NJË ZGJIDHJE PËR TEATRIN

Kush e ka ndjekur përplasjen – nuk po e quaj debat – tani së fundi mes Ministres së Kulturës dhe komunitetit të aktorëve, në lidhje me fatin e godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar, do të ketë dëgjuar edhe argumentin e sjellë nga Kumbaro, dhe pikërisht se kjo godinë – e ngritur si strukturë e përkohshme në vitet e fashizmit (Dopolavoro)[1], tashmë është amortizuar rëndshëm dhe nuk mund të përdoret edhe për shumë kohë, pa rrezikuar publikun që shkon atje dhe vetë aktorët, prandaj edhe duhet rrafshuar dhe zëvendësuar. Argumenti duket i mbështetur, sa kohë që vendimi i kahershëm për ta vendosur atje Teatrin Kombëtar ka qenë i momentit dhe askush nuk e pat pritur e shpresuar jetëgjatësinë e ndërtesës dhe mbushjen e saj me histori kulturore, siç edhe ndodhi.

Megjithatë, banorët e Tiranës, dashamirësit e teatrit, aktorët dhe regjisorët, dhe të gjithë ata që interesohen aktivisht për fatet e teatrit në Shqipëri kanë dëgjuar për vite me radhë argumente të tjera, për nevojën e ruajtjes dhe restaurimit të selisë së Teatrit Kombëtar, si ndërtesë me vlera arkitektonike, historike, institucionale dhe kulturore, madje si një nga landmarks të kryeqytetit dhe ndalesë të detyruar, në itinerarin “italian” të vizitorëve dhe turistëve. Tek AKS Revista, Romeo Kodra ka shkruar para disa muajve për investimet e bëra në mirëmbajtjen e ndërtesës, së paku të fasadës së saj, duke i kritikuar ato si përçudnime. Sipas Kodrës, godina e teatrit ka vlera historike edhe si “objekti i parë arkitekturor ndërtuar në Shqipëri me parafabrikat, pra me interes në atë që quhet pasuri arkeologjike industriale e një vendi”, duke përbërë një objekt të një rëndësie kulturore të veçantë. Gjithnjë në bazë të një dokumenti që ka bërë publik Kodra në faqen më lart, Ministria e Kulturës, në personin e Sekretares së përgjithshme Elira Kokona, e pat bërë të vetin arsyetimin e drejtuesve të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, se restaurimet në këtë godinë dhe pikërisht ndreqja e një ballkoni në fasadë synonin “kthim(in) në identitet të kësaj ndërtese historike.”

Çfarë provon, mes të tjerash, se vetëm pak kohë më parë fonde nga buxheti i shtetit po shpenzoheshin për të mirëmbajtur selinë e Teatrit, në kuadrin e politikave kulturore të “kthimit në identitet”, të çuara përpara jo vetëm nga Ministrja Kumbaro por edhe shefi i saj, Kryeministri Edi Rama. Pyet me të drejtë Romeo Kodra:

Si ka mundësi që sot na dilka që investimet janë pjesë e Buxhetit të Shtetit? Si kanë mundësi të jenë dhënë këto investime në buxhet kur është po ky shtet, e po kjo qeveri, sot e kësaj dite, e cila po kërkon të prishë TK e TKEKS për kullat e oligarkëve?

Gjithë duke pranuar, për hir të argumentit, se kjo kontradiktë kaq flagrante është thjesht fryt i kaosit të lemerisur në politikat kulturore të qeverisë së tanishme, e cila nga njëra anë shpenzon fonde për ta restauruar godinën e Teatrit Kombëtar, teksa nga ana tjetër përgatitet seriozisht për ta shembur atë përdhé, mund të nxjerrim përfundimin se, të paktën për momentin, dëshira për të pasur një seli moderne bashkëkohore dhe dinjitoze të TK hyn në konflikt me dëshirën për t’ia ruajtur Tiranës një monument arkitekturor me vlera të gjithanshme historike, kulturore dhe institucionale.

Si mund të zgjidhet ky konflikt? Unë e kam një propozim: duke e rindërtuar godinën e Teatrit, në mënyrë të tillë që e reja të jetë kopje besnike e së vjetrës.(*)

Kjo do të kërkonte, para së gjithash, që të jemi të gatshëm për të rishikuar konceptin tonë për origjinalin dhe kopjen në arkitekturë.

Filozofi koreano-gjerman Byung-Chul Han i ka kushtuar një ese praktikave kulturore të kopjes, të origjinalit dhe të falsifikimit në Lindjen e Largët, me titull Shanzhai: Deconstruction in Chinese (në përkthimin anglisht). ku vë në dukje se nocioni i identitetit në Lindjen e Largme mund ta pështjellojë mendjen e Perëndimorit; dhe këtë e ilustron me shembullin e tempullit të njohur Ise, në Japoni, hierorja supreme e Shintoistëve, ku miliona japonezë dynden çdo vit në pelegrinazh. Tempulli është ngritur para 1 300 vjetësh; por në realitet ai rindërtohet çdo njëzet vjet, që nga themelet; duke qenë rindërtimi pjesë e praktikës fetare. Dhe kaq e huaj është kjo praktikë e rindërtimit për historianët e artit perëndimor, thotë Byung-Chul Han-i, sa UNESCO-ja e ka hequr tashmë tempullin në fjalë nga lista e sajteve të Trashëgimisë Botërore, meqë për ekspertët e kësaj organizate tempulli është e shumta 20-vjeçar.

Po cili është origjinali këtu, dhe cila është kopja?  – pyet Byung-Hang Chul, dhe përgjigjet se në kontekste të tilla diferencën mes origjinalit dhe kopjes e zëvendëson diferenca tjetër, mes së vjetrës dhe së resë. Madje mund të pohojmë, vazhdon ai, se kopja e tempullit sot është më origjinale se “origjinali”, meqë sa më e vjetër të jetë ndërtesa, aq më shumë i është larguar gjendjes së saj origjinale; çfarë do të thotë se riprodhimi i saj i saktë do ta restauronte në këtë “gjendje origjinale”.

Byung-Hang Chul e lidh këtë kontradiktë jo vetëm me dallimet kulturore Perëndim-Lindje, por edhe me diferencën midis vlerës që ka ndërtesa për vetë kultin (Shintoizmin) dhe vlerës ekspozitive (exhibition value), duke vërejtur se shkatërrimi i ndërtesës dhe i thesareve të saj janë pjesë e kultit që ushtrohet atje. Përkundrazi, shton ai, në Perëndim, kur monumentet restaurohen, pjesa “e vjetër” shpesh vihet në pah dhe elementet origjinale trajtohen si relike; në një kohë që ky kult i origjinalit në Lindjen e Largët nuk ekziston, meqë kjo kulturë ka zhvilluar, thotë autori, një teknikë krejtësisht të ndryshme të ruajtjes, e cila mund të jetë më efektive se konservimi ose restaurimi: riprodhimi i herëpashershëm, një teknikë që e zhduk krejt diferencën mes origjinalit dhe replikës. Mund të themi, përfundon ai, se kështu origjinalet e ruajnë veten përmes kopjeve, në mënyrë të ngjashme me çfarë ndodh në natyrë, ku çdo organizëm e ripërtërin veten nëpërmjet zëvendësimit qelizor periodik, dhe nuk ka kuptim të thuhet se fëmija është origjinali, ndërsa i rrituri kopja.[2]

Për autorin, ruajtja e monumenteve historike, në kuptimin modern të termit, fillon me muzeumizimin e së kaluarës, ku vlera e kultit gjithnjë e më tepër i lëshon vend vlerës ekspozitive, çfarë jo rastësisht “shkon krah për krah me rritjen e turizmit.”

U zgjata pak në tezat e Byung-Hang Chul jo ngaqë kërkoj të adoptojmë, në kulturën tonë, praktikat dhe konceptet e Lindjes së Largët për origjinalin dhe kopjen; por për të argumentuar, me gojën e një eksperti, se idetë që kemi ne sot për origjinalin dhe vjetërsinë e objekteve kulturore janë produkt i kontingjencës (i rrethanave historike) dhe jo i ndonjë domosdoshmërie logjike. Në fakt, atje ku e ka dashur puna, edhe Perëndimorët e kanë adoptuar “rindërtimin” besnik si praktikë për ruajtjen e objekteve dhe monumenteve historike – siç ka ndodhur, mes të tjerash, me qytetet e shkatërruara nga bombardimet gjatë Luftës II Botërore. Ky artikull i Spiegel Online (A New Look at Germany’s Postwar Reconstruction), përshkruan se si reaguan gjermanët ndaj faktit që 80% e ndërtesave të tyre historike, në qytetet kryesore, u shkatërruan prej forcave aleate. Fill pas Luftës, teksa një pjesë e shoqërisë civile po kërkonte rindërtimin e monumenteve historike të kulturës gjermane, pati edhe zëra autoritarë që shpjeguan se “faksimilet e relikeve të çmuara kurrë nuk mund ta zëvendësojnë origjinalin”; pa përmendur qëndrimet e atyre që nuk e dëshironin rindërtimin e asaj të kaluare e cila i kish sjellë Gjermanisë nazizmin. Pa humbur kohë me një temë kaq komplekse (kureshtarët do ta gjejnë trajtimin në artikullin përkatës), po mjaftohem të vërej se qytete si Nurembergu mbeten shembuj elokuentë të një praktike që duket si e huazuar nga Lindja e Largme; edhe pse qendra historike e qytetit, me shtëpitë mesjetare në masë të madhe të rikrijuara me kujdes që nga themelet, hyn në kontrast të fortë me gërmadhat e pamirëmbajtura, të braktisura, të lëna pas dore, të arkitekturës megalomane naziste, në periferi të qytetit.

Për t’u kthyer tani tek Teatri ynë Kombëtar, që është edhe ai produkt i Luftës II, edhe pse po rrëgjohet dhe amortizohet nga mosha jo nga bombat, nuk ka ndonjë arsye pse të mos pranojmë që kopjimi i tij ose rimishërimi në një ndërtesë të re, të ngritur me teknologji moderne, por që i ruan format, funksionet dhe hijen e ndërtesës origjinale, do të ishte zgjidhja jo vetëm më praktike, por edhe kulturorisht më e pranueshme e krizës së krijuar, për shkak të konfliktit mes vlerës historike të objektit dhe nevojës për zëvendësimin e tij. Ky kopjim do ta shpallte hapur, madje ndoshta edhe me një pllakëz informuese në hyrje, natyrën e vet rimarrëse dhe referimin besnik, të drejtpërdrejtë ndaj objektit të mëparshëm dhe primatit artistik të arkitektit të saj; me kusht që palët e interesuara të hiqnin dorë nga fetishizimi i objektit dhe ngatërresa mes lëndës së këtij objekti dhe historisë së tij kulturore, në Tiranën e Pasluftës.

A bëhet?

(c) 2018, Peizazhe të fjalës

(*) Shënim: e kisha mbaruar këtë shkrim dhe madje bërë gati për te Peizazhet, kur ndesha – për fat ende në kohë – me këtë shkrim të Ilir Demalisë, ku autori bën të njëjtin propozim si unë, por natyrisht para meje (shkrimi i tij është i datës 15 shkurt). Demalia thotë se “ajo godinë duhet shembur e gjitha dhe të ruhet hapësira e saj dhe të ndërtohet ashtu siç ka qenë, me të njëjtën arkitekturë, identik siç është me oborrin e saj dhe pishinën…” dhe pastaj shton se “Gjermania ka ndërtuar qytete të shkatërruara nga bombardimet e Luftës II dhe i ka ngritur siç ishin”, ose të njëjtin shembull që më kish ardhur edhe mua në mendje. Është vonë për mua që ta ndryshoj ose ta riparoj kontributin më lart, prandaj po mjaftohem t’ia njoh “primatin” Demalisë për propozimin dhe të shpresoj se shkrimi im tani do të shërbejë të paktën për t’i dhënë një inkuadrim teorik sugjerimit.


[1] Te faqja zyrtare e Bashkisë Tiranë, kjo ndërtesë renditet tek “atraksionet e Tiranës” dhe për të thuhet se “Teatri Kombëtar u ndërtua nga italianët në vitin 1940 si qendër komplekse kulturore: Kinema- Teatër. Pas çlirimit, më 24 Maj 1945, në këtë godinë u vendos teatri i parë profesionist shqiptar, i cili vazhdon aktivitetin këtu edhe sot. Deri në vitin 1965 në këtë ndërtesë ushtronin aktivitetin e tyre edhe filarmonia e shtetit si dhe shkolla e aktorëve. I quajtur Teatri Popullor deri në vitin 1989 ai sot mban emrin Teatri Kombëtar.”

[2] Këtu duhet evokuar, për hir të ilustrimit, edhe paradoksi i njohur si “Anija e Teseut”, të cilin e kam parashtruar, në lidhje me arkitekturën, te shkrimi Gurët apo vitet, në këtë revistë. Për t’u lexuar, në këtë kontekst, edhe shkrimi Vargonjtë e reales.

27 Komente

  1. Nga e thena tek e bera, eshte nje det i madh, llot llafi i urte. Keshtu teorikisht ti Ardian ke te drejte, i thone serish nje llafi. Mirpo une nje gje nuk kuptoj akoma tek ty! Ti shkruan se don vertet te ndikosh ne permisimin e imazhit te vendit tend, apo thjesht don te sheshes pak mend!? Tani ti, une, tjetri e tjetri jemi deshmitare te katastrofes urbane qe i eshte bere Tiranes; pallate pa sistem, ca te ulet e ca te gjate, njeri keshtu e tjetri ashtu, si nje lloj Kandahari, pergjegjes te se ciles jane kater veta, Nano, Berisha, Rama, dhe me pak Basha (jo se eshte me i mire ne kete drejtim, por nuk pati shume kohe ne dore); e ndonese i parafundit edhe e ruajti Tiranen mos behej me keq, duke i hequr ndertimet e kioskave pa fund. Ti duhet te kesh degjuar kur u ndertua 15 katshi, qe u fol se duhej nja 20 metra me larg, apo kur u ndertua Muzeu Kombetar, qe u fol hapur se ishte ndertuar mjaft ne brendesi te sheshit dhe duhej nja 30-40 metro me larg, apo problemi i tramvajit qe (per fat) u skualifikua si projekt, e sa e sa probleme qe urbanisteve “u shpetonin” asaj kohe. Kur asaj kohe, kur urbanistika kishte rregullat e saj te rrepta dhe disa gjera devijonin, lere si u be gjate tranzicionit, ku s’pati me fare rregulla urbanistike! Tani jane grejtur kulla gjigande ne mes te Tiranes, qe stonojne teresisht me ndertesat perreth; duan te ngrene akoma me te larta, njera pas 15 katshit, qe do e nxjerri qesharake kete te fundit, e sa e sa projekte qe nuk i pershtaten godinave perreth.
    Tani, ne kete kaos urbanistik, perse behet fjale? Per ringritjen e godines se teatrit? Apo per ngritjen e nje kulle ku do te vendoset edhe teatri? Dhe vertet jane keta zyrtare shqiptare te interesuar per teatrin dhe urbanistiken, apo thjesht per investime cfardo dhe vjelie taksash, cfare e liron sado pak litarin e borxhit ne rritje te Shqiperise? Me shkrimin tend ti Ardian me kujton ate filmin me Alen Delonin, ku ai vret komisarin e policise dhe ne gjyq e akuzojne edhe per disa cingerima kot me se koti; aty ai i drejtohet gjykatesit: ah, po, i kam shkelur edhe njerit kemben ne autobuz! Shtepia po digjet, ti thua se kjo thupra ketu e gardhit qenka ngulur shtrember, ndaj duhet ta rregullojme!

    1. C’lidhje kane sidomos Nano e Berisha me kullat e Tiranes?! Apo meqe i permendim si problemi per cdo gje duheshin permendur dhe ketu?!

      Pergjegjesi per kaosin eshte nje njeri, qe hoqi kioskat por ngriti betonin. Dhe eshte ai qe akoma merret personalisht ende me keto vendime, ne nje menyre qe ish-kryeministrat nuk e benin kurre, edhe tani qe ne Bashkia ka cuar nje servil te tijin.

      1. Sepse gjate kohes qe ata ishin ne krye te shtetit shqiptar, nisen ndertimet kudo e sipas qejfit. Midis pallateve 4-5 kateshe, mbi cdo fushe sporti, ku kish vend e ku nuk kish, nisen te ngrihen pallate te reja 7-8 kateshe. Ky bastardim i pare ndodhi me lejen e Berishes aty pas 1992-93 e deri nga 98-99; por shyqyr qe Edi Rama i hoqi te pakten kioskat nga lulishtet dhe Lana. Pastaj nen Nanon bastardimi ndodhte jo mw kuturu, si me Berishen, por me “rregull”. Pervec pallateve pa sistem, qe vazhduan, u ngriten dy kulla te zeza te larta ne bulevard, qe stonojne me gjithe estetiken (permbajtjen) e Bulevardit, u ngrit nje kishe ortodokse ne nje vend pa pike shije (kisha ne vetvete esht e bukur por jo ne vendin e pershtatshem). E sa ndertesa te tjera, kur shteti shqiptar ishte nen drejtimin e tyre!
        Ndertime do te behen, sepse qyteti do zmadhohet, leku do levize, shteti do jetoje nga taksat. Por jo pa plan, sic ndodhi me Tiranen ne mbi 80% te ndertimeve.

  2. Ne fakt ideja e ruajtjes se teatrit apo e cdo trashegimie historike eshte efemere ne kushtet kur vendimmarrja dhe interesi eshte aribut i pak njerezve. Artistet, apo ata qe veteshpallen te tille, ngrihen per godinen, per shtepine tyre, por nuk jane degjuar per ceshtje te tjera qe prekin thelle shoqerine. Pedagogeve kryeministri u tha bisht kavalli dhe askush nuk pipetiu. Ata ngrene zerin apo mjaullijne sapo u vonohet rroga, por jo per universitetin, as edhe behen pjese e debateve apo te krijojne te tilla.
    Akademikeve u tha nendetese sovjetike, do t’u heq parate. Te ashtuquajturit akademike ulen veshet sepse puna me e mire qe dine te bejne prej vitesh eshte te pergojojne njeri-tjetrin.

    Nje shoqeri qe ka humbur cdo institucion moral nuk ka sesi te mbroje interesin e vet publik qe eshte ne dore te atyre qe kane pushtetin i cili nuk balancohet. Teatri do prishet, do behet ajo qe do Edi Rama dhe pas disa vitesh askush nuk do kujtoje me gje. Ky eshte fati i nje shoqerie qe nuk asociohet me asnje histori pse historia nuk i thote asgje materialisht dhe qe nuk reagon. Nje shoqeri qe eshte tradhetuar nga te gjitha drejtimet, e qe konsideron detyre qytetare nje like per statuse histerike per hec-e ne kanione, apo qe ben kompromis per cdo gje.

    Ai qe sot quhet Teater Kombetar eshte ne fakt nje godine qe pengon nje binzes dhe nje plan e qe do te prishet. Historia qe qendron pas tij nuk eshte madje as aq e respektueshme dhe e vertete, sa kohe qe nuk mobilizon me shume sesa ca aktore qe nuk dine se c’thone. Interesi nuk mbrohet teorikisht, duke besuar ne hava te nje pergjegjesi apo asye e shendoshe e pushtetit. Ai mbrohet duke kembengulur derisa interesi publik te normoje kufijte e vet, duke e kuptuar hapesiren jo si dhurate nga shteti, por si te drejte dhe detyrim me se pari shoqeror, Ja qe ky nuk eshte rasti, Tirana nuk eshte qyteti i askujt, vec ndertuesve. Kujtimet dhe historia jane fabula mallengjyese qe sa vijne e vetem zhgenjejne per keq.

  3. Ka gjera qe nuk i kuptoj ne kete mesele. E kam frekuentuar teatrin qe fare i vogel, por duke filluar qe nga mesi i viteve ’70 miqesise sime me aktore dhe regjisore te ndryshem, me te cilet jam ende ne kontakt, iu shtua edhe nje arsye profesionale, detyrimi per te pare dhe regjistruar pjeset aktive ne repertorin e teatrit popullor, por edhe atyre te rretheve. Per vite e vite me radhe, mbremjet tona te varfera, por jo te vdekura do t’i kalonim ne klubin e tetatrit, ku edhe ne kohet e krizes me te madhe, per ne do te gjendej pak raki dhe djathe i bardhe per te mbyllur diten.

    E them kete, jo per ate qe ju filluat te mendonit, por per faktin se nese kishte nje teme qe vinte perdite ne biseda ishte dufi i madh dhe deshira e aktorve qe te dinin se “kur do te prishet ky teater prej pupuliti?” Fjalet per projektet dhe fondet qe kishin dale apo ishin gati, nuk mungonin, qe gjate komunizmit (vendndodhja e re e tetarit kombetar shpesh shihej diku te sheshi Avni Rustemi), por edhe me pas, flitej per nja fond grek e ku ta di une, por kurre nuk u ngrit nje njeri te thote se per arsye te ndryshme (historike, arkitekturore etj) ky teater nuk duhet prishur. Ai gjithmone eshte cilesuar si i pa denje, qe ne te te vazhdoje performanca e artisteve te nje shkolle dhe nje niveli qe mbahej i mire (edhe pse kam dyshime).
    Qe teatri eshte me struktura te dobta, te kalbura, jo ne normat e duhura te sigurise dhe akustikes, kete ma konfirmonte edhe im ate qe, me koleget e tij arkitekte, ishte i detyruar ta inspektonin ne emer te Byrose se projektimit te Tiranes, por nderhyrje rrenjsore nuk beheshin dot, se nuk lejonin strukturat e tij. Ai qe i ka pare dhomat e aktorve pas skenes e di mire se sa ne gjendje te mjerueshme jane…
    Salloni i ndermjetme i pushimit midis akteve, te ngjallte frike me ftohtesine e tij ne kohen e komunizmit dhe u kthye ne shemti te vertete komerciale me pas. Fotografite e aktorve dhe regjizorve te ndryshem, nuk e shpetonin dot.

    Po tani, çfare ndodhi, nga mbiu kjo kundershti e madhe po nga ata njerez qe dikur donin ta fshinin nga faqja e dheut?
    Edhe pse e kuptoj anen sentimentale te ndonjerit, kam pershtypjen se ka nisur nje lufte e gabuar.
    Nese ka nje gje qe duhet te shihet nga afer ne kete mes eshte projekti i ardhshem, funksionaliteti, akustika dhe komoditeti ne aspektet profesionale, shfaqje, prova, mjedise rezerve dhe mundesi te tjera. Nje teater i vertete kombetar! Por qe te mbrohet nje barake e tille pupuliti, qe vetu i ka vitet e numeruara per shkak te materialeve te perdorura e per me teper te behet pengese per nje teater te ri, kjo te ve ne dyshim raportet qe ruajme me nostalgjine dhe te shkuaren, qe d Duhet te na sherbejne per te ndertuar me me realizem te ardhmen, por jo per ta na lidhur kembet e te mos luajme vendit.

    1. Qe teatri ka qene i vjeter qysh ne kohe te “socializmit”, dihej. Por qe u katandis ne gjendje te mjeruar, kjo ndodhi -besoj, sic me gjithshka tjeter ne Shq.- ne fillim te ’90-ave. Ndaj ky fakt, duhet te na jap te kuptojme, se u la pas dore -si me gjithshka tjeter- nga vete njerezit (drejtuesit e teatrit, ekipi i mirmbajtjes, aktoret, etj.). Dhe tani pas rreth 25-30 vjetesh “prit gomar te mbij bar”, ku te gjithe vec presin qe dikush tjeter ta rregulloje kete problem, per fat u del para nje projekt teatri (kupto: biznesi). Dhe o burra te grindemi pak, se na kaloi kjo jave pa u grindur. Ai qe ka celsin magjik (leket) per kete pune, Edi Rama, qesh e kenaqet kur sheh se si populli i tij leviz, flet, ankohet, -kjo i ben mire kundra te ftohtit, mendon, pervec kesaj forcon sadopak identitetin kombetar, qe keshtu e keshtu ka marre tatpjeten.

  4. Si pjesë e konceptit të ruajtjes nëpërmjet kopjes që zëvendëson origjinalin, ka një komponente shumë të rëndësishme dhe të pazëvendësueshme / panegociueshme që është ruajtja e teknikës së ndërtimit. Në lindje, dhe vecanërisht në Japoni teknikat e ndërtimit dhe konceptimit që shërbejnë si pjesë e ruajtjes historike të tempujve, kopshteve (mjedisi urban) dhe gjithfarë ndërtimesh të tjera, janë po ato të gjashtëqind – shtatëqind viteve më parë.

    Për tu kthyer tek rasti konkret, personalisht nuk i di shkaqet që e bëjnë ndërtesën e Teatrit Kombëtar “të papërshtatëshmë” në funksionin e vet. Por vlen të analizohet se cilat janë këto shkaqe, përpara se të bëhen sugjerime. Janë mangësi strukturore që rrezikojnë stabilitetin e mureve dhe soletave, dhe për rrjedhojë të gjithë godinës? Janë mangësi të sistemeve mekanik, elektrik, dhe hidraulik? Apo janë cështje të riparim – mirmbajtjes në fasadë, dritare, çati, lyerje ambientesh, riparim kanalizimesh etj?

    Përpara se të futemi në “rikonceptimin” e nocionit të ruajtjes, një analizë tekniker duhet të jetë minimum i transparencës. Kjo shërben që publikut t’i jepen jo vetëm shkaqet por edhe kostot për ta kthyer objektin ekzistues në gjendje funksionale. Vetëm pasi bën këtë analizë mund të kalosh në debatin nëse kostoja e ruajtjes së ndërtesës ekzistuese i tejkalon kostot e një ndërtimi të ri, gjithmonë Brenda konceptit të ruajtjes. Unë personalisht dushoj shumë se një ndërtim i ri mund të ketë ndonjë kosto më të ulët se çfarëdolloj restaurimi i ndërtesës ekzistuese. Vetëm shëmbja e kësaj ndërtese, nëse përjshtojmë përdorimin e dinamitit në një zonë historike, do ishte shumë herë më e lartë se vet kostoja e restaurimit të saj.

    Por le t’i kthehemi aspektit të “kulturës së ndërtimit” që që duhet të dominojë qëndrimin ndaj konceptin e ruajtjes.
    Kush e njeh sadopak strukturën e ndërtimeve italiane në Tiranë në aspektin inxhinierik dhe teknologjik, e ka shumë të qartë se këto struktura janë relativisht të pakrahasueshme me strukturat e reja që ngrihen sot tek ne. Për fat të keq ne kemi trashëguar ndërtimet italiane, por jo edhe mënyrën e ndërtimit. Standartet e ndërtimit në Shqipëri sot janë jo vetwm shumë mw të ulta, por janë edhe të ndryshme. Ndaj ideja që një ndërtesë e re e ngritur mbi standartet e ndërtimit të aplikuara sot për sot në Shqipëri mund të japi një produkt të njëjtë ose më të avancuar se ndërtimet italiane të 80-të viteve më parë duhet marrë me shumë skepticizëm.

    Ndërkohë, ka edhe një aspekt tjetër që nuk ka të bëjë me kulturën e ndërtimit, por me kulturën e biznesit, politikës dhe administrimit të çështjeve publike në Shqipëri. Që ka të bëj me kulturën e trajtimit të pronës publike si pronë private, me kulturën e mosdhënies dhe mosmbajtjes llogari përpara qyetarit, dhe me kulturën e marrjes së për vendimeve pothuajse gjithmonë pa i puetur këta të fundit.

    Natyrshëm lind pyetja, se pasi e kemi shëmbur këtë ndërtesë kush i përcakton dhe garanton minimumin e standarteve të ndërtesës së re?

    Unë personalisht besoj atë që thotë Lubonja se ne i kemi shpallur “luftë memories”, dhe jo vetëm në cështjet e qytetit, arkitekturës dhe urbanistikës, porn ë të gjitha aspektet e jetës shoqërore. Ne jemi një populll që tashmë kemi frikë të kthejmë kokën mbrapa e të shikojmë dëmet që I kemi shkaktuar vetes.

    Ajo që nuk riparohet dhe duhet shkatërruar është kjo klasë politike dhe jo Teatri Kombëtar.

    1. L.A., në Japoninë e largët që ju përmendni ekziston një konceptim interesant për hapësirën që jepet prej fjalës Ma, e cila ka shumë kuptime, por në shqip tre më kryesoret do të mund të përktheheshin si hapësirë negative, boshllëk, apo pauzë. Për më tepër mund të shikohet në këtë lidhje: https://en.wikipedia.org/wiki/Ma_(negative_space)

      Hapësira është shumë e rëndësishme për të nxjerrë në pah një vepër arkitektonike të karakterit përfaqësues siç është Teatri Kombëtar. Këtë jo vetëm që s’i bie kujt në mendje që t’ia jap, po për pak sa s’u gëlltit nga barku i një qiellgërvishtësi.

      Parë nga lart dhe jetuar nga poshtë, urbanistikën e Tiranës duket sikur e ka zënë lemza dhe nuk artikulohet dot rrjedhshëm në funksion të nevojave të qytetarëve. Qyteti komunikon me ata që e banojnë atë duke i edukuar me kulturën dhe rregullin në ndërtim, ose duke i zhvlerësuar me menefregizmin ordiner të lartësuar gjer në re.

      1. Të financuar padyshim nga burime të dyshimta opozitare, njerëzit gugëlluan në internet e gjetën binjakun e projektit “starch” të Teatrit (i.e. let’s starchify/densify in concrete the center of Tirana) të “starchitect-it” që e propozoi atë.

        Ja ku është: http://formaarchitects.com/projects.php?i=56

        Edhe pse i skualifikuar (me të drejtë) nga konkursi ku është paraqitur, vini re ç’hapësirë ka përreth ~ ~ ~

        Artistët dhe artdashësit shqiptarë duhetë të punojnë fortë për të kultivuar imagjinatën dhe të parafytyrojnë se kullat që do të ndërtohen pranë teatrit janë pemë sekuoje gjigante e të gjejnë paqe me veten dhe botën përreth që ka si qëllim vetëm e vetëm t’ia u përforcojë përjetimin e shfaqjes.

        Sa për ato vetratat e shumta të xhamit që paskan shqetësuar artistët tanë, ata duhet ta dinë tanimë se transparenca është gjë e mirë dhe po studiohet (në vijimësi me komunitetin) mundësia e vendosjes në to të dritave të kuqe për një ekspozim sa më të mirë të “të brendshmeve të arta”, një neologjizëm gjuhësor ky i përdorur për perspektiva të reja zhvillimore.

        1. Koreanojugorët e kanë ndarë mendjen për t’ia dhënë çmimin fitues këtij projektit tjetër për operan e Busanit:

          https://snohetta.com/project/12-busan-opera-house

          Thuhet se në takimet konsultative për përzgjedhjen e këtij projekti mes shumë të tjerësh, është ftuar të marrë pjesë vetëm një arkitekt korean.

          Ky i fundit, pas marrjes së vendimit, i mallëngjyer nga zgjidhja e bukur me elementët që ndërthurin historinë dhe filozofinë e kulturës Koreane, ka shpërthyer në lotë dhe i ka dhënë një përqafim të ngrohtë kryetarit të bashkisë dhe të gjithë anëtarëve të tjerë të jurisë, si dhe personave të tjerë që ndodheshin aty pranë.

  5. Besoj që tashmë duhet të jetë e qartë për të gjithë që, për çdo gjë që bëhet apo nuk bëhet në hapësirën publike në Shqipëri sot, pyetja nuk shtrohet “A bëhet?” por “A do Rama që të bëhet?”. Godina sigurisht që mund të rinovohet fund e krye, ose mund të hidhet përtokë dhe të rindërtohet dhe një herë si kopje besnike e të vjetrës; bota ka rinovuar dhe ka rindërtuar projekte shumë më të vështira, madje të shkatërruara fare, si qendrën historike të Varshavës pas L2B ose katedralen e Frauenkirche në Dresden, para pak vitesh. Problemi nuk është teknik, se teknologjia nuk mungon, por kulturor, estetik dhe financiar: a ia vlen që të ruhet forma dhe struktura e ndërtimit ekzistues dhe, nëse po, në ç’mënyrë duhet të bëhet kjo dhe sa është kostoja përkatëse.

    Në një vend normal, për këtë çështje do të kishte një debat publik, ku të përfshiheshin institucionet përkatëse shtetërore, grupet e interesit (trupa e teatrit, në këtë rast), specialistët e fushës dhe qytetarët e interesuar dhe në fund të merrej vendimi. Në Shqipëri procesi është kthyer kokëposhtë: vendimi është marrë (do të prishet!), projekti është bërë gati (edhe pse mbahet shumë konspirativ dhe ne duhet tu besojmë fjalëve të Veliajt si “një nga propozimet më të bukura që kam parë ndonjëherë […] arkitekti i famshëm Bjarke Ingels”), po edhe puna e financimit është zgjidhur (me PPP, si mund të jetë ndryshe!) dhe tani, pas pilafit, po bëhet një pseudo-debat publik, sa për të larë gojën Rama me rilindasit e tij.

    Kjo shfaqje teatri me Teatrin ka një aktor te vetëm, Ramën; të tjerët janë kthyer me zor ose në figurantë të thjeshtë (Kumbaro, Veliaj, artistët) ose në spektatorë, si ne të tjerët. Kuriozitet kam vetëm se kush është regjizori i vërtetë i kësaj shfaqjeje, oligarku që ia ka vënë syrin tokës ku rri godina ekzisuese dhe që do të ndërtoj kullën apo kompleksin, me teatër brenda.

    Për ta mbyllur me një notë “konstruktive” (në fakt pa vlerë, si pas të vjelave): përse të mos rinovohej dhe, në këtë mënyrë, të ruhej godina historike e teatrit dhe – meqë qeveritarët tanë e kanë merak një teatër të ri – përse të mos jepej një leje për ndërtimin e një teatri të ri në një zonë tjetër të Tiranës, le të themi në Laprakë ose në Kombinat? Përse duhet të ngjeshen të gjitha godinat (dhe njerëzit) në një vrimë, aty në qendër?!

    Kështu edhe projekti i “arkitektit të famshëm” nuk do të shkonte dëm…:)

    https://exit.al/2018/02/teatri-kombetar-kush-genjen-veliaj-apo-kumbaro/

    1. Ai qe ka marre kullen tek Presidenca dhe te Muzeu i Shkencave. Regjizori eshte vetem nje: ai qe u duartrokit anembane shqiptarise ne vitin 2013 e te cilin po ta quaje per ate qe eshte ne te vertete, te quanin si te nderkryer. Regjia pra eshte Budallalleku yne i perbashket qe e nxjerr patjeter ate ne driten e te zgjuarit me te madh. Megjithese ne kete rast, prishja e Teatrit do te ishte nje sherbim i shkelqyer qe zoteria do ti bente shembjes se ca miteve dhe aureolave te kota ne Tirane, ndonese me gjase do te konsumonte nje gabim me pasoja afatshkurtra.

    2. Dakord. Madje une mendoj se rindertimi i teatrit ashtu sic eshte ka kuptim vetem nese ajo godine ngelet per Teatrin Kombetar. Kjo sepse ajo nuk mund t’i mbaje te gjitha teatret. Teatri eksperimental e te tjere duhet te shperndahen ne zona periferike ose gjysem periferike. Pavaresisht se ne filim mund te shkaktoje nje hallakatje, kjo do te ishte nje levizje zhvillimore ne te gjitha drejtimet. Perfytyroni gjallerine artistike qe do te merrte nje lagje periferike nese ne te ndertohet nje teater. Perfytyroni edhe impulsin ekonomik gjithashtu.

  6. Verej qe aktoret e perfshire ne kete perplasje nuk e kane me zgjidhjet qe mund t’i jepen problemit te amortizimit te godines: te restaurohet, te prishet pjeserisht apo krejt, te rindertohet ashtu sic ka qene apo me ndonje modifikim etj etj.
    Aktoret e kane me keqperdorimin qe po i behet hallit te tyre, per interesa te pastra korruptive. Ata, ashtu si te gjithe ne, e kuptojne shume mire qe gjithe ky interesim i papritur nga Qeveria per hallin e tyre te madh, behet per interesa qartesisht korruptive.
    Qendrimi i Kryeministrit, Ministres, Kryetarit te Bashkise , menyra sesi argumentojne, sesi dredhojne ne argumentet e tyre, shifet nga aktoret, dhe me te drejte, si nje tallje tejet cinike.
    Edhe ne te tjeret e shohim si te tille. Nuk besoj se ka njeri normal, qe te mos e kete vene re interesin korruptiv ne kete ceshtje.
    Jane interesat korruptive qe kane shkaktuar gjithe kete tension tek artistet.
    Te gjithe e kane vene re. Eshte kaq e qarte. E ne kete qartesi, propaganda qeveritare, behet edhe me e neveritshme kur kembengul ne genjeshtren e saj! Eshte shume fyese per cdo njeri normal, dhe vecanerisht lenduese per artistet.
    Me te drejte autori i shkrimit nuk e konsideron si debat, por si nje perplasje. Dhe, me patedrejte, nderhyn si te ishte nje debat normal.
    Nje nderhyrje e tille mund te duket si nje perpjekje per njelloj estetizimi te se keqes ( te qeverise Rama).

  7. Tejet i qelluar krahasimi me hieroren,fjale tejet e bukur,e Shintoizmit,dhe prishjen dhe ndertimin e panderprere te saj,te kujton Mandalat Tibetane,qe prisheshin dhe ndertoheshin ne vazhdimesi,ndersa shikoja nje dokumentar mbi Hebrenjte&prishjen dy here te Faltores se Solomonit&Jeruzalemit,rabini gjegjet”As ndertesat as edhe vete qyteti nuk eshte thelbi yne,ne jemi cilesuar nga qytetrimi i lavdishem arab,si Al Kitab=Populli i librit i mesimdhenies,ndaj kujtesa jone eshte e patjetersueshme,ne vetem kemi detyren e shenjte ta percjellim nga brezi ne brez,diturine traditat,urtesine mijeravjeçare te nje kombi prore ne zgrip te humbneres”E ja shpetuam teatrin e nje popullsie ku 2/3 jetojne per mbijetese,din ata se çdo te thote teater,do ta dijne niperit qe brumosen me balten moçalore te prinderve,qe i mbajne me buk,dyshoj,nje persiatje mbi nje shkrim te pagjase,pelqejeni ose flakeni ne kosh te hedhurinave.

  8. Zgjidhja per godinen e teatrit eshte fadroma.
    Se kur ti zere catia poshte ato kalamajte qe do coje shkolla per te pare Robert Ndreniken, merr vesht, atehere do shikojme debat e kara-debat.
    Nuk zuri nje here mend i biri i shqiptarit. Nje jete gerr-verr ka bere.

    1. Kam dëgjuar dhe lexuar të deklarohet nga autoritetet se selia e sotme e Teatrit Kombëtar është e amortizuar dhe rrezikon aktorët dhe publikun; kjo ose është e vërtetë ose nuk është, por gjithsesi, po të jetë e vërtetë, atëherë lipset që këto autoritete ta ndalin menjëherë aksesin në një godinë me rrezikshmëri, sepse përndryshe, po të ndodhë gjë, atëherë do t’u mbetej përgjegjësia e rëndë; ndërsa po të mos jetë e vërtetë, atëherë nuk e kuptoj dot si dhe pse nuk e kanë dhënë akoma dorëheqjen, sepse sado poshtërues të jetë ky akt, nuk është e njëjtë me atë të detyrimit për të thënë gënjeshtra ditën për diell, pa t’u dridhur qerpiku. Gjithkush që shkon atje qoftë për të punuar, qoftë për të bërë art, qoftë për të konsumuar art, ka të drejtë të informohet nëse godina është e sigurt – dhe deri më tash është thënë haptazi se nuk është e tillë; prandaj, sa kohë që këto deklarata të lëshuara poshtë e lart dhe të ngjitura me pështymë në murin e Facebook-ut nuk shoqërohen nga masa shtrënguese të menjëhershme, si rrethimi i godinës me shirit të verdhë dhe vendosja atje e një polici për të parandaluar aksidentet dhe lëndimin e mundshëm të njerëzve, mund edhe të interpretohen si ndonjë ftesë publikut – prej autoriteteve – për ta bojkotuar Teatrin Kombëtar.

  9. “Skaldabanjë vajguri” ishte krahasimi që përdori Veliaj javën që shkoi për godinën ekzistuese të TK, në emisionin Opinion të Fevziut. Vlerat historike të godinës, ato urbanistike dhe estetike si pjesë e një ansambli arkitektural, të përcaktuar me ligj si zonë e mbrojtur dhe zonë historike, këto nuk pinë ujë për kryebashkiakun, as për ustain e tij.

    Më poshtë disa citate të tjera të Veliajt nga emisioni:

    “Teatri i ri ishte porosia e Ramës që ditën e parë si kryetar bashkie.” (e përsëritur disa herë gjatë emisionit si “një nga meraqet e Ramës” dhe “një brengë e Ramës”).

    “Teatri do bëhet gratis nga ndërtuesi.” (si tha Jovan Bregu: “Kafetë i pagoi vet, e hëngri më qafsh!”)

    “Projekti nuk është një teatër me kullë.” (por mund të jetë me tre apo pesë kulla pas teatrit)

    “Me teatrin kemi të njëjtën situatë si me stadiumin”.

    “Projekt pa vlerë i Italisë fashiste”.

    “Teatër me azbest, me kancer nuk do të ketë më.” (por një studim të organeve përgjegjëse shtetërore, nëse kjo është e vërtet, nuk ka; po të kishte, teatri duhej të mbyllej në sekondë!)

    “Po flas vetë se i kam dal zot kësaj pune, se fjala jote s’ka ndonjë vlerë”.

    “Një këshillë falas: kursejini vetes një qeshje të madhe pas disa vitesh, duke e mbyllur këtu këtë debat”, dhe gjatë gjithë emisionit: “gjitholog”, “unë e di që ti je njeri inteligjent dhe më dëgjon”, “shpëtoi vetes një turp” etj.

    “Në dallim nga ata që janë të ardhur në Tiranë, ti je i Tiranës dhe e njeh historinë e tokave dhe historinë e përqindjeve” (Veliaj i drejtohet Fevziut…).

    “Ruhu nga robi i urtë”. (Veliaj për veten!)

    “Edi Ramës i qafshi hallin ju, se ka sjellë një normë civilizimi”.

    “Nuk jam terapist për ty”. (Veliaj i drejtohet gazetares në studio, nja dhjetë herë gjatë emisionit!)

    “Tiranasit vetë janë mendjehapur, jabanxhinjtë bëhen më racistë”. (kunj i Veliajt ndaj kritikëve të tij jo-autoktonë!)

    http://tvklan.al/opinion-erion-veliaj-per-kullat-dhe-teatrin/

      1. Fiksimi është bela e madhe, thonë. Kush pyet për trashëgimi kulturore, për zona të mbrojtura, ligje dhe rregulla, kur këtë punë e ka fiksim shefi?!

    1. Dhe nuk është vetëm çështja e Teatrit, çfarë do të bëhet me të vjetrin dhe ku e si do të ndërtohet i riu; mua alarmuese më duket edhe mënyra që ndjekin qeveritarët për të nxjerrë kokën e tyre në këtë mes: me arrogancë, me fyerje dhe sulme personale, me agresivitet deri në kërcënime direkte. Si mund të interpretohen ndryshe fjalët e Veliaj drejtuar kritikëve në studion e Opinion dhe jashtë saj “Ruaju nga robi i urtë”? A nuk është kjo si të thuash “unë jam i urtë, por po më bëre të marr inat, unë të bej namin”? Edhe Fevziu vet, i mësuar me sherr dhe shamata në studion e tij, mu duk se ngeli me gojën hapur kur Veliaj filloi t’u bënte biografinë të ftuarve dhe paftuarve në emision. Dukej sikur kryebashkiaku kishte bërë gati nga një dosje personale për secilin, që ua tundte para hundës sa herë ata hapnin gojën… (kur si gazetarët e ftuar në studio, ashtu dhe vetë Fevziu, mua mu dukën të pregatitur për temën dhe të matur në ato që pyesnin apo kritikonin, gjë që s’mund ta pretendoj për shumë nga emisionet e tjera të Fevziut..:-))

      Kjo sjellje ose është shenjë e arrogancë së pushtetit – degjenerimi që sjellë zakonisht me vete mandati i dytë i qeverisjes qëndrore në Shqipëri – ose është shenjë dëshpërimi, kur mungojnë argumentet e tjera.

      Veliaj i akuzoi për histeri kritikët e tij për Teatrin, por në atë debat dhe në atë studio i vetmi njeri histerik ishte Veliaj.

      [Edhe një diçka tjetër tha Fevziu: “kemi dhjetë ditë që përpiqemi të gjejmë arkitekt, por s’vijnë se kanë frikë të flasin, se s’marrin më projekte”. A ka shkuar vërtet puna deri në këtë pikë?]

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin