Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media / Televizion

BIG BROTHER: “ULU, KATËR”

Kur njeriu resht së qeni thjesht individ e bëhet pjesë e turmës, turma kthehet në spektatore të rënies së tjetrit. Filmi Gladiatori reflekton mbi atë që ndodh kur një njeri me pushtet e harron për një çast fuqinë e vet dhe lejon që ajo t’i merret nga të tjerët. Gjenerali Maximus Decimus Meridius përfundon në arenë si një trup që lufton për mbijetesë, por ajo që ndryshon nuk është ai, janë sytë që e shohin. Turma nuk e njeh më si lider, duartroket për vuajtjen e tij. Vetëm kur ai ndalon së luftuari për të mbijetuar dhe fillon të luftojë me vetëdijen e identitetit të tij, sistemi fillon të lëkundet. Sepse, në thelb, çdo sistem që e kthen njeriun në spektakël mbahet nga iluzioni, që ai nuk e di më kush është, njësoj si VIP-at që harrojnë kush janë pasi futen në shtëpinë e Big Brother.

Ky mekanizëm i zhveshjes së individit nga dinjiteti për protagonizëm dhe kthimi i tij në objekt publik nuk është shpikje moderne. Kur turma kërkoi të vritej me gurë një grua që kishte shkelur kurorën, Jezusi i tha, “Kush prej jush nuk ka mëkatuar, le të hedhë i pari gurin mbi të.” Ama kur hebrenjtë e panë si kërcënim Jezusin, presioni i turmës e bëri Ponc Pilatin ta dënojë me kryqëzim, dhe “lau duart” para popullit për të treguar se nuk mbante përgjegjësi për gjakun e Birit të Zotit, duke e paraqitur turmën si një trup i vetëm që kërkon ndëshkim.

Historia ndryshon skenat, por jo mekanizmin: turma gjithmonë ka kërkuar një trup për ta kthyer në spektakël. E njëjta logjikë përsëritet gjatë revolucionit francez, ku gijotina, e menduar fillimisht si një mjet human i ekzekutimit, shpejt u kthye në simbol të një epoke ku u ndërthurën drejtësia dhe spektakli. Ekzekutimet zhvilloheshin në sheshe publike, ku qytetarët mblidheshin për të parë rënien e atyre që deri dje ishin në pushtet. Figura si Luigji XVI dhe Maria Antoneta nuk u rrëzuan vetëm politikisht; ata u ekspozuan si spektakël. Shkrimtari Charles Dickens e përshkruan si turma e zakonshme mund të shndërrohet në një entitet të etur për gjak, ku gijotina nuk është më thjesht instrument drejtësie, por një ritual argëtues. Ai përshkruan se si njerëzit pinë verë, bisedojnë dhe qeshin ndërkohë që qerret me të dënuar kalojnë pranë, se vdekja është kthyer në një shfaqje teatrore.

Kur i sjellim këto tre pamje, arenën e gladiatorit, turmën biblike dhe sheshet e revolucionit në realitetin tonë, kuptojmë se forma ka ndryshuar, por thelbi jo, sepse spektakli i rënies është gjithmonë më i klikueshëm se ngritja e dikujt. Reality show është arena moderne ku individët vendosen në qendër dhe turma rreshtohet për të parë, për të komentuar dhe për të gjykuar.

Episodi i Big Brother VIP Albania, ku banorët dështuan në pyetje elementare të njohurive të përgjithshme, si emri i Nënë Terezës apo monedha e Anglisë nuk mbeti një moment televiziv, u kthye në një fenomen kolektiv talljeje. Turma virtuale u hodh në “arenë”, duke prodhuar meme përqeshëse. Këtu lind paradoksi: shumica e këtyre të rinjve janë produkt i një sistemi arsimor të dobësuar ndër vite, se ajo që po shohim është pasqyrë e një problemi kolektiv, por reagimi ynë është të qeshim me të, jo ta kuptojmë. Shoqëria jonë tall simptomën, sepse nuk do të përballet me shkakun.

Romakët kishin formulën politike “panem et circenses”, bukë dhe cirk, që synonte ta mbante turmën të kënaqur përmes argëtimit, ndërsa vendimmarrja reale mbetej larg saj. Arena nuk ishte vetëm vend luftimesh, po edhe instrument për të kanalizuar emocionet kolektive dhe për ta kthyer vëmendjen e publikut drejt spektaklit. Sot arena nuk ka më mure guri, se futet në telefon e turma nuk mblidhet në kolose por në video të prera 15-sekondëshe. Ndoshta kjo e bën edhe më të rrezikshme, sepse spektakli nuk mbaron kurrë, ai rifillon çdo ditë, sa herë dikush gabon publikisht.

Pyetje të nivelit bazik, sa vite ka një shekull, sa ngjyra ka ylberi, në cilin kontinent ndodhet Egjipti, kur është shpallur Pavarësia e Kosovës apo kush e ka shkruar “Lahutën e Malcís” morën përgjigje të gabuara, shpesh herë absurde, duke kulmuar me pretendime si SHBA me 27 shtete, “Iliada” dhe “Odisea” të shkruara nga Shekspiri, planeti i kuq Saturni apo vendosja e Muzeut të Luvrit në Gjirokastër. A po bëhet padituria kapital mediatik? Episodi nuk është thjesht një seri gafash individuale, por një simptomë e një kulture mediatike ku injoranca kthehet në spektakël dhe ku figura të promovuara si VIP shndërrohen në modele publike pa pasur domosdoshmërisht kapital kulturor, duke reflektuar një realitet ku zhurma shpërblehet më shumë se dija.

Sot po përballemi me të njëjtin fenomen brenda vetes, me të njëjtën prirje për ta kthyer në spektakël, jo në reflektim. E njëjta dinamikë u pa në reagimin ndaj aktorit Timothée Chalamet, i ciliu shpreh se askujt nuk i interesojnë më baleti e opera, që solli një valë kritikash në rrjetet sociale, si nënvlerësim i arteve klasike dhe u kthye në debat më të gjerë mbi raportin e brezit të ri me kulturën tradicionale.

Ky moment pasqyron një tension të dyfishtë: nga njëra anë kritikohet rinia për mungesë njohjeje dhe prirje për të ironizuar artin klasik, nga ana tjetër turma digjitale reagon me shpejtësi dhe ashpërsi ndaj çdo deklarate të një figure të re publike, duke e amplifikuar gabimin deri në pikën që mund të ndikojë në humbje të çmimit Oscar.

Ishte një fjali e nxituar, por reagimi ishte i menjëhershëm dhe i ashpër. Turma u mobilizua për të gjykuar, por sa prej atyre që kritikuan kanë një marrëdhënie reale me operën? Sa prej tyre e ndjekin, e njohin, e përjetojnë atë? Apo është thjesht sebepi për të kapur gabimin e tjetrit dhe për ta fshikulluar publikisht? Në këtë pikë, bëhet e qartë se Big Brother-i ynë nuk është një devijim nga shoqëria, por një reflektim i saj i pastër. Banorët nuk janë të shkëputur nga ne, janë produkt i së njëjtës kulturë, të njëjtit sistem arsimor, të njëjtave ndikime. Dhe fakti që edhe politika prej vitesh ndërhyn e përfshihet në këtë spektakël e bën edhe më të dukshme se kufiri mes realitetit dhe shfaqjes është zhdukur.

Rasti i Mimoza Ahmetit e përmbys në mënyrë interesante idenë se reality shows përqafojnë vetëm zbrazëtinë. Ajo hyri në një format spektakli jo si figurë e ndërtuar nga televizioni, por si intelektuale që publiku e njihte prej vitesh përmes poezisë dhe intervistave. Në mënyrë paradoksale, ajo ishte përqafuar nga publiku ende pa hyrë në shtëpi, sepse ekzistonte një kuriozitet kolektiv për ta parë më afër një figurë që për vite ishte perceptuar si enigmatike dhe jashtë logjikës së zakonshme mediatike.

Po ky publik që po duartroket Mozën, u ka dhënë kupën e fitores dy vjet rresht të rinjve pa bagazh kulturor, njërit që nuk ka mbaruar arsimin e detyrueshëm, e tjetrës që nuk di sa vite ka shekulli, çka tregon se reality show nuk funksionon mbi kriterin e dijes apo padijes, por mbi nevojën e turmës për lidhje emocionale me figurat që vendosen në arenë. Diferenca nuk qëndron gjithmonë te publiku, por te mënyra si secili arrin ta mbushë atë hapësirë me identitetin e vet.

Përgjigjja nuk qëndron te ata që nuk dinë, por te ne që nxitojmë të gjykojmë. Si ka thënë Nënë Tereza, e quajtur gabimisht Anjezë Gajdexhiu nga banorët VIP, “Nëse i gjykon njerëzit, nuk ke kohë t’i duash.”

© 2026 Fiona Kopali. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading