PËR HIR TË MODELIMIT MENDOR TË TJETRIT

nga Alisa Velaj

(Rreth librit me ese “Sende që nxirrte deti” të Ardian Vehbiut, Dudaj 2013)

Në një letër që i dërgonte mikut të vet, muzikantit dhe shkrimtarit Johann Friedrich Rochlitz, Goethe e ndante publikun e lexuesve të kohës së tij në tri grupe: “Ka tre lloje lexuesish: lexues që shijon pa gjykuar, një i tretë që gjykon pa shijuar dhe një i mesëm, i cili shijon duke gjykuar dhe gjykon duke shijuar; në të vërtetë ky e riprodhon sërish veprën e artit. Anëtarët e këtij grupi nuk janë të shumtë, prandaj na duken më të çmueshëm e më të denjë.”[1]. Në të tre rastet, modeli i Goethe-s për llojin e lexuesit shtjellon njëherazi dhe një lloj mentaliteti, me anë të të cilit lexuesi i afrohet një vepre të caktuar. Një lexues që shijon pa gjykuar fare është një lexues me mungesë të plotë mentaliteti, I paaftë as për vete dhe as për tekstin, ndërsa kur gjykon pa shijuar, ky lexues vjen i armatosur me një lloj mentaliteti egoist, shumë larg mendjehapjes, apo pranimit të tjetrit, që do të përballet brenda tekstit, çka e bën të ngjashëm me një shijues frutash tropikale, apo të një zonë tjetër të largët, për të cilën ka dëgjuar kushedi çfarë dokrrash, dhe tani që ndodhet para aktit të shijimit, nuk mbërrin dot deri aty, pasi trurin ia pushtojnë gjithfarë rrëfenjash të çuditshme. Helmimi i qelizave të trurit apo brainwashing mund të jetë i atij niveli, sa me t’u përpjekur ta afrojë frutin në gojë, receptorët ndijorë të shijimit t’i përcjellin në tru shijen e injektuar dhunshëm, dhe jo shijen e vërtetë që individi/lexues po ndjen. Shija e modeluar drejt frutit, sigurisht se nuk ndodh për faj të frutit. E njëjta gjë ndodh me disa lloje veprash, të cilat mund të jenë fiction ose non fiction, si në rastin konkret.

Librit me ese “Sende që nxirrte deti” më mirë të mos i afrohesh fare, po ta kesh trurin pa kujtesë jodi, ose po të kesh mentalitetin e gabuar, se sendet që i nxjerr deti, mund të jenë gjendur edhe në mal dhe të jenë shpënë ndanë deti me kas. Ky libër nuk ka nevojë as për lexues që gjykojnë pa shijuar, as për lexues që shijojnë pa gjykuar. Esetë e Vehbiut kanë nevojë për atë lexuesin e mesëm, që shijon duke gjykuar dhe gjykon duke shijuar. Lexuesi, si në rastin kur është bashkëkohës shqiptar i autorit dhe lexon aty përfytyrimin e brezit të tij për Perëndimin, në vitet 60-80 të shekullit të shkuar, pra si kur gëzon statusin e dëshmitarit okular, si kur nuk e gëzon këtë status, që i bie të jetë, ose një lexues i lindur në një kohë më të vonë, ose një lexues i huaj, i duhet të jetë patjetër i pajisur me mentalitetin e patundur se e vërteta e Shqipërisë duhet të ketë patjetër një të ardhme. Përndryshe, ky lexues nuk u afrohet dot këtyre eseve; ose do t’u afrohet thjesht për t’i gjykuar, ose thjesht për t’i shijuar. Rasti i dytë mund të marrë kuptim njëfarësoj, nëse e shijon tekstin thjesht si memuaristikën e një kohe që nuk është e jotja, me ndjenjën e së papriturës dhe kërshërisë, çka në të vërtetë është një nga funksionet e këtyre teksteve. Por për të qenë objektivë, deri në shkallën se deti është det dhe mali mal, këtu kemi të bëjmë vetëm me funksionin denotativ të ligjërimit. Ese të tilla kaq shterruese, forcën e tyre mrekullore e kanë te e padukshmja, pjesa e fshehur e ajsbergut para syve tanë.

Autori shkruan në parathënien që i  paraprin eseve, se në këtë libër, kapituj me natyrë më teorike dhe refleksive alternohen me kapituj të tjerë me natyrë më personale, çka lyp që libri të këqyret edhe si produkt i arsyes, edhe si produkt i kujtesës. Pak më lart folëm për pjesën e padukshme të ajsbergut, ndaj do të ndalemi te teksi si produkt i arsyes. Vehbiu interpreton faktet e një periudhe historike me syrin vëzhgues të një sociologu, duke i lidhur këto fakte kokëforta përmes një induksioni të paqtë, apo një deduksioni shtangës, që s’lë vend për kundërshtime. Madje edhe kur lë vend, ky kundërshtim nuk ka të bëjë me vërtetësinë e diskutimit, por me një lloj ndjesie, se këtë të vërtetë ti si lexues e kishe ditur që ekzistonte në një formë apo në një tjetër, por kurrsesi s’e pate pandehur të shfaqej para teje kaq e lakuriqtë.

Ajo që e shqetëson më tepër autorin është koncepti i rezervatit social. Ky term në totalitarizëm i referohet gjendjes së izolimit të imponuar të Shqipërisë, që ishte në fakt, izolim selektiv, që kërkonte jo aq shkëputjen nga bota sesa vënien e plotë në kontroll të kontakteve me botën. I rëndësishëm këtu është procesi i izolimit, dikur i imponuar, ndërsa tani i kërkuar me ngulm. A po shkojmë me këmbët tona, ashtu si pakuptuar drejt një dominimi tjetër totalitar? Sipas Arendt, ajo që e përgatit njeriun për dominimin totalitar në botën jo-totalitare është fakti se vetmia, e përjetuar si përvojë borderline (e personalitetit kufitar), e cila zakonisht ndjehet në kushte të caktuara margjinale siç është pleqëria, është bërë një përvojë e përditshme…[2] Le t’i kthehemi disa teksteve të Vehbiut për të përligjur aksiomën e Arendt.

Perëndimi u përpoq madje vazhdon të përpiqet, me mënyra të ndryshme, që t’i qëndrojë larg përqafimit shqiptar, meqë interesi kryesor i Perëndimit, sa u përket shqiptarëve dhe Shqipërisë, ka qenë dhe mbetet që këta të mos lihen të rrezikojnë në ndonjë farë mënyre stabilitetin dhe paqen në rajon; duke u ndihmuar të ngrihen në këmbë dhe t’u dalin vetë zot punëve të tyre, poe edhe duke u penguar , nëse është nevoja.

E megjithatë, pështypja që më jep kultura shqiptare e tanishme, në të gjitha nivelet , është ajo e një populli që, i çliruar më në fund nga izolimi njerëzor dhe ideologjik, ka zgjedhur t’i lëpijë plagët e veta në izolim kulturor; dhe ka ecur së prapthi, duke iu qasur sërish pozicionit mendor të fëmijës, i cili rregullisht ngatërron dashurinë e të tjerëve për të, me dashurinë ë tij për të tjerët.

Gjatë kontaktit tonë me Perëndimin, nuk kemi qenë në gjendje t’i perceptojmë, në masën dhe plotësinë e vet, ato tipare që e bëjnë perëndimin të sukseshëm dhe të lakmuar, në një kohë që tipare të tjera të këtij qytetërimi, më të afërta me kulturën tonë të gjymtuar nga izolimi, kemi qenë në gjendje t’i perceptojmë, madje t’i bëjmë tonat pa vonesë.

Për të luftuar totalitarizmin duhet të kuptohet vetëm një gjë: totalitarizmi është mohimi më radikal i lirisë.[3] Ardhja e një totalitarizmi të ri ka të bëjë me modelimin tonë mendor për hir të tjetrit, tërheq vëmendjen Vehbiu. Ky modelim (sipas autorit) ngjizet në tri drejtime; së pari, raporti na duam/i duam, së dyti, perversioni etik i konfrontimit ose i tmerrit ndaj Tjetrit dhe së treti, totalitarizmi i grupit, se ne jemi më të mirët dhe të drejtët dhe ata të ligjtë dhe të mbrapshtët i ka rrënjët në totalitarizmin e djeshëm, që synonte identifikimin urgjent të individit me shtetin. Shkaku i tretë na ka shpënë natyrshëm në përcaktimin që Arendt bën për personalitetin kufitar. Në esenë “Midis skajeve” Vehbiu e përshkruan këtë proces me termin gjeste kufitare.

Duam apo s’duam ne, dritën në histori e sjellin gjestet kufitare, të guximshme, sfiduese të status quo-së imponuar prej të gjithë atyre që stanjacionin sa e krijojnë, aq edhe krijohen prej tij e këndellen në kutërbimin e ujit të ndenjur.

Gjestet kufitare kërkojnë gjithashtu një lexues kufitar, të gatshëm për të pranuar vërtetësinë e fakteve shoqërore që paraqet ky tekst. Për Emile Durkheim, një fakt shoqëror është një kategori e fakteve që paraqesin karakteristika shumë të veçanta: ato përbëhen nga mënyra veprimi, të menduari dhe ndjenje të jashtme ndaj individit, të cilat investohen me një fuqi shtrënguese, në sajë të së cilës ata ushtrojnë kontroll mbi të.[4] A është lexuesi shqiptar sot, ai lexues që është njëkoshshëm edhe qytetar shqiptar me sytë nga Perëndimi, pikërisht ai qytetar që pretendon të mos bjerë sërish në rezervatin e izolimit, i gatshëm për një mënyrë të re të vepruari apo të menduari krejtësisht objektive, ku në qendër të mos ketë modelimin e vetes për hir të tjetrit, por modelimin e vetes për hir të vetes?

Modelimi i vetes për hir të vetes është udha e vetme, përmes së cilës, e vërteta do të ketë një të ardhme për ne shqiptarët. Ky libër me ese, i cili shtjelllon vetëm e vetëm vërtetësinë e fakteve shoqërore, i këmbëngul pa asnjë kompromis kësaj filozofie.

 

© 2020, Alisa Velaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: kjo analizë kritike nga Alisa Velaj del te “Peizazhe të fjalës” edhe në kontekstin e prezantimit të botimit të versionit italisht të librit, “Cose portate dal mare” (përkthimi Valentina Notaro) nga Besa Editrice. Biseda online, me përkthyesen dhe autorin në Facebook, mund të ndiqet live këtu.


[1] Letër e Goethe-s për Joh. Fr. Rochlitz, 13.6.1819, Cituar sipas: Benedikt Jeßing / Ralph Köhnen. Einführung in die Neuere deutsche Literaturëissenschaft, përkthyer prej Hysni Ndreut, 4. Auflage, J. B. Metzler Verlag, Stuttgart 2017, Seite 9.

[2] Arendt, Hannah. (1967). The Origins of Totalitarianism, London: George Allen and Unwin, p.478.

[3] Arendt, Hannah. (2005). Essays in understanding, 1930-1954: formation, exile, and totalitarianism. New York:   Schocken Books, p. 328.

[4] Durkheim, Emile. (1982). The Rules of the Sociological Method, (Ed. by Steven Lukes; trans. by W.D. Halls). New York: Free Press, p. 52.

 

Rreth Autorit

Alisa Velaj është poete dhe studiuese e letërsisë. Autore e tri përmbledhjeve me poezi: “Përanash Flakës”, “Tej kthellës së epërme” dhe “Shtjellë reje, shtjellë zjarri”, mban titullin shkencor “Doktore e Shkencave Filologjike”.

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin