TEZA TË SHKARTISURA

Gjithsekush lind në një gjuhë, e cila e flet para se ky ta flasë, duke ia hapur dyert e socializimit.

Edhe shqiptari, si rregull, lind në një shqipe të tillë, të cilën në vija të trasha gjithnjë mund ta karakterizojmë si të folme.

Çdo e folme është trajtë e folur e gjuhës; vetëm ashtu ekziston.

Asnjë e folme nuk përkon me standardin, ose shqipen publike të njësuar. Megjithatë, disa të folme janë më afër të standardit, të tjera më larg.

Shqiptari që lind në Frashër të Përmetit i ekspozohet një të folmeje shqipe më afër standardit se shqiptari që lind në Kuzhnen ose në Fushë-Çidhën.

Si rregull, të folmet nuk shkruhen; dhe nëse shkruhen, nuk shkruhen sipas ndonjë sistemi të kodifikuar, me përjashtim të sistemit që përdorin foneticienët për të transkriptuar të folmet (alfabeti fonetik).

Kur shkruhen, të folmet shkruhen zakonisht me teknika që nuk janë menduar, as përsosur për ato të folme.

Nuk ekziston ndonjë mënyrë e natyrshme ose e thjeshtë për ta shkruar gjuhën, çfarëdo gjuhe.

Të shkruarit që mbështetet në parimin fonetik (fonologjik) është po aq artificial sa edhe po të mbështetej në parimin etimologjik ose në parimin morfologjik.

Të shkruarit alfabetik (shkronjë pas shkronje) është po aq artificial sa edhe shkrimi logografik ose rrokjesor.

Shqipja standard ekziston në dy trajta: të folur dhe të shkruar.

Shqipja standard e shkruar kodifikohet nga rregullat e drejtshkrimit shqip, të sanksionuara nga Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972.

I njëjti kongres vendosi parimin fonetik (fonologjik) në bazë të drejtshkrimit shqip, sipas të cilit fjalët shkruhen ashtu siç shqiptohen.

Në të vërtetë, meqë drejtshkrimi është gjithnjë arbitrar dhe artificial, parimi fonetik, në rastin e shqipes së 1972-shit, do të thotë, sidomos sot, se fjalët shqiptohen ashtu siç shkruhen; është një parim që qeveris standardin e folur, jo të shkruarin.

Sa i përket mënyrës si shkruhen fjalët shqipe, parimi fonetik (fonologjik) mund të ketë vepruar në kohën kur u sanksionuan rregullat e drejtshkrimit, por jo më pas.

Çdo shkrues i shqipes standard i shkruan fjalët sikurse ka mësuar t’i shkruajë, jo siç i shqipton. Vetëm në raste përjashtimore aktit të të shkruarit i paraprin një analizë fonologjike.

Shqipja e folur publike e njësuar, pas vitit 1972, është një variant artificial i shqipes, që ndjek standardin e shkruar si model.

Çdo e folme e shqipes i kundërvihet kësaj shqipeje të folur publike të njësuar – qoftë në rrafshin gjeografik, qoftë në rrafshin social.

Distanca mes të folmeve të ndryshme të shqipes dhe shqipes së folur publike të njësuar ndryshon sipas gjeografisë; dhe kjo diferencë në devijimin standard varet nga fakti që standardi i shkruar i vitit 1972 u mbështet në variantin letrar të toskërishtes.

Varianti letrar i toskërishtes (Naimi, Konica, Noli, Spasse, Xoxa) ishte një formë e shqipes së shkruar që mbështetej pak a shumë në traditën e shkruar të Jugut, ose të dialektit toskë.

Ka pasur edhe variante të tjera letrare të shqipes: shkodranishtja letrare (Fishta, Koliqi, Harapi), elbasanishtja letrare, kosovarishtja, arbërishtja.

Të gjitha këto variante kanë qenë dhe mbeten forma të shqipes së shkruar; po aq artificiale (konvencionale) sa edhe standardi i sotëm.

Çdo formë e shkruar ndjek një lloj standardi drejtshkrimor, madje edhe sikur ky të mos ekzistonte më parë.

Standardi drejtshkrimor tregon si duhen shkruar fjalët, individualisht dhe sipas parimesh më abstrakte.

Lidhja midis të folmeve gege dhe varianteve letrare të gegërishtes (shkodranishtes, elbasanishtes, kosovarishtes) është po aq arbitrarisht e ndërmjetësuar sa edhe lidhja midis të folmeve toske dhe variantit letrar të toskërishtes ose shqipes standard që erdhi më pas.

Arbitrariteti nuk përjashton ngjashmërinë, por vetëm natyrshmërinë.

Ndryshe nga gjuha e folur, shkrimi është teknikë, që mësohet hap pas hapi, zakonisht në shkollë.

Shkrimet e para shqipe u përkasin autorëve që kishin mësuar të shkruajnë në gjuhë të tjera.

Nuk ka ndonjë mënyrë të natyrshme për të shkruar gjuhën; shkrimi është gjithnjë konvencional, artificial dhe relativisht i mëvetësishëm nga gjuha.

Kur shkruhet për herë të parë, me një sistem (p.sh. alfabet) të njohur, gjuha shkruhet sipas një teknike të huazuar nga një gjuhë tjetër.

Meqë funksionojnë vetëm në trajtën e folur, të folmet e shqipes nuk përmbajnë gjë rregulla ose udhëzime eksplicite ose implicite se si mund/duhet të shkruhen.

Të dish të flasësh nuk do të thotë të dish të zbatosh parimin fonetik (fonologjik) në të shkruar.

Parimi fonetik (fonologjik) nuk buron gjë nga vetë natyra e gjuhës së folur, as nga natyra e gjuhës së shkruar. Është një konvencion që, sipas disave, se e thjeshton të shkruarit dhe sidomos mësimin e të shkruarit si teknikë.

Që një shqiptar flet gegërisht rrjedhshëm, kjo nuk do të thotë edhe se mund ta shkruajë të folmen e vet gegërishte natyrshëm, pa e pasë mësuar në shkollë një variant letrar të gegërishtes, ose pa zhvilluar vetë më parë një sistem shkrimor konvencional të vetin, qoftë edhe duke marrë një sistem të ngjashëm për model.

Iluzionin se shkrimi sipas parimit fonetik (fonologjik) imponohet natyrshëm ose vetvetiu, na e ushqen shkolla.

E megjithatë, në shkollë mësojmë të shkruajmë veç variantin standard të shqipes, më parë si ta shkruajmë dhe pastaj ta shqiptojmë drejt.

Shkolla nuk na mëson aq si të shkruajmë atë çfarë flasim, sesa si të shkruajmë më parë, dhe si të flasim atë çfarë shkruajmë dhe lexojmë më pas.

Shkolla është tryeza ku i shërbehemi, si ushqim njerëzor, bashkësisë gjuhësore që na përmban.

Vështirësitë që kanë sot disa gegë për t’iu qasur standardit, po të lëmë mënjanë arsyet ideologjike dhe sociale, kanë të bëjnë me distancën midis të folmeve gege dhe shqipes publike të folur, jo me mënyrën si shkruhet shqipja standard; sikurse lidhen edhe me aspekte të gramatikës (paskajorja) të cilat nuk kanë të bëjnë as me shkrimin, as me drejtshkrimin, por me normën gramatikore.

Kërkesat për rishikim të drejtshkrimit nuk janë kërkesa për rishikim të normës gramatikore. Kërkesat për rishikim të normës gramatikore mund dhe duhen formuluar veçmas nga ato që i referohen drejtshkrimit. Çdo rregull drejtshkrimor është edhe rregull gjuhësor, por jo çdo rregull gjuhësor është rregull drejtshkrimor.

Norma gramatikore mund të rishikohet edhe pa e prekur drejtshkrimin.

Edhe drejtshkrimi edhe gramatika mund të rishikohen jo vetëm duke u ndrequr, ose me metodën e zëvendësimit të rregullave; por edhe duke u zgjeruar.

Vështirësitë që hasin sot shqiptarët, jo vetëm gegë, për t’iu qasur standardit të shkruar dhe deri diku të folur, lidhen edhe me kalimin nga një kod në tjetrin – nga gjuha e folur në gjuhën e shkruar.

Nuk ka bazë ideja se gegët do ta shkruanin shqipen më mirë, sikur drejtshkrimi të reformohej në mënyrë të tillë, që ta afronte shqipen e shkruar me ndonjë variant letrar të gegërishtes; ose shqipen publike të folur me të folmet e sotme të gegërishtes.

Kritike në këtë mes nuk është dallesa midis dialekteve të shqipes, por gatishmëria e përdoruesve të gjuhës për të përvetësuar rregulla arbitrare dhe për t’i zbatuar ato.

Drejtshkrimi trupëzon në formën e shkruar të shqipes atë disiplinë që, përndryshe, u kërkohet të gjithë qytetarëve të një shoqërie moderne dhe organike.

Drejtshkrimi është një kontratë për të njësuar formën e shkruar të shqipes që përdoret publikisht, jo formën e folur të shqipes.

Nuk ka as raport as kontakt midis drejtshkrimit dhe të folmeve.

Shprehja e çuditshme “fol me drejtshkrim” është provë e pështjellimit që ka shkaktuar, në psikologjinë popullore, imponimi i parimit fonetik (fonologjik) si shprehje e demokracisë gjuhësore dhe e vijës së masave në të shkruar.

Shqipja e folur standard, që përdoret publikisht, mbështetet mbi kodin e shkruar, ose shqipen e shkruar standard.

Shqipja e folur standard, që përdoret publikisht, nuk është vijim i ndonjë dialekti a të folmeje.

Në praktikë, shumica dërrmuese e shqiptarëve që flasin në publik, përziejnë shqipen e folur standard, që mbështetet mbi shqipen e drejtshkruar, me të folmen e tyre ose të grupit të cilit dëshirojnë t’i përkasin, ose të duket sikur i përkasin.

Shqipja e folur publike, në stadin e sotëm, është një sistem heterogjen, jo-organik, ku bashkëjeton norma drejtshqiptimore, norma gramatikore, dhe trajta rudimentare të folmesh.

Njëlloj heterogjen, jo-organik dhe inkoherent paraqitet edhe sistemi i çdo të folmeje aktive, sidomos në gojën e atyre që e përdorin në vend të standardit; sepse të folmet kolonizohen nga standardi, denatyrohen dhe e humbin organicitetin; sidomos kur përdoren në kontekste ku duhej përdorur standardi.

Të folmet ruhen më mirë në gojën e atyre, të cilëve shumë rrallë u qëllon të bien në kontakt me standardin: analfabetët dhe gjysmë-analfabetët, shqiptarët që jetojnë në zona shumë të veçuara, ose në ngulime (përfshi edhe diasporën), gratë që nuk dalin nga shtëpia.

Përkundrazi, kur përdoren në mënyrë “subversive”, të folmet shpesh shënjojnë dhe komunikojnë subversivitetin ndaj pushtetit (politik, ideologjik, kulturor).

Mes të folmeve që i kanë bërë vend vetes në shqipen e folur publike, shquhen e folmja qytetare e Tiranës, e folmja qytetare e Prishtinës dhe, në masë më të kufizuar, e folmja qytetare e Shkodrës.

Që disa folës publikë e ngjyrosin me dialekt ligjëratën e tyre, kjo nuk është problem drejtshkrimor, as ka të bëjë me drejtshkrimin; por ka të bëjë me marrëdhëniet sociale të folësit me auditorin e vet.

Ndryshe nga refuzimi i qëllimshëm, paaftësia reale për të folur standardin është shenjë e shkollimit të pamjaftueshëm, ose e disleksisë, në raste të rralla.

Ata autorë që shkruajnë gegërishten qëllimisht, duke e paraqitur ligjëratën e tyre si alternativë ndaj standardit, nuk e bëjnë këtë për t’u kuptuar më mirë nga lexuesi gegë, por për t’u shqiptuar në lidhje me hegjemoninë e standardit vetë.

Kjo gegërishte e shkruar pak a shumë në vazhdën e një tradite disa-shekullore, e që shfaqet ndonjëherë në mediat ose në letërsi, nuk ka lidhje me faktin që një pjesë e madhe e shqiptarëve sot janë bartës të folmesh të ndryshme të gegërishtes.

Përkundrazi, nga ana e vet dhe në më të shumtën e rasteve, gegërishtja sot e përdorur në ligjërimin e folur publik të mediave shënjon jo aq ndonjë sfidë ose alternativë serioze ndaj standardit, sesa thjesht regjistrin bisedor të shqipes.

Duhet dalluar pra midis (1) të folmeve gege (2) elementeve dialektore gege në ligjërimin e folur publik dhe (3) gegërishtes së shkruar si variant letrar alternativ ndaj standardit. Lidhjet mes këtyre tre formave gjuhësore janë më shumë sipërfaqësore, sesa organike; madje ato konotojnë shumë më tepër sesa denotojnë diçka të përbashkët.

Në këtë kuptim, elementi gegë në shqipen publike vjen e shënjon ndonjëherë edhe një distancim nga statu quo-ja e standardit, një rebelim ndaj hegjemonisë kulturore toske ose të Tiranës (së vjetër). Ai element ka vlerë përdorimi simbolike, jo funksionale.

Gjeometritë e sotme kulturore, megjithatë, po vijnë duke e braktisur orientimin sipas aksit Veri-Jug, dhe duke përqafuar orientimin tjetër, Qendër-Periferi, brenda të cilit dialektit gjeografik ia zë vendin dialekti ose zhargoni social.

Orientimi i ri e ka standardin në qendër me parazgjedhje (default); dhe periferitë gjithnjë e më shpesh po duan t’i afrohen qendrës, sesa ta zëvendësojnë.

Shënim: këto teza nuk synojnë të formojnë ndonjë sistem ose doktrinë koherente, por më shumë të organizojnë mendime që i kam pasur, kur jam përfshirë në debatet për standardin, dialektet, variantet letrare dhe drejtshkrimin e shqipes. Përsëritjet dhe rimarrjet aty janë në funksion të paraqitjes së një teme ose argumenti të ri.

 

Nuk ka komente

  1. Gjeometritë e sotme kulturore, megjithatë, po vijnë duke e braktisur orientimin sipas aksit Veri-Jug, dhe duke përqafuar orientimin tjetër, Qendër-Periferi, brenda të cilit dialektit gjeografik ia zë vendin dialekti ose zhargoni social.

    Une them se po bashkejetojne te dy dhe nuk e konkurojne njeri-tjetrin. Aq me teper ne kushtet kur ate zhargon social e riprodhon nje elite joloegjitime dhe teresisht fiktive ne te gjitha raportet.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin