nga Holta Vrioni[1]
Më 2011 Fatos Lubonja detyrohet të kthehet në Repartin e Riedukimit Numër 303 në Spaç me fotografen Barbara Hausammann për të dokumentuar mbetjet historike të një vendngjarjeje nga më të rëndësishmet e historisë së pathënë shqiptare.[2]
Në pelegrinazhin e Spaçit të shenjtëruar nga agonia e mijëra burrave, i tronditur nga shkatërrimi i tij krejt i qëllimshëm, po aq sa i përhumbur përpara pamundësisë për ta dokumentuar të gjithë historinë dhjetëravjeçare të këtij mekami sublimuar prej vuajtes njerëzore, Lubonja përjeton një epifani.
Zor të ketë art që të mos jetë shfaqur në çaste epifanie! Kur ligjërata e ka të pamundur të thotë ; kur fjala është e zhvlerësuar si sot ; në rastin e shqipes, e zvetënuar nga zgjedha e tejzgjatur ; atëherë, në atë çast tërbimi e dhimbjeje për të thënë, nevoja për të shpërthyer tej fjalës prodhon artin!
Pavarësisht formës, njeriu është bërë për ta ndarë të shenjtën, sublimen me tjetrin ; kjo është çfarë na bën njerëz. Forma e gjestit, çastit ndarës, komunikues, dhurues për tjetrin, është çfarë e bën veprimin e dhurimit art.
Lubonja e rrëfen çastin e tij të epifanisë kur dhimbja e papërballueshme përpara masakrës, befas, çliron veprën e artit:
« Ideja e këtij instalacioni më lindi gjatë vizitës në Spaç me fotografen Barbara Hausammann këtë vit. Duke bredhur nëpër shtigjet e terrenit malor të minierës së Spaçit që të çojnë në hyrjet e galerive të minierës vuaja ballafaqimin e dy pamjeve që nuk përputheshin dot me njëra tjetrën: pamjes së Spaçit që kisha në kujtesë me atë që po më shihnin sytë. Ndërsa në kujtesë ruaja pamjen e Spaçit kur ishte kamp vuajtjeje dënimi, me minierën si qendrën e këtij ferri, në pamjen që më shihnin sytë mungonte shumëçka. Mungonin mbi të gjitha mijëra të burgosurit që e popullonin asohere, mungonin telat me gjemba që e rrethonin atë mal, karrakollet me ushtatarët që e ruanin. Edhe galeritë ishin të mbyllura: nuk mund të hyje brenda të vizitoje atë qytet të nëndheshëm me galeri panumër të kryqëzuara me kate, nënkate, furnele, shembje brenda të cilit qindra të burgosur të pajisur me nga një kandil në dorë, me kapelen në kokë e me lopata, kazma, martele, sëpata, sqepar, vagona në duar bubrronin me tre turne për të nxjerrë jashtë mineralin e bakrit dhe piritit në kushtet më primitive. Më mungonin edhe policët e shumtë. Ishte një rrënojë e asaj që ruaj në kujtesë të pashlyeshme. E në mes të kësaj rrënoje, syri ndalonte mbi objekte që, duke krijuar asosacione me të kaluarën, sikur e ripopullonin atë me njerëz, me historira, me jetën e asaj kohe. Fillova të mbledh ato objekte që më flisnin më shumë e që mund t’i fusja në çantën e shpinës apo t’i mbaja nëpër duar. Së bashku me kujtimet për miq e bashkëvuajtës të gjallë e të vdekur ndjeva të më gjallërohet dashuria e mbledhësit të antikave brenda meje. Fiksimi, ruajtja e objekteve që na kujtojnë të kaluarën që s’kthehet dot më ndoshta thellë thellë buron nga ankthi që na krijon asgjësimi pa gjurmë i historisë që kemi jetuar. A ka gjë më absurde sesa asgjësimi i mrekullisë së jetës, i asaj tonës dhe e të tjerëve? Këto objekte, në dukje banale, i kam ruajtur dhe vlerësuar pikërisht në tentativën për të ndaluar asgjësimin, harresën. Dhe jo thjesht me idenë e kujtesës së vuajtjes të dënimit të padrejtë që s’duhet harruar për të mos u përsëritur, por edhe me idenë e kujtesës së vuajtjes si pjesë e jetës, si emocion, si një shfaqje e dashurisë për jetën dhe njerëzit. Sepse dashurinë për jetën dhe për njerëzit më shumë se kudo e kam jetuar në ato kushte njerëzore që në dukje s’kishin asnjë arsye për t’u jetuar. »[3]
Mjafton ky paragraf për t’u përmendur se Lubonja është ndërkaq mjeshtër i fjalës së shkruar shqipe. Ankthi i skajshëm për ta dëshmuar gjallë ngjarjen e padyshimtë, me vëmendjen e mprehtë për t’i zgjuar (rritur!) vetëdijet pa i plagosur, është tmerrësisht i shtrenjtë për letrat e shqipes.
Letërsia e Lubonjës shfaqet në gjithë virtytin e vet në tri veprat e tij të mëdha: të pashoqen « Në vitin e shtatëmbëdhjetë »[4] ; të pashlyeshmen « Ridënimi » ; polifoniken « Jetë burgu »[5] : gjerdan i rrallë në letërsinë shqipe. Do të shtonim këtu një tjetër vepër të madhe e mjerisht ende të pabotuar : sagën e gjatë të letërkëmbimeve midis dy protagonistësh të ndryrë, Fatos Lubonjës dhe Bashkim Shehut, botimi i së cilës do të ishte një ndihmesë e çmueshme për historinë lerare të shqipes së shkruar mjeshtërisht në prapaskenën e realizmit socialist.
Premisa e kësaj vepre është dëshira e pashuar letrare që mban gjallë dy protagonistët meta-personazhe të saj, kallur në qelitë e Kampit të përqëndrimit të Spaçit, prej ku këmbejnë fshehtas pusulla e sfidojnë gjakngrirë, përmes një koreografie akorduar mjeshtërisht, varrin e gërmuar prej etërve të të dyve për bij etërish të tjerë. Praktika e dinamika rrëqethëse, cinike, perverse të funksionimit të majave (e bodrumeve!) të partisë-shtet shpalosen në rrjedhën e letërkëmbimeve, saga ndoshta më a madhe epistolare e letërsisë shqipe.
Lubonja e ruajti (ai e di sesi!) këtë manuskript monumental letërkëmbimesh! Para se të jetë një vepër e madhe e fjalës letrare shqipe, materialiteti i veprës është ndërkaq monument i historisë metafizike të artit pamor shqiptar; një body art sfidues dhuruar nga trupa të ndrydhur, të cilët guxojnë një mise-en-scène me xhepa uniformash maoiste kampesh përqëndrimi që mbushen e zbrazen me letra përfytyrimesh e ëndrrash letrare që zgjaten e tendosen si filli i Arianës : parë me sytë e sotëm, një vepër madhore arti mbi limitet e frikës dhe forcës së ëndrrës njerëzore në kampe pune të detyruar staliniste, e aftë të zverdhë guximet më të papërmbajtura të skajit fizik e psikologjik të Marina Abramović-it, përmendoret flijuese të së cilës mbeten vetëm simbolike, hije e zbehur e sakrificës « shkencore » socialiste që theret gjetiu![6]
Prapë, monumenti shkëlqyes i artit qëndrestar të Lubonjës, shtegu më i përkryer që ai përshkoi i vetëm në kampe skllavërimi për të hyrë në dyert e mëdha të arteve të vështrimit, më saktë, në skajin ku arti pamor puqet me atë letrar, shfaqet në gjithë insistimin e tij turbullues në materialitetin e romanit « Ploja e mbrame », shkruar fshehur e imët në letra të pafundme cigaresh të pandezura burgu, botuar e shpërfaqur pas lirimit.[7]
Kjo orë fillesash e shprehjes artistike të Lubonjës në pikëprerjen e artit letrar me atë pamor të trajtës konceptuale është pikënisja e artistit të sigurt që shfaqet në vijim. Çasti lajmëtar i instalacioneve me ready-made që pasojnë, arti i tij që lartëson në statusin e veprës objekte të përditshme përdorimi (detyrimisht në gjuhë Arte Povera!) lind kështu në kampet staliniste të shkatërrimit masiv të ndërgjegjjeve; aty ku nisin dhimbjet dhe nevojat e para të mëdha për të shpërthyer (shpëtuar!) sublimen prej peshës shkërmoqëse të skllavërimit.
Skllevër e lopata
Në kapakun e përmbledhjes me tregime « Jetë burgu » Lubonja lartëson në vepër arti shëmbëlltyrën e një lopate të vjetëruar e të ndryshkur, objekt banal i ndërtimit të socializmit « shkencor », pjesë e koleksionit me mbetje historike të mbledhura gjatë pelegrinazheve në Kampin e Spaçit. Lubonja i mbivendos kështu artit të tij të shkruar atë pamor të tijin për të mundësuar një përvojë sa më të plotë : mënyra e vetme për ta zhytur me forcë lexuesin në jetën e patreguar shqiptare zhvilluar në prapaskenën e perdes së realizmit socialist.
Në harkun kohor që zgjatet midis jetës së tij në burg dhe vëllimit « Jetë burgu », Lubonja është shfaqur ndërkaq si artist pamor i një gjuhe të thellë konceptuale, marrëdhënia e së cilës me të vërtetën nuk lejon hije dyshimi. Pasqyrë e dy kohëve, instalacionet e Lubonjës në mekamin e Spaçit motivohen nga ankthi për të vërtetën : zhdukja e gjurmëve të masakrës si gur i themeli i shoqërisë së kohës sonë ; shndërrimi i mbetjeve historike të Kampit të Spaçit nga prova të varrosura në vepra arti konceptual ngulmon të hedhë dritë në skenën e vërtetë ku vazhdon e zhvillohet ngjarja e diktaturës.
Lopata e rrëgjuar dhe e ndryshkur në kapakun e përmbledhjes me tregime « Jetë burgu » shndërrohet kësisoj në objektin simbol të shprehjes së gjuhës së thellë artistike të Lubonjës ; ngulmët, e njëjta lopatë, i njëjti objekt simbol, shfaqet edhe më herët të kryesojë sërish krejt e vetme në kapakun e vëllimit « Spaç: Objekte – Subjekte », vepër në të cilën Lubonja ringjall me përkushtim objektet e instalacioneve të Kampit të Spaçit. Prej këtej e tutje, Spaçi in toto shndërrohet në veprën e artit total (Gesamtkunstwerk) të Lubonjës!
Ganxha… Kunja… Kurorë teli me gjemba… Dymbëdhjetë hyrje letrare shoqërojnë si dymbëdhjetë apostuj objekte të shpëtuara prej kalbjes e harresës në terrenin e kampit-minierë përgjatë rrjedhës së fletëve të vëllimit « Spaç: Objekte – Subjekte » ; dymbëdhjetë përshkrime shprehëse të një shqise të fisnikëruar përmes devocionit shkruar për të vendosur mbi piedestalin e veprave të artit Objekte që shpërfaqin ngadalë natyrën dhe tiparet e Subjekteve të cilëve u përkasin ; objekte fatesh të thyera, sublimuar, shenjtëruar për t’u dhënë zë subjekteve që u fshihen pas.
Subjekti që fsheh lopata është Xhelal Beu; dallueshëm Subjekti i ndëshkuar vetvetiu, pashëlbyeshëm; kryesuesi i hierarkisë ndëshkimore : skllavi natyror i socializmit!
« Xhelal Beu
Xhelal Beu kaloi thuajse 40 vjet të jetës së tij në burg. Kohët e fundit në Spaç punonte me një lopatë në dorë si pastrues i rrugës ku kalonin kamionët që ngarkonin në trimozha mineralin që nxirrnin të burgosurit nga miniera.
Një ditë, nëpër atë rrugë, qëlloi të kalojë Kryetari i Degës së Rrëshenit që vinte herë pas herë të vizitonte burgun. Duket kishte qëlluar me humor të mirë sepse ndaloi me gjithë shpurën e tij teksa pa Xhelal Beun me lopatë në dorë :
« Nga je ti ? » – i tha.
« Unë jam bishti i lopatës » iu përgjigj Xhelal Beu. »[8]
Përmasa ruajtëse, përkujtimore, kremtuese e « vuajtjes si pjesë e jetës, si emocion, si një shfaqje e dashurisë për jetën dhe njerëzit » nga « ankthi që na krijon asgjësimi pa gjurmë » nga vetë « asgjësimi i mrekullisë së jetës » është vetëm njëra prej përmasave kuptimore të gjuhës së artit konceptual të Lubonjës.[9] Kurrfarë hije dyshimi s’mbetet sakaq se arti që fshihet pas lopatës si objekt simbol nuk është i cekët, epidermik, një-përmasor. Në gjuhën e thellë të ngarkesës së tij kuptimore mbërrihet duke përshkuar më parë një tjetër përmasë, të dytë, që e shenjon të kuptuarit e lopatës si emblemë e dhunës së kampeve socialiste të përqëndrimit, « alfa dhe omega e të dënuarit, shoqëruesja e përditshme, besnike, garancia e mbijetesës »[10] ; metonimia e dhunës, Subjekti i thjeshtuar në Objekt.
Dhe ja ku mbërrijmë kështu vetiu në përmasën e tretë të gjuhës së thellë të Lubonjës, të artit të tij tridimensional, që gropos të kuptuarit e lopatës si një prej veglave të lumtura, përfaqësuese universale e arteve të propagandës së diktaturës të proletariatit : realizmit socialist shqiptar ; substancë e trinisë së shenjtë të përfaqësimit ikonik të socializmit, në të cilën lopata shenjon atë të ndërtimit të socializmit ; kazma, të shkatërrimit të së vjetrës ; pushka, të mbrojtjes së socializmit, arritjeve.
Gropa dhe varri
Artii Lubonjës i detyron vështrimet të ngulen në plojën shqiptare, në katilët, skllevërit, të zhdukurit, përzënë nga sytë e publikut përmes administrimit të organizuar të shikimit. Sikur rëndom arti i madh, i Lubonjës shushat pagabueshëm, i than gjuhët. Të kundërshtohet s’guxohet! Heshtet, shmanget. Në kohërat e mbretërimit të industrisë së artit të zgavërt bashkëkohor, arti i Lubonjës mbulohet me shpërfillje, strategji e mbijetesës së trashëgimtarëve të tregtarëve të Tempullit socialist.
« […] arti i vërtetë nuk mund të ekzistojë nën një regjim diktatorial. […] [Artistët] e kufizojnë veten brenda « politikisht korrektit » ( shprehje e cila i përket fjalorit stalinist ). Shteti totalitar dhe arti e përjashtojnë njëri-tjetrin pikërisht sepse secili pretendon të jetë absolut. […] Një gjë duhet kuptuar mirë për intelektualët dhe artistët e RDGJ-së: ishte një grup i përzgjedhur me kujdes nga shteti, pa qenë as vetë ata të vetëdijshëm për këtë. Stasi i identifikonte talentet e reja artistike që në universitet, madje që në shkollë të mesme. Punonte për të favorizuar karrierat e atyre që përshtateshin më kollaj, për t’i shndërruar në artistë « zyrtarë », dhe për të shkurajuar ose penguar më origjinalët ose rebelët syresh. Për të përdorur një metaforë nga hortikultura, përzgjidhin filizat më të bindur ndërsa « barërat e këqija » shkuleshin rregullisht përpara se të kishin kohë të zhvilloheshin dhe të gjenin forcën për të rezistuar. Në fakt, qenë pikërisht « barërat e këqija » ata që do të kishin prodhuar artistë të mëdhenj. Artistët « zyrtarë » që pandehnin se përbënin avant-gardën e provokatorëve dhe sfiduesve, këtyre nuk ua priste mendja se ishin zgjedhur pikërisht për përkulshmërinë e tyre. »[11]
Arti i Lubonjës nuk mjaftohet të kallë në gropë simbolet e lumtura të arteve të propagandës së Frankenstein-socializmit shqiptar ; me artin e tij Lubonja kërcënon vetë sipërmarrjen për ri-estetizimin e shpërfaqjeve të realizmit socialist ; ngarendjen për rikualifikimin e artit të propagandës enveriste në rrjedhën (zgjedhën!) e industrisë së artit bashkëkohor cheap shitur shtrenjtë.
Dilema e artit bashkëkohor shqiptar përshpejtohet paskëtaj në zgjedhjen midis dy ofertave për gjenealogjinë e tij :
Ajo mitike me monumentet e artit pamor të Lubonjës të dala prej burgjeve në prapaskenën e realizmit socialist ; me shijen e tyre për të ashprën, të vërtetën, me kërkimin këmbëngulës për zemrën materiale të gjërave, deri në pikën që shndërrohen në shenjë të kohës (qëndresa!);
Ajo banale që i nënshkruhet vijimësisë institucionale së realizmit socialist të ripërtypur për industritë e pushteteve të reja, me pasionet e tyre frivole, epidermike, me sensacionalizimin e marrëdhënies së tyre të dyshimtë me industrinë globale të artit bashkëkohor (konformizmi!).
Nëse kriteri do të ishte e vërteta, lopata e zhvarrosur e Lubonjës do të ishte monument i rëndësisë kombëtare, njëjtë me varrin e Naimit! Sikur i vetëm Naimi u tret e përvëlua sa të munt t’u ndrinj më mirë e një gjuhë t’u falë shqiptarëve (ta shkruajmë ende mësuar s’kemi!), lopata e patretur e Fatosit çel epokën e artit të vërtetë bashkëkohor shqiptar.
Nëse e vërteta nuk do të qe komprometuar, e derri të mos quhej më dajë, në vilën që squat-oi Enveri do të kishte mbirë bari! Ose pronari! Laboratori i artit të vërtetë bashkëkohor shqiptar do të ishte Kampi i rrënuar i Spaçit, Gesamtkunstwerk i Lubonjës.
© 2026 Holta Vrioni. Të gjitha të drejtat e « Triptikut të lopatës së Fatos Lubonjës » i përkasin Holta Vrionit. Të drejtat e imazhit origjinal i përkasin Fatos Lubonjës.
[1] Botuar më herët në përmbledhjen me shkrime « Revizion i kohës përmes Fatos Lubonjës » dhuruar Fatos Lubonjës me rastin e datëlindjes së tij të 75-të. Shih: Vrioni, H., « Lopata! Lopata! Lopata! », në Vrioni, H., Azizi, O., Hatibi, E., Revizion i kohës përmes Fatos Lubonjës, Éditions de l’Oliveraie, Paris, 2026, f. 109-117.
[2] Kampi i Spaçit shfaqet këtu edhe me emërtimin « kamp përqëndrimi » e « skllavërimi ». Kampet ndëshkimore të punës së detyruar të socializmit të planifikuar, përqendrues e « shkencor » njiheshin si të tilla dhjetëvjeçarë më herët se Aleksandr Solzhenitsyn-i ta letrarizonte përvojën e tij. Pyetjet mbi pajtueshmërinë e ideologjisë socialiste me socializmin e aplikuar janë shtruar që në zanafillë. Për një trajtesë relativisht të hershme shih: Vintarel, Guy, « L’U.R.S.S. Concentrationnaire. Travail forcé. Esclavage en Russie sovietique », Spartacus, 2° Série, N° 14, korrik 1949.
[3] Spaç: Objekte-Subjekte, EU Info Centre 2012.
[4] « Kjo vepër është më shumë se renditje faktesh – ajo është një vepër arti […] që, përmes gjuhës së fuqishme dhe stilit, do të zerë një vend të merituar në letërsinë shqipe », shkruan Martin Camaj në kapakun e pasëm të botimit.
[5] Në vitin e shtatëmbëdhjetë : Ditar burgu 1990-1991, Botimet Marin Barleti, Tiranë 1994 ; Ridënimi, Botimet Përpjekja, Tiranë 1996 ; Jetë burgu, Skanderbeg Books, Tiranë 2021.
[6] Performancat e Abramović-it më 1973-1974 të ciklit Ritmet përqendrohen në pasqyrimin simbolik të të flijuarve të socializmit jugosllav. Vlerësimi i përmasës së sinqeritetit të premisës denoncuese në rradhët e më të privilegjuarve të socializmit jugosllav, sikurse Abramović-i, nuk është temë e kësaj trajtese. Mbetet fakt se një pjesë e performancave me simbolikë flijuese të saj rrezikuan të merrnin trajtë të vërtetë më se një herë. Shih Abramović, Marina, Ritmi 5 ( 1974 ) ; Ritmi 0 ( 1974 ) ; Ritmi 10 ( 1973 ).
[7] Ploja e mbrame, Botimet Marin Barleti, Tiranë 1994
[8] Spaç: Objekte-Subjekte, f. 4
[9] Ibid., f. 30.
[10] Vrioni, Holta, « Për të mos iu fshehur detyrimit! », Nyje, 17 janar 2026.
[11] Komentet janë mbledhur në intervistën që regjisori Florian Henckel von Donnersmarck ( Das Leben der Anderen, 2006, Wiedemann & Berg Film, Creado Film & Co. KG ) dha për revistën « Zéro de conduite » më 2007. Shih: Philippot, Vital, « L’art véritable ne peut pas exister sous un régime dictatorial », Zéro de conduite, parë së fundmi më 2 mars 2026: https://www.zerodeconduite.net/article/lart-veritable-ne-peut-pas-exister-sous-un-regime-dictatorial
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.