Shënime për Festivalin Ndërkombëtar të Artit të Tingullit dhe Radios PRISON RADIO nga 10-13 shtator 2026 në Prishtinë
Pas disa javësh, krahas programit, veprave artistike dhe transmetimeve radiofonike, nga katër ditët e PRISON RADIO-s ngelin mbi të gjitha sekuencat e takimeve të rastësishme, të paparashikuara, paralele e të njëkohshme. Gjithçka që mund të quhet glücklicher Zufall, rastësi fatlume. Bisedat në oborrin e ish-Burgut të Prishtinës, sot muze i njohur si Burgu i Idealit, midis dy transmetimeve; një bisedë e dëgjuar rastësisht në korridor; vrulli magjepsës i një bisede gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë; një pyetje e shtruar pas një ligjërate, që hap rrugën për një mori diskutimesh të tjera; një shkëmbim historish dhe të qeshurash natën vonë te Hani i dy Robertëve, ndërkohë që Kolektiv Radio ishte on air dhe Lumpen Station vazhdonte të transmetonte pandalshëm. Secili prej këtyre momenteve ishte i veçantë, i lidhur me një person, një zë, një biografi. E megjithatë, shikuar në retrospektivë, ato nuk mbetën fragmente të shkëputura dhe assesi nuk ishin krejt të rastësishme. Përmes performancave, transmetimeve të drejtpërdrejta, veprave radiofonike, instalacioneve tingullore, ligjëratave, punëtorive të specializuara, një ekspozite të shtrirë në 14 qeli të ish-Burgut të Prishtinës, shëtitjeve të dëgjimit dhe një vrapimi poetik komunitar, këto perspektiva individuale dalëngadalë formësuan një tablo të përbashkët.
Midis këtyre takimeve ishte i pranishëm edhe shpirti i Alexander Kluge-s. Në shkurt të vitit 2025, pak më shumë se një vit para vdekjes së tij, ai na ishte bashkuar përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë për Mësymja e së tashmes ndaj kohës së ngelur, një retrospektivë e veprës së tij në Kino Armata. Gjatë retrospektivës, në njërin nga filmat e tij minutësh, të cilët i kishte dërguar si dhuratë për retrospektivën, ai thoshte se subjektivja është më objektivja. Rrallëherë e kishim ndjerë aq qartë sa gjatë këtyre katër ditëve të festivalit PRISON RADIO vërtetësinë e pohimit të tij se subjektivja është më objektivja.
Filmi themelor i Alexander Kluge-s, Lamtumirë ngjarjeve të djeshme (Abschied von gestern, 1966), na jep një udhëzues, pasi shumë kategori që diskutuam gjatë festivalit PRISON RADIO përputhen këtu. Filmi hapet me thënien “Nga e djeshmja nuk na ndan një humnerë, por situata e ndryshuar.” Pasojnë disa pyetje sikur të ishin thënë në një vendim përfundimtar: “A nuk ishte ai që e ndau vajzën nga nëna? A nuk ishte ai që nuk e liroi të burgosurin, e as që ia hoqi prangat? A nuk ishte ai që nuk e lejoi të burgosurin ta shihte dritën?” Vetëm atëherë fillon procesi gjyqësor kundër Anita G., personazhit kryesor, të luajtur nga motra e Alexander Kluges, Alexandra Kluge. Ajo akuzohet se ka marrë xhaketën e një kolegu. Gjyqtari rindërton jetën e saj përmes disa pyetjeve të thata: ajo erdhi nga rajoni i Leipzigut në vitin 1957, gjyshërit e saj u përndoqën si hebrenj në vitin 1938, si fëmijë ajo u përjashtua pjesërisht nga shkolla, punoi si telefoniste dhe dëshironte të mësonte diçka. Kur ajo thotë se papritmas u frikësua, dhe se kjo frikë rrjedh nga ngjarje më të hershme, gjyqtari e ndërpret. Ajo që mund të ketë perceptuar si fëmijë në vitin 1943 ose 1944 vështirë se mund të ketë lidhje me situatën e saj të tanishme “sipas përvojës, gjëra të tilla nuk mbeten tek të rinjtë“.
Skena është po aq akustike sa edhe ligjore. Gjyqtari i kërkon asaj të vendosë duart qetësisht mbi tavolinë dhe të qëndrojë e qetë. Ai i ofron asaj përgjigje, dhe ajo i përsërit ato. Zëri i saj dëgjohet vetëm në fragmente. Një po, një me siguri, një hezitim. Në këto pak fjali të skenës gjendet gjithçka që institucioni refuzon të dëgjojë. Një histori që nuk përfundon me humnerën e vitit 1945, por vazhdon të veprojë brenda një trupi, në situatën e ndryshuar. Ajo që nuk mund të vendoset brenda dosjes është pikërisht ajo që e di subjektivja. Duke parë Anita G, mund të nxjerrim disa pika hyrëse duke rishqyrtuar subjektiven në punën tonë me tingullin, radion dhe burgosjen. Të dëgjuarit pikërisht aty ku institucionet vendosin se një histori personale nuk ka ndikim në të tashmen. Krijimi i hapësirës për zërin që në sallën e gjyqit lejohet vetëm të thotë po.
Prandaj, kur Hava Shala kujton gjatë hapjes së PRISON RADIO se duhej të vazhdonte të këndonte gjatë izolimit në vetmi dhe se askund kënga nuk tingëllon më bukur sesa në burg, kjo nuk është një anekdotë individuale e vendosur krahas historisë. Kjo është vetë historia, e rrëfyer në të vetmen shkallë në të cilën mund të tregohet me vërtetësi: në shkallën e një trupi, një zëri dhe një kujtese që refuzon të zhduket. Poashtu në hapje të festivalit, Martin Çuni, dikur i burgosur brenda po këtyre mureve, prej të cilave kishte tentuar edhe të arratisej, lexonte një letër drejtuar bashkëshortes së tij, Mrikës, emri i së cilës jehonte nëpër oborr, ndërsa vetë jeta e tij ishte formësuar thellësisht nga burgosja e tij, por edhe nga puna e tij në radiostacione të ndryshme, si para ashtu edhe pas burgosjes. Këta janë vetëm disa nga shembujt e rrëfimeve të shumta që nuk pretendojnë të përfaqësojnë të tërën. Dhe pikërisht sepse nuk pretendojnë këtë, tërësia bëhet e dëgjueshme përmes tyre.
Radioja kundër mureve
Që nga fillimi, na ka shoqëruar një pyetje: si mund të krijohet art përballë përvojës së burgimit? Si mund të mendohet madje për të bërë art, për ta përdorur radion, në një vend të ndërtuar për t’i izoluar dhe për t’i heshtur njerëzit? Ekziston gjithmonë rreziku i estetizimit të vuajtjes, i shndërrimit të vendit të dhunës në sfond. Arti mund të tej-shpjegohet lehtësisht, leksionet e tij të nxirren paraprakisht, ose të rrëshqasë drejt sensacionalizmit, ku vuajtja kthehet në spektakël. Çfarë na preku ishte mënyra se si shumë prej veprave i refuzuan të dyja këto prirje, duke i lënë hapësirë heshtjes, këndvështrimit të të burgosurve dhe vetë dëgjuesve; kjo solli një sërë momentesh të papritura. Shpesh nuk ekzistonte një kuptim i vetëm, por vetëm pikënisja për diskutime dhe shkëmbime rreth një vepre dhe asaj që ajo evokon nga këndvështrimi i artistëve, e mbi të gjitha, nga ai i ish-të burgosurve. Veprat artistike i rezistuan artit tepër edukativ, duke formësuar punën e tyre sipas një logjike ndikimi që shpjegohet vetë deri në pikën e shterrjes dhe nuk lë asnjë hapësirë për dykuptimësi, dyshim apo të pathënën. Dhe veprat artistike, nga ana tjetër, i rezistuan eksploatimit të senzacionit, ku trauma kthehet në spektakël dhe vuajtja vihet në skenë për efekt emocional.
Vetëdijësimi për këtë dikotomi të kufizimeve u kundërshtua me kërkime dhe shkëmbim njohurish. Alban Beqiraj kaloi muaj të tërë duke mbledhur më shumë se 100 faqe letërsi, poezi, letra dhe dëshmi të burgosjes nga Kosova dhe Shqipëria, në rajonin më të gjerë e më tej. Libri i leximit ndonjëherë përfshin faqe të tëra me tituj, emra, autorë ose lidhje në internet për materiale të rëndësishme. Ai u bë një pikë e përbashkët reference për artistët, kontribuesit dhe kolektivin kuratorial, si dhe një kujtesë se çdo vepër në festival hyn në dialog me zëra që kishin shkruar, kënduar dhe folur pas mureve të burgut shumë para nesh. Në fund, ne nuk e zgjidhëm këtë çështje, dhe nuk mendojmë se duhej ta kishim zgjidhur. Ajo që na tregoi festivali është se artistët punuan me një vetëdije të saktë për traumën, në vend që ta anashkalonin atë, dhe se kjo vetëdije i dha veprës së tyre një peshë të veçantë.
Megjithatë, pamë se këtu radio ka një vend të veçantë. Sipas rrëfimit të Ibish Nezirit nga burgu në Staragradishkë, të burgosurit fshehurazi kishin ndërtuar një marrës nga një kuti kartoni, kapakë të tubave të pastës së dhëmbëve dhe pjesë të improvizuara, dhe natën me kokat nën batanije dëgjonin stacionet e ndryshme. Radioja ishte e ndaluar si objekt, por ajo kishte hapur një kanal drejt një bote prej së cilës burgu përpiqej t’i shkëpuste.
Përgjatë gjithsej 72 orëve, me nga 12 orë transmetim të drejtpërdrejtë çdo ditë, Lumpen Station e shndërroi ish-Burgun e Prishtinës në një transmetues dhe marrës sinjalesh, ndërsa Kolektiv Radio e zhvendosi përvojën e dëgjimit në hapësirën shoqërore dhe publike të Hanit të dy Robertëve. Punëtoria e specializuar Radio mobile: 20 vite të radios si art, me Sarah Washington dhe Knut Aufermann, si dhe koncerti i Tonic Train me HAM Radio Orchestra Kosova, gjatë të cilit radioamatorët komunikonin me njerëz përtej kufijve të Kosovës duke sjellë zërat dhe bisedat e tyre në oborrin e burgut, na kujtuan se radioja, përtej funksionit të saj transmetues, ka edhe një dimension komunitar: njerëz që flasin, dëgjojnë, krijojnë dhe kujtojnë së bashku. Ndoshta ky është paradoksi që përjetuam: arti dhe krijimtaria duken pothuajse të pamundura në këtë vend, e megjithatë, në të njëjtën kohë, shfaqen si e vetmja rrugëdalje. Të këndosh, të recitosh, të trokasësh, të dëgjosh, të transmetosh, të përsërisësh.
Fig. 1: Tonic Train me HAM Radio Orchestra Kosova, oborri i ish-Burgut të Prishtinës, PRISON RADIO 2026. Foto: Zana Begolli

Një zhvendosje akustike në vazhdimësinë e burgut
Kur Ilir Bajri hapi festivalin në oborrin e madh të burgut me një adaptim tingullor të veprës Disiplinë dhe Ndëshkim të Michel Foucault-së, vetë arkitektura dukej sikur çahej nën fuqinë e tingullit. Përmes fragmentimit, muzikalitetit intensiv dhe tjetërsimit vokal, teksti i Foucault-së konsrtuktohej dhe dekonstruktohej në kohë reale, duke lëvizur midis gjuhëve, zërave, toneve dhe temperaturave të ndryshme. Teksa gjuha shpërbëhej në tingull, të kuptuarit nuk varej më vetëm nga domethënia e fjalëve, por lindte nga vetë përvoja e dëgjimit.
Pikërisht këtu, filozofia e dëgjimit e Salomé Voegelin-it na prezanton me atë që mund ta quajmë zhvendosje akustike: një largim nga rendi vizualisht mbizotërues i mbikëqyrjes, klasifikimit dhe kontrollit, drejt dëgjimit si mënyrë e prodhimit të dijes dhe e ndërtimit të marrëdhënieve shoqërore. Në veprën Listening to Noise and Silence: Towards a Philosophy of Sound Art (Duke dëgjuar zhurmën dhe heshtjen: Drejt një filozofie të artit të tingullit), Voegelin vë në pikëpyetje sigurinë në dukje të dijes vizuale, duke propozuar dëgjimin si një praktikë gjithëpërfshirëse dhe pjesëmarrëse, ku dëgjuesi nuk mund të mbetet jashtë asaj që dëgjon. Në vend që të vëzhgojmë një botë tashmë të formësuar, dëgjimi na përfshin në procesin e vazhdueshëm të krijimit të saj. Dëgjimi nuk është në vetvete emancipues, por hap mundësinë për të vënë në pikëpyetje dhe për të rinegociuar marrëdhëniet e pushtetit përmes të cilave e perceptojmë botën dhe lidhemi me njëri-tjetrin. Dhe ndoshta PRISON RADIO vuri në lëvizje brenda nesh pikërisht këtë: një zhvendosje pothuajse të padukshme në mënyrat tona të të menduarit dhe të perceptuarit, teksa dëgjimi gradualisht u bë vetë mjeti përmes të cilit nisëm të kuptonim vuajtjen që shfaqet nga ndërthurja e rrëfimeve të të burgosurve me burgun si pikë referimi hapësinore.
Theodor W. Adorno tashmë kishte skicuar një figurë të ngjashme të mendimit. Në shënimet e tij Drejt një teorie të riprodhimit muzikor (Towards a Theory of Musical Reproduction), ai e bazon interpretimin e vërtetë në atë që e quan logjikë dëgjimi dhe shkruan se dëgjuesi që zhduket brenda veprës është pikërisht ai që e bën atë të vërtetë. Ajo që mund të tingëllojë si paradoks përshkruan, besojmë, atë që dëgjimi na kërkon. Një këngë në një qeli, një trokitje përmes radiatorit ose një frekuencë e dobët radioje nuk ekziston si një objekt i përfunduar që mund të vëzhgohet nga larg. Ajo shpalohet vetëm në kohë, dhe vetëm për dikë që është i gatshëm ta ndjekë. Një dëgjim i tillë nuk është as pasiv, as posesiv. Ai kërkon të lësh mënjanë pritshmëritë e tua për të ndjekur ritmin, pauzën dhe hezitimin e një zëri tjetër, dhe pikërisht në këtë dorëzim të vëmendshëm dëgjuesi bëhet pjesë e mënyrës se si krijohet kuptimi. Këtu takohen dëgjimi pjesëmarrës i Voegelin-it dhe logjika e dëgjimit e Adorno-s, dhe të dyja çojnë përsëri te insistimi i Kluge-s se subjektivja është më objektivja. Subjektivja nuk bëhet objektive duke u deklaruar, por duke qenë e gatshme të humbasë veten në atë që ka për të thënë tjetri.
Duke iu referuar instinktivisht këtij roli të dëgjimit, tingullit dhe zhurmës, shumë nga kontributet në festival plotësuan njëra-tjetrën. Në ligjëratën e tij, Labinot Kelmendi duke u mbështetur te Salomé Voegelin, Jacques Attali dhe neologjizmi i Kadaresë zhurmhuria shqyrtoi dimensionet ontologjike, estetike dhe sociopolitike të zhurmës, duke e propozuar atë si një mundësi për t’u shkëputur nga regjimi i vizualitetit dhe për të rimenduar marrëdhënien mes tingullit, pushtetit dhe transformimit shoqëror.
Historiografia e pavetëdijshme
Në veprën Teoria estetike, Theodor W. Adorno e përshkruan artin si përfaqësuesin fuqiplotë të një praktike më të mirë dhe si historiografinë e pavetëdijshme të epokës së vet. Ky formulim na ndihmon të kuptojmë atë që ndodhi gjatë këtyre ditëve. Asnjëra prej veprave nuk synonte të shkruante historinë e ish-Burgut të Prishtinës, të burgosjes politike apo të përvojës së burgimit në Kosovë, Shqipëri, Belgjikë, Kolumbi, Siri apo Brazil. E megjithatë, përmes formës së tyre, heshtjeve dhe ndërprerjeve, ato e shkruan këtë histori. Listening Backward e Toni Dimitrovit, 111 e Nuno Ramos-it, me leximin e emrave të të burgosurve të vrarë në Carandiru, si dhe këngët e Festivalit të Këngës të vitit 1972, pas të cilave pasuan përndjekjet: historia hyri në këto vepra jo si përmbajtje, por si përvojë e sedimentuar.
Ekspozita Sound, Resisting i solli këto pyetje në katër pavijonet e burgut, në kullën e vrojtimit dhe në oborret e ish-Burgut të Prishtinës. Qelitë, të ndërtuara dikur për izolim, u mbushën me zëra, nga fjalët e Adem Demaçit dhe dëshminë e Zef Pllumit në bisedë me Elsa Demon, deri te kënga The Auld Triangle, e interpretuar nga kori In and Out. Vepra Dalja nga Terri e Hazir Rekës prezantoi një fotografi të rrallë që kap çastin e lirimit të një të burgosuri nga ish-Burgu i Prishtinës, ndërsa PRISON × LOVE trajtoi rregullimin shoqëror të intimitetit dhe trishtimin që e shoqëron atë. Në një qeli tjetër, instalacioni i Thomas Krempke-s Befas u zgjove… mori si pikënisje Ëndrrat, një poezi që Visar Zhiti shkroi në vitin 1982 ndërsa ishte i burgosur në Spaç, e cila u interpretua në gjuhën e shenjave. Celda B-8 ¼ nga Juan Camilo Herrera Casilimas dhe Andrés Arizmendi e zhvendosi vështrimin drejt zhvillimeve bashkëkohore politike dhe realiteteve të burgosjes në Kolumbi.
Fig. 2: Ilir Bajri, adaptimi tingullor i Disiplinë dhe ndëshkim, hapja e festivalit, ish-burgu i Prishtinës, PRISON RADIO 2026. Foto: Zana Begolli
Fig. 3: Eli Krasniqi, masterklasë Arkivat në pezullim, ish-Burgu i Prishtinës, PRISON RADIO 2026. Foto: Zana Begolli
Fig. 4: Elsa Demo, ese radiofonike live Prej heshtjes së fjalëve, lexim nga Libri i burgut i Arshi Pipës, ish-Burgu i Prishtinës, PRISON RADIO 2026. Foto: Zana Begolli

Fig. 5: Adina Camhy, so that we’d never feel alone, instalacion tingullor, ekspozita Sound, Resisting, ish-Burgu i Prishtinës, PRISON RADIO 2026. Foto: Zana Begolli

Veprat e tjera artistike iu qasën këtyre historive përmes vetë kushteve të komunikimit dhe ndërprerjes së tij. Në instalacionin e Adina Camhy-t so that we’d never feel alone u rikthyen sinjalet e trokitjeve të shkëmbyera përmes mureve dhe radiatorëve: arkitektura e ndarjes u shndërrua sërish në një infrastrukturë komunikimi, duke e kthyer të gjithë ndërtesën në një instrument. Në koncertin e saj PRISON x BODY, Adina ndërthuri vepra dhe improvizime nga tri vitet e fundit, gjatë të cilave ka luftuar me sindromën post-Covid: regjistrime në terren nga peizazhi i ashpër karstik, improvizime të regjistruara në një organo kishtare druri në një fshat alpin malor, dhe fragmente si poezi që trajtojnë sëmundjen kronike dhe shpresën; trupi si burg. Më pas ishte Different Light e Sarah Washington-it, e vendosur në kullën e vrojtimit, e cila trajtonte historinë e jetës dhe dashurisë së Abdullah dhe Akile Zhegrovës, të lidhur përmes përvojës së tyre të përbashkët të burgosjes. Defend and Protect e Maja Zećo-s, me jelekun e rënduar që bartte tingullin e dronëve ushtarakë, solli në fokus një dimension tjetër të kufizimit, ku vetë tingulli shndërrohet në mjet frikësimi dhe kontrolli. Në Episode 6 të Anouk Albrecht-it, frekuencat e zbehta të radios krijonin lidhje që ndërpriteshin dhe rivendoseshin vazhdimisht, duke e bërë të dëgjueshme vetë brishtësinë e komunikimit. Ndërsa shëtitja dëgjimore përmbyllëse e Knut Aufermann-it, remnants & seeds, na ftoi ta dëgjonim ndryshe mjedisin përreth ish-Burgut të Prishtinës, atë që ka mbetur dhe atë që ende mund të shfaqet. Secila prej këtyre veprave, në mënyrën e vet, eksploroi pragun mes kufizimit dhe transmetimit, mes mundësisë së lidhjes dhe brishtësisë së saj të vazhdueshme.
Përmes gjeografive, historive dhe qasjeve të ndryshme artistike, ekspozita hapi një dialog mes së kaluarës dhe së tashmes, mes burgut si vend historik dhe burgosjes si realitet politik i vazhdueshëm. Kjo historiografi jeton në një dialektikë që nuk mund të mbyllet, në një gjendje ndërmjetësie mes potencialitetit dhe pamundësisë. Përfundimet e Adornos mbi barbarinë e të bërit art pas vuajtjeve të jashtëzakonshme citohen shpesh, por relativisht të panjohura mbeten pohimet e tij të mëvonshme në Negative Dialectics (Dialektika negative), ku ai shkruan se vuajtja ka po aq të drejtë të shprehet sa ç’ka një njeri i torturuar të drejtë të bërtasë. Veprat nuk sheshuan këtë ambivalencë dhe tension. Ato i bënë të dëgjueshme.
Masterklasa e Eli Krasniqit Arkivat në pezullim trajtoi arkivin e fragmentuar të përvojave gjinore të burgosjes në Kosovë, duke shqyrtuar se si fshehtësia, burgosja dhe njohja e vonuar e formësojnë shkrimin e historisë. Në ligjëratën e saj Histori të rezistencës dhe burgosjes nga perspektiva gjinore, ajo shqyrton pjesëmarrjen e grave shqiptare në Ilegale, lëvizjen e rezistencës ilegale në Kosovë gjatë socializmit jugosllav, duke u përqendruar në formimin e tyre politik, burgosjen dhe solidaritetin e shprehur përmes këngës në burg. E lidhur me demonstratat e mëdha të viteve 1968 dhe 1981, Ilegalja përfaqësonte rezistencën si ndaj autoritetit shtetëror, ashtu edhe ndaj patriarkatit. Krasniqi gjurmon shndërrimin e grave në subjekte politike përmes kujtimeve familjare të shtypjes, arsimimit, miqësive dhe rrjeteve të besimit. Ajo gjithashtu vë në pah mënyrën se si botimet ilegale, veçanërisht Kosovarja e re, dokumentuan rezistencën e grave dhe guximin e atyre që u burgosën në vitin 1981.
Eseja radiofonike e drejtpërdrejtë e Elsa Demos, Prej heshtjes së fjalëve, trajtoi autorët shqiptarë që shkruan nën represionin komunist, duke krijuar një letërsi kundërkulturore të rezistencës, jashtë qarkullimit zyrtar. Shpesh të shkruara pa pasur lexues, por të mbështetura nga shpresa për t’u njohur në të ardhmen, veprat e tyre ruajtën autonominë letrare dhe shërbyen si dëshmi dokumentare. Demo vë në pah Kasëm Trebeshinën, Jamarbër Markon, Shpëtim Gínën, Zef Zorbën, At Zef Pllumin, Arshi Pipën dhe Maks Velon, shkrimet e të cilëve sfiduan modelin letrar mbizotërues dhe pasuruan letërsinë shqipe. Siç argumenton Demo, këta autorë reflektuan mbi kohën e tyre, rikthyen vlerat njerëzore të shtypura nga diktatura dhe krijuan vepra me rëndësi të qëndrueshme artistike, estetike dhe historike. Në kontributin e saj të dytë në seancat e drejtpërdrejta të radios, Prej hirit të figurave, Demo bisedoi me Krenar Zejnon për Maks Velon, i cili u dënua në vitin 1978 për sfidimin e doktrinës së Realizmit Socialist dhe veprat e të cilit – rreth 264 prej tyre – u sekuestruan dhe u dogjën nga policia sekrete. Tri nga litografitë e tij u ekspozuan gjithashtu.
Ligjërata Zëra të mbytur, bar i egër e Orgest Azizit zhvendos vëmendjen nga burgu si hapësirë optike drejt murmurimave, zhurmave dhe britmave të tij. E mbajtur në shënimin e 100-vjetorit të lindjes së Foucault-së, kjo ligjëratë eksploron një arkeologji të heshtjes, duke gjurmuar zërat e shtypur dhe të fshirë përmes ligjëratave dhe intervistave të regjistruara të Foucault-së. E strukturuar si një udhëtim ose montazh, ajo ndërthur dijen dhe artin, epistemen dhe poetikën, duke reflektuar qasjen eksperimentale të PRISON RADIO-s për rikthimin e zërave të harruar. Azizi bën thirrje për një metodë të re historike, të mbështetur në mungesa, fragmente dhe dëshmi të paplota, në vend të diskurseve mbizotëruese. Ai shqyrton gjithashtu përmbysjen anti-Platonike të Foucault-së në marrëdhënien mes trupit dhe shpirtit: në vend që trupi të jetë varri i shpirtit, shpirti bëhet produkt teknologjik i pushtetit, i projektuar për ta nënshtruar trupin.
Riprodhim dhe prani
Walter Benjamin shkruante në The Work of Art in the Age of Mechanical Reproduction (Vepra e artit në epokën e riprodhimit mekanik) se ajo që vyshket në epokën e riprodhimit mekanik është aura e veprës së artit. Radioja është në njëfarë mënyre mediumi ideal i kësaj vyshkjeje: një zë i shkëputur nga trupi, i shumëfishuar, i transmetuar në dhoma ku folësi nuk do të hyjë kurrë. E megjithatë, në PRISON RADIO ndodhi diçka kurioze. Një medium komunikimi në distancë u rikthye në një vend fizik. Në një oborr, në një qeli, së bashku rreth një tavoline. Siç mund ta kishte shprehur Kluge, radioja u bë sërish një medium më i drejtpërdrejtë i sferës publike, më pranë drejtpërdrejtësisë së teatrit, kinemasë apo operës sesa transmetimit anonim.
Benjamin e shihte riprodhimin edhe si një formë emancipimi: vepra e çliruar nga varësia e saj prej ritualit, e hapur ndaj formave të reja të receptimit dhe pjesëmarrjes. Duket se në kohën tonë të riprodhimit dhe qarkullimit të pafund, subjektiviteti bëhet më i rëndësishëm. Kur çdo tingull mund të kopjohet, transmetohet dhe arkivohet, ajo që nuk mund të riprodhohet është marrëdhënia e veçantë midis një zëri dhe përvojës që ai bart, si dhe marrëdhënia midis atij zëri dhe personit që e dëgjon. Ndoshta aura nuk është zhdukur tërësisht. Ajo mund të jetë zhvendosur në secilin prej këtyre takimeve. Jeton në çastin kur një ish-i burgosur flet në ndërtesën ku dikur mbahej i burgosur, kur një dëgjues në kuzhinën e tij të largët, dëgjon trokitjet përmes mureve, kur një pjesëmarrës në shëtitjen tingullore Rigjurmimi i hapave përshkon rrugën e Blertë Ismajlit për në shkollë, përgjatë viteve të sistemit paralel, një përvojë që jehon në poezinë Walk to School nga Verena Walzl.
Fig. 6: Pjesëmarrësit e shëtitjes tingullore Retracing Steps, Dragodan, Prishtinë. Foto: Zana Begolli

Prandaj çështja e arkivit ka kaq shumë rëndësi për ne. Regjistrimet e këtyre ditëve do të qarkullojnë më tej, do të (ri-)transmetohen nga radio të tjera të lira dhe komunitare dhe do të dëgjohen në kontekste që nuk mund t’i parashikojmë. Në këtë rast, riprodhimi nuk është armiku i kujtesës. Përkundrazi, ai është kushti që këta zëra subjektivë të bëhen pjesë e një sfere kundër-publike më të gjerë e të përbashkët, ku ndërthuren aftësia për të vepruar dhe kujtesa kolektive.
Çfarë mbetet
Tingujt janë shuar në korridoret e Burgut të Idealit, ish-Burgut të Prishtinës, por takimet vazhdojnë të jehojnë. PRISON RADIO nuk iu përgjigj pyetjes se si mund të krijohet art përballë përvojës së burgosjes. Ajo e la këtë pyetje të hapur dhe, duke vepruar kështu, tregoi se dëgjimi mund të jetë një formë e të qenit së bashku dhe se të qenit së bashku mund të përbëjë në vetvete një formë rezistence, siç sugjeron edhe titulli i ekspozitës së PRISON RADIO-s, Sound, Resisting: një reflektim kritik mbi burgosjen mes së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes, si dhe një dritare për t’i ndarë këto reflektime gjatë festivalit mes njerëzve dhe, qoftë edhe për një çast, përtej mureve, dhe përmes radios në distanca të largëta, dhe përmes arkivave përgjatë kohës. Ndoshta kjo është ajo që Kluge nënkupton kur këmbëngul në objektivitetin e subjektives. Historia nuk shkruhet vetëm nga lart. Ajo edhe këndohet në një qeli, trokitet përmes një muri, pëshpëritet nën një batanije dhe transmetohet sërish, këndohet përsëri, recitohet në heshtje dhe me zë të lartë në shoqërinë e të tjerëve, pëshpëritet në netët dhe ditët që do të vijnë dhe flitet në radio për këdo që është i gatshëm të dëgjojë.
PRISON RADIO u mbajt nga 10 deri më 13 shtator 2026 në ish-Burgun e Prishtinës (Burgu i Idealit) dhe në Hanin e dy Robertëve, në Prishtinë. Një festival ndërkombëtar, transdisiplinor, kushtuar artit të tingullit dhe radios dhe diskursit, konceptuar dhe kuruar nga kolektivi i PRISON RADIO: Alban Beqiraj, Blertë Ismajli, Alexander Vojvoda, Verena Walzl. Ky tekst është shkruar nga Alexander Vojvoda në emër të Kolektivit të PRISON RADIO si reflektim mbi ato ditë.
Përktheu: Blertë Ismajli
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.



