Botimi i studiuesit Yll Rugova “Bota e Todhrit – elbasanasit që shkruanin ndryshe” është historia e një personazhi dhe e një periudhe për të cilën shumë pak dihej apo njihej ndryshe: figura e Dhaskal Todhrit, kalaja dhe Elbasani. Nga mikrohistoria te makrohistoria.
Todhri, një nga emrat e njohur të historisë së shkrimit të shqipes, jepet përtej biografisë. Në vend të një rrëfimi të thjeshtë për arritjet e tij, kemi rindërtimin e një pjese të jetës së përditshme të Elbasanit në shek.XVIII, duke i dhënë mundësinë lexuesit të kuptojë se si një personazh i njohur mund të shihet brenda komunitetit të tij, si produkt i rrethanave shoqërore, ekonomike dhe fetare të kohës.

Në përgjithësi, ka një tendencë që figurat historike nderohen duke ua “fshirë” pjesë të jetës dhe të rrethanave që i bënë ata që ishin, duke i nxjerrë jashtë kontekstit historik e familjar. Arritjet e tyre mbijetojnë gjithmonë, por puna, besimi dhe shqetësimet e zakonshme konsiderohen detaje të parëndësishme.
Dhaskal Todhrin shumica e shqiptarëve e njeh si mësuesin elbasanas, i cili krijoi një alfabet origjinal për shkrimin e shqipes, por shumë pak dihet për botën, në të cilën një akt i tillë ishte i nevojshëm. Dhe vetëm kaq. A thua se ai jetoi jashtë komunitetit, familjes dhe qytetit, të cilët, pa dyshim, kanë ndikuar në formimin e tij.
Pak botime të shkruara ka për kohën kur ai jetoi dhe ishte aktiv, shek. XVIII, aq sa të krijohet ideja sikur në Elbasan nuk ka pasur jetë, apo, më së paku, është ndërprerë dinamika e zhvillimit.
Krejtësisht tjetër është panorama që na jep studimi i Rugovës. Po, në shek. XVIII, Elbasani ka qenë qytet në nivele të kënaqshme zhvillimi ekonomik e social. Është pikërisht qytet, që përmbush kriteret e Max Weber-it për t’u vlerësuar si i tillë, ndonëse me tipare orientale, por që nuk dallon shumë nga qytetet perëndimore, në strukturë, madje tepër karizmatik.
Sigurisht, nuk mund të krahasohet me zhvillimin e Elbasanit në shek.XVII, periudhë kur Elbasani dhe Berati ishin në pararojë të zhvillimit në hapësirën mbarëshqiptare. Midis shkaqeve të rënies Rugova trajton edhe elemente gjeopolitike, të cilat ndikuan veçanërisht në tregti. Pikërisht për këtë periudhë, ai mundi të na japë historinë e një qyteti, nga historia e një lagjeje dhe e një personazhi dhe ia ka dalë të shkruajë historinë e Elbasanit në shek. XVIII. Ndonëse është kufizuar tek ortodoksët e Kalasë, edhe pjesa tjetër myslimane në të njëjtat kushte punonte e jetonte. Është hapësirë e vogël për të pasur dallime të mëdha.
Rugova është mbështetur në thënien e Natali Zemon Davis:
Për mua, burimet nga e kaluara, qofshin ato parësore apo dytësore, nuk janë burg. Ato janë filli magjik që më lidhin me njerëz që kanë vdekur prej kohësh dhe me situata që tashmë janë thërmuar në pluhur.
Dhe e përdor si pikënisje për të hyrë në një botë më të gjerë: si jetonte Elbasani, çfarë marrëdhëniesh mbanin njerëzit, si funksiononte komuniteti në një epokë kur letërkëmbimi, arsimi dhe qarkullimi i dijes kishin ritme të vogla.
Është një tekst që të përfshin emocionalisht: një qytet me jetë dhe histori, të duket sikur po rijeton kohën.
Koha, sipas Paul Ricœur-it, nuk është thjesht një vijimësi kronologjike ngjarjesh, por një përvojë njerëzore që merr kuptim përmes organizimit narrativ. Rrëfimi e shndërron kohën e jetuar në një strukturë ku ndërthuren kujtesa, pritshmëria dhe interpretimi i të kaluarës.
Koha në histori bëhet e perceptueshme nëpërmjet hapësirave, situatave dhe veprimeve konkrete, ndërsa hapësira merr kuptim nga koha dhe zhvillimi i ngjarjeve.
Rugova e nis tregimin nga kalaja, ajo është epiqendra e zhvillimeve, të paktën që në fillesat e rindërtimit të saj, por ajo do të kushtëzojë zhvillimin urban të qytetit. Të njëjtën ide e gjen në një studim të arkitektit Koço Miho, për Elbasanin si qytet me një projekt urban, siç në fakt janë të gjithë qytetet me kala. Më pas qyteti zhvillohet jashtë kalasë. Interesant është fakti se autori jep të dhëna mbi popullsinë e kalasë, në aspektin fetar apo krahinor. Dhe këtu shtohen vendet e prejardhjes së banorëve. Kemi ditur se kalaja banohet nga të ardhur prej Turqie dhe krahinave përreth, por mësuam se ka pasur banorë edhe nga Narta, Vlora, Serezi, Janina, etj, që ishin banorë të privilegjuar. Në mënyrë të detajuar përshkruhet lloji i banesës të kushtëzuar nga hapësira e kalasë, skicohet jeta dhe puna e banorëve, zanatet që u siguronin jetesën.
Në vitin 1736, përfaqësuesit e krishterë të kalasë, në kishën brenda saj, po themelonin shkollën e parë të qytetit. Mjaft domethënëse është dukuria që lidhet me filantropinë e disa banorëve, anëtarë të esnafëve, të cilët dhurojnë të holla. Këto familje në vazhdimësi do të dhurojnë për shkollën. U krijua një traditë që kalasë do t’i japë status tjetër.
Rugova bën qartazi edhe dallimin midis filantropisë dhe përshpirtjes në kishë. Pikërisht në nënshkrimin e donacioneve del emri i Jançe Hilës, gruaja e të cilit do të sillte në jetë mësuesin e ardhshëm. Kjo është fillesa e familjes së Todhrit, ku lidhen tre elemente: kalaja, shkolla dhe kisha. Pikërisht ky mjedis bëhet nxitës dhe frymëzues për aktivitetin e Todhrit, ndonëse familja e tij nuk u dallua për filantropi.
Cila ishte baza ekonomike e familjeve në kala?
Vetë sipërfaqja e banesave i kishte drejtuar tek zanatet e më pas tek tregtia.
Zanatet e organizuara në esnafe ishin të pakta për të krishterët: 4 nga 40 gjithsej. Ato, në fakt, ishin monopol i myslimanëve. Sigurisht, edhe në këto kushte, të krishterët ia kishin dalë të mbijetonin. Gjatë vlerësimit të jetës në komunitet vëren se nuk ka dallime mes ortodoksëve dhe myslimanëve. Shpesh thuhet që, të krishterët kanë qenë më përpara, në fakt jo. Dhe kjo bëhej gjithmonë për të treguar, mbase, prapambetjen e myslimanëve. Flasim për shek.XVIII. Zanatet ishin pjesë e jetës së tyre, njëlloj si për myslimanët, madje Rugova i përmend si njerëz jo fort të përparuar, në raport, për shembull, me të Voskopojës. Kjo ka arsye. Nëse e shohim qytetin në tërësi, themi që Elbasani ishte një hapësirë me hendeqe të padukshme.
Lidhja me kishën ishte një tjetër element i rëndësishëm që i ndihmonte të krishterët. Kisha dhe esnafet ishin dy institucionet që ndërmjetësonin raportet e miletit rum me Portën e Lartë. Jeta e përditshme mbështetej te kisha, esnafet dhe familja, dhe, për ata që gëzonin sigurinë që u ofronin këto institucione, kufijtë e përgjegjësive ishin relativisht të qarta. Një element i ri ky që sjell studimi.
Shembull i kësaj filozofie është ai gjyshit të Todhrit, Jançe Hila, për të cilin Rugova shkruan se punonte në dyqan dhe shkonte në kishë kur duhej. Çdo gjë tjetër për të “ishte problem i Stambollit”.
Jeta në qytet ka shumë dimensione, të cilat Rugova i trajton me kompetencë. Krahas punës, kishës, banesës, shkollës, tregut, ka probleme të tjera që nuk varen nga njeriu, që ndikojnë në jetën e tij dhe të qytetit. Të tilla janë epidemitë apo ndryshimet klimatike, e sa për të tjerat, në përballjen me Perandorinë, merrej kisha dhe, në këtë aspekt, të krishterët kishin një lloj komoditeti. Kisha e kalasë, pas problemeve për rolin e peshkopëve, si rezultat i ndërhyrjeve të paautorizuara, apo ingerencave të cilat do të kenë ndikuar për daljen në skenë të tre djemve të Jançe Hilës, do të marrin peshë në punët e komunitetit ortodoks kalasë.
Këtu fillon aktiviteti i Dhaskal Todrit.
Në vitin 1735 e gjejmë Theodhorin pjesë të esnafit të argjendarëve, madje në fillesat e aktivitetit të tij. Sipas dokumentacionit, Todhri mund të ketë lindur rreth vitit 1728. Këtu autori ballafaqon pikëpamjet e përafërta të Lef Nosit apo Dhimitër Shuteriqit. Ka të drejtë dhe mendoj se analiza e tij është më e argumentuar. Ka ditur të vlerësojë dokumentacionin dhe ngjarjet e tjera për moshën e pranimit si çirak në esnaf, që ishte diku nga 6 në 15 vjeç.
Rugova përpiqet të na zbulojë edhe ku ka jetuar, në një shtëpi pranë kishës. Ndonëse në Elbasan kanë qenë tri lagje të banuara nga të krishterët, është e padiskutuar që Todhri ka jetuar në Lagjen “Kala”. Kisha ishte institucion mjaft i rëndësishëm, madje edhe për banorët e krishterë jashtë kalasë, të cilët vinin dhe kryenin ritet pikërisht këtu, duke bërë edhe pagesat vjetore. Këto ishin detyrime të cilat mbanin në këmbë funksionimin e kishës dhe mbështetjen për ta.
Ajo që në Elbasan ka kaluar gojë më gojë, epidemia e murtajës, na jepet hollësisht ndikimi i saj në aspektin ekonomik e social dhe pasojat afatgjata. Gjithsesi, Elbasani sapo mbaronte epidemia i kthehej jetës në normalitet, shëtiste apo gëzonte në teferiçe. Kjo është shoqëria njerëzore.
Gjatë shfaqjes së epidemisë vërejmë se ka pasur solidaritet nga familjet e paprekura, të cilat dhuronin për shpirtrat e të afërmve të tyre, të vdekur apo të gjallë. Edhe në kushtet e epidemisë, veçanërisht popullsia e kalasë vazhdonte jetën normalisht. Rugova trajton përditshmërinë e qytetit, shkollat, esnafet, bashkëjetesën fetare, si dhe mënyrën se si njerëzit e thjeshtë përballeshin me krizat e kohës, si epidemitë e murtajës dhe ndryshimet klimatike. Të dhënat janë mjaft interesante. Do të veçoja periudhën e kometës, e cila paratha mjaft të këqija, që nga murtaja, varfërimi i të gjitha shtresave të popullsisë rreth vitit 1740. Çuditërisht, kjo ngjarje ka përmasa edhe më të mëdha, e gjejmë edhe në teritore të tjera të globit. Por, pikërisht në këto momente vërejmë solidaritetin e popujve të tjerë nga Lindja e Perëndimi.
Fakti që e bën më interesant këtë syth ka të bëjë me rrëfimin e hollësishëm të të gjitha ngjarjeve e sidomos ato të tregtisë me Napolin e Francën, në 1743, të cilat, pas fatkeqësive të njëpasnjëshme, bënë që Porti i Durrësit të mos rifitonte rëndësinë e dikurshme.
Përfshirja e familjes së Todhrit në pelegrinazhin në “Tokën e Shenjtë” është një moment mjaft i rëndësishëm, me ndikim te të gjithë pjesëtarët e familjes. Filipi, i ati i Todhrit, qe i pari që shkoi në haxhillëk. Sigurisht, rruga atëherë ishte me mjaft peripeci e vështirësi, por këto nuk e ndalën Filipin. Ky pelegrinazh ndikoi njëkohësisht jo vetëm në besimin e familjes, por dhe në përpjekjet për të kërkuar më shumë në brendinë e besimit. Pas kthimit nga Jeruzalemi Filipi është mjaft aktiv në veprimtaritë e kishës dhe të shkollës. Në këtë kohë Todhri mund të ketë qenë nxënës në Voskopojë, pasi në takime me klerikë nga Durrësi, në prani të të atit, nuk ka qenë.
Rugova përshkruan me detaje disa zakone të të krishterëve, martesat dhe vdekjet. Për shembull, kur ceremonia e vdekjes bëhej në kishë, nuk duhej folur vllahisht dhe nga ushqimet lejohej vetëm hallva. Mos mbase ndikim nga myslimanët? Mundet.
Aktiviteti kishtar dhe ai i shkollës shenjojnë jetën e Todhrit. Ai mësoi në Voskopojë. Këtu ka një ngërç prej mungesës së dokumentacionit, por që Rugova e zgjidh me mjaft mençuri, pikërisht me të dhënat e bashkëkohësve.
Gjithsesi, në 1760 ai kthehet në Elbasan. Janë me mjaft interes raportet e tij dhe të të atit me kishën. Pas kthimit ai nënshkruan Theodhori i Haxhiut, gjë që tregon për ndikimin e pelegrinazhit të Filipit.
Todhri fillon aktivitetin kishtar, është edhe shkruesi i kodikut të kishës së Shën Kollit. Kjo tezë e Rugovës, e bazuar në dokumente të reja, ndryshon imazhin e zakonshëm të Todhrit si një iluminist i vetmuar në konflikt me kishën. Përkundrazi, ai ishte i lidhur ngushtë me institucionet fetare, madje, kishte mbajtur Kodikun e Shën Mërisë së kishës së Kalasë në Elbasan dhe ishte ngarkuar të mblidhte taksat e komunitetit të krishterë për llogari të një patriarku.
I përfshirë thellësisht në jetën e Kishës, ai ndihmoi në zgjerimin e mundësive për shkrimin e shqipes. Rugova sugjeron se ka qenë pikërisht dëshira dhe interesi për përhapjen e krishterimit dhe parandalimin e konvertimeve në Islam, ato që me gjasë e kanë motivuar Todhrin për krijimin e një alfabeti origjinal dhe jo ndonjë ambicie nacionaliste, siç i janë atribuuar më vonë. Ai thjesht po u mësonte fëmijëve të shkruanin e të lexonin, thotë Rugova, por kjo mbetet një hipotezë, gjithsesi.
Përsa i takon pikëpamjes se po përpiqej për gjuhën shqipe, për të ndaluar konvertimin, duhet të pohojmë se, në shek.XVII konvertimi në Elbasan thuajse kishte përfunduar. Elbasani është ndër qytetet e para që u konvertuan.
Todhri nuk shfaqet vetëm si krijues i një alfabeti origjinal. Ai paraqitet edhe si mësues elbasanas, i njohur si Theodhor Haxhifilipi. Nga alfabeti i tij kanë mbijetuar rreth 800 faqe, një shifër që tregon sa i gjerë ka qenë gjurmimi i tij në dokumentet e trashëguara. Po ashtu, u përmend se komuniteti brenda të cilit ai jetonte kishte arritur të krijonte një jetë të vetën, duke e bërë Elbasanin e asaj periudhe një skenë ku shkronjat, mësimi dhe veprimi kulturor kishin kuptim konkret në jetën e njerëzve.
Rreth vitit 1769 Todhri ka arritur një moshë të pranueshme për t’u angazhuar si “dhaskal”. Në shkollën e kalasë. Mbase një nga nxënësit e tij mund të ketë qenë Apostoli, vëllai i Todhrit, i cili po përhapte alfabetin e tij. Në vitin 1780 kemi të shkruar një shënim me alfabetin e Todhrit, gjë që tregon se ky lloj shkrimi është përhapur më parë. Me alfabetin e Todhrit gjejmë të përkthyera shkrime kishtare të shumta, por filloi të ketë sukses kur po përhapej dhe po mësohej në masë.
Shkrimi i fundit nga dora e tij i përket janarit të vitit 1818. Mbase ky është edhe viti i vdekjes. Natyrale apo nga murtaja, kjo mbetet enigmë. Dokumentacioni i Rugovës dallon nga tregimet në kohën e komunizmit për vrasjen nga kisha në 1805. Një teori e tillë u përjetësua edhe në filmin Udha e Shkronjave, film që e mitizoi figurën e tij. Është e justifikueshme në raport me filozofinë e kohës.
Për vdekjen e tij nuk shkruhet, emri nuk i figuron në asnjë regjistër të kishës. Njeriu që mësoi fëmijët e qytetit, që përhapi një alfabet, e që ka përkthyer liturgjinë në shqip, të mos kujtohet nga askush? Kjo është pak e çuditshme. Por mbi të gjitha në pikëpyetje është djegia e shkrimeve të tij. Mbase kjo u bë për të larguar “mëkatet” nga përhapja e shkrimeve të pazakonta të Todhrit. Kjo ishte koha me tërë kuptimet e saj, edhe me ndryshimet që po ndodhnin në Perandorinë Osmane. Teksa lexon librin, të duket sikur e jeton sot: epidemi, fenomene klimatike, krizë ekonomike, solidaritet nga brenda e jashtë vendit. Bota ku jetoi Todhri ishte sigurisht shumë më ndryshe, por e afërt në ngjarje e dukuri me të sotmet. Pushteti i Perandorisë Osmane ishte i padiskutueshëm, ata e respektonin por raportet i realizonte dikush tjetër, në këtë rast kisha. Ndërsa ne sot shpeshherë zhgënjehemi nga institucionet, diçka që ata, të djeshmit, nuk e mendonin kurrë sepse nuk kishin lidhje direkte me to.
“Bota e Todhrit” e Yll Rugovës është punim i mirëfilltë shkencor, që vetëm një njeri me përgatitje dhe dëshirë mund ta bënte. Edhe interpretimi i dokumenteve është bërë me profesionalizëm. Në çdo rast, “ekspertët profesionistë” që merren vetëm me evidentimin dhe grumbullimin e fakteve e të dhënave, ngjajnë me ata që Edmund Leach i ka quajtur “koleksionistë fluturash”, sidomos kur nuk shkojnë përtej përvojës tekniciste e empirike, që pengon ato lloj hamendësimesh të frymëzuara për shpjegime dhe përgjithësime që mund të kapërcejnë të dhënat faktike. Rugova ka shfrytëzuar kodikët e kishave, regjistrat e esnafeve dhe rrëfenjat familjare, të një kohe më të vonë. Literatura dhe dokumentet arkivore janë të panumërta e mjaft cilësore. Ai e ka bërë me pasion këtë punë. Kërkimi shkencor për të është vokacion, jo detyrë për t’u kryer.
(c) 2026 Prof. as. dr. Zhuljeta Kadilli. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi ilustrues është krijuar me AI.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.