakt, shprehja e Adorno-s e plote eshte “S’mund te shkruhet poezi pas Aushvicit, perpos per vete Aushvicin”. Dhe kete e ka thene ne kuptimin e lirizmit dhe idilizmit qe mendohet se duhet te percjelle poezia. Sidoqofte, per mendimin tim, meqe keto kohe jam shume e perfshire me letersine kushtuar Holokaustit, nuk mund te shkruash per ngjarje historike te ngritura ne letersi me nenkuptime dhe simbole qe as nje lexues i mire apo i kualifikuar nuk mund t’i kuptoje dot. Te marrim rastin e Primo Levit. Te dy librat e tij te pare, “A eshte, valle, njeri…?” dhe “Armepushimi” them se jane pa diskutim romane-deshmi, por jane edhe letersi e mire, sepse vertet Levi nuk fshihet pas simbolesh, perkundrazi, eshte i qarte, i drejtperdrejte, por se pari, gjuha e perdorur, nje gjuhe e larte, klasike, e pasur, e zhdervjellet, e pasuruar me nje “gjuhe Aushvici” do te thosha, shoqerohet me nje rrefim te ftohte, qe nuk e le te bjere ne patetizem, sic ndodh me shumicen e librave te shkruar per ate periudhe. Kjo e shpeton librin, e ben te lexueshem si nga bashkekohesit e tij si nga ne qe e lexojme tani, si nga ata qe do ta lexojne pas 100 vjetesh.

    Eshte e njejta pyetje qe shtron Calvino: “Pse i lexojme klasiket?” Sepse na flasin ne cdo kohe dhe ne cdo vend, mbeten te prekshem nga lexuesit e thjeshte, por dhe nga lexuesit e forte. Kuptohet, sic thote dhe Ardi, gjithkush merr prej tyre ate cka i flet atij, por ama nuk kalon libri pa u tretur.

    1. Adorno ka shkruar:

      Kulturkritik findet sich der letzten Stufe der Dialektik von Kultur und Barbarei gegenüber: *nach Auschwitz ein Gedicht zu schreiben, ist barbarisch*, und das frisst auch die Erkenntnis an, die ausspricht, warum es unmöglich ward, heute Gedichte zu schreiben.

    2. Pyetja e Calvino “Perse lexojme klasiket? duhet shtruar me shkurtimisht: Perse lexojme? Per qejf, per te mbushur kohen, per te njohur, per te mesuar, per t’u kulturuar , per t’u humanizuar, per cfare?
      Me duket se Borges flet per “lumturine e leximit” dhe nese eshte i tille leximi, librat qe i nderpresim se lexuari ose i cojme deri ne fund, me dhembet shternguar, do te thote se nuk na bejne te lumtur.( Ketu ekuacioni nderlikohet se vete lumturia kerkon definicion)
      Leximi nje libri ka brenda kersherine, aventuren dhe zbulimin. Cfare na lumturon apo nxit kersherine, e ngjashmja ( atje ku narrativa rrezonon me qenien time) pra ai liber ku “gjejme dicka nga vetja” apo e ndryshmja, jeta e te pangjashmeve, gjeja e pa jetuar, e pa njohur, e jashtezakonshmja etj.
      Romane si Lekura e qenit, Pylli norvegjez ,Zahir, Ne kafenene e rinise se humbur me kane lene mbrese dhe nuk di cfare rezononte me qenien time . Aq sa eshte e veshtire te gjesh zanafillen se si dhe nga c’shtysa u ngjiz x roman ne mendjen e autorit, po aq e veshtire mbetet gjetja e nje shkaku bazik se perse nje liber na pelqen . Ndoshta refuzimi leximit eshte me i shpjegueshem.
      Pra ka libra si te shkruar enkas per mua dhe te tjere mund te mos i gjejne interesante. Cfare efekti mund te kete I huaji tek nje ish i burgosur politik dhe tek nje lexues qe e shijon jeten pa vene ne dyshim asgje dhe qe bota i duket e tera e tij dhe e krijuar per ate?
      Dhe me qe u permend Calvino , ne librin e tij Nese nje nate dimri nje udhetar…, ne dy faqet e para jep disa udhezime ( qe jane edhe gjykime per librat dhe kategorite e lexuesve) cfare te lexojme dhe si te lexojme, pozicioni fizik, shtrire ne divan apo ne tryeze. Ndoshta ndikon dhe disponibiliteti shpirteror , madje dhe stina kur i qasemi nje libri.
      Ja romanin e Calvinos Nese nje nate. . e kam lene ne mes. Me lodhi loja e tij me lexuesin me trukun e fillimit te nje romani te ri ne cdo pjese. Ajo qe sipas gjithe kritikes perben bukurine e ketij libri dhe karremin per lexuesin, truku pra i gjasme ngaterimit te fashikujve gjate lidhjes se librit, per mua u be barrikade.
      Ndoshta ishte stine e papershtatshme kur nisa leximin.
      Ka libra qe rrjedhin si lumenj te qete,si subjekt, ka libra qe rrjedhin vrullshem. Po te perdorim terminologjine e artilerise, ka libra “te lehte” , ka libra te rende, qe te bombardojne trurin, me pyetjet , reflektimet, dyshimet dhe dilemat qe perftohen nga leximi tyre. Por cuditerisht na pelqen edhe nje rrefim i qete si Afrikani, dhe nje demon si Houlebeck.
      Nje liber i ngjeshur me referenca, interteksualitet, opak dhe hermetik, sikurse e quan Vehbiu librin e sjelle ne vemendje, kerkon nje lexues te kualifikuar dhe Vehbiu eshte i tille. Ndoshta i gjithe faji eshte i stines se leximit.
      Veshtiresia e rrokjes se nje libri duhet te perbeje burimin e terheqjes se lexuesit te regjur . Librat opake apo hermetike jane si fortesa qe duhen pushtuar. Ose si femra te sofistikuara per te cilat duhet te lodhesh pak.
      Ja Camaj, ja Zorba. Te dy herntike ne poezi. Por normal, nje lexues i edukuar me poezi te tipit :
      Mama Klara beri djale
      Mama Lara beri vic
      pra nje lexonjes i tille , do ti refuzoje te dy.
      Kjo vlen edhe per nje pjese te lexuesve te vendethit tene. I edukuar me letersine lineare , letersia posmoderne i duket ” kafshat qe t ngelet ne fyt ” , e pagelltitshme. Ose per lexuesin dembel dhe bash per kete,per te shmangur keta lexues, autori ka ndertuar nje “mur me copa xhami lart”, sic thote Vehbiu.
      Por duhet te degjojme dhe Calvino kur thote se shpesh eksperimentet avanguardiste apo elitiste mbeten tek kujdesi per formen, duke e lene lexuesin pa substance.
      Dhe Calvino eshte i ndercem kur e thote kete.

      1. Pika.s
        Nje lexues i kualifikuar sic eshte zotni Vehbiu,aq me teper qe eshte edhe shkrimtar vete,po thote qe e ka lexuar dhe nuk ka kuptuar asgje.Mendoj,keshtu besoj mendoni edhe ju,nuk ka lexues me te kualifikuar se zotnia ne fjale.Tani,kur nuk e pushton nje lexues i tille ate fortesen qe thoni ju,megjithe perpjekjet qe ka bere,si do ta pushtokan lexuesit e tjere?!
        ” Ose si femra te sofistikuara per te cilat duhet te lodhesh pak” – te tilla justifikime mund te gjendet me shumice per kete lloj letersie por,te mos harrojme se nuk kemi te bejme me nje tekst filozofik,me ese e gjera te ngjashme;kemi te bejme me art te mirefillte.Nje shkrimtar ne fund te fundit,eshte nje tregues i kualifikuar historish.Ai tregon qe te degjohet.Shkruan qe te lexohet,pra.
        Keto lloj shkrimtaresh nuk ngjajne aspak me ato femrat e sofistikuara qe thoni ju,por me ato femrat deshtake,te cilat,te vetedijshme per cenet e tyre,bejne te veshtiren duke kerkuar vemendje me zhurmen qe bejne per te mos i trazuar!
        Nese duan te mos shqetesohen nga ndonje lexues apo kategori lexuesish,zgjidhja eshte e thjeshte;e thote zotni Vehbiu,kur flet per letersine me disa nivele.E gjithe letersia e madhe,letersia e vertete,eshte me disa nivele.
        Mirepo,kjo eshte e thjeshte per shkrimtaret e medhenj,per shkrimtaret e vertete.
        Eshte kjo arsyeja,se pse them qe keta lloj shkrimtaresh jane medioker.
        (Qe i vogel e kam imagjinuar shkrimtarin si nje mag qe te merr per dore,te shetit ne boten fantastike te krijuar prej tij,duke qene ai vete njelloj ciceroni;te gjitha pergjigjet (pervec atyre qe nuk i di as ai vete) i ke aty,para syve;ai te ndihmon t’i gjesh dhe nese nuk i kupton aty per aty,mund t’i kuptosh me vone,prsh kur te rritesh.Sidoqofte,ai do te beje gjithcka qe ti te shijosh mrekullite e krijimit te tij.Krejt e kunderta ndodh me keta hermetiket.)

  3. Nje roman qe nuk kuptohet,nuk lexohet.Shenjen e moskuptimit,nje roman i tille,e jep qe ne fillim,prandaj.Nese do te duhej se s’ben te digjja libra,do ta beje me kenaqesine me te madhe me libra te ngjashem me kete qe paska lexuar zotni Vehbiu.
    Eshte i vetmi lloj i librave,qe nuk kane asnje vlere.Ka letersi te mire dhe letersi te dobet.Kjo eshte letersi e keqe.
    “… manierizmi letrat karatkeristik per Mitteleuropa, dhe qe e thith ndoshta limfen …” – po,eshte e vertete dhe e vertete pa ‘ndoshta’.Kam pershtypjen se Kafka,me sakte,imitimi i tij,ka demtuar shume shkrimtaret e kesaj pjese te Europes.Kafka eshte i vetmi shkrimtar,frymezimi nga i cili,demton.
    “…duhet bere kujdes per te mbajtur gjithnje parasysh…nese disa vepra elitiste jane hermetike dhe disa vepra hermetike jane elitiste…” – e njejta gje eshte: si hermetike elitiste si elitiste hermetike jane letersi e keqe;cilesimi i kesaj letersie me terma te tille eshte,ne thelb, nje truk per te mbuluar mediokritetin,vetedijshmeria per te cilin eshte e vetmja aftesi e ketyre lloj shkrimtareve.
    Shkrimtaret elitiste-hermetike apo hermetike-elitiste i nxjerr zbuluar letersia e madhe;i nxjerrin zbuluar ,ne gjithe madiokritetin dhe sharlatanizmin,koleget e tyre te medhenj,gjenite e letrave,qe jane te lexueshem nga te gjithe.
    E megjithate,me habi,degjoj edhe shkrimtare dhe kritike shume te mire te letersise,qe flasin per nje letersi te tille me nje respekt te habitshem.Kam pershtypjen se ky respekt,vjen nga nje lloj intimidimi ekstraletrar,qe ka te beje,mbase,me autoritetin e krijuar nga shkrimtari elitist hermetik;ose ka te beje me nje arsye krejt banale,e cila me duket me e besueshme: me pasigurine e perhershme qe ekziston tek njerezit e letrave,edhe tek ata me kompetentet madje, per te percaktuar se c’eshte letersi e mire dhe e keqe.

    1. Timur, te lutem mos ma merr per keq, por duhet te vesh nje hapesire pas shenjave te pikesimit: presje, pike etj.

      1. Relapso,nga ckam lexuar nga komentet e tua,je i fundit i gjithe komentuesve qe te mund te te merrja per keq ndonje gje.Jo vetem kaq,por me bere te buzeqesh.Kete merre si te duash;eshte fiks per ty.

  4. Hah, po le të përpiqemi të biem dakord: autori shkruan për veten apo për lexuesin? Se dikur dëgjova dikë që boshatisi gjithë programin e javës ngaqë e kishte “kokën me barrë” e i duhej patjetër të zbrazte mendimet e tij në katër fije letër. E kam fjalën pra, si i bëhet kur autori shkruan për arsye kompulsive? A i takon lexuesit të indinjohet prej stilit të autorit?
    Unë për vete i jam shumë mirënjohëse Xhaxhait për sugjerimin që jo çdo libër është për çdokënd. E lexova Kafkën më së pari tek “Metamorfoza” në një botim të revistës “Nëntori” aty nga (surprise surprise) fundi i viteve ’80. Më trullosi, më la pa frymë, më mrekulloi, më shastisi….mbase ishte e lehtë të shastisje një lexues shqiptar të fundviteve ’80 pas kufizimeve absurde të asaj kohe edhe më absurde.
    U rreka ta lexoj Kafkën sërish diku nga mesi i viteve ’90. U rreka, nuk ia dola. “Kështjella” më pështjelloi po aq sa edhe “Metamorfoza” më parë, veçse këtë radhë me habinë se përse dreqin e shihja gati me armiqësi tek më zinte cepin e komodinës, tryezës, divanit, karrikes, të gjitha këto orendi mbi të cilat sillej e përsillej libri i gjysmëlexuar, i huaj, i ftohtë, armiqësor. Deri sa më në fund vendosa që ishte libri që më përjashtonte mua, që nuk më lejonte t’i bashkohesha K-së, të identifikohesha me të, të bashkëudhëtoja. Apo mbase absurdi në të cilin vërtitej personazhi më kujtonte absurdin ku kisha jetuar vetë? Mbase në mënyrë të pavetëdijshme e refuzoja librin si mënyrë për të refuzuar absurdin? Për t’iu larguar? E kështu vendosa të pranoj që libri në fakt nuk ishte për mua. Sot e kësaj dite kopertina e kaltër e një botimi të vjetër që përmban një glob të mbështjellë në zinxhirë më shkakton ankth … mua që nuk vuaj nga klaustrofobia e as nga ankthe të tjera klinike. Nëse përpiqem sot të ridimensionoj marrëdhënien time me atë libër, më duket se Kafkës kur e shkroi as që i binte ndërmend për lexuesin, por nxitonte të zbrazte prej vetes atë pështjellim që duhet t’i jetë krijuar edhe atij në kokë dora dorës që zbulonte historinë e K.
    E ndaj edhe nuk jam e bindur nëse si lexuese duhet të inatosem me të. Thjesht pranoj që jo të gjitha ato që ai shkroi bëjnë për mua. Ashtu sikundër shpresoj që Kafka nuk do të inatosej me mua e të tjerë si mua, që, secili për arsyet e veta, nuk ia lexojmë dot të gjitha.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin