AURA E TRUPIT POLITIK III

nga Gëzim Qëndro

a.  Tabuja e paraqitjes së trupit organik

Edhe Enveri, ashtu si idhujt e tij Lenini dhe Stalini, kishte dy trupa. Por njëlloj si ata, por ndryshe nga monarkët europianë për publikun ishin të padukshëm si ai politik, ashtu edhe ai biologjik. Ndalimi i prerë i  paraqitjes së imazhit të trupit organik të Enverit përkonte me një tabu të artit laik shqiptar, atë të paraqitjes së trupit organik të zhveshur, sidomos të femrës. Ndonëse anagrama trup – turp (siç e kam përmendur edhe më parë) (PostEva, 2001:3) nuk besoj se ka ndonjë rrënjë ontologjike dhe mund të jetë rastësore, ajo dëshmon për marrëdhënien e sikletshme që ka pasur shoqëria konservatore shqiptare me paraqitjen e imazhit të trupit organik. Pra, koncepti i paraqitjes së trupit organik të zhveshur (i cili ka një histori të gjatë në të gjitha qytetërimet) dhe paraqitja e tij në artin zyrtar të realizmit socialist është në të njëjtën hulli mendimi me një marrëdhënie tjetër të pahulumtuar nga studiuesit tanë që i shtohet asaj që përcjell anagrama e mësipërme: paraqitjes së trupit organik dhe atij politik të Enver Hoxhës, njëra nga temat më delikate dhe më të rëndësishme të realizmit socialist shqiptar.

Me rishfaqjen e tij diktatori i vdekur duket sikur përpiqet t’u ngulisë ngulisë në mendje personazheve të tablosë se është ende gjallë. Akti i përvetësimit të shenjës që i la Krishtit ushta e centurionit romak merr këtu kuptimin e ringjalljes pas “kryqëzimit” të tij politik, përdhosjes së shtatoreve publike pas rënies së regjimit që ngriti vetë. Por duke treguar provën e ringjalljes në brinjë Enveri  detyrohet të tregojë publikisht për herë të parë një pjesë të trupit të tij biologjik (kraharorin, një pjesë të barkut dhe kërthizën) pjesë të cilat nuk ishin treguar kurrë në artin e realizmit socialist. Pra, le ta shohim skenën me një çelës tjetër leximi: “shën Thomai” nuk po u beson syve teksa zbulon për herë të parë se “Udhëheqësi i dashur i Partisë dhe Popullit tonë”, Ai që kish arritur statusin e një gjysmë-hyjnie paska një trup biologjik si gjithë vdekatarët e tjerë. Habia e “shën Thomait”, mosbesimi i tij është i kuptueshëm: gjatë viteve të sundimit të sistemit parti-shtet patëm harruar se ai kishte një trup organik, vendin ku gjenden organet dhe zhvillohen procese fiziologjike, një topos dëshirash dhe neverie. Mosbesuesi, Piktori dhe i Përhënuri bëhen kështu dëshmitarë të shkeljes së njërës prej tabuve të dikurshme më të paprekshme të artit të regjimit të dikurshëm: paraqitjes së trupit organik të monarkut komunist, atij toposi që sipas Foucault-së është vendi: “ cilit nuk mund t’i shpëtoj qysh se hap sytë” (Michel Foucault :1994, 762). Enveri, si kushdo, ishte zot i trupit të tij organik dhe mund të bënte me të çfarë të donte: ta lëvizte, të ndryshonte vend – porse, ashtu si të gjithë: “nuk mund të zhvendosej pa të; nuk mund ta linte aty ku ishte për të shkuar i vetëm diku gjetkë.» Enveri, si çdo vdekatar ishte rob i trupit të tij, këtij “toposi të pamëshirshëm” (Foucault :1994, 762) apo i “vendit ku je dënuar pa shpresë faljeje”(Foucault:1994,754) me funksionet e tij banale fiziologjike, sëmundjet, paqëndrueshmërinë e shëndetit, përkohshmërinë që rrjedh soje të cilat e zbrisnin monarkun komunist me dy trupa në nivelin e nënshtetasve të tij. Dihet se jetëgjatësia e trupit biologjik kufizohet nga natyra. Po çfarë do të ndodhte me ngrehinën monolite të sistemit të tij policor kur trupi i tij organik ta detyronte Atë të ikte nga kjo botë? Kjo pyetje ishte afërmendsh makthi më i madh dhe pyetja më torturuese për fanatikët e regjimit. Përkohësia e trupit të tij organik ishte, kuptohet, njëra nga pikat e dobëta të pushtetit të tij. Në kujtimet e të përndjekurve prej tij bie në sy se “qershia mbi tortë” është gjithmonë momenti i lajmit të vdekjes së diktatorit të cilin ata nuk harrojnë ta përshkruajnë me detaje dhe me një ngazëllim të brendshëm që zbulon shpresat që u zgjonte ajo ngjarje e shumëpritur.

Për të kuptuar risinë që përmban paraqitja e trupit të tij organik në këtë tablo vlen të përmendet që ajo ndalohej jo vetëm në artin e realizmit socialist, por çdo lajm që prodhonte gjendja e tij shëndetësore ruhej në sekret shtetëror i shkallës së parë. Sot dimë me siguri se ekipi i doktorëve mund t’ia bënte të ditur gjendjen e tij shëndetësore vetëm dy anëtarëve më të rëndësishëm të Byrosë Politike të PPSH-së. Askujt tjetër, sado lart të qëndronte në kupolën e shtetit totalitar. Më pas, kur njëri vdiq dhe tjetrin “e vetëvranë”, kontaktet me grupin e mjekëve i mbante vetëm Ramiz Alia17.

Ishin të shumtë ata që u habitën kur panë në videon e mbledhjes së Komitetit Qendror të PPSH-së ku Enveri në vitet e fundit i degraduar mendërisht flet përçart duke ngatërruar gjithçka, emra personash dhe vitet, ndërkohë që të pranishmit përpiqen me sqarime apo përgjigje të kujdesshme t’i japin situatës pamjen e një dialogu racional. Por duket qartë që vetëm i tillë nuk është. Përse nuk u zëvendësua menjëherë siç do të ishte e arsyeshme? Ose më saktë përse nuk guxuan ta zëvendësojnë? Një shpjegim për këtë na e jep dokumenti i juristëve anglezë në të cilin thuhet: “trupi politik është i paprekshëm nga sëmundjet që dëmtojnë trupin natyror. Për këto arsye, ajo që bën mbreti me trupin politik, nuk mund të zhvlerësohet nga cilado paaftësi e trupit të tij natyror” (Kantorowitz: 1957,7). Edhe Enveri, si një mbret me dy trupa kishte privilegjin që, edhe pse trupi i tij organik dhe mendja nuk ia mundësonin të mbante postin më të lartë drejtues, trupi i tij politik nuk mund të prekej nga gjendja e trupit biologjik. Ai do të vazhdonte të qëndronte në detyrë pasi trupi politik është i përjetshëm dhe nuk ndikohet nga ato që ndodhin në realitetin fenomenal.

Pas rënies së regjimit filluan të dalin fakte të panjohura rreth trupit të tij biologjik. Një ndër më të shënuarit është qëndrimi në shtrat për gati pesë muaj (tetor 1973 – shkurt 1974) pas goditjes së një infarkti që i rrezikoi seriozisht jetën. Asokohe sekreti u mbajt brenda rrethit të bashkëpunëtorëve më të afërt, ndërsa publiku i gjerë kuptohet, nuk u njoftua fare. Haxhi Kroi, ndihmësi i tij besnik përgjatë shumë viteve, në ditarin e botuar pak kohë më parë përshkruan momente të procesit të mundimshëm të shërimit të Shefit. Nëse ato shënime do të kishin përfunduar në duart e gabuara, kjo pakujdesi do t’i kushtonte shtrenjtë atij dhe familjes së tij.

Një tjetër ndihmës i Sekretarit të Parë, kolegu i tij Afrim Imraj, i cili po ashtu kish mbajtur ditar, tregon në një artikull të botuar në shtypin e përditshëm të kryeqytetit18 se në momentin që gruaja e Hoxhës mësoi për ekzistencën e ditarit ku ai përmendte edhe sëmundjen e Udhëheqësit, e urdhëroi t’ia sillte menjëherë dhe nga ai çast ditari nuk e pa më kurrë. Për me tepër, më vonë atë vetë u burgosën për veprimtari armiqësore.

Megjithëse Enver Hoxha gjatë dyzet viteve ishte subjekti më i privilegjuar i artit zyrtar, imazhi i trupit të tij organik ishte i padukshëm për publikun. Ishte rreptësisht e ndaluar të tregoheshin publikisht pjesë të zhveshura të trupit të tij organik. Censura zyrtare vigjëlonte syçelur mbi çdo imazh që fotografohej, pikturohej apo gdhendej. Vetëm në një pikturë të Guri Madhit (1978) dhe një të Spiro Kristos (1980) diktatori tregohet llërëpërveshur. Kaq lejohej asokohe të dukej nga trupi i tij (përveç kokës dhe pëllëmbëve të duarve), ndërkohë që për femrat e paraqitura në artin e realizmit socialist lejoheshin krahët e zhveshur, madje edhe ndonjë dekolte. Kostumet e tij tepër të gjera zhduknin çdo formë të trupit organik poshtë tyre. Ndërkohë në vitet tridhjetë monarku i vetëm shqiptar Ahmed Zogu duket shumë më liberal kur tregonte fare pa droje trupin e tij biologjik prej atleti duke ngritur një shtangë në plazhin e Durrësit përpara kamerës së Marubit.

Zërat gjatë regjimit rreth homoseksualitetit të pandehur të Hoxhës nuk synonin vetëm ta zbrisnin në nivelin e çdo vdekatari, por duke përdorur ndjeshmërinë e mendësisë konservatore të asaj kohe, synonin të nxirrnin në pah perversitetin e trupit të tij organik që mbahej i fshehur nga pushteti, duke shkatërruar kështu auran e trupit të tij politik të krijuar me aq kujdes nga propaganda zyrtare.

Për një monark absolut si Hoxha nuk ishte e vështirë që t’i mbante larg syve të publikut problemet e trupit të tij organik, madje ta bënte të harronte se kishte një të tillë. Gjatë pothuaj dyzet viteve Hoxha jetoi në atë lagje të Tiranës që njihet rëndom si Blloku, një territor i mbushur me vila të vogla të zhytura në gjelbërimin e kopshteve, dikur prona të tregtarëve të pasur tiranas, apo të funksionarëve të monarkisë. Një territor i ruajtur ditë e natë nga Garda Kombëtare dhe truprojat e funksionarëve komunistë, njëfarë hapësire heterotopike, një qytet brenda qytetit me ritmet, zakonet dhe ritualet e tij, njëfarë mini-parajse me begatinë e jetës pa mungesa dhe probleme ekonomike të banorëve të saj krahasuar me mungesat ushqimore dhe radhët e gjata në kryeqytet për çdo gjë, madje edhe zgjimi herët në mëngjes për një litër qumësht. Aty ushqimet silleshin te dera e vilës sipas një liste të hartuar më parë. Madje thuhet se refuzimi për të sjellë asortimente të ndryshme në vilë ishte shenja e parë se funksionari i lartë mund ta pësonte. I fshehur në këtë hapësirë heterotopike të paarritshme për pothuaj të gjithë shqiptarët, trupi i tij organik nuk qe e vështirë të bëhej padukshëm. Pra, për publikun shqiptar këtushmëria dhe tanishmëria fenomenologjike e trupit të tij organik nuk ekzistonte, çka e bëri subjekt thashethemesh subversive.

  1. Partia si corpus mysticum

 Por nëse trupi i tij u varros me ceremoni shtetërore para syve të të gjithëve dhe më pas u zhvendos në varrezat e Sharrës, atëherë epifania e Enverit nuk mund të përmbajë trupin e tij biologjik. askush nuk pret që të shohë trupin biologjik të Enverit të shfaqet në një epifani sepse ai ndyshe nga Krishti, nuk ishte biri i Zotit. Po atëhere nëse nuk takojnë trupin biologjik të Enverit kë po takojnë tre personazhet e tablosë? Mos vallë trupin e tij politik, që njëlloj si trupi i monarkëve europianë është i pavdekshëm, i pagabueshëm dhe i paprekshëm nga ajo që ndodh në botën fenomenale? Ky duket të jetë shpjegimi për epifaninë e kësaj tabloje. Dhe njëlloj si monarkët, trupi i tij politik nuk mund të funksiononte pa një corpus tjetër kolektiv, Partia, të cilën ashtu si vendin, e drejtoi me dorë të hekurt. Por me një ndryshim. Në tablonë e Enkelejdit ai shfaqet i shkëputur nga ky corpus kolektiv dhe që ai, duke e ditur rëndësinë e tij nuk harronte ta përmendte sa herë që mbyllte ndonjë fjalim.

Studiues të dukurisë së totalitarizmit si Gentile dhe Vogelin theksojnë se partitë komuniste të shteteve satellite të BRSS funksiononin si kisha kombëtare që kishin në krye një udhëheqës karizmatik, trupi politik i të cilit, ashtu si monarkët e Mesjetës përmbante si pagabueshmërinë dhe përjetësinë, ashtu edhe drejtësinë. Kantorowitz-i shpjegon konceptin e corpus mysticum me të cilin u pagëzua Kisha e krishterë qysh në fillimet e saj. “Për shumë shekuj kuptimi zyrtar i “trupit mistik” ishte ostia e shenjtë. Kisha theksonte me forcë jo një prani shpirtërore apo mistike, por një prani të njëmendtë të Krishtit njeri dhe hyjni në Eukarist. Koncepti i corpus mysticum nga ostia e shenjtë u zhvendos pas 1150-ës te Kisha si një trup i organizuar i shoqërisë së krishterë të bashkuar nga sakramentet e shenjta. Pra, shprehja “trup mistik” i cili në zanafillë kishte vetëm përmbajtje liturgjike apo sakramentale mori ngjyrim shoqëror. Pikërisht sipas këtij kuptimi të ri sociologjik papa Bonifaci VIII e përcaktoi Kishën si “trup mistik që ka si kokë Krishtin”. Kështu termi corpus mysticum e veçoi Kishën edhe si trup politik apo si organizëm politik dhe ligjor në një nivel me trupat politikë shekullarë të cilët asokohe po fillonin të shfaqeshin si entitete të pavarura. Në këtë kuptim, përcaktimi i ri nga ana e Kishës i konceptit corpus mysticum përkoi me aspiratat me të përgjithshme të asaj epoke. Kur në shekullin e dymbëdhjetë Kisha, duke përfshirë edhe burokracinë e klerit, e quajti veten “trupi mistik i Krishtit”, bota shekullare e shpalli veten perandori e shenjtë (Kantorowitz:1957,196-197).

Koncepti i corpus mysticum që përmbante fillimisht Sakramentet e Altarit, pas shekullit të dymbëdhjetë shërbeu për ta lidhur trupin politik apo vetë corpus juridicum të Kishës me konceptin e Dy Trupave të Krishtit, njëri natyror, individìdual dhe vetjak kurse tjetri mbivetjak, trupi politik dhe ai kolektiv, corpus mysticum. Ndërkohë corpus mysticum në kuptimin zanafillor u bë gjithnjë e më pak mistik, ndërsa koha kalonte dhe filloi të merrte kuptimin thjesht të Kishës si një trup politik, apo një trupi politik të botës shekullare. (Kantorowitz:1957, 206).

Sigmund Neumann në vitin 1942 shprehet kështu për partinë e një shteti totalitar : Partia është frymëzuese e një besimi që depërton te të gjitha anët e fatit njerëzor dhe shtrihet deri në zonën e absolutes. Natyra totalitare e shtetit pashmangësisht e shndërron partinë në një urdhër fetar, në një teokraci … Partia ka hierarkinë e saj, ritualet, dogmat dhe seminaret e saj. Fanatizmi kthehet në vetinë më themelore të ndjekësve të zellshëm: heretikët duhet ose të konvertohen, ose të digjen në turrën e druve (Gentile: 207,101).

Pra, njëlloj si pjesëtarët e klerit, nga anëtarët e partisë nuk kërkohej disiplinë e ndërgjegjshme, por besim i verbër. Edhe partia, sipas Neumann-it, synoi të kthehej në organizatë të tipit ekleziast, që dallonte nga njerëzit e thjeshtë.

Sipas Neumann-it: “Fetë shekullare … në të njëjtën kohë i sjellin të tashmes, përmes bashkimit vëllazëror të anëtarëve të partisë, një përvojë pararendëse të asaj që do të jetë bashkësia e ardhshme e një njerëzimi të vetërealizuar, duke shpërblyer kështu menjëherë sakrificat e kërkuara dhe duke e nxjerrë individin nga vetmia e turmave pa shpirt dhe jetës pa shpresë”.19

Historianët e dukurisë së totalitarizmit theksojnë se të parët në epokën moderne që e panë partinë e tyre si bashkësinë e njerëzve të rinj të së ardhmes, si njëfarë corpus mysticum, të bashkuar nga besimi i patundur në Idealin komunist dhe realizimin e tij dhe si kokë të tij një udhëheqës si Lenini, ishin bolshevikët e sapoardhur në pushtet. Edhe në Shqipëri mund të thuhet se Partia e Punës u konceptua po ashtu si një corpus mysticum dhe Enveri si koka e saj e pazëvendësueshme. Por ky corpus kolektiv siç e dimë mirë të gjithë nuk ekziston më. Partia e tij u shpërbë pas rënies së sistemi parti-shtet dhe prej saj kanë mbetur vetëm tesera që sot u interesojnë vetëm koleksionistëve të relikteve të së shkuarës. Pra, nëse vazhdojmë në hullinë e mendimit të Kantorowitz-it Enveri në tablo shfaqet si një trup politik i përveçëm por që nuk mund të shërbejë më si kokë për një corpus mysticum kolektiv si partia sepse, siç thamë, ajo nuk ekziston më.

  1. Populli si corpus majestis

 Por nga tabloja kuptojmë se Enveri ka humbur edhe një tjetër corpus kolektiv të cilin i përmendte në fjalime dhe shkrime si të pandashëm nga corpus mysticum-i i parë, partinë. Ky corpus kolektiv i humbur është Populli, në kuptimin që i jepte atij propaganda totalitare: një bashkësi vullnetesh të lidhura përgjithmonë nga besa e dhënë Idealit komunist dhe Partisë si garantuese e premtimit të realizimit të shoqërisë komuniste pa klasa. “Baldus-i20 e përkufizoi si populous, populli si trup mistik. Ai mendonte se nëse populli arrin të bashkohet në një trup mistik, ai nuk është më thjesht shuma e individëve që e përbëjnë. Kalimi i konceptit të corpus mysticum nga teologjia fetare në politikën shekullare dhe laike la pas një aromë temjani që vinte nga një botë tjetër” (Kantorowitz:1957,210).

Caravaggio 2

Fig. 4. Caravaggio, Shën Thomai mosbesues, bojë vaji mbi pëlhurë, 1601-2.

Tre personazhet e tablosë së Enkelejdit, ndryshe nga apostujt e rrëfenjës biblike në tablonë e Caravaggios, nuk mund të përfshihen në këtë kategori, pjesë e teologjisë politike mesjetare, rrjedhojë e zhvendosjes së corpus mysticum te një corpus social deri atëherë i pranuar si shekullar. Së pari, ata nga veshja duket se nuk kanë dalë për ta pritur, madje u ka ardhur i papritur ky takim që dikur do të ishte ngjarje e shënuar në jetën e tyre. Në pikturën e Enkelejdit mungon një detaj i tablosë së Caravaggios që simbolikisht përmban thelbin e subjektit: megjithëse mosbesues, koka e shën Thomait, Krishtit dhe dy personazheve të tjerë brendashkruhen në konfiguracionin gestaltist të siluetës së kryqit (fig. 4), çka tregon simbolikisht gjysmën tjetër më të rëndësishme të rrëfimit, kumtin që nuk e tregon rrëfimi linear i ngjarjes: besimin e patundur të shën Thomait se Krishti ishte ringjallur vërtet.

Natyrisht që në tablonë e tij Enkelejdi e ka shpërbërë konfiguracionin e kryqit pasi nuk do të kishte kuptim, por rishpërndarja e figurave në hapësirë ka sjellë shpërbërjen e lidhjes së bashkësisë përmes besimit të patundur në një ide absolute, çka përbën thelbin e corpus majestis-it. Madje, ndryshe nga tabloja barok, ku të tre personazhet po ndjekin me vëmendje veprimin e shën Thomait, në tablonë tjetër vetëm Mosbesuesi po i kushton vëmendje Enverit; Piktori po sheh me vëmendje diçka jashtë kutisë piktorike të tablosë, ndërsa i Përhënuri ndonëse i pranishëm fizikisht, duket se nuk kupton mirë se ç’po ndodh. Pra, është këputur ajo lidhje Parti-Popull që trumbetohej me aq bujë, që shkruhej në faqe muresh kodrash dhe malesh, lidhje e shenjtëruar sipas propagandës nga koncepti i besës, edhe ky i huazuar nga Mesjeta për t’i dhënë lidhjes së popullit shqiptar me Idealin komunist doza të mirëfillta metafizike ku garantuese e kësaj lidhjeje ishte Partia e Punës pasi nga mënyra si paraqitej nga propaganda dukej se i përkiste botës numenale sepse siç thuhej, përpara saj sprapsej edhe vetë vdekja. Në vitet ’70-të u shkruan disa drama që e vinin theksin pikërisht te Besa, e cila në kontekstin e ri shoqëror kish ndryshuar objekt; tashmë e shkëputur nga konteksti i Kanunit Besa mund t’i jepej vetëm Partisë në pushtet duke u bërë kështu pjesë e teologjisë politike të regjimit.

Nëse corpus mysticum (partia e tij) dhe një corpus majestis, bashkësia e lidhur përjetë me të përmes Besës së dhënë (ky i fundit edhe si produkt i propagandës) nuk ekzistojnë më atëherë Enveri të lë përshtypjen e dikujt që ka humbur udhën dhe i mbetur fillikat përpiqet t’u mbushë mendjen se është ringjallur të parëve që i dalin përpara. Pra, duket qartë se ata që ka takuar janë kalimtarë të rastit që nuk i kanë dhënë besën askujt, kurse pa dy corpus-et kolektive, kokë e të cilëve mëtonte të ishte Enveri nuk mund të ketë asnjë shpresë t’i mobilizojë për qëllimet e tij politike. Turmat entuziaste dhe brohoritjet kanë mbetur kujtime të një kohe të largët të ikur njëherë e përgjithmonë.

Prandaj sakrifica e tij ngjan tashmë e pakuptimtë. Kjo bëhet më e qartë kur lexojmë në librin e Kantorowitz-it se “trupi mistik i Kishës, koka e së cilës është Krishti u zëvendësua nga “trupi mistik i respublica-s në krye të së cilës qëndron Princi”. Por sakrifica e Princit për corpus mysticum-in e tij, pra, shtetin shekullar – krahasohej me sakrificën e Krishtit edhe në një nivel tjetër, ai ofron jetën e tij jo vetëm si gjymtyrë, por edhe si kreu i trupit mistik (Kantorowitz:1957: 207). Nëse sjellja e personazheve të tablosë tregon se nuk janë pjesë e ndonjë corpus majestis, ata nuk e njohin për kreun e tyre dhe kryqëzimi i tij është po aq i pakuptimtë sepse është kryer në emër të një korporate që nuk ekziston.

A krijoi ideja e dyfishësisë – një trup të Krishtit që i përket atij dhe një trup (kolektiv, shënimi im) koka e të cilit ai është – dhe a e gjejmë barazvlerësin e tij në sferën shekullare kur u ngjiz corpus republicae mysticum? Princi duke qenë kreu i trupit mistik të shtetit dhe nganjëherë i njëjtësuar me të, paralelizonte Krishtin i cili ishte si koka e trupit mistik të Kishës dhe vetë ai trup. (Kantorowitz:1957, 268). Edhe në këtë rol sakrifica e Enverit ngjan e pakuptimtë sepse edhe shteti totalitar nuk ekziston më, duke krijuar më tepër përshtypjen e një farse, një kryqëzimi hipotetik. Tabloja të kujton më tepër skenën e një teatri absurd.

Pjesa e tretë e një serie shkëputur nga teksti integral i librit në proces “Aura Teologjike e Trupit Politik”. Te drejtat e autorit (c) Gezim Qendro

[vijon]

17 Ramiz Alia (1925 – 2011) u përfshi në luftën nacional –çlirimtare fare i ri, pa mbushur të njëzetat. Duke qenë besnik i Enver Hoxhës i ngjiti shpejt shkallët e karrierës për të arritur anëtar byroje i PPSH-së (1962) ku u mor me sektorin e kulturës dhe propagandës. Pas vdekjes së Hoxhës në 1985 u zgjodh sekretar i parë i KQ të PPSh-së. Vdekja e tij më 2011-ën shënoi fundin e një epoke, pasi ai ishte presidenti i fundit komunist.

18 Gazeta Panorama, 13 gusht 2014, f. 9.

19 Emilio Gentile, Le religioni della politica, fra democrazie e totalitarismi, 2007, Edizioni Laterza, f. 91.

20 Camillus Baldus. (1550 –1637), filozof italian. Njihet edhe si Camillo Baldi.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin