ÇIKAGO – PRISHTINË – TIRANË

nga Arjan Shahini

Me një rrëfim tipik, David kundër Goliath, filmi i fundit i A. Sorkin (The trial of Chicago 7, 2020, Netflix) përmban mesazhe aktuale (liberale) politike për zgjedhjet amerikane, por edhe ca vëzhgime interesante historike. Në stilin dokumentar, filmi prezanton gjyqin e disa protestuesve të akuzuar si shkaktarë të dhunës në revoltat anti-luftë në Çikagon e 1968. Kushdo nga .protagonistët, studentë, hipit, pacifistët, qarqet konservatore të administratës e në popullatë, apo ato liberale të establishmentit, e degëzojnë rrëfimin dhe i rrisin kompleksitetin.

Nuk e di sa tërheqës është për audiencën shqiptare. Të ngopur me gjyqet e skenuara popullore të regjimit të kaluar, apo mungesën e profesionalitetit në sistemin e sotëm gjyqësor, kisha idenë se në Shqipëri nuk ishin shumë të interesuar për filmat e gjykatave (courtroom film). Programi i Eni Çobanit në TV Klan ka një përzierje të halleve banale me trajtimin juridik dilentant të tyre. Por ndoshta jam i gabuar. Te Adrion online shoh që nga John Grisham janë përkthyer rreth 7-8 libra.

Në një tjetër rrafsh rrëfimi, filmi analizon arritjet e revolucionit kulturor të 1968-ës. Ndërsa në tjetër drejtim nga skenari i filmit, pyetja mund edhe të ishte çfarë mund të ngelte nëse lëvizja kontrollohej nga të njëjtat qarqe konservatore që ato synonin të zhbënin. Jo vetëm se karburanti i lëvizjes ishin drogat sintetike, si LSD, shpikur nga shërbimet sekrete amerikane (shih MK-Ultra, sugjerohet një serial i Errol Morris), por edhe pse përfundoi diku me zgjedhjen e Reagan apo Trump.

Ka disa prova se lëvizjet e së majtës studentore në SHBA frekuentoheshin nga bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete që e drejtonin, përçanin, madje edhe radikalizonin lëvizjen. Kështu ishte edhe në Evropën Perëndimore apo Lindore. Prej 1968 deri në 2011, policia britanike kishte infiltruar disa qindra grupe politike vendase.[12] Për shërbimet sekrete çfarë nuk kontrollohet nga brenda, është duke u kontrolluar nga jashtë.

Në vitet 1960-70, disa grupe të vogla marksistësh që nuk gjenin rehati te udhëzimet ideologjike sovjetike apo kineze Maoiste, hodhën sytë për orientim nga Partia e Punës në Shqipëri. Partia funksiononte si një shërbim sekret. Prandaj nuk përjashtohet që një pjesë e korrespondentëve të jashtëm të Zërit të Popullit, të cilët paguheshin si propagandistë të fshehur, veç ndonjë veprimtarie të paligjshme, të mundësonin kontakte për kundërzbulimin shqiptar. Në shtypin shqiptar këto grupe janë paraqitur pa të drejtë si shushunja të fondeve shqiptare. Përtej faktit që një pjesë ishin kthyer në biznese për të tregtuar librat e Enver Hoxhës apo prodhimet e shëmtuara etno-industrialeMisto Mames për valutë, buxheti për to ishte shumë i vogël. Në vitet 80’, pas prishjes me Kinën, fondi ishte rreth 100 mijë dollarë, e as ky nuk shpenzohej i gjithi.[1] Gjatë aleancës me Kinën në vitet 1960 fondi arriti edhe një milion dollarë, ndërkohë që Bashkimi Sovjetik për të njëjtin qëllim kishte një fond prej 14 milion dollarë. Historianët Borici[2] dhe Ylberi[3] kanë shkruar mirë për këto (sikur edhe një gazetar shqiptar, Molla[4], me një pjesë të librit tejet të ngjashme me një studim të mëhershëm[5] dhe tjetrën pjesë mbushur me artikuj nga Wikipedia, por së paku ka shqyrtuar 14 dosje arkivore të arkivit të PPSH.) Lexoni gjithashtu diçka nga P. Andoni, nëse doni të njiheni me praktikën, që në gjuhën e CIA cilësohet si “psychological warfare” apo atë të “operative psychologie” në shërbimet gjermano-lindore (Stasi).[6] Andoni, sikur edhe N. Bezhani,[7] ky i fundit gjatë kryesimit të komisionit për pastërtine e figurave, kanë qenë me gjasa viktima të një psyop-i me burim lokal. Andoni, për të shpërndarë idenë se M. Shehu ishte poliagjent (shih këtu edhe trajtimin e Idrizit për përfshirjen e A. Putos[8]), ndërsa Bezhani se ishte i aftë të shkruajë trillime në nivelin e Ismail Kadaresë.

Vimë kështu te lëvizjet studentore në Shqipëri, për të cilat kam shkruar edhe më parë.[9] Bashkëpunimi me shërbimet sekrete vendase është trajtuar disa herë, psh. nga Afrim Krasniqi[10] dhe së fundmi sërish nga Shinasi Rama[11] për lëvizjen e Dhjetorit 1991. Prova nuk ofron asnjëri, as atëherë kur Ministria e Brendshme mund t’i hapte arkivat vetëm për studiues si Afrim Krasniqi, e as tani që ekziston Autoriteti i Dosjes dhe dokumentet janë të disponueshme. Ndërsa ndikimet e shërbimeve të huaja mbi lëvizjen e dhjetorit nuk janë shqyrtuar ende nga studiuesit. (Për fat, faktet mbi lëvizjet aktuale studentore janë të njohura. Ndikimet sot janë të hapura e transparente. P.sh. lëvizja e kryesuar nga Arlind Qorri ka lidhje me Rosa Luxemburg Stiftung, kurse shpresojmë që të mos kenë aktivistë të punësuar nga shërbimet sekrete shqiptare.)

Në Kosovë, Atdhe Hetemi (2020)[13] ka hulumtuar pikërisht këtë dimension të lëvizjeve studentore: ndikimet e jashtme dhe të shërbimeve sekrete, sidomos ato të  Shqipërisë gjatë periudhës 1960-1990.  Hetemi trajton gjerësisht dy çështje kryesore që meritojnë vëmendjen e historianëve. Së pari, ai argumenton rëndësinë që kishin revoltat studentore në Prishtinë për themelimin e shtetit të Kosovës. Ai nxjerrë në pah rolin (apo instrumentalizimin) e Universitetit të Prishtinës në mobilizimin studentor dhe në lëvizjen për pavarësi. Së dyti, autori analizon në mënyrë sistematike rolin e Shqipërisë dhe të ndikimeve të tjera ndërkombëtare mbi lëvizjet nacionaliste në Kosovë.

Nuk jam tërësisht i bindur se Hetemi njihet mjaftueshëm me zhargonin e teorive të lëvizjeve sociale, pasi nuk i përdor konceptet gjatë analizës, por nga pikëpamja empirike materiali është i bollshëm. Gjithashtu, edhe pse autori mëton të njihet me metodologjinë e vlerësimit kritik të burimeve, nuk e zbaton këtë qasje me rigorozitet. Jo vetëm që citon shabllon E. Hoxhën për vlerësime ndaj bashkëpunëtorëve të tij të shpallur armik nga vetë ai, por edhe  riprodhon pa kaluar në aparatin kritik shpjegime konspirative. Si p.sh. rastin e revoltave studentore të 1981, ku Hetemi përkrah një teori se ato i organizoi KGB-ja në bashkëpunim me M. Shehun dhe një grup pranë UDB-ës. Kjo teori është pikërisht një prej legjendave të sajuara nga Sigurimi i Shtetit për të justifikuar eliminimin e M. Shehut, pasi përkon me atë që përflitet nga ish-ambasadori ynë në Argjentinë, Andoni (shih sipër). Pak a shumë në këtë version është edhe aludimi i një ish-drejtuesi të shërbimeve sekrete shqiptare, L. Pobrati,se një nga djemtë e M. Shehut mund të jetë rekrutuar nga shërbimet e huaja perëndimore. (Hashtag.al, 30 Shtator 2020).

(Mendja ime konspirative i gjen rrënjët në SHBA për këto revolta, që gjithsesi duhet analizuar mirë nëse kanë qenë aq të befta sa mëton Hetemi. Në vitet 1980, nyjat kryesore të aparatit të kundërzbulimit shqiptar jashtë vendit u komprometuan nga shërbimet gjermano-perëndimore e amerikane. Shërbimi diplomatik gjithashtu kishte marrë rokopujën. Komprometimi ka filluar pikërisht me përfshirjen e Shqipërisë në lëvizjet për autonomi/pavarësi të shqiptarëve të Kosovës. M. Shehu, rrjeti mbështetës i të cilit kishte filluar të zhbëhej prej 1978 me largimin e disa kryetarëve të Komiteteve Qendrore të Partisë nëpër disa rrethe, është ndoshta viktimë e këtyre rrethanave, ose e ndonjë dekonspirimi francez për lidhjet e tij me shërbimet sovjetike, pasi ky kërkonte afrimin me Anglinë dhe Bashkimin Sovjetik. – Por të jetë e qartë që ky është një trillim; kripë në gjellën e fantazisë.)

Mbërrimë këtu te ngjashmëritë e revoltave studentore të dhjetorit 1991 në Tiranë me ato të mars 1981 në Prishtinë. Ndikimet reciproke ndërmjet dy vendeve në fushën e politikave arsimore dhe shkencore janë trajtuar te Myftari,[14] e vetëm përciptazi sa i përket lëvizjeve te analiza e Halilit (2020),[15] duke iu referuar një studenti aktivist të lëvizjes së Dhjetorit 1991 në Shqipëri.[16]

Por studiuesit e temave të tilla duhet patjetër të përmirësojnë metodologjinë. Dëshira për të shpjeguar në mënyrë racionale ndodhi historike bazuar mbi rrëfimet gojore, na sjell në gojëdhëna nëse dëshmitë nuk vlerësohen në mënyrë kritike. Si ngjarjet në Kosovë, edhe ato në Shqipëri, kanë protagonistë të fshehur, veç atyre qe duan të fryjnë kontributet e tyre, e të tjerëve që duan ti zvogëlojnë ato, të dobishme apo të mbrapshta qofshin. Gojëdhënat prezantojnë narrativa të ndryshme, dhe studiuesi mund shumë lehtë të humbë në njërën prej tyre nga aftësia treguese e rrëfyesit.

P.sh. për rastin e lëvizjes studentore në Shqipëri, studiues e ish-aktivistë si Sh. Rama mëtojnë në ndotjen e lëvizjes nga shërbimet sekrete e megjithatë nuk i heqin asaj rolin e agjencisë për ndryshimet politike që solli – duke i njohur kështu meritat lëvizjes, por jo disa protagonistëve që i kemi dëgjuar t’i rrahin shpatullat njëri-tjetrit. Ndotja, të bërit pis, është pjesë e procesit të ndryshimit, dhe pikërisht kësaj i mëshojnë teoritë e lëvizjeve sociale – në thelb së të cilave qëndrojnë qasje marksiste mbi revolucionin dhe filozofinë e praktikës. Praktika është e gjithmonë e ndytë. Dhe sikur thotë Vehbiu në një shënim të tijin këtu (09.12.2020) ndotja “nuk e zhvlerëson … vendosmërinë e të gjithë atyre studentëve dhe qytetarëve që e morën në sy t’u bashkohen protestave në sheshe dhe veprimeve të tjera haptazi kundër pushtetit.”

P.sh. rasti i Sh. Ramës është interesant, se në artikullin e tij të fundit[17] akuzon Azem Hajdarin dhe Gramoz Pashkon për bashkëpunim me regjimin, të parin edhe si të shërbimeve sekrete. Ndërsa për Sh. Ramën qarkullon nëpër Tiranë e njëjta thashethemnajë. Për askënd nuk kanë dalë prova konkrete. Autoriteti i Dosjeve më ka kthyer përgjigje se Azem Hajdari nuk ka dosje (veç asaj që i mbante N. Bezhani në shtëpi, kur i kthehej sa herë donte te mrekullohej nga aftësitë e tij zhbiruese e shtrënguese). Për dosjen e Sh. Ramës e kam kërkuar, por është refuzuar se duhet leje nga personi në fjalë, e nuk kam pasur kohë të lidhem me të. Veç aludimeve që lëshon Sh. Rama, se Pashko ka mbajtur një personalitet të huaj në shtëpi për kohë të gjatë, artikulli i tij nuk i referohet asnjë burimi arkivor. E megjithatë, studiuesi i lëvizjeve sociale mund të nxjerrë një analizë bindëse nga këto rrëfime, pasi janë pikërisht lidhjet e lëvizjes me elementë brenda regjimit që sjellin sukses – ideja gramshiane e përballjes së përhershme së shoqërisë civile me shtetin është thjesht teorike.

Shkurtimisht, ka plot material për të realizuar një film shqiptar me këtë tematikë.

(c)2020, Arjan Shahini. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen eksplicite të autorit.

Shënim: për arsye kohe, redaksia e Peizazhe të fjalës™ nuk ka mundur t’i verifikojë lidhjet dhe referencat e këtij shkrimi – i mirëbesojmë autorit (bashkëpunëtor i vjetër yni) dhe ia lëmë atij përgjegjësinë për t’u dalë këtyre zot. Se çfarë thuhet në referencat, kjo është përgjegjësi e të tretëve. Gjithsesi, jemi të hapur për debate rreth temës kaq intriguese.


[1] Shih një intervistë të parapërgatitur në detaj nga Agim Popa. Interviste – Agim Popa, Aired 24 August, 2009, on Klan TV. https://www.youtube.com/watch?v=zHcMSHAJQmw&t=965s.

[2] Shih p.sh. Gjon Borici, “KREDITË DHE NDIHMAT KINEZE PËR SHQIPËRINË (1956-1975),” Article, Studime Historike 72, no. 3/4.

[3] Ylber Marku, “Sino-Albanian relations during the Cold War, 1949-1978: an Albanian perspective” (Lingnan University, Hong Kong, 2017), https://commons.ln.edu.hk/his_etd.

[4] Ylli Molla, Guerilas made in Albania : historia e Arafatit, Kabilës, Lulës, Amazonas dhe luftëtarëve nga 11 shtete, që u përgatitën politikisht dhe ushtarakisht nga pedagogët shqiptarë (2016).

[5] Anastas Prodani, Aida Gjinali, and Sandra Gjoka, “Learning the Spanish Language for Ideological, Political, and Other Curious Reasons” (paper presented at the International Conference on Social Sciences, Bucharest, 27 February 2015).

[6] Piro Andoni, “Si i kam njohur komunistet e Amerikes Latine ne Radio Tirana,” intervistë e cituar nga Ylli Molla (rreshtohen tre zëra në bibliografi, por nuk është e qartë se cila i përket intervistës, ndoshta është intervistë e Mollës).

[7] Bezhani, Nafiz. Mëkatarë: Në Labirintet E Dosjeve Sekrete Të Sigurimit Të Shtetit. (Tiranë: Botimet Toena, 2001.)

[8] Idrit Idrizi, “Between Subordination and Symbiosis: Historians’ Relationship with Political Power in Communist Albania,” European History Quarterly 50, no. 1, https://doi.org/10.1177/0265691419890560, https://journals.sagepub.com/doi/10.1177/0265691419890560.

[9] Shih Shahini, Arjan.  Dhjetori na mblodhi. https://peizazhe.com/2018/12/08/dhjetori-na-mblodhi/ (2018).

[10] Afrim Krasniqi, Fundi i Siberisë shqiptare : lëvizja studentore dhjetor 1990 dhe shkurt 1991 : publicistike politike. [End of Albanian Siberia …] (Tirana: Albin, 1998).

[11] Shinasi A. Rama, The End of Communist Rule in Albania : political change and the role of the student movement (2020), https://doi.org/10.4324/9780429242991.

[12] Shih https://undercoverresearch.net/2018/09/18/a-who-is-who-of-spycop-targets/

[13] Atdhe Hetemi, Student Movements for the Republic of Kosovo (Palgrave Macmillan, 2020), https://doi.org/10.1007/978-3-030-54952-7.

[14] Shih Esat Myftari, Kosova dhe Enver Hoxha (Tirane: Botimet Princi, 2016).

[15] Shih Llukman Halili, “The Student Movement Changed Albania Forever: A Reflection On Its Contribution To Modern Albanian History,” ed. Shinasi A. Rama, The End of Communist Rule in Albania : political change and the role of the student movement (New York, London: Routledge, 2020).

[16] Shih Ahmetaj, Arbër. Shqipëria Trishtimi im. (Tiranë: Koha, 1999).

[17] Shih Rama, The End of Communist Rule in Albania : political change and the role of the student movement.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: