Vizioni i Mbretit Zog dhe një “radiografi” amerikane e BKSH-së –
nga Agron Alibali
Si hortum in bibliotheca habes, nil deerit.
Cicero[1]
Në pjesën e parë të kësaj serie mbuluam botimin e rrallë të Othellos me përkushtimin personal të Nolit për Mehmet Konicën, vepër që ka gjetur strehë në koleksionin e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë.[2]
Natyrisht, koleksionet e Bibliotekës Kombëtare pëmbajnë thesare të vërteta e shumëfish më të çmuara për kulturën kombëtare, e madje edhe atë botërore. Rëndësi të veçantë, parësore kanë (i) koleksioni i antikuarëve dhe i inkunabulave, i përbërë nga 2464 vepra të botuara midis shekujve XV-XVIII, ku bëjnë pjesë veprat e para të njohura në gjuhën shqipe, dhe ku libri më i vjetër është i vitit 1473 [vepra e Papa Piu II “Epistolae de Conventu Mantovano”, Fondi Lumo Skëndo]; po ashtu, (ii) fondi i dorëshkrimeve në gjuhë orientale, me 1189 njësi, ku përfshihen edhe dorëshkrimet në gjermanisht të Nopcsas në 6 vëllime. Me të drejtë të gjitha këto konsiderohen si “thesari më i çmuar, jo vetëm për Bibliotekën Kombëtare, por për të gjithë kombin dhe kulturën shqiptare”.[3]
Ndër fondet që, në njëfarë mënyre, kanë pasuruar BKSH-në, përmenden Biblioteka e Lumo Skendos, Biblioteka e Weigand-it, Biblioteka e Françeskanëve, Biblioteka e Bushatllinjve, Biblioteka Carnarvon, Biblioteka e Mitrush Kutelit, Biblioteka e Karl Gurakuqit, Biblioteka e Nexhip Alpan, Biblioteka e Aleks Budës[4], Biblioteka e Faik Konicës, Koleksioni i vëllezërve Frashëri,[5] etj.
Fillesat dhe rregullimi ligjor i Bibliotekës Kombëtare
Pranohet se Biblioteka Kombëtare është themeluar në vitin 1920. Sipas Prof. A. Plasarit, “nga konsultimi i shtypit dhe dokumenteve të tjera, rezultoi saktësimi i datës: 10 korrik 1920, pra në muajt e parë të vendosjes së qeverisë shqiptare në Tiranën e saposhpallur kryeqytet.”[6]
Duke analizuar rrethanat e kohës, kemi arsye të besojmë se akti i themelimit duhet të jetë bazuar në ndonjë Urdhëresë të Ministrit të Arsimit, Sotir Peci, për ngritjen e Bibliotekës së Shtetit në mjediset e Ministrisë së Arsimit të qeverisë Delvina. Argumenti mbështetet edhe nga Drejtori i BKSH-së, Aurel Plasari, i cili përmend një “akt të nënshkruar nga ministri i asikohshëm”.[7]
Ky akt i Qeverisë së Kongresit të Lushnjes – edhe pse ende nuk e kemi – përbën një ndër veprimet më të bukura e vizionare të shtetit shqiptar. Qeveria e Sulejman Delvinës arriti të ruajë me guxim e fanatizëm integritetin dhe pavarësinë e shtetit shqiptar në kushtet e turbullta pas Luftës Botërore. Gjirokastra ishte bashkuar me trungun e shtetit shqiptar edhe falë ndërhyrjes së vullnetarëve të Vatrës; Korça ishte bërë përfundimisht pjesë e vendit pas Protokollit të Kapshticës; Shkodra u bashkua vetiu, kurse në Vlorë luftimet sapo kishin përfunduar dhe midis Shqipërisë dhe Italisë ishin duke u kryer bisedimet që sollën në Protokollin e Tiranës të gushtit 1920.
Dhe pikërisht në këto momente, ministri i arsimit Sotir Peci – rilindas i vërtetë dhe ndër pararendësit e lëvizjes atdhetare në SHBA – urdhëronte ngritjen e bërthamës së Bibliotekës Kombëtare të vendit. Po të perifrazojmë Nolin, mund të themi se udhëheqësit shqiptarë të kohës, këta vizionarë të mirëfilltë, e kuptuan se koha e luftës [“jataganit”] tashmë kishte marrë fund. Kishte ardhur epoka e dijes [“kalemit”].[8]
Sipas burimeve të ndryshme, selia e atëhershme e sallës së vogël ku hidheshin themelet e BKSH-së ishte godina e Ministrisë së Arsimit, që ndodhej në shtëpinë e atdhetarit tiranas Selman Stërmasi, e më vonë u shpërngul tek shtëpia e Abdi Toptanit.[9] Kontribut të veçantë në organizmin e ri, që mbulonte edhe Muzeun e ardhshëm Kombëtar, pati edhe Karl Gurakuqi e Matí Logoreci. Fondi i librave u mbështet edhe me rreth 3000 vëllime nga Shoqata “Vllaznia” në Shkodër, e cila kishte trashëguar edhe fondin e “Komisisë Letrare”.[10] Duke patur parasysh edhe rolin e veçantë të familjeve tiranase në pasurimin kulturor të kryeqytetit të ri dhe më gjerë, mund të hamendësojmë se dhurime librash duhet të kenë bërë edhe familjet e mëdha tiranase, si p.sh. ajo Toptani, Stërmasi etj.[11]
Pranohet përgjithësisht se Biblioteka Kombëtare i çeli dyert dhe raftet e saj në vitin 1922. Drejtor i parë zyrtar i saj u emërua Visko Babatasi, Sekretar i Revistës Albania të Konicës.
Fig. 1 – Lista e drejtuesve të BKSH-së nga fillesat [fragment].[12]
Trajtimi dhe sistemimi shkencor i fondit në rritje filloi rreth viteve 1930 nën drejtimin e “rilindësit të fundit” Sotir Kolea [1928-1937], çka përbën edhe fillesat e administrimit shkencor të Bibliotekës Kombëtare sipas parimeve të bibliotekonomisë.[13]
Noli dhe Konica në Bibliotekën Kombëtare
Dëshmitë për kontaktet dhe pikëtakimet e Nolit e Konicës me Bibliotekën Kombëtare janë vetëm rrethanore. Në arkivat shqiptare mund të gjinden gjurmë konkrete të këtyre kontakteve.
Noli kaloi disa vite të jetës së tij në kryeqytetin e vogël të shtetit të ri shqiptar. Tirana e viteve 1921-1924 i pëlqeu deri në një farë mase atij. Megjithatë, si njeri i librit, përveç ngarkesës së punës në Parlament apo qeveri, bashkë me përplasjet e pafund politike dhe jetës së vakët sociale, Noli me gjasë do të gjente edhe kohën për të vizituar Bibliotekën Kombëtare, që në atë kohë, sikurse përmendëm, drejtohej nga Visko Babatasi. Dimë me siguri, nga ana tjetër, se Noli pat takuar shkurtimisht një studiues të ri nga Kosova, Krist Malokin, që ndodhej për qëllime pune pikërisht në BKSH në Tiranë. Do t’i shkruante Maloki më vonë Nolit:
“Interesat e mija të veçanta rreth personit t’Uej datojn qysh nga vjeti 1923, qysh atëher kur ishe i angazhuem për disa muej (Gusht-Tetor) në ministrinë e Arësimit dhe në Bibliotekën Nacionale në Tiranë…”[15]
Ndryshe nga Noli, Konica do të ketë qenë më i lidhur me BKSH-në gjatë vizitës së tij të shkurtër dhe të fundit në atdhe në vjeshtën e vitit 1928. I mësuar me kryeqytetet më të sofistikuara të botës, Tirana e re prapëseprapë i pëlqeu Faikut. Përshtypjet e tij na i ka lënë në shkrimin “Shqipëria si m’u duk”.[16] Edhe pse kohën e pati shumë të zënë me takime të pafund, mund të hamendësojmë se Konica do të ketë gjetur kohën për të vizituar Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, që kryesohej nga Drejtori i ri, Sotir Kolea, mik i tij dhe i të vëllait, Mehmetit. Vizita e supozuar në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë dhe takimi i mundshëm me Sotir Kolean do të kenë qenë një ndër faktorët që e shtynë Faikun t’ia lërë më vonë trashëgim pikërisht BKSH-së bibliotekën e tij të jashtëzakonshme personale.
Vizioni i Mbretit Zog
Mëngjesin e 9 tetorit 1936 një telegram nga Amerika mbërriti në tryezën e Ministrit të Jashtëm Fuad Asllani në Tiranë.[17] I dërguar një mbrëmje më parë, telegrami i Faik Konicës kishte këtë përmbajtje:
“Ca kundërshtarë vodhnë natën gjith’ arshivat e Vatrës edhe shkuan në qytetin Detroit me qëllimin që të botojnë atje një imitim të Diellit Stop Kryetari i Vatrës Doktor Andrea Ilia m’u lut të ju lajmëroj që të mos gënjehet guverna nga vjedhësit kundrë të cilëve do të merren masat e duhura Stop Vatra dhe Djelli i vjetër dot vazhdojnë jetën e tyre kombëtare dhe proqeveritare në Boston.”
Faik Konitza[18]
Nuk është vështirë të përfytyrojmë tronditjen e lexuesit të telegramit për zhvillimet në Boston. Fati i Arkivës e kishte shqetësuar fort Ministrin e Jashtëm Asllani qysh në qershor 1936. Me një letër drejtuar Konicës Asllani kërkonte që ai “të merrte masat që gjykonte të arsyeshme për të mos humbur arqivat …me vleftë historike të madhe” të Vatrës, ose siç e quante ai, “organizatës ma të bukur të kolonisë shqiptare në Amerikë”.[19]
Mirëpo shpërngulja e arkivës së Vatrës në Detroit tashmë fakt i kryer e alarmoi edhe më shumë Tiranën. Nga dokumentacioni arkivor dhe praktika e administratës mund të deduktojmë se Asllani do të ketë informuar fill Mbretin Zog dhe Kryeministrin Mehdi Frashëri. Direktiva e Mbretit nuk vonoi. Në janar 1937 Konica merrte këtë udhëzim konkret:
“Me qenë se Lart Madhëria e tij Mbreti i jonë August interesohet për Arkivën e Federatës Vatra, me qëllim që kjo të mos humbasë, Ju lutem na çfaqni mendimin tuaj se si mund të sigurohet ruajtja e kësaj Arkive, e cila duhet medoemos të gjendet dhe, në qoftë e mundur, të sillet në Tiranë për t’u ruajtur në Bibliotekën Kombëtare si një tok dokumentesh historike të Rilindjes dhe të Indipendencës sonë Kombëtare”.[20]
Së pari, ky dokument përcjell shqetësimin e Zogut për përçarjen në Vatër. Së dyti, aty del në pah edhe interesimi i veçantë për fatin e Arkivës së Vatrës. Dhe së treti, aty hidhet ideja e sjelljes së këtij arkivi historik për ruajtje pikërisht në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë.
Institucione të rangut të bibliotekave kombëtare nëpër botë kanë si synim themelor mbledhjen, ruajtjen për brezat e ardhshëm, dhe trajtimin shkencor të produktit librar, të periodikut dhe deri diku atë arkivor të kombeve përkatëse që nga fillesat e tyre historike. Biblioteka e Kongresit Amerikan, për shembull, ka tagre shumë të gjera në pasurimin e koleksioneve të veta. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, sidomos në periudhën e tanishme e për arsye të ndryshme, përfshirë kuadrin e vet ligjor, nuk priret për koleksionimin e materialit arkivor që lidhet me albanologjinë, duke ia lënë këtë lëmë të rëndësishme Arkivit të Shtetit. Megjithatë, BKSH mund të mburret me të drejtë për Fondin e saj të Arkivit, i cili “përfshin botime me vlera të veçanta për pasurinë e shkruar të shqiptarëve, duke filluar nga botimet e para në gjuhën shqipe (shek. XVI) dhe duke vijuar deri në ditët tona.”[21]
Kjo bërthamë arkivore e BKSH-së na bën ta çmojmë edhe më shumë qëndrimin vizionar të Mbretit Zog për Bibliotekën Kombëtare të atëhershme, të cilën ai e shihte me frymëmarrje të gjerë, ku kombinohej ruajtja e librit shqip, por edhe e materialeve të rralla arkivore. Prandaj Zogu e shihte Bibliotekën Kombëtare edhe si strehën e vetme e të sigurtë për koleksionimin dhe ruajtjen e Arkivës Historike të Vatrës.[22]
Përveç konsultimeve me Frashërin, Asllanin, Kottën e Libohovën, me shumë gjasë direktiva largpamëse e Zogut do të jetë formuluar edhe me mendimin pjekur të Drejtorit të atëhershëm të Bibliotekës Kombëtare, Sotir Koleas.
Vitet e vështira të Luftës II Botërore
Si gjithë Shqipëria nën pushtimin nazi-fashist, edhe Biblioteka Kombëtare, e ndodhur aty ku sot është aneksi [Biblioteka e Vjetër], në ish-Rrugën Lady Carnarvon [sot Rruga George W. Bush], do të hiqte të zitë e ullirit. Edhe pse e pakët, lënda arkivore që kemi në dorë është shumë domethënëse. Burime historike përmendin se gjermanët morën libra e materiale nga Biblioteka Kombëtare, dhe e furnizuan atë me botime propagandistike. Por ndërsa nazistët i kthyen materialet e marra, fashistët italianë e shndërruan Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë së pushtuar në plaçkë të mirëfilltë lufte.
Trajtimi që pushtuesit italianë dhe kolaboracionistët vendas i bënë Bibliotekës Kombëtare, dhe simotrës së saj, Bibliotekës “Carnarvon”, rreth 200 metra larg,[23] përcillet me informacione tronditëse. Sipas drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, Prof. Aurel Plasarit, “ndodhej një shkrimtar në krye të Ministrisë së Arsimit, kur digjeshin librat e bibliotekës “Lady Carnarvon”, kur hiqeshin librat frëngjisht nga libraritë e vendit, kur grumbulloheshin dhe përgatiteshin për zjarr librat joitalianë të Bibliotekës Kombëtare dhe të bibliotekave të tjera të vendit.”[24] Për Bibliotekën “Carnarvon”, Plasari dëshmon më tej se “ajo u plaçkit, një pjesë të koleksioneve i bartën në Itali, një pjesë tjetër ia dogjën.”[25]
Një burim tjetër historik, raport i OSS, shkon edhe më tej, duke theksuar se“gjatë pushtimit të Shqipërisë italianët kanë marrë shumë nga librat e BKSH-së”.
Plaçkitja e Bibliotekës “Carnarvon” dhe fushata kundër librave në anglisht dhe frëngjisht me siguri do të ketë ndodhur fill pasi Italia e Mussolinit – e për pasojë, edhe qeveria kukull shqiptare – u shpallën luftë Britanisë së Madhe dhe Francës në 10 qershor 1940.[26] Për këtë krim të rëndë kulturor është shkruar në shtypin e kohës[27], por më vonë ka mbretëruar heshtja, me gjasë për shkak të mosekzistencës së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe pas Luftës II Botërore.
Sa i takon fondit të BKSH-së të dërguar në Itali, nuk kemi të dhëna se çështja e pasurive kulturore, përfshirë librat e BKSH-së u trajtua nga qeveria shqiptare në negociatat e Traktatit të Paqes me Italinë në vitin 1947.[28]
Prandaj, edhe sot, pas 80 vjetësh lind me të drejtë pyetja se ku ndodhen librat e rrëmbyer dhe plaçkitur të BKSH-së? Me shumë gjasë ato ndodhen – të paktën pjesërisht – në Arkivën e Shtetit në Bari, tek Fondi i Zyrës së Shqipërisë. Fondi u ndërtua duke u mbështetur në arkivën dhe bibliotekën e Konsullatës Shqiptare në Bari, e cila pas pushtimit pushoi së ekzistuari, dhe funksionet e saj iu bashkangjitën Zyrës së Shqipërisë në Bari [Ufficio Albania di Bari ose Ufficio degli Affari di Albania], një tjetër qendër kontrolli e shtetit italian ndaj Shqipërisë së pushtuar. Në arkivat e kësaj Zyre gjinden sot rreth 552 njësi bibliotekare, përfshirë libra, gazeta e revista të botuara midis viteve 1909-1943. Prej tyre, 266 i takojnë periudhës 1909-1939, dhe 286 periudhës 1939-1943.[29]
Besojmë se ndër to gjenden libra të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Kjo mund të provohej lehtësisht nga shqyrtimi fizik i librave, të cilët me siguri do të kenë ende vulën dhe shenjat identifikuese të institucionit shqiptar. Po ashtu, ekzistojnë edhe prova të tjera që mund të çojnë në hullinë e duhur. Burimet e botuara dëshmojnë se një sasi e librave të Zyrës Shqiptare në Bari, përveç atyre që i takonin fillimisht Konsullatës, “me siguri u sollën [acquisiti] në periudhën 1939-1943”. Dhe më tej, “në fakt, gjendet një memorandum i dërgimit të botimeve për Bibliotekën e Zyrës së Shqipërisë nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme (nota e 2 nëntorit 1942), nga ana e Luogotenencës së Përgjithshme të Tiranës (nota e 5 shkurtit 1943)”.[30]
Nëse vërtetohet se këto libra janë pjesë e koleksionit të plaçkitur të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, do të duhej që t’i ktheheshin pa vonesë asaj.
Një “radiografi” amerikane e BKSH-së në vitin 1945
Ndërkohë që në Evropë ende vijonte me furi Lufta II Botërore, oficerët amerikanë të OSS përjetonin ditët e para të një Shqipërie të çliruar. Para se në Tiranë të vinte zyrtarisht misioni eksplorues i diplomatit amerikan të karrierës, Joseph Blake, ishin pikërisht oficerët e OSS-it, të kryesuar nga kapiteni Tom Stefan, me prejardhje shqiptare, që “përfaqësonin” si të thuash, apo ishin syri dhe veshi i Amerikës në Shqipëri. Dhe këtij syri nuk i shpëtoi as Biblioteka Kombëtare. Në 11 shkurt 1945 atë e viziton Nick R. Cooky, një ndër oficerët amerikanë të OSS-it. Raporti i tij, drejtuar Tom Stefanit, i gjendur në arkivat amerikane, na jep një pamje thuajse të pabesueshme të situatës së institucionit në kapërcyell të dy epokave – pushtimit dhe çlirimit. Dokumenti flet për dëmtimet e bibliotekës gjatë luftës, për përpjekjet për rihapjen e saj, për personelin e ri dhe të aftë të kryesuar nga Aleks Buda, për sasinë dhe përbërjen e fondit, si dhe për plaçkitjen që i bënë atij pushtuesit.
Rëndësia e veçantë dhe vlerat e rralla na shtyjnë që Raportin ta japim të plotë:
Për: Kapitenin Thomas Stefan
Nga: Nick. R. Cooky
11 Shkurt 1945
Subjekti: Biblioteka e Tiranës
Qyteti i Tiranës ka një bibliotekë të quajtur Biblioteka Kombëtare, që gjendet në Pallatin e ish-Princeshave në Rrugën Lady Carnarvon. Ndërtesa ka pësuar dëmtime nga luftimet që u zhvilluan, por tashmë riparimet kanë përfunduar dhe Biblioteka është e hapur për publikun nga ora 9 deri në 13:00 paradite, dhe nga ora 15:00 deri në 20:00 pasdite. Biblioteka është në varësi të Ministrisë së Kulturës Popullore dhe drejtohet nga z. Aleks Buda, të cilin njerëzit e mbajnë si të mirëzgjedhur për këtë post. Z. Buda ka një personel të përbërë nga të rinj, të cilët janë shumë të aftë në punën e tyre. Ata kanë në bibliotekë një fond prej 60,000 blenjsh në të gjitha gjuhët. Shumë libra janë në anglisht, por janë të vjetër dhe në gjendje jo të mirë. Gjermanët u patën dhënë atyre shumë libra, shumica propagandistikë, që tashmë janë asgjësuar nga qeveria e LANÇ-it. Gjatë pushtimit të Shqipërisë italianët kanë marrë shumë nga librat e tyre [të BKSH-së, shënimi im, A.A]. Edhe gjermanët huazuan shumë libra, por i kthyen para se të evakuoheshin. Biblioteka ka një sallë të madhe leximi dhe dy studio të vogla. Në sallën e leximit mund të studiojnë rreth 70 veta. Atje vura re shumë gazeta e revista në shqip, si dhe disa kopje të librit AMERIKA, të cilin ia patëm dhënë Ministrisë së Kulturës Popullore.
Nënshkrimi
Nick. R. Cooky
Toger i gradës së dytë, USMC
[vijon – pjesa (iii) Biblioteka Kombëtare dhe lidhja e panjohur me googlebooks](c) 2020, Agron Alibali. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] “Kush zotëron një kopsht dhe bibliotekë, zotëron githshka”. Marci Tullii Ciceronis Opera: uno volumine comprehensa, Epistolarum ad Diversos Liber IX, E. P. 4.5.6.7., Cicero Varroni S. Lipsia, 1827, f. 640
[2] https://peizazhe.com/2020/05/11/visare-te-bibliotekes-kombetare-i/
[3] Shih për më shumë Eni Kaçi, “Biblioteka Kombëtare, si u krijua 95 vjet më parë”, tek https://tinyurl.com/ycf39jw6
[4] Shih fjalën e Drejtoreshës Persida Asllani me rastin e 95 vjetorit të BKSH-së, me 20 dhjetor 2015, dhe theksin tek “ekskluzivitete dhe raritete” të institucionit. http://bksh.al/Te%20reja_ngjarje141.html#.XtwPLC8T1n4
[5] Me 6 maj 2014 BKSH ekspozoi koleksionet e rralla të tre vëllezërve Frashëri, Naimi, Samiu dhe Abdyli, të përbërë nga 85 libra unikalë, të botuar midis viteve 1875 – 1912. Intervistë e Maks Gjinajt në Gazetën Shqiptare, referuar tek https://tinyurl.com/y7b2gb98
[6] Fjala e Drejtorit Aurel Plasari në konferencën e shtypit për 90 Vjetorin e BKSH-së, 10 korrik 2010, http://bksh.al/Te%20reja_ngjarje47.html#.Xtxfyi8T1n4
[7] “…ndërsa më 1920‑n qeveria e sapovendosur në Tiranë themelonte “Bibliotekën Kombëtare”, të atashuar pranë Ministrisë së Arsimit, me një akt të nënshkruar nga ministri i asikohshëm…”Shih Aurel Plasari, Biblioteka Kombëtare në 80 Vjetor” [Theksimi yni, A.A.]. https://tinyurl.com/y8dpkbg3
[8] Fjala e Nolit me rastin e 50 Vjetorit të Pavarësisë, Boston, 28 nëntor 1962, transkriptuar nga A.A. www.peizazhe.com
[9] Nuk jemi në dijeni nëse në Tiranën e ditëve tona këto shtëpi historike apo vendndodhjet e tyre njihen dhe ruhen si pika historike referimi (landmarks).
[10] Eni Kaçi, Supra Note 3; Karl Gurakuqi, Pjesë nga Ditari, përcjellë nga Romeo Gurakuqi, tek: https://tinyurl.com/y9sa2ply Gurakuqi përmend edhe një “rregulloren e bibljothekës (30 faqe të daktilografueme),” rreth dates 10 nëntor 1920. Drejtues të Bibliotekës Kombëtare nënvizojnë se deri më sot nuk është gjetur lista e librave të ardhur në Bibliotekën Kombëtare nga Shkodra.
[11] Për shembull, Emine hanëm Toptani përmendet si një ndër gratë më të ditura e të kënduara të kohës. Madje Konica e mbante Eminenë si njëfarë këshilltare jozyrtare për probleme të gjuhësisë dhe fjalëve të rralla [“është tejet kompetente në fushën e fjalorit të gjuhës shqipe”]. Shih letërkëmbimin Konica – Jokl, 14 qershor 1918, tek A. Alibali, “Faik Konica, Dritëhijet e një diplomati”, Argeta, Tiranë 2017, f. 73.
[12] International Biographic Dictionary of National Archivists, Documentalists and Librarians, Jeffrey M. Wilhite, Todd J. Kosmerick, Laurie Scrivener, Susan Houck, Scarecrow Press, f. 3. Mjerisht google books e përcjell listë vetëm pjesërisht [snippet].
[13] Supra note 4.
[14] Supra note 5.
[15] Letër e Malokit për Nolin, datë 19.12.1958, Krist Maloki, Refleksione, Kritikë (letrare), analiza dhe mendime, përgatiti: Albert Ramaj, Faik Konica, Prishtinë, 2005, f. 268.
[16] Faik Konica, Vepra 2, zgjedhur e përgatitur nga prof. Nasho Jorgaqi, Botimet Dudaj, Tiranë, 2001.
[17] Jurist dhe diplomat i sprovuar, Fuad Asllani kishte qenë Ministër në Legatën Shqiptare në Londër para se të merrte detyrën e lartë në atdhe.
[18] Arkivi i Legatës Shqiptare në SHBA, Arkivi Historik i Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane, Dosja 3. Nga dokumentacioni arkivor mësojmë se krisja në Vatër kishte nisur në shkurt në 1936 kur Konsulli George Prifti, me vendim gjykate, kishte marrë në dorëzim gjithë pasurinë e Vatrës, përfshirë arkivat. Kuvendi i XXI i 19 korrikut 1936 praktikisht e ndau Vatrën në dy grupe, ku ai i Detroitit kishte paraqitur në Tiranë akuza të ashpra ndaj konsullit. Agron Alibali, Vepra e cituar, ff. 254, 257.
[19] Po aty.
[20] Në 9 nëntor 1936 kabineti Frashëri u rrëzua, për t’u zëvendësuar nga qeveria Kotta. Direktivën e Zogut e transmetoi Ministri i Jashtë Ekrem Libohova. Agron Alibali, Vepra e cituar, f. 250.
[21] http://www.bksh.al/Koleksionet1.html
[22] Arkiva historike e Vatrës u kthye e pacënuar në Boston pas ribashkimit të saj. Qendroi aty deri nga mesi i viteve 1990, kohë kur u përcoll përfundimisht tek selia e re e Vatrës në Bronx, New York. Nuk jemi në dijeni të ndonjë nisme apo përpjekjeje të sotme për vendosjen e saj në BKSH në Tiranë, sipas dëshirës së Mbretit Zog.
[23] “Biblioteka për Djelmëninë” ose “Carnarvon” u themelua në vitin 1929 me kontributet vetjake të Lady Carnavon, nënës së Audrey Herbert, politikan i shquar britanik dhe mik i Shqipërisë, dhe miqve të saj në Angli. Për më shumë, shih Aurel Plasari, “Na ishte njëherë një bibliotekë”, tek http://www.bksh.al/Te%20reja_ngjarje60.html#.Xt8Dki8T1n4 Atë ditë, më 18 prill 20111, BKSH çeli edle ekspozitën me titullin domethënës “Kundër mosmirënjohjes”.
[24] “Ministri që dogji libra” — nga Aurel Plasari, tek https://shkoder.net/ernest_koliqi/#ministri
[25] Aurel Plasari, “Na ishte njëherë një bibliotekë”. Sipas tij, BKSH arriti të rekuperojë mes koleksioneve të veta gjithë sa ka mbetur prej ish-Carnarvonit: deri më tani rreth 1.000 tituj [nga 5000 gjithsej, të humbur], me vlera të spikatura të fondeve të kulturës së përgjithshme, të dijeve humaniste, të dijeve praktike, të letërsisë dhe arteve, madje edhe të albanologjisë dhe të fondeve “Antikuar”. Po aty.
[26] Shih Dekretin nr. 194 nënshkruar më 9 qershor 1940 nga Viktor Emanueli III, botuar në “Gazeta Zyrtare”, nr. 93, Tiranë, 10 qershor 1940. “Në bazë të këtij dekreti, Shqipëria do të ishte automatikisht në luftë me çdo shtet me të cilin Italia fashiste do të ishte në konflikt të armatosur. Në mbështetje të këtij dekreti, Qeveria kuislinge e Tiranës, në solidaritet të detyruar me Italinë fashiste, i shpalli luftë pa asnjë motiv më 10 qershor 1940 Anglisë dhe Francës, më 28 tetor 1940 Greqisë, më 6 prill 1941 Jugosllavisë, më 22 qershor 1941 Bashkimit Sovjetik dhe më 7 dhjetor 1941, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Kristo Frashëri, Skema politike e Shqipërisë gjatë Luftës II Botërore, Dita, 16 shtator 2015, tek https://tinyurl.com/yazkk85f Akti i shpalljes së luftës, i kryer nga një shtet i pushtuar, është nul pas së drejtës ndërkombëtare, sipas mendimit tonë.
[27] Ndër kritikët më të rreptë përmendet, ndër të tjera, Mitrush Kuteli, që i etiketoi aktet e Koliqit si “budallallëku i viteve të fundit të tij”, si dhe një autor tjetër me pseudonimin “Odrieja”. Kontribut të veçantë në sjelljen në vëmendje të plaçkitjes dhe djegies së fondeve të Bibliotekës “Carnavon” ka dhënë edhe studiuesja Megi Dervishi. Shih për më shumë: Megi Dervishi – A Translator in Power: Ernest Koliqi and his Role during the Fascist Occupation of Albania
https://amslaurea.unibo.it/18354/1/Dervishi_Master_thesis.pdf
[28] Traktati i Paqes me Italinë, https://www.loc.gov/law/help/us-treaties/bevans/m-ust000004-0311.pdf
[29] “Composta da 552 opuscoli, giornali, riviste e volumi vari editi tra il 1909 e il 1943, di cui 266 del periodo 1909-1939 e 286 degli anni 1939-1943”. Ufficio Albania di Bari (1921-1943), Archivio di Stato di Bari, Inventario, a cura di Mariolina Pansini, 2015. Përshkrimi i fondit bibliografik jepet më i hollësishëm në ff. 9-10.
[30] Citimi i plotë: “gli altri sicuramente furono acquisiti nel periodo 1939-1943. Infatti si é trovata memoria di un invio di pubblicazioni per la Biblioteca dell’Ufficio Albania da parte del ministero degli Affari esteri (nota del 2 novembre 1942, in ASBA, Prefettura di Bari, Ufficio Albania, b. 27, fasc. 4) e da parte della Luogotenenza generale di Tirana (nota 5 febbraio 1943, in ASBA, Prefettura di Bari, Ufficio Albania, b. 27, fasc. 4)”. Po aty, f. 89.
Ky Viskë Babatasi, drejtori i parë i BK, ishte ai për të cilin Fishta shkroi atë që ai e quante “poem dramatik-satyrik”: “Gomari i Babatasit”, sepse Viska vinte në punë me gomar, që e lidhte pastaj te një nga dritaret e Bibliotekës. në fund të poemës gomari i Babatasit shndërrohet, ama, në njeri, në gazetar – korrespondent i fletores “Vllaznia.