PËR NJË GJUHËSI TË PARULLËS TOTALITARE

Çdo analizë e parullave në totalitarizëm bën mirë të niset nga ai përkufizim i objektit të saj, që kujdeset t’i dallojë këto – parullat – nga forma të ngjashme ligjërimore; që nga graffiti-t te pllakat përkujtimore. I njëjti kriter metodologjik do të kërkonte sqarimin e raportit midis parullave të shkruara dhe atyre me zë, meqë rrethprerja mes dy grupeve është domethënëse; dhe, nga ana tjetër, raportin midis tekstit të parullave dhe grafikës ose imazherisë simbolike që shpesh i shoqëron.

Gjithsesi, dhe intuitivisht, parullat janë tekste të shkruara me natyrë politike, ideologjike dhe morale, të ekspozuara në vende publike, si në sheshe, fasada dhe tarraca ndërtesash, më rrallë faqe kodrash ose anës rrugës së makinave; ose në hapësira të brendshme gjithnjë për përdorim publik, si salla mbledhjesh, korridore institucionesh, etj. Tipologjikisht parullat afrojnë me:

Graffiti-t, ose mbishkrimet spontane, zakonisht me dorë, në mure ose vende të tjera me një farë ekspozimi publik; të cilat mund të jenë thjesht personale, p.sh. emra njerëzish, ose skuadrash futbolli; ose subversive. Një nga parullat më karakteristike të periudhës së Luftës Na-Çl, “Vdekje Fashizmit Liri Popullit”, shpesh e shkurtuar si V.F.L.P., gjeti aso kohe përdorim të gjerë si graffiti.

Shenjat utilitare, si tabelat që emërtojnë institucionet, tabelat me emrat e rrugëve, emrat e dyqaneve dhe të shërbimeve, shenjat rrugore dhe të trafikut, etj., të cilat japin informacion të dobishëm për përdoruesit e hapësirës publike. Këtu do të hynin edhe posterët me informacion shëndetësor ose higjenik, ose lajmërimet për evente me interes publik a të përgjithshëm ose tabelat e mirëseardhjes në një vend të caktuar.

Pllakat përkujtimore dhe mbishkrimet në lapidarët, të cilat shënjojnë dhe përkujtojnë një ngjarje historike, duke e ankoruar në hapësirë dhe në kohë; kategori ku bëjnë pjesë edhe mbishkrimet në pllakat e varreve.

Citatet, sidomos ato me natyrë politike, të cilat shpesh përdoren si parulla – p.sh. një thënie e Enver Hoxhës, e ekspozuar në fasadën e një fabrike ose një ndërtese; ose në muret e brendshme të një institucioni. Shumë parulla, në mos të gjitha, kanë natyrë citacionale, ose u referohen përdorimeve të mëhershme të së njëjtit tekst; por citatet me natyrë politike gjejnë zakonisht vend në librat, ku funksionojnë në mënyrë të ngjashme me parullat.

Reklamat tregtare, në trajtë posterësh, të cilat nuk kanë qenë lejuar në Shqipërinë totalitare për produkte dhe marka specifike, por që mund të ndeshen si promovime kategorish të produkteve, p.sh. të perimeve, ose turizmit.

Fletë-rrufetë, të cilat kanë natyrë kritike a polemike, i drejtohen jo publikut në tërësi por individëve specifikë dhe kërkojnë trajtim të veçantë.

Kur nuk janë citate të mirëfillta me autorin të identifikuar (p.sh. “Feja është opiumi i popullit” – Marks), parullat i përkasin një lloj ligjërimi ku të dy skajet e komunikimit, edhe dërguesi edhe marrësi, nuk janë përvijuar mirë. Po të pyesim se kush e flet tekstin e një parulle çfarëdo, ose cili është subjekti i thëniezimit (burimi i thënies) si i ndryshëm nga subjekti i thënies, shpesh do të mbërrijmë tek autoriteti suprem abstrakt, ose shteti totalitar; por jo rrallë edhe te “populli”, “masat punonjëse” ose “klasa punëtore”. Një parullë si “Dhjetat tona janë plumb për armikun”, e identifikon vetvetiu subjektin e thëniezimit si nxënësit e shkollës; por kjo jo gjithnjë është e mundur. Kështu, te parulla “Të vëmë në jetë vendimet e Kongresit VII të PPSH”, subjekti i thëniezimit është masa e specifikuar e qytetarëve, meqë vendimet e Kongresit në thelb i prekin të gjithë. Nga ana tjetër, siç do ta analizojmë në vijim, prapa këtyre vetave të para shumës shpesh fshihet autoriteti urdhërues; dhe trajta “Të vëmë në jetë vendimet e Kongresit VII të PPSH” nuk është veçse një formë e zbutur, ose eufemistike, e urdhërores “Vini në jetë vendimet e Kongresit VII të PPSH”, e cila ka për subjekt thëniezimi autoritetin sipëror: shtetin, PPSH-në ose Enver Hoxhën vetë; ose super-egon, nëse duam.

Sa për marrësit (të adresuarit) e parullave, këta janë me përkufizim “publiku”, ose të gjithë ata që janë në gjendje t’i lexojnë këto mbishkrime në vende publike (duke qenë rendimenti dhe efektiviteti i parullave politike i lidhur ngushtë dhe drejtpërdrejt me shkallën e alfabetizimit të popullsisë). Shpesh publikun e parullës e seleksionon vetë teksti, si në rastin e notave dhjeta më sipër; ose kur një parullë bën thirrje për realizimin e planit të qumështit ose të hapjes së tokave të reja.

Si tekste relativisht të pandjeshme ndaj kontekstit gjuhësor dhe të vetëmjaftueshme, ose në gjendje të funksionojnë në mënyrë të pavarur[1], parullat karakterizohen edhe nga disa tipare stilistike ose tipografike, të cilat janë pjesë thelbësore e këtij funksionimi. Të tilla do të ishin:

Shkronjat e mëdha të shtypit me të cilat shkruhen zakonisht; edhe pse jo gjithnjë. Shkronjat e mëdha hyjnë në bashkëlidhje me madhësinë e shkronjave – sa më i madh teksti, aq më të mëdha gjasat për të qenë i shkruar me shkronja të mëdha (kapitale). Kjo sepse shkronja e madhe sjell solemnitet dhe seriozitet, por edhe sepse është më elementare (primordiale) se shkronja e vogël e shtypit, pa llogaritur pastaj korsivin, ose shkrimin e dorës. Nga ana tjetër, shumë njerëz, sidomos gjysmë-analfabetët, e kanë më të lehtë të lexojnë (dhe të shkruajnë) shkronjat e mëdha. Është vënë re nga studiuesit, gjithashtu, se tekstet e shkruara me shkronja të mëdha shtypi lexohen më ngadalë se të tjerat; dhe se teksti me shkronja të mëdha është më opak, ose i pranishëm si i tillë, në sytë dhe në mendjen e lexuesit. Shto këtu edhe që, për shumicën e publikut, tekste të tilla supozohet se janë destinuar për t’u lexuar me zë. Megjithatë, tekstet e gjata me shkronja të mëdha, ndoshta mu për këtë arsye, janë të vështira për t’u lexuar. Prandaj sa më e shkurtër të jetë parulla, aq më të larta janë gjasat që të dalë me shkronja të mëdha. Përveçse në parullat, shkronjat e mëdha i gjen të përdorura edhe në emrat e objekteve (rrugëve, anijeve, uzinave, dyqaneve) dhe të institucioneve; sikurse i gjen në titujt e librave dhe në akronimet (shkurtimet). Në çdo rast, shkronja e madhe është opsionale dhe kërkon arsye specifike për t’u përdorur.

Tipografia përtej tipit të shkronjave; duke filluar nga stili, zakonisht roman, pa modulime të tilla si korsivi ose të theksuarat ose nënvizimet; dhe një lloj disiplinimi në përdorimin e ngjyrave, duke u mjaftuar zakonisht me të kuqen, për fjalë të posaçme, si Parti ose Enver. I njëjti austeritet ndeshet edhe në zgjedhjen e fontit, si rregull sans serif; e cila i besohet grafistit dhe nuk synon të tërheqë vëmendjen. Parullat kanë qenë vizatuar ose pikturuar mbi mediume të forta (çimento, beton, dru), por më pas u shtuan edhe teknologji me llamba dhe marifete të tjera, elektrike dhe elektronike, për t’ua rritur parullave dukshmërinë dhe efektin. Në raste të caktuara, shkronjat nuk janë shenja mbi një medium, por objekte të mëvetësishme, të cilat mund të përmbajnë llamba, etj.; çfarë e shton edhe më “realitetin” e shkronjës te kjo formë ligjërimi.

Shifrat romake: nga dy përdorimet, Kongresi VIII dhe Kongresi i 8-të, i pari është më formal dhe solemn dhe i përshtatet ndoshta më mirë parullës së shkruar; sepse sjell me vete një lloj konotacioni historik që shifrës arabe i mungon. Në përgjithësi, propaganda totalitare i kushton kujdes përparësor kalendarit dhe numërimeve solemne; duke filluar me vjetorët e Çlirimit, të cilët janë shkruar ndonjëherë edhe në faqe malesh, sërish me shifra romake. Numërimi – i viteve që kanë kaluar nga një datë e rëndësishme, një themelim, etj.; ose i ngjarjeve politike periodike, si kongreset, etj., i jep një atribut progresiv rrjedhës së kohës.

Shkurtimet: hapësira fizike në dispozicion për parullën është vetvetiu e kufizuar; çfarë favorizon përdorimin e dendur të shkurtimeve: PPSH, BRPSH, RPSSH, KQ i PPSH, M-L, Na-Çl, SMT etj.; duke qenë njohja e saktë e shkurtimeve pjesë themelore e kompetencës ideologjike të publikut që i konsumon parullat; në kuptimin që konsumi i shërben edhe ruajtjes dhe fuqizimit të kësaj kompetence. Kjo dukuri nuk mund të ndahet nga njohja e përgjithshme e zhargonit totalitar, ose e terminologjisë specifike të tipit “vija e masave”, “trekëndëshi ideologjik”, “shfaqjet e huaja”, “emancipimi i gruas”, “obskurantizmi fetar”, etj.

Kombinimi me simbole dhe imazhe, që në format më të thjeshta mund të jenë një yll, një flamur, një libër i hapur shpesh vepër e Enver Hoxhës, drapri dhe çekani, kallëzat e grurit, shtyllat e tensionit të lartë, oxhaqet, puset e shpimit dhe naftëtarët me mushama, shalli i vullnetarit në hekurudhë, kominoshet, kazma dhe pushka, çeliku i shkrirë, diga e hidrocentralit, nderimi me grusht, harta e Shqipërisë. Kur parulla është pjesë e një pllakati, ajo mund të japë e marrë me mesazhin vizual, për ta pasuruar por edhe për t’u pasuruar prej tij. Shpesh parulla e shoqëron imazhin në pllakat, p.sh. portretin e Enver Hoxhës; edhe pse, nga një pikëpamje, pllakatet figurative mund të kategorizohen edhe si parulla vizuale.

Gramatika e parullës

Gramatika e parullës varet deri diku nga gjatësia e saj; meqë tekstet e gjata ose periudhat me disa fjali të varura priren të kenë natyrë dëftore (deklarative), ndërsa ato më të shkurtrat u përkasin modaliteteve jo-dëftore. Nga ana tjetër, parullat shumë të shkurtra janë zakonisht reduktime ose kondensime tekstesh më të gjata.

Shembuj të parullave minimale, për nga gjatësia, do të ishin fjalë si PARTI (PPSH), ENVER ose XXV, të përdorura mëvetësishëm. Tekste të tilla funksionojnë si marka tregtare ose logo dhe i shërbejnë brandimit të hapësirës publike; p.sh. fjala ENVER e shkruar në një shpat mali, ose PPSH në buzën e tarracës së një institucioni. Por nga pikëpamja ligjërimore, ato përfaqësojnë tekste më të gjata, që mund të lidhen me dashurinë e masave për Partinë ose liderin Enver, ose me shprehjen e besnikërisë ose të adhurimit për to, ose edhe vetëm me konstatimin e rolit që luan PPSH ose Enver Hoxha në jetën e vendit. Vetëm se këto tekste më të gjata nuk artikulohen, por thjesht sugjerohen. Përndryshe, një parullë si XXV do të ishte enigmatike, jashtë kontekstit të kremtimit të 25-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë.

Me parullat minimale afrojnë të tjera, të tipit MËSOJMË, PUNOJMË, KALITEMI, ku tre folje radhiten krah më krah; ose POPULL PARTI ENVER ose ORGANIZIM DISIPLINË EMULACION. E para ka qenë e përshtatshme edhe për t’u brohoritur me zë të lartë, gjatë paradave sportive; dhe i referohet fushatës për revolucionarizimin e shkollës dhe për zbatimin e trekëndëshit mësim/punë prodhuese/kalitje fizike e ushtarake; e treta i referohet, në një mënyrë disi teknike, administrimit të marrëdhënieve sociale të punës. Përgjithësisht, parulla të tilla të shkurtra funksionojnë më mirë në një kontekst ku publiku, ose përdoruesit e tyre, janë pak a shumë të indoktrinuar (p.sh. NË NJËRËN DORË KAZMËN, NË TJETRËN PUSHKËN funksionon me atë publik që është tashmë i familjarizuar me parullën e plotë, NDËRTOJMË SOCIALIZMIN DUKE MBAJTUR NË NJËRËN DORË KAZMËN, NË TJETRËN PUSHKËN; përndryshe nuk do të kishte kuptim).

Një grup parullash, që janë edhe më të zakonshmet, shprehin dëshira të subjektit që i formulon, në lidhje me aktualitetin politik dhe që, duke qenë ky subjekt i padukshëm ose “i narkotizuar”, pritet që lexuesi t’i bëjë të vetat, në kuptimin që, duke i lexuar, t’u japë edhe forcën e duhur ilokutive (evidente, në rastin e dëshirores). Dëshirat shprehen rëndom me folje në mënyrën dëshirore, duke filluar nga rroftë[2], e cila i uron dikujt a diçkaje jetëgjatësi: RROFTË SHOKU ENVER HOXHA! RROFTË SA MALET UNITETI PARTI-POPULL! RROFTË UNITETI! RROFTË MIQËSIA SHQIPTARO-KINEZE! RROFTË INTERNACIONALIZMI PROLETAR! RROFTË DREJTËSIA POPULLORE! RROFTË RPSSH! Kjo dëshirë për ta pezulluar entropinë dhe për ta përjetësuar kontingjencën e momentit shprehet edhe me mënyra të tjera – si I PËRJETSHËM QOFTË KUJTIMI I DËSHMORËVE, ose JETË TË GJATË SHOKUT ENVER ose ENVER HOXHA RRON E DO TË RROJË PËR JETË[3]. Paradoksalisht, ato e mbajnë të pranishme, në vetëdijen publike, idenë e vdekjes dhe kërcënimin e asgjësimit; dhe – si çdo dëshirore tjetër – i shoqërohen një lloj të menduari magjik.

Pjesa më e madhe e parullave kanë natyrë porosish; ose u tregojnë masave (popullit, publikut) se çfarë duhet të bëjnë ose si duhet të veprojnë, për ta çuar përpara ndërtimin e socializmit në Shqipëri – tek e fundit, SOCIALIZMIN E NDËRTOJNË MASAT, PARTIA I BËN ATO TË NDËRGJEGJSHME. Modaliteti i porosisë shprehet drejtpërdrejt nga mënyra urdhërore; por në parullat mënyra urdhërore ose del shumë rrallë, ose mungon; me gjasë, për të shmangur përshtypjen se parullat janë urdhra ose komanda të pushtetit drejtuar masave, të cilat kanë pastaj detyrë të binden. Ideja duhet të jetë, përkundrazi, se masat i zbatojnë “mësimet” e Partisë dhe të shokut Enver jo vetëm pasi i kanë bërë të tyret, janë bindur që ato janë të drejta dhe në interesin e tyre; por edhe pasi të kenë kuptuar se vija e Partisë, e artikuluar në doktrinë, është në fakt shprehje e vullnetit të masave (Ç’THOTË POPULLI BËN PARTIA, Ç’DON PARTIA BËN POPULLI). Udhërorja e drejtpërdrejtë, në vetën e dytë njëjës ose shumës, krijon vetvetiu një hierarki midis atij që jep urdhrin dhe atij që e zbaton; ku ai që urdhëron qëndron vetvetiu më lart. Pikërisht kjo nuk do të tolerohet nga propaganda totalitare[4], meqë ajo themelohet, mes të tjerash, mbi premisën se PUSHTETI BURON NGA POPULLI DHE I PËRKET POPULLIT; që këtej, as Partia dhe as Enveri nuk mund të urdhërojnë.

Si çdo mësues i mirë, Enveri jep porosi – të cilat gjithsekush i dëgjon, i analizon, i bën të vetat dhe pastaj i zbaton (i “vë në jetë”). Forma gramatikore tipike e këtyre porosive është e ashtuquajtura lidhore urdhërore në vetën e parë shumës, e formës: T’I BËJMË REALITET VENDIMET E KQ TË PPSH, ku veta e parë shumës i referohet një subjekti gramatikor kolektiv (NE), që identifikohet me masat punonjëse, popullin, klasën punëtore, etj.; ose edhe vetëm kolektivin e një qendre pune ose të një institucioni ku është afishuar parulla.[5]

Lidhorja-urdhërore shfaqet në disa nga parullat më karakteristike të periudhës totalitare: TË ÇAJMË BLLOKADËN ME FORCAT TONA! TË VËMË NË JETË VENDIMET E KONGRESIT VII TË PPSH! T’U QEPEMI KODRAVE DHE MALEVE, T’I BËJMË ATO PJELLORE SI EDHE FUSHAT! TË JETOJMË, TË PUNOJMË E TË MENDOJMË SI REVOLUCIONARË! TË JETOJMË, TË PUNOJMË E TË MENDOJMË SI NË RRETHIM! Janë këto parulla të cilat përçojnë disa nga politikat më të rëndësishme (dhe dëshirat më të zjarrta) të pushtetit totalitar në marrëdhëniet me qytetarët. Veta e parë shumës, në këto tekste, shënon edhe momentin kur vullneti i Tjetrit (i pushtetit) interiorizohet nga konsumatori i parullës dhe shndërrohet në detyrim moral. Njëkohësisht, mbahet gjallë edhe iluzioni se parulla të tilla, dhe parullat politike-ideologjike në përgjithësi, nuk janë tekste të pushtetit, por formulime dëshirash dhe vullnetesh të masave.[6]

Për t’u shënuar edhe se e njëjta lidhore-dëshirore ndeshet rëndom në titujt e kryeartikujve të gazetës “Zëri i popullit” – ku është pikërisht “populli” që flet në vetën e parë dhe i ekspliciton detyrimet e veta organizative, politike dhe morale (tek e fundit, prandaj edhe gazeta quhet “Zëri i popullit”).

Një tjetër instancë, tejet domethënëse, e stilit gjendet në titujt e materialeve në veprat e Enver Hoxhës: artikuj e fjalime, por edhe biseda dhe shënime. Për shembull, në veprën 70 (viti 1979) gjen tituj të tillë si: TË INKURAJOJMË NJERËZIT KUR PUNËT SHKOJNË MIRË, POR TË MOS FSHEHIM TË METAT, TË MOS LUSTROJMË GJËRAT; ose TË MBËSHTETEMI NË STUDIMET GJEOLOGJIKE PËR TË PËRCAKTUAR DREJT PROPORCIONET E SHPIMEVE; ose TË GJEJMË RRUGË TË REJA PËR SHTIMIN E PRODHIMIT TË YNDYRNAVE; ose TË JEMI TË MATUR NË GJYKIME E VEPRIME DHE GJITHMONË TË ECIM PËRPARA; ose FRYMËN E DISIPLINËS USHTARAKE TA FUTIM EDHE NË JETËN CIVILE; ose TË MËSOJMË MË SHUMË E VAZHDIMISHT NGA NJËRI-TJETRI; ose NË BAZË TË SHKOJMË TË PËRGATITUR, DUKE NJOHUR MIRË PROBLEMET QË E SHQETËSOJMË ATË; ose T’I RUAJMË DHE T’I VLERËSOJMË OBJEKTET E KULTURËS SONË; e kështu me radhë. Shumë lehtë, disa prej këtyre titujve mund të përdoren pastaj si parulla dhe të afishohen në hapësirat publike.

Të kujt janë formulime të tilla kaq karakteristike? Meqë është vështirë të përfytyrohet Enver Hoxha që ua vë vetë titujt materialeve të tilla, të nxjerra nga proces-verbalet dhe të përpunuara nga sekretarët e tij dhe më tej nga aparati i KQ të PPSH dhe Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste që kujdesej për përgatitjen e veprave për botim, mund të supozojmë se këta tituj i përftonin aparatçikët në bazë të përmbajtjes së tekstit përkatës dhe duke u kujdesur t’i formulonin në mënyrë të tillë që ta shprehnin thelbin e këtij teksti në trajtën e një porosie morale të interiorizuar. Që ka pasur një traditë të konsoliduar për këtë përftesë, mund ta konfirmojmë edhe duke i hedhur një sy tryezës së lëndës të veprës 22 (viti 1961), për të gjetur tituj si T’U JAPIM PËRGJIGJEN E MERITUAR SULMEVE TË HAPURA TË REVIZIONISTËVE SOVJETIKË; ose KOOPERATIVAT BUJQËSORE T’I FORCOJMË DHE NIVELIN E JETESËS TË FSHATARËVE TË MOS E DOBËSOJMË; ose TË ECIM PËRPARA PA E HEQUR PUSHKËN NGA KRAHU; ose VIGJILENCËN TA KEMI NË RENDIN E DITËS, ARMËT T’I MBAJMË GATI DHE BARUTIN TË THATË; ose TË VAZHDOJMË PUNËN ME RITME EDHE MË TË LARTA; ose JO TË KËNAQEMI ME REZULTATET E ARRITURA, PO TË SHIKOJMË ÇFARË DUHET BËRË MË TEJ. Në një kuptim, ky grup parullash të shqipes totalitare formulohen nga aparatçikët e KQ të PPSH, në bazë të teksteve kryesisht të Enver Hoxhës; dhe pastaj u ofrohen organeve të propagandës të Partisë dhe të pushtetit anembanë vendit, për t’u përdorur sipas nevojës. Meqë formulimi bëhet gjithnjë në bazë të kondensimit, atëherë rezultati nuk mund të jetë veçse i përgjithshëm, i rrumbullakosur, i tillë që mund të zërë vend kudo pa trazuar shumë; dhe që të krijojë efektin se gjithçka po procedon sipas parashikimeve, duke filluar nga vetë progresi.

Jo rrallë, për t’i dhënë parullës një forcë statike, ose për ta nxjerrë nga kornizimi i momentit, folja në urdhërore a në lidhore-urdhërore mungon dhe predikativiteti i kalon një gjymtyre tjetër, zakonisht një ndajfoljeje: POSHTË IMPERIALIZMI AMERIKAN! POSHTË BUROKRATIZMI! LART FRYMËN REVOLUCIONARE! LARG DUART NGA VIETNAMI! MË SHPEJT, MË LART, MË LARG! PËRPARA DREJT FITOREVE TË REJA! ME PARTINË NË BALLË, PËRPARA PËR FITORE TË REJA! BALLËLART DHE ME FITORE TË REJA NË 40-VJETORIN E ÇLIRIMIT TË ATDHEUT! Këto ndajfolje shpesh shënjojnë përmasa hapësinore dhe të lëvizjes dhe ndërmjetësojnë për “hapësinorizimin” e vlerave politike dhe ideologjike, ku LART është mirë, ndërsa POSHTË është keq; SHPEJT është mirë, ndërsa NGADALË është keq; PËRPARA është mirë, ndërsa MBRAPA është keq. Tek e fundit, vetë ndërtimi i socializmit është një proces i karakterizueshëm nga dy ndajfoljet PËRPARA dhe LART; të cilat të dyja përftojnë idenë e PROGRESIT (PËRPARIMIT), që nga ana e vet i detyrohet shumëçka edhe metaforës së MARSHIMIT (ushtarak).

Një grup parullash eliptike, ose pa folje, janë ato me fjalën LAVDI: LAVDI PPSH! LAVDI MARKSIZËM-LENINIZMIT! LAVDI TË PËRJETSHME VEPRËS SË SHOKUT ENVER HOXHA! Të huazuara në stil dhe në frymë nga ligjërimi fetar, këto funksionojnë në mënyrë të ngjashme me parullat me RROFTË; ku fjala LAVDI ka predikativitetin e vet dhe përçon dëshirën për ta ndalur entropinë e harresës (në thelb, rrjedhën e historisë) dhe për ta përjetësuar raportin e tashëm të vlerave.

Parullat me lidhore-urdhërore, të tipit TË JETOJMË, TË PUNOJMË E TË MENDOJMË SI REVOLUCIONARË mund të shndërrohen lehtë në një tip tjetër parulle, duke zëvendësuar lidhoren me dëftore, ose duke mënjanuar pjesëzën “të”: JETOJMË, PUNOJMË E MENDOJMË SI REVOLUCIONARË. Një modifikim minimal mjafton për të sjellë një ndryshim madhor; sepse tani parulla në vetë të parë nuk shënjon më një porosi të interiorizuar, por vetëm sa përshkruan një realitet specifik, i cili është produkt i zbatimit të porosisë përkatëse. Parulla të tilla, p.sh. VËMË NË JETË VENDIMET E KONGRESIT VI TË PPSH janë dëftore dhe përshkruese (deskriptive) – duke sanksionuar kalimin nga dëshira, gatishmëria, zotimi dhe modalitete të tjera te realizimi i tyre; është sërish masa që “flet” në vetën e parë shumës, por për të provuar se porosia që erdhi nga lart është vënë në jetë: MBAJMË LART VIGJILENCËN REVOLUCIONARE, ÇAJMË BLLOKADËN ME FORCAT TONA, SHKOJMË NË KONGRESIN E 9-TË TË PARTISË ME DETYRA TË REALIZUARA, etj. Përndryshe, duke qenë formulimi i njëjtë me atë të simotrave me lidhore-urdhërore, kjo konfirmon edhe përkimin praktikisht total midis porosisë (urdhrit) dhe realitetit: Ç’DON PARTIA BËN POPULLI.

Luhatja mes modalitetit lidhor-urdhëror dhe atij dëftor, që në shembujt më lart mundësohet nëpërmjet heqjes (ose shtimit) të pjesëzës “të” të lidhores, pezullohet në rastin e atyre parullave që e mënjanojnë krejt foljen, duke u mjaftuar me predikativitetin e ndajfoljes: LART FRYMËN REVOLUCIONARE mund të lexohet edhe si TË MBAJMË LART FRYMËN REVOLUCIONARE edhe si MBAJMË LART FRYMËN REVOLUCIONARE; ambiguiteti nuk është i rastësishëm, por i dëshiruar, meqë sinjalizon një botë diskursive ku kufiri mes detyrimit moral (ideologjik, etj. TË MBAJMË) dhe realitetit (MBAJMË) praktikisht nuk ekziston më.

Përndryshe, një kategori parullash në modalitetin dëftor ose me natyrë përshkruese kanë thjesht natyrë dokumentare – meqë përshkruajnë realitetin me nota optimiste, duke vënë në dukje aspekte tipike të aktualitetit: MARSHON SHQIPËRIA SOCIALISTE, NJËZET VJET SHQIPËRI SOCIALISTE, etj. Grupi më i madh, brenda këtij modaliteti, përfaqësohet nga parulla që përshkruajnë ose identifikojnë subjektin – duke e përkufizuar atë në mënyrë ideologjikisht korrekte ose duke ia theksuar ndonjë karakteristikë me rrugë metaforike. Si rregull, ky efekt arrihet nëpërmjet foljes “është” (këpujës): LUFTA PËR BUKËN ËSHTË LUFTË PËR SOCIALIZËM, VOTAT TONA JANË PLUMB PËR ARMIKUN. Propozita të tilla zakonisht vënë pikat mbi i, ose ofrojnë tipare kyçe të koncepteve a të realiteteve të zakonshme. Për t’u shënuar se një pjesë e mirë e këtyre parullave “këpujore” dalin me këpujë zero: SHQIPËRIA FANAR NDRIÇUES I SOCIALIZMIT NË EUROPË, SHQIPËRIA SHKËMB GRANITI BUZË ADRIATIKUT ose ENVER HOXHA FLAMUR I LUFTËS PËR LIRI E SOCIALIZËM, një strukturë që rimerr atë të shumë proverbave dhe frazeologjive popullore (gjysma e mijës pesëqind, mendja e madhe, e keqja e të zot), edhe pse këtu nuk mund të përjashtohet edhe një ndikim nga rusishtja e periudhës sovjetike, ku mungesa e këpujës në ndërtime të tilla është rregull. Nga rusishtja duhet të jetë marrë edhe përdorimi i vizës ndarëse, në parulla si PPSH – PARTI E REVOLUCIONIT, PARTI E FITOREVE, MBROJTJA E ATDHEUT – DETYRË MBI DETYRAT gjithnjë për të shënjuar këpujën. Të paktën në shqipe, heqja e këpujës i jep tekstit tingëllim solemn, duke e nxjerrë nga predikativiteti i kallzuesit, ose ankorimi në kohë dhe duke e fuqizuar efektin identifikues. Të krahasohet VOTAT TONA JANË PLUMB PËR ARMIKUN me VOTAT TONA PLUMB PËR ARMIKUN.

Të ngjashme me parullat dëftore dhe përkufizuese janë edhe ato me natyrë aforistike, të cilat gjithashtu shprehin një realitet, por e bëjnë këtë me një përftesë poetike, ose duke vendosur lidhje të papritur mes dy koncepteve a figurave leksikore me një farë largese mes tyre; ose nëpërmjet instaurimit të një ritmi të brendshëm a strukture dyjare, gjithnjë të ngjashme me atë të proverbave – ku nuk mungojnë elementet prozodike (metrike): SOCIALIZMIN E NDËRTOJNË MASAT, PARTIA I BËN ATO TË NDËRGJEGJSHME; NUK KANË LINDUR AKOMA ATA BURRA QË TË FRIKËSOJNË SHQIPTARËT; NUK KA KALA QË NUK MARRIN KOMUNISTËT; NAFTA ÇAN BLLOKADËN; NJË BIE MIJËRA NGRIHEN; KUR FLET KLASA, NUK FLET BUROKRATIZMI; NUK MUND TË THYHET NJË POPULL QË UDHËHIQET NGA MARKSNIZËM-LENINIZMI; ATJE KU ËSHTË PUNA, ATJE DUHET KËRKUAR EDHE DITURIA; POPULLI SHQIPTAR E KA ÇARË RRUGËN E HISTORISË ME SHPATË NË DORË. Këto parulla nuk porositin, as përshkruajnë, por përcjellin urtësi, duke marrë statusin e “thënieve”. Burim i tyre është, si rregull, Enver Hoxha vetë, në rolin e guru-t; funksioni i tyre është që të frymëzojnë, duke vepruar drejtpërdrejt në shqisat poetike dhe emocionale të publikut.

Pragmatika e parullës

Parullat janë gjithnjë tekste në sfond, që vërtet bërtasin, por asnjëherë deri aty sa t’i lexosh për të marrë prej tyre informacion. Askush nuk do të ketë thënë ndonjëherë “eja të shkojmë nga qendra, që të lexojmë ndonjë parullë”, çfarë mund edhe të dojë të thotë se teksti i parullës nuk informon, në të njëjtën mënyrë siç informon emri i një rruge (duhet, për të gjetur adresën) ose emri i një lokali (ku ke lënë për t’u takuar me dikë).

Kjo varfëri denotative mund të lidhet me atë që parullat janë gjithnjë tekste të njohura për publikun, madje funksionojnë si parulla vetëm në atë masë që janë tekste të njohura. Një qytetar i Tiranës nuk ka nevojë të lexojë parullën PARTI – ENVER, për të marrë vesh se kush e ka pushtetin në Shqipëri dhe si funksionon ky pushtet. Ndoshta prandaj parullat janë shenja të vetvetes, meqë kuptimi kryesor i një parulle si PARTI – ENVER është që “ja një parullë politike”. Te kjo më sipër, deri edhe renditja e dy gjymtyrëve të vetme është e kodifikuar: PARTI – ENVER është parullë, por ENVER – PARTI tërheq vëmendjen si diçka e re, e pandeshur më parë, kushedi e shkruar nga një dekorator i pakujdesshëm, ose edhe shenjë skandaloze e një ndryshimi radikal në vijën politike. Çfarë do të thotë se intertekstualiteti, ose referimi ndaj instancave tekstuale të mëparshme, është një nga tiparet themelore të çdo parulle.

Intertekstualiteti mund të jetë eksplicit: SOCIALIZMIN E NDËRTOJNË MASAT – PARTIA I BËN ATO TË NDËRGJEGJSHME ishte titull i një fjalimi të rëndësishëm të Enver Hoxhës, para se të shndërrohej në parullë; dhe në këtë kontekst kufiri mes parullës dhe citatit nuk hiqet dot, përveçse po të kemi parasysh se parulla është faza e fundit e citatit, në kuptimin që një parullë nuk mund të citohet. Në raste të tjera, si NË NJËRËN DORË KAZMËN NË TJETRËN PUSHKËN parulla i referohet një parulle tjetër, më të plotë: NDËRTOJMË SOCIALIZMIN DUKE MBAJTUR NË NJËRËN DORË KAZMËN NË TJETRËN PUSHKËN. Edhe parullat më të thjeshta, si LAVDI PPSH citojnë – në mënyrë implicite – instanca të mëparshme të vetes. Kjo aftësi e tekstit të parullave për të aktivizuar në kujtesë tekste të mëparshme identike ose shumë të ngjashme jo vetëm i jep një tonalitet të qëndrueshëm hapësirës publike, por edhe luan rol qetësues ndaj lexuesit të parullës, duke i thënë: “gjithçka shkon si vaj, asgjë nuk ka ndryshuar, asgjë për t’u shqetësuar.”

Për shkak të intertekstualitetit të fortë dhe referimit eksplicit ndaj teksteve themelore të pushtetit totalitar, parullat marrin një ngjashmëri me frazat dhe klishetë e nxjerra nga skriptura biblike dhe liturgjitë e krishtera, të cilat i japin tonin dhe orientimin ligjërimit fetar, duke u bërë pjesë e ritualeve komunikative nën totalitarizëm. Kjo nuk ka vetëm të bëjë me tekstet e ekspozuara në hapësirat publike, por shtrihet në mbarë ligjërimin publik të ngjyrosur ideologjikisht; në kuptimin që “RROFTË PARTIA!” do të përdoret edhe për të mbyllur një fjalim, edhe për të mbyllur një bisedë telefonike mes funksionarësh, hierarkësh ose partiakësh të lartë. Shprehje të tilla detyrimisht të parafabrikuara, si RROFTË PARTIA, TË RROJË PARTIA, TË RROJË SHOKU ENVER, etj. kanë natyrë magjike, sa kohë që konfirmojnë jo thjesht qëllimet dhe gjendjen shpirtërore të palëve, por edhe tonalitetin e përgjithshëm të komunikimit – duke ia eksplicituar përparësitë. Për të njëjtën arsye, ato shërbejnë edhe si shenja pikësimi të ligjërimit, ose ndalëse bisedash – meqë pas një RROFTË PARTIA nuk ka më “kuptim” të thuhet gjë tjetër. Sekuencialiteti nuk vlen, kur është fjala për tekste të ekspozuara vizualisht, si parullat e shkruara; por megjithatë, edhe këto i japin njëfarësoj stabilitet rrymës së eksperiencës publike, duke u ofruar gjithashtu si shenja pikësimi. Religjioziteti totalitar, nëse mund të shprehemi kështu, i ofron një orientim themelor hapësirës, duke e “branduar”.

Njëlloj si në kongreset, në mbledhjet dhe në konferencat politike, parullat që “hidhen” me zë duhet të shpërndahen në mënyrë të njëtrajtshme gjatë fjalimit, edhe parullat e ekspozuara në hapësirën publike, si jashtë si brenda, duhet ta ruajnë një farë distance minimale nga njëra-tjetra, për të mos krijuar konfuzion – ndryshe nga ç’ndodh me reklamat, bie fjala, në Times Square. Dekori publik në qytetet totalitare e ruan disiplinën edhe në këtë rast, për të mos lejuar që një parullë të ndikojë negativisht te tjetra ose t’ia anulojë shkëlqimin. Kjo edhe ngaqë parulla e vendos kontekstin në kohë dhe nëpërmjet intertekstualitetit, jo në hapësirë dhe nëpërmjet lidhjeve horizontale me parulla të tjera. Një thënie nga Enver Hoxha mjafton që t’u kujtojë njerëzve instanca të mëparshme të kësaj thënieje, dhe nuk ka nevojë të plotësohet me një thënie tjetër nga Marksi. Si tekste të qëmtuara dhe të zgjedhura për t’u vënë në pah, këto të parullave u janë nënshtruar edhe një lloj seleksioni darvinian, në mënyrë të ngjashme me proverbat në ligjërimin gojor; dhe një parullë që funksionon mirë, së shpejti do të rimerret gjetiu dhe do të shumëzohet, duke u “riprodhuar”.

A kanë “” parullat? Po të nisemi nga konstatime të thjeshta, si mbizotërimi i vetës së parë shumës, mund të përfundojmë se, në vija të trasha, zëri që e flet parullën është zëri i masave, madje edhe atëherë kur bëhet fjalë për një citat të cilit i identifikohet autori – në këtë rast të fundit, masa e lexon citatin me zë, duke e lartësuar në nivelin e parullës. Parullat, me fjalë të tjera, lexohen gjithnjë në kor, duke marrë kështu atributet specifike të çdo teksti të lexuar nga një kor, duke filluar nga natyra e skriptuar, meqë një kor nuk mund të artikulojë asgjë, përveçse të përsëritë çfarë ka mësuar më parë përmendësh, ose të lexojë nga i njëjti tekst. Ky zë kolektiv – që mishërohet jo vetëm në subjektin në shumës por edhe në intertekstualitetin aq eksplicit – e bën masën të pranishme në çdo hapësirë publike ku është ekspozuar parulla; çfarë është edhe një nga funksionet kryesore të kësaj kategorie tekstesh. Lexuesi i parullës (konsumatori), duke kaluar sytë mbi shkronjat, i bashkohet edhe ai dashur pa dashur këtij kori, bëhet edhe ai pjesë dashur pa dashur e brohorimës së heshtur; dhe në mënyrë subliminale aktivizon, në kompetencën e vet ligjërimore, shprehje dhe fraza parafabrikate të ligjërimit totalitar.

© 2020 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

[1] Në atë masë që ekspozohen “zhurmshëm”, parullat u japin kontekstin e duhur politik dhe ideologjik hapësirave publike; duke mëtuar të shërbejnë si ajo LA-ja fillestare që ka nevojë orkestra, për të sinkronizuar akordimin e instrumenteve.

[2] Në shqipen e sotme, folja rroj nuk përdoret më shpesh se sinonimi i saj jetoj, duke qenë e para lehtësisht pak më bisedore se e dyta; e megjithatë, dëshirorja jetoftë praktikisht nuk përdoret kurrë, në asnjë regjistër. Kjo lë shteg për hipotezën se format e dëshirores së disa foljeve i përligj më shumë përdorimi (intertekstualiteti), sesa gramatikaliteti; dhe se forma të tilla si rroftë marrin natyrë gati frazeologjike.

[3] Lidhorja në vetën e tretë, si të rrojë, funksionon si version më formal, më libror, ndonjëherë edhe më i zbutur a më i matur i dëshirores. Kush thotë a shkruan TË RROJË PARTIA, dhe jo RROFTË PARTIA e bën jo ngaqë urimi i tij është më pak “i zjarrtë” dhe “plot pasion”, por për të ruajtur harmoninë e bisedës ose tonalitetin e kontekstit; ose për të shmangur tonin e gëzuar të dëshirores “RROFTË”, për shembull, në mbyllje të fjalimit në një funeral.

[4] Një shembull i rrallë i një parulle në urdhërore të mirëfilltë do të ishte PROLETARË TË TË GJITHA VENDEVE, BASHKOHUNI! Te PRINA PARTI!, përkundrazi, urdhërorja tregon gatishmëri.

[5] Të vihet re se lidhorja-urdhërore është e vetmja mënyrë si mund të shprehet modaliteti urdhëror në vetën e parë: TË REALIZOJMË PLANIN EKONOMIK TË SHTETIT NË TË GJITHË TREGUESIT nuk është veçse një formë eufemistike e urdhrit REALIZONI PLANIN EKONOMIK TË SHTETIT NË TË GJITHË TREGUESIT. Në fakt urdhërorja si mënyrë foljore e shqipes është defektive dhe nuk ka vetë të parë, as vetë të tretë. Nga pikëpamja pragmatike, lidhorja-urdhërore tregon një urdhër a komandë të interiorizuar, në kuptimin që urdhri (komanda, porosia, këshilla) është shndërruar tashmë në imperativ moral, ose është bërë pjesë e super-egos kolektive. Jo më kot, parullat me lidhore-urdhërore, të tipit TË JETOJMË, TË PUNOJMË E TË MENDOJMË SI NË RRETHIM! mund të riformulohen duke u shtuar përpara foljen modale duhet: DUHET TË JETOJMË, TË PUNOJMË E TË MENDOJMË SI NË RRETHIM! e cila konfirmon që, nëpërmjet lidhore-urdhërores, urdhri (komanda, porosia, këshilla) është shndërruar në detyrim moral.

[6] Për të kuptuar sa artificiale dhe e stilizuar është lidhorja në vetën e parë shumës te ky lloj parullash, le t’i krahasojmë këto me shenja thjesht utilitare, si tabela RREZIK TRENI! NDAL, SIGUROHU, KALO, që vihet ndonjëherë në kryqëzimet e rrugëve automobilistike me hekurudhën. Versioni i së njëjtës tabelë me urdhëroren të zëvendësuar me një lidhore në vetën e parë shumës, RREZIK TRENI! TË NDALEMI, TË SIGUROHEMI, TË KALOJMË tingëllon menjëherë absurd. Po ashtu, le të krahasojmë MOS I FOL SHOFERIT me TË MOS I FLASIM SHOFERIT; e dyta tingëllon si parullë e shkruar në muret e shoqatës së dashamirësve të transportit publik; por e ekspozuar në autobus do të shkaktonte menjëherë hilaritet.

 

Kjo paraqitje diapozitivash lyp JavaScript.

1 Koment

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin