SEKSI DHE REVOLUCIONI I TETORIT

Fotografia e mësipërme është realizuar 100 vjet më parë. Saktësisht në vitet që pasuan Revolucionin e Tetorit (1920). Paraqitet një plazh nudistësh në lumin Moskva, në qendër të Moskës, shumë pranë katedrales se Krishtit Shpëtimtar (Христа Спасителя). Midis personave që lahen apo bëjnë banjo dielli krejt lakuriq, bie në sy që ka mjaft që nuk janë të zhveshur plotësisht, gjë që edhe sot e gjithë ditën nuk është e lejueshme. Në plazhet e nudistëve nuk mund të afrohesh i veshur. Por nëse nuk ndodh kështu në foton e mësipërme, kjo në mënyrën e vet flet për risitë dhe çorodinë që solli Revolucioni i Tetorit edhe në marrëdhëniet seksuale. Një temë tabu, të cilës edhe vetë studiuesit rusë tani së voni po përpiqen t’i kapin dimensionin e vërtetë..

Aleksandra Kollontai

Lenini nga ana e tij nuk ishte fort i dhënë pas seksit, por kjo nuk do të thotë se ishte fare indiferent ndaj tij. Në një shkrim te Russia Beyond A. Kislov thotë se themeluesi i shtetit sovjetik me normat e sotme do të cilësohej si parazit e poligam. Të afërmit e tij kishin për të një imazh krejt tjetër nga ai që vizatohej për popullin rus. Deri në moshën 40 vjeçare nuk ishte i zoti të nxirrte as edhe një rrogë me punën e tij (revolucionare) dhe jetonte me pensionin e së ëmës. Me paratë e saj ai mjekohej dhe jetonte në Zvicër, ku atë e shoqëroi edhe Nadjezhda Krupskaja. Bashkë ishin njohur në Siberi, gjatë mbrëmjeve të studentëve revolucionarë që paraqiteshin si takime për të pirë çaj dhe ngrënë krepa, por ndërkohë ai frekuentonte edhe studente të tjera.

Me sa del, në Zvicër jeta e tyre intime ka marrë fund. “Mbrëmjeve mërzitemi shumë, shkruan ajo, dhe meqë nuk kemi çtë bëjmë, shkojmë në kinema a teatër”. (Eshtë gjithnjë e ëma që paguan).

Në këtë kohë do të dalë në skenë edhe Inessa Armand, një revolucionare franceze që e njihte mirë Rusinë (kishte banuar ne Petrograd te disa të afërm që kishin qëndruar aty qê nga koha e luftrave napoleonike. Leninin mendohet se e ka njohur më 1908 në Paris. Cilësohet si një “bolshevike e nxehtë”. Marrëdhënia e tyre ishte krejt e hapur, por Krupskaja nuk pranoi asnjëherë të largohej nga Lenini. Ishte një ménage à trois. Madje, më 1924, pas vdekjes së tij, ajo bëri një kërkesë që Inessa (e cila kishte vdekur tre vjet me parë), të vendosej në një varr me të. Stalini nuk pranoi.

Inessa Armand

Eshtë e vështirë të kuptosh revolucionin seksual që bashkëshoqëroi revolucionin e Tetorit jashtë normave e synimeve ideologjike. Në të vërtetë i pari ishte në shërbim të të dytit. Ai do të shoqërojë përmbysjen e madhe sociale që kishte ndodhur, por nëse u pranua me lehtësi, kjo ndodhi edhe sepse në periudhën e monarkisë, shoqëria ruse, të paktën në qytetet e mëdha, nuk ishte fort puritane. Imazhet pornografikë ishin të pranishme gjithandej dhe orgjitë e takimet e personave homoseksualë dhe travestitë ishin një praktikë e njohur. Prostitucioni lulëzonte si herët, madje prostitutat ishin pajisur me një pasaportë të veçantë (të verdhë). Gjithsesi, homoseksualiteti mashkullor shihej si një akt i dënueshëm. Të paktën deri kur në skenë hynë bolshevikët.


Pankarta e mësipërme gjendej e afishuar në qytete të mëdha të Rusisë. Djathtas: Çdo anëtar i komsomolit (комсомолец) mundet dhe duhet të plotësojë dëshirat e tij seksuale (свои половые стремления). Majtas: Çdo anëtare e komsomolit (комсомолка) është e detyruar (обязана) të shkojë me të (t’ia japë këtë mundësi atij), përndryshe ajo është një borgjeze (иначе она мещанка).

Dekretet si « Mbi shfuqizimin e martesës » dhe « Për partneritetin civil të fëmijve dhe pasurisë » ishin disa nga aktet e para të Sovjetit Suprem që më 1918. Martesat në kishë u ndaluan dhe divorci u la në dorë të çiftit, u legalizua aborti. Rusia do të jetë i pari shtet në botë që lejoi një akt të tillë. 8 marsi u shpall si “ditë e rebelimit të grave kundër skllavërimit të kuzhinës”.

Pa dyshim, çlirimi seksual nuk duhet menduar se kishte diçka të qëllimshme për të nxitur shthurjen. Jemi larg fort kësaj. Çlirimi i marrëdhënieve seksuale nga disa tabu të njohura në fillimet e veta ishte një nga elementët e rëndësishëm për të luftuar të kaluarën, ortodoksinë e rendit të vjetër monarkik. Atyre që i kanë hedhur një sy Manifestit të Partisë Komuniste (unë e lexoj edhe sot kur kam kohë) do t’u kujtohet se etërit e marksizmit me kohë kishin parashikuar e predikuar zhdukjen e familjes, si një hallkë e ushtrimit të shtypjes patriarkale dhe nënshtrimit të grave, fëmijëve.

Me aktet e tyre të para revolucionarët rusë synonin pikërisht një gjë të tillë, çlirimin e individit por në të njëjtën kohë, dekrete të tillë i hapën rrugë njërës nga periudhat më të harbuara të historisë moderne të Rusisë, siç do të shohim. Eshtë koha kur përdhunimi i grave “borgjeze” nga ushtarët që vinin nga froni i L1B dhe proletarët, u cilësua si “drejtësi sociale”.

Një nga personat më të rëndësishëm, që mbrojti modelin e ri të familjes sovjetike, është Aleksandra Kollontai, një ish aristokrate ruse, që ishte bërë marksiste gjatë studimeve ne Zyrih (Zvicër) ku ishte njohur edhe me Leninin. Pas Revolucionit ajo do të jetë anëtare e Këshilli të Komisarëve të popullit për problemet sociale e të shëndetit… Më 1919 themeloi Jenotdel (seksionin që do të merrej me problemet e grave), të cilin e drejtoi me Inessa Armand-in.

Pikërisht në këtë kohë u ndërtuan banesa popullore me disa mjedise të përbashkëta sikundër kuzhina, lavanderia, dushet, etj. Qëllimi ishte që të nxitej promiskuitetit e me këtë rast të luftohej ideja se gruaja ishte pronë e burrit, e një mashkulli të vetëm. Edhe ajo kishte të drejtë të krijonte lidhjet e saj, te kënaqte dëshirat seksuale, po qe se i tekej, por në të njëjtën kohë kishte detyrimin që mos refuzonte dikë që kishte dëshirë për të, veçanërisht proletarët. Nga një detyrim i tillë nuk ishin të çliruara as gratë e martuara. Një mënyrë për të mos e parë as seksin si “pronë private”. Pikërisht në këtë kohë lindi edhe Teoria e gotës së ujit. « Të duash të bësh seks me dikë, kjo duhet të jetë po aq e thjeshtë sikundër të pish një gotë ujë» është një shprehje që i njihet Kollontai-t një nga autoritetet femërore më të mëdha të Revolucionit dhe me të vërtetë një grua e jashtëzakonshme.

Nën shtytjen e saj në atë kohë u ngritën shërbime sociale, kopshte e çerdhe fëmijësh, transporti publik u fuqizua, u hapën kooperativa konsumi mallrash të ndryshme. Qëllimi ishte vërtet i fisshëm: grave dhe vajzave u duhej krijuar sa më shumë kohë të merrnin pjesë në jetën sociale dhe politike. Kollontai fliste për një “grua të re” të çliruar nga shtypja e punëve të shtëpisë, martesës apo rritja e fëmijëve. Këto detyrime duhej t’i merrte pësipër shteti.

Në këtë mes edhe qasja ndaj seksit, duhej lehtësuar. Më vjen keq që këtë çast nuk e kujtoj numrin e një dekreti të Sovjetit Suprem që gjeti dhe botoi tani së voni një sociolog rus, por e bardha në të zezë, ai thoshte : askush nuk ka të drejtë ta cilësojë gruan e tij si pronë të tijën. Nëse dikush tjetër kërkon të shkojë në shtrat me të, është akt i dënueshëm, të mos e lejosh një gjë të tillë. Por, thotë dekreti në fjalë (dhe kjo do të ketë qetësuar mjaft rusë të kohës) nëse ai vetë ka dëshirë të shkojë në shtrat me gruan e tij, në këtë rast përparësinë e ka ai, burri, pra.

Kujtoj kalimthi këtu se propaganda antikomuniste e viteve të luftës në Shqipëri, që paralajmëronte se po të vijnë komunistët në pushtet do të marrin e bashkojnë tokat dhe njerëzit do të jenë argatë në pronë të tyren (gjë që ashtu ndodhi), do t’i vënë të gjithë bashkë në një çanak e do të marrin edhe gratë, të cilat do t’i kenë bashkë të gjithë, sikundër edhe bagëtitë etj., e gjitha kjo duket se nuk ka qenë kaq e pavërtetë, edhe pse e shprehur disi përgjithshëm, gati trashë dhe me formulime që synojnë më tepër të ngjallin frikë se sa të përshkruajnë një realitet të Bashkimin Sovjetik, nga ku mendohej (dhe nuk qe fort e gabuar) se merrnin orientime të githë komunistët e vendeve të tjera dhe se ai, Bashkimi Sovjetik, prefiguronte vendet e tjera pas lufte.

Eshtë një periudhë që liria seksuale mori përmasa të pabesueshme. Nudistë shuheshin jo vetëm në plazhet e lumit Moskva por edhe në rrugë e sheshe të qytetit.

Disa njerëz që në krahë mbajnë shirita ku është shkruar POSHTE TURPI u dukën përsëri në Moskë. Një grup njerëzish fare lakuriq u pa duke hipur në tramvaj. Tramvai ndaloi dhe publiku që i pa u trondit, shkruan diku Mihail Buldakovi.

Me ardhjen në fuqi të Stalinit (nga katër dënime të dikurshme “për veprimtari revolucionare” të paktën njëri del sot të ketë qenë për përdhunimin e një të miture), Jenodel u zhbë me mendimin se tani çështja e grave ishte zgjidhur. Kollontai-t do t’i jepet një funksion diplomatik në një nga vendet nordike.

Ndërkohë ishte vënë re se rreth 25% e fëmijëve lindnin jashtë martese dhe rriteshin në befotrofe, ku edukimi i tyre linte për të dëshiruar. Përqindja e kriminelve nga rradhët e tyre u bë shqetësuese. Në përmasa të jashtëzakonëshme u rrit numri i personave të prekur nga sëmundjet veneriane (seksualisht të transmetueshme). Dekretet e reja që dolën e rikualifikuan përsëri si krim homoseksualitetin mashkullor. Aborti u ndalua me ligj. Divorci nuk ishte aq i kollajshëm sa në vitet pas Revolucionit. Pankartat e reja hymnizonin “gruan e lavdishme” që kishte 7, 8 e madje 9 kalamaj.

Pra ajo nuk është se doli jashtë hallkave të propagandës së partisë. Gruaja ishte gjithnjë forcë e madhe revolucionare, por këtë herë si punonjëse e dalluar, që i përgatistë gjellët burrit të saj punëtor, një grua model, nuse e mirë dhe amvisë e zonja.

Kështu, sapo u shkëput nga shtrëngesat e një shoqërie patriarkale, “gruaja e re” sovjetike e Kollontai-t u ftua të kthehej përsëri në kuzhinë.

(c) 2020, Dashnor Kokonozi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin