SHQIPËRIA LANDFILL

Paradoksi është ky – por mos më lini të gaboj: që të provojë se e meriton të jetë pjesë e Bashkimit Europian, Shqipëria duhet t’i ofrojë BE-së shërbimet e veta si shtet jo anëtar i Bashkimit Europian.

Kjo e fundit, me kampet për pritjen dhe përpunimin e refugjatëve të shpëtuar “në det”, ka të bëjë me territorin dhe territorialitetin. Bëhet fjalë për masa afrikanësh të gjorë, që duan të kapërcejnë Mesdheun, për të mbërritur në BE, nëpërmjet Italisë – por që Italia nuk dëshiron t’i përpunojë në territorin e vet, sepse ashtu legjislacioni i BE-së do t’ia komplikonte shumë gjërat. Që këtej, zgjidhja për t’i shkarkuar (përkohësisht?) në një vend të tretë.

Nga zgjidhja te zgjedhja: Shqipëria, si territor ligjërisht gri.

Edhe një herë tjetër, ndodh ajo që më është dukur i si transferim i entropisë, ose i një faktori a entiteti a realiteti që – brenda territorit të BE-së – do të rriste çrregullimin social, pasigurinë dhe kaosin, siç janë këtë herë refugjatët.

Për arsye të ndryshme, refugjatët dhe në përgjithësi emigracioni përmes Mesdheut ka shkaktuar shqetësime të mëdha në Itali, duke krijuar mes të tjerash edhe tensione me superfuqi të BE-së, si Franca dhe Gjermania. Ata që kapërcejnë detin, viktima politikash dhe neokolonializmash dhe ekonomish dhe shtetesh të dështuara, nuk janë më të mirëpritur në kontinent – edhe pse legjislacioni i BE-së e imponon njëfarësoj mirëpritjen, për arsye edhe morale dhe humanitare.

Shqipëria nuk vjen në vështrim në këtë mes, përveçse si territor jo-BE, si djerrinë.

Kam shkruar, që te “Sende që nxirrte deti”, për kërcënimin që marrëdhëniet tona me Perëndimin e qytetëruar të ngecin në nivelin e mbetjeve, ose ekskremental; një fatalitet që e kemi trashëguar të paktën që prej viteve të izolimit të madh totalitar.

U bënë kohë që Perëndimi – me mallrat, teknologjitë, eksperimentet dhe filozofitë e veta – vjen në Shqipëri për të vdekur. Ose, në rastin më të mirë, për të mbijetuar në trajtë të një zombie, siç ndodh sot e kësaj dite me sistemin politik që kemi (njëherazi i vdekur dhe ende gjallë).

Njëlloj, për shumë e shumë vjet pas 1990-ës, Shqipëria u kthye në një landfill të makinave të përdorura, të teknologjive të vjetruara dhe toksike, të vjetërsirave gjithfarësh. Njëkohësisht, një pjesë e madhe e infrastrukturës ekzistuese u demontua dhe u shit si skrap, edhe ajo në trajtat terminale të mbetjes a të ekskrementit.

Pata shkruar se:

Eksportimi i skrapit, ose i infrastrukturave të djeshme, nuk është veçse kundërpërgjigjja shqiptare ndaj “gabit” dhe tregut të ushqimeve dhe barnave të skaduara; të dyja janë operacione zhvarrimi që mishërojnë jo aq ringjalljen dhe rehabilitimin, sesa zhvdekjen.

Dikur në fillim të viteve 2000 u pat bërë zhurmë e politizuar në mediat shqiptare, për një projekt të ndërtimit të një impianti për shkrumbimin e plehrave që do të vinin nga Italia.

Dy-tre pranvera më pas, mediat në Tiranë folën për një TEC me qymyr, që do të ngrihej në Porto Romano, për të furnizuar me energji Italinë e Jugut; dhe që do të ngrihej pikërisht në Porto Romano pikërisht sepse ligjet e Europës përballë janë të tilla, që ua bëjnë pothuajse të pamundur këtyre gërdallave karbonike, që të gjëllijnë gjetiu. I ngjashëm me këtë makth, ishte projekti tjetër për të ngritur në territorin shqiptar centrale atomike (“meqë legjislacioni italian nuk e lejon në trojet e Italisë”).

Projektin famëkeq për të sjellë dhe çmontuar në Shqipëri armë kimike nuk po e përmend më gjatë se ç’duhet, sidoqë fiaskoja e tij mund të sillet si shembull politikash efikase të protestës grasroots.

Kujtoj edhe se në 2015 pat dalë në dritë një projekt për shndërrimin e Kantierit të Ndërtimit të Anijeve në bazën e Pasha Limanit në kantier për prerjen (copëtimin) e anijeve të dala jashtë përdorimit.

Sërish pata shkruar atëherë se

Duket sikur një pjesë e mirë e marrëdhënieve tona me Perëndimin mbështeten në konceptin e riciklimit; çka do të thotë se Perëndimi po depoziton në Shqipëri mbeturinat e metabolizmit të vet ekonomik, ose ekskrementet e veta.

A nuk ka këtu një rregullsi, një pattern, që nxit në perceptimin e Shqipërisë si një vend që edhe thith toksicitet nga vendet përreth – në trajtë mbeturinash, vjetërsirash dhe plehrash; edhe emeton toksicitet, në trajtë veprimtarish ekonomike të kundërligjshme, përfshi trafikun e drogës dhe të njerëzve, pastrimin e parave të pista dhe gatishmërinë për t’u ofruar si bazë gjeografike për operacione ndërkombëtare të pashijshme ose të padëshirueshme nga vendet e qytetëruara?

Ose edhe më keq, si një Çernobyl social – që kombinon elemente të krizës mjedisore, shkatërrimit të natyrës dhe të cilësisë së ajrit, të ujit e të ushqimit; me elemente të paligjshmërisë dhe të krizës së besimit, e cila krizë nuk është vetëm problem etik (çfarë nuk do të ishte pak) por edhe prek drejtpërdrejt ekonominë dhe tregtinë, duke i vështirësuar shumë transaksionet në të gjitha nivelet; dhe me elemente të paqëndrueshmërisë demografike dhe të një popullsie duke u analfabetizuar funksionalisht, për shkak të degradimit të sistemit arsimor dhe të mediave?

Shumë kohë ka kaluar, që nga këshilla që ia dha Enver Hoxhës Hrushovi në 1959, për ta shndërruar Shqipërinë në një kopsht me ullinj dhe agrume që t’i shërbente krejt kampit socialist; kish më shumë logjikë ekonomike dhe premtim mirëqenieje kapilare te kjo batutë, se te të gjitha programet grandioze në mos megalomane, që ia kanë kundërvënë për gjysmë shekulli e kusur.

Refugjatët që pritet të vijnë tani në Shëngjin nuk janë veçse kapitulli i fundit, i trishtuar, i përdorimit të Shqipërisë si landfill për produktet terminale të metabolizmit social të Bashkimit të Europës – ardhacakët e padëshiruar nga Afrika. Duke parë valën e RACIZMIT MË TË NDYRË, MË BRUTAL që ka përfshirë një takëm mediash dhe komentatorësh pak a shumë opozitarë në Tiranë, nuk mund veçse të mendoj edhe një herë për toksicitetin që po importojmë – sërish – nga Europa, për të provuar se e meritojmë të jemi edhe ne Europë.

 

© 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi i këtij materiali në mediat tradicionale dhe elektronike – shkelësit do të përndiqen ligjërisht.

1 Koment

  1. Koret raciste te medias me kujtuan nje shkrim interesant te postuar dikur ketu “Racizmi nder shqiptaret”.Nga ana ekonomike Shqiperise nuk i kushton asgje ,ndersa logjistika absurde do e beje teper te shtrenjte per Italine e cila do paguaje per cdo gje .Ndonese mund te jete e paqellimshme mesazhi qe marrin shqipot eshte “do e ndertojme kampin ne Shqiperi ,pasi ju jeni njerez me standarde me te uleta se ne”.Deklarata qe ben KM shqiptar se :”dikur Italia na priti krahehapur ..” eshte e pasakte nga ana historike .Italianet na perzune nga dera me sa munden ,por ne u hyme nga dritarja .Shqiptaret me italianet jane ” una faccia ,una razza” , pas nje brezi nuk i dallon me nga njeri tjetri e keshtu u harrua ai muhabet.Keta te varfrit do dallohen brez pas brezi si te ndryshem .Edhe nese do te ishte e vertete del pyetja :pse Italia nuk pret edhe keta krahe hapur si priti shqiptaret?!!
    Ajo qe eshte shqetesuese eshte fakti se migrantet nuk jane bageti, por qenie njerezore me ndjenja, enderra , deshira , ambicie.Ne kampe do te mbahen te mbyllur derisa aplikimi te shqyrtohet process qe merr ndoshta vite.Praktikisht do te jene te privuar nga liria , mase e rezervuar per krimenelet ndersa kerkimi i azilit nuk eshte krim por nje e drejte njerezore.Prezumimi i pafajsise qe eshte parim baze i te drejtave te njeriut ne kete rast shkelet.
    Ne plan me te gjere Africa eshte i vetmi kontinent me rritje ekplozive demografike, si e tille ka teprice kapitali njerezor ,i cili do migroje.Kjo eshte dicka qe humanet e kane bere qe kurse zbriten sefte nga pemet ketu e 200 mije vjet perpara.Kete s’ka asnje kamp perqendrimi per migrantet ta ndaloje.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin