ODË GËZUESHËM E PËRMORTSHME

nga Bjorn Kamberi

Ese me tematikë reflektuese, shkruar gjatë mbrëmjes së 31 tetorit 2017 (vigjilje e festës pagane të Halloween-it, shumë popullore në Shtetet e Bashkuara) në Texas.

Kjo ditë kaloi zbrazët, shurdhërisht, qe nga ato amulli qiellzënë fund tetori që kanë një shi aq të rrëmbyer, i aftë të fashitë dhe shumë tise të vagullta. Kur pikat trokasin rëndë në dritare, sikur të përplasin aty lotët e atyre vendeve që thahen nën diell, jeta dhe vdekja, duken si dy figurina hijesh të vogla që krah për krah lojcake ngasin, një valle të hidhur, në terrin e gjysmë kthinës time, në dhomë të konviktit. E meqë unë vij nga një vend ku taksat jo gjithmonë paguhen, e ku sonte atje nuk mendohet, por festohet për vdekjen që s’ka ardhur ende si të vetmen të sigurtë, unë mendoja, dhe ja nisa të shkruaj, do shkruaj shkurt ama, se dhe vdekja nuk mendohet gjatë.

Për hir të mungesës së dyllit, se sonte, sidomos natën, s’ia vlen të spekulohet, nuk jam i pari që përsjell këto mendime kaq vonë. Që në krye të herës, keltët, festonin në këtë gurkre të dimrit, reshtjen e të korrave dhe fillimin e muzgut. Me flakë e me ulërima parake, galët donin të llahtarisnin errësirën e panjohur, drojën prej rrëpirës se dijes së kufizuar, nën tutje rituale, a thua se te vdekurit e tyre, do kërkonin të merrnin nga grazhdet, atë çka i takonte në të gjallë. Gjakatarë ata flijonin të gjallat, për ti pasur në rezervë, kur mishit të duhej për të ngrohur dejet, mes erës së acartë të Irlandës. Gjaku nga tehet lagte zjarrin e vatrës, ndërsa njerëzit përdridheshin të fantaksur nga ekstaza e frikës, trembu vetë, që të mundsh të trembësh gjithë ç’të tremb. Ky aheng makabër, donte t’i zgjonte të fjeturit, ashtu shpupurishëm e pa paralajmërim për një natë, e t’i frigonte një herë e mirë, që ata mos të zgjoheshin kur të gjallët të ishin në gjumë. Kështu ata prisnin stinën e ftohtë dhe të papriturat e saj deri në ag të pranverës, duke u përndezur në këtë vigjilje të territ. Fillimi me jetë, gjysma e vdekjes. Jo si shumica e frikërave ama, e keltëve nuk vdiq me ta.

Nga dheu në dhe, ndryshon jo vetëm mënyra si jetohet, por dhe mënyra përse e si festohet. Diku në llahtar të gjelave, familjet ndajnë me bekim dhënien e dashurisë, e kund tjetër, ndër domate kremtohet shpirti i Mesdheut. Por ama, kënd e anë, ku ka të gjallë, një ditë kushtohet pashmangshmërisht këtij zijafeti të kobshëm, i asnjëpërngjasueshëm, me kostume tërë maska e dordolecë gjigandë, kafka mbi këmbale, zezonë dhe valle, korba të uritur përmbi to, herë me kukulla të stolisura me lule të kuqe, skelete të bardhemë, zgavra të zbrazura sysh të dalë vendit, me vështrimin e përmbysur, e herë me karikatura të gjithë ç’të frikshme kemi krijuar e menduar, por gjithandej, me shumë gjak, si hajmali, ujë i jetës e pellg i vdekjes. Po aq e habitshme është aftësia jonë për ti tejkaluar kufijtë kulturorë në shërbim të formimit të një tabloje gjithëpërfshirëse simbolikash, që pavarësisht origjinës vihen në funksion të këtij kremtimi, si të thuash një globalizëm i pashembullt i frikës por dhe përpjekjes tonë paradoksale për ta luftuar atë. Parë kështu, një kujtesë universal e memento mori, që i jep festës karakterin e nevojshëm metafizik. Në këtë prizëm i shohim si pjesë organike të kësaj mishele, duke përfshirë këtu skeletet, kapuçonët dhe kosat që janë një përzierje e kahershme e bujqësisë dhe njëherazi shterjes së burimeve, që prej elementëve ngjyrosës që reflektojnë mynxyrën e ndjesive e deri te kolonat romane që si të thuash kumtojnë qëndrueshmërinë e përkohshme mbi këtë tokë dhe stoicizmin e ngrehinave dhe natyrës karshi përkohshmërisë sonë.

E ndaluar zakonisht është vetëm në diktatura kjo festë, ku të vdekurit, në trup e shpirt janë aq të shumtë, sa rrezikojnë të shpikin ata ndonjë festë përkujtimore për lirinë e harruar të së gjallit.

Gjithë festohet kështu, sepse njerëzit kanë nevojë të gëzohen dhe për këtë arsye. E në fakt kjo festë, i bën të tërë më të lumtur. Kur tremben kështu, të vdekurit gëzohen, sepse ata kështu ngjallen, duhet të jesh i gjallë që të kesh frikë, e kështu në festojmë, për të kënaqur ata që të shkuar kohë kanë për tu gëzuar. Vdekja nga natyra është e vetmuar, sepse ajo ka punë me ata që s’duan të kenë të bëjnë me të, këtë natë ama, ne e ftojmë atë të ulet këmbëkryq me ne. Ata gjallohen për një natë deri ne ag, ku më pas i përvidhen përsëri harresës, me shpresë më të lehtësuar, dhe të gjallët i japin kuptim natës së tyre, duke i kujtuar vetes, se po s’u gëzuan në këtë natë, do të hidhërohen keq, kur një ditë, mëngjesi t’i gjejë të vdekur.

E kështu sonte rrugët dynden nga hareja e një bote të shkuar, që pret leckën e festës ta shpluhurojë nga harresa. Zijafeti i tyre është tretur, por kur ngërdheshemi e zhgaravitemi kështu, ne çojmë në zijafetin e sofrës së zbrazur, gjallërinë e atyre që eksitohen nga luksi për të hyrë në vallen e fundit, duke mos mundur ta heqin deri në fund, por deri kur duan.

Vdekja është destinacioni që na barazon të gjithëve në këtë mbrëmje, udhëkryq ku fundojmë të tërë, mbase socializmi i fundit, pa klasë a pa hierarki, një simetri ironike. Mundet me gjasë të këtë qenë kjo arsyeja, që Marksi iku përpara nesh.

Të maskuarit si të shkuar, megjithëse njëri gogol e tjetri katallan, njëra shtrigë e tjetra dhe më e ligë janë gati të njëjtë, jo me të pasur dhe të varfër, mund të veprojnë si të duan, tej rregullave e skrupujve, duke mos u skuqur se gjak s’kanë, një tip lirie që për së gjalli, s’ke luksin ta provosh kaq shpesh. Këto maska, janë të barabarta, më shumë ide sesa njerëz, më shumë festë tej natyre sesa realitet. Në natë me erë këtë ma kujtoi një skelet, i cili qe veshur aq lehtë, duke shijuar shpirtin tek i ftohej.

Të vdekurit janë të lirë dhe prej ligjeve, ata nuk burgosen, nuk përndiqen e as hetohen, duke shkuar kanë lënë këtej, gjithë mëkatet e tyre, që kanë ndërtuar vuajtjet dhe shpresat tona. Punën më të vështirë sonte e ka policia, detyrë gati surreale. Duhet të qëmtojë të vërtetën, në dy botë.

U themi të vdekurve, që dhe kur ju imitojmë, s’jemi si ju, jemi të gjallë, të shëmtuar, të shpërfytyruar dhe të tmerruar, për t’ju tmerruar, me llahtarë, plot gjak e sydalë, kaq energjikë ngaqë në vdekjen tonë të rrejshme, është shpirti i jetës. Shpesh fusim në valle turli insektesh, të cilat në qetësinë e tyre janë të shkathëta e durimshumë sot porsa dje, por sigurisht, që zgjidhje tjetër s’mund të jepnim, s’mund të gjenim ushtarë më të gjallë për t’u treguar të vdekurve, që ne rrojmë dhe duke u zvarritur.

Të gjithë e mirëpresin këtë jubile, duke u ofruar të vdekurve pa menduar nëse janë në gjendje të shijojnë, gjithfarë ëmbëlsirash, që velin edhe më stomakzbrazurit, dhe ata që s’kanë më stomak. Sonte askush s’i druhet nivelit te sheqerit, me e shumta, ai ë vret. Është kaq e dobishme kjo velje, e cila ngaqë praktikohet një herë në vit, asnjëherë nuk jep shkas të teprohet. E mos të themi pastaj sesa më e thjeshtë është të flasim mirë vetëm për të vdekurit e këqij, dhe keq vetëm për të gjallët e mirë. Ndaj dhe kaq shumë flitet për të vdekurit, se ata nuk dëgjojnë, e për pasojë nuk u rritet mendja në folshim mirë, ndërsa fjalët e këqija, i ruajmë për të gjallët, të cilët dëgjojnë e kuptojnë, idhnohen e turbullohen, ndonjëherë duke u dëshpëruar aq shumë, sa hidhen para kohe në botë të shurdhërisë.

I ploti ka ç’ndan edhe me vdekjen, thoshte Twain-i, dhe Twain-i, si burrë babaxhan e me mustaqe, do dëgjuar për vdekjen dhe për jetën, sidomos për plotësinë. E paharrueshme në sytë e mi, skenë klasike e të paasnjëngjashmit film kur kalorës i lodhur nga beteja të gjata, ku la në fushë më shumë nga ç’pa të dilnin tej, mbi kodër përmbi det, luan shah me të veshurin në të zeza, duke shijuar në lëvizje të gurëve orët e fundit. Ai provon, që ka shume që dinë të rrojnë, e ca më pak që dinë të shkojnë.

Kur çartisjet i lodhin, festorët grupohen në vatra me muzikë e me gaz. Vetëdija e përkohshmërisë është ilaçi i frikës, këtë ilaç trazuar me alkool humbëtazi, rrëkëllejnë sidomos të rinjtë, të cilët pasojat, edhe të vdekjes, ngase për ta të largëta, i kalojnë me shumë gjumë e pak dhimbje koke. Të vdesësh i ri, sa më vonë të jetë e mundur. Ama të vdesësh. Ditën që njerëzit do të jenë të pavdekshëm, atëherë lind vdekja e vdes jeta. Atëherë, përpos të gjithave, njerëzit do të kenë edhe një arsye më pak për të festuar.

Gjithandej fotografi të pikturave, maskave dhe shpërfytyrimeve, tek-tuk ndonjë përzierje shijeplotë e erotikës me vdekjen, bashkudhëtare ekzistencialiste, gjokse të zbuluara pjesshëm si kodrina të latuara ku lumi i gjakut gurgullon në luginë mes tyre, si kombinimi më i parezistueshëm i erëzave më shpuese e epshndjellëse. Të kujtojnë se ç’mund të humbësh.

…..

Mendimet m’u përsollën, më duhej t’i zbrazja diku, u ngrita me vështirësi, u çapita pak më tej, hapa një derë…

Të gjithëve na ka ndodhur të ndezim një llambë neoni, janë të lira e rrojnë gjatë, thotë elektricisti i lagjes sime, e unë, tek ai, kam besim kur flet dhe për llambën dhe për paranë. Ajo që është e pabesueshme ama është vetë llamba, ngaqë ajo del nga rregullat e përgjithshme të shkencës, është si të thuash mjellma e një familjeje rosakësh, ose kështu mendon dikush që me fizikën ka patur një dashuri të palindur. Si çdo simotër e saj, neonja i bindet dëshirës së atij që s’pajtohet të shohë aq pak duke lëvrirë në më të shpejtën e hapave, me dy frymë, në katër kohë të mushkërisë së telave, errësirë, çast, gjysmë errësirë e mugët, ku hijet ravijëzojnë pritje në botën mes sonës dhe dritës, dhe me pas shkëlqim i kalamendur, derisa shohim aureolën shpërndarëse që, pasi godet ç’mure e rrethojnë, denjon t’i shërbejë vështrimit tonë. Bash kjo është lindja nëpërmjet saj, s’qemë e jemi, të ikur e të ardhur. E këtu vdekja është boshësia e padijes, e rropatjes kuturu në hapësirë dhe kohë, ndërsa gjysmë drita, vuajtja jonë, ku në pasqyrimin e katrorit mbi lavaman, shohim me zverdhësi gjithë dyshimet dhe frikërat e shpirtit tonë të zvargur. S’kam njohur njeri që ka frikë nga errësira, por vetëm nga ata që kanë frikë se mos duke parë pak, do shohin vetëm atë që s’duan. Kur çelësi të luajë pa funksion e neoni të mos bindet, do ta mirëkuptojmë, mbase edhe do të klithim ca, por banjat janë gjithnjë më të vogla se vreri ynë, mundet shumë që më pas ujin rrjedhshëm ta lëmë, e të lahemi gjatë, në errësirë.

Vështrova dhomën e zbrazët. Ndihesha i vetmuar, s’kisha të gjallë të më përcillnin e as të vdekur të më pritnin, ishin të gjithë ca më tutje, gjetiu në kremtim. Ditë shumë e shëmtuar për të vdekur, ama çdo ditë është e duhur për t’u ringjallur. Mbase dhe kisha vdekur, por fjeta thellë e i qetë, e dija që s’do më kallnin atë natë, procesi funksiononte ndryshe, dhe më të dashurit e mi, që tolerojnë çdo tekë timen, s’do të më varrosnin në ditën ku të gjithë dalin nga varret, s’mund të jem dreqi ta hajë, antikonformist edhe në qejfin, kështu do të më kujtojnë për keq, ka rrezik të mos më kujtojnë fare, madje as për Halloween.

(c) 2018, autori

2 Komente

  1. Nje rrefenje gotike doom e pagjase,me Kollone Zanore nga Black Sabbath My Dying Bride,Paradise Lost,Neurosis,Cradle of Filth etc kryesisht balada,dhe filmat me te mire te Tim Burton!!!

  2. Ndjesë, por kjo prozë mua nuk më ngjan shqip. Për shembull:
    “Diku në llahtar të gjelave, familjet ndajnë me bekim dhënien e dashurisë, e kund tjetër, ndër domate kremtohet shpirti i Mesdheut.”
    E kuptoj që mund të shkruhet edhe me një stil ampoloz, por edhe kjo do…stil.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: