KOMANDANT NA MORI MALLI (IV)

Që vlerësimi i njerëzve për Enver Hoxhën ndryshon me kalimin e viteve, këtu nuk ka gjë për t’u habitur – mendja funksionon në mënyrë të tillë që të këqijat dhe telashet e së tashmes t’i krahasojë me të mirat e së djeshmes; pa çka se në këtë proces shpërfillet krejt mekanizmi i kalimit nga e djeshmja në të sotmen, dhe sidomos prania e së djeshmes tek e sotmja.

Kësisoj, është veç e natyrshme që të ketë mall për liderin e djeshëm të shtetit totalitar dhe arkitektin e izolimit të plotë ekonomik, politik dhe kulturor të Shqipërisë në Europë dhe në botë; çfarë ngjall shqetësim është, përkundrazi, gatishmëria e nostalgjikëve për ta shprehur publikisht vullnetin e tyre rehabilitues ndaj diktatorit të djeshëm.

Hapësira që japin mediat, sidomos te komentet; por edhe prania e pandërprerë e pornografisë totalitare në shtyp dhe në televizion, i ka lejuar këta nostalgjikë dhe apologjetë të Enverit të nyjëtohen më mirë dhe më rreptë se dje, të mbështetin njëri-tjetrin dhe të krijojnë bindjen se e kanë të drejtën me vete.

Deri këtu asgjë të re. Dukuria shembëllzohet në komentet e lexuesve për një artikull të sotëm të Naser Aliut te Shekulli, me titullin “Kush ishte Enver Hoxha”, të cilat meritojnë vëmendje, sidomos për të kuptuar, në referim edhe ndaj titullit të shkrimit kryesor, se kush është Enver Hoxha sot.

Para se të nxjerrim ndonjë përfundim sado tentativ për tonin dhe premisat e reagimeve epidermike në Shekulli, duhet të mbajmë parasysh llojin e lexuesit të kësaj gazete online dhe, veçanërisht, llojin e komentuesit protagonist. Ende nuk themi dot gjë konkrete për karakteristikat e këtyre llojeve, përveçse që, në të dy rastet vepron një mekanizëm i njohur si selection bias, ose “anshmëri e përzgjedhjes”, i cili gjithsesi nuk na lejon që masën e komentuesve ta marrim si masë përfaqësuese të qytetarëve shqiptarë sot, ose edhe thjesht si të publikut që konsumon mediat.

Pavarësisht nga kjo, ka interes të madh, dhe jo vetëm teorik, për të parë si po rehabilitohet Enveri nga nostalgjikët e radhës.

Siç mund të pritej, diktatori i djeshëm krahasohet me politikanët e sotëm, në veçanti me Berishën; një krahasim tipik prej mejhaneje, i cili nuk merr fare parasysh tipologjinë e ndryshme të sistemeve; ose faktin që sistemi totalitar ishte zgjatim i trupit dhe mendjes së Hoxhës vetë, ndërsa sot është sistemi parademokratik ose oligarkik qoftë që zgjatohet, duke u trupëzuar te Berisha.

Enveri lëvdohet si njeriu që nxiti dhe udhëhoqi zhvillimin ekonomik, arsimor dhe kulturor të vendit; por edhe si udhëheqësi që arriti të ruajë pavarësinë dhe sovranitetin e Shqipërisë përballë kërcënimeve të ndryshme – nga sovjetikët, por edhe e sidomos nga fqinjët veriorë.

Enveri lëvdohet se vendosi sigurinë në vend, emancipoi gruan shqiptare duke e nxjerrë nga tutela patriarkale dhe duke e lejuar të marrë pjesë drejtpërdrejt në jetën qytetare; sikurse lëvdohet për arritjet në shëndetësi, në energjetikë, në ndërtim dhe në transport.

Të shumtë janë ata që e kujtojnë me mall liderin e djeshëm jo për arritjet thjesht ekonomike, sociale dhe kulturore; por për vendin dhe zërin që u dha masave punonjësve, punëtorëve dhe fshatarëve, vegjëlisë, në jetën shqiptare. Ajo e Enverit, përmendet kështu si demokraci “reale”, përkundrejt demokracisë formale dhe të manipuluar, që ekziston sot, por që përthyhet si dëshpërim i mirëfilltë për të gjithë të paemrit.

Gjithnjë në raport me të sotmen shqiptare, Enveri nuk vodhi, as lejoi bashkëpunëtorët e vet të vidhnin – theksojnë komentuesit; përkundrazi, ai u tregua i rreptë dhe i pamëshirshëm me armiqtë jo vetëm të vetët dhe të pushtetit totalitar, por edhe e para së gjithash të Shqipërisë, si agjentë fuqish të huaja; me spiunët dhe lakejtë gjithfarësh, sidomos ata që paguheshin prej Beogradit. Enveri, vërejnë komentuesit, nuk do t’ia shiste kurrë detin grekut, as naftën Sllobodanit në një kohë që ky bëhej gati të spastronte etnikisht Jugosllavinë, as do të lidhte besë e miqësi me sekserët e shkjaut si Berisha.

Rehabilitimi i Enverit nga anonimët e Shekullit po kryhet kështu në dy drejtime: (1) duke e paraqitur atë si mbrojtës dhe flamurtar të kombëtarizmit shqiptar, ose liderin më të madh të kombit shqiptar modern; (2) duke e paraqitur atë si tribun dhe kalorës të demokracisë reale, si zëdhënës të vegjëlisë e të masave punonjëse, ose të të gjithë atyre që e përjetojnë të sotmen shqiptare si humbës.

Ky portretizim folklorik i liderit të djeshëm përvijohet më tepër si imazh i frustrimeve, pakënaqësive dhe patologjive sociale të sistemit të sotëm në Shqipëri; i ushqyer nga një sfond i turbullt kujtimesh të drejtpërdrejta dhe të tërthorta (sipas grup-moshave), por gjithsesi tepër të përzgjedhura, qëllimisht ose vetvetiu.

Apologjetët vërejnë se Enveri nuk do ta toleronte degjenerimin që ka kapluar sot metropolin shqiptar, korrupsionin, vjedhjen, kriminalitetin, bixhozin, pornografinë, materializmin dhe konsumerizmin vulgar (conspicuous consumption); dhe këtë hipotezë e mbështetin me mënyrën si i trajtonte lideri totalitar, në kohën e vet, shenjat deri edhe embrionale të dukurive të tilla.

Nuk gjendet gjëkundi, në diskursin apologjetik, argumenti – përndryshe evident – se shthurrja e sotme sociale dhe anomia që ka kapluar shqiptarët janë efekt anësor i drejtpërdrejtë i izolimit të djeshëm, të cilin ua kishte imponuar pikërisht ai Enver, të cilin e shohin tani si shpëtim, ose si “ilaçin më të mirë për mizat e djeshme dhe të sotme,” për ta thënë me njërin prej komentuesve.

Përkundrazi, metodat e forta të Enverit, përfshi këtu edhe dhunën e pashembullt ndaj të gjitha shtresave të shoqërisë shqiptare, përshëndeten për rezultatet e tyre: sigurinë, rregullin, pastërtinë.

Praktikisht asgjë nuk thuhet, nga ana tjetër, për faktin që Enver Hoxha ishte lider komunist i një regjimi komunist; ndjekës i bindur në krye i Titos dhe pastaj i Stalinit; autor me pretendime deri edhe teorike i veprave për imperializmin dhe revolucionin; ideator i shpronësimeve, sekuestrimeve dhe reformave të tjera radikale në ekonomi; dhe sidomos njeri që e besonte veten revolucionar të regjur; dhe që dhunën, diktaturën dhe totalitarizmin do t’i kish përligjur, sikurse edhe i përligjte, me nevojën për të çuar më tej revolucionin në Shqipëri dhe në botë.

Një harresë kësisoj, po aq përzgjedhëse sa edhe kujtesa e nostalgjikëve dhe apologjetëve, shpjegohet me hipotezën, të cilën e kemi formuluar dhe argumentuar edhe më parë këtu në blog, se komunizmi në Shqipëri ishte aksident historik, ndërsa fashizmi, në trajtat e sundimit të turmës (mob rule) lind vetvetiu e nuk ka nevojë “të mbillet” nga jashtë, për t’u harlisur.

Çka don të thotë edhe se, në analizë të fundit, Enveri i përkujtuar me aq mall dhe indulgjencë nga apologjetët e sotëm është mishërimi imagjinar i liderit kombëtarist-fashist, pjellë sa karakteristike aq edhe e pashmangshme e një shoqërie të prapambetur në një vend ballkanik si yni.

“Ata që sulmojnë Enver Hoxhën dhe kohën e tij janë antishqiptarët më të tërbuar,” shkruan një komentues. “Enveri e ka dashur Kosovën, Çamërinë dhe tërë kombin,” shkruan një tjetër. Kjo pallto e kthyer mbrapsht, që shitet tani në tezgat e rrobave të përdorura të politikës shqiptare, po reklamohet si pelerina e shpëtimtarit kombëtar, ose pikërisht e prijësit që i duhet lëvizjes së re kombëtariste, aq të gjallëruar tani së fundi sidomos në rrjetet sociale në Internet, në stadiumet e futbollit dhe në kafenetë e të ngeshmëve. Kësaj lëvizjeje, e cila synon “të çlirojë” shqiptarët kudo që janë në Ballkan, i duhet para së gjithash autoriteti dhe karizma e Enverit, të cilit, për hir të këtyre dy virtyteve turmozhenike, jemi gati t’ia falim ndonjë gabim të vogël. Tek e fundit, sikurse e lexojmë edhe në një prej komenteve, “Enveri bëri më shumë të mira se të këqija.”

Natyrisht, dukuria nuk duhet trajtuar thjesht si patologji; pa çka se nostalgjikët nuk mund ta kuptojnë, dhe as duan ta kuptojnë, se nostalgjia e tyre për Enverin dhe gatishmëria e tyre për t’iu gjunjëzuar sërish liderit të djeshëm është po aq efekt i padëshirueshëm i krizës së sotme sa edhe korrupsioni, vjedhja, degradimi i shërbimit publik, kriminaliteti dhe të tjera manifestime të asaj së keqeje, të cilën ata ëndërrojnë ta luftojnë duke e ringjallur diktatorin mendërisht.

Këtë ma provon njëri prej komentuesve, kur shkruan se “preferoj të zgjohem në katër të mëngjesit për një shishe kos si në kohën e xhaxhit, sesa të jetoj në luks i poshtëruar si sot.” Dhe ma provon, sepse më kujton se një nga faktorët që duhet të marr parasysh në këtë analizë është dinjiteti, ose nevoja e qytetarit për dinjitet; e cila përmbushet ndonjëherë edhe thjesht nëpërmjet përjetimit të një sakrifice, sado imagjinare, apo edhe të pashmangshme.

Ky lloj dinjiteti, për të cilin flet komentuesi më lart, lidhet drejtpërdrejt me shkallën ose masën e kontrollit që ruajmë ndaj jetës. Dje, për shkak të izolimit dhe autarkisë ekonomike, ose edhe mungesës së ballafaqimeve dramatike, me arritje, pushtete dhe shkëlqime përndryshe të paarritshme, shqiptarit të zakonshëm i dukej sikur kontrollin ndaj jetës së vet dhe të familjes i duhej ta ndante, tek e fundit, vetëm me babain e të gjithëve, ose kryepatriarkun e shqiptarëve, të manifestuar si autoritet, frikë, arbitraritet dhe vertikalitet. Kësisoj, edhe dinjiteti i subjektit, të reduktuar në fëmijë, realizohej duke u projektuar si autoritet atëror; ose në një mënyrë të tillë e cila sot, për arsye të shumta dhe të mirëkuptueshme, nuk riprodhohet dot më. Sistemi mund të ketë ndërruar vërtet, por raporti i vetvetishëm i shqiptarit individ në mos qytetar me pushtetin dhe trupëzimin e tij në figurën e liderit politik ka mbetur, në shumë aspekte, ai i vjetri.

Nuk ka komente

  1. Sikur gjate ketyre 20 apo 22 viteve ne Shqiperi te kishte pasur nje shtet te vertete dhe qeverira te pergjegjeshme per misionin e tyre, sigurisht qe Enveri as qe do te kujtohej (per mire e kam llafin). Por kur shikon qe te gjitha virtytet e moralta te njeriut sot kane perfunduar ne imoralitet dhe e moraleshmja eshte bere moszbatimi i ligjit dhe mentaliteti shpellar “i xanun”, sigurisht qe Enveri do te respektohet.

  2. Nuk di a e ka verejtur njeri para nja nje jave tek ‘Shekulli’ shenimin ‘Leksionet qe na vijne nga Enver Hoxha’, ku te njejtat cka brockullis komentariati anonim (tekstualisht: ku je Enver?), i thote me izen te gazetes nje komentator i punesuar i saj. Per me teper edhe drejtshkrimi skandaloz i ketij nuk dallon fort nga ai i komentuesve te papaguar, anonime, rastesore, cka fatkeqesisht po behet gjthnje e me e zakonshme edhe tek nje gazete si ‘Shekulli’, dikur me standard te larte per keshtu punesh

    http://www.shekulli.com.al/shekulli/2012/04/12/leksionet-qe-na-vijne-nga-enver-hoxha/

  3. Nostalgjia per “good old times” ose e ashtuquajtur “Ostalgjia”eshte nje fenomen i prekshem ne te gjitha vendet postkomuniste te Lindjes.Prandaj mendoj se, perkunder thjeshjtezimit te nostalgjise se komentuesve anonime si aksion per “rehabilitimin e Enverit dhe te se shkuares” , lipset nje qasje me objektive, per te kuptuar mjedisin dhe dinamikat qe ushqejne nostalgjine , ne kete rast jo thjesht si melankoli per te shkuaren, por si mekanizma reagimi ne kontekstet e reja individuale,sociale dhe kombetare. Nqs masen e komentuesve do ta merrnim si nje kampion studimi te zgjedhur rastesisht , do te veme re artikulimin e dy tipeve te nostalgjise: nostalgjia restorative-e cila ushqehet ne kushtet kur eshte vene ne dyshim autoriteti shtetit dhe identiteti kombetar perballe globalizmit dhe shoqerise se hapur.Kjo lloj nostalgjie edhe pse i referohet te kaluares/regjimit komunist, nuk kerkon restaurimin e sistemit. Ne fakt kjo lloj nostalgjie ushqehet nga narrativa kolektive, memoria historike dhe evokon te kaluaren ne termat e dinjitetit kombetar .Si e tille ajo behet shtati pershtashem dhe burim per gjallerimin e nacionalizmit. Kurse nostalgjia reflektive i referohet narrativave individuale dhe evokon te kaluaren ne termat e sigurise, mireqenies, kushteve baz ete jeteses perballe pasigurive te sotme.Nqs nostalgjia restorative reflekton krizen identitare kombetare, nostalgjia reflektive reflekton krizen dhe pasigurite e individit ne boten e konkurences dhe mungeses se shtetit social.

  4. shthurrja e sotme sociale dhe anomia që ka kapluar shqiptarët janë efekt anësor i drejtpërdrejtë i izolimit të djeshëm, të cilin ua kishte imponuar pikërisht ai Enver

    Me duket tendecioze kjo akuze.

    Se pari, nuk ka asnje evidence qe ne kushtet e mos-ekzistences te Enverit, Shqiptaret do ishin me pak ‘anomike’. Mjafton te kujtojme ketu qe vete monarku i vete-shpallur i Shqiptareve ishte i detyruar te legjitimizonte kodet tribale, cka me ben te mendoj qe anomia eshte para-ekzistuese.

    Gjithashtu, me duket se ne kete blog (ne mos ju dikush tjeter) eshte evidentuar qe izolimi nuk qe total ne kohe te Enverit. Mund te shkoje ne Librarine Qendrore te informoheshe shume mire per c’bente vaki jashte.

    Mbi te gjitha, nqs flasim edhe per levizjen e lire te njerezve, kush na garanton qe edhe ne mungese te Enverit Shqiptarve nuk do t’u duheshin viza? Ne na kane vene viza qe para 800 vjetesh, e barinjte tane nuk lejoheshin te hynin ne qytetet e fortifikuara qofte ne zoterim te Venedikut, qofte ne zoterim te Serbeve.

    Per mua eshte teper e qarte qe fashizmi eshte nje rryme ne ngritje ne Shqiperi: ne mos i variantit kombetarist mund te jete shume mire i variantit islamist. Kjo ka te beje me deshtimin e demokracise si eksperiment, dhe sigurisht qe njerezit do thone ‘nuk kishim demokraci as atehere po te pakten na thane kenetat se na griu malarja’.

    1. Nga izolimi nuk te nxjerr nje Biblioteke Kombetare hermetike, aq e parendesishme ne shoqeri sa ti me te drejte nuk ia kkuton mire as emrin: ne kohe te Zogut, librat e revistat e huaja i meritoje thjesht me leke ne dore, jo me teser partie – e shumta me ndonje libreze liberale anetaresimi neper bibliotekat e filantropeve a urdhrave fetare. Nuk ka fare rendesi c’ndodhte para 800 vitesh me barinjte qe nuk lejoheshin nga italianet te futeshin ne qytete (politike te cilen e riktheu ne zyre pashaportizimesh Enveri, ku qytetaria po ashtu meritohej me tesere), se me mjafton fakti se im gjysh i hipte vaporit lirisht per ne Bari sa here ia kerkonte tregetia, apo xhaxhai per Firence per t’u shkolluar.

      Dorezimi i enverizmit ne dinamikat fataliste te longue duree-se te Ballkanit mesdhetar, nuk eshte shume larg delegimit te krimeve tek “sistemi”, “ishte koha”, “ashtu ishte ligji”

      1. se me mjafton fakti se im gjysh i hipte vaporit lirisht per ne Bari sa here ia kerkonte tregetia

        Edhe cfare? Kjo inokuloi popullin nga anomia, me te cilen me pas e infektoi izolimi stalinist?

        1. Sa i përket temës së anomisë, këtë nuk e ndaj dot nga reformat rrënjësore që bëri Enver Hoxha me të vetët, dhe sidomos: (1) shkatërrimin e institucionit të pronës private dhe të lidhjes së shqiptarit me truallin; (2) ndalimin e lëvizjes së brendshme të lirë të popullsisë, i cili shkaktoi një surplus të madh njerëzish në zona të pazhvilluara dhe të prapambetura në çdo pikëpamje; (3) ndalimin e emigrimit jashtë dhe kontaktit masiv, difuz dhe të vetvetishëm të masës së shqiptarëve me botën (kjo s’ka lidhje me elitat); (4) mbylljen e institucioneve fetare dhe përpjekjen serioze për ta zëvendësuar raportin midis njeriut dhe Zotit me raportin midis njeriut dhe pushtetit, ose Enverit vetë. Megjithatë, kjo temë u hap për të diskutuar jo aq Enver Hoxhën, sesa rrëmbushjen e disa bashkatdhetarëve për një diktator si ai. Pranoj ta vazhdoj debatin vetëm me kusht që të pranojmë se edhe malli i tanishëm për komandantin është dëshmi dhe simptomë e lezioneve të gjithanshme që i shkaktoi totalitarizmi trurit kombëtar.

        2. Ti vure ne dyshim efikasitetin e izolimit enverist apo shkaqet e tij dhe une vetem per kete nderhyra. Per rruget nga izolimi ne anomi, per krahasimin e mbreterise me postkomunizmin, kush e di c’mund te them. Dhe po qe per kunderhistori, edhe une fajin ia heq Enverit e ia ve Musolinit

  5. Praktikisht asgjë nuk thuhet, nga ana tjetër, për faktin që Enver Hoxha ishte … ideator i shpronësimeve, sekuestrimeve dhe reformave të tjera radikale në ekonomi;

    Me duket se ideatori ishte Stalini, dhe po te provoje te mos beje kolektivizim/tufezim ai nuk e kishte per gje te fuste nje plumb pas koke (Titoja i pat shkruar Stalinit nje pusulle per ket zakon te tijin) si ne Moske ashtu edhe ne Tirane.

  6. Mendoj se nostalgjia lind per arsye se nga ajo kohe kemi humbur gjera qe ishte e pashmangshme ti humbnim dhe perbejne nje kosto oportune te drejte sic jane rendi publik, morali (jo morali komunist qe shume mire qe e humbem, por nje forme e shendetshme morali shoqeror e.g ndalimi i perhapjes se forte te fenomeneve si perdorimi masiv i droges, prostittucioni, pornografia etj), hapesirat publike (parqet), barazine ekonomike (nje pabarazi shume agresive vihet re ne shoqerine tone fatkeqsisht) etj te ngjashme. Por keto jane kosto normale te nje sistemi kapitalist apo si quhet sot ekonomie tregu qe eshte e njejta gje. Nga ana tjeter kemi humbur edhe gjera qe do te kishin qene dhe jane kompatibel me sistemin e ri si sporti, shendetsia, arsimi (e kam fjalen per ate fillor qe eshte me i rendesishmi), teatrin, kinematografine, letersine, industrine prodhuese etj. Megjithate sot jemi shume me mire se me pare, sigurisht, por te vjen keq qe gjerat nuk shkuan si duhet te shkonin.
    Fenomeni nuk eshte vetem shqiptar natyrisht, ende ka italiane qe ne njefare menyre rehabilitojne Musolinin (kane kaluar me shume se 80 vjet) dhe me ckam degjuar nje pjese e gjermaneve, ndonese jo publikisht, vlersojne pjeset pozitive te kohes naziste. Nuk mendoj se kjo eshte dicka e gabuar pasi gjerat ex post eshte mire te shihen ne kompleks dhe jo bardhezi.

  7. Realisht nuk ka asgje per t’u shqetesuar. Shekulli si gazete qe ka pushuar se interesuari nese e pelqen publiku apo jo, nese ka lexues apo jo, ne kushtet edhe kur pati nje warning nga ambasadori amerikan dhe ka nje zemerim me opoziten politike per shkak se nuk po arrin te vije ne pushtet, ben eksperimente te tilla. Deri tani ka marre nje grumbull “komentuesish me pagese” qe njihen si njerez te kontaminuar me ideologjine komuniste e gjithe rrymat e saj e kjo ka bere qe te terheqe po nje grumbull komentuesish pa pagese qe vijne e marrin dozen ditore te kontaminimit ideologjik meqe kohe pas kohe ketyre te fundit edhe mund te ju jete zvogeluar sasia e ketij kontaminimi. Kur nje me fytyre reptili del e shkruan per Enver Hoxhen pozitivisht me emer e mbiemer, domosdo zgjon ndjenja te ndrydhura edhe tek anonimet vellezer ideologjike te “komentuesit me pagese” qe perndryshe ne jeten e perditshme do te ju vinte turp t’i shprehnin. Sot shqiptaret, ndoshta eshte edhe pak problem e shqetesim kjo, jane hedoniste e “njerez pa fre”, ne kuptimin e mire kjo e fundit, qe diktaturen mund ta diskutojne ne shume menyra ne kafene reale e virtuale, por kur vjen puna per riaplikimin e saj as ne enderrat e tyre me te keqija nuk e shohin. Aq me pak 20-22 vjecaret e sotem qe po te ju thuash se dikur njerezit ngriheshin ne 4 te mengjesit per nje shishe qumesht por ishin krenare dhe se nuk mund te eksperimentonin me stilet e flokeve apo nuk mund te vishnin xhinse por ama kishim rregull, qeshin me te madhe dhe te marrin per anormal.

    Sa i perket analizes se sistemit te kaluar, eshte humbje kohe mendoj une qe te marresh seriozisht ato qe thote Nexhmija Hoxha ne intervista, se komentuesit me dhe pa pagese pak a shume fjalet e N. Hoxhes thone.

    A ka njeri qe beson se kishim ndonje fare dinjiteti a krenarie ne ate kohe, prosperitet ekonomik a standarde jetese?

    Kur bota e zhvilluar conte hekurudha ne cdo qytet e fshat tek ne mjeku ne ate filimin e realizmit socialist (kur te hapen dyert e jetes) operonte me thike buke.

    Sistemi perplaset me qasjen e tij qe kishte/ka ndaj lirise e jo me tharjen e kenetave qe ne te shumten e bene te denuarit politike. Por edhe ekonomikisht po te flasim, ai sistem deshtoi e ishte mjerim, jo vetem ne Shqiperi por gjithkund ne lindje. Sot ne Shqiperi ka mbi 330 mije familje me dy shtepi dhe ta perplasesh kete te dhene me kohen e komunizmit kur shteti kishte kolektivizuar dhe patat e rosat eshte qesharake.

    Ne psiken e shqiptarit ose ne shume nga problemet e mprehta sot, sic ka thene edhe Noel Malcolm, demin me te madh e ka bere komunizmi e asgje tjeter. Inxhinieria sociale e sistemeve totalitare, duke qene ne permasa dhe mjete te tmerrshme ka deformuar individin e komunitetin shqiptar.

    1. MB, kam frikë se e minimizon problemin. Pavarësisht se ç’i frymëzon apologjetët e Enverit, këta i gjen sot nga të gjitha anët, në të majtë dhe të djathtë të spektrit politik. Kam përshtypjen – por s’e konfirmoj dot – se ka një konvergjencë midis zhgënjimit me reformat e pas 1990-ës, tkurrjen e vetëdijes sociale të shqiptarit, obsesionin me temën “kombëtariste” (pseudopolitike) dhe zhurmën që po bëhet rreth partisë AKZ. Problem nuk është aq nostalgjia për Enverin në vetvete, sesa fakti që Enveri dhe filozofia autoritariste (fashiste) e ushtrimit të pushtetit dhe e ruajtjes së “rendit” po ofrohen gjerësisht si alternativë ndaj dështimeve të pushtetit të sotëm, përfshi këtu edhe bashkëfajësinë e tutorëve europianë (dhe amerikanë) të parive të Tiranës.

  8. Sikurse shkruani dhe ju, XhaXha, nje pjese e tyre jane nostalgjike qe jane mesuar me nenshtrimin; nje pjese tjeter, perderisa arrijne te kthejne koken pas, tregon se u ka hyre thika ne palce ekonomikisht, por, edhe, nga e gjithe kjo hipokrizi politike dhe shoqerore.
    Mendoj se ne shkrim mund te ishte perfshire edhe nje ceshtje: Pse nuk behet autopsia e atij sistemi? Pse akuzat per ish-komunist, apo ish-sigurims mbeten vazhdimisht prezent ne diskursin politik, por nuk hetoen asnjehere? Pse nuk hapen dosjet?…
    Pra, ka nje numer Pse-sh qe lihen qellimisht nga pushtetaret e sotem, sepse, per interesat e tyre politiko-ekonomike, u intereson kjo situate agonie. Nje kritik britank, shkruante se “regjimi i Enverit e bente ate te Causheskut te dukej demoratik”… Ndersa sot, po na duket regjimi i Hoxhes me demokratik… Te pershendes.

  9. Te pohosh se glorifikimi figures se E.Hoxhes eshte simptome e pakenaqsive dhe patologjive sociale te sistemit te sotem dhe, nga na tjeter, ta shikosh shthurejne e sotme sociale dhe morale, anomine dhe krizen e vlerave qe ka kapluar sot shoqerine shqiptare, si efekt te drejtperdrejte te izolimit te djeshem totalitar, sipas mendimit tim eshte nje kontradiksion.Ose e thene ndryshe, eshte nje apologji mjerane e sitemit te sotem, i idealizuar si “good society” .Edhe pse te dy sistemet jane te pakarahasueshem,kritika e apologjise per diktatorin E.Hoxha nuk mund te behet duke bere apologjine e “diktatures se tregut” dhe patologjite e sistemit te sotshem (pra te kesaj karikature te demokracise) t `ja faturosh totalisht regjimit diktatorial.Admiruesit e Enverit bejne apologjine tij nisur nga pakenaqsite dhe patologjite sociale qe prodhon sistemi sotem kurse apologjeti kapitalizmit ja faturon sistemit te kaluar problematikat e sotme sociale dhe anomine.
    Dy sistemet (komunizmi vs kapitalizmi) jane te pakrahasueshem dhe rrenjesisht te dallueshem ne nivelin makro per studjuesin, akademikun, kerkuesin e shkencave sociale, kurse per njeriun e thjeshte, qytetarin e zakonshem, bilanci eshte i thjeshte dhe i referohet nivelit mikro.Liria per ate mbetet nje slogan sa kohe qe bilanci jetes eshte negativ. Krahasimi njeriut te zakonshem “homos economicus” ngrihet mbi terma empirike.Perndryshe masa e njerzve te thjeshte, te cilet perballen me pasigurite e jetes dhe luftojne per mbijetese, i bie ti thurin ditirambe epersise se sitemit kapitalist mbi ate socialist edhe pse jeta e tyre iken per lesh.
    Anomia sociale dhe institucionale , ne kuptimin qe i jep Durkheim, i ka rrenjet ne ortekun e ndryshimeve te thella dhe te shpejta politike, social-ekonomike dhe kulturore qe ndodh me kolapsin e sistemit komunist. Sigurisht qe trashegimnia mentale dhe kulturore e se kaluares perplaset me kekesat dhe kushtet e reja social-ekonomike. Mospershtatja e individeve me ndryshimet e reja sociale prodhon frustacione dhe pakenaqsi por po kaq e vertete eshte se vete anomia eshte produkt i brendshem i sistemit, aq me teper ne fazen e tranzicionit. Kriza e vlerave, dobesimi agjensive te kontrollit social, dobesimi normave sociale, liria e perceptuar si anarki, renia e autoritetit te shteti dhe moszbatimi ligjit jane produkte te shoqerise se sotme dhe jo vetem efekte anesore te izolimit te djeshem. Po ta analizojme anomine ne termat institucionale, del se nga shoqeria e kaluar u trashegua nje familje e shendoshe, arsim solid por efekti i ketyre institucioneve joekonomike eshte i pafuqishem perballe forces dhe dinamikes se re te faktoreve materiale dhe ekonomike.
    Aq me teper qe anomia nuk eshte nje dukuri ekskluzive e vendeve te tranzicionit postkomunist dhe duke qene keshtu, ajo nuk mund te te shpejgohet vetem me efektet e izolimit ne sistemin totalitar.

    1. Sistemet janë lehtësisht të krahasueshëm, sa kohë që kanë ndjekur njëri-tjetrin. Vështirësia, më duket mua, lidhet me diferencën midis modeleve teorike të këtyre sistemeve, të pasqyruara edhe në dokumentet themeltare përkatëse (p.sh. kushtetutë, etj.) dhe zbatimit të tyre në praktikë. Përndryshe marksizmi (madje edhe leninizmi) teorik kanë shpjeguar se si do të bëhet kalimi nga kapitalizmi në socializëm, por nuk kanë thënë gjë për të kundërtën, ose kalimin nga socializmi në kapitalizëm – çka përfaqëson mangësi të madhe teorike edhe për neo-komunistët e sotëm.

  10. Kur them se sistemet jane te pakrahasueshem,kam parasysh qe jane diametralisht te kundert, thelbesisht te kundert dhe ne kete kontekst, aty ku logjika e nje sistemi shikon avantazhin, logjika e sistemit tjeter shikon disavntazhin .Ne kete kuptim, krahasimet humbasin kuptimin perderisa njeri sistem presupozon mohimin e tjetrit. Kjo eshte edhe logjika e vezhgimit qe ju keni bere, nisur nga krahasimet qe bejne komentuesit e Shekullit : cdo krahasim zerohet ne nomininimin e atij sistemi si totalitar dhe diktature. Por natyrisht qe dita mund te krahasohet me naten.Kurse per sa i perket krahasimit te modeleve teorike, duhet thene se asnje praktike, qofte e sosializmit, qofte e kapitalizmit, nuk perben modelin ideal teorik. Ky eshte besoj nje justifikim i mire i apologjeteve neomarksiiste dhe neoliberaliste.Eshte e vertete qe nuk ka ndonje model teorik per kalimin nga socializmi ne kapitalizem.Ndoshta askush nuk e mendonte se renia e komunizmit do te ishte kaq e afert dhe askush nuk mori mundimin te perpunonte platformen nje “utopi” te tille. Por mendimi marksist ka parashikuar se nqs kalimi nga kapitalizmi ne socializem behet vetem per mes revolucionit (mamia e nje shoqerie te re), kalimi nga socializmi ne kapitalizem mund te behet paqesisht, si nje proces gradual i degjenerimit te socializmit.Dhe ashtu u be.Rrezimi i Murit apo Revolucioni Kadifenjte jane vetem simbolika patetike e ketij transormimi paqesor.

  11. Mua me dhimbsen tmerrsisht te gjithe idealistet, e cdo ngjyre dhe kohe. Aq me shume me dhimbsen idealistet shqiptare. Kjo nuk e perjashton faktin qe idealizmi mund te ushqehet nga ide te gabuara (te rrezikshme, madje) apo nga padija. Ne parim, nuk jam dakord me asnje lloj idealizmi qe mbeshtetet ne premisen e luftes/dhunes se njeres klase ndaj tjetres.

    Nderhyrja ime, ne te vertete, ishte me shume per te sjelle ketu ato 2 qindarkat e jo-te majteve, e atyre qe nuk besojne se e majta (sidomos ne Shqiperi) ka ndonje aspirate tjeter vec pushtetit dhe gjithe perfitimeve qe vijne me te. (nje blog, shume qendrime :))

    1. “Mua me dhimbsen tmerrsisht te gjithe idealistet, e cdo ngjyre dhe kohe.”
      Pse e/i dashur LG? Dhembshuria vete eshte idealizem. Dhe idealistet nuk jane per t’u dhimbsur, se, sido qe heret a vone thyejne hundet, ata vetem e kane provuar mjalten. Restoja jeton me hirre: e mire per nje jetese te gjate, por pa fort shije. Dhe vetem idealistet sjellin ndryshimin (jo gjithnje pozitiv). Te tjeret ushqejne amulline.

  12. Me duhet te pranoj qe ne fillim se jo te gjithe qe shkruajne ose komentojne shkrimin e N.Aliut jane mostalgjiket dhe admiruesit e KOMANDANTIT.njeriu i thjeshte qe ka jetuar ate periudhe dhe te sotmen ben disa hesape ose ka perceptime me praktike per jeten dhe sherbimet qe atij i afrohen kur i krahason me te kaluaren.
    AI ndjen se femijet e tij qe vazhdojne shkollen jane me te pa ditur sesa shkolla qe ai ndoqi kur ishte ne sitemin e komandantit.
    Ai shikon dhe ndjen se kur eshte i semure duhet te mendohet mikre te shkoje ne spitalet publike sepse atje jo vetem qe e rrjepin por nuk merr sherbimin qe paguan.
    Ai kur shkon ne shkallet e ndryshme te drejtesise jo vetem qe nuk mer drejtesi por perkundrazi,atij i merret prona dhe nje pjese e saj pervetesohet nga gjykatesit ,prokuroret avokatet.
    Ai aresimon femijen dhe ka investuar shume per te jashte ose brenda dhe nuk gjen pune ,kurse shikon se nje tjeter i pa aresimuar komplet ze nje vend pune sepse jep ryshfet ose ka perkrahje nga Partia e rralles qe eshte ne pushtet.
    Nje i perndjekur politik shkon dhe shikon se ne nivele te drejtesise jane pothuajse te njejtet njerez qe e kane torturuar ne qelite e komandantit.
    Fshatari shikon se perpara ka pasur drite ne cdo shtepi sot ,ka fshatra dhe zona te tera qe nuk kane energji per periudha te gjata (shiko shtypin) nuk kane ku te lindin grate nuk kane nje pike ku te bejne nje gjelpere sepse ky eshte organizimi i ketij shteti.
    Keto mendon nje njeri i thjeshte dhe i krahason me kohen qe kaloi qe ai kishte dhe tani nuk i ka me.
    Une nuk jam i mendimit se ky eshte faj i sistemit ,se socializmi qe ishim ishte me i mire dhe tani kapitalizmi ose ekonomia tregut me e keqe, jo perkundrazi .Por ka disa lloj kapitalizmi sic dihet ose disa lloj modelesh ,si ai i vendeve nordike qe eshte me human,ai liberal i (amerikan ) ai Japonez ai Kinez qe eshte perzirje ect.Ne zgjodhem me te keqin e mundeshem (kjo per fajin tone sepse nga rregjimi i me pareshem ne nuk kishim politikane qe te kuptonin keto gjera dhe te NDERKOMBETAREVE qe na asituan per te krijuar nje sistem te ri ) Kam mendimin tim natyrisht modest se ne deshtuam ne krijimikn e nje sistemi eficent kapitalist si ai qe kane shume vende qe kane pasur te njejten trashegimi nga lindja komuniste dhe kjo per disa aresye qe do te mundohem ti permend me poshte;
    Tek ne nuk u be anatomia e krimit komunist sepse E.Hoxha ishte direkt pergjegjes per ndjekjene burgosjen ose pushkatimin e armiqeve personale ose te atyre qe ai i njihte personalisht ,por per shumicen e atyre qe u burgosen internuan ka pergjegjes direkt me emer dhe mbiemer te cilet kane shkelur ligjet e asaj kohe (sepse atehere ka pasur ligje kunder tortures dhe deshmive fallse,tek ne ak oma nuk eshte realizuar lustracioni qe ne vendet ish komuniste eshte kryer tashma.
    Aresya e dyte eshte sepse ish komunistet qe na udheheqin edhe sot pas 22 vjetesh nuk mund te ndertojne kapitalizmin eshte e pa mundur (shiko ne gjitha vendet ish komuniste ) jane nderuar me kohe ish lideret e tyre qe vinin nga komunizmi ,vetem tek ne jo.(Sam Vankin tregon shume qarte kete) dhe aresyet teorike sepse nuk mundin.(Ai nuk flet per lideret tone)
    Dikush ketu tregon se jane 350.000 ose shtepi private ,por kjo nuk do te thote asgje,sepse keto ose jane ndertuar me paret e emigranteve ,ose nga parate e korupsionit (personalisht qe shkruaj jam i shtreses mesme dhe nuk kam pasur mundesi te kem nje shtepi te dyte personale).
    Duke e krahasur sitemin qe kemi ndertuar per 22 vjet mendoj se kemi deshtuar ta bejme “Shqiperine si Europa”, sistemi yne fut uje ose ka mare virus te keq. Mendoj se duhet Set up”i gjithe sistemit me njerez e modele dhe te shkolluar ne perendim qe ta udheheqin kete vend drejt Europes
    Une jam nga ata qe them ” qe E.Hoxha gaboi kur u nda me Kinen sepse ndryshe sot do te kishim sistem te kapitalizmit Ten Sia Ping ” dhe 800-1000 studente qe u ngriten ne vitet 90, por edhe 10 fishin e tyre komunistet do te kishin bere ate qe bene ne sheshin e Pekinit.me tanke,sepse deshtimi i sistemit qe lame pas ishte ekonomia qe shkoi ne zhgrib ,dhe jo se ishin shkelur te drejtat e njeriut.Mos bejme ne gabimet qe ta leme ekonomine te shkoje keq se ne kemi experinca te keqia, kur kalon masa kritike e zullumit.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: