PAMJE TË VDEKJES NË OLIMP (III)

(pjesa e tretë dhe e fundit)

Pyetja që bënin klikat në pushtet, në momente vrasjesh/vetëvrasjesh/vdekjesh aksidentale, ishte gjithnjë e njëjtë: çfarë do t’u themi njerëzve? Çfarë do t’u themi njerëzve për shokun Nako? Po për Mehmetin? Si do ta lajmërojmë vdekjen e bashkëshortes së Stalinit? Po atë të Orxhonikidzes? Është pyetje që tradhton pasigurinë madje frikën e pushtetarëve totalitarë përballë realitetit lakuriq të vdekjes dhe dëshirën për ta përdorur këtë vdekje, në interesin e mbijetesës së tyre. Përkundrazi, respekti për të vdekurin dhe familjen e tij, hidhërimi për mikun e vetëvrarë dhe imperativi moral për ta lajmëruar vullnetin e fundit të viktimës as që vijnë në vështrim. Përballë një ngjarjeje të paparashikuar, ose më mirë akoma, të paskriptuar, pushteti totalitar bën atë që pritej të bënte: gënjen.

Kur një funksionar i lartë, qoftë ky edhe udhëheqës, largohet nga kjo botë duke kryer vetëvrasje, ai mund të ketë mbaruar punë me shtetin, por shteti nuk ka mbaruar punë me të: i ikuri ka lënë mbrapa trupin, i cili ka nevojë të trajtohet. Regjimi totalitar e kish më të lehtë me ata që pushkatonte, të cilëve ua “hupte” trupin, duke ua kallur në ndonjë gropë anonime, ose edhe më keq, në varre kolektive, si në Bashkimin Sovjetik, në vitet e terrorit të madh. Armiku i dënuar me vdekje humbte deri edhe të drejtën për të pasur një varr. Në Shqipëri, vendet ku janë varrosur të pushkatuarit i kërkojnë sot e kësaj dite – për shumë viktima mungojnë deri edhe dokumentet më elementare.

Por kur ndodh një vetëvrasje “e madhe”, regjimi kapet i papërgatitur – si me Mehmet Shehun, i cili ishte kryeministër në detyrë kur vdiq, e megjithatë u varros thjesht, meqë shteti nuk donte të kish të bënte me trupin e tij. Ja ç’rrëfen Bashkim Shehu për të atin:

Varrimi do të bëhej të nesërmen, më 19 dhjetor. Do të na lejohej të dilnim nga shtëpia vetëm për varrim, sepse qysh prej 24 orësh, gjendeshim në arrest shtëpie, ndonëse një masë të tillë nuk e përmbante asnjë ligj ekzistues. Një ditë përpara erdhi shefi i zyrës së kuadrit të aparatit të Komitetit Qendror dhe takoi Fiqretin, duke i thënë se Mehmet Shehut nuk do t’i bëhej varrim ceremonial… Një njeri tjetër që, përveç neve të shtëpisë erdhi në varrim ishte babai i Marietës. Kështu që, gjithë gjithë, bëheshim gjashtë vetë.[1]

Përkundrazi, funerali i Nako Spirut, edhe pse edhe ai i vetëvrarë, u zhvillua sipas protokollit – me homazhe, bandë ushtarake, kurora, gjeneralë, forca të armatosura, trup diplomatik dhe përfaqësues të lartë të shtetit dhe të organizatave të masave: vdekja e tij ish lajmëruar si aksidentale, “pas një luajtje me armën.”[2]

Dënimi i Nakos do të vinte më pas, që me një cikël mbledhjesh të Byrosë Politike të KQ të PKSH-së, nga 24 dhjetori deri më 23 janar 1948, me temë “Analiza e gjendjes së brendshme të Partisë në lidhje me Nako Spirun”, ku Nakoja u tregua me gisht si përçuesi i vijës antijugosllave në PKSH dhe për orientim “të tepruar” ndaj Bashkimit Sovjetik. Kjo frymë mbizotëroi edhe gjatë Plenumit VIII të PKSH-së, që u mbajt nga 28 shkurti deri më 8 mars 1948.[3] Në këtë periudhë edhe familjen e Nakos e persekutuan.

Fill pas Rezolutës së Byrosë Informative të Partive Komuniste e Punëtore drejtuar PK të Jugosllavisë, ku kjo parti akuzohej se kish tradhtuar interesat e marksizëm-leninizmit dhe ishte vënë në shërbim të imperializmit dhe të borgjezisë, filloi edhe rehabilitimi politik i Nakos në Tiranë, me Plenumin XI që e quajti “viktimë të akuzave të fabrikuara nga jugosllavët.”

Siç shkruan Sallata:

Më 8 nëntor 1948, përpara se të niste punimet Kongresi I i PKSH-së, në Tiranën me flamujt në gjysmë shtize, në një ceremoni të posaçme funebre, u përcollën eshtrat e katër anëtarëve të KQ të PKSH-së: Q. Stafës, N. Spirut, V. Shantos e A. Kondit, duke i vendosur në mauzoleumin e ngritur përpara selisë se KQ. aty ku sot është Galeria e Arteve. Ishin katër drejtues të lartë komunistë, që kishin vdekur në kohë dhe rrethana të ndryshme. Morën pjesë mbi 35 mijë veta. Pas ekzekutimit të himnit foli H. Kapo, i cili vlerësoi maksimalisht katër figurat që po nderoheshin. Për nder të tyre u kryen 728 homazhe për dy ditë.[4]

Kalvari i trupit të Nakos nuk mbaroi me kaq: me ndërtimin e Varrezave të Dëshmorëve, në periferi të kryeqytetit, eshtrat u transferuan aty.[5] Kjo periudhë rehabilitimi u ndal, pasi Enver Hoxha botoi veprën “Titistët” dhe, mbase edhe nën efektin e traumës prej vetëvrasjes së Mehmet Shehut, e goditi figurën e Nakos sërish.

Në vitin 1993, pas përmbysjes së totalitarizmit në Shqipëri, eshtrat e Nakos u shpërngulën sërish, nga Varrezat e Dëshmorëve në varrezat e Sharrës në Tiranë. Më pas, familjarët e tij i çuan eshtrat në varrezat e Durrësit, duke ia lëvizur eshtrat për herë të pestë dhe kushedi të fundit.[6]

Trupi i të vdekurit kështu vazhdoi të marrë pjesë në hierarkitë e pushtetit, duke i ruajtur ose, sipas rastit, rithemeluar marrëdhëniet horizontale me kolegët e vet të vdekur, falë pozicionit që i jepej varrit të tij.

Histori të ngjashme kanë pasur edhe eshtrat e Mehmet Shehut, të cilat, vetëm pak ditë pas varrimit gjysmë-zyrtar, i hoqën nga Varrezat e Sharrës dhe i futën në një varr anonim, diku në afërsi të fshatit Ndroq të Tiranës; ku edhe do të gjendeshin pas 20 vjetësh, nga i biri, Bashkimi, për t’u kthyer pastaj në Sharrë, së bashku me ato të bashkëshortes Fiqirete, të cilat ishin gjetur në Zejmen të Lezhës.[7] Nga ana tjetër, kryehetuesi i viteve 1980, Qemal Lame, ka hedhur dyshime se eshtrat e Shehut “mund të jenë djegur”. Hipoteza e djegies a tretjes në acid është sjellë edhe për eshtrat e Beqir Ballukut të ndonjë të pushkatuari tjetër madhor, të atyre kohëve.[8] Përtej zhvarrimit dhe groposjes në varre anonime ose kolektive, djegia e eshtrave dëshmon edhe ajo vendosmërinë e regjimit totalitar për ta goditur dhe dënuar trupin e një armiku edhe pas vdekjes, duke e asgjësuar fizikisht; dhe këtu nuk e mënjanon dot hipotezën e në mos qasjes mistike të paktën të menduarit magjik, nga ana e një regjimi që vrasjen e Tjetrit e kish në themelet.

Të njëjtën marrëdhënie perverse me trupin e liderit e dëshmon edhe vendimi, i marrë në vitin 1924, për të mos e varrosur Leninin, por për t’ia balsamosur trupin dhe pastaj ekspozuar përjetësisht për publikun. Siç tregon historiani Edvard Radzinsky, që disa muaj para se të vdiste udhëheqësi i Tetorit, Stalini mori fjalën në një mbledhje të Byrosë Politike dhe raportoi se i kishin ardhur kërkesa “nga baza” që Iliçi të mos varrosej dhe se “kish rëndësi thelbësore që Iliçi të mbetet fizikisht pranë nesh.” Trocki, thotë Radzinsky, që ishte aty, e kuptoi se Stalini kish ndërmend ta shndërronte ateistin Uljanov në një relike të shenjtë, që të adhurohej nga besimtarët, te Mauzoleu i posaçëm në Sheshin e Kuq, në Moskë.[9] Ashtu edhe do të zinte fill kulti i Leninit, nën të cilin do të çante përpara Stalini, me shpatën zhveshur.[10]

Njëlloj u veprua edhe në vitin 1953, kur vdiq Stalini – edhe atë e mumifikuan dhe e vendosën në mauzole, përbri Leninit; për ta hequr tetë vjet më pas, në 31 tetor 1961, gjatë fushatës së de-stalinizimit të ndërmarrë nga Hrushovi. Një prej të pranishmëve, komandanti i Regjimentit të Kremlinit F. Konyev, tregon se punonjësit e mauzoleut, që e zhvendosën trupin nga sarkofagu tek arkivoli në të cilin do të varrosej, filluan të qanin. Urdhri ish që, pasi të ulej arkivoli në gropë, të mbulohej me dy pllaka të mëdha betoni; por për arsye të paqarta nuk u zbatua.[11]

Gjithsesi, arsyeja e balsamimit të liderëve sovjetikë ishte që mumiet e tyre të mund të vizitoheshin dhe të admiroheshin “nga populli.” Kësisoj, kufomave të rëndësishme do t’u njihej një rol politik edhe pas vdekjes, i cili mundësohej duke ngadalësuar në mos vdekjen vetë, së paku rrëgjimin e mishit. Një paradoks: ishte pikërisht kufoma, e trajtuar me kimikate dhe e përpunuar nga specialistët, që do të shërbente tash e tutje për të përcjellë idenë e pavdekësisë së liderit.

Një mallkim duket sikur i ndjek figura të këtij kalibri, të cilat për motive politike ngecin në një limbo mes jetës dhe vdekjes, mbitokës dhe nëntokës, dritës dhe errësirës. Veç Leninit dhe Maos, këtyre perëndive ktonike të komunizmit planetar që ruhen sot e kësaj dite të balsamuar, në një gjendje vdekjeje të pezulluar, të pasanksionuar, të refuzuar nga vullneti kushtetues; si monumente të pavdekësisë së tyre, duhet përmendur udhëheqësi historik i Vietnamit, Ho Chi Minh dhe bullgari Dimitrov, që “jetoi” i balsamuar që nga viti 1949 deri në 1990, kur u varros në Varrezën Qendrore të Sofjes. Ka edhe të tjerë udhëheqës pak a shumë komunistë, që ua kanë dhuruar trupin admiruesve: Klement Gottwald-i i Çekosllovakisë, Agostinho Neto i Angolës dhe Kim Il Sung-u i Koresë së Veriut.

Ndryshe nga zhvarrimi ceremonial, i cili e shpenzon ngarkesën mistike të ringjalljes brenda pak orësh, balsamimi mund të përfytyrohet si një lloj zhvarrimi statik, permanent; madje i tillë që ta bëjë të vdekurin edhe më të fortë e të paepur se i gjalli, meqë mishi i marinuar i një kufome nuk është më në gjendje të ndërrojë mendim, opinion, të evoluojë, të rishikojë, të përshtatet; çka i volet veçanërisht regjimeve komuniste, të cilat gjithnjë kanë ditur ta vlerësojnë virtytin e vdekjes së mendimit. Teknologjia e balsamimit, gjithsesi, mbetet ende sekret i vyer.

Balsamimi dhe ekspozimi i trupit në publik të njeriut të shquar, liderit, politikanit për një kohë të gjatë nga njëra anë, zhvarrimi dhe keqtrajtimi dhe shpërfytyrimi dhe zhdukja e trupit të tij nga ana tjetër, janë dy skaje që njëlloj dëshmojnë raportin e vështirë të një regjimi autoritar (totalitar) me vdekjen.

Te sajti memorie.al gjen rrëfime të panumërta të afërmish, për trupat e zhvarrosur, të humbur dhe të rigjetur të njerëzve të tyre të pushkatuar nga regjimi ose të vdekur në burg. Prishja e trupit të “armikut” pas vdekjes krahas me prishjen e varrit – nëse e ka pasur – janë vazhdim simbolik i një dënimi që nuk ndalet, as kur armiku nuk jeton më; po aq simbolik sa edhe heqja e emrit të personit nga librat dhe artikujt, heqja e fotografive dhe e sekuencave filmike dhe, në përgjithësi, fshirja e të vdekurit nga kujtesa zyrtare.

Përtej vullnetit për gjymtim a shtrembërim të kujtesës historike dhe ndoshta nevojës për të zhdukur prova a indicie të natyrës kriminalistike, përtej edhe besëtytnisë sado simbolike dhe rituale të mundësisë së kthimit (ringjalljes) së të vdekurit, keqtrajtimi i trupit dhe refuzimi i një varri të identifikueshëm flasin edhe për statusin që i jepte varrit kultura totalitare dhe rolit të këtij vendi specifik në organizimin e kujtesës. Duke qenë varrimi në Shqipëri forma mbizotëruese e ndarjes me trupin e vdekur, dhe duke qenë nderimi për varrin pjesë e një tradite me autoritet të vetin, edhe ideja e prishjes së varrit (hupjes) i ka rrënjët në një traditë të vetën, por totalitarizmi e pa veten më pak të penguar se regjime të tjera, për të vepruar me varret sipas dëshirës dhe ekspediencës politike.

Varri është, në analizë të fundit, një vend i caktuar në truall, dhe një regjim që e sheh veten si pronar të vetëm të krejt truallit shtetëror, mund të ndihet edhe i përligjur në refuzimin ose në zhbërjen e një varri të caktuar. Nga ana tjetër, varri – që ka edhe estetikën e vet, shoqëruar me ftesën për vizitë – e ruan një natyrë monumentale, falë pllakës me emrin, informacionin për moshën dhe ndonjëherë foton e të varrosurit, pa folur pastaj për elemente ornamentale, fetare ose laike. Si i tillë, varri është një lloj “ri-pasaportizimi” i të vdekurit, duke themeluar – tani që i vdekuri nuk është më person – një marrëdhënie të re mes emrit dhe truallit.

Katherine Verdery heq një paralele mes trupit të një të vdekuri dhe statujës: “Statujat janë njerëz të vdekur, të derdhur në bronz ose të gdhendur në gur”, shkruan ajo; “duke e ndalur procesin e rrëgjimit trupor të atij personi, statuja e ndryshon temporalitetin që i bashkëlidhet personit, duke e sjellë në lëmin e pakohësisë ose sakrales, si të ishte ikonë.”[12] Verdery i shkruan këto në kontekstin e një interpretimi, prej saj, të përmbysjeve në rendin simbolik, gjatë rënies së regjimeve totalitare në Lindje – të cilat u shoqëruan me rrëzime, shkatërrime dhe zhvendosje të statujave të Leninit, Stalinit dhe udhëheqësve të tjerë komunistë, përfshi këtu Enver Hoxhën në Shqipëri. Ky interpretim sugjeron edhe një paralele mes “zhbërjes” së statujës dhe zhdukjes ose shkatërrimit të trupit – si ndërhyrje në kujtesën kolektive dhe ndoshta në religjionin civil, të cilat kanë të njëjtin efekt, pavarësisht nga epoka se kur kryhen. Nga ky këndvështrim, trupi i balsamosur i udhëheqësit, si në rastin e Leninit në Mauzoleun e Moskës, do të ofronte shembullin ekstrem ku trupi dhe statuja pothuajse njëjtësohen.

Përsiatjet e Verdery-së të kujtojnë menjëherë ato të filozofit Michel Serres, në Statujat, ku ai fillon ta përfytyrojë statujën si trup të mbuluar me gurë, dhe më tej si trup “të guruar” (lapidated), dhe pastaj si arkivol që fsheh brenda një kufomë, për të kaluar tek imazhi i gruas së Lotit, në Bibël, që u shndërrua në një “statujë kripe”, e cila nuk është sipas Serres-it, veçse një mumie e përgatitur në natron, a në karbonat natriumi. Në këtë përpjekje për ta ndarë statujën nga idhulli, Serres-i bën bashkë varrin, viktimën sakrifikale dhe trupin e balsamosur (mumien), si tre elementet e statujës, në kuptimin metafizik.[13]

Në Shqipërinë e pas vitit 1945, bashkë me statujat që do të fillonin të ngriheshin të reja, u krijuan edhe “Varrezat e Dëshmorëve”, ku nderoheshin të rënët gjatë Luftës II Botërore, edhe pse vetëm ata që kishin luftuar me krahun e duhur; me kohë në këto varreza u vendosën edhe varret e anëtarëve të kupolës totalitare, të zgjedhur sipas një protokolli të rreptë. Por nëse qëllonte që dikujt i rishkruhej biografia, siç ndodhi me Nako Spirun, atëherë edhe varri do të zhvendosej, dhe bashkë me të edhe eshtrat. Në raste të tjera, varri do ta pësonte edhe më keq, siç ndodhi me varrin e Nënës Mbretëreshë, që u hodh në erë fill pas Çlirimit; ose me varret e figurave të shquara të para 1944-ës, si Gjergj Fishta, që do të zhdukeshin krahas me rivlerësimin negativ të emërdhënësve.  Edhe Mehmet Shehut, të cilin e varrosën fillimisht në Sharrë të Tiranës, pastaj ia prishën varrin dhe eshtrat ia çuan në një vend të fshehtë. Bindja irracionale që i frymëzonte këto veprime kaq simbolike ishte se “armiku nuk e meriton të ketë varr”[14].

Përfundimi logjik i këtij trajtimi të trupit të armikut ishte hedhja në një gropë a varr kolektiv, që shërbente thjesht si vend i eliminimit të së vdekurit; në raste të caktuara, trupat e viktimave të pushkatimeve ose të vrasjeve në burgje thuhet se kanë përfunduar në Fakultetin e Mjekësisë, për t’u shërbyer studentëve të anatomisë. Në vija të trasha, dëshmitë dhe rrëfimet e shumta në memorie.al provojnë jo vetëm mizorinë represive të regjimit, por edhe vështirësinë e organeve të rendit për të administruar armiqtë e vrarë dhe të vdekur.

Pamë tashmë si regjimet totalitare, veçanërisht ato të majta të mishëruara në stalinizmin, e kanë pasur të vështirë, në mos të pamundur, t’i gjejnë vend vdekjes në narrativat e tyre – vdekjes natyrore, për shkaqe biologjike, ose edhe nga një aksident; sepse vdekja natyrore i shpëton kontrollit të rreptë të pushtetit dhe u bindet ligjësive të tjera, teorikisht të pandikueshme. Është nevoja për kontroll total ndaj realitetit, që ushqen paranojën dhe teoritë e komplotit, sa kohë që edhe një vdekje në spital nga kanceri do të dyshohet si helmim; dhe një vdekje e shkaktuar nga një aksident rrugor ose ajror do të sugjerojë mundësinë e një bombe, sabotimi ose atentati. Nga parimi banal se asgjë nuk ndodh “pa arsye” kalohet kështu, me lehtësi të papërballueshme, te parimi tjetër, paranoid, se “asgjë nuk ndodh vetvetiu”, ose pa e dëshiruar një pushtet, një kabal a një vullnet totalizues.

Për narrativën totalitare, përfshi edhe auto-narrativën, vdekja e një lideri nuk është veçse një formë drastike e “editimit”, një mënyrë për të larguar nga rrëfimi një personazh, që deri dje luante rolin e një nyje të trafikut narrativ; pas çdo largimi të tillë, narrativa do të duhet ndryshuar. Në Bashkimin Sovjetik, Kirovi kish reputacionin e një miku të dashur të Stalinit dhe të numrit dy në hierarkitë e pushtetit totalitar, në vitet 1930 – për ç’arsye vrasja e tij, në rrethana që nuk janë sqaruar kurrë mirë, jo vetëm ushqeu një pafundësi teorish komploti dhe interpretimesh ad hoc, por edhe u përdor, nga Stalini, për ta rithemeluar krejt teorinë e dhunës totalitare. Është thënë e shkruar se Kirovin e vranë me pëlqimin “e heshtur” të liderit të Kremlinit; më shumë në kuptimin që vrasësi i tij u lejua që të vepronte; por kjo nuk është provuar kurrë. Nuk duhet rënë në grackën e konspirativizmit totalitar, të kthyer përmbys – në kuptimin që jo çdo vrasje me sfond politik e kalibrit të lartë, brenda një regjimi si ai i Stalinit, u planëzua dhe u përgatit nga vetë organet represive; kishte ende, në Bashkimin Sovjetik të viteve 1930, një numër të madh komunistësh dhe punonjësish të policisë sekrete, që ishin prekur rëndë nga demaskimi i Trockit dhe i trockizmit fill pas vdekjes së Leninit, dhe që kishin prandaj arsye për të reaguar edhe ata vetë me dhunë. Rëndësi ka, për analizën tonë, që ta zhvendosim vëmendjen nga rrethanat e vrasjes së Kirovit, te rrethanat e përdorimit të asaj vrasjeje, për të filluar spastrimet e mëdha dhe të dhunshme, të gjysmës së dytë të viteve 1930. Dhe nga ky këndvështrim, vrasja e Kirovit – pavarësisht nëse nga kundërshtarët e Stalinit ose policia e tij e fshehtë – u rekrutua menjëherë në shërbim të regjimit dhe u përdor, në çdo rast, edhe për të likuiduar të gjithë ata që mund të kenë marrë pjesë në përgatitjen e saj.

Një krahasim mund të bëhet, këtu, me vetëvrasjen e kryeministrit Mehmet Shehu, që për disa ka qenë, në të vërtetë, vrasje. Dihet se Shehu, në atë periudhë, ish vënë me shpatulla pas muri prej Enver Hoxhës dhe kundërshtarëve të tij në Byronë Politike, të cilët po e shfrytëzonin gabimin politik të fejesës së gabuar të djalit të tij për ta rrëzuar atë vetë, dhe krejt klanin e tij në krye të pushtetit totalitar, mbase edhe në kontekstin e një lufte për atë që do të zëvendësonte Enver Hoxhën (me një këmbë në varr). Të vërehet këtu edhe si vdekja e Enver Hoxhës, që pa ndodhur ende, kish filluar t’i modifikonte narrativat e kupolës totalitare në mënyrë gati retroaktive, si një lloj vrime e zezë që modulonte krejt hapësirën përreth me gravitetin e saj. Të vërehet edhe që, në rrethanat kur ndodhi ngjarja, diferenca mes vetëvrasjes dhe vrasjes vinte dhe bëhej e papërfillshme – sa kohë që Shehu tashmë ishte vendosur që do të largohej nga skena, si personazh; dhe se kjo diferencë lidhej vetëm me atë që vrasja është më e kontrollueshme se vetëvrasja, më precize për logjikën narrative totalitare. Edhe sugjerimi për shkak aksidental të vrasjes – “i plasi arma në dorë” – e lë të hapur shtegun e vetëvrasjes, sidomos po të mendosh se armët zakonisht u plasin në dorë atyre që duhej t’u plasnin; nuk ka nevojë të kesh lexuar Freud-in, për të besuar se disa aksidente ndodhin në momentin e duhur. Më tej akoma, vetëvrasja a vrasja e Shehut i hapi rrugën një spastrimi të ri në radhët e regjimit enverist, i cili për disa ish lajmëruar që me vdekjen (“vdekjen”) e Hysni Kapos dy vjet më parë – spastrim që pas vdekjes së Enverit do të sillte në pushtet klanin e Ramiz Alisë, me mbështetjen e Nexhmije Hoxhës. Si edhe në rastin e Kirovit më lart, edhe spastrimet që pasuan vetëvrasjen a vrasjen e Shehut ndihmuan, mes të tjerash, për të likuiduar ata që – hipotetikisht – mund të kishin marrë pjesë në vrasje, duke filluar nga Kadri Hazbiu.

Sfida madhore, për totalitarizmin në Shqipëri, do të ishte vdekja e Enver Hoxhës, sa kohë që regjimi vetë predikohej mbi praninë solide dhe të paprekshme të liderit. Në fakt, totalitarizmi nuk arriti dot t’i përgjigjej asaj sfide, dhe Ramiz Alia, që u tregua i aftë në përpjekjet për ta marrë pushtetin, nuk u imponua dot kurrë si zëvendësi i Enverit: nuk kish as autoritetin, as karizmën, as egërsinë e duhur. Në rrethana të ngjashme, regjimi bolshevik, në Bashkimin Sovjetik, i ishte përgjigjur vdekjes së Leninit me vendimin për ta balsamosur trupin e liderit të Tetorit; vendim që njëfarësoj u përsërit, fill pas vdekjes së Stalinit, duke e shtuar edhe trupin e këtij te mauzoleu në Sheshin e Kuq. Edhe për Enverin mund të ketë pasur propozime për balsamim dhe mauzole, por që janë shpërfillur për arsye më shumë teknike. Gjithsesi, muzeu Enver Hoxha, i ngritur në qendër të Tiranës dhe aq më tepër në formë piramide, ishte gjithashtu një mënyrë për ta sfiduar vdekjen me metoda “egjiptiane”: nëse nuk e gatitim dot mumjen, të paktën të kemi piramidën.

Natyrisht, edhe vdekja e Enverit u shfrytëzua menjëherë, nga kupola që Enveri la pas, për të konsoliduar pushtetin, qoftë edhe duke e përqafuar atë rigor mortis të trupit të liderit të vdekur, si strategji të suksesionit – në kuptimin që regjimi do të vazhdonte të udhëhiqej prej Enverit, edhe pse tashmë të vdekur; dhe, i udhëhequr prej një të vdekuri, do të merrte edhe ai trajtat dhe atributet e vdekjes. Ndryshe nga Jesu Krishti, Enveri u kthye vërtet nga varri dhe u ul këmbëkryq mes mjerimit qytetar, por gjithnjë duke mbetur i vdekur; dhe krejt religjioni civil i ndërtuar rreth figurës së tij – me imazhe, buste, statuja, libra, vizita, pelegrinazhe, muze, emërtime – mbeti deri në fund nekrofilik, i kthyer me fytyrë nga varri.

(fund)

© 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Bashkim Shehu, vep. cit. f. 32-33

[2] Sallata vep. cit. f. 130

[3] Sallata vep. cit.  137-138

[4] Sallata vep. cit.  146-147

[5] Sallata vep. cit. 148

[6] Sallata vep. cit. 149

[7] Burimi Telegraf.al

[8] Nga deponimi i ish ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiut në hetuesi: “Mbas disa kohësh, tradhtari Feçor Shehu më njoftoi se kishin shkuar dhe kishin hapur varret e dy sabotatorëve [ish ministrit të Mbrojtjes Beqir Balluku dhe, me gjasë, ushtarakut të lartë Petrit Dume, A.V.] që ishin ekzekutuar e ishin varrosur në rajonin e Tiranës, të cilët sipas Feçorit nuk ishin dekompozuar. Ai më tha se kishin hedhur në varr klor apo acid, nuk e kujtoj mirë, për të shpejtuar shpërbërjen e kufomave. Me të e lamë që hapja e varreve të puçistëve të bëhej mbas një kohe. Këtë interesim unë e kam treguar, sepse doja që, pasi të dekompozoheshin kufomat e tyre, eshtrat t’i varrosnim nga vendi i parë dhe t’i varrosnim në një vend tjetër për të bërë të pamundur gjetjen e tyre, sepse kështu e kishim porosinë. Jam interesuar në atë kohë, sepse ka ardhur te unë personi që i kishin besuar ruajtjen e varreve dhe më ka thënë se ç’do të bëhet me ta, mbasi ne i kishim thënë atij idenë e varrosjes së eshtrave pas dekompozimit të kufomave. Këtë çështje unë ia kam ngritur edhe ministrit të Punëve të Brendshme pas arrestimit të tradhtarit Feçor Shehu, me qëllim që të merreshin masat e nevojshme sipas porosisë që ishte dhënë për varrosjen e eshtrave të puçistëve.” Nxjerrë nga libri i Kastriot Dervishit, “Kadri Hazbiu, krimet dhe vrasja e tij”, sipas botimit në gazetën Panorama.

[9] Për implikimet filozofike (doktrinare) dhe ideologjike të balsamimit të liderit totalitar të majtë (komunist) ka shkruar Gëzim Qendro në esenë Aura e trupit politik botuar në Peizazhe të fjalës, veçanërisht te pjesa e dytë dhe pjesa e tretë e esesë.

[10] Radzinskii, vep. cit. f. 213.

[11] Radzinskii, vep. cit. f. 659.

[12] Katherine Verdery, The Political Lives of Dead Bodies, Reburial and Postsocialist Change, Columbia University Press, 1999, ff. 4-13.

[13] Michel Serres, Statues, The Second Book of Foundations, Bloomsbury Publishing, 2015, ff. 210-230.

[14] Paradoksalisht, zhdukja e kufomave dhe e varreve është përdorur prej konspiracistëve dhe historianëve, të paktën në Bashkimin Sovjetik, si provë se disa prej viktimave të supozuara nuk janë vrarë por vetëm sa janë “dëbuar” nga realiteti, për të mbijetuar në një formë ose në një tjetër, me pëlqimin sekret të autoriteteve.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin