KULLAT E TIRANËS (III)

Që ka pasur një komplot, për t’ia shpërfillur elegancën Kullës së Sahatit në Tiranë, për këtë kam filluar të dyshoj që në fillim të viteve 2000, kur ky monument, hirplotë dhe delikat, në qendrën aq të torturuar të qytetit tim dhe të kryeqytetit të Shqipërisë, nuk gjeti dot vend në planet, vizionet, utopitë dhe deliret rregullimtare të Tiranës post-komuniste.

Ishte trashëgim i brishtë nga një periudhë tjetër; që krah për krah me miken e vet të detyruar, xhaminë e Et’hem Beut, shfaqej rëndom në kartolinat dhe fotot ikonike të Tiranës; por ndryshe nga gjithçka tjetër rreth sheshit Skënderbej, nuk ishte përzier në trazirat dhe megalomanitë e politikës totalitare dhe kish parapëlqyer të hiqej mënjanë.

Ndoshta për këtë arsye, nuk besoj të ketë pasur banor normal të Tiranës qytet aso kohe, që të mos kish rënë pak në dashuri me të; në kuptimin që prania e saj, qoftë edhe në periferi të vështrimeve, sikur na siguronte se kish mbetur në Tiranë ende hapësirë për jetë normale dhe shpresë se në këtë hapësirë mund të gjenim deri edhe njëri-tjetrin.

about-the-eventGjëra që u ka kaluar koha; aq më tepër që sot Kulla e Sahatit sa shkon e tkurret, përballë rrokaqiejve që i kanosen përbri; dhe imazhi aq domethënës, i këtij kërcënimi, është zgjedhur deri edhe që të ilustrojë faqen “Tirana Smart City” të Bashkisë kryeqytetase; pa çka se kushdo me mend në kokë e kupton se smart në atë imazh është e vjetra, Kulla e Sahatit; ndërsa ajo tjetra, që rreket ta shtypë e ta fundosë nën masën e saj pakidermike, është e tëra dumb.

Veç lidhjes sentimentale që kam me Kullën, me të më bashkon edhe një libër që kam shkruar dikur dhe që do të ishte për mua i pari në shqip (“Kulla e sahatit”, K&B, 2003); dhe ai libër më ka afruar pastaj më shumë me atë simbol të Tiranës së jashtëkohshme, duke më bërë gati tutor, edhe pse të pafuqishëm, të pranisë së saj dhe prestigjit aq të rrezikuar; në kuptimin që sa herë që kthehem atje, Kulla është e vetmja siguri pas së cilës mund të kapem, pas së cilës mund të mbahem, për të qëndruar në këmbë, jo vetëm si mysafir por edhe si i kthyer.

E dija që edhe këtë herë do ta gjeja Kullën të kruspullosur nga gjigantizmi i ndërtimeve të reja përreth; nga akromegalia e ndërtimeve të reja përreth; por kisha harruar ndërkohë që asaj shteti edhe ia kish dhënë hareshëm një dorë boje të bardhë, në pjesën e sipërme; prandaj u shtanga kur, që natën e parë, e pashë të ndriçuar si të gjendej jo në Tiranë, por në Las Vegas, diku midis kazino-hotelit “Venice” dhe “Caesar Palace”-it, me një të bardhë vinovil që të ngjitej edhe në kornetë edhe në retinat e syve; një të bardhë të akullt si puthje oktapodhi, në mugëtirën e një mbrëmjeje të lagësht të prillit.

U ktheva të nesërmen, për ta parë në ndriçim natyral; por edhe pasi lexova se Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore e paskësh quajtur “skandaloz” këtë restaurim me bojatisje, meqë ia kish hequr ndërtesës përmasën kohore; dhe se nuk kish pasur ndonjë nevojë për ndërhyrje të re, pas asaj të vitit 2009. Këtij Forumi i qenkej  përgjigjur drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës Arta Dollani, me shpjegimin se boja e përdorur nuk ishte “plastike”, siç kishin protestuar ata të Forumit, por “akrilike”: një shpjegim pak trullosës, sa kohë që termat duket se shënjojnë të njëjtin lloj boje. Kushedi do të ishin arritur rezultate më të kënaqshme, sikur staff-i i Institutit të Monumenteve ta kish lëpirë Kullën me gjuhë.

Mua vetë m’u duk  menjëherë20160426_134003 vulgare, kjo e bardhë në pjesën e sipërme të kullës; dhe menjëherë më kujtoi, jo pa makth, një grua që shtrihej dikur të flinte me mua, pasi e lyente fytyrën me një krem a maskë të bardhë, ku vetëm orbitat e syve i mbeteshin të errëta, për të përftuar një efekt “horror” (edhe pse nuk do të kish gjë më të natyrshme se kombinimi i një maske veneciane me një kullë sërish të maskuar si veneciane). Ata të Forumit, që marrin vesh nga këto punë më shumë se unë, e kishin përqasur estetikën e restaurimit me kitsch-in e vilave të pasunarëve të rinj të Shqipërisë, të cilët i përdorin bojëra dhe efekte të tilla because they can. Në fakt, kjo lloj kozmetike llamburitëse Kullën vetëm sa e përdhos, duke shënjuar jo kujdesin e institucioneve, por shijen e tyre të trashë, pandjeshmërinë e tyre, dorën e tyre të rëndë.

Ndoshta me kalimin e kohës akriliku i bardhë rrëzëllitës i këtij t-shirt-i që ia veshën Kullës përdhunshëm do të fillojë të zverdhet, të vjetrohet, dhe t’i ngjajë për nga ngjyra dhe konsistenca pjesës tjetër të ndërtesës; me kusht që kjo pjesë tjetër, trupi i Kullës, të mos lyhet edhe kjo a të mos mbështillet me ndonjë gjë plastike, të freskët si prej panairi rinor a entuziazmi djaloshar OJQ-ist, me ngjyra neoni të çartallosura dhe gjithë sex-appeal-in e një lavireje të vjetër, që çapitet krenare teposhtë shkallëve të klinikës së kirurgjisë plastike. Ndoshta edhe, sërish me kalimin e kohës, brezat e rinj në Tiranë do të mësohen me këtë abominacion, dhe nuk do të na kuptojnë ne të tjerëve, kur të ankohemi se çfarë i është bërë kullës; sikurse ne nuk do t’i kuptonim dot banorët e vjetër të Tiranës, ata që i quajnë ndonjëherë autoktonë, po të ankoheshin këta për “kësulën” veneciane që ia shtuan Kullës së Sahatit orientale që kish pasur Tirana deri në fillim të shekullit XX.

Dhe kështu çfarë ende na duket ne betejë sublime për vlerat estetike dhe të trashëgimisë, do të katandisej në betejë banale brezash.

1 Koment

  1. nje si tis banal ka pushtuar sot keto monumentet fetare, nje balance qe heshtazi po kthehet ne qellim ne vetvete, ne vend qe te simbolizonte tolerancen nderfetare po shtrengon lirine e besimit, sidomos atij islam. Edhe monumentet duan ti rreshtojne si lapsat e kryetaret qe i nxorren neper Paris.

    Perballe cdo simboli kombetar qe mund te interpretohet edhe si fetar mysliman, po vendoset nje tjeter fetar katolik. Perballe Vellezerve Frasheri u vendos nje bust i papes, edhe pse 5 hapa me tej eshte nje “Kembane e Paqes”, e nja 100 m. eshte katedralja.

    Perballe xhamise u shperfytyrua Sahati e u kthye ne nje kulle qe i ngjan me shume asaj te nje kishe, duke e shkeputuar ate edhe vizualisht nga xhamia.

    e ndonje shembull tjeter qe nuk me shkon ndermend..

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: