E DJATHTA E MAJTË

nga Epiriot

Lexoj në një nga komentet, në lidhje me trajtimin e historisë nga regjimi totalitar:

[…] por në përgjithësi nuk ushqehej ideja e padrejtësisë historike dhe ishim të gjithë të lumtur kur shihnim në orën e gjeografisë, trajtën e Nënës Shqipëri aq sa kishte mbetur por që aq shumë i ngjante një trupi gruaje të hijshme”

Kërkoj ndjesë, por nuk mundem të bie kaq kollaj dakort me këtë pohim.

Më kumbon ende i gjallë zëri i asaj gruaje që më jepte histori në klasën IV, sikurse më kumbojnë të kulluar gjithë zërat e mësonjësve të historisë deri tek ai i nipit të Qemalit martir, në gjimnazin me të njëjtin emër, të cilët, me tonin solemn përkatës, pohonin pikërisht të kundërtën.

Dua të them se, një pjesë e mirë e fatosave, pionierëve dhe rinisë që u edukuan në bankat e shkollës së diktaturës së proletariatit, sidomos pas epokës kur partia e pa të arsyeshme të prishej me vëllezërit e internacionales proletare dhe u investua me zell në ideologjinë nacional-kombëtariste, e ruajnë të gjallë kujtimin e pathosit të posaçëm me të cilin u edukuan për këtë çështje.

Se sa i sinqertë qe ky shqetësim për partinë, kjo është tjetër çështje, por nuk duhet harruar se retorika dhe sofizmat me natyrë të theksuar kombëtariste, shoqëria e sotme shqiptare i trashëgon nga aventura ende e pashlyer me nacional-komunizmin.

Nuk harrohen dot kaq lehtë parrullat të tipit, “shqiptari e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë”, “shqipëria shkëmb graniti”, “feja e shqiptarit është shqiptaria” – parrulla të cilat u fabrikuan në laboratorët që i dhanë jetë autarkisë nacional-komuniste proletare.

Janë po këto parrulla që ushqejnë sot e gjithë ditën pathosin kombëtarist, haptas i frymëzuar nga ai i terminologjisë enveriste për kombëtarizmin, ideologji e cila më tepër i detyrohet banalizimit të ideologjisë së Rilindjes Kombëtare se sa asaj të marksizëm-leninizmit.

Diktatura e proletariatit vërtet e shkroi historinë shqiptare në funksion të saj dhe si rrëfim për të kulmuar me të, por kulmi qe komunist po aq sa kombëtarist.

Është sigurisht tentuese të flasësh për ideologjinë kombëtariste si dukuri e të djathtës. Logjika dhe trashëgimia historike perendimore, por edhe ajo vendase e paraluftës, dëftojnë natyrshëm drejt këtyre interpretimeve.

Por në një vend si Shqipëria – ku ideologjitë e ekstremit të majtë janë ushqyer me lëndën e parë të së djathtës ekstreme për pastërtinë e origjinës dhe obsesionin për të kaluarën e lavdishme shumë më tepër se sa me atë të së ardhmes utopike – nuk mund të ndahen kaq lehtë nocionet dhe terminologjitë e ekportit, të cilat nuk i përkasin zhvillimeve endemike të natyrshme.

Themi se nuk ka të majtë në Shqipëri dhe përgëzohemi për këtë gjetje. Jam dakort, në principin teorik dhe praktik sigurisht që nuk ka.

Por, nëse ndjekim pikërisht këto principe duhet të biem dakort që në Shqipëri ka ende me pak të djathtë. Në rast të kundërt, diskutimi është i trukuar dhe partizan. Sakaq, truku nuk shpëton dot askënd nga e vërteta e terrenit.

Mbi ç’bazë e konsiderojmë bac Saliun si të djathtë? Mbi bazën e retorikës së tij kombëtariste? Në rast se po, detyrohemi të pranojmë se diktatura e proletariatit të komunistit kombëtaristit bac Enver të post ‘70 ishte edhe e djathtë.

Përgjigjja është edhe po edhe jo; përtej të majtës dhe të djathës gjendet formula e mbijetesës së klanit!

Nëse kërkojmë realisht të kuptojmë se ç’po ndodh me politikën shqiptare, këtë nuk mundemi dot ta gjejmë tek fomulat e ndarjeve klasike të shoqërive që nuk janë tonat.

Është iluzore të konsiderohet politika e sotme kombëtariste si pjellë e së djathtës shqiptare. E djathta shqiptare nuk rilind dot natyrshëm vetëm si pasojë e mbivendosjeve abuzuese, sado të azhornuara, mbi retorikën kombëtariste të nacional-komunizmit.

E djathta shqiptare është projekt i një natyre shumë më komplekse dhe nuk mund të reduktohet tek ideologjia kombëtariste e një lideri me modele politike të zvetënuara, e që kërkon t’i imponohet historisë shqiptare me truke populiste.

E djathta, si traditë, tenton drejt legalizmit – prona dhe të drejtat e natyrshme mbi pronësinë – dhe ndër të tjera sigurisht edhe drejt konservatorizmit dhe traditës fetare – dhe jo drejt legalizimit të martesave homoseksulale, aq më pak t’i iniciojë ato në një terren të cilit i mungon një bashkësi e kualifikuar qoftë edhe për t’i elaboruar këto kërkesa, të cilat vrapon t’i elaborojë e paraprijë… vetë e djathta?!

E djathta shqiptare, shumë më shumë se e majta, është një projekt politik totalisht i dështuar dhe me sa duket, i pashpresë.

Terreni mbytës neo-liberalist i të dy kampeve në politikë, imponuar si mbishtresë e atij nacional-komunist, krijon iluzionin verbues se Shqipërisë i mungon një e majtë dinjitoze kur në fakt, Shqipërisë i mungon edhe një e djathë dinjitoze.

Vendit i mungon një klasë politike që nuk perpetuon krimin dhe improvizimin për të mos u shkulur nga pushteti.

Shënim: ky material u soll nga autori si koment, por e gjykova me vend ta nxjerr ndër shkrimet kryesore, meqë prek disa probleme kyçe të marrëdhënieve sot mes politikës dhe ideologjisë në Shqipëri, të cilat meritojnë vëmendje me përparësi. Rreshti i parë është imi, i shtuar për hir të vijueshmërisë në lexim [Xh2].

18 Komente

  1. Unë besoj se regjimi i Hoxhës nisi si radikal i majtë, por gradualisht degradoi djathtas, për të përfunduar në regjim nacionalist-autoritar të rëndomtë.

    Është e vërtetë, siç thotë Epirioti, se e djathta tradicionalisht kujdeset për të drejtat e pronës dhe të pronësisë; çka mund të duket sikur bie ndesh me shkatërrimin e pronës private nga regjimi, nëpërmjet një procesi që vijoi deri edhe pas vdekjes së Hoxhës (me tufëzat dhe arëzat).

    Megjithatë, mund të arsyetohet se, në rastin e Shqipërisë totalitare, të drejtat e pronës dhe të pronësisë u përkthyen si obsesion me sovranitetin mbi territorin – ose si të drejta të klikës në pushtet mbi territorin shqiptar si pronë e tyrja e paprekshme, jo aq në kuptimin ekonomik, sa në kuptimin ligjor/formal.

    Kjo mund të shpjegojë, them unë, edhe marrëzinë autarkike, ose këmbënguljen se “kufijtë e atdheut janë të shenjtë…” dhe të tjera marrëzi, të cilat ndonjëherë materializoheshin në mënyrë tragjike, si në rastin e atij francezit që e ekzekutuan në Butrint ose Sarandë, në vitin 1986 (?), vetëm ngaqë kishte ngatërruar drejtimin e varkës.

    Sa për arsyet që mund të kenë çuar në këtë ndërrim kursi, nga e majta radikale dhe autoritare e dhunshme, në të djathtë radikale dhe autoritare njëlloj të dhunshme, këto ndoshta kanë të bëjnë me pamundësinë për të vazhduar me “revolucionarizimin” e vendit, në kushtet kur ndihma nga jashtë po vinte duke u shterrur; po të kihet parasysh se reforma si ato të viteve 1960 ishin jo vetëm tepër të kushtueshme, por edhe nuk dhanë rezultatet ekonomike që priteshin – p.sh. kolektivizimi.

    Nga ana tjetër, njeriu i ri i lindur dhe i rritur në oficinat ideologjike të regjimit rezultoi qenie me profil jashtëzakonisht të ulët, i ngjashëm me një bottom feeder, që ushqehet dhe mbijeton me nënprodukte të metabolizmit të dikujt tjetër (ky njeri gjen sot shprehje në elitën që drejton vendin dhe që është më e papërgatitura nga të gjitha elitat që e kanë drejtuar ndonjëherë Shqipërinë, që nga 1912-a e këtej).

    Gjithsesi, e kam fjalën që ky njeri ishte ndoshta i përshtatshëm për të ruajtur statu quo-në dhe për të përsëritur me zell të madh parullat e përshtatshme, por tek ai nuk mund të mbështeteshe për t’i kërkuar sakrifica ose pasion; meqë të tillave stërhollime etike ai do t’u qasej me pafajësinë e një midhjeje.

    Më në fund, një shenjë kryesore e kthesës brutale nga e majta drejt së djathtës ka të bëjë me ndryshimin rrënjësor të orientimit – nëse deri në fund të viteve 1960 njerëzit ende ëndërronin për revolucionin botëror, duke i mbajtur sytë, si të thuash, nga e ardhmja, më pas vështrimi u kthye nga e shkuara; në kuptimin që, deri andej nga 1968-a (viti i kthesës, për mendimin tim, që koincidoi me 500-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe vendosjen e statujës me kalë në sheshin kryesor të Tiranës), vështirësitë e të sotmes përligjeshin me shpresën për të ardhmen e lumtur që e priste njerëzimin në komunizëm; ndërsa më pas, autarkia, paranoja dhe ksenofobia gjatë viteve 1970-1985 u shpjeguan si vazhdimi i vetëm dinjitoz i së shkuarës heroike të shqiptarit, ose si fati që këtij ia kish caktuar historia.

    Me të drejtë, besoj unë, Epirioti e sheh edhe argalisjen e sotme kombëtariste si vazhdim ose më mirë si inerci të impostimeve ideologjike të viteve 1980, të cilat ende mbajnë era varr. As e djathta që është në pushtet, as e majta që i kundërvihet, dhe as ripërmasimi i çështjes kombëtare pas daljes së Kosovës si shtet i pavarur, nuk kanë sjellë ndonjë ndryshim në teknikat e përdorimit të paskrupullt të diskursit kombëtarist si vegël për të manipuluar masën, për ta bërë për vete dhe për t’ia rrëmbyer votat – të vetmin nënprodukt memec të lirisë së fjalës për të cilin pushtetarët paskan nevojë.

    1. “Stalinizmi shqiptar mund të shpjegohet si një rishfaqje atavike që i ka rrënjët në një traditë të gjatë të kulturës bizantine që frymëzoi Shqipërinë e Jugut – socializmi shqiptar është mutandis mutandis një produkt shqiptar jugor. Në këto rrethana, stalinizmi shqiptar, dega shqiptare e marksizëm-leninizmit, është nominalisht marksist, minimalisht leninist dhe esencialisht stalinist me një vello të përciptë maoiste. Emri më i përshtashëm për këtë fe të re është Stalalbanianizmi ose thjeshtë Hoxhanizmi”.

      Ky eshte nje fragment i shkeputur nga nje prej botimeve te fundit shqip te autorit Arshi Pipa. Perkufizimi pra i perket ketij te fundit.

      Nuk e di sesa dakord mund te bjere dikush me keto percaktime, por gjithesesi mendimi im eshte se ato nuk qendrojne ne ajer, pra nje baze logjike e kane.
      Lidhja e ketij percaktimi te Pipes me artikullin – koment te Epiriotit dhe komentin e 2xh (xh2 me duket sikur shenjon ngritjen ne katror dhe krijon konfuzion logjik me xha xhai) qendron ne ate se, ai shfaqet disi me i thelluar ne analizen e faktoreve politike dhe historike te nje dukurie me mjaft rendesi sikurse Diktatura shqiptare. Kjo e fundit padyshim qe mori dhe perpunoi diskursin kombetarist – per mua nuk e banalizoi ate te Rilindjes por e instrumentalizoi deri ne rang akademik – por ne fund te fundit ajo e gjeti te gatshem terrenin ku te vepronte. Nuk kemi ketu pra nje nisje nga koha 0. Mjafton te kujtohet se kultivimi i mitit te Shqiptarit si nocion dhe nenprodukt i heroizimit ne Histori fillojne me Rilindjen, por ato njohin nje faze kulminante me periudhen e Zogut, kur nje prelat si Gjergj Fishta po vendoste guret miliare te apoteozes kombetariste (ne raport me percaktime e Pipes, ai i meshon me shume etalonit te idealizuar te Malesorit). Edhe kurora mbreterore e zgjedhur nga monarku shqiptar eshte nje tjeter qasje ideologjike ne kete kontekst. E thene me thjesht e djathta e shqiptare e ka pikenisjen e vet ne ato terma ideologjike qe perfaqeson edhe e djathta ne pergjithesi. Dua te nenvizoj ketu se sipas nje parashtrimi te fundit historik te Kristo Frasherit, zanafilla e se majtes sone nis pikerisht me nje kontestim te ketij formulimi te shqiptarit, i cili mban te skalitur nje monument historik edhe pse realiteti i perditshem pergenjeshtron aktualizimin e tij dhe e ben mjerane retoriken kombetariste. Lidhur me kete gje, Kristo sjell disa pasazhe nga debati i kohes zhvilluar mes Hil Mosit – perfaqesues i te majtes dhe Gjergj Fishtes (me pseudonim) si aureola e se djathtes. Me sakte ketu kemi te bejme me dy qasje ndaj problemit, me dy besime qe mandej do te percaktojne vijat e demarkacionit – E majte dhe e Djathte. (ky eshte vetem nje shembull elokuent). Ajo cfare dua te them eshte se si djathtas ashtu edhe majtas problemi nacional pranohet dhe shtrohet thuajse me te njejten peshe. Ndryshimi qendron jo aq ne menyren e zgjidhjes, sesa ne protagonizmin e kesaj zgjidhjeje qe eshte e lidhur vetiu me problemin e Pushtetit. Infiltrimi i Partise Komuniste ne kete kuader eshte nje shprehje e persosmerise taktike te ketij formacioni dhe pare ne optiken e pushtetit, Enver Hoxha ketu meriton noten me te larte.
      A mundet valle dikush ne kete situate te ngrihet lart pa prekur paraprakisht diskursin kombetarist ? Koha vertetoi se jo. Une mendoj se arsyet duhen kerkuar ne mosrealizimin e projektit nacional te Rilindjes Kombetare dhe instalimin ne ndergjegjen kolektive te shqiptareve te ndjesise se nje padrejtesie. Por kjo padrejtesi qe tentoi te prekte edhe thelbin e ekzistences sone, ne kushtet e nje Evrope apo Ballkani qe flet vetem me nje gjuhe, ate Forces, ne rrethana te caktuar priret qe te imponoje ndjenjen e disfatizmit qe Perjeteson Padrejtesine dhe Dobesine tone Kombetare. A do ta pranonte dikush kete Humbje? Ketu pergjigjet jane te ndryshme, por Historia jone provoi se Elita shqiptare refuzoi te njihte zgjidhjet e imponuara. Ky eshte edhe filli qe i mbetet ne dore Komunisteve qe ne ndryshim nga percaktimet gjeneraliste si nacional komuniste, jane akuzuar edhe per Tradheti ndaj ceshtjes nacionale. Dhe madje nga perfaqesues elitare te se djathtes se dikurshme.

      “Unë besoj se regjimi i Hoxhës nisi si radikal i majtë, por gradualisht degradoi djathtas, për të përfunduar në regjim nacionalist-autoritar të rëndomtë”.

      Sa dakord mund te jete njeriu me kete perkufizim? Perballe une vendosa ate te Pipes qe me bind me shume, por jo deri ne fund gjithesesi. Degradimi djathtas i regjimit te Hoxhes eshte per mua i detyruar nga sjellja e Beogradit qe kerkonte te perdorte vetem nje gjuhe. Jam i bindur se nje marredhenie aq komplekse sic ishte ajo e Hoxhes me jugosllavet nuk mund te lejonte retorike kombetariste pa provuar nje siklet te madh. Jo me kot toni nacional i Hoxhes – ai i mirefillti – vihet re pas vdekjes se Titos, pra kur edhe Federalizmi – apo majtizmi apo internacionalizmi po shkon drejt fundit.
      Si mundet te thuash sot se ai i Hoxhes perfundoi ne nje “regjim nacionalist-autoritar të rëndomtë” dhe mandej te biesh dakord me komentet e dikujt qe e sheh situaten politike te sotme ne nje optike gati konspirative, pra produkt te axhustuar nga kjo Diktature. Se pari – me ndjeni per verejtjen – une nuk pranoj te njoh nocionin Diktature e Rendomte. Jane dy fjale qe perjashtojne njera-tjetren, dy antinomi.

      Diksursi kombetarist ne Shqiperi, ne te gjitha format qe ai shfaqet – nuk eshte sipas meje nje zgjedhje e natyrshme as per ata qe e perdorin, sepse ai determinohet nga nje Padrejtesi historike. (ketu duhet te biem dakord me faket apo me qendrimin ndaj tyre). Shumica e shqiptareve e njohin si te tille vitin 1913.
      Nuk mund te kete nje shoqeri te Qytetareve ne nje vend qe nuk ka provuar te jete dot as shoqeri e Shqiptareve. Edhe ne kete prizem perkufizimi i Pipes jep me shume argumente dhe deshmon me Sakte per Historine politike tonen. Por natyrisht kjo mbetet nje ceshtje zgjedhjeje.

  2. Një nga të mirat e padiskutueshme të rënies së rregjimit, u konsiderua në atë kohë dhe vazhdon të mbahet si e tillë, ishte çideollogjizimi i vëndit.
    Ndoshta është e vërtetë ajo që thoni: në indet e të gjithë atyre që u rritën dhe u edukuan në atë periudhë, ku më shumë e ku më pak, një përqindje të mirë, përveç materialit biologjik, e zinte pjesa e ideollogjizuar.
    Mund të diskutojmë gjithë ditën tani dhe është e sigurtë që nuk do bëhemi dot dy vetë dakord që, ideollogjia ose pjesë të veshura asaj për ta bërë sa më të pranueshme, ishte e nevojshme… ashtu siç ngelet e nevojshme sot.
    Për sa mirë apo keq që influenconte në mëndjet e njerëzve, ajo ideollogji ju jepte atyre një objektiv, një synim në vetvehte… në fund të fundit, një objektiv për t’u arritur apo një qëllim për të jetuar… dhe personalisht (dhe faktet më japin të drejtë gjithë ditën) do të isha shumë më dakort që njerëzit të udhëhiqeshin nga një ideollogji sa sa të bridhnin si pula pa kokë pa ditur se ku dhe se si po shkojnë.
    Mund të kriminalizojmë sa të duam komunizmin shqiptar që bëri krimin më të madh në ideollogjizimin e trurit të ‘Njeriut të Ri’, por, përveç të mirave dhe të këqijave që mund të ketë patur ai ideollogjizim, do t’ju ftoja që të kini parasysh edhe kontekstin kohor kur ajo ideollogji mbisundoi… përveç faktit që ideollogjia komuniste ishte vendosur në regjim në pothuajse gjysmën e globit (në atë kohë), ajo (shqiptarja) pati fatin që të gjente një terren të virgjër për t’u kultivuar… sepse tashmë kishte SHEKUJ që bota, që ne konsiderojmë sot si civile, për sido që të rronte e mendonte për momentin, kur vinte puna ishte e gatshme të ngrihej në këmbë dhe të jepte heronj në emër të Zotit, Mbretit dhe Atdheut/tokës, ndërsa tek ne…

    P.s: Tek ne sot Zoti duket i pazoti që të jetë i aftë që të bëjë atë ngjizje dhe t’i japë atë shkëndijë jete veprimit të shqiptarit (dhe mundësisht mos ja lini fajin komunizmit, sepse pas 20 vjetësh do kishim brezin tonë të kardinalëve nëse do kishte vërtet shqiptarë që e kishin përjetuar aq keq mungesën e fesë).
    Po aq i paaftë duket edhe Atdheu… ndoshta dhe për lehtësinë me të cilën dikush mund të etiketohet si kombëtarit/nacionalist, a thua se kjo është e njëjta gjë me zgjebjen apo me gripin e derrit…
    I vetmi element i triadës Zot/Atdhe/Mbret që mund t’i bëjë të bashkohen shqiptarët, ngelet Mbreti… dhe të gjithë shikojmë se si njerëzit, edhe pse e dinë që nuk ka të mira aq sa ka të këqija, vazhdojnë të thërrasin “Rroftë mbreti” dhe ta ndjekin në mitingje të vetmin që arrin t’ju flasë me gjuhën e mbretit.

  3. para jo e jo por as majtas as djathtas dhe as ne qender. mbrapa, shume mbrapa dhe bile anash qe te mos kemi asnje shans per te aritur ndonjehere.

    pa te shkuar, pa te tashme dhe………me shume gjasa pa te ardhme ky populli yne.

    kush e ka pare kete faqe qe mu duk intersante le ti hedh edhe nje sy tjeter dhe per ata qe kane per here te pare, lexim te kendeshem. pasi te mbaroni se lexuari le te kthehemi perseri te xhaxhai se ketu behet kuvendi i veretete dhe gjyqi i rradhes.

    per me teper:

    http://uncyclopedia.wikia.com/wiki/Albania

  4. E majta dhe e djathta……..

    Po te shohim vete historikun e levizjeve politike boterore mund te vihet re qe ky ngaterrim i koncepteve nuk eshte vetem ne Shqiperi, por ne periudha te ndryshme historike edhe ne vende te tjera.
    Pa u zgjatur shume ne histori, mjafton vetem evolucioni qe pati levizja e pare e majte ( revolucioni francez) qe te kemi te qarte qe keto ndarje nuk jane dhe aq te ndara nga njera-tjetra.
    Revolucioni francez, nga pothuaj nje anarki antifetare ( eshte arritur deri aty sa Fushe kur ishte prefekt i Lionit, ka organizuar ne publik nje meshe-parodizim te meshes katolike, paralelize i frikshem me meshat satanike), eci drejt sundimit te konventes dhe diktatures se Robespierit. Deri ketu kemiruajtje te elementeve percaktues te se majtes. Me pas kemi nje republike te korruptuar ku ligjin e bente paraja dhe kapitali, direktoratin dhe ne mbyllje perandorine e N.Bonapartit, i kuroreruzuar nga papa, dhe me kontet duket dhe baronet qe 10 vjet me pare kishin bere revolucionin, dhe kishi cuar ne gijotine paraardhesit e titujve me te cilet krenoheshin aq shume.
    Po te shohim historine e shek XX gjerat ngaterohen me shume.
    Fashisti i pare ne histori, Benito Musolini, ishte ish kryeredaktor i gazetes se partise socialiste italiane.
    Partia e Hitlerit quhej Nacional-socialiste???????
    Politikat kombetare te BS ne kohe te Stalinit ishin po aq rusomadhe sa ato te carit mos dhe me shume. A thua se Stalini harroi jo vetem internacionalizmin proletar, por edhe faktin qe ishte i lindur gjeorgjian, dhe vete nuk arriti kurre t’a fliste rrjedhshem rusishten.
    Megjithate ka nje percaktim relativisht te qendrueshem per te djathten europiane te krishtere.
    Jane pasardhes shpirterore te ish klasave aristokrate, te perqendruar ne politikat e tyre tek mbrojtja e prones, kombit dhe fese ( per kete te fundit perfshi dhe rrjedhimet, familja morali etj)
    Ky percaktim ka shume te cara sidomos ne kohet e fundit. Shembul i qarte eshte ish kryetari i bashkise i vrare te Roterdamit ne Hollande ( nuk me kujtohet emri) i cili ishte lideri karizmatik dhe me te ardhme i te djathtes dhe njekohesisht homoseksual pasiv, mjaft aktiv ne ceshtjen e tyre.

    Nderkohe ne vendet me popullsi kryesisht muslimane ka nje problem tjeter.
    Duke qene se keto vende nuk kishin aristokraci ligjerisht te trashegueshme, ( jane te njohura rastet e shqiptareve ne perandorine osmane ku nga ushtar nisej nje karriere qe ndalonte te vezir) e djathta aktuale ka lindur si e majte.
    Pushtetet nacionaliste ne keto vende linden si armiq te fese, te tradites dhe te gjithckaje qe kishte lidhje me te shkuaren.
    Por njekohesisht vinin kryesisht nga klasa e ushtarakeve, gje qe i coi drejt nje dashurie per rendin, pronen, dhe nje ftohtesie ndaj demokracise te shoqeruar me shtypje te opozites kryesisht te majte.
    Psh ne egjyptin e Naserit, aleat i devotshem i BS, komunistet ( me kete emer quheshin gjithe te majtet) persekutoheshin keq.

    Sa per shqiperine tone te mire, ketu kemi dhe xhevahire te tjera.
    Kemi korrupsionin tone shpirteror pasardhes te mentalitetit komunist ( pa frike nga Zoti) por jo vetem te tij, por edhe te specifikave te vecanta kombetare, si tradita mijeravjecare me rend te dobet kushtetues, mentaliteti klanor dhe fisnor, etj.
    Pervec kesaj kemi dhe kujdesin qe tregoi xhaxhi qe t’a zhdukte fizikisht dhe intelektualisht ate qe mund te quhej klase e djathte. Keshtu qe ne 1990 ne u gjendem me bijte e komunisteve te devotshem ( kush mund te merrte tjeter te drejte studimi) permbysen nga pushteti gjysherit e tyre dhe vendosen ne pushtet baballaret.
    Gjithcka tjeter eshte interesa klanore, retorike elektorale dhe retorike integruese ( per t’u pelqyer nderkombetareve).

  5. Arben Imami i thote Ramiz Alise, ne 11 dhjetor te vitit 1990, ne takimin e ketij te fundit me studentet : “Ne shoku Ramiz duam te krijojme nje parti te re, por qellimi yne nuk eshte te krijojme ndonje parti ekstremiste te djathte, nuk jemi per ekstremet, siç jane per shembull burokratet e zyrave, ekstremiste te majte”.
    I kthehet Alia : “Ata nuk jane ekstremiste te majte, por te djathte, por nejse nejse…”.
    (Video e plote e kesaj bisede eshte ne internet, per fat te keq kam humbur adresen).

    Thene ndryshe, Alia vetë, e dinte fort mire se “regjimi kish degraduar djathtas” (per te perifrazuar xhaxhain). Problemi ishte se pikerisht, ishte opozita e re (elita e re) qe po lindte qe nuk ishte ne dijeni “per gjera te tilla” dhe ishte krejt e papergatitur.

    Personalisht, u bene disa vite qe kam krijuar bindjen se, diktatura e proletariatit ne Shqiperi, ishte e djathte ne thelb jo vetem per orientimin e saj nacional-kombetarist (pra per “sovranitetin mbi territorin”), por dhe per sovranitetin mbi jeten ekonomike te teresise se anetareve te komunitetit. Thene shkoqur, nese nuk behej fjale per kapitalizem te bazuar mbi prone private, behej fjale per “kapitalizem” te bazuar mbi prone shteterore. Nese nuk ta merrte frymen pronari, ta merrte frymen shteti…

  6. Fillimisht, dëshiroj të falenderoj Xha Xhain për vlerësimin e komentit tim.

    Por, duke qenë se ndërhyrja ime u projektua si koment në temën Ndotje nga Zhurmat dhe aspak si artikull shterues mbi temën kombëtare në politikën shqiptare e shoh me vend të ndërhyj për të qartësuar disa momente.

    Në thelb, argumenti im bazë është se spektrin e politikës së sotme shqiptare nuk mund ta kategorizojmë dot kaq lehtë me terminologji të importuara nga shoqëri dhe tradita të cilat nuk janë tonat.

    Thënë ndryshe, vetëcilësimi i spektrit tonë politik si i djathtë dhe i majtë, qoftë kjo edhe për arsye përshtatjeje me rendet ndaj të cilave dëshirojmë të afrohemi, mbetet një eufemizëm, të cilit do t’i shtoja edhe epitetin qesharak, pikërisht sajë zhvillimeve specifike endemike në shoqërinë tonë.

    Me kënaqësi pranova se spektrit politik shqiptar i mungon një majtë e mirëfilltë dhe dinjitoze, por shtova se spektri politik ka po aq nevojë për një të djathtë të mirëfilltë dhe dinjitoze.

    Mund t’i mirëkuptoj keqkuptimet që lindin si pasojë e përshtatjeve të ideologjive me natyrë të djathtë nga një pjesë e spektrit politik shqiptar. Për një vronjtonjës të ftohtë dhe të painformuar paraprakisht për zhvillimet në vend, ekzaltimet kombëtariste të mazhorancës së sotme, sigurisht që mbeten shenja të pagabueshme të një të djathte më se tipike.

    Problemi është se vrojtonjësi i ftohtë dhe i painformuar do ta kish po aq të vështirë të justifikonte omniprezencën e programeve të ashpra neo-liberiste të të gjithë spektrit të politkës shqiptare sa edhe politikat nacional-komuniste të diktaturës së proletariatit.

    Qëllimi im ishte dhe mbetet evidentimi me objektivitet i një realiteti të qartë, një realitet i cili dëfton se pas impostimeve kombëtariste të një pjese të spektrit të politikës së sotme shqiptare nuk fshihet detyrimisht një e djathtë.

    Pas impostimeve kombëtariste fshihen, përkundrazi, reminishencat e një kulture, identiteti dhe elite të trashëguar nga ideologjia nacional-komuniste e diktaturës së proletariatit. Parë nga ky këndvështrim, spektri politik i sotëm shqiptar është bartës i trashëgimisë së impostimeve dhe improvizimeve ideologjike me qëllim mos lëshimin e pushtetit nga duart.

    Nuk besoj ndërkaq se ky këndvështrim shfaq evidenca për teori komplotiste, përkundrazi. Kultura dhe identiteti i gjithë një shoqërie, por sidomos kultura dhe identitetii elitave të diktaturës së proletariatit, u formua mbi retorikat dhe sofizmat e theksuara kombëtariste të ideologjisë enveriste post ’70.

    Sigurisht që një pjesë e mirë e studiuesve kanë rënë dakort për tradhëtitë e pushtetit popullor në lidhje me shitjen e Kosovës gjatë orëve të para të pasluftës, por nuk unë flas për politika të sinqerta nacionaliste; flas për politika qartësisht të dyshimta, totalisht kundërthënëse, por të domosdoshme për mbijetesën e klanit në pushtet.

    Sidoqoftë, lipset të mos harrojmë se diktatura e proletariatit gjatë viteve të para të saj jo vetëm mëtonte të konsolidonte pushtetin popullor në një territor sa më të reduktuar aq dhe të kontrollueshëm, por sidomos se ideologjia e saj për një të ardhme utopike në gjirin e familjes së madhe internacionaliste proletare ishte vërtet – në një farë mënyre – progami i betejes për pushtet.

    Zvogëlimi i ngadaltë, por i pakthyeshëm, i familjes internacionaliste proletare dhe humbja e perpektivës së qartë të fillimeve për një ardhme utopike në gjirin e saj, e zhvlerësoi si ideologjinë ashtu edhe sakrificat e masave për një të ardhme të lavdishme, dhe e destinoi atë në ideologji sirtarësh, e gatshme për t’u përdorur në një të ardhme të pacaktuar, me motivacionin “kur të piqen kushtet”.

    Ishte pra vakuumi i frikshëm ideologjik i një klase politike kriminale dhe pa identitet të qartë që thirri për ta zëvendësuar ideologjinë e të ardhmes utopike marksiste me një tjetër ideologji po aq ngazëllyese sa pararendësja, atë nacional-komunisten, e cila do të mëtonte të shenjtëronte tashmë të shkuarën utopike dhe pastërtinë e origjinave.

    Sigurisht që Rilindja Kombëtare, por edhe problematikat e sovranitetit qe e pasuan, kishin derdhur jo pak bojë dhe zell për ideologjinë dhe programin kombëtarist. Dikush, bojën e freskët që hodhën akademikët e diktaturës së proletaritatit për të ngurtësuar pastërtinë e origjinës dhe obsesionin e ri ideologjik për të kaluarën e lavdishme, e quan instrumentalizim.

    Personalisht, historiografitë e tipit “populli ynë e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë”, përpunuar në laboratorët e autarkisë nga akademikë të dyshimtë vetëm për të kulmuar në diktaturë proletaro-fshatare, i gjykoj si banalizime debilizuese së diskursit kombëtarist.

    Për sa i takon, definicionit të Arshi Pipës për diktaturën e proletariatit shqiptar, ruaj disa rezerva, megjithë respektin që ushqej për intelektualin, si në rrafshin njerëzor ashtu dhe në atë profesional.

    Ky definicion, “socializmi shqiptar është mutandis mutandis një produkt shqiptar jugor. Në këto rrethana, stalinizmi shqiptar, dega shqiptare e marksizëm-leninizmit, është nominalisht marksist, minimalisht leninist dhe esencialisht stalinist me një vello të përciptë maoiste”, edhe pse elokuent për nga këndvështrimi gjuhësor, për aq pak sa e njoh shkencën e teorive të politikës, bart kundërthenie jo pak të rëndësishme.

    Duke e definuar socializmin shqiptar me imazherinë e larmishme që krijohet si pasojë e përdorimit shterues të gjithë epiteteve – marksist, leninist, stalinist dhe maoist, pa harruar, jugor dhe bizantin – shfaqet detyrimisht një përfytyrim familiar i të gjitha fazave dhe rrymave që e përshkuan zhvillimin e implementimit të socializmit shqiptar.

    Por diktatura e proletariatit dhe shoqëria socialiste që ajo mëtoi të ndërtonte në këto treva, nuk definohet dot lehtë me situata letrare, sado të sofistikuara qofshin.

    Kur thua se socializmi shqiptar ishte “nominalisht marksist, minimalisht leninist dhe esencialisht stalinist me një vello të përciptë maoiste”, është njëlloj sikur thua se një sekt X – abstragim ky – ishte “nominalisht i krishterë, minimalisht katolik dhe esencialisht grek ortodoks, me një vello të përciptë protestante”; totalisht pa sens, sigurisht.

    Marksizmi është një teori dhe ideologji me ambicje shteruese e cila u praktikua politikisht në shumë treva dhe kombe. Për pasojë, një vend i cili e ka pranuar teorinë dhe ideologjinë përkatëse dhe tenton të realizojë utopinë shoqërore dhe politike të tij, nuk besoj se mund të shquhet si vend “minimalisht marksist”.

    Sakaq, një vend i caktuar, ka shumë mundësi të implementojë rrymat dhe shkollat e ndryshme të interpretimeve të teorisë dhe ideologjisë marksiste të vendeve të tjera, sikurse në rastin e diktaturës sonë, e cila i akordoi alegjencat e rrymave marksiste sipas interesave të mbijetesës në pushtet.

    Mbijetesa në pushtet, besoj, është edhe arseyja pse diktatura e proletariatit sa do teorikisht dhe praktikisht marksiste të ketë qënë, nuk mund të mohohet se ishte gjithashtu edhe nacional-komuniste autarkike, çka në thelb përbën edhe paradoksin e modelit shqiptar të socializmit.

    1. Mendoj se kete parashtrim e kishe shume te qarte edhe ne shkrimin e pare. Pra, ate qe ka te beje me natyren e se majtes dhe te se djathtes ne Shqiperi dhe specifikat e tyre qe burojne nga ato qe ju i quani zhvillime endemike te shoqerise sone. Une mendoj edhe njehere se diksursi kombetarist ka rrenje me te thella dhe se perdorimi i tij, ne cdo forme, pra edhe si karte propagande, ngrihet mbi nje baze te qendrueshme, pse gjen jehonen e vet ne masa. E thene thjesht, historia e shetit shqiptar verteton se diskursi Kombetarist, (edhe pse jo ne formulim doktrinor) eshte premise per ekzistencen politike te cdo grupi.

      Nje korrigjim: Pipa nuk flet per Socializmin, por per Stalinizmin Shqiptar.
      Une theksova se jam me shume dakord me perkufizimin e Pipes sesa te ndonje komentuesi tjeter ketu. Per sa i perket krahasimit tuaj me fene e krishtere, ai nuk me duket se qendron dhe aq. Ne fakt mes marksisteve, leninisteve, stalinisteve dhe maoisteve nuk ka nje tradite perplasjesh apo perjashtimesh, megjithe nuancat e ndryshimit. Nuk ka ne asnje nga keto percaktime ndonje Herezi perkundrejt njera-tjetres. Perkundrazi, Katolike, ortodokse apo protestante, bashkohen te emertesa te Krishtere, por pas qendron nje vale gjaku dhe betejash qe kane shenjuar historikun e Evropes te pakten.

      “Sakaq, një vend i caktuar, ka shumë mundësi të implementojë rrymat dhe shkollat e ndryshme të interpretimeve të teorisë dhe ideologjisë marksiste të vendeve të tjera, sikurse në rastin e diktaturës sonë, e cila i akordoi alegjencat e rrymave marksiste sipas interesave të mbijetesës në pushtet”.

      Dakord. Lufta per pushtetin ne Shqiperi vijoi deri ne vitet ’60. (flas per betejen serioze qe ende e mbante Shqiperine gjysme te legjitimuar ne arenen nderkombetare). Sipas jush kursi i ri nacional – komunist (edhe pse Shqiperia eshte akuzuar edhe per ortodoksizem marksist) nis ne vitet ’70. Perkundrejt kujt behet kjo lufte per pushtet, kur edhe klasa e sotme ne pushtet vjen nga klasa e dikurshme drejtuese?

  7. stultifera navis,

    Falemnderit për korrigjimin e emrit; gabimi im.

    Për sa i përket krahasimit së marksizmit me Krishtërimin, e theksoj edhe një herë për të larguar keqkuptimet, se ishte një abstragim për efekt shpjegimin principial të fenomenit.

    Ndërkaq, është e sigurt se nuk kam përmendur kurrëfarë lufte për pushtet. Është po aq e sigurt që kam folur vetëm për zëvëndësime dhe përshtatje të shkathta ideologjike për të legjitimuar qëndrimin në pushtet.

    Më konkretisht, në momentin kur premtimi i një aveniri utopik në gjirin e familjes së internacionalizmit proletar lagohej pa kthim – pra pas revizionizmit të patjetërsueshëm të Bashkimit Sovietik e kampit të tij socialist, e fill më pas edhe të Kinës – ideologjia marksiste e internacionales proletare u kthye në ideologji latente sirtarësh dhe e humbi prevalencën e saj në dëm të asaj nacional-komuniste.

    Sigurisht që baca u brengos të mos e shuante zjarrin e ideologjisë maksiste. Politikat sociale dhe ekonomike mbetën sigurisht marksiste në vend. Për më tepër, ai u kujdes gjithashtu edhe për dimensionin internacionalist të marksizmit, duke financuar sa mundej grupime të caktuara marksiste-leniniste nëpër botë.

    Por politikat marksiste nuk e penguan as bacën dhe as klanin pushtetar të projektonin si ideologji prevalente pushteti atë nacional-komuniste, me sy tashmë të kthyer pas, kah e shkuara e lavdishme dhe origjinat e kristalta.

    Ju thoni se arsyet e përqafimit të ideologjisë kombëtariste të diktaturës së proletariratit “duhen kerkuar ne mosrealizimin e projektit nacional te Rilindjes Kombetare dhe instalimin ne ndergjegjen kolektive te shqiptareve te ndjesise se nje padrejtesie”.

    Unë them se qëllimi i ardhjes në pushtet të komunistëve – implementimi i ideologjisë marksiste – logjikisht, nuk duhet të ishte çështja e zgjidhjeve të padrejtësive kombëtare. Përkundrazi, duhet të ishte çështja e arrtitjes së objektivit final marksist, atij të një bote utopike në gjirin e internacionales proletare komuniste.

    Sigurisht që margjinalisht komunistët shqetësoheshin për fatet e kombit dhe padrejtësitë historike kryer ndaj tij ndër shekuj, por për komunistët këto çështje duhet të zgjidheshin fare natyrshëm në familjen e internacionales proletare, në të cilën popujve u premtohej bashkim i sinqertë vëllazëror dhe një rend utopik shoqëror, politik dhe ekonomik.

    Për analogji, kjo teori ngjason shumë me natyrën e diskursit të sotëm të bashkimit të shqiptarëve dhe zgjidhjen e çështjes kombëtare në gjirin e familjes evropiane.

    Shkurt, shqetësimi është se ideologjia marksiste që predikon një botë utopike brenda vëllazërisë së internacionales komuniste nuk është sinqerisht kompatibël me autarkinë, ksenofobinë dhe izolimin total të nacional-komunizmit enverist. Prej ku dhe paradoksi i socializmit shqiptar, por edhe paradoksi i ideologjive që trashëgoi politika e sotme prej tij.

    Ndërkaq, nuk besoj se kam më për të shtuar rreth kësaj pike. Dyshoj se stërhollimet nuk do të ndryshojnë opinionet e askujt dhe për më tepër kam aq kurajë të pranoj se njohuritë e mia mbi marksizmin nuk janë të pashtershme.

  8. Dua të them se, një pjesë e mirë e fatosave, pionierëve dhe rinisë që u edukuan në bankat e shkollës së diktaturës së proletariatit, sidomos pas epokës kur partia e pa të arsyeshme të prishej me vëllezërit e internacionales proletare dhe u investua me zell në ideologjinë nacional-kombëtariste, e ruajnë të gjallë kujtimin e pathosit të posaçëm me të cilin u edukuan për këtë çështje.

    Ndoshta vetem ato fatosat e bankave te shkollave te Tiranes. Se ne rrethe nuk besoj te kete pasur fryt ky ‘investim i zellshem’ ne nacional-kombetarizem.

    Une, per shembull, mbaj mend shume mire vajtimin qe benim per Kosoven ne shkolle fillore. Sidoqofte, ajo kishte te bente me faktin qe ajo shkolle mbante emrin “Kosova”. Te shkolla fillore Mihal Grameno qe ishte pak me lart, nuk besoj se ‘vajtonin’ shume.

  9. “Ndërkaq, është e sigurt se nuk kam përmendur kurrëfarë lufte për pushtet. Është po aq e sigurt që kam folur vetëm për zëvëndësime dhe përshtatje të shkathta ideologjike për të legjitimuar qëndrimin në pushtet”.

    Rreth kesaj ideje kam dashur te nenvizoj se teorikisht, me nje sistem monopartiak dhe nje pushtet aq te konsoliduar, klasa drejtuese nuk kishte nevoje per legjitimitet pse perballe nuk kishte kundershtare. Te pakten pas viteve ’65 (Ne kete vit mos gaboj vdes edhe Ahmed Zogu). D.m.th ky manovrim ka kuptim deri ne shkeputjen me ruset, mandej Baca nuk degjon me nga askush.

    Jam shume dakord me shtjellimin tuaj ne te vertete. Madje ironikisht, ai eshte aq logjik sa ben te duket mjaft logjike edhe veprimtarine e ekipit komunist, ne kuptimin se e shtjellon si te vetmen alternative. (flas pare permes parashtrimit). Ajo qe dua te shtoj dhe jo te replikoj, eshte fakti se ne te vertete dredhia nacionaliste e komunisteve ka koherence me zhvillimin e mevonshem. Ne fund te fundit internacionalizmi perfundoi ne qarkun e nacionalizmit dhe pikenisja e ketij fermentimi eshte ne ato vite kur edhe Shqiperia merr kete pozim ideologjik. Ndoshta ajo deshmon se e vetmja politike per vendet e vogla eshte ajo qe i referohet berthames kombetariste te interesave dhe jo haperdarjes ne doktrina qe tejkalojne fuqine e nje vendi. Edhe sot ne te vertete flitet per Evropen e Kombeve, ç’ka medoemos e nenkupton diskursin kombetarist. Por a e ben kjo gje valle Evropen nje aliazh ideologjik apo thjesht ky kombinim respekton historine ?
    Gjithesesi falemnderit per pergjigjen.

    1. Stultifera Navis:

      Edhe sot ne te vertete flitet per Evropen e Kombeve, ç’ka medoemos e nenkupton diskursin kombetarist.

      Në fakt, sot flitet edhe për Europën e Rajoneve (Europa delle Regioni); edhe pse fjala Rajon mund të interpretohet në mënyra të ndryshme – si rajon mbi-kombëtar, dhe si rajon nën-kombëtar – p.sh. Skandinavia nga njëra anë, Lombardia nga ana tjetër.

      Gjithsesi, me konsolidimin e pushtetit të Berishës dhe me rritjen e peshës specifike të gegëve në demografinë shqiptare sidomos në rast bashkimi me Kosovën, nuk është për t’u çuditur sikur nesër të fillojë të artikulohet një diskurs federalist në Shqipëri (me ose pa mbështetjen e Greqisë).

      Jam kurioz nëse ky diskurs do të pozicionohej majtas apo djathtas diskursit kombëtarist? Kjo varet nëse kombëtarizmi teatral i eshtrave, baladave dhe i qelesheve perceptohet si një orvatje për të vendosur hegjemoninë e Veriut ndaj Jugut; në atë rast, federalizmi nuk do të ishte aspak i djathtë, edhe pse mund t’i shërbente harmonisë kombëtare.

      Nuk e fsheh se mua më pëlqen koncepti i autonomisë rajonale, i cili më duket se i përshtatet më shumë traditës politike të shqiptarit (por ky referim ndaj traditës është i djathtë apo jo?).

      1. Duke te ndjekur ne kete blog, ku juve shpesh ankoheni per flakerimat e lexuesve te zellshem, me habit, por edhe me jep kenaqesi percaktimi juaj ne kete sens. Pra po flisni politikisht dhe po neglizhoni akuzatoret qe verdallosen onilne.

        “Nuk e fsheh se mua më pëlqen koncepti i autonomisë rajonale, i cili më duket se i përshtatet më shumë traditës politike të shqiptarit (por ky referim ndaj traditës është i djathtë apo jo?)”.

        Ne kete pike une jam 100% dakord. Madje diskursi federalist, po vonon dhe ai po e le Toskerine ne nje pozicion te rrezikshem, te ekspozuar ndaj ekspansionit geg. Ne nje kohe kur grupi me i emancipuar ndodhet ne minorance, eshte e qarte se kraku i Bashkimit kerkon medoemos menaxhim paraprak. Perndryshe cdo skenar eshte aktual. Nuk po e ekzagjeroj. Fakti qe Bashkimi faktik po administrohet nga Berisha dhe Thaci, pra nga geget, duke lene jashte nje pjese te Shqiperise, madje pa e marre paraprakisht pelqimin per kete gje, po krijon nje ndjesi ankthi qe riciklon ankthin e ’97.
        Sa per ate pyetjen se referimi ndaj tradites eshte i djathte apo i majte, ne raport me ate cfare diskutohet kjo ka nje vlere dytesore. Ndarja kulturore mes gegeve dhe toskeve eshte shume e madhe e po keshtu edhe ajom psikologjike.

  10. Xha Xha,

    Jeni duke aluduar se do të kemi sërish fatin ta jetojmë çastin historik kur Berisha të shfaqet si “i majtë”, sërish?

  11. Per mua ka dy momente qe jane krejt te paperputhshme ne lidhje me nje diskurs federalist. Momenti i pare eshte qe dallimi gege-toske ne RSH, eshte shume me teper fiktiv se c’eshte ne te vertete, rrjedhimisht dhe ankthi i permendur nga Stultifera Navis, eshte i ekzagjeruar pak. Ne rradhe te pare eshte dallim konvencional qe ushqehet nga jashte, ne dac prej dembelizmit akademik, ne dac prej krahut nacionalist grek qe ka qejf t’a identifikoje Toskerine me Vorio Epirin, dhe vetem ne rradhe te dyte eshte dallim i brendshem. Dallimi i brendshem vjen si efekt i origjines jugore te Enver Hoxhes dhe origjines veriore te Berishes, ku i pari i paskerka dhene me shume pushtet jugoreve, nderkohe qe i dyti i jepka me shume pushtet verioreve. Nga jashte nuk arrihet te kuptohet se forca hegjemonike e regjimit komunist nuk u ushtrua mbi nje identitet natyror elastik, i cili do te kthehej ne origjine sapo kjo force te pushonte aplikimin, por mbi nje identitet kulturor shume me teper plastik i cili di t’a ruaj formen e re edhe pas shperberjes se kesaj force, njesoj si ateizmi i sforcuar shnderrohet ne ateizem te natyrshem. Nuk di ku t’a gjej kete ndarje kulturore kaq te madhe mes gegeve dhe toskeve. Nga brenda ka filluar te kuptohet – fatkeqesisht me indiferentizem, a me keq, me disfatizem – sic veren edhe Xhaxhai tek LIGJI DHE KRAHINIZMI, se identiteti krahinor i sotshem nuk eshte vecse mekanizem besimi qe nuk e ka burimin ne nje dallim te qarte krahinizmi, por qe perfaqeson mungesen e besimit tek ligji, pra me burim krejt te paqarte krahinizmi; po aq sa ka filluar te kuptohet se nuk ishte favorizim i jugoreve ai qe zbatoi Enver Hoxha, si ka qejf t’a paraqese me indinjate ky lloj besimi tek paligjshmeria, por tirani totale qe nuk arriti t’i njihte asnje favor as edhe nje krahu, pasi ne cdo krah identifikohej armiku i pushtetit absolut te Enver Hoxhes. Rrjedhimisht edhe dallimet e medha psikologjike nuk arrij t’i gjej. Shkurt, fiktiviteti i dallimit gege-toske brenda RSH, e ben te veshtire diskursin federalist mes ketyre dy entiteteve.

    Nga ana tjeter, trajtimi gege-gege i veriut te RSH me Kosoven, nuk merr parasysh historine e gjate te ndarjes dhe disa krisje te dukshme jo vetem mes kosovareve dhe toskeve, por edhe mes kosovareve dhe gegeve te Shqiperise. Kosovaret ndajne te njejten gjuhe me gjithe shqiptaret e tjere, dhe te njejtin dialekt me geget, por nuk ndajne kurrsesi te njejtin mentalitet me asnje prej shqiptareve. Nderkohe qe shqiptaret kane gezuar nje status sovraniteti qe prej shperberjes se otomaneve, kosovaret nuk kane arritur te gezojne as edhe nje status federativ te barabarte me kusurin e ish-Jugosllavise qe prej se njejtes periudhe. Ky faktor psikologjik nuk duhet nenvleftesuar, pasi lidhet drejtperdrejt me llojin e politikes ne mbare rajonin e Kosoves, ku hapja ne kohe ndaj tjetrit ka arritur te siguroje nje besim me te madh ne vetvete se sa fryma e mosbesimit dhe ksenofobise mundi te siguronte ne Shqiperi. Nderkohe qe ne Kosove qe prej nje shekulli vazhdon dhe luhet politika e lirise krahas politikes se mbijeteses, ne Shqiperi qe prej nje shekulli vazhdon dhe luhet politika e pushtetit krahas asaj se mbijeteses. Ne te njejtin raport me dallimin psikologjik mes shqiptareve dhe kosovareve gjendet edhe raporti kulturor, ku per hir te identifikimit nga tjetri, ne Kosove eshte ruajtur me fanatizem edhe identiteti fetar musliman. Me nje fjale, dhe duke i qendruar dallimeve ne teme, e djathta kosovare eshte shume me majtas se sa e majta shqiptare. “Idealisht” keto barazohen nen siglen e nje neoliberalizmi global i cili po arrin t’a lubrifikoje shoqerine Kosovare me ane te korrupsionit shteteror, sidoqofte, rezistenca ndaj ketij lubrifikimi aty mbetet me e madhe per hir te nje koncepti social me te gjere te lirise, se sa rezistenca e vogel ne Shqiperi per hir te nje koncepti me te ngushte pushteti individual.

    Nuk dua te them se me synim nje bashkim te mundshem, diskursi federalist do te perfundonte ne dallime krejt arbitrare dhe thjesht administrative, gje qe nuk ka nevoje per argument te provohet, por se ne qofte se do te flitej nje gjuhe e tille do te orientohej nga eksperienca e perbashket e shqiptareve te RSH perballe eksperiences se vecante te shqiptareve te RK.

  12. Sistemi enverist, ishte ekonomikisht i majte dhe politikisht po aq i majte… E MAJTA E KULLUAR….

    Perkundrazi socialdemokracia eshte e mbushur me parime te djathta, perndryshe nuk do mbijetonte dot ne sistemin kapitalist.

    Perberesi nacionalist i enverizmit, ishte nevoje fiziologjike e shtetit, pasi shteti i Shqiperise ka lindur si shtet-komb dhe nuk mund mbijetoje dot pa kombin. Pa kombin une jam i pari qe kerkoj shkeputjen e ‘fisit'(krahines) tim nga shteti shqiptar per te mos derguar taksat ne Tiranen hajdute apo tek hajdutet e Tiranes.

    Shteti shqiptar ka treguar perhere se ka ekuilibra te vecante dhe se vetem ideja e kombit e mban gjalle.
    Populli shqiptar e ka treguar vazhdimisht se ndjesia e shtetit i nenshtrohet ndjesise se krahines a qytetit.

    Mund te derdhen kuintale boje kunder, po shqiptaret me shtetin i ka pajtuar ideja e kombit dhe jo ideja e shtetit si domosdoshmeri per nje jete me te mire.

    Sot ideja e shtetit ne vetvete eshte mjaft e dobet, cka duket qarte tek prestigji mjaft i ulet i te gjitha insitucioneve te tij.
    Po te behet operacion kirurgjik e te hiqet pjesa kombetare, atehere nuk do jene te pakte ata qe do krijojne kufij te rinj te brendshem.

    Prandaj edhe paria e Tiranes, pavaresisht kozmopolitizmit te saj si ne perberje ashtu ne ide, eshte e detyruar te respektoje aspektin fiziologjik te shtetit te Shqiperise.
    Ska rendesi ne eshte e majta apo e djathta, ne Shqiperi ashtu si ne cdo shtet ballkanik, muzika kombetariste do kumboje edhe per shume kohe….. Ndoshta vetem shteti hipotetik i Europes, mund ta ndryshoje kete gjendje….

  13. Në vazhdën e konfuzionit të pashembullt që ka kapluar spektrin politik shqiptar, Gazeta Shqiptare publikon sot një lajm i cili, në kushte normale, lipset të trondisë gjithë spektrin e politikës dhe shoqërisë shqiptare.

    Lajmi titullohet, “PS “kthen sytë” nga elektorati i djathtë”!

    Ndër të tjera, në dy paragrafët e parë të tij lexojmë:

    “Partia Socialiste kthen sytë nga elektorati i cilësuar si tradicional “pro” të djathtës. Programi i ri politik mësohet se do t‘u kushtojë vëmendje çështjeve që kanë të bëjnë me ish-pronarët apo ish të përndjekurit politikë. Mbrojtja e interesave të këtyre shtresave njihet edhe si “shtylla kurrizore” e programit politik të së djathtës dhe konkretisht Partisë Demokratike.

    Në prag të katër viteve të tjera në opozitë, Partia Socialiste ka menduar të ndryshojë strategji jo vetëm për shtresat që ajo i ka pasur përherë në vëmendje si pensionistët apo minatorët, por edhe shtresat e tjera. Socialistët duket se do të shfrytëzojnë moszgjidhjen e problemit të pronave, legalizimeve, dëmshpërblimin e të përndjekurve për të rritur mbështetjen në elektorat”.

    Sipas lajmit, kuptojmë se Pandeli Majko(!), një ndër eksponentët e PS-së e njëherësh anëtar i grupit të ndryshimit të programit, është shprehur se “dokumenti i ri politik do të ketë si bazë riparimin e marrëdhënieve të plasaritura deri në imoralitet mes votuesve dhe politikës”.

    Mësojmë me këtë rast edhe listën e plotë të anëtarëve të grupit të punës të ngarkuar me barrën e ndryshimit të programit, kryesuar nga kryeatri i PS-së:

    “Ish-presidenti Rexhep Meidani, ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, Ditmir Bushati, Besnik Baraj, Ervin Bushati, Eglantina Gjermeni, Ermelinda Meksi, Gëzim Tushe, Ilir Beqja, Namik Kopliku, Olta Xhaçka, Pandeli Majko, Shkëlqim Cani, Valentina Leskaj dhe Vasilika Hysi.”

    Pa dashur të spekuloj me sinqeritetin e kësaj inciative, apo edhe të vetë lajmit, kujtoj se dita kur kryetari aktual i PS-së është shprehur se nuk i njihte tapitë pronave të shqiptarëve, dhënë, sipas tij, prej Sulltanit, nuk është edhe aq e largët.

    Sidoqoftë, spektrit të politikës shqiptare – i cili funksionon me moton “përtej të majtës dhe të djathës gjendet formula e mbijetesës së klanit” – vetëm kjo lëvizje i mungonte.

    Sakaq, a mundemi sinqerisht të themi se kjo lëvizje nuk pritej?

    Burimi:

    http://www.gazeta-shqip.com/artikull.php?id=73634

    1. Po a jane ish-te perndjekurit dhe ish-pronaret, te djathte ?

      Sepse nese do te ishin, kjo levizje e certifikuar nga imagjinata e nje idioti politik si Pandeli Majko apo shokeve te tij deshtake, padyshim nuk do te ishte e mundur, qofte edhe si levizje taktike.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: