RRETH KOHËS SË FORMIMIT TË SHQIPES

Teksteve të historisë së shqipes u duhet të merren, mes të tjerash, edhe me përcaktimin e vendit dhe të kohës së formimit të kësaj gjuhe. Për vendin, albanologjia shqiptare por jo vetëm ka mbrojtur tezën se shqipja është formuar pak a shumë në trojet ku flitet edhe sot, madje edhe diçka më gjerë në Ballkan. Për kohën, mendohet (Sh. Demiraj) se shqipja është përftuar si gjuhë jo më vonë se fundi i shekullit VI të erës sonë.

Kjo kronologji është keqkuptuar rëndë, ndonjëherë edhe me keqdashje. Turbo-albanologët e kanë krahasuar me “shqipen 6-mijëvjeçare” të artikullit të Science dhe e kanë madje denoncuar si tradhti kombëtare, mashtrim të paguar nga serbët (ose grekët), përpjekje e vetëdijshme për të reduktuar, në mos asgjësuar, moshën e shqipes si gjuhë “nga më të vjetrat në kontinent”, ose edhe “gjuhë nga më kryesoret në Europë”. Edhe pak dhe do të kishin bërë thirrje për të mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Në të vërtetë, të thuash se shqipja është përftuar si gjuhë jo më vonë se “fundi i shekullit VI të erës sonë” nuk do të thotë se para kësaj date shqipja nuk ekzistonte. Si gjuhë indoeuropiane, shqipja është folur në mënyrë të pandërprerë, që kur është “ndarë” nga familja e përbashkët, që kur ka dalë më vete dhe ka filluar të diferencohet nga gjuhë të tjera të familjes. Me fjalë të tjera, të kërkosh kohën se kur është formuar shqipja, nuk do të thotë se je duke kërkuar datëlindjen e saj.

Si çështje, kjo është e lidhur me marrëdhënien e shqipes me gjuhët që fliteshin në Ballkanin e lashtë. Një nga tezat më të rëndomta, të albanologjisë së divulguar, është se “shqipja është bijë e ilirishtes” – tezë që, në mënyrë metaforike, shpjegon se shqipja e sotme është vazhdim i një dialekti të ilirishtes. Po ta besojmë këtë, do të besojmë edhe se pati një periudhë kur ilirishtja, si pasojë zhvillimesh brenda- por edhe jashtë-gjuhësore, u shndërrua në shqipe.

Ky arsyetim vlen edhe po të mos përmendet fare ilirishtja: nëse shqipja është vazhdim i një gjuhe që flitej në Ballkanin e lashtë, atëherë koha e formimit të shqipes është koha kur ajo gjuhë u bë gjuha shqipe. Një shndërrim i tillë nuk është se ndodhi brenda natës: do të ketë kërkuar të paktën disa shekuj. Po ashtu, termat “nënë” dhe “bijë” nuk janë më tepër se metafora ( “bijë” parakupton “lindjen” nga një nënë); nuk pati asnjë rast kur folësit, gjatë periudhës kalimtare, kishin vetëdije se po ndryshonin gjuhën.

Ka disa albanologë që flasin për protoshqipe, duke pasur parasysh me këtë gjuhën nga e cila erdhi pastaj shqipja. Termi protoshqipe është më neutral, sepse nuk kërkon identifikimin e ndonjë gjuhe në Ballkan, prej nga të supozosh se ka ardhur shqipja – ai thjesht sugjeron se ka pasur dikur një gjuhë, e cila në rrjedhë të shekujve ndryshoi aq shumë, sa të bëhej një gjuhë tjetër.

Arsyet për këtë gjimnastikë terminologjike dhe konceptuale lidhen të gjitha me atë që shqipja është dokumentuar shumë vonë me shkrim: në shekujt XV-XVI; dhe trajtat e saj më të hershme – në fonetikë dhe në gramatikë – mund vetëm të rindërtohen prej specialistëve. Protoshqipja, cilado që të ketë qenë, nuk u shkrua; dhe as u shkrua shqipja e shekujve V-VI, që janë propozuar si koha e formimit të shqipes.

Më të lehtë e kanë historianët e gjuhëve që janë dokumentuar me shkrim: duke filluar nga greqishtja, e cila mund të ndiqet në shndërrimet e saj gjatë disa mijëvjeçarëve. Ka një greqishte arkaike, të shekujve XIV-XIII p.e.s.; ka greqishte të vjetër dhe greqishte të koinesë (helenistike); ka greqishte bizantine dhe greqishte të re. Falë dokumentimit, ndryshimet mund të ndiqen hap pas hapi dhe kronologjia të vendoset me lehtësi. Ngjashëm, flitet edhe për irlandishte të vjetër, e cila u shkrua gjatë shekujve VII-XIX të e.s. dhe që ndryshon shumë nga irlandishtja moderne, së cilës i njihet shekulli XII si kohë e formimit (studiuesit flasin edhe për irlandishte të mesme, irlandishte moderne të hershme, etj., por nuk është vendi këtu për t’u zgjeruar; gjermanishte të vjetër të lartë (Althochdeutsch), e cila është identifikuar konvencionalisht si e periudhës mes shekujve VI dhe XI; armenishte klasike, që është datuar që prej shekullit V të e.s., në krahasim me armenishten moderne; islandishte të vjetër (ose norvegjishte të vjetër, Old Norse, që flitej nga Vikingët, gjatë shekujve VIII-XV), e kështu me radhë. Që në këta shembuj emri i gjuhës është ruajtur, këtë e lejon dokumentimi me shkrim.

Një model tjetër ofron ai i gjuhëve romane – të cilat rrjedhin prej latinishtes vulgare. Ashtu, nuk ka dyshim se italishtja është vazhdim i latinishtes që flitej në gadishullin e Apenineve, por dokumenti i parë që dëshmon se latinishtja tashmë kish ndryshuar në një gjuhë të re është i shekullit X (Placiti Cassinesi).

Ç’arsye ka, për periodizime të tilla? Arsyet kanë të bëjnë me karakteristikat e brendshme të gjuhës, sidomos ato të sistemit fonetik dhe gramatikor. Për shembull, kalimi nga latinishtja në gjuhët romane – si italishtja, spanjishtja, frëngjishtja – u karakterizua nga një thjeshtim rrënjësor i sistemit të lakimit, përftimi i nyjës shquese (që latinishtes i mungon), adoptimi i formave analitike (perifrastike) në sistemin foljor, fiksimi i rendit të fjalëve (SVO) e kështu me radhë, në krahasim me latinishten. Të tilla shndërrime e bënë, për shembull, italishten gjuhë të ndryshme nga latinishtja, edhe pse vijueshmëria nga latinishtja në italishte nuk vihet kurrë në dyshim.

Tani, për t’u kthyer te shqipja, ato tipare sistemike, të cilat lejojnë studiuesit të flasin për “kohë të formimit të shqipes”, janë përcaktuar nga Sh. Demiraj si të tilla që “nuk janë trashëguar nga një fazë e hershme indoeuropiane”, por janë zhvillim i brendshëm i gjuhës; dhe që, si rregull, nuk ndeshen në gjuhë të tjera të familjes indoeuropiane.[1] Mes tyre, vlejnë të përmenden ngulitja e theksit në një rrokje të caktuar të temës, metafonia (plak:pleq, dal:del), zhvillimi i sistemit të nyjave përfshi këtu edhe nyjat me funksion pronor (i biri, e motra), krijimi i dy llojeve të lakimit të emrit – i pashquar dhe i shquar; krijimi i temës së shumësit; shfaqja e nyjës së përparme në një klasë mbiemrash dhe përemrash; përzierja e së kryerës sintetike me aoristin, përftimi i së kryerës analitike të tipit kam punuar dhe shumë të tjera. Për ilustrim: rasa gjinore si kategori gramatikore është trashëguar nga modeli indoeuropian, por paranyjëzimi i gjinores është përftuar origjinalisht në shqipe, sepse nuk del në gjuhë të tjera të familjes IE.

Këto ndryshime ndodhën brenda protoshqipes dhe ishin të tilla që e larguan atë nga modeli klasik indoeuropian; në kuptimin që shqipja mesjetare nuk ishte më e njëjta gjuhë me protoshqipen (quajeni po të doni ilirishten) që flitej në lashtësi. Edhe pse është e pamundur të dokumentohet se kur ndodhën pikërisht këto ndryshime (dhe aq më pak pse), gjuhëtarët i kanë mjetet dhe teknikat e nevojshme për të ndarë tiparet strukturore që shqipja ka trashëguar nga protoshqipja, prej tipareve strukturore që shqipja i ka përftuar dikur midis fundit të Lashtësisë dhe fillimit të Mesjetës.

Fare mirë mund të kishim folur, kur i referohemi lashtësisë, për shqipe të vjetër, njëlloj siç flasim për irlandishte të vjetër, ose islandishte të vjetër; çfarë na pengon, është mungesa e dokumentimit me shkrim. Dhe, në çdo rast, periodizimi i historisë së shqipes dhe nevoja për të përcaktuar “kohën e formimit të shqipes” janë të nevojshme për historianët e gjuhës. Për të njëjtën arsye, flasim për foshnja, fëmijë, adoleshentë, të rinj, të rritur dhe pleq, për të segmentuar jetën e një individi – i cili përndryshe mbetet po ai.

Sa për shqipen e lashtësisë indoeuropiane, për të cilën flet edhe artikulli i revistës “Science”, e vetmja gjë që mund të thuhet me një farë sigurie, është se ajo ishte shumë e afërt me gjuhët e tjera të familjes, gati-gati në marrëdhënie dialektore me to; dhe se karakteristikat e saj fonetike dhe gramatikore, por edhe leksiku i saj, ishin dramatikisht të ndryshme, nga ato jo vetëm të shqipes së sotme, por edhe të protoshqipes ballkanike. Kush ka studiuar sado pak indoeuropianistikë dhe ka njohuri për karakteristikat (e rindërtuara) të indoeuropianishtes, do të pranojë, me mua, se ajo gjuhë – nëse ka ekzistuar – ka qenë tepër e ndryshme, në çdo pikëpamje, nga format që ka marrë sot.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


 

[1] Këtu dhe më poshtë, jam mbështetur te vepra e Shaban Demirajt Gjuha shqipe dhe historia e saj, Shtëpia botuese e librit universitar, tetor 1988.

4 Komente

  1. Mendoj qe nuk duhet ngaterruar shqipja me dialektet e saj, te cilat jane formuar para dyndjeve sllave. Si shembull marrim hipotezen e mbijeteses vetem te arberishtes se Italise. Do te thuhej qe shqipja ka 500 vjet, ka kete forme e ate forme sipas arberishtes.
    Pra ne dime me siguri vetem qe dialektet e sotme kane te pakten 1400 vjet.
    Keto dialekte mund te vijne nga nje dialekt i vetem i mbijetuar i shqipes, por edhe nga shkrirje te disa dialekteve si pasoje e presioneve barbare apo zhvillime te brendshme nen trysnine e latinishtes, ose edhe thjesht ndryshime spontane brendagjuhesore.

    Ne dime qe shqipja e re, paraqet dy dialekte dhe ka te pakten 1400 vjet( mund te kete edhe 2 mije, varet se cfare izoglose perdoret per te dalluar dialektet) . Pastaj dime qe ka nje faze tranzicioni disashekullore, pushtimi romak psh, dhe me perpara kemi shqipen e mesme, me dialektet e veta, deri te shqipja e vjeter qe eshte formuar nga shkeputja me dialektet e tjera IE, psh si izoglose eshte me siguri ndarja kentum/satem.

    Me kete terminologji e kronologji bien rehat te gjithe dashamiresit e shqipes.

    1. Ne nje shkrim te publikuar dikur ketu, pretendohet se ndarja e dialekteve te shqipes mendohet te jete e vone duke qene se diferencat ndermjet tyre nuk jane aq te medha sa dialektet e psh italishtes.Kjo edhe mungesa e ndikimeve nga greqishtja cojne uje ne hipotezen se shqipja eshte krijuar si gjuhe diku ne brendesi te ballkanit.Per mua kjo hipoteze ka pika te forta sipas gjykimit tim amator.

      1. Nga fjala “coitus”, nje forme te se ciles e degjon akoma neper malet e veriut te Shqiperis.

        Edhe vete pasardhesit e latineve dhe nipave te tyre, po nuk ishin te lecitur, nuk e dine se per cfare behet fjale. Kurse malsori yne , tashme pa shkolle fare, gjithmone e ka ditur dhe vazhdon ta dije.

        Shaka kjo…. po jo dhe aq…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin