ORWELLI KUNDËR ORWELLIT

kindleKonsumi i librit në format elektronik i bashkëlidhet pandashëm kompjuterit, por si teknologji përjetoi një hop të vërtetë sasior qëkur u përqafua nga Amazon.com, nëpërmjet formatit Kindle.

Për ata që nuk e dinë, po sqaroj se Kindle është një platformë për të lexuar kryesisht e-libra, të cilët si rregull shkarkohen pa tel, nëpërmjet rrjetit SPRINT (në ShBA).

Në vend që ta blejë librin në librari, lexuesi i bën pagesën Amazon.com ose një koncesionari çfarëdo, dhe libri i dërgohet në format elektronik, në një pajisje leximi portative të cilën e shet vetë Amazon.

Promovuesit e Kindle me të drejtë kanë argumentuar avantazhet e sistemit – kursimin në para dhe në hapësirë, por edhe ruajtjen e mjedisit nëpërmjet mbrojtjes së pyjeve dhe të ujërave; mundësinë për të bartur një numër të madh librash me vete; mundësinë tjetër për të mbajtur shënime, nxjerrë citate etj.

Idealisht, Kindle mishëron njëkohësisht tipare të librit, të televizionit, të telefonisë celulare dhe të Internetit; disa gazeta madhore, si The New York Times, mund të përcillen automatikisht në Kindle çdo mëngjes, përkundrejt një pagese modeste.

Në përgjithësi ky sistem është pritur me entuziazëm të madh nga të gjithë ata që, si rregull, i përshëndetin të gjitha ato risi teknologjike që ua bëjnë njerëzve jetën më të lehtë.

Sipas CEO-s të Amazon.com Jeff Bezos, sa herë që formati elektronik i një libri ofrohet krahas formatit në letër, i pari mbulon rreth 35% të shitjeve të titullit në përgjithësi. Për një produkt të hedhur në tregun e gjërë vetëm dy vjet më parë, shifra të tilla janë marramendëse.

Megjithatë, një incident i pak ditëve më parë duket sikur ua konfirmoi rezervat dhe dyshimet të gjithë atyre që e shohin si kërcënim këtë tkurrje të teknologjisë tashmë tradicionale të librit prej letre.

Një kompani palë e tretë kishte përgatitur në format elektronik dhe nxjerrë për shitje në Amazon.com një numër titujsh, pa i pasur të drejtat për të vepruar kështu. Ndërkohë, shumë nga këta tituj ishin shitur normalisht (në format elektronik) dhe transmetuar drejt lexuesve Kindle të qytetarëve privatë.

Amazon.com ndërmori diçka të pabesueshme: ua fshiu librin nga kujtesa të gjithë lexuesve Kindle, duke përdorur për këtë po atë kanal me të cilin i kish përcjellë librat – lidhjen pa tel.

Kështu, lexuesit u gdhinë mëngjesin tjetër, për të konstatuar se librat nuk i kishin më në bibliotekën e tyre “virtuale” – edhe pse Amazon.com ishte kujdesur t’ua kthente paratë e shpenzuara.

Ironia e ironive: mes librave të trajtuar në këtë mënyrë nga korporata gjigande e tregtisë online, ishin edhe romanet 1984 dhe Animal Farm të George Orwell-it.

Regjimi totalitar në romanin 1984 mban në këmbë institucione të tëra të cilat merren me rishkrimin e historisë dhe të arkivave – duke i manipuluar në mënyrë të tillë që e shkuara gjithnjë t’i përshtatet atij interpretimi të së sotmes që i përshtatet politikës së momentit.

Departamente të posaçme merren atje me zhdukjen e materialeve komprometuese, emrave, dokumenteve, ndoshta edhe librave; por sigurisht autorëve.

Regjimi stalinist në Rusi e kishte perfeksionuar këtë metodë të rikrijimit të historisë që në vitet famëkeqe 1930, të spastrimeve të mëdha. Ashtu edhe regjimi i Enver Hoxhës në Shqipëri do të mjaftohej ta importonte këtë teknologji manipulimi të historisë të gatshme, për ta zbatuar me zell burokratik kudo ku të ishte nevoja…

Kujt nuk i kujtohen fotografitë e tribunave të hershme, ku tashmë kish mbetur vetëm Enveri së bashku me ndonjë mustaqelli inkonsekuent?

Të tjerët ishin retushuar dhe fshirë nga kujdestarët tanë të së shkuarës, edhe pse ndonjëherë mund të shquheshin si hije a fantazma, por duheshin sy të fortë.

Pa zënë pastaj në gojë se, kur ndonjë shkrimtari qëllonte që i perëndonte ylli, fabrikat tona të kartonit e realizonin planin pesëvjeçar brenda natës. Bibliotekat private kishin seksione të fshehta, ku mbaheshin libra që përndryshe nuk ekzistonin.

Romanin tashmë të shtypur, por përfundimisht të bllokuar të Petro Markos, Një emër në katër rrugë, ma pat dhënë për ta lexuar një punëtor i stabilimentit “Mihal Duri”, që e kishte nxjerrë nga shtypshkronja – ende pa kopertinë.

Të njëjtin fat do ta pësonin edhe veprat e klasikëve dhe të Enverit vite më pas; në vitet 2000 ka qenë gjithnjë e më e vështirë të gjeje vepra të Enver Hoxhës në qarkullim, e aq më pak në bibliotekat private të qytetarëve.

Megjithatë, shkatërrimi i një libri të vërtetë, prej letre, kërkon mundim; por edhe guxim për t’i dalë punës zot, siç e ka treguar Ray Bradbury, në Fahrenheit 451. Temperaturat e larta gjatë djegies ndonjëherë nuk përballohen dot nga mjedisi; krematoriumet dalin jashtë përdorimit; publiku ankohet për vapën dhe tymin; zjarrvënësit përfundojnë në çmendina.

E gjithë kjo parantezë më bind potencialin totalitar të këtyre teknologjive të reja; të cilat u japin mundësi gishtave komandues, por përndryshe të padukshëm, që ta zhdukin informacionin me një të shtypur butoni – dje vetëm një numër titujsh juridikisht të parregullt, por nesër diçka shumë më subversive se aq.

Mendoni sikur t’u zhdukej një ditë prej ditësh, nga biblioteka, Nietzsche-ja ose Freud-i ose edhe Naomi Wolfe; madje edhe pa lënë kurfarrë vendi bosh mes librave të tjerë, por krejtësisht, duke marrë me vete edhe hapësirën që zinte.

Jemi vallë gati t’i vëmë këto hijena të informacionit në kontroll të leximeve tona, në emër të progresit teknologjik?

6 Komente

  1. Personalisht jam mbeshtetes i teknologjise dhe inovacionit dhe mendoj qe çdo risi duhet te pritet me mendjen e hapur e pa harruar qe mbetet vetem nje instrument.

    Dhe si çdo instrument ka efekte pozitive vetem nese eshte ne duart e duhura.

    Pra ashtu siç u vu ne dukje ne artikull dhe pasi e kemi provuar ne kurrizin tone per 50 vjet, nuk u prit teknologjia e sotme per vene ne pune skenarin e Big Brother 1984.

    Ne rastin e Kindle nuk duhet denuar teknologjia e librit elektronik por menyra se si Amazon ka ndertuar sistemin e shitjes se librave me ane te Kindle.
    E mbi te gjitha duhet te veme ne dukje qe ishte teknologjia e internetit qe beri te mundur perhapjen e lajmit te cilin ne po e komentojme me ane te teknologjise.

    Ne rastin e Kindle-Amazon kemi te bejme me nje sistem te mbyllur ku klienti qe ble Kindle lidhet me wireless dhe axhornon gazeten e mengjesit dhe librat.
    Dhe sipas kontrates klientat nuk kane te drejte te shesin librat, ti shkembejne, apo te shtojne vete. çdo transaksion duhet te behet nepermjet Amazon.

    Pra ne kete rast nuk duhet te behet krahasimi midis bibliotekes personale ku une mbaj librat e mi dhe bej çfare te dua.
    Ne kete rast krahasimi duhet te behet midis nje biblioteke private ku une regjistrohem dhe ata me japin librat per ti lexuar.

    Dhe me futjen e librit elektronik do tu jepet mundesia te gjitheve te kene akses ne nje “Biblioteke te Aleksandrise”, te mbajne me shume libra me vete sepse çmimi i memorieve po bie e te kene mundesi qe te elaborojne e kerkojne informacionin ne keto libra me shpejte e me lehte.

    Per mendimin tim nuk duhet te bllokojme evolucionin dhe zhvillimin e teknologjise por te mbajme lart vigjilencen ndaj keqperdorimit te saj.

  2. Me te vertete ironike qe ishte pikerisht nje nga librat e Orwell-it qe u zhduk pa lene gjurme nga Amazon dhe vetem disa dite me vone u be publik (dhe kjo fillimisht nga blogje te ndryshme).

    Megjithate une mendoj se aparatet per leximin elektronik te librave kane avantazhe te konsiderueshme qofte ne shperndarjen ashtu dhe ne mundesite me te mira per perdorimin e teknikave sociale te mesimit elektronik (e-learning). Imagjinoni psh. rastin kur nje nxenes perdor nje lexues elektronik per te vizatuar skemen e nje eksperimenti qe e ka marre per detyre ne fizike ne shkolle dhe e perdor lexuesin elektronik per te testuar zgjidhjen e tij apo per ta krahasuar ate me zgjidhjet e nxenesve te tjere. Apo kur lexojme dicka ne gjuhe te huaj psh. me nje lexues elektronik nuk kemi me nevoje qe per fjale te reja te hapim fjaloret e te kontrollojme deri sa te gjejme fjalet por mjafton nje prekje e fjales ne lexuesin elektronik per te na e dhene kuptimin ne gjuhen meme menjehere. Dua te them qe avantazhet dhe mundesite qe mund te japin perspektivisht lexuesit elektronike ne mesim jane te pakrahasueshem pasi keto aparate mundesojne menyra bashkeveprimi inteligjente dhe sociale pra mund te perdorin te gjithe gamen e bashkeveprimeve qe lejon teknologjia numerike.

    Problemi qe hasim sot ne tregun e librave elektronike eshte kontrolli thuajse total i permbajtjeve nga pak korporata. Per mendimin tim kjo vjen nga fakti qe lexuesit elektronike jane teknologji e re tregu i te cileve eshte i ndare akoma ne pak firma. Pra kontrolli i pak firmave eshte shume i madh. Zgjidhja per kete eshte nga njera ane diversifikimi. Dmth. futja ne treg e shume firmave te cilat konkurojne me njera tjetren dhe ndajne kontrollin. Ky proces diversifikimi dhe shperndarje kontrolli ka filluar tashme dhe une besoj se ne pak vite kjo qe beri amazon para pak ditesh do te jete po aq e veshtire sa te mundohesh te kontrollosh vete internetin. Meqe ra fjala dhe vete lajmi per kete incident u dha brenda pak ditesh nga blogje qe nuk kontrollohen nga amazon. Per krahasim lajmi se nje tufe librash fizike u dogjen ne filan krematorium eshte shume me i thjeshte per tu kontrolluar. Vete informacioni se ekzistonte nje industri e tere per djegjen e njerezve ne Gjermanine e kohes se luftes u mbajt per kohe te gjate i fshehur dhe bile me sukses.

    Nga ana tjeter vete njerezit duhen ndergjegjesuar se alternativat qe ofrojne korporatat nuk jane te vetmet alternativa. Une tmerrohem kur shoh lumin e njerezve te ndajne informacione private ne rrjetet e medha sociale te kontrolluara nga firma komerciale si facebook. Dhe kjo pavaresisht se kostot per softwaret perkates (rrjetet sociale) kane rene tashme aq shume sa eshte plotesisht e mundur qe i njejti sherbim te ofrohet nga entitete jokomerciale. Poashtu sapo kane filluar te dalin teknologji shpresedhenese (p2p social networks) ku vete ne te jemi pronare te te dhenave tona. Mbase duhet pritur pak me shume kohe. E kam fjalen.. kush e mban mend geocities ne fundvitet 90? Ku eshte geocities sot? Une shpresoj e besoj qe i njejti fat ta prese dhe facebook. Interneti eshte teknologjikisht aq inovativ sa cikli i jetes e vdekjes se sistemeve brenda tij te mos i kalojne pak vite. Pasi ato pak vite mjaftojne qe baza teknologjike te jete nderruar nderkohe plotesisht dhe ato firma qe deri dje ndriconin me nje imazh inovativ e agil te duken sot aq te vjeteruara.

  3. Ashtu sic ka akoma treg per flete papirusi (pavaresisht se teper i vogel), ashtu mendoj se do te vazhdoj te kete treg per librin e shtypur.

    Persa i perket teknologjise dhe ruajtjes se identitetit, kali i trojes eshte celulari qe mban ne xhep 24 ore ne dite.

  4. “Too old to Kindle, too young to die”, (po të perifrazojmë një titull të Jethro Tull-save), do ta jepte pak idenë që kam për ta zëvendësuar librin me diçka tjetër.
    Mua libri më duket hiperteknologjik, i lehtë, i bukur, rezistent, i manovrueshëm, i thjeshtë në përdorim, me një aromë aq të këndshme…
    Libri elektronik a mund të përdoret me të njëjtën nonchalance si LIBRI në metro, në rradhë për bukë, në plazh, në halè, në burg, duke ecur, duke pirë xhin, duke ngrënë, i shtrirë përtokë, përmbys, brinjazi, në kurriz, i futur nën jorgan, me katër jastëkë, me abazhur majtas, me abazhur djathtas, me neon, duke lexuar një fjali, një varg vjedhurazi teksa je duke dalë nga shtëpia etj?
    Nuk jam i sigurtë që kjo teknologji e re e ruan më shumë mjedisin për sa kohë që nuk jam bindur si do t’i riçiklojnë ekranet me plazëm, bateritë… kur t’u vijë rradha këtyre pajisjeve të ndërrohen, të dalin nga loja.
    Libri në format elektronik zë më pak vend…kjo po.
    Sa për atë që mund ta marrësh, po deshe, gjithë bibliotekën me vete kur udhëton nuk më duket avantazh. Përpara se të udhëtoj zakonisht qëndroj karshi bibliotekës sime modeste për 1-2 minuta dhe zgjedh ata 1 ose dy libra që do të më shoqërojnë kësaj here, sipas gjendjes shpirtërore, interesave apo obsesioneve të çastit. Se e di që mendja e njeriut një është dhe më shumë se 1 ose 2 libra s’do të jem në gjendje të lexoj. Dhe, gjithashtu, e di që më i miri i udhëtimeve është…të udhëtosh pa u nisur kurrë…grilat të ulura, kruspullosur në divan…me një libër përpara

  5. Arben avantazhet e verteta jane tek mundesite e reja te bashkeveprimit dhe jo aq tek memoria. Lexuesit elektronike jane te brishte dhe (akoma) nuk e konkurojne librin ne perdorimin “harbut” 🙂 si zevendesuesh te perkohshem te ndonje kembe te humbur te komodines apo lavatrices psh. Por nuk eshte cudi te arrijme dhe aty. Kush e di dhe i ka pare kompjuterat, me fal koloset prej hekuri, te para 30 vjeteve dhe evoluimin e tyre ne madhesine e nje cope sapuni sot nuk duhet ta habise me asgje.

    Teknologjite qe kane risk te madh si kjo e lexuesve elektronike nuk e shtojne riskun akoma me teper duke e modifikuar rrenjesisht dhe menyren se si perdoren aparatet por kopjojne ne fillim dicka te njohur. Prandaj lexuesit elektronike jane sot kopje te brishta te librit ne menyren e funksionimit por neser do te jene derrase e zeze, laborator fizike e mesues gjuhe njekohesisht apo me mire/keq akoma dicka qe sot nuk e njohim. E kam fjalen qe mundesite jane shume te medha sepse menyrat e bashkeveprimit jane te shumellojshme. Kujt ja priste mendja se sistemi per te shkembyer ato dy shkronja ne te famekeqin 29 tetor te 69-tes do te zhvillohej ne internetin gjigand te sotem. Poashtu vete e-mail (duket dhe nga emri) nisi duke kopjuar komunikimin ne posten klasike e eshte zhvilluar tashme ne nje menyre e kulture tjeter komunikimi.

  6. Barbarë: kjo farsë më sjell ndërmend djegien e Bibliotekës së Aleksandrisë. Mandej të gjitha produktet negative që prodhon çdo lloj barbarizmi i organizuar dhe censure në vetvete. Qysh nga Inkuizicioni gjer tek regjimi i Talibanëve, nga Hitleri, Stalini dhe Enveri, gjer tek genocidet multietnike kundrejt kulturave dhe dijes, etj.

    Ti shohësh gjërat me një sy të tretë: këtë lloj kumti shpullos kundrejt shoqerisë njerëzore edhe Orwell-i në librin e tij “1984”. “Rastësia” në rastin në fjalë, ku janë fshirë nga “memoria” e bibliotekës së servirur virtuale edhe këto libra të Orwell-it më duket kob-ndiellëse për vitet dhe gjeneratat në vijim (në aspektin censurë, autocensurë, totalitarizëm modern, etj). Ndaj të gjithë thelbin e shkrimit dhe diskutimeve të mësipërme unë e lidh pazgjithshmërisht me pyetjen që shtron Xha Xhai: “Jemi vallë gati t’i vëmë këto hijena të informacionit në kontroll të leximeve tona, në emër të progresit teknologjik?”

    Progresi: mendoj se problemi nuk qendron tek modulet e evoluimit të formave të leximit. Tek e fundit është çështje përshtatjeje dhe përzgjedhje se si dëshiron apo ndihesh rehat në leximin e një libri. Thelbi (d.m.th. leximi i tekstit) është po ai. LIBRI. Ndryshon veç forma. Mjafton të kesh po të njëjtën etje për ta përthithur dhe vullnet për ta mbrojtur DIJEN nga barbarët e djeshëm që dogjën Bibliotekën e Aleksandrisë apo “hienat e sotme të informacionit”.

    Përsëri progresi: natyrisht, teknikat kibernetike e kanë thjeshtuar dhe bërë të favorshëm leximin në aspektin hapësinor-kohor, dhe kjo është për tu përshëndetur. Aty ku shpenzohej për lëndën e parë, për kohën e përshkuar nga lënda tek botimi e nga libri tek lexuesi, për hapsirën që kjo lëndë të jetë e vendosur, depozituar, diku, etj, etj, …ja tek e ke gjithshka me vete, më thjeshtë, më volitshëm, më bukur.

    Libri: tek e fundit vet në vetvete është Kujtesë (memorie). Dhe historia e Krijimit ka filluar pikërisht sepse njerëzimi do të përligji, mirëmbajë, evidentojë, higjenikisht Kujtesën e tij. Histroia e Shkrimit i erdhi në ndihmë Kujtesës vetëm për ta mirëmbajtur dijen nga “erozioni kohës”, dhe jo vetëm.

    Pyetja: “Jemi vallë gati t’i vëmë këto hijena të informacionit në kontroll të leximeve tona, në emër të progresit teknologjik?”

    Përgjigjja: vazhdoj t’i qendroj këtij mendimi se askush, asnjë “bir informacioni” nuk ka të drejtë të futet e të vërë dorë qoftë në bibliotekën e familjes time, qoftë në memorien e PC pa lejen time. Po ta bëjë këtë, ka dhunuar pronë-privacinë time. Por a jam gati unë vet si individ t’i përballem kësaj situate kur jam tërësisht i mrekulluar nga teknologjia e sotme? Këtu qendron thelbi i kontradiktës! Nga njëra anë kemi etje dhe uri, në anën tjetër përditë frymën e mbajmë tek fast food-i i lagjes, pa menduar se ç’pasoja mund të sjellë e nesërmja në mbarëvajtjen e shëndetit tonë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin