SHQIPJA TOTALITARE (XXIX)

Njëlloj si korporatat e sotme, edhe totalitarizmi nuk mund ta përfytyronte ekzistencën e vet përveçse si rritje: të prodhimit, të kontrollit, të arrestimeve, të të dhënave ekonomike, të librave të botuar, të popullsisë, të lindjeve, të numrit të nxënësve dhe të studentëve, të traktorëve, të sipërfaqes së tokave të reja, të rimorkiove, të kilometrave të hekurudhës, të rendimentit të grurit. Të marra në vetvete, proceset nuk kishin ndonjë domethënie të tyren, përtej shkallës së akumulimit të rezultateve, të arritjeve, të sukseseve ose të fitoreve – sikurse e kërkonte edhe vetë parimi i përgjithshëm i revolucionarizimit të jetës së vendit.

Në rrafshin gjuhësor, obsesioni me rritjen dhe ecjen përpara pasqyrohej me një bashkësi veçorish dhe deformimesh leksikore, sintaksore dhe stilistike, shpesh të fosilizuara në klishe të shumëllojshme.

Rritja, në kuptimin e një procesi të vijueshmërisë së shtuar, do të shprehej para së gjithash me emra foljorë të tillë si rritja, shtimi, përparimi, zmadhimi, zgjerimi, ecja përpara, progresi, shtrirja, thellimi, shumëfishimi, etj., të cilët përmbajnë, nga pikëpamja kuptimore, nocionin abstrakt të [+]; këtyre emrave u përgjigjeshin edhe foljet përkatëse, si rrit, shtoj, çoj përpara, përparoj, zgjeroj, zmadhoj, thelloj etj., edhe pse totalitarishtja, sikurse çdo gjuhë e drunjtë, parapëlqente emrat ndaj foljeve.

Njësi të tilla leksikore paraqiteshin shpesh si produkt i një serie operacionesh të emërzimit, si në ilustrimin e mëposhtëm:

  1. Prodhoj grurë/misër
  2. Prodhoj më shumë grurë/misër
  3. Prodhimi i shtuar/i rritur i grurit/misrit
  4. Shtimi i/rritja e prodhimit të grurit/misrit

Ky proces ngjan njëfarësoj me përllogaritjen e nxitimit në fizikën mekanike nëpërmjet matjes së shpejtësisë me të cilën ndryshon shpejtësia; dhe nëse raporti midis foljes prodhoj dhe emrit grurë mbetet i tipit kundrinor, raporti midis emrit shtimi dhe emrit grurë është krejtësisht relacional ose abstrakt, me ç’rast folësi do të përqendrohet në shtimin, duke shpërfillur se çfarë po shtohet pikërisht.

Ka diçka djallëzisht të ngjashme midis përftimit të një shprehjeje tepër abstrakte, të tillë si shtimi i prodhimit të grurit, dhe përftimit të derivatit të dytë në analizën matematike…

Gjuha totalitare është çuditërisht abstrakte, dhe i ka strukturat të tilla që ta largojë folësin nga realiteti konkret, material, me të cilin përndryshe përballet. Një gjë është të thuash: kemi prodhuar 2 kuintal grurë, dhe një gjë tjetër të thuash shtimi i prodhimit të grurit këtë vit në krahasim me vitin e kaluar ka qenë i masës 12%. Dy kuintalë grurë mund të futësh në thasë dhe t’i prekësh me dorë, ose t’i peshosh; ndërsa shtimi i prodhimit është një madhësi që ekziston vetëm brenda thënies.

Në përgjithësi, komunikimet zyrtare në totalitarizëm përqendroheshin më shumë në përqindjet e shtimit, ose në derivatet e derivateve, sesa në madhësitë absolute. Partia ishte e interesuar të dinte jo aq sa ishte prodhuar, se sa ishte shtuar prodhimi, në krahasim me një vit më parë, ose me vitin zero 1938. Partia ishte e interesuar të dinte jo aq nëse plani ishte realizuar, se sa para afatit kishte ndodhur kjo, ose sa ishin tejkaluar kuotat, normat dhe zotimet e marra. Mendimi totalitar operonte kështu në mënyrë diferenciale.

Obsesioni me theksimin ligjërimor të rritjes çonte në inflacion leksikor, ose shprehje të natyrës pleonastike, në të cilat një element leksikor vetëm sa rimerr një element semantik të pranishëm brenda një elementi leksikor tjetër.

Për shembull, një shprehje ndajfoljore e preferuar, si më tej, së bashku me mbiemrin përkatës i mëtejshëm, përdoreshin në mënyrë kryesisht pleonastike, siç duket nga shembulli i rëndomtë thelloj më tej, ku ndajfolja vetëm sa rimerr elementin kuptimor [më thellë] që përmbahet vetvetiu në foljen thelloj; ose marshoj përpara, ku ndajfolja përpara rimerr një element kuptimor të foljes marshoj, sa kohë që marshimi vetëm përpara mund të kryhet. Logjikisht, kjo është e barazvlershme me ngjitem lart ose djeg në zjarr, të cilat shprehje janë të dyja pleonazma të njohura të shqipes, që kanë mbijetuar duke u shndërruar në klishe.

Disa shembuj të tjerë të leksikalizimit të [+], të gjithë pak a shumë pleonastikë:

Rritje/shtrirje e mëtejshme

Përparim i mëtejshëm

Zhvillim i mëtejshëm

Ngritje e mëtejshme ideologjike

Përparim i vazhdueshëm

Ecim përpara

Marshojmë përpara

Ngremë lart flamurin e revolucionit

Revolucionarizimi i mëtejshëm i jetës së vendit

Ashpërsimi i mëtejshëm i luftës së klasave

Nocioni i [+] mund të modalizohet edhe duke e karakterizuar më mirë mënyrën ose shpejtësinë e rritjes, ndonjëherë edhe me rrugë metaforike:

Rritje eksponenciale

Janë shtuar në progresion gjeometrik

Zgjerimi me ritme të shpejta

Ecja përpara me hapa vigane

Nga pikëpamja kuptimore, folje të tilla si rrit, shtoj, zgjeroj, zmadhoj, thelloj janë të natyrës së pakryer, sepse e përshkruajnë veprimin si diçka që zgjatet ose shtrihet në kohë, pa specifikuar ndonjë pikënisje ose pikëmbarim. Kjo duket më qartë, po të krahasohen foljet e mësipërme me folje të tjera, të tipit thyej, fitoj, gjej etj., të cilat e përshkruajnë veprimin në mënyrë të kryer ose pikësore. Për këtë arsye, foljet e tipit shtoj, zgjeroj e pranojnë lehtë rrethanorin modal më tej, sepse veprimi të cilit i referohen nuk paraqitet si i përfunduar; përkundrazi, me foljet e tipit gjej, fitoj vijueshmëria e rritjes shprehet me mjete të tjera.

Dukuria ka kryesisht të bëjë ndërtime me emra prejfoljorë në shumës, të cilat tregojnë veprime të përsëritura. Përparimi shtues, në këtë rast, shprehet nëpërmjet mbiemrash të specializuar:

suksese të reja, fitore të reja

suksese të njëpasnjëshme, fitore të njëpasnjëshme

Përndryshe, edhe vetëm përdorimi i formës krahasore të një mbiemri ose ndajfoljeje klishe do të mjaftonte, shpesh në bashkëvajtje me pjesëzën theksuese edhe:

Fitore të lavdishme/Fitore të lavdishme/Fitore edhe më të lavdishme

Detyra të rëndësishme/Detyra të rëndësishme/Detyra edhe më të rëndësishme

Suksese të mëdha/Suksese të mëdha/Suksese edhe më të mëdha

Ngremë lart flamurin e fitoreve/Ngremë lart flamurin e fitoreve/Ngremë edhe më lart flamurin e fitoreve.

Në qoftë se efekti kuptimor i krahasimit përmbahet vetvetiu në fjalën drejtuese, atëherë struktura është vetvetiu pleonastike, madje më shumë se një herë. P.sh., në shprehjen ngremë lart, koncepti i lartësisë përmbahet tashmë në foljen ngre; ndërsa në shprehjen ngre më lart, folja përmban edhe konceptin e krahasimit, edhe konceptin e lartësisë, meqë ‘ngre’ nuk është veçse “veprimi i zhvendosjes së një objekti nga një vend në një vend tjetër, sipas drejtimit vertikal, ose nga poshtë lart”; me fjalë të tjera, ngre lart është gjithnjë kuptimisht e barasvlershme me ngre më lart.

Një efekt i ngjashëm arrihet nëpërmjet ndërtimit gjithnjë e/çdo ditë e + krahasore:

Ngremë gjithnjë e më lart flamurin e fitoreve

Fitore gjithnjë e më të mëdha na presin

Përpiqemi çdo ditë e më shumë

Ose nëpërmjet ndërtimit tjetër të formës vjen + përcjellore:

Partia po vjen duke e thelluar luftën e klasave

Numri i nxënësve të shkollave të mesme ka ardhur duke u rritur

Nocioni i përparimit të shtuar shprehet edhe me forma të ndryshme të përsëritjes, siç duket nga shembuj të tillë si nga fitorja në fitore, nga suksesi në sukses, fitore pas fitoresh, lart e më lart, thellë e më thellë.

Në shumë prej këtyre rasteve, ligjërimi i mëshon idesë së një zhvillimi rritës me mjete të ndryshme gjuhësore edhe atëherë kur këtij efekti nuk i përgjigjet asgjë në realitet. Si edhe gjetiu, shenja të kësaj natyre në tekst nuk tregojnë aq ndonjë përpjekje për të përcjellë të vërtetën, ose realitetin jashtëgjuhësor, sesa për të bindur audiencën që folësi, ose teksti vetë, e zotërojnë zhargonin totalitar dhe janë në gjendje ta përdorin me lehtësi; duke marrë, si të thuash, vlerë demonstrative.

3 Komente

  1. Pastron vasken e shqipes me vezhgim shqipeje, si krip qe disinfekton (pjek) vasken e dushit. Gati per gjuhe (dush) te paster.

  2. Gjuha politike shqipe ka qene mbi te gjitha e natyres ushtarake, e militarizuar si edhe gjithe shoqeria. Pra kemi tre trende politike te formulimit te idiomave gjuhesore perfshire ate qe ke cituar ti: (1) militarizimin, (2) flissband (rripin e transmetimit ne fabrike– ajo qe ke prekur ti, pra gjuhen e masave proletare dhe te prodhimit industrial ne institucionet e fabrikes qe reflektojne die Produktionsweise dhe die Produktionsverhaeltnisse – menyren e prodhimit dhe organizimit e punes) dhe (3) romantizimin e gjuhes shqipe ne kuader te nacionalizmit shqiptar. Te tre keto menyra te formulimit rodhen nga ideologjia feudale-komuniste e Enver Hoxhes dhe menyra e organizimit te sistemit gjysem-feudal.

    (1) Militarizimi i gjuhes ka qene instrumenti kryesor i mobilizimit te masave te popullore, i ngritjes dhe qenies ne gadishmeri per nje revolucion qe nuk ndodhi kurre, porse qe na qendroi si fantazme per 40 vite me rradhe. Nje lloj orgazme e paarritur kurre popullore ne ekstazen e socializmit enverian (shih Lacan). Revolucioni i perhershem deshtoi, se nuk u nis fare.
    P.sh: Fronti popullor, fronti i lagjes, lufte karkalacave, lufte gjithkaje qe kishte apo jo fytyre, lufte koncepteve si per ti mbajtur gjalle ato vetem qe ti luftonim.

    (2) Fliessband, gjuha e fabrikes dhe e prodhimit ne mase ne fabrike: gjuha eshte precize, idiomat u pergjigjen sektoreve sipas ndarjes se punes dhe funksionit ne linjen e prodhimit (new speech ne Orwell). Gjuha e proletariatit, e punetoreve qe nuk kishin ekzistuar ne Shqiperi nuk doli nga fabrikat si ne Itali, Gjermani e gjetke, porse erdhi ne fabrike nga byroja politike. Pra ishte gjuhe e diktuar ne formen e parrullave, nje gjuhe ne urdhera dhe urdheresa, diktate qe kerkonin jo pyetje porse bindje. Shembuj, ajo me larte.

    (3) Romantizmi i gjuhes shqipe ne formen e romantizmit te gjuhes popullore per shtresen e Pros (Orwell 1984). Marrja me folklorin, shpikja e kengeve popullore realizonte dy qellime: formulimin e nje identiteti politik shqiptaro-komunist dhe njekohesisht edhe sherbente si Nyje (Knotenpunkte) te formacionit ideologjik hegjemonial te kesaj ideologjie, pasi realizonte vazhdimesine e tradites shqiptare me progresionin komunist. Pra lidhjen e modernes me traditicionalen. Formacionet ideologjike (Foucault) bazohen ne faktet shoqerore (social facts), ato nuk i ndryshojne ato porse i levizin ne kontexte te ndryshme. Psh. Adhurimi i bejteve te Naimit dhe idealizimi i figures historike mitologjke te Skenderbeut sherbenin si nyje lidhese midis historise se shqiptareve dhe historise se Shqiperise, kjo brenda kontextit te historise kombetare nacionaliste ne shkollat komuniste. Pra brenda kontextit te kesaj ideologjie dhe brenda sistemit (aparatit shteteror ideologjik – Althusser) keto elemente te tradites shqiptare sherbejne jo si elemente baze ose me vete, porse si nyje lidhese ne kete diskurs.

    Kriza e identitetit shqiptar dhe ekzistenca e nje konsensi (EU) tregon per hegjemonin e nje aparati ideologjik intelektual qe sot nuk eshte shteteror porse qe perfaqesohet nga disa intelektual te mbrujtur nga sistemi i kaluar.

  3. Ne shkrim thuhet:

    “Gjuha totalitare është çuditërisht abstrakte, dhe i ka strukturat të tilla që ta largojë folësin nga realiteti konkret, material, me të cilin përndryshe përballet. Një gjë është të thuash: kemi prodhuar 2 kuintal grurë, dhe një gjë tjetër të thuash shtimi i prodhimit të grurit këtë vit në krahasim me vitin e kaluar ka qenë i masës 12%.”

    Problemi eshte se ne shifrat e dhena genjehej ne te gjitha instancat; qe nga kryesia e kooperatives, seksioni i bujqesise, rrethi e deri ne KQ ku gjithshka miratohej dhe pelqehej nga udheheqja. Dhenia e rezultateve ne perqindje tregonte “rritjen” e vazhdueshme por nese dikush donte ti “prekte” rezultatet mundej qe pasi te merte vesht se sa ishte prodhuar vitin e shkuar dhe me pas te kthente sasine ne thase gruri ose Kv.

    Keshtu qe ne thelb qendron genjeshtra sistematike me anen e shifrave me teper se sa derivacionet e te dhenave; qe ne vitet e fundit, qe ti benin me te besueshme, i fusnin nga nje 103.4%.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin