FJALË TË POLENIZUARA

Një aforizëm i Ardian Kyçykut u bë shkas për këto përsiatje. E kish nxjerrë në Facebook, shqip dhe rumanisht: “Hija nuk është për këdo / Umbra nu este pentru oricine”. Mu poshtë në komentet, i ati Kopi Kyçyku kish shtuar shprehjet “Siç i ka hije” dhe “Nuk i ka hije”, për t’ia plotësuar konotacionin fjalës hije. Sakaq pyeta veten mos ka ndonjë kontaminim, në gjuhën shqipe, mes dy fjalëve fonetikisht të ngjashme, hije dhe hir, të paktën në njërin prej kuptimeve të shumta të fjalës hije.

Dhe pikërisht: hije, që në shqipe ka kuptimin fillestar edhe të “shade” edhe të “shadow”, shënjon edhe “pamjen e bukur dhe të mirë të diçkaje, të qenët i hijshëm, hijeshi, bukuri,” si në shprehjet i kanë hije rrobat ose nuk i ka hije të flasë kështu ose i ka rënë një hije e bukur. Këto shprehje kanë paralelet e tyre frazeologjike me i ka rënë një hije e keqe dhe i ra një hije e zezë në fytyrë, ku metafora është më e kapshme – meqë hija është me përkufizim deficit ose mungesë të paktën e pjesshme e dritës; dhe që këtej lidhja me sëmundjen, karakterin e keq dhe zymtësinë.

Të njëjtin kuptim e gjen edhe te hir: “bukuri, hijeshi,” (angl. grace), si në shprehjet me shumë hir, është gjithë hir, kërcen plot hir, i ka rënë një tjetër hir, i ra një hir i bukur.

Kuptimin e “bukurisë” fjala hije e ruan edhe kur shërben si temë e mbiemrit i hijshëm dhe emrit abstrakt hijeshi dhe foljes hijeshoj; sikurse e ruan, të njëjtin kuptim, fjala hirhirplotë.

Po të shohim tani historinë e këtyre fjalëve, sipas trajtimit që i ka bërë Çabej, gjejmë se hije është fjalë e fondit indo-europian në shqipe, ndërsa hir duhet të ketë një etimologji nga greqishtja mesjetare; por ky autor përmend edhe mendimin e Bugge-s, të pranuar edhe nga Jokli, që hir dhe hije janë fjalë të lidhura brenda shqipes; edhe pse ai vetë mendon se hir është “fjalë e gjuhës kishtare” dhe “nuk ka asgjë të përbashkët me hi(j)e”, meqë rrjedh nga greqishtja χάρις, me të njëjtin kuptim. Më pas, B. Demiraj (Albanische Etymologien) edhe pse e pranon në parim etimologjinë e Çabejt, nuk e përjashton edhe mundësinë e një marrëdhënieje etimologjike të paktën formale midis hir dhe hije.

Kaq për etimologjinë. E megjithatë, për mua mbetet e vështirë, në mos e pamundur, të shpjegohet si një fjalë si hije, që bën pjesë në fondin themelor të shqipes me kuptimet që ia dimë, të ketë dhënë temën e një mbiemri si i hijshëm; meqë marrëdhënia midis “deficitit të dritës” dhe “bukurisë” nuk shpjegohet dot; madje edhe po të pranojmë ndërmjetësimin e hallkës kuptimore “i ra një hije e zezë në fytyrë”, në kuptimin “u nxi në fytyrë.” Përkundrazi, kuptimisht i hijshëm (angl. gracious) do të shpjegohej menjëherë si fjalë e prejardhur nga hir (grace), sikur të mos pengonte fonetika e temës.

Nuk ka nevojë që hije dhe hir të kenë marrëdhënie etimologjike mes tyre; mjafton ngjashmëria fonetike, ose përkimi i pjesshëm, për të supozuar se kuptimi “bukuri” i fjalës hir ka depërtuar në disa përdorime të hije, përfshi edhe fjalët e formuara prej saj. Prandaj, mund të supozojmë që i hijshëm është në fakt ri-etimologjizimi *i hirshëm, i mbështetur edhe në disa përdorime frazeologjike të hije. Po ashtu, edhe hijeshi që vjen nga ai kuptim specifik i hije që e përmendëm më lart (grace) ndoshta edhe me ndërmjetësimin e mbiemrit i hijshëm, falë një procesi kontaminimi, ose më mirë akoma, polenizimi të kryqëzuar kuptimor midis dy fjalëve tematike, hije dhe hir. Procesin do ta ketë ndihmuar edhe kuptimi i fjalës hije si diçka të projektuar nga një subjekt qendror, çfarë mund të përsëritet edhe për hir (grace), që është, si të thuash, “hija shpirtërore që projekton një subjekt i bukur”; çfarë i bën edhe hijen edhe hirin që, mes të tjerash, të bien.

Veç hijes dhe hirit (grace), një tjetër filtër vizual që “bie” është velloja – e cila mbulon për të zbuluar, ose maskon për të treguar çfarë fshihet pas maskës. Citoj Benjamin-in kur shkruan:

E bukur nuk është as velloja as objekti i mbuluar me vello, por objekti në vello. Po t’ia heqësh këtij vellon, do të dukej pafundësisht i papërfillshëm (unscheinbar).

(Benjamin, W., Selected Writings: 1913-1926, Harvard University Press, 1996, f. 351.)

Hija që ia sjell dikujt hijeshinë nuk është, pra, e bukur në vetvete, por vetëm sa e nxjerr në pah bukurinë në kombinim me pamjen (dukjen).

Edhe shprehjet i kish rënë një hije e bukur dhe i kish rënë një hije e keqe lënë të kuptohet se kjo lloj hijeje, që i ndërvendoset fytyrës së tjetrit dhe syrit tënd (gaze) i nënshtrohet sistemit elementar të vlerave +/-, duke mbetur në vetvete neutrale; ndoshta ndryshe nga hiri (grace) që është gjithnjë (+). Premisa – me kusht që hije e keqe të mos jetë pleonazëm – e rehabiliton njëfarësoj hijen, si vend ku drita komunikon me mosdritën (errësirën), e bardha me të zezën dhe ku ekzistenca gatitet t’ia lëshojë vendin mosekzistencës.

Dy hije të posaçme vijnë ndër mend: hija e Jungut, si ana e panjohur e personalitetit, ose siç e quante Jung-u vetë “rezervuari i errësirës njerëzore”; dhe aura, si diçka që projektohet nga një trup (angl. edhe subtle body) dhe që na shtyn ta soditim si të ishte vepër arti (këtu po përziej qëllimisht Benjamin-in me teoritë paranormale) dhe që nuk mund të ndahet nga brerorja (aureola) e personazheve të shenjta në pikturat, si ikonogramë e hirit (grace).

Megjithatë, ndryshe nga hiri (grace), që është gjithnjë (+), hija zakonisht e trashëgon mangësinë ose të keqen e kuptimit fillestar edhe në kuptimet e tjera: druri që rritet në hije nuk digjet mirë – prandaj e quajnë dru hije (që nuk duhet ngatërruar me disa drurë që kanë hije të keqe dhe që prandaj edhe quhen hijekeq); të rrish në hije, do të thotë të rrish mënjanë, sikurse të mbetesh në hije do të thotë të harrohesh, të mos të përmendin më; në radiografi hijet janë gjithnjë kobndjellëse, sikurse janë edhe hijet e dyshimit. Objektet e ndriçuara lëshojnë (bëjnë) hije, dhe nga forma e hijes mund të mësosh diçka për objektin vetë; por njerëzit dhe vendet lëshojnë edhe një hije tjetër, që ka lidhje me atmosferën që i rrethon ose përshtypjet që evokojnë tek tjetri – prandaj edhe thuhet dikë që ka hije të rëndë, dhe pastaj hijerëndë, si mbiemër kompozitë pronësore, për t’u krahasuar formalisht dhe kuptimisht me hirplotë.

Hija që lëshon diçka bie mbi diçka tjetër; kjo folje, bie, edhe në këtë kuptim metaforik, shënjon një “veprim” që kryhet nga lart poshtë, dhe kjo jo ngaqë hija i bindet a i nënshtrohet gravitetit, siç ndodh zakonisht me objekte të tjera që bien, por ngaqë burimi i dritës, si rregull, ndodhet më lart se sipërfaqja ku bie hija. Meqë shumë kultura e interpretojnë hijen si spiritualisht të rrezikshme, atëherë rënia e hijes mbi ty nuk duhet marrë si diçka triviale; edhe pse kjo varet nga e kujt pikërisht është hija. Që këtej edhe shprehja i ka rënë një hije (e keqe, e bukur) – kjo është gjithnjë hije që vjen nga gjetiu, nga jashtë, nga Tjetri, nga diçka që ka ndodhur; një gruaje shtatzënë i ka rënë një hije e bukur pikërisht ngaqë ka mbetur shtatzënë. Por le të vëmë re që edhe kjo lloj hijeje, sikurse edhe hiri, bien nga lart, një metaforë që ka edhe kuptimin “bien nga qielli” ose “ndodhin për arsye që nuk varen nga ne”; qielli është edhe vend gjeometrik i gjithçkaje që është lart ose që vjen nga lart – jo më kot themi “më ra nga qielli”, me kuptimin “më ndodhi papritur, befasisht”. Tek e fundit, edhe hirin e dërgon (nga lart) Perëndia.

(c) 2018, Peizazhe të fjalës.

1 Koment

  1. Ne Armanët (vllehte ,banore te Epirit dhe Maqedonise ne kuptimin historik) kemi nje urim martese per çiftin qe thote “aúmbrä bunä s’abä” ose “hije te mirë te kene” . Mbaj mend kete e perdornin shpesh te vjetrit, plakat dhe pleqte.
    Nga ana tjeter ne Armaneshti Hiy/hij/hiju (h-ja si te χ te χείμαρρος) do me thane bir, hiyia/hija do me tha bijë. Konteksti i perdorimit si ne shqip dhe ne Armaneshti konvergjon ne atë qe kupton efektin psikologjik i sjelljes dhe paraqitjes te nje personi ne abientin familjar dhe ate shoqeror, por jo vetem kjo ,ka raste te dukurive metafizike qe individe çlirojne sasira te larta energjie me efekte negative ne fiziologjine e te tjereve ne menyre instiktive (syri i keq etj).
    Ne kontekstin “i ka hije/me ka hije /i/më rine hirshëm”, ne perdorim fjalen chari (y’ari chari/nj’ari chari ,ch-si ne gjerman.). Këto per te ushqyer bisedën!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin