Reklama

DELEVIZIONI SI SHIKIM I MJEGULLUAR

nga Sokol Çunga

Do të mundesha ta kisha thënë edhe “miopi” apo “verbëri” të televizionit. Zgjodha ta quaj dele-vizion. Për shumë arsye. Herën e parë e shkrova gabimisht fjalën me “d”, në vend të “t” dhe desha ta korrigjoj. Por m’u kujtua një neologjizëm që e kam hasur të shkruar shpesh nga bashkëfolës të shqipes në Kosovë: sheeptar (shqiptuar shiiptar), ndërtuar nga bashkimi me sinerezë i anglishtes “sheep” dhe shqipes “shqiptar”. Pamja që krijohet nuk është fort optimiste, apo jo?

U bënë shumë vite që nuk kam një aparat televiziv funksional në shtëpi. Si rrjedhojë, ekrani i TV-së (që kujton aq shumë ekranet e Oqeanisë në romanin “1984” të George Orwell) nuk zukat, as buçet rreth meje. Mirëpo nuk shmang dot sytë e ekraneve në vende të tjera ku më çon domosdoshmëria apo rasti. Njëkohësisht, rrjetet sociale, një tjetër lloj ekrani i vogël, si për mirë, si për keq, janë një pasqyrë besnike e realitetit të ekraneve të mëdhenj. Mjafton të kthesh kokën nga baret apo kolibet e rojeve të ndryshëm rrugëve të kryekatundit, për të parë se ç’po transmeton në atë orë aksh kanal televiziv, apo mjafton të shohësh rrjetet sociale, për të marrë vesh ç’ka ndodhur në aksh emision. Gjithçka kërcen pupthi në kohë reale kudo: ulërimat në emisione gatimi, seksi në emisione pasditeje me tematikë sociale-kulturore (sociale-kulturore teorikisht, domethënë), politika maskaradë në të famshmet kacafytje gladiatorësh gjatë emisioneve të mbrëmjeve, të gjitha jehojnë nëpër rrjete sociale (apo t’i quaj rrejtje sociale?) ditë e ditë të tëra pasi ka ndodhur ngjarja, herë si lajm i ripërsëritur, herë si meme dhe tallje. Është interesante se janë kryesisht tematikat e mësipërme ato që mbajnë rekordet e jetëgjatësisë në kujtesën e publikut. Po, të gjithë televizionet që kap antena kanë edhe kohë cilësore, kanë rubrika apo emisione kushtuar kulturës serioze, muzikës, librit, artit, rrahjeve të mendimeve. Por këto nuk para qarkullojnë fort. Ndoshta për faktin e thjeshtë se arti apo fjalët e matura dhe të peshuara, shqiptuar nga mendje që kanë bluar gjatë, para se të zënë brumin e mendimit, nuk meme-izohen dot, as mund të vulgarizohen në batuta të përditshme. Këtu vij, vetvetiu, tek dy përmasa që përfaqëson në mendjen time ekrani i televizionit.

Shtyrë nga punët apo dhe përsiatjet e kohëve të fundit, kam bluar gjatë dy realitete të trillit letrar (përndryshe fiction), ku ekrani luan rol qendror në zhvillimin e shoqërisë. Njëri është ekrani i romanit “1984”, që përmenda edhe më sipër. Oqeania, vendi distopik i trilluar prej Orwell-it, është i mbushur anekënd me ekrane, të cilët transmetojnë pa fund programet e përgatitur nga Minikult-i (Ministria e Kulturës). Programet përbëhen nga gjimnastika e detyruar e mëngjesit, lajmet dhe pamjet nga frontet e luftës dhe frontet e prodhimit, fjalimet e Vëllait të Madh dhe marshet ushtarake. Asgjë tjetër nuk transmeton ekrani i 1984-ës. Dy elementët kryesorë të mesazheve aspak të koduara të ekranit të Partisë janë uniformiteti dhe frika. Përmes të parit çdo individ vendoset në rresht si gjithë të tjerët, nuk ka asnjë dallim nga shoku përbri, dhe çdo individ nuk është aspak ndryshe nga imazhi i individit që projekton Vëllai i Madh, maja e piramidës së totalitarizmit. Për të verifikuar a është zbatuar uniformiteti, ekranet e Oqeanisë kanë edhe një veti të përveçme: siç i sheh, ashtu edhe të shohin. Çdo lëvizje apo tingull, çdo bisedë, çdo imtësi e mimikës së fytyrës, madje edhe mendimet, emocionet dhe ëndrrat, kapen prej ekranit dhe studiohen nga një mekanizëm i ndërlikuar spiunazhi. Pas kësaj, natyrshëm, mesazhi i dytë, frika, ka qëllim të mpijë çdo hovje mendore apo fizike që synon daljen nga uniformiteti. Cilido që i shmanget, dhunohet në çdo formë, por mbi të gjitha fizikisht, në pikën që i dhemb më shumë. Sillni në mend vetëm atë dhimbjen e bërrylit, kur e godasim pas qoshes së tryezës. Ose dhimbjen e gishtit të vogël kur e ngjeshim pa dashje tek këmba e karriges. Atë ndjesi ka qëllim të përçojë edhe ekrani i Oqeanisë.

Një tjetër lloj ekrani është ai i romanit “Brave New World” (me shumë vështirësi, në shqip del titulli “Botë e re mahnitëse / mrekullore / topitëse”) i britanikut tjetër, Aldous Huxley. Tek Huxley ekrani nuk është i vetmi element qendror në jetën e personazheve të romanit, por vepron, bashkë me pot-purinë e elementeve të tjera, në dobi të topitjes së përgjithshme të popullatës. Teksa elementi që paralizon njeriun tek “1984” është frika, tek “Botë e re” popullata zaptohet prej mësymjes së argëtimit, kënaqësisë, shijimit lëndor. Njerëzit jetojnë vetëm për kënaqësi, pothuaj pa asgjë shpirtërore dhe emocionale mes atyre shijimeve, dhe krejt të zhveshur nga kapaciteti për të menduar në mënyrë kritike, të pavarur, të arsyeshme.

Në të dy rastet, publiku që qëndron përpara ekranit i ngjan fort qartë, dhe krejt metaforikisht, kafshës së bindur shtëpiake, deles. Metaforikisht, jo se njeriu qëndron më lart se delja, por sepse prej natyre delja nuk është kafshë grabitqare, fjala vjen, si tigri apo luani; delja e përmbush krejtësisht arsyen pse ekziston, kurse njeriu jo gjithmonë.

Sistemi elektronik që ka aftësinë të përçojë dhe shpërndajë sinjalet zanore dhe pamore është quajtur me emrin e përgjithshëm “televizion”, duke pasur në thelb të emrit bashkimin e fjalës “tele” (nga greqishtja “larg”), dhe “video” (nga latinishtja “shoh, vështroj”), pra: imazh që vjen së largu dhe unë e shoh si ta kem përpara syve. Teknologjia bëri që njeriu të kapërcente kapacitetet njerëzore dhe krijoi mundësinë e zhbërjes së largësisë, me qëllim që të shohim fytyrën dhe të dëgjojmë zërin e personave të tjerë larg nesh. Gjithë kësaj mrekullie iu mvesh edhe një emër i lavdishëm greko-latin, si për t’i vënë vulën gjenialitetit të shpikjes. E tani, vallë për ç’arsye duhen shpenzuar paratë (e shtrenjtë koha televizive, e dimë të gjithë) dhe koha (kushton më shumë se e para) për të parë e dëgjuar klithma, patetike, budallallëqet shumëpërmasore të gjindjes njerëzore (për të mos banalizuar këto radhë me shembuj konkretë)? Teknologjia na dha mundësinë të kapërcejmë pengesat, dhe kjo mundësi u katandis, së shumti, në bjerraditje. Kur tipari thelbësor i televizionit, largpamësia jo vetëm e shqisës së të parit, por edhe kapaciteti për të menduar me largpamësi deformohet, vjen i natyrshëm transformimi nga televiziondelevizion.

Reklama
Këtë e pëlqejnë %d blogues: