SHQIPJA TOTALITARE (VI)

Zbehja deri në zhdukje e autorit nga ligjërimi publik, veçanërisht nga ligjërimi me natyrë ideologjike dhe politike, pati edhe një pasojë të papritur e të padëshirueshme në ligjërimin jo doemos ideologjik.

Brenda 30-vjeçarit 1960-1990 u shkruan e ndonjëherë edhe u botuan një numër shumë i madh tekstesh me natyrë shkencore, shkencore-aplikative, teknike, didaktike-pedagogjike dhe shkencore-popullarizuese.

Një pjesë e mirë e këtyre teksteve ishin disertacione për të mbrojtur gradën e kandidatit të shkencave, ose më pas të doktorit të shkencave. Një pjesë tjetër ishin artikuj të botuar në revista shkencore të specialitetit (të UT ose të Instituteve të Akademisë së Shkencave). Më në fund, në këtë grup futeshin edhe tekstet mësimore për shkollat e veçanërisht për universitetet.

Ky lloj ligjërimi publik zakonisht shtjellohej në mënyrë joideologjike, duke iu përmbajtur kritereve të të shkruarit shkencor – të cilat janë të rrepta dhe të kolauduara prej kohësh.

Një tekst, bie fjala, i zooteknikës, vërtet do të niste me një citat nga Enver Hoxha, e do të vazhdonte me një parathënie rreth sukseseve të zooteknikës shqiptare, por pastaj praktikisht nuk do të merrej më me impostime ideologjike.

Po ashtu, një disertacion për rezervat e naftës në Shqipëri, do të hapej me idenë e hedhur nga Udhëheqësi, se “nëntoka shqiptare është e pasur me naftë’, por pastaj do të detyrohej të futej në hollësi teknike ose inxhinierike, për të cilat brroçkullat staliniste nuk ndihmonin shumë.

Megjithatë, ligjërimi publik tekniko-shkencor në Shqipërinë totalitare gjithashtu u përçudnua rëndë; dhe kryesisht ngaqë, me konsolidimin e autarkisë në vend, kontaktet e natyrshme të institucioneve shkencore shqiptare me ato të huajat praktikisht u ndërprenë.

Nga ajo kohë u bë zakon të flitej për një “shkencë shqiptare”, koncept i çuditshëm që përpiqej të bashkonte nën të njëjtën ombrellë veprimtarinë shkencore të institucioneve në Shqipëri; dhe shkencën që merrej me problematika shqiptare (në vitet nëntëdhjetë këtij koncepti i është shtuar, arnuar ose salduar veprimtaria kërkimore-shkencore e shkencëtarëve shqiptarë për llogari të institucioneve të ndryshme nëpër botë).

Ligjërimi shkencor, për nga natyra e vet dhe për nga synimet që kërkon të arrijë, është vetvetiu i ndërthurur; nëse ti ulesh të shkruash një artikull për sëmundjen e plasjes së bagëtive, je i detyruar të njohësh se çfarë thuhet në literaturë për këtë problem; përndryshe nuk po bën shkencë, por folklor.

Për shkak të koncepteve autarkike, dhe të kontrollit të rreptë ndaj literaturës së huaj që hynte në Shqipëri, autorët e teksteve shkencore të çfarëdolloji e kishin të vështirë jo vetëm t’i konsultonin botimet e huaja bashkëkohore, por edhe t’i citonin haptazi (për një kohë të gjatë, autorë amerikanë dhe sovjetikë nuk lejoheshin të citoheshin, edhe pse bibliotekat vazhdonin të blenin sasi jashtëzakonisht të mëdha librash dhe revistash tekniko-shkencore në rusisht, të cilat kushtonin shumë lirë).

Nga ana tjetër, punimet shkencore të autorëve shqiptarë shumë rrallë e kapërcenin kufirin; përndryshe qarkullonin brenda vendit dhe lexoheshin prej pak kolegëve, në një kohë që kryesisht shërbenin si hallka të procesit burokratik të kualifikimit shkencor.

Më në fund, politika e “mbështetjes në forcat e veta” u kërkonte katedrave universitare që t’i hartonin vetë tekstet mësimore për studentët, të cilat normalisht duhej të ishin përkthyer.

Në vitet 1960-1970 shumica e pedagogëve në universitete dhe e shkencëtarëve të institucioneve kërkimore i përkisnin shkollës sovjetike; pse kryesisht kishin studiuar në vendet e Lindjes. Për të gjithë këta, shkëputja e lidhjeve me institucionet që i kishin prodhuar ishte praktikisht fatale.

Kontradiktën midis shkëputjeve, shurdhimeve, bllokimeve dhe censurimeve nga njëra anë, dhe nevojës gati burokratike për të prodhuar tekste shkencore, autorët shqiptarë shpesh do ta zgjidhnin ashtu siç mund të zgjidhej: duke e shndërruar plagjiaturën në rutinë.

Shumë prej këtyre autorëve e kishin rusishten si gjuhë të parë të huaj, dhe formimin akademik e kishin marrë gjithashtu prej shkollës ruse; kjo e fundit, në raport me shkollën perëndimore, kishte edhe avantazhin që i afrohej shkencës “shqiptare” për nga metodologjia, pa përmendur qindra mijëra libra e revista rusishte në raftet e Bibliotekës Kombëtare e të Bibliotekave Universitare.

Për pasojë, autorët sovjetikë ishin ata që plagjiarizoheshin më tepër e më egërsisht; meqë gjithsesi nuk mund të citoheshin në punimet.

Plagjiatura u jepte teksteve të asaj kohe një farë natyre, si të thuash, transhendentale; sepse ishte fjala për një ligjërim të “tjetrit” e të prodhuar në rrethana të tjera, i cili shpesh sillej në shqipe i përkthyer keq dhe sidomos i përshtatur keq me kontekstin specifik. Tekstet shpesh i referoheshin një realiteti të tjetërkundshëm.

Natyrisht, një inxhinieri ose një dentisti nuk mund t’i kërkosh po atë origjinalitet në disertacion që, përndryshe, do t’ia kërkosh historianit ose juristit. Prandaj plagjiatura në ligjërimin tekniko-shkencor totalitar në Shqipëri ishte më shumë pasojë e autarkisë dhe e moskomunikimit me botën, sesa e pandershmërisë së autorëve.

Megjithatë, e pavarësisht nga rrethanat që e induktuan, plagjiatura në shkencën shqiptare ishte edhe ajo një formë e zbehjes deri në zhdukje të figurës së autorit, i cili si të thuash preferonte fshihej prapa pranisë së teksteve të tjera në tekstin e tij (dukuri përndryshe njihet si intertekstualitet).

Ideologjikisht, këto tekste i referoheshin hapur kanonit zyrtar (fjalimeve të Enverit, dokumenteve “kryesore” të Partisë); shkencërisht, tekstet e Tjetrit manifestoheshin nëpërmjet plagjiaturës.

Bibliotekat në Shqipëri, edhe sot e kësaj dite, i kanë të mbushura raftet me mijëra e mijëra disertacione që u shkruan brenda pak dekadave, në bazë të planeve të katedrave e të sektorëve shkencorë të instituteve, e që u shërbyen autorëve për të fituar gradat përkatëse të kualifikimit. Vlera e tyre shpesh matet me përpjekjen e autorëve për t’i shkruar; përndryshe mbeten dëshmi autentike të mentalitetit prej kuvendi murgjësh që kishte kapluar kulturën shqiptare zyrtare në totalitarizëm.

8 Komente

  1. Xha xha,

    Shqipja totalitare eshte kaq interesante (sa edhe e dhimbshme dhe argetuese) saqe une uroj te mos mbaroje kurre.

    Per kete pjese une do shtoja, qe nese dikur punonjesit e shkences nuk kishin alternative tjeter vecse te kopjonin e ta quanin ate te tyren; sot qe i kane mundesite, vazhdojne te bejne te njejten gje; me vetedije dhe te paguar nga fonde programesh evropiane per nxitjen e arsimit ne Shqiperi.

  2. SR,

    Më kujtove dhe diçka tjetër, cilësinë tekstuale të botimeve të sotme. Të paktën botimet e diktaturësh, brenda gjuhës totalitare, kishin një përkujdesje të madhe drejtshkrimore e printuale, por shumë libra shkencorë që më kanë rënë në dorë këto vite janë “aman o Zot”.

    Pastaj del prapë tema e përkthimeve, se ka libra botuar sot që nëse di vetëm shqip s’i kupton dot mirë, sepse ai/ajo që e ka përkthyer tekstin nuk çlirohet dot nga vargojtë e fjalëve.

    Sa për fondet perëndimore, për këtë nuk flitet shumë, se do ca këllqe të forta në Shqipëri.

    A është kjo vetëm vendore (si pjesë e korrupsionit dhe prapambetjes), apo ka dhe anën tjetër, fajin e perëndimorëve, të cilët nuk e marrin seriozisht gjuhën dhe kulturën shqiptare, të cilën ngaqë e njohin shumë pak e marrin për të pandërlikuar dhe ia besonë gjithkujt që dëshmon dedikimin e tij ndaj tyre?

  3. Bizantin,

    ndoshta po dalim pak nga tema, por une besoj se per perendimoret ceshtja trajtohet keshtu, kemi kaq fonde per shqiperine per arsimin dhe shkencen. Shqiperia thote, nuk me intereson shkenca por leket me pelqejne. Atehere, investohet ne projektet te tipit te sigurt: tekste (Une do t’i kisha investuar ne xhama dritaresh, sinqerisht). Tekstet mungojne, investimi duket i arsyeshem. POR, askush nuk eshte i interesuar te shohe se cfare perfaqesojne keto tekste dhe cfare cilesie kane. Te dy palet ndahen te kenaqur. Fondet jane perdorur dhe do raportohen si investim i suksesshem (shqiperia po ecen perpara). Shqiptaret jane te kenaqur se hem kane nje liber ne CV (me te cilen do konkurrojne pastaj kolegun qe vjen nga jashte), e hem e konsiderojne kete palo pune si pjese te reformes, dhe ata vete si reformues. Ne te vertete, nuk ka ndryshuar asgje nga shqipja totalitare VI, me ndryshimin qe nuk e kemi me hyrjen ideologjike (por kemi me shume gabime ortografike). Guxo t’i drejtosh nje pyetje nga teksti i tij nje pedagogu shqiptar! Skenarin mendoje vete 😉

  4. Xha xha,

    Shqipja totalitare eshte kaq interesante (sa edhe e dhimbshme dhe argetuese) saqe une uroj te mos mbaroje kurre.

    Shqipja totalitare eshte sebep qe mua shkrimet ne shqip nuk me bejne kuprtim. Ben perjashtim shqipja e ketij blogu, e kam thene edhe gjetke.

  5. Është gjynah se si shkoi mbrapsht një periudhë kaq e volitshme për përmirësime në botime…

    Sa për pllagjiaturën në botimet e shqipes totalitare, kishte raste kur autori bënte dhe burg, ndërsa sot jepen çmime ekselence mbi vepra që më vonë zbulohet se janë shqeto pllagjiaturë.

  6. Për mua, le të them, asgjë mbi realitetin e sotëm shqiptar përbën kënaqësi, por është pikërisht zhgënjimi dhe dhimbja që i bën këto tema të rrokshme, të debatueshme dhe të rrahshme, nga njëra anë, dhe detyrimi moral e përgjegjësia qytetare që nxit për t’u përfshirë, nga ana tjetër. Një ndjesi të tillë e kuptoj më mirë kur shkruaj mbi këto tema: një proces i dhimbshëm, torturë e gjallë, s’do të mohoja. “U mërgoftë prej meje një kupë e tillë”, them kur e shtyj ndërgjegjshëm të shkruarit.

    Me këtë përqasje (personale), SelfMadeRadio, çdo send shqiptar fsheh për mua një kurth tinzar, i pashquar mirë në cipë e në qasje. Dhe përderisa fjala rreh tek gjuha, dhe përderisa është përfolur se gjuha e sotme iu imponua dhunshëm historisë shqiptare, cila gjuhë tjetër zyrtare nuk është imponuar përdhunshëm?

    Kjo është një tjetër pyetje, jo për të më shtyrë pështjellim, sesa për të ndijuar temën.

    Greqishtja demotike (zyrtare e sotme), për shembull, është gjuhë e imponuar nga parlamenti, madje në ditë jo shumë demokratike për Greqinë e mesviteve 70. Po kështu edhe drejtshkrimi monotonik (me një theks) në fillimvitet 80. Atje pati viktima, të vdekur e të vrarë, pikërisht për të shquar sot se greqishtja zyrtare është një gjuhë e imponuar në mënyrë totalitare.

    E të tjera.

    (Po shqipja e sotme në Kosovë? E bëj kot, për inerci, pyetjen).

    Por ku lexova rreshtin tënd, SR, mu kujtua Faik Konica, i cili, shkruante në gazetë në mesvitet 20, se ata që do të luftojnë qeverinë e Tiranës janë përgjegjës për burgosjen e të afërmve të tyre në Shqipëri (cituar nga kujtesa).

    A s’është kjo totalitare, jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për Amerikën e viteve 1920?

    Ose ndoshta debati do të kërkojë se çfarë nuk është totalitare. Ose, ose, kur NUK jemi totalitarë, sidomos ne, të mëkuarit në gjirin totalitar.

    Shkrimet e tua, SR, na kanë mësuar shumë mbi këtë.

  7. Xhaxha, po sikur faji të mos ketë qënë i totalitarizmit?
    Fakti që në këto 20 vjetët e fundit, një brez i tërë është rritur pa e njohur atë periudhë, dhe aq më tepër që shumë janë arsimuar dhe kulturuar në vëndet perëndimore , dhe sërisht të jenë të paaftë për të bërë gjësend më me mënd përsa asaj që REKLAMOJNË që kanë studiuar, dhe s’dinë të bëjnë tjetër, përveç asaj që të përpiqen po aq ultësisht ti shërbejnë politikës dhe kërkesave të saj në mos me më tepër devotshmëri se njëherë e një kohë.

    Ku ‘shkëlqejnë’ më tepër intelektualët e sotëm??
    Natyrisht, në HISTORI dhe në analizat e analizave të të tjerëve.

    Lexoja tek Bizantini, që megjithëse Noli nuk dinte të shkruante mirë shqip, pati kurajon që të drejtonte thirrjen të gjithë intelektualëve të kohës që ta ndihmonin në një projekt të tijin…
    A do të lindin më intelektualë të tillë që të vlrësojnë fjalën dhe kulturën e bashkohësve të tyre dhe të mos shohin tek njëritjetri vetëm “një rrezik të mundshëm për ta lënë në hije”?

    Uroj dhe shpresoj në një brez tjetër… edhe ky i sotmi, … iku…

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin