LUFTA CIVILE/ÇLIRIMTARE E NËNTORIT

nga Edon Qesari

1.

Është i njohur, e i shumëpërmendur përkufizimi që historiani britanik E. Hobsbawm-i i jep Luftës II Botërore, si një “luftë civile ndërkombëtare”. Qasja e tij, marksiste siç thuhet, në fakt i bën jehonë një qëndrimi, më të hershëm, të shprehur nga C. Schmitt-i – i nisur ky nga një kahje krejt e kundërt ideore – që sheh, kësaj radhe, Luftën I Botërore si shembullin e parë të një “lufte civile ndërkombëtare” (Weltbürgerkrieg).

Për vete, mendoj se në rrethana moderniteti – pra, që kur kombet nisën të shfaqen në dheun e historisë (le të themi, në dy-tre shekujt e fundit) – është shumë e vështirë të gjesh një rast, qoftë dhe vetëm një!, të një lufte kundërpushtuese, ose thënë ndryshe çlirimtare, e cila nuk ka pasur në ecurinë e saj elementë të dukshëm dhe qartësisht të identifikueshëm të një lufte civile.

Në modernitet, “armiku” merr trajtat e “të huajit”, por nuk humbet thelbin e vet – thjesht copëzohet në dy epitete, “i brendshëm” dhe “i jashtëm”, pa i ikur mundësisë së unifikimit të kuptimeve. “Armiku” nuk pëson nënrenditje në shkallën e vlerave gjykuese, pavarësisht karakteristikave etno-kulturore që gëzon apo shpall pas hyrjes në skenë të nacionalizmave, duke i kthyer këto të fundit në elementë bashkëpjesëmarrës, por assesi ekskluzivë. Jo më kot, koncepti i moçëm grek i përplasjes brenda qytetit (stasis, στᾰ́σῐς) është më i hershëm, pra natyror dhe paraqytetar, se ai i betejës mes qytetesh (polemos, πόλεμος).

Një debat historik që përjashton kësisoj njërën nga dy lokucionet – pra luftë çlirimtare dhe/ose luftë civile – e që nuk e shquan njësimin dhe përpjesëtueshmërinë mes tyre në një skenar kombëtar dhe ndërkombëtar, gati duke sajuar tez(g)a të gatshme vetëm për t’u përdorur politikisht/ideologjikisht dhe mediatikisht në të tashmen, pak ose aspak ka të bëjë me një këqyrje të mirëpeshuar dhe historiografikisht të kulluar të së shkuarës.

2.

Kohë më parë, fjalosesha virtualisht me miqtë dhe hidhja idenë, jo dhe aq joseriozisht, se duhet t’u ndalohej politikanëve që të flasin publikisht për çështje të historisë. T’u ndalohej shprehimisht të flasin dhe të përllogarisin kreditet e tyre elektorale duke bërë ecejake të vazhdueshme, mes televizionesh dhe homazhesh, duke dhënë sentenca apo udhëzime se cila është ana e drejtë e historisë, cila është dita e shpalljes së pavarësisë, cili është nëntori i daljes së gjermanit të fundit prej Shqipërisë, cili është martiri i duhur i demokracisë…

Kuptohet vetvetiu se nuk bëhej fjalë për një ndalim të llojit ligjor – larg qoftë penal! – pavarësisht se tundimi mbetet. Porse, arsyetoja, do të ishte më i duhur një ndalim i llojit kulturor, i udhëhequr nga bonsensi, mundësisht shoqëror.

Në të vërtetë, duhet të ishte një rregull i vendosur për të gjitha fushat e dijes, për të cilat ka njerëz zanati që merren me to. Gjë që vlen për mjekësinë, jurisprudencën, ekonominë, gjuhësinë, paleografinë e-më-thë-e-të-thashë. Korporatave të profesionistëve, në këtë kohën tonë të karakterizuar nga stërkala pasionesh dhe diturish të vjelura me një klik, u shtohet pastaj gjithkush që për arsye të drejtpërdrejta apo të tërthorta, i jep të drejtë vetes të flasë me fakte – ta pranojmë njëherë e mirë, se ky, i nënvizuari, është dhe pohimi më demodé tashmë në zhargonin bashkëkohor, ngase është bërë, faktikisht, i rëndomtë – pavarësisht se, faktologë të tillë, në lidhje me fushat e ndryshme të dijes, nuk e kanë ushtruar dhe aq artin e mundimshëm dhe sokratik të të njohurit njëherë të vetvetes e mandej të të gjykuarit të botës.

Pastaj, mbi përdorimin retorik të termit “fakt” (unë flas me fakte, këto që po them janë fakte) do të kishte lëndë për shumë shkrime të tjera të frytshme. Le të mjaftohemi duke përmendur se kush e ka zakonisht fjalën “fakt” në majë të gjuhës, e përdor duke nënkuptuar, të zezë mbi të bardhë, zotërimin e një gjurme dokumentare (kam dokumente për këtë që po them). Janë ato gjurmë dokumentare që na ngrohin shpatullat dhe na mbushin besimin që të pohojmë se Napoleoni humbi në Vaterlo, ngjarje të cilës, përndryshe, s’kemi nga t’ia gjykojmë ndodhitë faktike. Ani pse, kush e barasvlerëson dokumentin – cilindo dokument – me një monument, nuk para e di se dokumentet kanë për autorë po ashtu njerëz (njësoj si monumentet, që ngrihen e bien në bazë të humoreve të një epoke); njerëz me të njëjtat vese dhe virtyte të të gjithë njerëzve të tjerë. E se nevoja për interpretim të çdo dokumenti, që nga forma deri tek përbërja, që nga veset e deri tek virtytet, i ka shtyrë disa mendje të ndritura si ajo e Marc Bloch-ut të dalin në përfundimin se një dokument është më i vlefshëm për atë që nuk thotë (apo që ka thënë pa e pasur qëllim ta thotë) se për atë që në fakt thotë (apo që qëllimisht ka thënë).

3.

Tani, muaji nëntor është, për shtysë rrethanash dhe zakoni, periudha vjetore brenda së cilës historia – thënë ndryshe dija dhe përpunimi i interpretimeve që lidhen me ndodhi apo realitete të së shkuarës – kthehet në kazan brenda të cilit shumëkush-i i përmendur më sipër derdh dhe mbush, hedh dhe pret, trazon dhe gjerb, jep dhe përfton, vjell dhe thith, pështyn dhe përtyp. Dhe kur flasim për histori, e ngas llafin sidomos për atë rrafsh të koklavitur të saj që përkufizohet si “bashkëkohore”, aq fort të lidhur, gati gjenetikisht, me të sotmen dhe jetët tona. Dhe këtu, në këtë pikë, ngasja e secilit për t’u bërë historian, është goxha e madhe.

Dhe nuk lidhet vetëm me Shqipërinë pasi, kudo nëpër botë, jutubersa dhe blogerë të afshët vetëkurorëzohen përditë me kurorën e dafinave të muzës Klio, duke e kthyer historinë në një sport të sprovuar për stadiumet më të populluara të rrjetit dhe miletit.

Kjo ndodh nga shumë anë, nga kushdo që pavarësisht shkollimit apo përgatitjes, leximeve apo trajnimit, bibliotekës apo arkivit, gjuhëve që njeh apo hapjes mendore që ka, kontekstit kulturor apo qasjes teorike, shkollës historiografike apo qëllimeve teleologjike – pra pavarësisht këtyre, që do të thotë duke i anashkaluar këto (madje duke mos ua marrë fare parasysh nevojën dhe praninë e domosdoshme), mjaftohet me disa çikërrima informacionesh, që në varësi të mënyrës dhe kohës dhe autorit që i merr përsipër, lëshohen në oqeanin e internetit, mediave tradicionale apo faqe të selametit.

Është ai çast katartik a histerik kur nga i pari tek i fundit i këtyre që besojnë se çikërrima është lexim, e madje hulumtim, njëson bindjen me dijen; madje e përdor këtë të dytën për të pohuar të parën, të cilën e ka gjithsesi të patundshme. (Aq më tepër nëse të ngratin e kanë molepsur që në vegjëli me klishera të llojit “historinë e shkruajnë fituesit”, që në ditët e sotme, kur çdokush thotë ç’t’i dojë dhe si t’ia dojë kokrra e qejfit, është e vërtetë vetëm për… ç’të them! për historinë e vetë klisheve.)

Në hulumtimin e së shkuarës ndodh shpesh që të ndërfuten njerëz me bindje të gatshme, me forma mentis të kalcifikuar, të cilët e marrin një ndodhi të caktuar historike, e zdrukthojnë, heqin ato që nuk shohin ose shpesh ato që nuk duan të shohin, u bashkëngjisin xhingla-mingla të së tashmes, e ndyejnë apo e stilosin sipas rastit – si t’u leverdisë në të tashmen, se është ajo që kanë në mend – dhe ia servirin, me marmalatë apo fekale përreth, publikut.

Nëntori, fundi i tij veçanërisht, është zakonisht muaji i politikanëve, që e shohin të kaluarën jo si një objekt i cili lyp qasje kritike (ndaj vetes sidomos, ndaj vetë procesit hulumtues që pikas një të dhënë dhe rreket t’i japë një interpretim), por si një faltore prej së cilës të vilen gajrete dhe përligjie për të tashmen. Dhe sa herë që një politikan fut hundët në çështje historie (dhe ndodh shpesh gjatë nëntorit të çdo viti, veçanërisht andej nga fundi i tij) apo ligjëron nisma rishkrimi të historisë, posaçërisht asaj që mësojnë çiliminjtë nëpër shkolla (e cila ndodh t’i ngjajë si dy pika uji asaj historie që mbush emisionet televizive kur sherrnaja e përditshmërisë parlamentare nuk bën më prokopi); sa herë një politikan hedh një thirrje për revizionim të historisë në foltore a parlament, apo hedh një filipikë nëpër rrjete sociale mbi Luftën II Botërore apo Luftën e Ftohtë – një johistorian nga publiku i gjerë, që e ndjek dhe që e sheh politikanin si bocca della verità, shndërrohet edhe ai në një ekspert historie, i gatshëm të hyjë në rrjete, të nxjerrë tastierën nga milli dhe ta vringëllijë ndaj cilitdo komunist apo ballist që politikani kundërshtar i politikanit të vet i kanë hedhur për hise.

Rreth Autorit

Edon Qesari është kërkues shkencor pranë Institutit të Historisë. Pëlqen kuartetet e vona të Beethoven-it, detin Jon në dimër dhe rrëfimet e komisarit Maigret.

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin