Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arkitekturë / Urbanistikë

ARKIPELAG 2.0: RASTI I TIRANËS

Oscar Wilde ka thënë: “Ka vetëm dy tragjedi në jetë: njëra është të mos gjesh atë që dëshiron, dhe tjetra është ta gjesh atë.” E përshtatur për arkitekturën, aforizma mund të lexohej: “Ka vetëm dy tragjedi në arkitekturë: njëra është të mos realizosh utopinë tënde, dhe tjetra është ta realizosh atë.”

Mendohet gjerësisht se utopitë mbeten të parealizuara, por parë nga afër, rezulton e kundërta: me kalimin e kohës, utopitë bëhen reale, tepër reale…; ndonëse (të) pa-vend ato gjithmonë e gjejnë një vend. Për shembull, ndërsa plani Voisin i Le Corbusier-it i vitit 1925 nuk u realizua ku dhe kur ishte planifikuar, eventualisht ai u konkretizua në mbarë botën — nga Harlem-i në Dresden — pavarësisht kontekstit politik. Shpesh përpiqemi t’i shfajësojmë autorët e utopive duke pretenduar se ajo çka u materializua nuk ishte vërtet çka ata kishin menduar fillimisht. Por kjo nuk është e vërtetë. Le Corbusier-i synonte pikërisht atë çka vizatonte: si një “dhelpër që hiqej sikur të ishte iriq” — sipas karakterizimit të hollë të Colin Rowe (të huazuar nga ai që Isaiah Berlin i bën Tolstoit)[1] — Le Corbusier-i fshiu një llokmë të madhe të Parisit historik për të ndërtuar kulla që kishin pak të bënin me aurën dhe kujtesën kolektive të vendit.

Le Corbusier-i ishte po aq i përkushtuar ndaj vizionit të tij utopik sa ishte edhe florentini Gherardo Bosio kur fshiu të gjithë qytetin e Tiranës në Planin Rregullues të Përgjithshëm të vitit 1939 për të ndërtuar blloqe urbane me oborre të brendshme (Figura 1). Pavarësisht stileve të ndryshme, vizionet utopike e të dy arkitektëve ndanin të njëjtin thelb: fshirjen. Ndërsa Plani i Bosios, si ai i Le Corbusier-it, nuk u realizua në atë kohë, etosi i tij (fshirës) — edhe pse jo forma apo tipologjia urbane në vetvete — mbijetoi dhe u materializua ngadalë nën maska të ndryshme estetiko-politike. Vetëm sot vizioni fshirës i Bosio-s po konkretizohet përfundimisht: Tirana e dikurshme, fshirja e së cilës kishte nisur gjatë komunizmit, po zhduket me shpejtësi duke u zëvendësuar me vertikalizime imobiliare. Arsyeja e kësaj fshirjeje nuk është vetëm ekonomike, siç na thuhet shpesh, por edhe epistemologjike, duke pasur të bëjë me koncepte dhe metodologji të ndryshme të arkitekturës dhe urbanistikës, si dhe me mosnjohjen, keqinterpretimin, ose keqkuptimin e tyre. Ironikisht, kjo fshirje mundësohet nga abuzimi me konceptin postmodern të “arkipelagut,” i cili historikisht vuri në pikëpyetje vetë epistemën absolutiste fshirëse të planifikimit modern urban. Në Tiranë, arkipelagu përbëhet nga ndërtime-ishuj, kryesisht kulla, më “të pranishmet” e të cilave janë të gjitha të projektuara nga zyra të huaja (edhe pse projekt-zbatimi i shumicës së tyre kryhet nga firma shqiptare. Këto të fundit “bëjnë” vetëm për të mbushur fletë teknike por jo për të konceptuar arkitekturë…). Këto ishuj jo vetëm kanë përpirë strukturën ekzistuese urbane, por edhe kanë projektuar një zhdukje të ardhshme të qytetit.

Figura 1: Gherardo Bosio, Piano Regolatore di Tirana, 1941. Arkivi Teknik Qendror i Ndërtimit.

 

Historikisht, në shfaqjen e tij postmoderniste, koncepti i arkipelagut propozonte një ide të fragmentuar të qytetit, në formë ishujsh, përkundër planit gjithëpërfshirës modern. Arkipelagu premtonte mundësinë e formës urbane në kushtet e një urbanizimi total, duke kundërshtuar kështu planifikimin pa kufij nga njëra anë, si dhe shpërhapjen urbane [sprawl], pra mosplanifikimin urban po aq pa fund nga ana tjetër. Duke u bazuar në precedentë që shtriheshin nga vila e Hadrianit në Tivoli te kopshtet e Schinkel-it në Berlin, Oswald Mathias Ungers e pa qytetin arkipelag si një “kopsht arketipesh,” një “model utopik” të “kujtesës kolektive” që përfaqësonte “një histori formimi dhe transformimi, nga një tip [type] në tjetrin, një vazhdimësi morfologjike; një tekst ngjarjesh që përfaqëson ide dhe mendime, vendime dhe aksidente, realitete dhe fatkeqësi. Nuk është një pamje uniforme por një ansambël i gjallë copash dhe fragmentesh, llojesh dhe kundër-llojesh, një përplasje kontradiktash, një proces dialektik më shumë sesa linear.”[2] Ky koncept ilustrohet në propozimin e Peter Rieman dhe Ungers “Qyteti pa Qytetin” për Berlinin, ku fragmentet shpërndahen në një sfond të bardhë të rrjetëzuar (Figura 2).

Figura 2: Peter Rieman dhe Oswald Mathias Ungers, “Qyteti pa Qytetin,” propozim për Berlinin, 1977

Ajo që është utopike në konceptin e arkipelagut, sipas përkufizimit të mësipërm, nuk janë vetë ishujt (gjithmonë ka ishuj të perceptuar apo të imagjinuar në një qytet), por lundrueshmëria e tyre e supozuar “e lirë” në një kopsht “neutral” të indeksuar me të bardhë — domethënë, si “asgjë“. Utopia ndodh pikërisht në momentin e ripërmasimit dhe projektimit të këtij kopshti mbi një qytet apo kontekst urban ekzistues. Asgjë-ja e kopshtit i mundëson ishujt potencialisht – pra, eventualisht – të “hanë” ose të pushtojnë të bardhën përreth tyre (por që në realitet nuk është aspak e tillë, domethënë “e bardhë”), duke çuar kështu në zhdukjen e vetë kopshtit dhe arkipelagut. (A nuk zhduken ishujt kur uji tërhiqet…?) Rrjeta gjeometrike abstrakte është thjesht një alibi objektiviteti apo racionaliteti që, në të vërtetë, nuk i shërben veçse bërjes së zbardhimit fakt të kryer. Koncepti i arkipelagut rezulton të mos jetë gjë tjetër veçse një shteg [loophole] për të arritur tinëzisht tek një plan Voisin…, (por gjithsesi, një plan Voisin kallp dhe grotesk, me kulla ngjitur me njëra tjetrën, pa boshin (e gjelbëruar) mes tyre, një pseudo-koncept çbërës vetëshkatërrues, një “auto-kurban”, në shërbim të një shkretëtire imobiliare pa fund.

Ajo që po ndodh aktualisht në Tiranë është e rëndësishme pikërisht sepse demonstron një makinacion arkipelagësh, në veprim. Të projektuar nga emra të njohur si MVRDV, Stefano Boeri Architetti, Archea Associati, dhe 51N4E, mes të tjerëve, dhe të cilësuar si projekte “transformuese” nga portale online dhe organizata profesionale, kullat e Tiranës po lobotomizojnë – më saktë, e kanë lobotomizuar – qytetin, jo vetëm duke fshirë fizikisht strukturën urbane, por edhe duke e indeksuar këtë të fundit si pjesën e bardhë të arkipelagut, e destinuar për tu zhdukur në të ardhmen. Arkitektët e këtyre “kullave të pazakonta,”[3] siç i quan një artikull i fundit në Dezeen (seriozisht apo me ironi është e vështirë të thuhet…), e përshkruajnë Tiranën si një “kaos” urban, pa formë apo histori, një “xhungël” urbane që duhet zbardhur.

“E bardha” e hartës arkipelagike fshin jo vetëm hapësirën gjeografike urbane por edhe atë të domethënies dhe kuptimit të mjedisit të ndërtuar. Nëse Ungers përdorte shënjues arketipikë nga historia e pasur arkitekturore për të evokuar një hapësirë të kujtesës kolektive, arkitektët e kullave të Tiranës përdorin ikona mitike për të etiketuar hapësirën e një harrese kolektive, e cila nuk përfaqëson veçse mungesën e shënjuesve. (Shënjuesit, sado “lundrues” qofshin, gjithmonë nënkuptojnë një stok referencash që e mundëson “lundrimin”, stok ky që, me sa duket, Shqipëria nuk e paska…) Downtown One e MVRDV-së ka fasada të formësuara si harta e Shqipërisë, e cila rezulton e invertuar në fasadën juglindore, me Korçën në perëndim dhe Vlorën në lindje. Nëse do të linim mënjanë për një çast vulgaritetin e projektimit të hartës së një vendi në fasadë, si dhe mospërkatësinë fyese të kësaj mase vertikale me çka e rrethon, a ka vallë ndonjë arsye simbolike prapa këtij invertimi të hartës (se arsye teknike nuk ka), apo është neglizhencë, pahijeshi, ose paaftësi nga ana e arkitektit për të menduar përkthimin e së njëjtës përmbajtjeje figurale në faqen e kundërt të një objekti (një problem jo i ri në arkitekturë)? Apo është thjesht tallje ndaj një vendi ku çdo estetikë kalon? Dhe nëse kjo e fundit, atëherë kur do ta kuptojmë vallë ne këtë tallje?  Tirana’s Rock ka formën e bustit të heroit kombëtar shqiptar, dhe nuk mund të ngjallë veçse hilaritet primitiv, për shkak të përputhjes ose afërsisë së sforcuar së ngarkesës historiko-mitike që imazhi akustik “Skënderbeu” mban, me shënjues truporë të veçantë, si veshi, hunda, apo kaptina e heroit, të ripërmasuar në shkallë urbane. Kurse Piramida është zbardhur me një burkë postmoderne kutiçkash shumëngjyrëshe që evokojnë kioskat e paligjshme të viteve ’90.[4] Çka serviret si një domethënie post-historike, punon si një etiketim pre-historik kanibalist i një vendi që, me sa duket, ofron vetëm materiale dhe bimësi lokale por jo formë; tokë por jo hapësirë; klimë por jo atmosferë; natyrë por jo kulturë; mite por jo histori; emblema por jo tekste.

Nëse arkitektët e këtyre “rosave” amnezike do kishin shpenzuar sadopak kohë të lexonin kontekstin ekzistues, do zbulonin se Tirana nuk është (ose nuk ishte…) një “xhungël” (pavarësisht trafikut të saj…), por një palimpsest urban i shtresëzuar me forma, tipologji, ornamente, shenja dhe veçanti të vetat. Tirana karakterizohej nga një ndërthurje dhe individualizim i mëhallave të zhvilluara rreth bërthamave fetare ishullore dhe ndërhyrjeve urbane moderne të viteve ’20 dhe ’30 nga arkitektë austriakë, italianë dhe shqiptarë. Këto ndërhyrje ripërmasuan njësitë urbane duke futur në to ndërtesa të reja dhe duke “krasitur” pëlhurën e tyre ekzistuese [diradamento] — për të përdorur një koncept të Gustavo Giovannoni-t. Këto ndërhyrje rezultuan në theksimin e prirjes së brendshme radiale të qytetit, duke ruajtur bërthamat ishullore. Plani i Gherardo Bosios i vitit 1939 ishte i pari që injoroi si mëhallët ekzistuese (si në rastin e Pazarit të Vjetër që do të prishej në vitet ’50 e në vazhdim) ashtu edhe shumë nga ndërhyrjet moderne deri në atë moment (si në rastin e ish-godinës së bashkisë të Di Fausto-s që do të prishej në vitet ’70), duke i paraprirë kështu fshirjes së plotë të qendrës dhe, eventualisht, qytetit ekzistues. Gjatë komunizmit, ky plan nisi të marrë formë kryesisht në sheshin Skënderbej dhe rreth tij, ndërsa pjesa tjetër e qytetit e ruajti konfigurimin e vet urban, jo aq shumë për shkak të ndonjë ndjeshmërie disiplinore, ligjëruese, apo historike sesa thjesht për mungesë kapitali.[5]

Sikur të kishte lekë në kohën e komunizmit, ndoshta Tirana do të dukej ekzakt si sot, një hipotezë kjo e hidhur por kthjelluese, që s’është vështirë ta demonstrosh (më tepër mbi të në një artikull të ardhshëm).

Por çka mund të ndodhë nuk e justifikon atë që ndodh. Me fjalë të tjera, prirja nuk e legjitimon konkretizimin e saj. Konkretizimi i prirjes është zgjedhje, jo fat… Ja që Tirana që trashëguan konkurset ndërkombëtare në fillim të viteve 2000, me gjithë prirjet e saj vetëshkatërruese në histori, nuk ishte thjesht një qytet kaotik amorf (pa formë) me arkitekturë “socialiste” “gri” dhe kioska “demokratike” “kitsch”, siç thuhet shpesh paturpësisht, por një qytet-kopsht unik, që kombinonte lehtësisht planifikimin modern me piktoresken; një qytet me struktura të larmishme paramoderne dhe moderne, pjesa më e madhe e të cilave janë aktualisht ose të fshira ose duke pritur përgjatë “the green mile“. Shumë pak propozime në këto konkurse, si ato të Architecture Studio dhe Mecanoo Architects, e kuptuan veçorinë urbane të Tiranës dhe mundësinë për ta ruajtur dhe përditësuar atë. Prej atëherë, është mbajtur një qëndrim përjashtues i llojit “ose (kështu)/ose (ashtu)” [either/or], ku zhvillimet e reja gjithmonë bazohen në fshirjen e strukturës ekzistuese. Askund nuk demonstrohet më qartë ky qëndrim sesa në sheshin Skënderbej, fshirja e të cilit — e mbarsur që në planin e Bosios — mori rrugë pjesërisht dhe me ndërprerje që në vitet e komunizmit dhe me furi më pas, gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit (Figura 3).[6] Ka një refuzim ideologjik kokëfortë të vazhdueshëm, si nga vendimmarrësit ashtu edhe nga arkitektët dhe zhvilluesit, për të kuptuar se është gjithmonë e mundur të kombinohen zhvillime të reja arkipelagike me kontekstin ekzistues, në mënyrë që ishujt jo vetëm të “lundrojnë” më vete, në mënyrë utopike, të pa-vendtë, si në një asgjë ose askund “të bardhë” të supozuar si neutrale, por edhe të angazhohen konkretisht me këtë “të bardhë”. Në këtë mënyrë, ishujt do të punonin si hiper-tekstualisht ashtu edhe kon-tekstualisht, duke ndërvepruar si me të largëtën ashtu dhe të afërtën, si me të renë ashtu edhe të vjetrën. Në këtë mënyrë, nuk do të kishte vetëm një arkipelag utopik vetëfshirës, por një plot-bosh arkipelagik të nuancuar, që do të mundësonte dhe rezultonte në lexime të shumëfishta, pra një hapësirë demokratike.

Figura 3 Kronikë e transformimeve të Sheshit Skënderbej, 1921–2021. Zhdukja e plotit [poché-së] gri (të errët) tregon fshirjet e Sheshit Skënderbej gjatë 100 viteve të fundit. Vizatimi nga autori.
1. Pazari i Vjetër;
2. Xhamia e Et’hem Beut me Kullën e Sahatit;
3. Trupi në formë patkoi i ministrive me kopshtin e zhytur në mes;
4. Ndërtesa e Bankës Kombëtare;
5. Kafeneja Kursal;
6. Bashkia e Vjetër;
7. Pallati i Kulturës;
8. Hoteli Tirana International (dikur Hotel Tirana);
9. Muzeu Historik Kombëtar;
10. Godinat e banimit, të ashtuquajturat “nëntëkatëshet”;
11. Ndërtesa e Librave;
12. Kulla e Hotelit Tirana International

© 2025 Skënder Luarasi. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Hidream 3.0

Shënime

[1] Shiko: Isaiah Berlin, Russian Thinkers, (London & New York: Penguin Books, 1978), 23-34. Colin Rowe adapts Berlin’s categorization in: Colin Rowe & Fred Koetter, Collage City, (Cambridge: The MIT Press, 1978), 92-93
[2] Këtu i referohem: Oswald Mathias Ungers, “Architecture of the collective memory: The infinite catalogue of urban forms,” Lotus International, Issue 24, 1979/III, pp. 5-11, 9
[3] Kështu i përshkruan Dezeen në  “Why are so many unusual skyscrapers being built in Tirana?“, aksesuar ne 8 Mars, 2025.
[4] Për renovimin e Piramidës nga MVRDV shkruaj në: Luarasi, Skender. “The Destructive Rebirth of the Pyramid of Tirana.” Architectural Record, RECORD Forum, February 27, 2024.  ISSN 0003-858X.
[5] Zhvillimin urban e sheshit Skanderbej gjatë njëqind viteve të fundit e trajtoj ne detaj në: Luarasi, Skender. “The Life and Death of Skanderbeg Square: The Chronicle of an Undoing Foretold, In a Hundred Years,” Future Anterior: Journal of Historic Preservation History, Theory, and Criticism, Volume 19, Number 1, 2022, pp. 126-148, ISSN 1934-6026, Print ISSN 1549-9715
[6] Shiko: “The Life and Death of Skanderbeg Square,” Ibid.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

1 Koment

  1. Përtej utopisë dhe distopisë qëndron E Bukura.

    Dokumentarin në linkun më poshtë do t’ia rekomandoja për ta parë çdo studenti të arteve, përfshirë – sidomos – arkitektët e nesërm.

    Roger Scruton – Why Beauty Matters (2009)

    https://vimeo.com/549715999

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin