SI U BË MEHMETI AHMET

Udhëtimi i fundit i argonautëve të medias shqip drejt Stambollit e pasuroi kulturën e informacionit me gjithfarë kontributesh që do të studiohen për vite.

Mes tyre edhe një reportazh, shumë i përfolur më pas; ku flitet mes të tjerash për Stambollin dhe historinë e tij shumë-shekullore.

Atje lexoj  edhe për “Konstandinopojën, e cila pushtohet nga sulltan Ahmeti në vitet 1400 dhe nga kristiane bëhet islame.”

Dhe sakaq më lind edhe mua dëshira të bëj një reportazh për ngecjen përfundimtare të Argos-it tonë (me argonautë e amazona bashkë) në rërat e Kolkidisë.

Një person i cili nuk di se kur është pushtuar Kostandinopoja prej osmanëve dhe cili sulltan pikërisht e arriti këtë, nuk duhet lejuar të shkruajë në media, por të detyrohet të kthehet në bankat e shkollës.

Jemi duke kremtuar Vitin e Skënderbeut; dhe lemeri të tilla e vënë në diskutim edhe racionalen e kremtimit vetë: ç’kuptim ka të përkujtosh historinë, kur mediat ta përcjellin pastaj kështu?

Madje në rrethanat kur obsesioni me historinë është shndërruar në themel të kulturës publike të subvencionuar nga shteti?

E lexoj edhe një herë pasazhin e akuzuar më lart: dhe këtu më kujtohet një thashethem që pata dëgjuar në Tiranë: që V.I.P.-at e gazetarisë shqip, këta argonautë të paepur tavolinash, nuk i shkruajnë më artikujt dhe reportazhet dhe statuset e tyre.

Nuk i shkruajnë më, por veç i diktojnë në telefon, në pauzat e mundimshme midis drekave, darkave dhe kafeve; dhe pastaj ua japin regjistrimet ndihmësve, sekretarëve, stazhierëve që “t’i zbardhin.”

Praktika nuk është e panjohur, as skandaloze në vetvete; por mund të bëhet lehtësisht e tillë, në rrethanat e mjerimit profesional të medias shqip.

Kështu edhe mund të shpjegohet, besoj unë, si ndodhi që Mehmeti u bë Ahmet; kështu edhe mund të shpjegohen edhe plot mistere të tjera të medias së shkruar.

Sepse unë kam besim te homo albanicus në përgjithësi dhe e kam të vështirë t’i pranoj vetes që një gazetar yni, sado kokëbosh, të mos ia dijë emrin sulltanit që ka pushtuar Konstandinopojën.

Sikurse e kam të vështirë t’ia pranoj vetes që autori i reportazhit të ketë ngatërruar sulltan Mehmetin me sulltan Ahmetin që e urdhëroi ndërtimin e Xhamisë së Kaltër në shekullin XVII (xhamia përmendet pak më poshtë në atë tekst).

Më lehtë e kam të mendoj që këtë lloj idiotizimi të medias e përfton sistemi – i cili i detyron konsumatorët e informacionit (nuk po i quaj lexues, sepse nuk dua të fyej kategorinë) të shërbehen me mbeturinat që lënë V.I.P.-at në pjatat e gostive.

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet rreptësisht riprodhimi pa leje.

10 Komente

  1. Në të njëjtin artikull thuhet: “Istambul quhej atëherë ose ndryshe qyteti i Islamit”… Huh? Pa pikë lidhjeje….Emri Istanbul vjen nga greqishtja “stin poli”. Edhe një tjetër mëkat i gostisë mediatike.
    U rreka shumë të stisja një vargëzim si ai i Nolit: “Ti Halim që s’di këndim, je i mirë për arsim”. Nuk ia dola. Po e mbyll me Halimin.

  2. U hap loja e kungulleshkes me greqishten “stin poli”. Po me çshoh une , keshtu si me shikim te pare, Kostantinopoli(t) duhet t’i jete ngrene ko-ja ne fillim dhe -tino- ne mes dhe ka perfunduar me mbetjet : ..(i).stan…bol. Dmth emri i kostandinit qe e krijoi mbeti por me copetime….:) 🙂 merreni me te qeshur edhe ate edhe kete.

    1. Në fakt edhe unë fillimisht mendoja që Istanbul është plazmimi i emrit të vjetër Kostandinopojë; më vonë mësova / lexova që në fakt nuk ka lidhje me emrin e vjetër por me adoptimin nga greqishtja të cilësimit “në qytet – stin poli”. Kjo më kujton gjyshin tim që në moshe të thyer, kur i shkonin fëmijët e tij tashmë të rritur për vizitë, i pyeste: “ç’bëhet në kasaba”? I vinte më lehtë t’i referohej Tiranës si “kasaba” (qytet – nga turqishtja) sesa si Tiranë.

      1. TRECCANI: – Il nome di İstanbul, forse derivato dall’espressione greca εἰς τήν πόλιν («verso la Città»), prevalse dopo la conquista turca (1453), ma fu stabilito ufficialmente dalle autorità dopo la proclamazione della repubblica e il trasferimento della capitale.
        E dhashe kete pjese te enciklopedise Treccani, vetem per te evidentuar fjalen “forse derivato” por edhe ndryshimin -ne qytet/ verso la citta.
        Dhe them perseri se duhet qeshur nga pak me keto gjera; psh nese vazhdojme ne kete linje, dikush porsa te lexoje qe nje lagje e Stambollit quhet Scutari dhe qe ndodhet aty qe ne kohe shume te lashta, pavaresisht ekzistences se mevonshme te Istanbulit, menjehere, nisur vetem nga ky fakt, por dhe ngase varianti grek nuk eshte perfundimtar, do te gjente lehtesisht tek istambul dy cope te gatshme: ist-tambul. dhe do te thoshte psh. keshtu: ist= ishte dhe tambul=tambël; pastaj nese do te kishte lexuar ndonje liber te vjeter e te strevjeter, nga ato ku thuhet qe -aty rridhte mjalte e qumesht (Bibla) , do te thoshte e gjeta kuptimin Istambul dmth , ne shqip, qyteti ku rridhte qumesht, dmth etj etj. por e thashe kete si nje opsion te kundert me variantin grek.s’kam gje me greket. …dhe me falni per parregullsite ortografike.

        1. Enciklopedia britanike cilëson si më poshtë: “In the 13th century Arabs used the appellation Istinpolin, a “name” they heard Byzantines use—eis tēn polin—which, in reality, was a Greek phrase that meant “in the city.” (https://www.britannica.com/place/Istanbul). Nuk besoj se ka ndonjë ndryshim shumë të madh “në qytet” me “verso la citta'”. Ne në shqipen e përditshme nuk themi po shkoj “drejt qytetit”, por “po shkoj në qytet”.
          Kurse përsa i takon lagjes Uskudar të Stambollit (nuk i thonë Scutari në Stamboll) nuk është aspak e çuditshme që në një vend që ka qenë perandoria e shumë kombeve, një prej këtyre të ketë themeluar aty një ngulim të ri dhe ta ketë pagëzuar këtë me emrin e ngulimit prej nga vinin. Kjo histori është përsëritur shekuj më vonë në SHBA. Po ashtu në Stamboll ka edhe një lagje tjetër që i thonë Arnautkoy (Lagja Shqiptare) emërtimi i së cilës ka të njëjtën histori si më lart.
          Bashkëjetesa e etnive të ndryshme në Stamboll përmes mijëvjeçarëve është jo vetëm një gjë e ditur, por është edhe vlera kryesore e Stambollit si kryeqendra historike e urës lindje-perëndim. Ende sot e kësaj dite nëpër rrugët e vjetra të Stambollit gjen emra izraelitë, armenë, shqiptarë, grekë, bullgarë, boshnjakë, persianë, sirianë. Multikulturalizmi stambollit ende preket lehtësisht në Stamboll e jo më kot Stambolli mbetet një qendër kulturore e intelektuale e respektuar si në perëndim edhe në lindje. E këtu nuk po flas për qeverinë turke apo politikat nacionaliste turke, por për ata intelektualë, artistë e shkencëtarë që në Stamboll ende mishërojnë tolerancën e kalitur nga bashkëjetesa shekullore.
          Flas këtu me bindjen e atij që ka jetuar mjaftueshëm në Stamboll për të njohur shumë njerëz e rrethe njerëzish që mundin të gjitha klishetë që shumë prej nesh në Shqipëri apo Europën perëndimore kemi mbi Stambollin anadollak.

  3. Sot ka qënë një ditë shumë e zezë për gazetarinë shqiptare, dhe me siguri pika më e ulët e saj.

    Intervista e një të ashtëquajturi gazetar, Muhamed Veliu, me një vajzë të përdhunuar, dukshëm është bërë nën presion, nën tutelën, dhe nën urdhërat e përdhunuesve të saj. Kjo jo vetëm që nuk është denoncuar nga kolegët në media por është rimarrë e papërtypyr në mediat më të mëdha të vendit për t’ia pështyrë publikut në fytyrë, dhe për të relativizuar një të vërtetë kriminale nën petkun e “opinionit”.

    Kjo intervistë për nga niveli i ulët i mashrtimit dhe propagandës mund të krahasohet vetëm me disa intervista të viktimave që i kemi parë vetëm nga Shtetit Islamik (ISIS), apo Koreja e Veriut. Nuk e di nëse ka ngleur vënd për ndonjë soul searching në median shqipe, kur këta as nuk bëjnë përpjekjen më të vogël për t’ia fshehur publikut faktin se ia kanë shitur shpirtin djallit.

    1. Nuk ka më shpresë për shumë nga mediat mainstream. Në një shkallë imagjinare të fibrës morale, unë do t’i vendosja poshtë shfrytëzuesve të prostitucionit (pimps), falsifikatorëve të monedhës dhe atyre që japin para me fajde (loan sharks).

  4. Me shume sesa ceshtje bankash kjo eshte mungese e qasjes kritike apo autokritike, meqe eshte nga ato raste kur kerkimi ne google te kerkon vetem 1 sekonde. Ndodh te ngaterrosh emra monarkesh prandaj nje qasje autokritike minimaliste eshte e detyrueshme. Psh ky Mehmeti ne fakt eshte Mehmeti ll ose Mehmet Pushtuesi/Ngadhnjyesi, ashtu si Aleksandri i Maqedonise eshte Aleksandri i Madh ose Aleksandri lll i Maqedonise. Interesante per shqiptaret do ishte qe artikulli te jepte edhe kuriozitetin qe komandanti i flotes osmane qe bllokoi Kostandinopojen nga deti ishte shqiptar, Hamza Bej. Duke qene se Stambolli eshte bere qyteti me i madh i Europes, Mesdheut e Lindjes se Mesme, duke u rikthyer ne pozicionin qe ka pasur per shekuj me radhe kur ishte kryeqendra e Bizantit, mbase duhet t’i kushtojme ca me teper peshe historise se tij. Ne kete kuptim justifikohet edhe ashpersia e xha xhait ne kete artikull.

    1. Per kuriozitetin e ndokujt, vellai i madh i Hamzait ne fjale, Bajaziti eshte veziri i pare shqiptar, nen sulltan Mehmetin I, ai qe mori Skenderbeun ne Adrianopoje/Edrenè. Merita kryesore e Bajazitit ishte qe ne betejen e Ankarase, 1402, shpetoi princin Mehmet dhe e ndihmoi te merrte pushtetin e te rindertonte sulltanatin osman. Duket se aradha e shtetareve dhe gjeneraleve shqiptare qe i sherbyen Turqise, ka si te parin e sojit, pikerisht Bajazit Pashen.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: