ETIMOLOGJI TË ÇABEJT: KODËR

kodër f. “vend i ngritur, më i lartë se bregu”. G. Meyeri 193 nuk jep ndonjë spiegim, po vuri re vërtet afërinë e fjalës me rum. codru “pyll, mal”, arom. “treg, mal me pyje, bjeshkë; copë buke e ma­dhe”, megl. “treg; copë ëmbëlsire ka­trore”, istrorum. “mal me pyje, bjeshkë”. Lidhja e të dy fjalëve midis tyre ndërkaq nuk është sqaruar. Shumica e gju­hë­tarëve anojnë nga me­ndimi që rum. codru rrjedh nga lat. quadrum e kodra e shqipes prej ruma­ni­shtes; khs. Pedersen KZ 40, 212v., Densu­sia­nu I 71v., GrS II 321, Ca­ndrea-Den­su­sia­­nu 384, Capi­dani DR I 509, Tagliavini Riv. d’Alb. II 185; sh. dhe Weigand 37, tani rishmë Marlekaj Quaderni V 46. Kjo tezë u përforcua që kur Skoku AslPh 37, 83 e 84 – më parë Schuchardti, Vo­ka­lis­mus des Vulgarlateins II 510 – kon­statoi zhvillimin e fonemit qua-co- nëpër mbishkrime latine vulgare, Co­dra­to për Quadratus. Një të tillë shqi­ptim Brüchu ZrPh 56, 376vv. në­për­mjet të emrave Quadratus Codra­tus e të glosave si codra për “qua­dra” e mendon për lat. vulgare lindore të kohës perandorake; prandaj ai shq. kodër e rum. codru i nxjerr nga lat. vulgare codra codrum. Mendim i pranuar dhe te Sandfeldi 48 shën. 1. Aty hyn dhe toponimi Codroipo i Friulit, pas Rohlfsit ASNS 184, 107 nga lat. Quadruvium. Khs. edhe Jokl IJ VIII VII 83, Ernout-Meillet 836, Jordan Arhiva XXXVIII 39, 47, Oštir Arhiv I 123.

Për përpjekjet e Diculescut (DR IV 436v.) që të spiegonte ndrimin a : o me anën e shqiptimit grek të fjalës latine e të kër­ko­nte burimin e këtij shqiptimi gjer në dialektin eolik të gr. së vjetër, sh. Jokl IJ XII VII 85. Ndërkaq për një periodë më të vonë ndërmjetësimi i greqishtes për një shqiptim të lat. quadrum si codru në rumanishten nuk është për të hedhur dhe fare poshtë, atë e pranon në parim dhe Meyer-Lübke REW 6921/2. Për kodër të shqipes ky dijetar lëkundet midis rum. codru si burim dhe një rrënje autoktone. Në këtë drejtim Schef­telowitzi (BB XXVIII 157, ZfIndol. u. Iran. 6, 120) kodër-n e kish krahasuar me arm. katar “kulm, majë, kokë”, duke parë te rum. codru një fjalë të burimit shqiptar; mendi­min e tij e pëlqen dhe Puşcariu EW 392. Për fjalë vendi e merr kodër-n edhe Barići I 40, duke e krahasuar etimologjikisht me lat. castrum. Sh. dhe Tagliavinin IJ XXV VII 148 në lidhje me Balotan. Më parë nga të gjithë Hahni (I 238) e pat afruar fjalën shqipe me emrin e Shkodër-s e me Codroipo-n e Friulit; sh. edhe Diefenbach I 245.

Fjalë e mbarë gjuhës. Del që te Buzuku (LXXXI/2 = LXXXXI/2 Efesët 2, 20): ṇd atë të madh e të naltë gūr ṇ katër kodrësh “ipso summo angulari lapide”; Budi (RR 44v., SC 341) Këjo sakràrie… grykënë ta kietë përsipëri nçelë, si e njaj tinari, ō katër kodrë, sido të jētë, e bukur mbuluom; venë trigjevet, e këtu e aty kuvendevet, e kodravet, ke u shkon dita nd asgjā e ndë të mbrazëtë. Këto burime dëshmojnë për kodër një kuptim “kënd, qoshe”, i cili është me rëndësi vendimtare për etimologjinë e fjalës; vendin e tekstit të Buzukut te Gri­gori e gjejmë gur i qoshésë. Një i tillë kuptim ka lënë gjurmë dhe në gjuhën e sotme; kështu në Gjirokastër kodër quhet një vend ndërtuar me sofate që përbëjnë një qoshe, ku rrinin dikur pleqtë e mëhallës. Me këtë përdorim të fjalës që del tani në shesh, një spiegim i saj nga lat. quadra ose quadrum bëhet, mund të themi, i sigurtë, khs. dhe vërejtjet tona në Revue de ling. VII 1 170. Vërtet se lat. qua- ka dhënë në shqipen më shumë ka- (sh. kartë e kortë, kaçile) e në rumanishten pa- (patru), po për shq. kodër rum. codru do menduar një ndrim qua- : ko- që në lat. vulgare ballkanike (codra codrum), prej së cilës e kanë ato dy gjuhë. Për ekzistencën e formave të tilla në latinitetin lindor, përveç Codratus codra etj. që u përmendën më sipër, dëshmon për mendimin tonë dhe gr. e vj. κοδράντης për lat. quadrans (te Schwyzer I 158), gr. e mesme  κοτρίγα prej lat. quadriga (te Triandaphyllidis 126), e tani emri Codrato në Moesia in­fe­rior (H. Mihăescu, Limba latină in pro­vincile dunărene ale imperului romîn 99). Kështu mendimi i Schuchardtit, Sko­kut e Brüchut gjen një vërtetim të ri nga ana e shqipes.

No Comments

  1. Ka diçka qe nuk shkon, sepse si ne shqip si ne rumanisht kane kuptim te perafert, por ne shqip ky kuptim i njejte vjen vetem pas Budit, sepse me pare donte te thoshte kend, qoshe, pra i bie te kemi 2 rastesi ne zhvillimin kuptimor, si ne shqip e si ne rumanisht ne menyre te pavarur njeri nga tjetri. Mua me duket nga pikepamja logjike ca e dyshimte.
    Te dy gjuhet kane marre te njejten koder= kend, jane shkeputur nga njera-tjetra prej sllaveve e pas 1400 vjeteve del qe te dyja per koder kane bere homologim te perafert, koder,mal,pyll (malor).
    Edhe dy dialekte te se njejtes gjuhe kane probleme me njera-tjetren kur bejne homologime fjalesh, jo me dy gjuhe.
    Mund edhe te jete reale nje rastesi kaq e papare homologimi, por eshte kaq e papare saqe veshtire se shihet me sy.

    Mbase ne shqip kane ekzistuar dy kodra si fjale homofonike, me kuptimet koder dhe kend, ku njera me kalimin e kohes humbi luften me kend,qoshe.

    Kam nje kuriozitet, si eshte kontestuar kjo hipoteze:

    Në këtë drejtim Schef­telowitzi (BB XXVIII 157, ZfIndol. u. Iran. 6, 120) kodër-n e kish krahasuar me arm. katar “kulm, majë, kokë”, duke parë te rum. codru një fjalë të burimit shqiptar; mendi­min e tij e pëlqen dhe Puşcariu EW 392.

    Sikur vetem per faktin qe ne ilirisht kemi Kodrion dhe Skodra, si emra vendbanimesh kodrinore.