PERSONAZHE TË PASHKRUARA

nga Ana Idromeno

Te kafeneja e lagjes has thuajse përditë të njëjtin burrë, tashmë prej vitesh. Flokët, paksa të thinjura, i ka të prerë deri rrëzë veshit dhe të ndara me një vizë anash. Nuk duket i vjetër, por s’është as i ri. Nuk ia përcaktoj dot moshën. Madje, përngjan me një person imun ndaj kohës, nëse një person i tillë do të ekzistonte. Gjithmonë vesh të njëjtat rroba: xhinse të dala boje, një xhaketë ngjyrë ulliri të kopsitur mirë dhe atlete tejet modeste. Porosit vetëm një makiato. Nuk përdor telefon. Nuk lexon ndonjë gazetë dhe as libër. Porosinë e bën gati në heshtje, pa nxjerrë asnjë tingull nga goja, duke tundur lehtë kokën në shenjë pohimi. Kur i vjen kafeja, e rrotullon njëherë filxhanin në drejtim të akrepave të orës e më pas, me sytë nga dera, pret që ajo të ftohet. Ulet përherë në qendër të lokalit duke parë nga rruga. Nuk sheh asgjë tjetër përreth, paçka se shikimet na ndeshen mjaft shpesh. Lëvizjet e tij janë tmerrësisht të ngadalta. Duket si një fëmijë i zënë rob në atë trup të brishtë burri. Kafenë e pi me një të kthyer. Pastaj pret pak. Nuk e di se ç’pret, por i kryqëzon duart dhe sytë i ngul diku në një pikë. S’duket i përhumbur, thjesht shumë i përqëndruar. Duke mos dashur ta fyej, e vëzhgoj me bisht të syrit. Ndonjëherë më zë mat dhe unë i kthej urgjentisht sytë te libri që jam duke lexuar ose tek ekrani i telefonit.

Me raste, kur hyj në lokal dhe e gjej aty, i buzëqesh. Nuk është as buzëqeshje mirëfilli; më tepër një lëvizje e atypëratyshme e buzëve, paksa e kontraktuar, e cila shoqërohet ose me një shmangje të menjëhershme të vështrimit ose me një ngulje sysh në mënyrë të paturpshme nga ana ime, gati sikur dua t’ia sfidoj misterin që e rrethon. Burri është i qetë, për të mos thënë i padukshëm dhe kam frikë se askush tjetër veç meje nuk e vë re praninë e tij aty. Ai gjithashtu duket i patrazuar nga ç’ndodh përreth. Muzika e shëmtuar, të qarat e fëmijëve apo diskutimet me zë të lartë të klientëve, nuk e prekin fare. Njëherë pata menduar mos ishte shurdh por pasi desh u përplas me dikë teksa ky i fundit ngrihej nga karrigja dhe i foli duke e parandaluar ndeshjen mes tyre, ai reagoi duke e kthyer kokën kah tij, pavarësisht se nuk bëzani as këtë herë.

Më bën përshtypje pastërtia, ngadalësia dhe njëfarë obsesioni pothuajse klinik për të lënë çdo gjë në rregull pasi ikën. Edhe paratë i lë fiks. 70 lekë. Qindarka. Nuk ofron kurrë ndonjë kartmonedhë e cila do ta vononte me pritjen e kusurit. Do ta vononte, thashë? Për ku? Për çfarë?! Nuk e fsheh kureshtjen që më ngjall. Nga ana tjetër, e kam hedhur poshtë idenë që të shkoj e ta ngacmoj me pyetje (jo tërësisht megjithatë). Më duket sikur do t’i ndërhyj në intimitetin dhe rehatinë që ka krijuar me veten apo më keq akoma, sikur do ta trondis. S’dua ta tremb! Por as të sillem më çuditshëm se ai. Më përngjan me një personazh librash. Gjithashtu, ai lë të kuptohet se nuk dëshiron të trazohet. Në lagjen time ka shumë personazhe të çuditshme por padyshim që ky zotëri ha bukë veç.

E shquaj tek largohet, si zakonisht me hapa kërmilli dhe vë re se kafeja jo vetëm që më është ftohur, por tashmë i ka ikur edhe shija. E rrufis me ngadalë siç do të kisha bërë edhe po të ishte e nxehtë, duke i dhënë burrit të panjohur një sërë identitetesh në realitete të larmishme dhe ose qesh me vete si e marrë ose ngrysem, duke u shndërruar pa dashur edhe vetë në një personazh jo më pak të çuditshëm, paçka se qesharak.

1 Koment

  1. Kete burrin ishte per te fut ne burg per agjitacion-propagande atebote, megjithse kete lloj robi nuk mund ta fusje dot kurre.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin