SHQIPJA PËR AUTOKTONINË

Marrëdhëniet e shqipes së lashtë me greqishten e vjetër janë aq të rralluara, sa nuk ndihmojnë shumë për të kuptuar strukturën dhe specifikën e gjuhës shqipe dhe as ecurinë e saj në shekuj.

Ndryshe nga elementi latin, që është i shumtë në leksikun e shqipes, fjalët që shqipja supozohet t’i ketë “marrë” nga greqishtja e vjetër janë të pakta në numër dhe nuk përftojnë ndonjë sistem. Deri më tash kanë identifikuar, me përafërsi, nja 30 të tilla, të cilat historianët e gjuhës nuk harrojnë kurrë pa i përmendur dhe pa i analizuar ato me hollësi.

Dhe kjo, sepse fjalët që kanë hyrë në shqipe nga greqishtja e vjetër janë dëshmi e kontaktit mes dy gjuhëve, dhe ky kontakt u duhet si provë sidomos të gjithë atyre që duan të përcaktojnë vendin se ku është formuar gjuha shqipe.

Me arsye, sa më shumë fjalë të kenë hyrë në shqipe nga fqinji jugor, aq më gjasë ka që shqipja të jetë formuar në zona të afërta me ato të greqishtes së vjetër – me fjalë të tjera, në jug të Shkumbinit dhe sidomos afër brigjeve të Adriatikut, ku gjendeshin edhe disa koloni greke të rëndësishme, si Durrësi dhe Apollonia.

Çështja është më shumë gjeografike, se gjuhësore; por u vlen si argument atyre që merren me autoktoninë, dhe që duan të provojnë se shqipja në lashtësi ka qenë folur pak a shumë po atje ku flitet edhe sot (ose të kundërtën).

Për albanologjinë, mbështetja e tezës që shqiptarët janë “autoktonë” ka qenë objektiv qendror, pjesë e misionit të shenjtë; sidomos në kontekstin e kundërvënies ndaj tezave të atyre “të tjerëve”, që i nxjerrin shqiptarët të ardhur në viset e tanishme.

Por këtu kemi dalë nga gjuhësia e mirëfilltë: që një popull është vendës apo i ardhur, edhe sikur të jetë çështje mirëfilli shkencore, kjo nuk i përket gjuhësisë që ta trajtojë, sepse gjuhësia nuk merret me lëvizjet e popujve. Për arsye të ngjashme, nga pikëpamja mirëfilli linguistike, një gjuhë që ka ndërruar gjeografi gjatë një periudhe të caktuar historike nuk duhet të ketë ndonjë dallim të brendshëm a strukturor nga një gjuhë që gjeografinë e ka ndërruar shumë më parë.

Prandaj, çështja e autoktonisë vjen në vështrim të gjuhësisë vetëm ngaqë gjuhësia mund të sjellë disa argumente në favor ose kundër kësaj apo asaj teze, në lidhje me vendin e formimit të gjuhës dhe të popullit që e flet.

Për shembull, fakti që shqipja e sotme ka një numër shumë të madh fjalësh të latinishtes vulgare ballkanike, dëshmon se kjo gjuhë, në lashtësi, ka qenë në kontakt të ngushtë me atë latinishte; ose fakti tjetër, që shqipja nuk duket se ka huazime nga gotishtja ose ndonjë gjuhë tjetër gjermanike, dëshmon se kjo gjuhë nuk duhet të ketë pasur shumë kontakte me fiset gote ose gjermanike në Ballkanin e lashtësisë dhe të Mesjetës së Hershme.[1]

Puna e huazimeve të shqipes nga greqishtja e vjetër është më e ngatërruar. Nëse shqiptarët e hershëm kanë jetuar përgjatë vijës bregdetare të Adriatikut dhe në kontakt me grekët e kolonive, atëherë në shqipen e tyre do të kenë hyrë një numër i madh fjalësh të greqishtes së vjetër. Po ku janë këto fjalë sot? Këtë mospërputhje logjike mund ta shpjegonim kështu: ata shqiptarë të hershëm që kanë qenë më afër bregdetit dhe në kontakt me folës të greqishtes, më pas janë asimiluar. Përkundrazi, shqipja e sotme – me atë strukturë leksikore që ka (por jo vetëm) – dëshmon se rrjedh nga një formë (dialekt?) e shqipes së hershme që nuk ka pasur shumë kontakt me grekët e vjetër, meqë do të ketë qenë folur më në brendësi ose më në veri.

Një hipotezë alternative, do të ishte që (të paktën disa nga) fjalët greke të vjetra në shqipe janë aq të hershme, sa nuk mund të dallohen me analizat krahasimtare konvencionale; duke u konsideruar sot ose si pjesë e fondit indo-europian (“të trashëguar”) të shqipes, ose si të pashpjeguara. Kjo mundësi nuk është, metodologjikisht, pa lidhje me çfarë përsiat herë pas here edhe Çabej në studimet e veta etimologjike, kur vë në dukje për një fjalë se mund të jetë huazim nga greqishtja bizantine, por mund të jetë edhe nga greqishtja e vjetër. Një dukuri e ngjashme ndodh edhe me disa fjalë të fondit latino-roman të shqipes, për të cilat është e vështirë të përcaktosh nëse janë të latinishtes ballkanike, të italishtes, të latinishtes mesjetare (p.sh. kishtare), të venecianishtes apo të dalmatishtes. Skicë-hipoteza ime, që sugjeron mundësinë që shqipja të ketë edhe një fond huazimesh shumë të hershme nga greqishtja e vjetër, aq të hershme sa këto huazime të mos dëshmojnë as mishërojnë shndërrimet fonetike karakteristike për huazimet më të vona, kërkon ta shtyjë në kohë hapësirën e marrëdhënieve leksikore të shqipes me greqishten e vjetër. Mund të përfytyrojmë një dialekt të shqipes së hershme, mjaft të ekspozuar ndaj greqishtes së vjetër, që pastaj u zhvendos më në veri dhe u asimilua me dialektet e tjera të shqipes, duke lënë ndonjë gjurmë në to; ky dialekt mund të mos i ketë trajtuar huazimet nga greqishtja e vjetër njëlloj si dialektet e shqipes më në veri. Kam ndeshur, në studimet etimologjike të Çabejt, por edhe në ato të B. Demirajt, idenë se ka një numër fjalësh të shqipes që afrojnë shumë me fjalë të greqishtes së vjetër, por që nuk i plotësojnë kriteret fonetike-krahasimtare, për t’u identifikuar si huazime – këto do të ishin kandidate për t’u shqyrtuar si huazime tejet të vjetra. Këtu do të përsiatim pastaj edhe mundësinë që të ketë edhe greqishtja e vjetër ndonjë huazim tejet të hershëm nga shqipja, aq të hershëm sa të mos njihet dot nga studiuesit e sotëm të cilët e kanë ndërtuar shqipen e vjetër kryesisht në bazë të elementit të saj latin. Do të sillja në mbështetje të kësaj hipoteze – detyrimisht spekulative – një ide të Paul Kretschmer-it, autorit të një Einleitung in die Geschichte der grieschischen Sprache, se “nga pikëpamja linguistike, dallimi mes nocionit të afërisë (parenté) dhe huazimit është thjesht i natyrës kronologjike”[2], meqë i klasifikojmë si huazime fjalët që kalojnë nga një gjuhë indo-europiane tek tjetra sa herë që pikasim një shkelje të rregullsisë së përkimeve fonetike. Të njëjtën ide e gjen edhe te Boas-i, për të cilin, “po të shkojmë mjaft prapa në kohë, bëhet e pamundur të dallosh rezultatet e huazimit nga ato të prejardhjes së përbashkët”[3].  Nëse e besojmë këtë, atëherë sa më të lashta në kohë të kenë qenë marrëdhëniet mes greqishtes së vjetër dhe shqipes, aq më problematik bëhet dallimi mes huazimit dhe bashkëpërkimit.

Për t’u shënuar se edhe semitologu Martin Bernal, në veprën e vet kontroversiale “Athina e zezë” (vol. III), vëren se, kur vjen fjala për marrëdhëniet e greqishtes së vjetër me protoshqipen, këto marrëdhënie u referohen shkëmbimeve që janë kaq të vjetra në kohë, sa është praktikisht e pamundur të dallohen bashkëpërkimet leksikore prej huazimeve. Ky përfundim i hyn në punë atij autori për të mbështetur hipotezën e vet, gjithnjë të diskutueshme, se bashkëpërkimet leksikore të greqishtes së vjetër me shqipen dhe armenishten (mjaft të njohura në indoevropianistikë), nuk mjaftojnë për të vërtetuar natyrën indoevropiane të fjalëve përkatëse – meqë këto mund të kenë hyrë në greqishte nga një gjuhë semitike dhe pastaj prej greqishtes të jenë përhapur edhe në dy gjuhët e tjera.

Në çdo rast, edhe sikur autoktonia të përbënte një problem mirëfilli linguistik (për mua nuk përbën), këtë problem nuk mund ta zgjidhim duke qëmtuar historinë e jashtme të shqipes në lashtësi – sepse nuk është shkencore të supozohet që shqipja moderne është vazhduese e krejt (proto-)shqipes, ashtu siç flitej ajo nga të gjithë shqiptarët e hershëm (ose para-ardhësit e tyre). Nga ana tjetër, mbase ka vend për ta vazhduar hetimin e marrëdhënieve shumë të vjetra, mes shqipes dhe greqishtes së vjetër, duke u nisur nga premisa se ai dialekt/version i shqipes që merrte pjesë në këto marrëdhënie ka pasur karakteristika disi të ndryshme nga dialekti/versioni i shqipes që ka dhënë shqipen që njohim dhe flasim sot.[4]

***

Ashtu siç vazhdon të formulohet sot e kësaj dite, madje në tryeza të dijshmish, problemi i autoktonisë trashëgon disa konceptualizime me natyrë mitike, nga ideologjia romantike e indo-europianistikës së shekullit XIX.

Një nga këto, është ideja se gjuha – cilado gjuhë – në lashtësi ka qenë më homogjene dhe pastaj ka ardhur duke u diferencuar. Për shembull, edhe tani dëgjon rëndom të thuhet se “dialektet kryesore të shqipes kanë qenë më afër njëri-tjetrit se tani”, dhe se gjendja e sotme gjuhësore është rezultat dhe refleks i një procesi diferencues.

Ngaqë nuk kemi dëshmi të shqipes para shekullit XV, këtë nuk e përcaktojmë dot me saktësi; por të thuash se shqipja ka ardhur duke u diferencuar, do të thotë të parakuptosh – si premisë – se shqipja e sotme është rezultat i ekspansionit të një numri të vogël folësish, që ishin bartës të një dialekti homogjen. Kjo është edhe teza e “bombës demografike” e Stadtmüller-it, i cili e shihte origjinën e shqiptarëve dhe të shqipes te një zonë e kufizuar, diku mes Matit dhe Mirditës, në Mesjetën e Hershme.

Modeli i ekspansionit demografik rimerr, në përpjesëtim të reduktuar, modelin e ekspansionit indo-europian dhe është po aq spekulativ sa ky. Në veçanti, ideja se një realitet bashkëkohor kompleks e ka origjinën te një nukleus homogjen vjen, në thelb, nga biologjia dhe nuk ka arsye të pranohet pa shqyrtim kritik. Edhe sikur dialektet e sotme të shqipes të jenë relativisht të reja në moshë, ato fare mirë mund t’u janë mbivendosur dialekteve të tjera, të një shqipeje më të hershme, duke i asimiluar këto.

Aq më tepër, në rrethanat historike kur shqiptarëve të hershëm u është dashur të zgjedhin mes largimit në brendatokë dhe asimilimit, ata që janë larguar nuk i kanë ruajtur dot strukturat dialekt-gjeografike të shqipes së tyre. Këtë e ilustron më së miri situata gjuhësore e ngulimeve arbëreshe në Italinë e sotme, të cilat janë rezultat i një përzierje dhe asimilimi dialektor të ndërsjelltë, mes të folmeve të ndryshme të atyre shqiptarëve që u vendosën në Italinë e Jugut. Kjo situatë dhe natyra e variacionit gjuhësor (diatopik) tek arbëreshët nuk mund të shpjegohet me rregullsitë e brendshme të historisë së gjuhës (diakronisë) dhe as të dialektologjisë historike, sa kohë që ngulimet u krijuan artificialisht – p.sh. duke u themeluar një katund a grup katundesh nga të ardhur prej Prevezës, ndërsa katundi a grupi i katundeve përbri nga të ardhur prej Myzeqesë; çfarë solli pranë e pranë dy të folme që, në Ballkan, kishin distancë të madhe gjeografike mes tyre. Le të përfytyrojmë sikur të themelohej sot diku larg Shqipërisë një koloni e ngjashme, ku njëri fshat të kish banorë nga Mati, ndërsa tjetri nga Mallakastra – dialekteve përkatëse do t’u mungonte edhe vijueshmëria e dialekteve të përftuara nëpërmjet thjesht diferencimit gjuhësor-gjeografik (nëse një gjë e tillë ekziston vërtet). Me kalimin e kohës, kjo lloj përzierjeje trajtash gjuhësore do ta gjejë një lloj homeostaze, ndërkohë që, në mungesë të dëshmive të shkruara, gjurmët e heterogjenitetit fillestar nuk do të gjenden dot lehtë.

Ndonjë dëshmi e tërthortë, si Kultura e Komanit, tregon se diçka e ngjashme do të ketë ndodhur me shqiptarët në Mesjetën e Hershme dhe, me gjasë, shqipja është edhe produkt përzierjesh të tilla arbitrare mes dialekteve të kohës, për shkak të zhvendosjeve dramatike të popullsive shqipfolëse, çfarë mund të ndihmojë për të kuptuar ca çështje tejet të koklavitura, në gramatikën dhe dialektologjinë historike të shqipes.

 

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Argumenti është më i ndërlikuar se kaq; mund të ketë ndodhur që ato të folme të shqipes, të cilat kanë pasur kontakte me gotishten ose gjuhë të tjera gjermanike, më pas të kenë humbur, pse bartësit e tyre janë asimiluar në një popull tjetër.

[2] Cituar sipas Patrick Sériot, N.S. Troubetzkoy: L’Europe et la Humanité, Écrits linguistiques et paralinguistiques, Mardaga, 1996, f. 212.

[3] Kjo pikëpamje e Boas-it do të kuptohet në kontekstin e së ashtuquajturës Sapir-Boas controversy. Cituar nga Regna Darnell and Joel Sherzer, “Areal Linguistic Studies in North America: A Historical Perspective”, International Journal of American Linguistics, Vol. 37, No. 1 (Jan., 1971), f. 25.

[4] Në parim, nuk mund të përjashtojmë që huazimet nga greqishtja e vjetër në shqipe, ato që janë identifikuar deri më sot dhe të tjera që mund të identifikohen nesër qoftë edhe duke e ndryshuar këndvështrimin si më lart, të kenë ardhur në shqipe nga një gjuhë e tretë, e cila mund të ketë qenë edhe thjesht substrat i atij dialekti të shqipes që i ka bartur huazimet dhe prandaj i ka trajtuar këto huazime në mënyrë të ndryshme nga shqipja. Nuk është dhe aq e vështirë të hipotezohet një gjuhë e lashtë ballkanike, indoeuropiane ose jo-indoeuropiane, si substrat i një dialekti të shqipes në periudhën para-romake.

2 Komente

  1. Vertet interesante, perafria dhe nderveprimi gjuhesore mes greqishtes se vjeter dhe proto-shqipes besoj se daton qe nga periudha e ‘ngjizjes’ se ketyre gjuheve indoeuropiane ne truallin ballkanik, sic keto isoglose me se miri e deshmojne:
    https://i.imgur.com/deJDkrY.jpg

    Ajo qe me ngjall kureshtje eshte faza e mevonshem e marrdhenieve mes ketyre gjuheve, dmth nenkuptoj me konkretisht periudhen gjate sundimit Romak. Pra pak a shume shumica e gjuhetareve bashkekohore pajtohen me teorine e proto-shqipes si produkt i brendatokes ne Ballkanin qendrore, larg ndikimeve greke, por njekohesisht ne qasje te ngushte me Latinishten klasike/vulgare (nderkohe qe huazimet i kemi me tipare te nderthurura, qofte me trajta te latinitetit Ballkano-lindor (dako/trake), qofte me tipare te latinitetit Ballkano-perendimore (dalmat), pra gjeografikishte duket e lehte pozicionimi i vend-zhvillimit gjuhesore!! Ajo qe nuk kuptoj eshte, ne territorin e Shqiperise se sotme, ku ishin kufijte gjuhesore mes greqishtes, latinishtes dhe proto-shqipes
    , pra me aq sa di Epirus Nova alias Illyria Greaca (etiketim te cilit nuk ja di zanafillen!?), qe perfshinte praktikisht zonen nga Lezha e Peshkopia deri ne Vlore e Devoll, konsiderohet si zone grekofone (greke pasardhesh te kolonive te vjetra dhe vendas te greqizuar: Taulantet per shembull), pra nisur nga ky deduktim assesi nuk kishte gjasa qe proto-shqipja te ishte e pranishme ne keto ane, sepse duhej me doemos prezenca e latinishtfolesve qe ndikuan rendshem ne proto-shqipen/arberishten !! Deri ketu jemi ne rregull.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin