Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

KTHIMI I INKUIZITORIT

Si funksionon famëkeqi “algoritëm” në rrjetet sociale?

Kur viziton faqen Facebook.com, të del përpara një mozaik i renditur informacionesh i njohur si Facebook feed, që nuk është veçse një listë pandalshëm e përditësueshme statusesh, fotosh, videosh, linkesh dhe materialesh të tjera. Se çfarë përmban pikërisht ky feed, kjo përcaktohet kryesisht nga aktiviteti yt në Facebook; por ndryshe nga faqja e parë e një gazete online, ose edhe e një reviste si Peizazhe të fjalës, zgjedhjen e materialeve në Facebook nuk e bën një njeri i gjallë, por një softuer i posaçëm, një inteligjencë artificiale e njohur si algoritëm, që përpiqet të parashikojë çfarë do të të interesojë ty të lexosh a të shohësh, në bazë të shumë parametrave, mes të cilave kryesori është ai se çfarë të ka interesuar më parë.

Kur fillonim dje të lexonim gazetën, përmbajtja dhe struktura e faqes së parë – sikurse edhe e çdo faqeje tjetër – do të vendosej nga redaktori përkatës. Karakteristikë e mediave sociale si Facebook-u është se faqja e tyre hyrëse është gjithnjë e personalizuar sipas përdoruesit (personit që zotëron llogarinë); dhe ndryshon jo vetëm nga një përdorues tek tjetri, por edhe praktikisht çdo minutë, për secilin përdorues.

Agjentin ose algoritmin që përcakton se çfarë do të shfaqet në ekranin tënd e kanë quajtur Editori viral (Andrey Mir, shih më poshtë për bibliografi). Synimi i Editorit viral në epokën e mediave sociale është që të nxitë ndërveprimet e përdoruesit me përdorues të tjerë dhe me vetë median, duke u dhënë përparësi reagimeve emocionale spontane (si likes, ose emotikonat). Janë pikërisht këto reagime të cilat përftojnë indin lidhor të mediave sociale. Por nëse redaktori profesional i një gazete, reviste ose edhe i një portali online e vendoste se cilat lajme ose artikuj do të nxirrte në pah para botimit të tyre, Editori viral e merr këtë vendim pasi materiali të jetë botuar.[1]

Kushdo mund të botojë çfarë të dojë, madje edhe pleh (rubbish), shkruan Mir; por lexuesit fillojnë menjëherë të “votojnë” me likes-et e tyre, ripostimet dhe komentet, duke ndikuar drejtpërdrejt në shpërndarjen e mëtejshme të materialit, në bazë të interesit që këta tregojnë. Nëpërmjet një procesi në thelb statistikor, Editori viral vendos hap pas hapi se çfarë është e rëndësishme dhe meriton të promovohet më tej. Brenda ekosistemit të mediave sociale, edhe vetë objekti i promovuar ka ndryshuar – jo më materialet e krijuara ose të sjella nga përdorues të tjerë, por vetë këta përdorues.

Duke u specializuar në kalkulimin dhe promovimin e reagimeve spontane, Editori viral erdhi e u shndërrua në atë që Martin Gurri dhe Andrey Mir e kanë quajtur Inkuizitori viral.[2] Sipas Mir-it, Inkuizitori viral “mbledh sinjale identiteti prej të tjerëve dhe ua çon në feed pikërisht atyre që kanë më shumë gjasë të reagojnë.” Edhe ky algoritëm kërkon që gjithkush të ndërlidhet me të tjerët, por shkon më tej, duke i detyruar përdoruesit “të vëzhgojnë (watch) njëri-tjetrin, duke krijuar një mishërim të ri, të shpërndarë dhe gjithëpërfshirës të Big Brother-it”. Inkuizitori viral “nxjerr dëshmitë e e përdoruesve dhe i krahason ato me të vërtetat që zotërojnë të tjerët. Qëndrimet e gabuara ndëshkohen me ostracizëm. Të mos pëlqesh gjërat e duhura është sjellje e dyshimtë. Inkuizitori viral është tejet i ndjeshëm ndaj të pabesëve.”

Vazhdon Mir: “Nëse editimi ishte efekt mediatik i shtypshkrimit a një tipar i modernitetit, inkuizicioni është diçka mesjetare, një produkt i kulturës së dorëshkrimit që impononte shenjtërinë autoritare të kanonit ndaj analfabetëve. Inkuizitori viral e ka prapësuar modernitetin në fanatizëm të llojit fetar.”[3]

Për të funksionuar mirë, ky algoritëm i ri ka nevojë për ligjërimin digjital, i cili kombinon tiparet e komunikimit edhe me gojë, edhe me shkrim. Sërish Mir: “ligjërimi digjital… lejon shkëmbimin e menjëhershëm të përgjigjeve, njëlloj si ligjërimi gojor; por lë gjurmë dhe mund të transmetohet në kohë dhe hapësirë, njëlloj si ligjërimi i shkruar.”[4]. Kjo do të thotë që “përpjekjet spontane dhe kryesisht emotive të përdoruesve për të etabluar statuset e tyre sociale në bisedat [ndërveprimet gjuhësore, A.V.] nuk janë më kalimtare (transient). Reagimet e milionave vetëve tani mund të akumulohen, të shpërndahen dhe t’i tregohen të gjithë të tjerëve.”

Është ky shkëmbim i çastit i reflekseve digjitale që e ndërmjetësoi metamorfozën (e përçmuar) të Editorit viral në Inkuizitor viral. Nëse i pari lypte pjesëmarrje totale të lexuesve në përzgjedhjen e përmbajtjes, i dyti i kërkon gjithkujt solidaritet me pikëpamjet e bashkëndara nga shumica e përdoruesve, duke “i mbledhur sinjalet e identitetit të të tjerëve dhe duke ua çuar atyre që ka më shumë gjasa të reagojnë… Kjo e bën Inkuizitorin viral një gardian shumë më të efektshëm se Big Brother-i. Mëkatet dhe mendim-krimet e cilitdo u jepen për shqyrtim atyre që ka më shumë gjasa të alarmohen dhe të zemërohen.”

Kjo ndodh jo sepse një media sociale si Facebook-u ka interes të identifikojë dhe të persekutojë ata që mendojnë “ndryshe”, por thjesht ngaqë reagimi viral masiv ndaj heretikëve dhe antikonformistëve i shërben më së miri synimit dhe misionit komercial të medias vetë.

Falë sundimit të ekzagjeruar të mediave sociale në hapësirën digjitale shqip, Inkuizitori viral e ka bërë në mos të pamundur, të paktën tejet të kushtueshme moralisht shprehjen e opinioneve “kundër rrymës” në publik – duke e vënë në rrezik ndërfaqen (interface) mes dijes profesionale dhe dijes “folklorike”, që tashmë nuk ia njeh më autoritetin të parës.

Një shembull që më doli përpara këto ditë – vërejtja e Azdren Shalës, në një bisedë te “Histori e patreguar” në Klan Kosova, se Marin Barleti – autori i Historisë së Skënderbeut – “nuk është shqiptar fare”, por mishërohet në tri trajta: “si prift katolik, si qytetar venecian dhe si humanist i shquar.” Një fragment i shkurtër nga ajo bisedë u soll në Facebook dhe mori atje me qindra komente në masë të madhe fyese dhe deri linçuese, të llojit “hiqne nga mediat këtë fundërrinë”. Një pjesë e komentuesve shfaqeshin të skandalizuar me këtë qëndrim, ndërsa një pjesë tjetër e sulmonin Shalën ad hominem.

Nuk dua të diskutoj këtu çfarë ka thënë Shala dhe as identitetin e një humanisti europian të shekullit XVI; po mjaftohem të them se çështja nuk është e tillë, që të debatohet lirisht mes profanëve dhe njerëzve që nuk arrijnë të shkruajnë mirë as gjuhën me të cilën shprehen – meqë Barleti i përket një epoke relativisht të largët, ku identitetet vetjake nuk i kishin tiparet që fituan më pas dhe që i kanë sot. Që mbi 200 vetë kanë zgjedhur të reagojnë emocionalisht dhe të hedhin baltë mbi një studiues dhe publicist, ngaqë ky shpreh një pikëpamje jo “standard” dhe që nuk përputhet me narrativën kombëtariste esencialiste naive, kjo ka ndodhur ngaqë Inkuizitori viral e ka identifikuar postin në fjalë si “të promovueshëm” dhe ua ka çuar në feed të gjithë atyre që ka arsye “të besojë” se do të reagojnë emocionalisht ndaj tij. Natyrisht, jo ngaqë dëshiron të denigrohet Asdren Shala – tek e fundit Inkuizitori viral është thjesht një algoritëm i inteligjencës artificiale (AI), numëron okurrenca, gjasa dhe probabilitete dhe i shfrytëzon këto për të “optimizuar” angazhimin e përdoruesve. Radikalizimi i këtyre të fundit dhe reduktimi i mendimit racional në reagim përçmues ose urrejtës është thjesht efekt anësor i mënyrës si funksionon media sociale sot.

Interesi i Inkuizitorit viral nuk ndalet te Asdren Shala apo te Marin Barleti; tashmë algoritmi ka mbledhur të dhëna të mjaftueshme, nga Facebook-u shqip, për të kuptuar se tema të tilla të identitetit në histori kanë potencial të madh për viralitet – çfarë bën pastaj që feed-i i një mase gjithnjë e më të madhe përdoruesish të mbushet me poste, klipe dhe materiale të ngjashme, që i trajtojnë këto tema, ose – çfarë është e njëjta gjë – që tërheqin reagime dhe komente nga përdorues të cilët kanë treguar tashmë interes ndaj këtyre temave dhe atyre që i sjellin a i diskutojnë me zell. Për pasojë, përftohet përshtypja sikur shqiptarët e sotëm janë totalisht të obsesionuar me çështje të tilla; dhe kjo u jep krah, energji dhe ambicie të gjithë atyre që duan të përfitojnë nga diskutimi i tyre, për t’u imponuar si influencers apo opinion leaders.

Rrezikun epistemologjik të Inkuizitorit viral e kam lajmëruar prej vitesh – madje edhe në një seancë plenare të Akademisë së Shkencave në Tiranë; por pa arritur ta përcjell mirë shqetësimin tim. Shumë kolegë të mi kanë zgjedhur tashmë t’i shmangen linçimit, duke u qëndruar larg temave delikate, për të mos e pësuar si Asdren Shala në videon më lart, ose edhe unë (madje më keq), me një status të para disa viteve për të madhen Bubulina. Gjatë kësaj periudhe kam vënë re se Inkuizitori viral ushqehet në gjirizet – ose në të gjitha ato hapësira të lira diskutimi dhe komentimi, ku fuqinë e ka marrë në dorë anonimiteti dhe sulmi ad hominem ndaj autorit. Nuk më duket rastësi që janë gjithnjë e më të shumtë autorët seriozë që kërkojnë mbylljen ose kufizimin drastik të komenteve nga publiku poshtë shkrimeve të tyre; pa përmendur ato media që komentet nuk i lejojnë më. Utopia e njëzet vjetëve më parë, se debati publik mes lexuesve, qofshin këta edhe anonimë, do të ndihmonte për të ndriçuar temat delikate dhe problematike, sot ka degraduar përfundimisht në distopi – aq sa vetë liria e shprehjes të vihet në pikëpyetje, nga një turmë anonime që ushqehet, riprodhohet e shtohet eksponencialisht me feed rrjetesh sociale, sa kohë që përhap madje imponon konformizëm. E vërteta sot paska nevojë jo vetëm që të përhapet, por edhe e sidomos që të mbrohet.

(c) 2026 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.


[1] Mir, Andrey The Viral Inquisitor and other essays on postjournalism and media ecology, Popular Media Ecology, 2024.

[2] Eseja e Mir-it për Inkuizitorin viral mund të lexohet falas te ky link: The Viral Inquisitor.

[3] Mir, Andrey The Digital Reversal – Thread-saga of media evolution, Popular Media Ecology, 2025.

[4] Mir, Andrey The Viral Inquisitor… vep. cit.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading