KUR SHESHOJMË KURBËN

nga Arjan Shahini

Shqetësimet e maturantëve për provimin e gjuhë-letërsisë rezultuan të nxituara. Jo vetëm që arritjet në gjuhë-letërsi ishin më të larta se në 2019, por çuditërisht edhe ato në matematikë. Por debati që u vijua në disa rrafshe ligjërimi dhe nivelesh ekspertësh, nga arsimi te gjuhësia e marrëdhëniet me publikun, nuk duhet të përfundojë me shpalljen e rezultateve.

Provimi i letërsisë shkaktoi debat të gjerë për shkallën e vështirësisë dhe cilësinë e testit. Nxënës e pedagogë në institucionet e arsimit të lartë u shprehën të pakënaqur. Sikur raporton E. Keta e Reporter.al, përkundër pritshmërisë së nxënësve, të cilëve ministria e arsimit u “kishte premtuar thjeshtëzime për shkak të situatës së krijuar nga pandemia”, maturantët e kishin perceptuar testin “sikur synonte “t’i kapte mat” dhe jo të maste njohuritë.” (Reporter.al, 12.06.2020). Një pjesë e maturantëve madje edhe protestuan përpara ministrisë përgjegjëse për arsimin. Ndërsa pedagogë të Universitetit të Tiranës dhe të Elbasanit e vlerësuan testin shumë të dobët nga ana gjuhësore.

Diskutime interesante u zhvilluan edhe te Peizazhe, rreshtuar kronologjikisht: (1) E. Qesari merr shkas nga provimi i maturës për të shpalosur një kritikë më thelbësore mbi sistemin e shkollimit (arsimit/edukimit); (2) A. Vehbiu kritikon formulimin e një pyetje që rezultoi shumë kontroverse në rrjetet sociale; (3) T. Toska, që citohet edhe në reportazhin e Reporter.al, paraqet një kritikë të testit nga pikëpamja konceptuale dhe gjuhësore; (3) E. Kapia, pasi klasifikon disa reagime, i kushtohet kryesisht problemeve të gjuhësisë shqipe të zbatuar, teknikës së hartimit të testeve dhe politikave të dëshiruara në këtë fushë. (4) Ilir Yzeiri, kritikon sulmet e ministres B. Shahini ndaj universiteteve dhe mëton se diskutimi mbi cilësinë e provimit të maturës është kthyer në një front tjetër konflikti të qeverisë me universitetet publike.

Debate interesante u zhvilluan edhe në seksionin e komenteve të artikujve të mësipërme, ku disa ndoshta ishin të komanduara (shih A. Vehbiu) nga administrate qendrore në fushatat e saj të zakonshme për të kontrolluar debatin publik, edhe zërat kundër. P.sh. Trekendeshi e konfirmon analizën e T. Toskës, dhe vëren se testi kishte „një lloj çoroditjeje si në stil, si në logjikë në shumë nga ato pyetje”. Dies Irae e kundërshton qëndrimin e E. Kapisë, si joetik në përpjekjet e saj për të “mbrojtur të pambrojtshmen”, duke aluduar se është duke përkrahur anën e qeverisë në këtë debat. Ndërsa përmbledhur komentet konfuze të Durimpakut, nga më të zellshmit e të rrëmbyerit në këtë diskutim, dukshëm në konkurrencë me ata të kooperativës së xhuxhave (troll farm), mund të lexohen kështu: së pari provimi nuk duhet të jetë shumë i vështirë për nxënësit, se ata janë ushtruar gjithë vitin më këtë mënyrë formulimi gjuhësor, sado problematik t’i duket një të treti; së dyti, se universitetet e kanë problem që t’i përshtaten një koncepti të tillë provimi që mat aftësi për zgjidhjen e problemeve dhe jo riprodhimin e fakteve; e së tretit, se provimi është instrumenti kryesor i realizimit të parimeve meritokratike dhe konkurrencë-nxitëse të sistemit arsimor.

Diskutimi pra i tejkaloi përmasat e pasigurive prindërore për maturantët, pikët e tyre në provim, dhe të ardhmen e tyre. Kjo falë edhe pedagogëve të universiteteve të Tiranës dhe të Elbasanit që legjitimuan me ndërhyrjet e tyre edhe kritikën e opozitës ndaj politikave arsimore të qeverisë, por kjo besoj si një pasojë e paqëllimtë.

Megjithatë, qeveria vendosi ta rregullojë këtë problem në dy forma: së pari duke goditur kritikën, sidomos atë që legjitimonte me tis akademik pretendimet e pozitës për keqadministrim të provimit të maturës; së dyti, duke kënaqur studentët dhe prindërit, si grupi më i madh i interesit, me lehtësira në provimin e matematikës dhe ndoshta edhe në korrigjimin e provimit të gjuhë-letërsisë.

Rezultatet e provimit të maturës lënë vend për dyshim se qeveria ka ndërhyrë në procesin e hartimit të testit dhe të vlerësimit. Kjo mund të vërtetohet edhe nëse testi i matematikës është ndryshuar rishtazi, por t’ua lëmë arkivistëve ose gazetarëve këtë. Në krahasim me 2018 dhe 2019, rezultatet janë përmirësuar dukshëm në një pjesë të madhe të shkollave për gjuhë-letërsinë dhe matematikën (shih grafikët poshtë). Në vend që të bëheshin dallime, duke vendosur p.sh. një prag të ulët për nxënësit mesatarë e mbajtur të lartë pragun për të shkëlqyerit, zgjodhën të rrisin numrin e atyre të dhjetës. E sheshuan kurbën, si të ndiqej e njëjta strategji si me Covid.

 

Shperndarja e notave, krahasuar 2019-2020, letersi

 

Shpërndarja e notave të matematikës, matura 2020

P.sh. korrelacioni i rezultateve (medianit) të shkollave në matematikë ka rënë në krahasim me 2018 dhe 2019, duke supozuar se shkollat kanë të njëjtën përbërje sociale vit pas viti, prandaj është e vështirë të rrisin në kohë të shkurtër rezultatet. Ndërsa, pas provimit të matematikës, që vijoi në një situatë tensioni për qeverinë, Fatmir Vejsiu, një specialist i arsimit parauniversitar dhe i lëndës së matematikës, vëren se përgjegjësit kishin vendosur “dorën në zemër” dhe e “kishin ndrequr gabimin” (Facebook, Dt. 16.06.2020, Ora: 11:09). Sipas tij, në të njëjtin koment, provimi i matematikës ishte i “denjë për tezë në provimin e lirimit”. Kjo ishte shumë shqetësuese për të dhe disa kolegë të tij që ishin përpjekur të rrisnin aspiratat te nxënësit.

Matura, rezultatet e matematikes 2018-2020, sezoni parePor të dy zgjidhjet e ofruara, delegjitimimi i kritikës dhe ndërhyrja në hartimin dhe vlerësimin e testit, janë problematike. Delegjitimimi i kritikës me sulme ndaj pedagogëve dhe ekspertëve nuk e përmirëson sistemin, sepse dekurajon nismëmarrjen dhe kritikën brenda radhëve të specialistëve të pavarur apo pranë qeverisë, Disa prej tyre kanë zgjedhur të heshtin nën batarenë e sulmeve të ministres. Ndërsa lehtësimi i kërkesave në provimin e maturës pa kurrfarë arsyetimi legjitim, p.sh. i justifikuar me ndryshime në objektivat e të nxënit dhe programin lëndor në kuadër të pandemisë, mund të kënaqë maturantët e këtij viti, por zhbën punën e qindra mësuesve dhe zhgënjen nxënësit që besojnë te sistemi i meritokracisë arsimore.

Megjithatë, diskutimi mbi sistemin arsimor, sistemet e vlerësimit dhe të didaktikës së gjuhës shqipe duhet të vazhdojnë, me të njëjtën përfshirje të specialistëve nga fusha të ndryshme. Sistemi i vlerësimit ka nevojë të rishikohet. Ekspertë të OECD, që organizon programin e vlerësimit PISA, kanë hartuar së fundmi edhe një raport për sistemin e vlerësimit të arritjeve të nxënësve në Shqipëri. Ata gjithashtu kritikojnë qasjet e vjetra ndaj vlerësimit, edhe pse këto janë përmirësuar formalisht, e propozojnë ndryshime për të zbatuar metoda më bashkëkohore.  Shih: Maghnouj, S., et al. (2020), OECD Reviews of Evaluation and Assessment in Education: Albania, OECD Reviews of Evaluation and Assessment in Education, OECD Publishing, Paris, https://doi.org/10.1787/d267dc93-en.

 

Shperndarja e vleresimit te provimeve te matures ne 2020

Vleresimet për maturën 2020, sezoni i parë, janë paraqitur sipas formës: nota dhe nota e shkallëzuar (shk).

(c) 2020, Arjan Shahini. Të gjitha të drejtat të rezervuara.