Këto ditë u fol me të drejtë për Piro Manin – regjisor i njohur i Teatrit Kombëtar dhe pedagog nga më të mirët dhe të dashurit për studentët e vet: pjesët e vëna në skenë prej tij kanë shkruar historinë e teatrit në Shqipëri. Mbaj mend që ia njihnim emrin që kur ishim në shkollë të mesme. Dhe jam i sigurt se një pjesë e atyre që e nderuan, tani që ndërroi jetë, do të kenë menduar se sot nuk ka asnjë regjisor teatri tek ne, me peshën, autoritetin dhe zotësinë e Piro Manit të pesëdhjetë vjetëve më parë; dhe se fajin për këtë, meqë për faj është fjala, e kanë në masë të madhe ata që e përcollën publikisht dhe institucionalisht.
Mu kur po kujtoheshin anembanë virtytet artistike dhe njerëzore të Piro Manit, një zyrtar i lartë i qeverisë së tanishme, drejtpërdrejt i angazhuar në çështje të administrimit publik të kulturës, ua uronte në Facebook ditën miqve të vet me Çesk Zadenë. Edhe Çesku ka qenë emër i njohur për brezin tim në vitet 1960, nga tetëvjeçarja në shkollë të mesme dhe më pas në Universitet. Dhe nuk ishte i vetëm, por bashkë me Tish Dainë, Prenk Jakovën, Feim Ibrahimin, Pjetër Gacin, Limos Disdarin, Nikolla Zoraqin, Tonin Harapin…
Prandaj kur pashë atë status pyeta veten nëse nxënësit dhe studentët sot njohin ndonjë kompozitor shqiptar bashkëkohor aq mirë, sa ta kujtojnë pas 40-50 vjetësh me po kaq nderim? Meqë – mos më lini të gaboj – vetëm ashtu do të kishte kuptim edhe nderimi i tanishëm për Zadenë. Edhe vetë Zadeja do të kish preferuar të kujtohej më mirë me një koncert recital të veprave të tij, se me një imazh pullë poste, të hedhur në Facebook.
Lexoj poshtë e lart gjithfarë përdëllimesh, për heronjtë e skenës në Shqipëri – aktorë të mëdhenj, por në moshë shumë të shtyrë dhe këngëtarë lirikë që interpretojnë në skenat e mëdha të Europës. Njerëzit kujtojnë me mall dhe risjellin në jetë, madje edhe duke ua rimarrë batutat e personazheve, filmat fund e krye propagandistikë të Realizmit Socialist. Ka gazeta të kulturës që shkruajnë vazhdimisht për Aleksandër Moisiun, i cili nuk ka luajtur kurrë teatër për publikun në Shqipëri (një lutje: lëriani Moisiun ta nderojë atij publiku dhe asaj kulture që e ka përftuar dhe shijuar).
Dhe sërish pyes: sa vlen kjo frymë eulogjike dhe qokatare, ky kremtim kaq i lehtë, kaq pa kosto, sa kohë që skena sot – e teatrit, e filmit, e muzikës serioze – rrezikon të mbetet jetime? Çfarë kishin të veçantë plejada e artistëve të mëdhenj të periudhës totalitare, që u mungon këtyre të sotmëve?
Nuk më vjen veçse një përgjigje: angazhimin financiar dhe moral të institucioneve publike, i cili sot praktikisht mungon. Në kuptimin që zyrtarët e lartë të kulturës, nën regjimin e djeshëm, edhe ata kujtoheshin ndonjëherë për Aleksandër Moisiun dhe Tefta Tashko Koçon, por vëmendjen e kishin te kultura dhe spektakli për ta bashkëkohore dhe publiku përkatës. Atëherë pse këta të sotmit i mbajnë sytë të kthyer pas, duke u robëtuar që të shfrytëzojnë – në mënyrë në thelb parazitare – vlera të cilat i kanë gjetur të gatshme, pse të kultivuar nga të tjera institucione dhe fonde?
Kujdesi për traditën kthehet në idhujtari vetë-shërbyese, kur nuk shoqërohet me përpjekje të mirëfillta për ruajtjen dhe riprodhimin e saj në aktualitet. Edhe vetë emrat e mëdhenj të së shkuarës, nga Çesk Zadeja te Piro Mani, do të mbeten emra shenjtorësh minorë në një kalendar të zbërdhylët të kulturës kombëtare, në qoftë se MODELI i artit të tyre dhe i suksesit të tyre lihet të harrohet dhe të japë shpirt.
© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.