GRUAJA NË KUFI – KOMENTE

Në lidhje me sprovën time, për një interpretim (kritik) të vjershës “Gruaja e kufitarit”, po i përmbledh disa mendime dhe përgjigje ndaj komenteve këtu më poshtë.

Natyrisht, kjo vjershë nuk spikat si e tillë, si vepër arti. Për mua është e dobët, kitsch, pak manipuluese madje edhe moralisht e kalbët. Por kështu janë 99% e veprave të Realizmit Socialist, që si metodë letrare nxiste dhe ushqente skematizmin. Në kuptimin që kufitari do të jetë doemos personazh pozitiv (nuk ka kufitar të keq!) dhe gruaja e tij do të ketë zë të ëmbël; dhe në kuptimin që një grua e realizon veten te fëmijët që janë e ardhmja, etj. Dhe në kuptimin që jeta larg (në kufi) i ka momentet sublime më të pastra, më të qëruara. Dhe në kuptimin tjetër, që personazhet te ky mini-rrëfim identifikohen sipas roleve: komandanti i kufirit, gruaja e tij ish-nuse, fëmijët, dhe mysafiri që e dëshmon (dhe e regjistron) momentin për “ne të tjerët”. Këto janë të gjitha skematike.

Por kjo edhe e bën veprën të denjë për një lloj analize specifike: si vepër mesatare, e pangjyrë, ajo mishëron më qartë esencën e metodës; poezia si specimen i një mënyre të caktuar të shkruari. Nuk është e thënë që kritika të merret vetëm me kryeveprat – madje, për qasje të caktuara, veprat e pangjyra janë më të përshtatshme, për të kuptuar intertekstualitetin, ose praninë e veprave të mëparshme tek e tanishmja. Meqë, mund të supozojmë pa gabuar, se këtë vjershë e ka shkruar metoda, ose intertekstualiteti; vjershat që i kanë paraprirë dhe dëshira e autorit për t’iu konformuar një mënyre të caktuar të së bërit poezi, brenda rregullave të metodës dhe të zhanrit.

Të njëjtin përfundim mund të nxjerrim edhe po ta shohim kornizën narrative: një darkë, një çift, një mysafir, një vend i humbur. Përqasja ime me trekëndëshin te The Bridges of Madison County ishte ironike; sepse afërsinë formale e shfuqizon zhanri vetë. Mirëpo unë, dhe kushdo tjetër, nuk jemi të detyruar ta lexojmë vjershën doemos sipas kanoneve interpretative të kritikës zhdanoviane. Nusja, nëna e fëmijëve, amvisa që përgatit darkën në një shtëpi në fshat, mysafiri për darkë – këto kanë domethënie të caktuar brenda skemave narrative të realizmit socialist, por kanë domethënie edhe jashtë këtyre skemave. Dhe teksti vetë nuk është se na udhëzon fort si ta lexojmë vjershën: veç vargut “me një zë prekës dhe të ëmbël”, nuk ka asgjë në tekst që të na e kumtojë drejtpërdrejt qëndrimin emocional të “autorit”. Nëse ky qëndrim përcillet, kjo ndodh nëpërmjet stereotipisë: amvisa, kufitari, gruaja, nusja, të gjitha këto janë figura të gatshme, modulare, që qarkullojnë në çdo vepër të realizmit socialist – narrativë, poezi, teatër, film – duke i ofruar publikut një pasqyrë për t’u parë; nuk ka nevojë të thotë gjë teksti specifik, sepse kufitari, nëna, amvisa e sjellin ngarkesën e vet etike me vete, të gatshme, për t’ia konfirmuar çdo lexuesi që kërkon konfirmimin.

Një kriter disi më objektiv do të ishte leksiku dhe konstelacionet leksiko-semantike (izotopitë semike) në vargjet. Për shembull, ka një izotopi të drurit, me panjën e palatuar, drunjtë që digjen në vatër, dërrasat e dyshemesë që kërcasin, rafti ku kish vënë gruaja këpucët… dhe që përcjell ndjesinë e shtëpisë (vatrës); ka një izotopi të organizuar rreth kundërvënies ngrohtë/ftohtë: nata përjashta, dëbora që bie dhe, përballë, zjarri në vatër bashkë me darkën që po gatuhet; ka një izotopi të së bardhës: dëbora, këpucët e gruas, dita e martesës (kostumi i nuses); ka një izotopi të familjes: burri, gruaja, martesa, fëmijët; ka një ndërhyrje disi alarmante, diskordante, të së kuqes: hëna e kuqe (si lajmëruese kobi), bozhuret. Kalimi nga dëbora përjashta te veshja dhe këpucët e nuses dhe çarçafët e natës së parë të çiftit më duket i vetvetishëm; njëlloj si ai nga e kuqja e bozhureve dhe e kuqja e hënës te gjaku i zhvirgjërimit në çarçaf dhe te gjaku tjetër, i të vrarëve në kufi; ka një lidhje, po aq leksikore, midis këpucëve që shkelin dhe kufirit që (nuk duhet të) shkelet; në përgjithësi, familja (kufitari, gruaja, fëmijët) na vjen e rrethuar nga gjithfarë rreziqesh: të ftohtit, gjaku i së kuqes, zjarri që mund ta përfshijë shtëpinë vetë, madje edhe mysafiri hero lirik, që e konstaton këtë tension. Nëse ka një dramë në sipërfaqe, është ajo e gruas që kujton me mall kohën kur vishej bukur – çfarë nënkupton një lloj vyshkjeje të marrëdhënies më pas, në kontekstin e detyrës gati asketike të së shoqit; por lexuesi ka besoj të drejtë që ta gjejë dramën edhe te një lloj zhgënjimi ekzistencial i gruas, për shkak të një ftohtësie që nuk arrin ta dëbojë zjarri në votër dhe druri me të cilin e ka rrethuar i shoqi.

Brenda skemave të realizmit socialist, një vjershë e tillë nuk mund të synojë, të paktën haptazi, që të përcjellë një zhgënjim të tillë, pa folur pastaj për krizën seksuale të çiftit. Siç e vërejta, te shkrimi i mëparshëm, tema të tilla morale ishin bërë klishe, në poezinë e atyre viteve – në vazhdën e vjershës aq të suksesshme dhe influenciale të Kadaresë, për mësueset e fshatit dhe sugjerimit sa moral aq edhe patetik se larg Tiranës, në fshat (në malësi, në kantiere, në provincë) virtyti realizohet më i pastër – sepse edhe konteksti është më i thjeshtë edhe tundimet materiale nuk gjejnë dot truall. Shkrimtarët e asaj kohe përpiqeshin me thonj e me dhëmbë që ta gjenin të mirën tek e përditshmja – përndryshe aq mizerabël – e njerëzve të zakonshëm në periferi të shtetit, që duhej të ishin edhe heronjtë, ata që ndërtonin socializmin sakrificë pas sakrifice; “të thjeshtët gjer në dhimbje”, ose anti-meskinët.

Por çfarë e bën sipërfaqen, cipën e kësaj vjershe moralisht të kalbët, është figura e komandantit të kufirit (që veç hesht, siç do të pritej prej një heroi të heshtur si ai), duke pasur parasysh se çfarë përfaqësonte kufiri, për lexuesin në Shqipërinë e vitit 1986, ose të një kohe kur po rritej dhe shumohej, në atë vend, një brez i tërë që identifikohej me ëndrrën e arratisjes: vetëm katër vjet më vonë, këta lexues do të dyndnin oborret e ambasadave dhe pastaj do të sulmonin anijet në portet e Adriatikut, për të ikur.[1] Për psikologjinë kolektive të shqiptarit të Shqipërisë, aso kohe, kufiri ishte një përmasë gati metafizike: gjithçka që pengonte lirinë individuale dhe përpjekjen për mirëqenie dhe lumturi. Ishin vitet kur qëllonte rëndom që të vriteshin prej rojeve, në kufi, djem dhe vajza që thjesht dëshironin të kalonin andej; ndonjë prej të vrarëve madje e sillnin pastaj në fshatrat kufitare, duke ia tërhequr trupin zvarrë, për të tmerruar banorët. Kufiri ishte përkujtesa totale se Shqipëria ishte shndërruar në burg. Prandaj edhe lexuesi i sotëm mund të gabohet dhe ta përfytyrojë komandantin e postës kufitare si ndonjë lloj doganieri tejet paranojak, dhe të ngrejë pastaj supet, kur ta pyesësh për ethosin e vjershës në fjalë – por ky është edhe lexuesi që duhet ndihmuar, besoj unë, të kuptojë; ose të shkojë përtej interpretimeve të pafajshme të një letërsie militante, të prodhuar dhe të konsumuar në masë.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Edhe vetë komandanti i postës së kufirit, në vitet 1990, do të ketë përfunduar në roje private të ndonjë strip-klubi në Athinë – skenari që sugjeroi një koleg te komentet, për varre madhështore, duket pak si i pagjasë, sa kohë që policët dhe hetuesit dhe gardianët e regjimit Hoxha nuk i preku kush.

5 Komente

  1. Ke harruar te na thuash se c’u be me gruan e kufirit pas ‘90. A u nda nga kufitari? Kaperceu valle kufirin dhe vajti ne Greqi? Apo ndoshta iku me gomone.
    Shume zhurme per asgje. Gruaja e kufitarit jetonte ne te njejten humbetire si gruaja e “Madison….
    Ashtu si per italianen, femijet ishin gjeja me e rendesishme e saj, edhe per gruan tone, po njesoj.
    Kjete grua qe mbante ere barut ( ndoshta cokollate) mund ta vendosje ne cdo vend te globit dhe roli i saj do ishte I njejte.

    1. Shkruan:

      Ke harruar te na thuash se c’u be me gruan e kufirit pas ‘90. A u nda nga kufitari? Kaperceu valle kufirin dhe vajti ne Greqi? Apo ndoshta iku me gomone.

      Jeta imiton artin. Në kuptimin që ca gjëra, pasi shkruhen, nuk i shmang dot më. Sot ishte edhe përvjetori i ngjarjeve të “ambasadave” në Tiranë…

  2. Vec romanca me mysafirin mungon tek “kufitarja” jone. Por pas gjithe ketyre imagjinatave, pse mos ta fantazojme edhe kete.

  3. Në fakt, vjersha, duke qenë tejet skematike dhe me gjuhë të drunjtë nuk të le vend për fantazime. Sikur autori ta kishte lënë deri te vargu i tretë nga fundi, ndoshta do të përmirësohej disi. Mirëpo, Partia dhe realizmi socialist nuk mund ta pranojnë qoftë edhe pakëz trishtim në fund të një vjershe; trishtimi është mikroborgjez. Gruas së kufitarit mund t’i vijë pak keq për këpucët e bardha majëholla të nusërisë (që mbase nuk do t’i veshë më kurrë), por menjëherë i rikthehet buzëqeshja, pasi në dhomë, bashkë me fëmijtë, hyn dhe hareja . Pa fund të lumtur nuk ka socrealizëm.

  4. Me duket se poezia e mesiperme pa rime (vetem dy strofa apo me shume?) e ka thene cfare ka dashur te thote. Jemi ne nje kohe ku per ruajtesit e kufirit bucisnin vjersha e kenge me furi! Por aty prane ndhen edhe disa njerez pa ze, me gezime e hidherime te padalluara, me ndjenja njerezore, ndoshta ne dukje jo aq patriotike dhe parimore, te cilet (besohej e kuptoni se eshte: te cilat), meritojne nje fjale te mire, nje varg, nje vjershe, nje kenge, pa rime dhe furi, te thjeshte e me ndjenje! (Jam kurioz ta dij nese vjersha eshte me e gjate se kaq sa duket ketu!)

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin