NJË LEXIM AKTUAL I TEZËS DOKTORALE TË ÇABEJT

nga Emine Sadiku

Shpjegim (Abstract)

Edhe pse në titull jemi shprehur: „lexim i tezës doktorale“, ne nuk do të merremi me mbarë materialin shkencor, që përmban doktoratura e prof. Çabejt, por me pjesën krejt gjuhësore të saj, me materialin linguistik që është shpërndarë në kapitujt II, III, IV, V. Do të përqëndrohemi veçanërisht në kapitullin „Umriss einer Grammatik“. Është e rëndësishme të theksohet se disertacioni i Çabejt u mbrojt para 90 vjetësh, më 21 qershor të vitit 1933. Për një kohë të gjatë punimi ruhej në bibliotekën e Universitetit të Vjenës. Në vitin 2017 shtëpia botuese „Harrassowitz“ (Wiesbaden) e boton këtë material me domethënie e vlera të rralla.

Shkrimi ynë do të organizohet në disa kapituj (fragmente); do të trajtohen çështje, si: :

  1. Fjalë mbi tematikën e përgjithshme të veprës doktorale: dimensioni gjuhësor, historik, gjeografik, diatopik, dialektologjik, sociologjik, antropologjik etj.
  2. Analizë e kapitullit „Umriss einer Grammatik“
  3. Kur strukturalizmi kulmonte me fonologjinë
  4. Një arkitekturë gjuhësore par excellence
  5. Vlerësimi i punimit nga Paul Kretscmer dhe Norbert Jokl
  6. Arbërishtja – gjuhë në rrezik zhdukjeje (?)

Do të operohet me terma (fjalë kyçe), si: dialekt, e folme, koine, leksik, gramatikë, fjalëformim, huazime, etimologji, tingull, fonemë, pësime fonetike, artitekturë gjuhësore, diatopike, diafrasike, diastratike…

 

Parathënie

Nga shumë tema të mundshme, të propozuara, doktoranti zgjodhi atë mbi studimin e së folmes italiano-shqiptare të „Piana dei Greci“(që nga viti 1941 – Piana degli Albanesi). Një studim i tillë, i një të folmeje të shkëputur prej qindra vjetësh nga trungu amë, ka një rëndësi të veçantë për historinë e gjuhës. Ja si shprehet vetë autori për objektin e tij të studimit: “Die vorliegende Arbeit hat zum Gegenstand die Untersuchung der sikuloalbanischen Mundardt von Piana die Greci bei Palermo, welche ich im Juli 1932 an Ort und Stelle kennenzulernen Gelegenheit hatte. Die Mundarten Kalabriens und des übrigen italienischen Festlands, sowie jene Griechenlands und manche des albanischen Mutterlands sind gelegentlich herangezogen worden… Grundlage jeder Dialektuntersuchung ist die lebendige Rede des Volkes. In zweiter Linie kommen in Betracht die Texte, deren wir eine beträchtliche Anzahl besitzen…“ (f. 17) (Puna e prezantuar ka për objekt hetimin e së folmes arbëreshe të Piana dei Greci pranë Palermos (27 km në jug të Palermos). Janë përfshirë në punim dhe të folmet e Kalabrisë , të folme të pjesës tjetër të Italisë, të Greqisë si dhe të folme amtare shqiptare…Në bazë të çdo studimi dialektor është ligjërimi i gjallë i popullit. Në plan të dytë vijnë në shqyrtim tekstet që i kemi në sasi të konsiderueshme). Rrokja globale e botës arbëreshe të Piana…, në të gjithë kontekstin e saj, është e admirueshme. Çështje historike, kishtare, kulturore, sociolinguistike shtrohen dhe trajtohen po aq thellësisht sa ato gjuhësore. Në aspektin gjuhësor ai nuk merret vetëm me vrojtime sinkronike dhe diakronike por dhe me kontaktet e larmishme gjuhësore, me fenomenin e zhdukjes dhe të vdekjes së gjuhës.

 Përmbajtja e lëndës së shqyrtuar

Lënda e mbledhur dhe e analizuar është organizuar në pesë kapituj dhe pikërisht : 1. Einwanderung und Ausbreitung (imigrimi dhe shpërndarja); 2. Umriss einer Grammatik (skicë e një gramatike); 3. Zur Wortbildung und zum Wortschatz ( mbi fjalëformimin dhe leksikun); 4. Tekste; 5. Glossar (fjalorth). Çdo kapitull përmbledh një sasi të konsiderueshme çështjesh.

 Umriss einer Grammatik

Në pjesën shkencore gjuhësore f. 65 -150 hulumtimi i së folmes së Piana dei Greci dhe i të folmeve të tjera shqiptare-italiane bëhet në kuadrin e dialekteve të gjuhës shqipe. Me anë të kërkimit dhe studimit rigoroz të izoglosave të veçanta autori arrin të ndërtojë, të sistemojë shtresat gjuhësore të vendosura historikisht në mënyrë të parregullt. Punimi nxjerr në dritë dhe dukuri të panjohura të historisë së të folmeve toske. Në këtë pjesë bëhet, së pari, një prezantim i sistemit tingëllor të së folmes (II). Në kapitullin në vijim III „Zur Wortbildung und zum Wortschatz“ kanë interes të veçantë konsideratat për fjalëformimin, këndvështrimi i huazimeve që grupohen sipas gjuhës dhënëse. Në mbyllje vendosen tekste të mbledhura nga persona të besueshëm gjuhësisht (IV) dhe një fjalorth (V: Glossar).

Kapitulli në fjalë, II, (pjesë e studimit të mirëfilltë shkencor – gjuhësor) merret me hetimin dhe përshkrimin e tingujve të të folurit të objektit në vëzhgim, të folmes italo – shqiptare në Piana dei Greci.

Kapitulli fillon me një hyrje ku jepen njohuri të përgjithshme mbi dialektet e shqipes, nëndialektet, emërtimet dhe kufijë e tyre. Theksohet ndër të tjera se të folmet italo-shqiptare janë kryesisht toske. „Mit Ausnahme von Villa Badessa jedoch, das einen rein çamischen Dialekt spricht, gibt es keine von ihnen, die einer Mundart des Mutterlandes vollkommen entspricht…“ (Me përjashtim të Villa Badessa që, megjithatë, flet një dialekt të pastër çam, nuk ka të tjera që u përgjigjen plotësisht të folmeve të dheut amë). (f. 66). Është me interes të rreshtojmë dhe arsyet e autorit për këtë gjendje e këtë raport gjuhësor: 1. Të folmet e shqipes kanë ndryshuar në këtë gjysmë shekulli; 2. Po kështu dhe të folmet italo-shqipe kanë pasur një zhvillim të veçantë që nga koha e imigrimit; 3. …Siç kemi vënë re janë krijuar shumë koloni, me shumë shtresime të ardhurish nga Shqipëria…(f. 66) Këto përzierje dialektore janë trajtuar si koine dhe argumentohen me shembuj domethënës. Është i një rëndësie të veçantë fakti që dialektet italo-shqiptare ruajnë tipare që toskërishtja e sotme nuk i ka ose i ka vetëm si gjurmë (f. 67). Me shprehjen „Dem tosk. Charakter des Italoalbanischen zufolge müssen wir sie auch für ältere Stufe des Toskischen annehmen. Es seien hier zunächst Quantität und Nasalisierung besprochen. ( Karakterin tosk të të folmeve italoshqiptare duhet ta pranojmë si shkallën më të vjetër të Toskërishtes. Këtu po fillojmë së pari me gjatësinë dhe nazalitetin.) (f. 67). Tipari fonetik i gjatësisë së zanoreve përshkruhet me hollësi. Dallohen tre lloje gjatësish që realizohen sipas ligjit të kohëzgjatjes. Folësi e ngadalëson ose e shpejton shqiptimin nëse ai është i ndërgjegjshëm se tingujt duhen realizuar me një kohëzgjatje të caktuar që lidhet me vetë kuptimin e fjalëve. Ilustrimi është i bollshëm dhe sinjifikativ me fjalë të mbledhura nga ai vetë dhe në vepra autorësh që janë marrë me studimin e kësaj treve gjuhësore. Për çdo shembull jepet dhe përkthimi gjermanisht. Gjatësia lidhet dhe me theksin e fjalës. Nëse theksi lëviz nga një rrokje e theksuar te një tjetër, rrokja e theksuar nuk mbetet më e tillë (si në rastin e gjuhës sonë: mali- malor).

Përshkrimin e dukurisë Nazalizim autori e fillon me konsideratën: “Zanoret nazale përbëjnë një tipar dallues midis gegërishtes dhe toskërishtes… Në toskërisht këto zanore janë bjerrë dhe janë zëvendësuar me përgjegjëset jo nazale. Por gjurmë të nazalizimit gjenden në Himarë dhe në Kurvelesh, zona ku flitet toskërisht. Në vijim përmenden e citohen gramatikanë që pranojnë ekzistencën e nazaleve në të folmet e Kalabrisë. Hulumtuesi analizon dhe shpjegon arsyen e kësaj ekzistence. Por në të folmen e Piana …, thotë ai, nuk ka zanore hundore. Në vijim ai merret me analizime të tjera fonetike që kanë të bëjnë me akustikën , me vendin e formimit të tingujve dhe me vlerën fonologjike të tyre. Me interes të veçantë janë mendimet për grupe zanoresh ose bashkëtingëlloresh. P.sh.: një tipar i vjetër i të folmeve shqiptaro-italiane është grupi i vjetër zanor uo që bashkëekziston me variantet ue dhe u. Diftongu uo është pararendës i ue në gegërisht dhe ua në toskërisht. Edhe pse Lambertz e pranon ekzistencën e togut uo në të folmen e Piana …, Çabej shprehet se nuk mund ta konfirmonte këtë pohim. Jepen konsiderata dhe për grupet bashkëtingëllore: lj, kl, gl. Lidhur me praninë e elementeve gegërisht (gegizma) në të folmet italoshqiptare autori shpjegon se kjo ka të bëjë, së pari, me faktin se është vështirë që ato të ndahen nga shtresa e vjetër toske. Prania e elementeve gege në të folmen e studiuar shpjegohet dhe me historinë e formimit dhe zhvillimit të ngujimeve shqiptare. Kolonistët e fshatrave të ndryshme kanë ardhur nga krahina të ndryshme. Shtresa e parë e të ardhurve nuk përbën një masë homogjene demografike: ajo përbëhet nga grupe me prejardhje të ndryshme gjeografike-shoqërore që kanë krijuar së bashku të njëjtën koloni. Për arsye të ndryshme kanë ndodhur zhvendosje gjuhësore – dialektore: grupe të folmesh janë shpërbërë, bashkësi të reja janë krijuar me të folme origjinash të ndryshme. (f.74) “Por në shumicën e tyre të ardhurit direkt nga Shqipëria ose nëpërmjet Greqisë u përkasin zonave gjuhësore toskërishte.” (f. 75) Edhe pse e folmja (si dhe të folmet e tjera italoshqiptare) përbëhet nga disa shtresa gjuhësore, autori ka përvijuar një shtresë të përbashkët. Më tej vijon një prezantim i sistemit tingëllor karakteristik për të folmet italoshqiptare. Çështja e fleksionit foljor reduktohet në mbaresat zgjedhimore të foljeve në këto të folme. Në plan krahasues gegërisht – toskërisht jepet dhe klasa e numërorëve, sidomos fjalëformimi i tyre. Përsa i përket origjinës së të folmeve italoshqiptare dhe bartësve të tyre autori polemizon me disa studiues që mbrojnë pikëpamje të ndryshme, disa herë të kundërta me Çabejn. Sistemi tingëllor i së folmes së hulumtuar jepet i detajuar duke dalluar së pari klasat: zanore vs. bashkëtingëllore. Në çdo grup tingëllor përshkruhen veçoritë akustike, fiziologjike, perceptive deri dhe ato – fonematike. Krahas gjendjes aktuale autori ndalet gjatë dhe në ndryshimet, zhvillimet tingëllore në rrjedhë të kohës. Në analizën e tij tejet profesionale e ndihmon së tepërmi krahasimi me të folmet, sidomos me gjuhët e tjera (që kanë ndikim në fonetikën e gjuhës së analizuar). Korpusi, në kuptimin e grumbullit të të dhënave gjuhësore, përbën një material më shumë se të bollshëm për të provuar hipotezat e paraqitura në formë thëniesh të përgjithshme që provohen në mënyrën më të mundshme argumentative (falë dhe krahasimit bashkëkohës dhe etimologjik). Në kapitullin II përshkrimi i tingujve të të folurit arrin dhe caqe të tilla ku tingujt rroken si tufë veçorish. Me anë të krahasimeve dhe relacioneve përcaktohet vlera e tingujve të caktuar. Principi i definicionit negativ të vlerës së një tingulli gjuhësor është pikërisht ai i fonemës: çdo fonemë është ajo që e ndryshon nga të tjerat ( f. 65 -110). Duke folur për ndryshimet e zhvillimet fonetike ndër zanoret ose ndër bashkëtingëlloret, është cekur, pa u emërtuar, çështja e alofoneve. P.sh.: në f. 95, nën titullin „Konsonanten“pranohet: Bashkëtingëlloret e zëshme në Piana…, në fund të fjalës, shpesh dhe në fund të rrokjes, si në mbarë toskërishten, kthehen në të pazëshme: brez/bres etj. Realizime të tilla nuk sjellin dallime kuptimore dhe kushtëzohen nga pozicioni. Është fjala për dukurinë fonologjike të neutralizimit, variacioni fonematik kushtëzohet nga konteksti.

Kur strukturalizmi kulmonte me fonologjinë

Koncepti fonologji u skicua/ u përmend së pari nga gjuhëtari rus Nikolaus Trubeckoi në kuadrin e rrethit linguistik të Pragës (të themeluar në vitin 1926). Por u zhvillua më tej, duke marrë në një farë mase përmbajtjen që ka sot, nga Roman Jakobson. Themelimi i fonologjisë si disiplinë e veçantë gjuhësore është arritja më e rëndësishme e strukturalizmit gjuhësor. Rrethi gjuhësor i Pragës ndërmori disa aktivitete, si një Konferencë në Pragë, formimin e një shoqate të përgjithshme botërore që do të merrej me kërkime në fushë të fonologjisë. Kryevepra e Trubeckoy-t „Grundzüge der Phonologie“(Tiparet themelore të fonologjisë) doli së pari në gjermanisht në vitin 1939 (së fundi në vitin 1989). Teza doktorale e studentit Eqrem Çabej u mbrojt në vitin 1933. Përgatitja e saj, filloi disa vite, disa semestra më parë. Vështirë të mendohet që ai, kur hartonte kapitullin mbi fonetikë merrte sinjale nga fonologjia strukturaliste europiane apo amerikane për të klasifikuar dhe përshkruar tingujt gjuhësorë të objektit të vet. Zelli i gjuhëtarit të ri, intuita prej dijetari e nxorën atë në ato hulli që vite më vonë do të merrnin pamjen e një disipline më vete gjuhësore. Fonologjia as ishte shpallur si fushë e veçantë, as ishte ideuar dhe konfirmuar, as përdorej si metodë e këndvështrim në gjuhësi, kur punimi i një doktoranti të ri i trajtonte tingujt e të folurit të disa të folmeve në shqyrtim jo vetëm në pikëpamjet e njohura akustike, fiziologjike, perceptive, por dhe si tufë tiparesh dalluese që bëjnë dallimin kuptimor të njësive brenda një domeni ose në domene të ndryshme gjuhësore. Zhvillimet tingëllore me anë të spirantizimit (bashkëtingëlloret mbylltore kthehen në shtegore), ku ndryshimet nuk prekin kuptimin e fjalëve, janë dhe ato objekte të fonologjisë. Përshkrimi i hollësishëm i tingujve gjuhësorë, krahasimi midis të folmeve dhe gjuhëve në plan fonetik, zhvillimet dhe dallimet tingëllore në plan ndërdialektor (dialektet amë dhe dialektet italo-shqiptare), formatimi i tipave tingëllore në raport me variantet e realizimit të tyre (f…75 – 110), ndryshimet dhe zhvillimet tingëllore e shumë dukuri të tjera të prezantuara me konceptim dhe detajim shkencor mund të përktheheshin shumë mirë në terma të fonologjisë. Paraqitja e vlerës së veçantë tingëllore është gjithashtu një dukuri që të sjell ndërmend fonologjinë: c shenjon këtu një element fonetik midis ch gjermane te ich dhe një s-je frikative të sicilianishtes… (f.101). Në të gjitha paragrafet e kapitullit II “Umriss einer Grammatik“, që trajtojnë sistemin fonetik të së folmes në shqyrtim, krahasuar me të folmet e tjera fqinje, me gjuhët e dialektet mëmë si dhe me italishten e greqishten etj. gjendet material i bollshëm fonetiko – fonologjik. Informacioni, paraqitja e gjerë teoriko – empirike, janë njëkohësisht argumente të forta me vlerë fonematike. Kjo gjë, ndër të tjera i jep punimit një vlerë tjetër kontemporane. Studimi është një model i mirëfilltë hulumtimi edhe në punimet që ndërmerren sot në fushë të fonetikës e fonologjisë.

Në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë, disiplina e re, fonologjia përvijonte konturet e saj, ekspozonte çështjet dhe problemet, aplikohej në studimet e reja fonetike, në të dy kontinentet, në Europë dhe në Amerikë. Zhvillimi i saj i vrullshëm nuk mund të kuptohet pa burime të shumta dhe të sigurta. Burime të tilla janë dhe punimet e llojit në shqyrtim të studentit të atëhershëm Eqrem Çabej mbi të folmen arbëreshe të Piana dei Greci.

 Një arkitekturë gjuhësore par excellence

Studimi në fjalë i E. Cabejt, kapitulli në shqyrtim “Umriss einer Grammatik”, sidomos informacioni voluminoz fonetiko – fonologjik dëshmojnë atë që sistemi tingëllor i një gjuhe ose dhe i një të folmeje nuk është unik, por është në varësi të folësve, të komunitetit folës, të situatës komunikuese, të origjinës etj. Të folmet nuk paraqesin gjuhë (në të gjitha nivelet) homogjene. Dhe shumësia gjuhësore nuk është thjesht dukuri arbitrare, por një kombinim i faktorëve të brendshëm, sistemit morfosintaksor dhe atyre të jashtëm: gjeografikë, socialë, situativë, historikë etj. Për të paraqitur këtë kombinim faktorësh Coseriu zhvilloi konceptin dhe termin Arkitektura e gjuhës (Coseriu, E.: Sprachkompetenz, Tübingen, 2007, f. 265). Sipas Coseriu gjuha ka arkitekturën e saj të përbërë nga komponente si: diatopike, diastratike, diafazike. Variacioni diatopik ka të bëjë me shtrirjen në hapësirë, me gjeografinë ku veprojnë njësitë gjuhësore. Variacioni diastratik ka të bëjë me grupimin social brenda gjuhës, me përdorimin e gjuhës nga shtresa të ndryshme shoqërore, me të folmet e grupeve ose sociolektet. Variacioni diafazik lidhet me përdorimin e gjuhës në situata të ndryshme komunikative. Është fjala për regjistrin e përdorur, për stilet ligjërimore. I përmendëm këto fakte teorike për të dalë në objektin tonë të këtij paragrafi: punimi i studiuesit excellent E. Çabei është vërtet një godinë madhështore gjuhësore.

Një hyrje historike, e shkruar me sentiment e dashuri, jep historinë e ngujimeve shqiptare të Kalabrisë dhe Sicilisë. Kjo hyrje nuk është diçka e montuar, jo organike. Por është një domosdoshmëri, për të kuptuar sa më mirë objektin e vendos atë në një sfond historik. Në këtë kuadër vlen të përmedim dhe përshkrimin e një numri veshjesh popullore të quajtura me emrin e tyre në atë trevë. (Është dhe një material i çmuar leksikor.) Ja një paragraf nga përshkrimi historik, shkruar me një kompetencë dhe përkushtrim të veçantë, tejet tërheqës, me një informacion unik po të merren parasysh konsideratat dhe shpjegimet personale-subjektive-shkencore të autorit (Historisches, f. 19- 27; të dhëna historike gjenden dhe në kapitujt e tjerë):

“Piana është themeluar më vonë se kolonitë e tjera (sikulo) shqiptare. Grupi i parë nga Shqipëria erdhi para vitit 1487…Disa dhjetëra vjet më vonë erdhi dhe u vendos këtu një grup shtegtarësh, këtë herë nga Moreja (Greqi). Shumë nga shtegtarët kishin origjinë fisnike… “ Autori përshkruan, mbështetur në një literaturë të bollshme, autentike, bashkëjetesën e të ardhurve nga Shqipëria dhe atyre nga Moreja, mëritë, luftën midis tyre. Etj.

Në paragrafin “Geographische Verbreitung” (f. 28-51) jepen të dhëna domethënëse për vendndodhjen e njësisë gjeografike Piana dei Greci krahasuar me vendbanimet e hershme, të mëparshme të banorëve – shtegtarë:

“Vendi ynë gjendet në këmbët e Malit “Pizzuta”në një lartësi 725 deri 750 mbi nivelin e detit. Në kufi është mali “Saravuli”. Përpara zgjatohet një luginë që më parë quhej “lugina e Ferrit”. Përballë Pianës lartohet vargmali ”Busammara”, që shqiptarët e kanë quajtur “Buzëmbra…Zona ka pak pyje, peizazhi natyror të kujton atë shqiptar…Klima është e mirë, në dimër ka dëborë, vera nuk është aq e nxehtë si në Palermon (e afërt). Pikëtakimi i banorëve në vend është Piazza Vittorio Emanuele, popullorçe e quajtur Quaca. Këtu njerëzit qëndrojnë në kafe, hyjnë e dalin nëpër dyqane; këtu shëtisin të rinjtë, studentët e zonës. Në shesh gjendet Bashkia dhe shkolla e edukimit të vajzave. Nga ky shesh nisin gjashtë rrugët që të shpien në lagjet e Pianës…”(f. 51-54)

 

Shtresa diastratike gjuhësore është shprehëse e përmbajtjeve të ndryshme stilistikore, e mënyrës subjektive – shprehëse të materialit gjuhësor komunikues. Po e ilustrojmë këtë me një fragment të shkëputur nga teksti i Çabejt:

“Niveli i arsimimit në Piana është shumë i lartë. Edhe një person i zakonshëm ka njohuri të përgjithshme për situatën në Itali dhe në Shqipëri. Disa prej tyre kanë qenë në Shqipëri gjatë ose pas luftës së parë botërore. Kanë mësuar atje fjalë të reja që i kanë sjellë në Piana. Nuk janë vetëm fjalë turke , si: duhan, sahat etj. Edhe revista “Fiala e t’in Zoti” reflekton një shtresë- bazë të gjuhës shqipe. Jo rrallë janë marrë fjalë nga shkrimtarët gegë, kishëtarë, si: Franku i Bardhë, Budi, Bogdani etj. Studentët bisedojnë midis tyre italisht. Italishtja është gjuha e formimit të tyre akademik… Përsa i përket gjuhës së kishës, terminologjisë kishtare, ajo përbëhet nga një shtresë greke mbi atë origjinale latine. Mesha bëhet greqisht. Zakonisht thuhen shqip lutjet më të rëndësishme…, shqip janë dhe këngët fetare që këndojnë gratë në kishë…(f. 62-65 e më tej).

Vlerësim i disertacionit të Kandidatit Phil. Eqrem Çabej nga A. Paul Kretschmer

Në vitin 1932 kandidati filloi hulumtimin e së folmes së Piana dei Greci në Palermo. Në disertacionin e tij ai prezanton rezultatet e këtij hulumtimi duke tërhequr në analizë dhe të folme të tjera të shqiptarëve të Kalabrisë pa hequr dorë nga një krahasim më i gjerë me gjuhën italisht dhe atë greqisht. Në një hyrje të hollësishme përshkruhet emigrimi i shqiptarëve nga trojet etnike në Sicili dhe Itali. Që nga shekulli XV shqiptarët kanë shtegtuar në grupe e në distanca kohore të ndryshme… Kolonitë e Sicilisë dhe të Greqisë rrjedhin nga krahina jugore toske. Autori shquan në të folmet e kolonive kalabreze-siciliane shumë shtresa dialektore të vendosura njëra mbi tjetrën… Pjesa e dytë skicon një gramatikë të së folmes së trajtuar. Objekt i saj janë tingujt, fjalëformimi dhe një listë fjalësh; morfologjia mungon në kuptimin e gjerë të saj.

Puna është kryer me zell të madh dhe me kompetencë shkencore. Kjo tregon aftësinë e autorit në mbledhjen, grumbullimin e të dhënave dialektore dhe përpunimin e tyre shkencor. Më tej punimi është një kontribut i vyer në fushë të historisë së gjuhës shqipe.

Candidati st zu den strengsten Prüfungen zuzulassen.

Wien, 19. Juli 1933  P. Kretschmer

Vlerësim nga Norbert Jokl

Shënim: Kemi lënë mënjanë disa sugjerime të Jokl-it për plotësimin e mëtejshëm të punimit të E. Çabejt, para një botimi të pritshëm.

Kontrolli vlerësues i këtij punimi ka vënë re dhe ka evidentuar faktin se kandidati e ka kryer detyrën e tij në mënyrë të shkëlqyer. Doktoranti, puna e tij shenjohet nga zotërimi i hollësishëm i literaturës, si asaj gjuhësore ashtu dhe asaj historike, sociologjike, politike, gjeografike kulturore. Punimi flet dhe për zellin e veçantë në aktivitetin empirik për zbulimin e objektit në vendodhjen e tij. Autori manifeston një logjikë e një maturi të veçantë, ai pozicionohet gjithashtu në një terren solid gjuhësor… Nëse kjo punë do të botohej, ashtu siç dëshirojmë dhe shpresojmë, do të ishte një pasuri në studimin e këtij dialekt, në studimet në fushë të gramatikës historike të shqipes; tema ofron një material të vyer etimologjik.

Vlerësimin e N. Jokl-it po e përfundojmë me fjalët e tij: „Es handelt sich um eine vortreffliche, gediegene Arbeit. Kandidat ist zu den strengen Prüfungen zuzulassen.“(f. 195)

Atje, ku takohen korifenjtë

Ndajfoljen atje të nëntitullit e kemi përdorur në kuptimin që i jep Weinrich korrespondueses së saj në gjermanisht – dort: „Dort bezeichnet also in erster Linie die Referenz-Position. Die semantischen Merkmale lauten entsprechend Position und Referenz…: Harald Weinrich Textgrammatik DUDEN 1993, f. 562.

Kështu, me atje kemi shenjuar një vendndodhje (larg folësit dhe larg dëgjuesit) që ka një referencë të caktuar. Referenca në rastin tonë është një zonë margjinale gjuhësore, që reflekton stade dhe shtresa të historisë së shkuar njerëzore/ gjuhësore. Në fillimet e shekullit të 20-të, në çerekun e parë të tij, studiuesi i talentuar Eqrem Çabej vendos në qendër te disertacionit të tij hulumtimin e së folmes së Piana dei Greci (sot: Piana degli Albanesi) të provincës Palermo, në Sicili. Ai do të kalonte javë të tëra atje për të pasur një qasje globale te arbëreshët e Piana die Greci/Piana degli Albanesi. Përgatitja e disertacionit i kushtoi disa semestra. Eksperiencën dhe dijen e përfituar në studimin e arbërishtes në Piana…atje, ku ajo gjëllin e flitet, Çabej e zhvilloi më tej në dhjetra artikuj për këtë temë.

Nga mesi i shekullit të kaluar korifeu tjetër, Martin Camaj, ndërmerr disa ekspedita shkencore në fshatrat italo – shqiptare. Hulumtimet e tij, gati për tri dekada, prodhuan një krijimtari të pasur në fushën e albanologjisë, sidomos në sektorin e dialektologjisë arbëreshe. Kjo krijimtari u prezantua në disa botime, në Itali dhe në Gjermani. Të tilla janë “La parlata albanese di Greci in provincia die Avellino” (Firence, 1961),”Die albanische Mundart von Falconara Albanese in der Provinz Cosenza” (München, 1977) etj.

Nga maji deri në gusht 1957 kaloi nëpër Shqipërinë Jugore një ekspeditë shqiptaro-gjermane. Ekspedita ishte konceptuar si një ndërmarrje e përbashkët e Institutit Etnografik në Berlin dhe Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës në Tiranë (Erich Stockamann: Albanische Volksmusik, Berlin, 1965, f. 8). Në këtë ekspeditë merrte pjesë dhe linguisti, albanologu korife, Wilfried Fiedler. Pjesëmarrësit e ekspeditës interesoheshin, para së gjithash, për kulturën materiale – shpirtërore që ruante në një masë të madhe forma dhe praktika arkaike. Në kuadrin e aktivitetit intensiv të ekspeditës Fiedleri u mor me çamërishten, të folmen e grupimeve çame të shpërndara kryesisht në fshatrat dhe qytetet e Shqipërisë jugore. Ai nuk mblodhi fjalë apo frazeologjizma, por këngë të kënduara nga grupe çame. Në këngët, që ruanin histori, gjuhë e mentalitet, shpesh krahinor e të vjetër (shumë herë dhe të vjetëruar), ai u ndal në tekstet, në të gjitha elementet përbërëse të një teksti kënge. Studimi etnografik i komunitetit çam, i raporteve etnike brenda tij, ishte një nga detyrat e rëndësishme të ekspeditës (kështu shprehet dhe Erich Stockamann: Albanische Volksmusik, Berlin, 1965, f. 9). Pjesëmarrësit në ekspeditë (edhe Fiedler-i) do të kishin dashur t’i njihnin e t’i studionin çamët në tokën amë. Kjo ishte asokohe e pamundur. Në vitin 1944 ata u dëbuan me dhunë barbare nga trojet e tyre dhe (shumica e tyre) u vendosën në Shqipëri. Është krejt e pritshme që ata të ndikoheshin kulturalisht nga mjedisi që i rrethonte, që e folmja shqipe e tyre të rezononte me të folmet vendase e të ndryshonte në rrjedhë të kohës. Por : “Zum Zeitpunkt der Sammlung hatte dieser Prozeß gerade erst begonnen, worauf einige wenige Anzeichen, besonders im sprachlichen Bereich, hinweisen…“(f. 15) ( Në kohën e grumbullimit/eksplorimit ky proces sapo kishte filluar, sidomos në fushën e gjuhës kishte vetëm pak shenja si dëshmi e ndryshimeve.) Gjysma e librit voluminoz, nga f. 163 – 210, është pjesa e shkruar nga W. Fiedler. Aso kohe Fiedler-i ishte 24 vjeç. Ashtu si Çabej, Camaj edhe ai dëshmoi që herët, në rini, se do të hynte vrullshën në botën linguistike – albanologjike, me një studim dinjitoz, me pasionin e njeriut që tek arkaikja zbulon të shkuarën me thesaret që ndryn ajo në të gjitha aspektet e jetës njerëzore. Thellë në të shkuarën shtrihen rrënjët e së sotmes dhe së ardhmes. Shpirti krijues nuk mund të ekzistojë pa të shkuarën . Prandaj nuk është rastësi që tre prominentë, korifenj të albanologjisë, takohen me veprën e tyre në një zonë që ruan ende fakte dhe gjurmë të së shkuarës shpirtërore – materiale të botës shqiptare. Materiali gjuhësor përmban një informacion pa kufi mbi jetën dhe eksperiencën njerëzore. Po t’i lemë gjuhët, të folmet të vdesin/ të shuhen, ky informacion do të humbë.

Njohja dhe studimi i ekzistencës së një gjuhe është hapi i parë për zgjatjen e jetës së saj

Në datat 4 dhe 5 shtator u mbajt në Tiranë Kuvendi i studimeve arbëreshe. Prof. Diana Kastrati e shpalli arbërishten si gjuhë në rrezik zhdukjeje. Një material tejet interesant të botuar në dy pjesë, në “Peizazhe të fjalës”, prof. Eda Dërhemi e përfundon me pyetjen sinjifikative :”A do e dëgjojmë tingullin e arbërishtes së gjallë në 2090? Vijon një përgjigje, gjithsesi e dhimbshme: “Varet, varet, varet …por nëse vazhdojmë të bëjmë si e sa kemi bërë, pa dyshim që jo. (Peizazhe të fjalës, 18 dhe 21 shtator, 2023) Në këtë situatë i gjithë materiali mbi të folmen e Piana dei Greci i autorit Eqrem Çabej, (botuar në “Albanische Forschungen 34, Harrassowitz Verlag) vjen dhe projekton të vërtetat e tij në realitetin e sotëm gjuhësor shqiptar. Ajo, që dokumenton dhe analizon Eqrem Çabej, vlen të studjohet, të fiksohet dhe të zhvillohet më tej. Që nga thellësia e viteve vjen kjo vepër monumentale si kujtesë për një gjuhë ( në studim quhet „Mundart“- e folme) me histori dhe arkitekturë të spikatur. Çabej ka hedhur hapin e parë (më vonë dhe shumë hapa të tjerë ) në ruajtjen dhe gjallërimin e kësaj ngrehine shekullore.

Ardian Vehbiu në „Peizazhe të fjalës“, 17. 09. 2023, e konsideron arbërishten „gjuhë“ (UNESCO-ja e quan gjithashtu „gjuhë“). Ai arsyeton: „Për mua, arbërishtja e ka nisur rrugëtimin në shekujt XIV-XVI si një konglomerat të folmesh dialektore të shqipes, por pa u bërë asnjëherë dialekt gjeografik; dhe tanimë mund të konsiderohet gjuhë e veçantë, simotër e shqipes“. Më poshtë ai shprehet se arbërishtja ka krijuar një letërsi të vetën dhe një identitet të spikatur kulturor. Duke u pajtuar dhe me mendimin e A. Vehbiut e gjejmë studimin në fjalë (dhe studimet e tjera me të njëjtën tematikë) të Eqrem Çabej-it një barrierë mbrojtëse kundër erozionit që kërcënon me zhbërje këtë ngrehinë gjuhësore me arkitekturë madhështore.

(c) 2023 Emine Sadiku. Të gjitha të drejtat janë të autores.


Literaturë e konsultuar:

Çabej, E.: Italoalbanische Studien; Wiener Disertation aus dem Jahr 1933, Harrassovitz Verlag, 2017

Coseriu, E.: Sprachkompetenz, Tübingen, 2007

Stockamann; E.: Albanische Volksmusik, Berlin, 1965

Gabriel, Ch./ Meisenburg,T./ Selig, M.: Phonetik und Phonologie, Tübingen, 2013

Weinrich, H.: Textgrammatik der deutschen Sprache, DUDENVERLAG, 1993

Një udhërtim njohës në krijimtarinë e shkrimtarit Martin Camaj Internet

Peizazhe të fjalës, shtator, 2023

 

Rreth Autorit

Emine Sadiku Teichmann ka studiuar në universitetin e Tiranës, në degën Gjuhë-Letërsi të fakultetit Histori-Filologji. Ajo ka kryer një sërë specializimesh në disa universitete gjermane. Është autore e disa librave në fushën e gjuhësisë, stilistikës gjuhësore, mësimdhënies së shqipes e të gjermanishtes. Që prej vitit 1996 jeton dhe punon në Gjermani.

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin