SHARMI I VINILIT

nga Eda Zari

E vetmja gjë pozitive që na la Corona, është ngadalësimi i ritmit të përditshmërisë sonë, që e solli me vete pandemia.

Thonë që karakteri zbulohet në kohë krize, mirëpo krizat po aq na kujtojnë ritualet e bukura dhe ceremonitë e harruara. Jeta papritur u ndal, dhe efekti i krizës nuk na erdhi si ortek, por si ajo bora që gradualisht mbulon gjithçka në mënyrë tinëzare. Shumë prej nesh nisën të shohin se si ta bëjnë izolimin sa më inspirues apo të hareshëm për veten dhe familjarët e tyre. Ditënetëve të pandemisë mbaj mend të dëgjoja shpesh nga miqtë se, gjatë izolimit, tryezën e darkës e kishin kthyer në kënd lojërash. Loja domino apo argëtimi që fal një dorë spathi, kërkëllima e zareve të lojës “Mos u nxeh”, “Monopoli” si dhe lojërat me pantomimë, kishin ndikuar për zbavitje gjatë izolimit të flamosur. Më pas shikoja nëpër lajme dhe mediat sociale njerëz që këndonin në ballkone, muzikantë që luanin së bashku përmes internetit duke performuar drejtpërdrejt nga shtëpitë e tyre. Dhe pa shiko – kriza na kujtoi se koha e lirë dhe muza është një gjendje e ndërgjegjshme, është një formë që zhvillohet, një “zhytje” aktive që na bën të lumtur, sepse i përkushtohemi diçkaje që ka kuptim në vetvete. Dhe ndofta në lockdown-in e parë, teksa shkruaja për “Peizazhet e fjalës” shkrimin “Këngëlutje kundër murtajës…”, kam patur po aq parasysh të tregoj se muzika e duhur në kohë krize është bar i mirë në përballimin e faktorëve të stresit emocional dhe social. Ne, njerëzit, jemi kryesisht qenie narrative. Botën tonë shpesh e kuptojmë përmes tregimeve dhe këngëve. Unë, nga ana ime, jam munduar të formoj ‘filmin e botës’ në mendje, duke përfshirë veten, muzikën dhe kuptuar marrëdhënien time me të.

Çfarë lidhjeje kanë këto të gjitha me vinilin dhe narrativën e dëgjimit muzikor?

Nga momenti i pandemisë e më tej, vendosa që mbrëmjeve, në shtëpi, të rivitalizoja ceremonitë e bukura për të dëgjuar muzikë, ku secili përzgjidhte disqet (vinile), albumet më të preferuara. Vendosja e vinilit më të dashur mbi aparatin “Technic SL-1200M7LEG”[1]Technics: pajisje për luajtjen e vinileve. U bë i njohur me serinë e pajisjeve SL-1xxx; modelet më të njohura ishin ose janë Technics SL-1200MK2 me operim manual, i cili doli në treg në 1972., apo në aparatin “Dual”[2]Kompania Dual (e dyfishtë) u themelua në vitin 1907 nga vëllezërit Steidinger në St. Georgen në Schwarwald, Gjermani.(ky i fundit për t’i shtuar gjendjes romantike ca nota nostalgjie), ecja e gjilpërës nëpër brazdat e diskut, kthimi i anëve të vinilit pas 20 minutash – i gjithë ky ritual, i jepte bllokimit të përditshëm një sharm të vyer – si pakoja me fjongo, që kur e hap, surprizohesh, duke mos i lënë vend asgjëje rastësore – sepse të dëgjosh muzikën e një vinili, është përzgjedhje. Një aparat vinili (vinyl player)[3]Vinyl player është një pajisje për luajtjen e disqeve. Pararendësit e këtyre pajisjeve ishin pajisjet mekanike të shpikura rreth vitit 1880, Phonograph dhe Grammophon. Emil Berlineri, … Continue reading është për mua si një oxhak pa të cilin nuk nis ceremonia: sapo e ndez, ai përhap rehati dhe atmosferë. Një vinyl cover[4]Vinyl cover: është një mëngore ose zarf kartoni i printuar për paketimin e vinileve. Dizajni i ballinës dhe shpinores së zarfeve kishte një rëndësi të madhe për marketingun dhe … Continue reading i dizajnuar bukur, me broshurë shoqëruese që e shfleton në heshtje, parashikon një këndellim shpirtëror. Brazdat e një disku që sillet, pamja (dhe aroma) e zarfit të brendshëm të vinilit, mekanika e pllakës rrotulluese që luan vinilin, drita e stroboskopit[5]Shpesh shohim nëpër pajisjet e luajtjes së vinileve rreshta të ndryshëm pikash ngjitur në pllakën rrotulluese. Aty është edhe llamba e stroboskopit, që ndriçon përmes një dritareje … Continue reading, që shkëlqen në errësirën e dhomës, e tëra është tunduese dhe magjepsëse – të bëhet sikur dëgjon një deklaratë: këtu jeton një dashnor i thekur i muzikës.

Nuk e fsheh se një album muzikor më është një eksperiencë haptike, ku përfshihen punimet e kopertinës, broshurës – është ai tingulli me kërcitje të zbehta (posi dikur pllakat shellac të “Deutsche-Grammophon”)[6]Shellac është një rrëshirë natyrale. Në gjendje të nxehtë, materiali është shumë elastik, gjë që bën të mundur prodhimin e pllakave me vulosje. Në temperaturën e dhomës ky material … Continue reading që konservon vinili prej vitesh, duke të sjellë pranë çaste e vite të bukura të jetës, apo dhe duke luajtur në mendje njëfarësoj filmi imagjinar, se si njerëzit prej të cilëve ke trashëguar një koleksion vinilesh apo disqe Gramophon-i, i kanë personalizuar dhe kanë jetuar me to!

«Muzika, ky akt i organizuar njerëzor është një liri thelbësore, që na çliron nga rrahjet imponuese të orëve biologjike dhe fiziko-matematikore. Koha që “i duhet” muzikës teksa e performojmë ose jemi duke e përjetuar është e vetmja kohë e lirë që duhet ta gëzojmë para vdekjes.» – kështu rekomandon i çmuari Georger Steiner.

Personalisht e konsideroj muzikën si një medium që më ka lejuar të bëhem dëshmitare e diçkaje të bukur qysh në fëmijëri. Kështu e shihnin, ndër të tjera, përmasën muzikore edhe filozofët e lashtë: Ata e konsideronin të bukurën si një virtyt më vete. Kushdo që i përkushtohet së bukurës – qoftë në muzikë, në art, kënaqësive modeste, mu si kopshtari që u bën hyzmet lavandës dhe jaseminit, apo duke kaluar kohë me njeriun e zemrës – jeton vërtet fisshëm, si dhe e ka të lehtë ta gjejë muza inspiruese. Dhe kur flasim për muzikën, në thelb, ajo është e krijuar nga një tjetër gjuhë njerëzore, që jo me patjetër ka nevojë të formulohet me fjalë. Ajo shpreh saktë absoluten e saj.

Në fund të fundit – ja ta themi ndryshe: a nuk është bukur të ndërtojmë organikisht një kohë pushimi, larg nga pikselët e ekraneve “smart” dhe Wi-Fi, duke dëgjuar dhe shijuar emocionalisht muzikë?

Mirëpo, për ta bërë këtë të mundur duhet patjetër të qeverisim vullnetin tonë.

Fare mirë do të thoni – ka gjithfarë mënyrash për të dëgjuar muzikë. Çdokush dëgjon muzikë dhe përrethohet nga muzika.

Dakord, por kjo fjali është sa e vërtetë po aq dhe mashtruese, sepse nuk i afrohet aspak përshkrimit të pretendimit – dëgjim i koncentruar, dhe në këtë pikë më thuhet një fusnotë e pashmangshme:

E nis me pyetjen – Pse dëgjojmë muzikë? Kur bëhet fjalë për të ngrënë, pirë, madje dhe për seks, këto kanë kuptim të përsosur, sepse janë thelbësore për mbijetesën dhe rrisin dukshëm begatinë personale. Po kaq i përsosur është dëgjimi i muzikës. Sepse muzika e shpërblen trurin tonë duke i çliruar dopaminë – ose, siç quhet zakonisht, “hormoni i lumturisë”.

Në nënndërgjegjen tonë ne dëgjojmë pjesë që i përshtaten humorit. Në mënyrë të pandërgjegjshme zgjedhim muzikën që përputhet me disponimin tonë: fjala vjen, kur jemi në makinë, në një festivitet, duke ushtruar pilates, apo edhe duke gatuar në kuzhinë.

Dimë që muzika ka veti universale dhe ndikon edhe pandërgjegjshëm emocionalisht tek ne. Mirëpo, po aq duhet të jemi të sinqertë që një pjesë e mirë e shoqërisë sonë konsumon muzikë për të mos u ndier vetëm, për t´u argëtuar lehtë dhe shpejt. Kjo e tëra nuk ka të bëjë fort me atë çka them më lart, pra, përkushtimit të vetes bukurisht, apo të takosh dhe të bëhesh vizitor i muzikës me ndërgjegje të plotë, pa zhurmë, dhe pa u marrë me sende të tjera aty pranë.

“Të ulesh vetëm, të lexosh, të mendosh pa britma dhe zhurma në sfond, është bërë gati si një arritje elitare dhe e vështirë. Kemi banesa me mure të holla prej nga vjen muzika pop e fqinjit. Në Amerikë, tetëdhjetë e pesë për qind e të rinjve nuk mund të lexojnë më pa dëgjuar muzikë. Rinia ka frikë nga heshtja.”, kështu shkruan George Steiner.

A nuk e keni vënë re? Teksa shijoni një libër, apo kur dëgjoni muzikë në rehati – pa u angazhuar njëkohësisht me diçka tjetër, pa rrezatim multimedial apo rrjetet sociale, Facebook, Instagram, WhatsApp etj. – “a ha” efekti, ai i habisë së mirë, na kujton të zhvillojmë zakone të reja ose të kultivojmë zakonet e mira të harruara.

Unë i përkas një brezi që muzikën (përtej faktit të sfondit tim biografik, ku muzika në familjen e sime mëje ishte si vakt ngrënieje, si dhe vajtjet rregullisht në opera me time motër) e dëgjoja nga arka e muzikës – nga një radio me llamba. Netëve të dimrit, im atë më kish krijuar një miniluks. Tek koka e divanit ku flija, më pat vendosur një radio Orion. Radion e konsideroja si një mikeshë bujare, që – paçka se e ardhur në moshë, merrte kohën të më prezantonte muzikë e artistë, për të cilët në atë kohë të largët nuk dija kurrgjë. E doja tingullin e radios; i rrumbullakosur, aq i ngrohtë me dritën verdhacake që vinte nga xhami ku qenë përshkallëzuar frekuencat e stacioneve radiofonike.

Më kujtohet, tek një nga stacionet e Jugosllavisë, natën vonë, çdo të premte, luhej Big band music dhe sigla e emisionit niste me “Take the A Train”, me versionin e Duke Ellington-it, aranzhuar enkas për big band. Kur rrinim dhe dëgjonim radio të dy me tim atë (ndjesë pastë), shpesh ky dëgjim bëhej sebep që atij t’i ndërmendeshin situata dhe ngjarje interesante. Dikur më tregoi: “Kur punoja për ndërtimin e Pallatit të Kulturës (në Tiranë) si vinçier, muaj për muaj mbaja para mënjanë për të blerë një radio. Më vonë më thanë se kot e kisha, pa autorizim s´kisha sy për Qabe. Nga miqtë mësova se një maniak i muzikës italiane me emrin Spahi-Spahi, për të blerë një radio, shiti në Sauk një arë të tërë.” Mendoj tani dhe përndritem! Im at e gjykonte me vlerë ruajtjen e gjithçkaje që kish të bënte me teknikën e radiove, radiot e dorës, përfshi këtu magnetofonat, bobinat, e më vonë kasetat dhe CD-të. Në shtëpi kishim tri radio: Orionin, një Mimoza dhe një radio (dore) kineze me pila! Ca vite më vonë, diku rreth viteve 1979 – 80 morëm një magnetofon Grundig[7]Grundig: kompani gjermane themeluar në vitin 1930 nga tregtari i radiove Max Grundig, në Fürth dhe më vonë në Nuremberg. Produktet kryesore të Grundig AG përfshinin produkte elektronike, si … Continue reading(ky moment vlen të tregohet, por po e lë për një herë tjetër), dhe bobina me shirit nga ato transparentet “BASF”. Ca kohë më vonë, në kohën e liceut, kasetat audio ferro-krom ishin zeniti i koleksionit tim të parë haptik. Ende sot kujtoj ruajtjen e gjithë këtyre mediumeve kaq të çmuara për mua.

Ndërsa sot, afërmendsh, është shumë praktike të kapësh iPhonin – atë sendin që ndërhyn kudo me kokëfortësi “24 orë / 7 ditë të javës”, në çdo hap të jetës sonë, për t´u lidhur me një sistem të mirë nëpërmjet Bluetooth-it dhe të kërkojmë muzikë në oqeanin digjital, ku gjenden miliona këngë. Jo çdo herë na vjen ëmbël parakalimi triumfal i Music-Streaming. Ai ka sjellë një tjetër ripërtëritje të konsumit në tregun muzikor. Mirëpo, ky “fat” iu bë bela zakoneve të fisme që audiofilët bukurisht me pasion patën ngritur.

Papritur, pyetja se çfarë muzike dëgjon – jo vetëm për nga zhanri dhe stili, nuk varet më nga madhësia e koleksionit muzikor të bobinave, disqeve, audio-kasetave, CD-ve, por vetëm nga fakti nëse kemi apo jo akses në internet. Pa më të voglin dyshim, konsumatori do të vazhdojë t’i përdorë këto funksione. Pyetja është deri kur?

Duke folur nga pozicioni i producentes dhe krijueses, më ha vetja të them se: meqë flasim për muzikën, është në vizionin e lartë të muzikëbërësit që vepra e tij muzikale të ketë jetë të gjatë, duke i siguruar veprës jo vetëm ekzistencë në rafte muzeale apo arkivore si dëshmi në formën e partiturës, por dhe duke e lënë dëshmi në duart e dëgjuesve, për hatër të muzikës, që ajo të mos harrohet!

Ndaj edhe albumin tim të fundit “Palimpsest” vendosa ta realizoj në vinil. Ofrimi i një albumi me një sasi të kufizuar – Limited Edition – mendoj se është një përgjigje bashkëkohore dhe e zgjuar, që shumë artistë sot e praktikojnë për të sfiduar ndryshe ritmin e industrisë muzikore. Personalisht them se muzika në vinil ndihet sikur po kontribuon në botën reale… dhe kur dikush vjen e më thotë se ka blerë diskun tim, kjo do të thotë vërtet diçka krejt e veçantë për mua si krijuese. Ndoshta jemi mësuar të marrim gjithçka që duam, menjëherë. Por pritja e një kënge, e një solistimi artistik apo pjese të caktuar kur vinili rrotullohet dhe ti je duke e ndjekur atë në mënyrë aktive, është e bukur dhe e përveçme.

Gjithsesi, nuk duhet harruar se, në fund të fundit, ajo që ka rëndësi është vendimi dhe preferenca personale e artistit dhe krijuesit për realizimin e këtij lloj mediumi, sikundër janë po aq për dëgjuesin preferencat e tyre personale audiofile. Paçka se një publikim vinili është një ndërmarrje e shtrenjtë dhe e vështirë, numri në rritje i fansave audiofilë duket se pajtohen – se ia vlen çdo qindarkë për një produkt të limituar, jo serie.

Rrekem në këtë kontekst të përsëris tezën, por dhe bëj thirrje se dëgjimit të muzikës i mungojnë ceremonitë, adetet, kënaqësia që të jep pritja për të dëgjuar diçka që e shpaketon… fundja e ke blerë me paratë e tua, xhanëm ta kanë dhuruar, madje lidhur me fjongo. Si dikur, por dhe sot, më rri zgjuar nevoja të përjetoj ndjesinë e pritjes së një albumi të ri; është ajo aroma që të përshëndet kur e hap për herë të parë në dyqan, gjë që thjesht nuk mund të krahasohet me kërkimin e muzikës nëpër platformat digjitale. Teksa mbaj një vinil ndër duar, ky album nis të më personalizohet, e bëj timin, duke i lënë shenjat e gishtërinjve nëpër kapak. Pse jo, me kast lë gjurmën time aty, duke i deklaruar, së pari, vetes se ky produkt, kjo muzikë, ky tingull, ato gërvishtje të gjilpërës mbi disk janë të miat!

Rikthimi i papritur në treg i vinilit në 2014, i cili tani pasqyrohet edhe në shifra mbresëlënëse të shitjeve, i atribuohet vazhdimisht, përveç përvojës haptike, tingullit aq të bukur analog. Disa mund ta quajnë këtë një obsesion material apo edhe fetish, por fakt mbetet se blerja e muzikës në vinil do të jetojë gjatë.

Përmend vinilet dhe titujt e tyre: “Blue in Green” të Bill Evans-it, “Acknowledgement” e John Coltrane-t, “Laudate Pueri” e Monteverdit, apo albumet e Anton Heiller-it (sidomos interpretimi i Passacaglia-s të Johan Sebastian Bach), s´kam si lë pa përmendur “O Fortuna” e Orff-it (Carmina Burana), “Va pensiero” e Verdit, apo qofshin edhe kolonat zanore të filmave që prej kohësh janë në formën e vinilit: suita e filmit “Out of Africa” dhe “Somewhere in Time”, “Tema e Adës”, tek filmi “1900” i Morricone-s; pa mëdyshje them se në ato çaste bota përreth fiket dhe vetë muzika “rrotullohet”. Është ajo ndjenja e të qenët jashtë kohës dhe hapësirës. Kur dëgjoj symbyllur një vinil, pushtohem nga ajo që vetëm muzika mund të bëjë kur të godet në zemër dhe është në gjendje të shkundë themelet e ekzistencës sate.

Ku qëndron lumturia absolute e dëgjimit të muzikës përmes vinilit?

Përmes këtyre ceremonive, fort e më tepër ndiej se i largohem ngutjes dhe ritmit të tensionuar të së përditshmes: zhytja në tingull dhe sentimentaliteti i regjistrimeve që mbart një disk-vinil, është si meditimi – një mënyrë për t’i shpëtuar tollovisë dhe ndotjeve të çfarëdoshme që i ndodhin veshit, syrit, gjithë qenies. Tani ndodh më shpesh që në mbrëmje dëgjoj enkas, me ngulm, një disk të plotë. Së bashku me pasionin tim për “Spirit of Wine”[8]“Spirit of Wine” është brandy i parë i Kantinës “Çobo” – ekstra i vjetër, me rreth 6 vjet maturim në barrika, në të cilat janë vjetruar verërat më të mira të … Continue reading rezultati është një kombinim i përkryer. Thjesht merrni kohë për ta mbyllur ditën duke e përfunduar me një çlodhje të denjë, duke dëgjuar rehat një album, pa rrezatim multimedial nga kanale të tjera. Për mua, dëgjimi i muzikës mund të bëhet një ngjarje, ku ndoshta ne mund të takohemi për të dëgjuar së bashku vinile dhe koleksionet vetjake, sepse aty qëndron një formë tjetër e lumturisë.

© 2022 Eda Zari. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Photo by Dorien Monnens on Unsplash.

References

References
1 Technics: pajisje për luajtjen e vinileve. U bë i njohur me serinë e pajisjeve SL-1xxx; modelet më të njohura ishin ose janë Technics SL-1200MK2 me operim manual, i cili doli në treg në 1972.
2 Kompania Dual (e dyfishtë) u themelua në vitin 1907 nga vëllezërit Steidinger në St. Georgen në Schwarwald, Gjermani.
3 Vinyl player është një pajisje për luajtjen e disqeve. Pararendësit e këtyre pajisjeve ishin pajisjet mekanike të shpikura rreth vitit 1880, Phonograph dhe Grammophon. Emil Berlineri, shpikësi i gramafonit dhe pllakave Grammophon, i patentoi ato në vitin 1887. Pas pajisjeve me motorë elektrikë dhe gjenerim mekanik të tingullit, pasuan pajisjet e para të luajtjes së disqeve me motor elektrik dhe pickup elektrik. Pasi funksionimi elektrik u bë i zakonshëm, u vendos termi “pllakë rrotulluese”.
4 Vinyl cover: është një mëngore ose zarf kartoni i printuar për paketimin e vinileve. Dizajni i ballinës dhe shpinores së zarfeve kishte një rëndësi të madhe për marketingun dhe shpërndarjen e vinileve, që nisi nga mesi i viteve 1950 deri në fund të viteve 1980, kur vinili ishte formati kryesor për regjistrimin e muzikës.
5 Shpesh shohim nëpër pajisjet e luajtjes së vinileve rreshta të ndryshëm pikash ngjitur në pllakën rrotulluese. Aty është edhe llamba e stroboskopit, që ndriçon përmes një dritareje shumë të vogël pllakën rrotulluese. Ajo shërben për axhustimin e përsosur të pllakës rrotulluese. Drita strobe lëshon një frekuencë që korrespondon me shpejtësinë (33/45).
6 Shellac është një rrëshirë natyrale. Në gjendje të nxehtë, materiali është shumë elastik, gjë që bën të mundur prodhimin e pllakave me vulosje. Në temperaturën e dhomës ky material është shumë i fortë dhe i qëndrueshëm. Materiali përbëhet dhe nga substanca të tjera specifike – e krahasoj fortësinë e shellac-it me xhamin, por nëse bie, ai është i thyeshëm. Është Emil Berlineri që në 1895 themeloi kompaninë e tij për prodhimin e gramafonave “Kompania e Gramafonit të Berlinerit”.
7 Grundig: kompani gjermane themeluar në vitin 1930 nga tregtari i radiove Max Grundig, në Fürth dhe më vonë në Nuremberg. Produktet kryesore të Grundig AG përfshinin produkte elektronike, si p.sh. radio, televizor, magnetofon, videoregjistrues dhe sisteme hi-fi.
8 “Spirit of Wine” është brandy i parë i Kantinës “Çobo” – ekstra i vjetër, me rreth 6 vjet maturim në barrika, në të cilat janë vjetruar verërat më të mira të kantinës. Është shumë i çmuar për aromën, trupin, intensitetin dhe shijen tejet të zgjatur. Të gjitha këto karakteristika e bëjnë atë një brandy unik shqiptar.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin