EJA TA PRISHIM

Është hapur sërish debati për rishikimin e drejtshkrimit të shqipes; debat që e kam zët  t’i kthehem këtu në blog, pa përsëritur veten; por edhe pa folur nuk mund të rri.

Kryesorja në këtë mes është që nismëtarët e reformës drejtshkrimore duhet patjetër të sqarojnë, publikisht, disa premisa, mbi të cilat të mund të diskutojmë më tej, pa rrezikuar të sillemi rrotull si kali në lëmë.

Dhe pikërisht (të më falin lexuesit, për kakofoninë e pikëpyetëseve):

Së pari, cilat janë arsyet e forta që reforma e drejtshkrimit të shqipes duhet bërë pikërisht tani? A ekzistojnë mangësi objektive, strukturore në drejtshkrimin e shqipes dhe a do të ndihmojnë ndryshimet e propozuara për t’i tejkaluar ato? Nëse ka mangësi të tilla, kush i ka vënë re dhe vlerësuar, ku dhe me ç’metoda? A janë kryer studime, të nivelit akademik jo anekdotik, të cilat të kenë arritur në përfundimin se vështirësitë, luhatjet dhe shkeljet drejtshkrimore masive në shqipen e sotme, si dhe niveli i ulët i zbatimit të normës drejtshkrimore në shoqërinë e sotme shqiptare, lidhen pikërisht me ato aspekte të drejtshkrimit të shqipes që u dashkan reformuar? Nëse të gjitha këto probleme të mprehta madje kritike të përvetësimit të normës nga shqipfolësit nuk kanë të bëjnë me probleme strukturore të drejtshkrimit të shqipes, por me mangësi të mësimit e të përvetësimit të shqipes në shkollat dhe në përgjithësi me krizën nervore të autoritetit në shoqërinë shqiptare, atëherë çfarë garancie mund të jepet, që drejtshkrimi i ri nuk do të nëpërkëmbet njëlloj si i vjetri?

Së dyti, cili institucion do ta zbatojë reformën drejtshkrimore që propozohet; dhe a ka sot, në hapësirën shqiptare, personalitete dhe institucione me dëshirën, autoritetin dhe fuqinë administrative të nevojshme për ta ndërmarrë një veprimtari të tillë masive dhe gjithëpërfshirëse? Cili institucion do të imponojë drejtshkrimin e ri në përdorimin publik të shqipes, në një kohë kur roli dhe prestigji i institucioneve që duhej të impononin dhe të mbikëqyrnin drejtshkrimin ekzistues të shqipes, siç e vëmë re të gjithë, lënë shumë për të dëshiruar? Si shpjegohet, në këtë kontekst, që QSA-ja dhe të tjera organizma dhe personalitete që shprehen me entuziazëm për reformën drejtshkrimore nuk kanë denoncuar asnjëherë haptazi, ballazi dhe vendosmërisht shkeljet e hapura, të përsëritura dhe skandaloze të disiplinës gjuhësore në përdorimin publik të shqipes, me gojë dhe me shkrim? A nuk ka të drejtë publiku, në këto rrethana, të dyshojë se me shqipen e 1972-shit po guxohet të veprohet njëlloj si me shumë pasuri dhe monumente të tjera publike në Tiranë dhe gjetiu, të cilat me qëllim janë lënë të degradohen dhe të shkatërrohen gradualisht për mungesë të mirëmbajtjes, për t’u deklaruar pastaj si të parekuperueshme për publikun dhe të gatshme për buldozerët?

Së treti e më në fund, duke pasur parasysh se reforma të ngjashme drejtshkrimore të orvatura kohët e fundit në një numër vendesh europiane (Hollandë, Rumani) kanë dështuar, ndonjëherë edhe pse kanë pasur mbështetje organizative të përsosur nga institucionet (si në Gjermani), si mund të shpresohet që kjo reformë e propozuar të ketë sukses me shqipen tonë, dhe në kushtet e sotme të administrimit publik të arsimit dhe të kulturës në Shqipëri dhe në Kosovë?

Nuk ka komente

  1. Kongresi i 1972 masakroi gegnishten. Ai u organizua nga krahu jugor i Sigurimit te Shtetit, Shehu-Hazbiu se bashku me stalinistin Kostallari si nje operacion ne shkalle te gjere me theks gjeopolitik. Sot i vetmi institucion qe Jugu ka ende eshte standardi dhe ketu do kuptuar pse-ja e masakrimit te gegnishtes. Natyrisht ne kete operacion ndihmoi edhe krahu serb i UDB dhe Lidhjes Komuniste Jugosllave qe parashihte eksplodimin demografik kosovar dhe synoi ta neutralizonte ate si element pushteti permes ndihmes se faktorit tosk. Jane te thella keto pune. Por Enveri, si megalloman me projeksione te vetes si baba i kombit, por edhe nen ndikimin e Nexhmijes dhe ne aleance te fshehte me amerikanet dhe anglezet, sic thote shkrimtari Agim Hamiti, e goditi tere eliten toske duke nisur vetem nje vit pas Kongresit. Pra duke nisur qe nga 1973. Une propozoj te digjen gjithe kumtesat e atij kongresi te Zi, qe ishte me i zi se Kongresi i Permetit.

    Na bej kabull nje rixha, jurusum efendi.

  2. Unë do ta konsideroja si dikënd me sens humori të ekzagjeruar. Le të mos e lëmë të na e prishë muhabetin, as të na shtyjë në ekstreme të gjithëve.

  3. Ende jetojmë në një kohë kur shqiptarët janë të dehur nga vera e lirisë dhe, në çastet kur njeriu është i dehur, ai nuk duhet të merret me punë të tilla delikate si gjuha. Dua të them se kurrsesi nuk duhet që, në këtë periudhë kur vendi nuk ka institucione të mirëfillta apo një autoritet të mirëfilltë gjuhësor, t’i hyjë reformës drejtshkrimore.

    Ne shqiptarët jemi përgjithësisht njerëz më të prapambetur se sa fqinjët tanë, pa folur për krahasimin me Evropën; ne gjithnjë bëjmë gjëra me cilësi të dobët (që nga zgjedhjet politike e deri te mënyra e të jetuarit dhe debatuarit). Ashtu siç vërejmë cilësi të dobët në lëmitë e tjera, edhe në gjuhësi nuk bëjmë përjashtim. Kemi pak shkrimtarë të mirë, pak përkthyes të mirë dhe pak gjuhëtarë të mirë, amatorizmi është ulur këmbëkryq kudo, mediokriteti është bërë standard.

    Mendoj se duhet t’i japim vetes një periudhë reflektimi derisa të marrim veten, t’i lëmë gjërat të kullojnë dhe pastaj të guxojmë të prekim zonjën prej qelqi që quhet gjuhë. Dhe, gjatë kësaj periudhe kullimi, le të hedhim hapin e parë: të fusim mësimin e gjuhës nëpër shkolla; e kam fjalën për mësimin si duhet të gjuhës, e cila është hedhur tej me përbuzje nga burokratët e ministrisë së Arsimit. Nuk e di se kush është ministër i Arsimit sot (sigurisht duhet të jetë një njeri pa autoritet përderisa nuk ia kam dëgjuar emrin), por ministri i ardhshëm lipset të jetë gjuhëtar e jo matematicien apo inxhinier.

  4. “A nuk ka të drejtë publiku, në këto rrethana, të dyshojë se me shqipen e 1972-shit po guxohet të veprohet njëlloj si me shumë pasuri dhe monumente të tjera publike në Tiranë dhe gjetiu, të cilat me qëllim janë lënë të degradohen dhe të shkatërrohen gradualisht për mungesë të mirëmbajtjes, për t’u deklaruar pastaj si të parekuperueshme për publikun dhe të gatshme për buldozerët?”

    Kjo eshte jashtezakonisht serioze dhe e rende por eshte e vertete. E dyshimte do te ishte te mos dyshoje se i kane vene kazmen e madhe edhe gjuhes. Nuk ka akt me atdhetar se t’u ndalet dora keqberesve duke i demaskuar. Nuk ka me zi se kaq. Eshte si te prishesh Qytetin per te bere katunde. Uroj dhe shpresoj qe ky shkrim te jete vetem fillimi .Mbeshtetje te plote Ardian Vehbiut.

    1. Fatma,

      Xhaxhai ka plotesisht te drejte dhe pa dyshim qe meriton mbeshtetje, por Xhaxhai shkruan nga pozitat e intelektualit te jashtem, sepse nuk eshte “brenda ne tave”. Une do t’i beja thirrja e do te kerkoja mbeshtetjen edhe te atyre intelektualeve qe punojne brenda institucioneve tona kerkimore e shkencore qe rrine squke e nuk dalin t’i mbrojne publikisht qendrimet e tyre siç ben Xha xhai.
      Jam i bindur se keta jane shumica dhe sikur ta ngrene zerin, do t’ia mbyllin gojen atij Ardianit tjeter qe del e na jep mesime gjuhesie nga faqet e gazetave pa pas shkruar jo nje liber, por as edhe nje artikull gjuhesor ne jeten e tij.
      Apo e kam gabim?

  5. Keto perpjekje sjane gje tjeter vecse shfaqje ne nivelin e nje bashkesie te sindromit depresiv agresiv si pasoje e pamundesise per tu pershtatur ndryshimeve te vrullshme ne te cili eshte perfshire shoqeria shqiptare.Fatkeqsisht kjo gjendje patologjike bartet nga njerez qe kane kapluar gjithe sferen institucionale te shoqerise shqiptare dhe ne menyre active ,te ndergjegjshme udhezojne shoqerise shqiptare ne nje konfrontim per jete a vdekje.Kjo dote thote vetvrasje .Historia do ti ndeshkoje.Amin

  6. Histori e shoqerise njerezore tregon se ne fund te Cdo cikli evolutiv konservatorzmi mbizoteron,por kur kjo realizohet me mjete paqsore titullohet triumf,dhe ndjnja e triumfit eshte nje doze e mire kurative.Ne kerkim te kesaj jane keta paciente….

    1. Pjesa e pare “se në fund të fundit të çdo cikli evolutiv konservatorizmi mbizotëron” më ngjalli interesin, perderisa sillet rreth natyres konservatore te gjuhes, vecanerisht ne rastin tone, te gjuhes shqipe.

      Me kujtohet qe brezi im, ishte ne shkolle te mesme, kur u shtua drejtshkrimi si lende. Shume nga ne e moren lehte, por kur u perhapen fjalet qe do te ishte pjese e mesatares, u shtrengua rrypi.

      Ne provimet e para te gjithe klasat dolen dobet, … drejtshkrimi sipas rregullave te 72-shit ishte ne fillimet eksperimentale. Per shumicen prej nesh “tironsve” ne lindje, dilte jashte fonemave dhe fonetikes qe komunikonim perdite, sidomos kur vinte puna e vendosjes ose jo te ë-ve, i-ve,j-ve, etj.

      U turrem te gjithe te blenim librin “Drejtshkrimi i Gjuhes Shqipe” botim i vitit 1974, nje liberth me kapak ngjyre vjollce, rreth 240 faqe. Nuk kishim alternative tjeter, por t’a mesonim permendesh listen e gjate te fjaleve se si duhej te shkruheshin sipas rregullave drejtshkrimore.

      Ne si brez, ishim te paret, qe u beme ushtaret dhe viktimat e nje revolucioni gjuhesor.

      Ne parathenie te librit shkruhet: “Parimi fonetik, si parim themelor i drejtshkrimit te shqipes, sipas te cilit fjalet dhe pjeset e tyre te kuptimshme shkruhen ashtu sic shqiptohen ne ligjerimin letrar, eshte zbatuar, ne rradhe te pare, ne aspektin e tij fonologjik, domethene ne aspektin e perdorimit social te tingujve te gjuhes gjate procesit te marredhenieve midis njerezve.

      Le ta analizojme me kujdes sa me siper; flitet per… parim fonetik… qe eshte zbatuar ne aspektin e tij fonetik…dmth ne aspektin e perdorimit social te tingujve… gjate procesit te marredhenieve midis njerezve…

      Cfare zhargoni, o Zot. edhe prej autoritetit gjuhesor? Megjithate e justifikueshme, ne ate kohe nuk njihej filozofia e gjuhes(gjuhesore). Te perpiqemi t’a mendojme edhe nje here ne shqipen qe na eshte ushqyer sebashku me qumeshtin e nenes.

      Pyetja qe mund te behet: A flitet vertet per zbatim te parimit fonetik, perderisa 15-16 vjecaret gjimnaziste kryeqytetas, i duhej te mesonin permendesh drejshkrimin e fjaleve qe “sociologjikisht” i shqiptonin pafundesisht?

      Pastaj me tej shkruhet: “Parimin fonetik Komisioni hartues eshte perpjekur ta gershetoje ne menyre te harmonishme me parimin morfologjik, i cili kerkon qe fjalet dhe pjeset e tyre te kuptimshme te shkruhen njesoj, pavarsisht nga ndryshimet tingullore qe shkaktohen prej ligjeve fonetike qe veprojne sot ne gjuhen tone.”

      Le ta analizojme perseri; flitet per ” …parimin fonetik…ta gershetoje me parimin morfologjik…qe kerkon qe fjalet dhe pjeset e tyre te kuptimeshme( 🙂 …te perjashtojme pasthirrmat, thirroret qe mund te jene “te pakuptimshem”, por mundesisht te interpretueshem..) te shkruhen njesoj, pavarsisht nga ndryshimet tingullore(ndoshta e ka fjalen per dialektet???!!!) qe shkaktohen prej ligjeve fonetike(pra ligje, a duhen te zbatohen???!!! …perderisa…) veprojne ne gjuhen tone…”.

      Ne vazhdim shkruhet edhe per trashegimine qe kemi pasur ne drejtshkrim nga e kaluara, variantet letrare me baza dialektore qe kane hyre ne gjuhen letrare kombetare. Ne te tilla raste, ato quheshin perjashtime dhe nuk do te perfshiheshin ne rregullat e reja drejtshkrimore, sepse historikisht ishte e paperligjur.

      Keto te gjitha lypin pergjigje per pyetjet: Gjuha letrare ku e ka bazen? A nuk ishte konsideruar natyrshem me pare elementi dhe precedenti letrar/dialektor historik? Shkruesit, levruesit e gjuhes shqipe qe prej me te pareve, a nuk e shkruanin gjuhen bazuar ne dialektet e tyre? Legjitimitetin letrar, origjina dialektore e te shkruarit te tyre si e fitoi apo e humbi? Apo kishte nje rregullator te brendeshem natyral,… nepermjet “rregullave” te pashkruara?

      Kur lexon gjera te tilla, vetvetiu ve ne pikpyetje “autoritetin”: A eshte i tille? Perseri pyet: Po cili mund te konsiderohet si autoriteti i mirefillte?

      Megjithate pyetjet kerkojne pergjigje…

      1. Ja, të të them një shembull nga greqishtja për “parimin fonetik”. Një libër gjuhësie që më ra rasti të lexoja një herë prej ndoshta gjuhëtarit më të famshëm grek, Babinjotit, udhëzonte që, kur fjala përmbante fonemën “l” dhe ndiqej pas nga fonemat “a” dhe “e”, l-ja zbutej. Një mësues greqishteje, minoritar, këtë parim të librit në fjalë, e përdorte për të udhëzuar se nuk duhet thënë “kala” për shembull, por “kalla”. Sepse e thotë dhe Babinjoti. Edhe i binte faqes dëng e dëng tek ai vendi ku ndodhej pasazhi, me një shprehje triumfaliste në fytyrë. I jepte të drejtë vetes madje, të kritikonte athinjotët që thoshin “kalia” sipas tij, dhe jo një “kalla” të mirë, të fortë e të mbushur si çupë nga Epiri.

        Epirotët dhe thesaliotët realisht, i qëndrojnë “besnik” Babinjotit. Po unë përsëri nuk e kuptoj, se pse duhej zbutur kaq shumë. Se vija re, që edhe poshtë nga Athina, l-ja përsëri zbutej, veç ndryshe. Përndryshe, kuptova se disa parime të gjuhësisë, nuk mund të jenë veç deskriptive dhe cilësore.

        Ndërsa një ide për autoritetin e krijova në klasë të parë. Meqë jam mëngjarash natyral, tentova ta ushtroja këtë natyralitet për të shkruar me dorën e majtë. Mësuesja, kur e vuri re këtë, më “udhëzoi” që të përdorja të djathtën. Udhëzimi i atëhershëm, është akoma në fuqi.

        1. Kjo I nderuar Juliusx shfaqje e “pertacise”, e konvertuar ose pare ne kendveshtrimin fiziologjik do te thote te kryesh gjithshka me sa me pak humble energjitike.
          Te shprehesh “καλιά´´eshte me e kushtushme nga ana energjike,vecse kur trashegon nga kushtet mjedisore te te mesuarit ,ahere duvet ti kundervihesh mekanizmit automatik qe lidh processin e te menduarit me ate te artikulimit.Ne fact ky eshte dhe thelbi I veshteresis qe kane geget per tu adaptuar me te folmen letrare,ose per tu shprehur ne te folmen letrare,hum basin vazhdueshmerine midis structures se mendimit dhe structures se drejtartikulimit dhe ne nje kendveshtrimin te ngushte,eshte shprehje e disleksise e kushtezuar nga rrethanat,dhe jo nga faktore gjenetike,ose ndryshe nuk eshte nje patologji e lindur por e imponuar nga mjedisi

      2. Read me, drejtshkrimi sipas rregullave të 1972-shit kishte praktikisht shumë vjet që zbatohej, në shumicën e botimeve shtetërore.

        Ata që kishin vështirësi, i kishin ngaqë nuk lexonin shumë, ose ngaqë vetvetiu ishin pak të ngathët në të shkruarit e fjalëve.

        Përndryshe, unë e kam mësuar ta shkruaj shqipen në vitet 1960, dhe nuk kam pasur ndonjë problem të madh me drejtshkrimin; as mbaj mend ndonjë të brezit tim që të jetë ankuar.

        Flet për një revolucion gjuhësor – dhe kushedi ashtu e ke përjetuar; por unë besoj se ti nuk është se kishe mësuar gjë gegnishte në fillore, dhe pastaj të kërkuan ta ndërroje sistemin e shkrimit; prandaj termi që përdor është i ekzagjeruar. Alfabetizimi është gjithnjë pak traumatik; por jo më shumë se matematika ose solfezhi – një sistem më tepër rregullash arbitrare, për t’u mësuar, në emër të komunikimit në një nivel pak më të lartë dhe të zgjeruar se mëhalla ku flitet tironçe.

        Revolucion ka pasur vërtet – por për ata që ishin mësuar të shkruanin gegnishte; ose një pakicë. Në shkolla kish kohë që përdorej abetarja mbi bazën e toskërishtes…

        Veç në mos ngatërrohem unë, dhe ti vjen gjë nga shkolla e Fullcit!

        Sa për parimin fonetik, më duket se ngatërrohesh. Asnjë gjuhë nuk drejtshkruhet sipas parimit fonetik të kulluar; dhe kur thuhet për shqipen se shkruhet sipas “parimit fonetik”, kjo do të thotë, kryesisht, që parimi fonetik mbizotëron ndaj atij morfologjik dhe atij historik (etimologjik).

        Por që ti dhe disa shokë të tu keni pasur probleme me shkrimin e shqipes së 1972-shit, kjo nuk lidhet fare me parimin fonetik; por me faktin që ju keni pasur probleme me kalimin nga shqipja e folur në shqipen e shkruar.

        Ai paragrafi që sjell ti nga parathënia e manualit drejtshkrimor, mbështetet mbi dallimin midis tingujve të ligjërimit dhe fonemave si njësi të gjuhës; dhe kërkon të shpjegojë se çfarë quajmë parim fonetik, është në fakt parim fonologjik – që do të thotë se n-ja në fjalë si nesër dhe mungoj shkruhet me të njëjtën shkronjë, edhe pse, në fakt, shqiptohet (artikulohet) ndryshe.

        Në fakt, tani arrij në përfundimin se parathënia e atij libri nuk ia ka arritur qëllimit që të lexohet, as të kuptohet, nga jospecialistët; gjë që është e kritikueshme në vetvete.

        Gjithashtu, ti nuk duket të kesh kuptuar se “pjesët e kuptimshme” të fjalëve janë morfemat; dhe ky term shërben për t’i dalluar këto pjesë të kuptimshme nga pjesët e pakuptimshme të fjalëve, që janë rrokjet.

        Për shembull, te fjala shtëpisë, -së është morfemë; ndërsa te fjala klasë, -së është rrokje, por jo morfemë.

        Parimi morfologjik kërkon që të ruhet njësia e morfemës në eptim; ndeshet rëndom në drejtshkrimin e gjuhëve si gjermanishtja dhe rusishtja; ka gjuhëtarë që mendojnë se edhe shqipja ka adoptuar parimin morfologjik në drejtshkrim, por këta gjuhëtarë kanë qenë një pakicë.

        Gjithsesi, çështje tepër teknike.

        Më në fund, parimi i një drejtshkrimi vlen në momentin kur ai adoptohet për gjuhën, jo në vijim; sepse askush nuk pretendon që një gjuhë e cila ndjek parimin fonetik (fonologjik), si shqipja, të reformojë drejtshkrimin sipas nuancave dhe prirjeve në shqiptim, me kalimin e kohës.

        Përkundrazi, pasi adoptohet një drejtshkrim, ai shërben si bazë për shqiptimin zyrtar (drejtshqiptimin) dhe e frenon disi prirjen evolutive në gjuhën e folur.

        1. Xha Xha, eksperiencat personale nuk na thone shume, perdoren vetem si “appetizer”(e disa i preferojne me ereza te forta djegese) per te shtjelluar idene qendrore.

          Parimi fonetik thote qe duhet te kete nje korrespondence sa me ideale midis grafemes dhe fonemes, midis ortografise dhe tingullit, midis te folures dhe te shkruares.

          Kur ka mosperputhje te dukeshme midis ketyre dy aspekteve, tregon se arbitrariteti i rregulles drejtshkrimore nuk eshte perfaqesues dhe nuk eshte bazuar ne principin fonetik, sic duhet te jete edhe ne rastin e shqipes.

          Une nuk po hapem ne aspektin e perfaqesimit te gegerishtes, qe eshte nje problematike kaq madhore e kombit shqiptar, sa qe nuk ka gjuhetar qe ta marre persiper e ta perballoje.

          Persa i perket fonetikes kundrejt fonologjise, n-ja qe permendet do te shkruhet n perseri sipas parimit fonetik, pavarsisht aspektit fonologjik, domethene vendodhjes te n-se ne fjale dhe pasojave ne te artikuluarin(te tingull-uarin) e saj ne fjale te ndryshme.

          Ne fjaline qe solla me pare si shembull, formulimi me zhargonin perserites (rreth parimit fonetik ne drejtshkrim) eshte krejt i panevojshem, nuk ben gje tjeter vecse e kthen fjaline ne “redundant sentence” dhe konfuze, sic eshte edhe fraza “parimi fonetik eshte ne fakt parim fonologjik”.

          Formulimet e fjalive te tilla jane deshmi e varferise intelektuale dhe profesionale te specialisteve te gjuhes qe formulojne frazologjira te tilla.

          “Pjesa(et) e kuptueshme (t)e fjales…, sic duket nuk keni pikasur dozen e lehte te sarkazmit tim. Ju tingellon mire ne shqip “pjeset e kuptueshme te fjales”? Perderisa flitet per morfema, flitet per njesite me te vogla semantike (qe ruajne, japin apo marrin kuptim) si perberese ne fjaleformim.

          Sa per dijeni, une isha plotesisht koshient se flitet per morfema se me poshte ne parimet e pergjitheshme kjo behej e qarte, formulohet ndryshe: “… mbështetet gjerësisht edhe në parimin morfologjik, i cili kërkon që fjalët dhe pjesët e tyre përbërëse, të sistemit trajtëformues e fjalëformues të shkruhen njësoj…”

          Jo gjithmone e jo te gjitha llojet e morfemave, mund te qendrojne ne kembe si njesi semantike me vete, si “pjese te kuptueshme” (…), te ruajne, te japin apo te marrin kuptim me vete, sic mund te qendroje nje fjale(prandaj quhet e tille) apo rrenja e nje fjale qe mbart e percjell gjithmone kuptim.

          Si shembull per te ilustruar te dyja rastet(po ashtu kur edhe mund te dualizohen me rrokje) mund te sherbejne fjalet: pa-lidh-je, pa-drejt-ë-si-sht, etj.

          Ka raste ku shqipja ka adaptuar parimin morfologjik; rast elokuent eshte i mosperputhjes se shkrimit e te mosshqiptimit te ë-se te patheksuar te nje pjese te fjaleve dhe te fjaleformimeve te tyre. A i ka sherbyer ne kete rast per me mire gjuhes shqipe?

          Prej 1967(pothuajse ne kete periudhe kam filluar te shkruaj shqipen edhe une) kur u hodh ne leter projekti pilot politik i drejshkrimit te gjuhes shqipe sipas gjuhes se njehsuar, duke vazhduar me tej me botimin e manualit me fjalorin drejtshkrimor te permendur 1973-74, fill pas Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, e deri ne fillim te ndryshimeve demokratike, kaluan vecse dy dekada.

          A eshte kjo nje periudhe mjaft e gjate qe te jete kristalizuar, brazduar aq thelle nje tendence per te vazhduar te shkruhet shqipja duke shperfillur dinamiken morfo-fonetike(shto leksikore) te pjeses me te madhe shqipefolese te kombit?

          Drejtshkrimi i gjuhes se shkruar quhet i tille, sepse duhet te jete pasqyre e realitetit (te shqipes se folur…).

          Perndryshe, cdo dite qe shkon, saboton. ndrydh, privon te shprehurin e lire e te natyrshem te pjeses me te madhe te popullsise.

          1. Nëse vendimi për ta vendosur toskërishten në bazë të drejtshkrimit të shqipes, krahas vendimit për ta bërë këtë në fillim të viteve 1970 dhe vendimit tjetër (gjysmë të fshehtë) për ta nxjerrë gegërishten letrare nga qarkullimi për veprat e krijuara rishtas ishin të gjitha vendime politike, vetë drejtshkrimi i shqipes, në formën që u miratua, ishte produkt i një debati shumë të gjerë mes specialistëve, mësuesve dhe punëtorëve të gjuhës; që vazhdoi me muaj në mos me vite dhe përfshiu mijëra e mijëra të interesuar. Nga pikëpamja teknike, them se u bë më e mira atëherë, brenda kornizave që ishin vendosur tjetërkund.

            Natyrisht, drejtshkrimi mund të përmirësohet; disa nga rregullat e djeshme sot do të ishin formuluar ndryshe. Vetë parimet e drejtshkrimit e parashikojnë mundësinë që ky të rishikohet herë pas here, në pajtim me zhvillimet gjuhësore dhe sociale.

            Megjithatë, unë nuk besoj se drejtshkrimi i shqipes ka penguar zhvillimin kulturor dhe intelektual të shqiptarëve, kudo që këta janë dhe pavarësisht nga dialekti që flasin. Tek e fundit, drejtshkrimi është një paketë rregullash arbitrare, të cilat njeriu ulet dhe i mëson. Nëse bartësit e disa të folmeve gege ende e shkruajnë shqipen keq, kjo nuk vjen nga mangësitë e drejtshkrimit, por nga mangësitë e shkollave të zonave nga vijnë këta bartës dhe nga prapambetja kulturore e këtyre zonave ose gatishmëria e tyre për të komunikuar lirisht me qendrën. Si argument shtesë këtu, do të shtoja se shumë fëmijë në familje me prejardhje nga këto zona “të diskriminuara” nga drejtshkrimi i shqipes, e përvetësojnë anglishten për bukuri në ShBA, shkëlqejnë në shkollë dhe mbarojnë universitetet më të mira të botës, në një gjuhë që nuk është për ta e nënës, por që kanë dashur ta përvetësojnë sepse u ka shërbyer në karrierë.

            Mua vetë më është dashur kohë të kuptoj se argumenti për vështirësitë e drejtshkrimit kryesisht sillet nga një kategori intelektualësh të cilët, për arsye që i dinë vetëm ata (unë nuk dua të spekuloj këtu), duan ta përmbysin statu quo-në në shkrimin e shqipes, të cilin sot e shohin si dëshmi dhe vegël të supremacisë toske, e cila përndryshe si e tillë nuk ekziston më. Është gjë e mirë dhe premisë e shëndoshë për krijimin e qytetarisë shqiptare mbarëkombëtare, që supremacia toske nuk ekziston më; por është shumë e shëmtuar që disa kërkojnë ta shfrytëzojnë luftën kundër kësaj supremacie për revanshe krahinore; ose për ta zëvendësuar një katundari me një tjetër.

            1. “Nëse bartësit e disa të folmeve gege ende e shkruajnë shqipen keq, kjo nuk vjen nga mangësitë e drejtshkrimit, por nga mangësitë e shkollave të zonave nga vijnë këta bartës dhe nga prapambetja kulturore e këtyre zonave ose gatishmëria e tyre për të komunikuar lirisht me qendrën. Si argument shtesë këtu, do të shtoja se shumë fëmijë në familje me prejardhje nga këto zona “të diskriminuara” nga drejtshkrimi i shqipes, e përvetësojnë anglishten për bukuri në ShBA, shkëlqejnë në shkollë dhe mbarojnë universitetet më të mira të botës, në një gjuhë që nuk është për ta e nënës, por që kanë dashur ta përvetësojnë sepse u ka shërbyer në karrierë.”

              Xha Xha, me intrigoi komenti juaj me siper dhe po mendoja se cila eshte “enigma” e ketij konstatimi e a mund te perdoret si argument ne rastin e drejtshkrimit te shqipes.

              E di cfare me shkoi ndermend fillimisht? Ne shqip “per cudi” nuk ka “spelling bee” sic ka ne anglisht. Dikush do te mendonte se nuk ka “spelling bee”(nuk ka nevoje per nje gje te tille), sepse ndoshta nxenesit nuk bejne gabime ne shkrim, nuk ka “bad spellers”, kjo per shkak te alfabetit fonetik qe ndiqet ne te shkruar. Por anglishtja e shqipja kane disa dallime cilesore.

              Ndoshta per te dy, tosk dhe gege, por sidomos per folesit gege, duhet te aplikohet nje lloj “spelling bee”, mesimi (diktimi) se si duhet te shkruhet nje fjale, pavarsisht shqiptimit te saj ne gjuhen e folur(qe eshte gjuha e nenes per gegun). Ne gjuhet me alfabete qe zbatohet parimi fonologjik, diktimi si pjese e mesimdhenies, per pasoje duhet te behet i detyrueshem.

              Por ka nje kontradikte tashme “klasike” ne rastin e shqipes, qe ka te beje me “prestigjin” e gjuhes te folur. Gegeve i tingellon jonaturale, prekje e krenarise gjuhesore, kur do t’i thuhej se jo-rotacioni geg, apo mosshkruarja e ë-se te patheksuar, (e shume diferenca te tjera) ne krahasim me rotacionin tosk, etj, eshte shqipja letrare, gjuha korrekte me te gjitha aspektet e saj. Ata kane arsyet e tyre ta konsiderojne si nje perpjekje hegjemonizmi ne gjuhe, pavarsisht se i thuhet qe kete “sakrifice”, arbitraritet, duhet ta bejne per hir te nje qelllimi me te larte, njehsimin, homogjenizimin gjuhesor, nepermjet te cilit fitojne te gjithe shqiptaret… Kjo pune behet edhe me e veshtire kur mendon se 2/3 e kombit shqiptar jane gege.

              Kur vjen puna tek anglishtja, nje nga parimet baze te saj eshte se nuk ka aspak koordinim midis gjuhes se folur dhe asaj te shkruar, nuk eshte fonetike. Keshtu qe, ne rastin e gegut qe meson anglishten na Amerike, prestigji apo hegjemonizmi gjuhesor lidhet me te mesuarin sa me te mire te anglishtes, sic shkruani edhe ju vete, per te bere karriere e pasur sukses.

              Shkalla e eleminimit te aksentit te huaj dhe te pervetsimit te anglishtes. ka te beje pastaj se sa heret e fillon mesimin e gjuhes, por edhe te afersive fonologjike te anglishtes me gjuhen shqipe e me specifikisht dialektin geg apo tosk.

              Dihet qe anglishtja duke qene se nuk ka kordinim midis te shkruares dhe te thenit te fjales, ka shume me teper fonema dhe tingullime te ndryshme te zanoreve, ka mbi dymbedhjete diftongje, etj. Cili nga dialektet e shqipes, i afrohet me shume nje situate te tille, apo te dy njelloj? Rotacioni tosk do te bente qe r-ja e anglishtes amerikane te imitohej me mire nga tosket, kurse jorotacioni geg do ta bente anglishten gege me afer asaj britanike.

              Mund te shtojme qe anglishtja ka vetem nje zgjedhim foljeje, kurse shqipja disa here me shume se anglishtja. Folja me e crregullt ne anglisht eshte “to be” (me qene), e ka vetem tete lloje inklinimesh.

              Se fundi, shqipja ne vetvete, ajo e folura e perditeshme, ka nje hendek te madh me te shkruaren standarte, kjo ndodh edhe me gjermanishten, greqishten, etj. Kurse fjalet anglisht kur i meson si te shkruhen jane e mbeten teper konservatore e te memorizuara ne kujtese per shkak te procesit te perditshem te “spelling bee”, mekanizem qe shoqeron perdite mesimin e fjaleve.

          2. “Drejtshkrimi i gjuhes se shkruar quhet i tille, sepse sepse duhet te jete pasqyre e… shqipes se folur”.

            Pikerisht ketu qendron keqkuptimi dhe gabimi fatal qe bejne edhe nismetaret e reformes, te cilet nuk kuptojne apo nuk duan te kuptojne se gjuha e shkruar dhe gjuha e folur NUK JANE E NJEJTA GJE. Drejtshkrimi eshte kulture dhe si i tille duhet te jete sa me i qendrueshem ne rrjedhe te shekujve. Eshte shqiptimi qe ne njefare menyre duhet te ndikohet nga drejtshkrimi e t’i vere fre prirjeve efemere te ndryshimit. Po t’ia pershtatim drejtshkrimin ndryshimeve te herepashershme te modes se shqiptimit, gjuhen e merr lumi! Po hidhi nje sy gjuheve te tjera, gjermanishtes, anglishtes, spanjishtes, italishtes, rusishtes etj., ne te cilat variantet dhe variacionet shqiptimore e dialektore ne kohe dhe ne hapesire jane te panumerta, por drejtshkrimi eshte gati po ai prej qindra vjetesh.

            1. E shoh se deshiron te na i ngrish ne kohe gjuhet e folura.

              Drejtshkrimi ne lidhje me gjuhen eshte vertete si nje lloj polici trafiku, qe mban rregullin; te gjobit nese ecen me shpejt se limiti i lejuar, ne drejtim te gabuar(psh, ne rruget njekalimshme), apo ke parkuar ne vendin e gabuar, ne oren e shkolles apo pastrimit, etj.

              Rregullat i vendosin njerezit sipas nevojave e studimeve te specialisteve, nepermjet propozimeve e votes si perfaqesuese e tyre. Sipas nevojave edhe rregullat ndryshojne, nuk jane statike, por i pershtaten dinamikes urbane dhe kerkesave te trafikut ne pjese te ndryshme te dites apo javes.

              Shembulli i policit eshte thjesht nje analogji, ndoshta jo shume e arrire, por per te nxitur mendime ne koke, e ndoshta nuk e perqafon dhe prezanton marredhenien gjuhe e folur dhe e shkruar si duhet.

              Por gjuha e folur ndryshon pavarsisht drejtshkrimit, e nuk ka rregull, gjobe e polic, qe mund ta mbaje te lidhur e nen hyqem.

              Koncepti i te drejtshkruarit behet edhe me kompleks sot ne boten e gjuheve e komunikimit modern. Gjuha e folur duke qene nje organizem i gjalle nuk eshte statike, e ngrire ne kohe. Drejtshkrimi nuk mund ta mbaje te ngrire ne leter gjuhen, vecse do te zgjeroje hendekun midis tyre. Drejtshkrimi doemos do te ndryshoje, do t’i pershtatet ndryshimeve te gjuhes se folur.

              Persa i perket ndryshimeve ne kohe, mund te them qe jane te dukeshme edhe gjate jeteve tona, kur vjen puna e te shkruarit te fjaleve.

              Femija im, kur i jap klasike te shkruar qofte edhe 50-100 vjet me pare, e ben dallimin menjehere te arkaizmave(mbetjet jashte perdorimit) ne te shkruar dhe prezantimit te fjaleve te ndryshme (po sjell shembullin e anglishtes).

              Ma hedh librin pertej. Me thote se kjo nuk shkruhet e shprehet me keshtu… Une vete mesoj perdite prej femijes tim aplikimet e reja ne te shkruar e ne te folur.

              Qelloi qe keto kohe te kem patur ne dore nje punim dizertacioni ne gjermanisht, te shkruar nga fundi i teteqindes. Po perpiqem ta perkthej e ta perdor ne lidhje me punen, por po ndeshem ne veshtiresite e nje gjuhe ku fjalet jane shkruar ndryshe, megjithese kam edhe ndihmen e nje kolegut tim, qe e ka gjermanishten gjuhen e nenes.

              Pra, te shkruarit e fjaleve ndryshon, pavarsisht sa i stabilizuar eshte drejtshkrimi apo homogjene gjuha e folur.

            2. Shkruan:

              gjuha e folur ndryshon pavarsisht drejtshkrimit, e nuk ka rregull, gjobe e polic, qe mund ta mbaje te lidhur e nen hyqem.

              Kjo është e vërtetë, madje ka gjuhëtarë që shpjegojnë se ndryshimi është e vetmja mënyrë si ekziston gjuha në kohë.

              Argumentin e dëgjon shpesh në debatet rreth drejtshkrimit, edhe pse, për mendimin tim, në ato debate po keqpërdoret.

              Dhe ja pse. Së pari, gjuha e folur dhe gjuha e shkruar, sikurse e sqaroi pak edhe Relapso, janë dy sisteme të ndryshme – dhe relativisht autonome. Mjaft një vështrim t’i hedhësh, bie fjala, anglishtes, për ta kuptuar këtë.

              Më tej, drejtshkrimi nuk synon të ndryshojë gjë në gjuhën e folur, por vetëm të sanksionojë një formë pak a shumë arbitrare të të shkruarit, të tillë që t’i shërbejë komunitetit (p.sh. qytetarëve të një shteti ose pjesëtarëve të një kombi) për komunikim të përgjithshëm.

              Gjuhën e folur synon ta modifikojë drejtshqiptimi – që është një lloj tjetër standardi; por edhe drejtshqiptimi prek atë nivelin publik dhe më formal të gjuhës së folur, jo nivelet e tjera.

              Dhe më në fund, një drejtshkrim i ngulitur vepron si forcë ruajtëse (konservative) edhe ndaj gjuhës së folur; duke i korrigjuar prirjet normale dhe natyrore për ndryshim.

              Në fakt, sa kohë që alfabetizimi masiv është dukuri kryesisht e shekullit XX, askush nuk e di nëse gjuhët e alfabetizuara do të ndryshojnë njëlloj si më parë.

              Tani, këto muhabete mund të duken si të përgjithshme dhe ad hoc; prandaj mirë është që të shohim shembuj konkretë, të mënyrës si kanë evoluar në shekullin XX gjuhë që pak a shumë i njohim; dhe nuk po marr anglishten dhe frëngjishten, që ndjekin parimin historik në drejtshkrim; por gjuhë si spanjishtja, italishtja, gjermanishtja dhe rusishtja të cilat shkruhen pak a shumë sipas një kombinimi parimesh fonetike dhe morfologjike.

              Do të shohim se ndryshimet aty kanë vazhduar të ndodhin; por jo më në nivelin fonetik dhe morfologjik – pse këto nivele i ka ngrirë, si të thuash, norma drejtshkrimore dhe gramatikore; por kanë ndryshuar në sintaksë dhe në leksik.

              Kështu, gjuha letrare e drejtshkruar arrin ta kapërcejë ankorimin pas së tashmes (hic et nunc), dhe të integrojë diferencat hapësinore, kohore dhe sociale, për t’u pasuruar.

              Drejtshkrimi, duke qenë thjesht një marrëveshje elementare mes përdoruesve të gjuhës për të pasur një formë të përbashkët ose një standard, mundëson ndryshimin në nivele më të larta se ai thjesht fonetik/fonologjik – duke lejuar, p.sh., konsolidimin e regjistrave (bisedor, libror, etj.) dhe të stileve (stil i lartë, etj.). Kështu, në kryeqytet, e folmja vendëse, që dikur thjesht i përkiste dialektit (gegërishtes së mesme) tani ka kaluar në shenjues të regjistrit bisedor të ligjërimit qytetar. Ky është ndryshim i jashtëzakonshëm, për të cilin i detyrohemi pikërisht statusit të Tiranës si kryeqendër e Shqipërisë.

              Gjuhët vërtet ndryshojnë; gjithnjë ndryshojnë – por nuk është e thënë që ndryshimi të ndodhë gjithnjë në nivelin elementar, që është ai fonologjik.

              Ky është gabimi që bëjnë, besoj unë, të gjithë ata që e lidhin nevojën për reformë të drejtshkrimit me faktin që gjuha nuk është ajo që ishte kur u fiksua drejtshkrimi; vërtet, nuk është më ajo, por ndryshimet e gjuhës tani kanë ndodhur (edhe) mbi bazën e drejtshkrimit të njësuar.

            3. Prezantim i sakte, ndricues dhe i nevojshmem i Xha xhait rreth ndryshimeve midis gjuhes se shkruar e te folur. Debate, komente e sqarime te tilla, na ndricojne te gjitheve.

              Si pasoje e nevojes per nderhyrje drejtshkrimore ne shqipen e shkruar ” ndryshimet e gjuhës (qe) tani kanë ndodhur (edhe) mbi bazën e drejtshkrimit të njësuar…” duhet te jene pjese shume e rendesishme e debatit.

      3. Autoritet i mirëfilltë mund të konsiderohet ai që ka edhe gurin, edhe arrën, por që nuk abuzon me asnjërën.

  7. Ndonjëherë më duket se shumë hallka institucionesh dhe akoma pjesë të shoqërisë shqiptare, funksionojnë me inercinë e autoritetit të djeshëm central dhe totalitar. Për mënyrën se si po duan ta kryejnë ndryshimin, më e sinqertë do të ishte të thoshin se një pjesë e akademikëve, kanë vendosur ta shkruajnë gjuhën shqipe ndryshe. Po si do e ushtrojnë këtë autoritet, kjo ngelet enigmë.

    Nëse njerëzit, nuk “u binden” formave të reja drejtshkrimore të ofruara, çfarë do bëjnë me këtë rast? Nëse unë vazhdoj dhe shkruaj “thyesë” në vend të “thysë”, çfarë do ndodhë? Nëse dëshiroj të botoj një libër për shembull dhe aty kam shkruar “hapësirë” në vend të “hapsinë” siç sugjerohet, çfarë do ndodhë përsëri? Redaktori do e korrigjojë fjalën? Nëse nuk e bën? Nëse vetë redaktori refuzon? Po nëse unë refuzoj të më redaktohet në këtë mënyrë, çfarë do ndodhë?

    Cila është vija këtu që ndan konsensusin prej imponimit?

    Jam dakort mesa u tha më lart, se shoqëria shqiptare nuk është në stadin e duhur për të kryer ndryshime të tilla. Dhe institucionet që po vendosin për këto ndryshime po ashtu.

  8. Në intervistën e lidhur në krye të shkrimit, drejtori i QSA-së, Marashi sjell një shembull për të ilustruar çfarë nuk shkon me drejtshkrimin e shqipes sot.

    Shembulli ka të bëjë me luhatjen në shkrimin e emrit Arian/Arjan, dhe si i tillë, kam frikë se nuk qëndron.

    Në fakt, nuk ka një drejtshkrim të emrave të njerëzve, me përjashtim të nevojës për t’i qëndruar pak a shumë besnik formës që është zgjedhur në certifikatën e lindjes/pagëzimit, etj.

    Për këtë arsye, emrat e njerëzve nuk përfshihen në fjalorët, dhe aq më pak në fjalorët drejtshkrimorë.

    Dikush preferon Arian, dikush tjetër Arjan – asnjëra formë nuk është gabim. Përkundrazi, dallimi në formë i bën emrat të ndryshëm.

    Përkundrazi, sikur i njëjti person ta shkruante emrin e vet herë Arian dhe herë Arjan (ose Mariana dhe Marjana), atëherë do të kishim një problem drejtshkrimor.

    Marashi e kupton këtë, besoj, kur thotë se po sjell një shembull “jashtëgjuhësor”; edhe pse unë s’po e marr vesh pse duhet sjellë një shembull “jashtëgjuhësor” për të ilustruar një problem për të cilin shembujt gjuhësorë nuk mungojnë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin