GJEOMETRITË E TERRORIT

Në janar të vitit 1949, një gjyq i pazakonshëm vuri përballë, në Paris, defektorin sovjetik Viktor Kravçenko dhe revistën kulturore Les Lettres Françaises. Kravçenkoja, një ukrainas që e kish nisur karrierën e tij si komunist i bindur dhe kish shërbyer mes të tjerash edhe si oficer në Ushtrinë e Kuqe, pat kërkuar pastaj strehim politik në SHBA, në 1944, kur punonte si përfaqësues tregtar. Dy vjet më pas ish botuar libri i tij me kujtime, I Choose Freedom, i përkthyer pastaj edhe në frëngjisht: J’ai choisi la liberté; denoncim i rrallë aso kohe i represionit stalinist në një vend që sapo ish renditur aq lavdishëm mes fitimtarëve të Luftës II Botërore. I sulmuar brutalisht nga e majta franceze në faqet e revistës Les Lettres françaises, i akuzuar për koluzion me “prapavijën naziste”, Kravçenkoja vendosi t’i hedhë detraktorët e vet në gjyq për shpifje (gjyq të cilin e fitoi).

Mes dëshmitarëve të thirrur për të mbështetur denoncimin e pashembullt të ish-funksionarit sovjetik, figuronte edhe një komuniste gjermane, Margarete Buber-Neumann, e cila e kish përjetuar drejtpërdrejt terrorin stalinist, duke kaluar vite në kampet e punës më parë në Siberi, pastaj në Kazakhstan gjatë viteve 1938-1940, si “gruaja e një armiku të popullit”. Në shkurt të vitit 1940, Buber-Neumann u përfshi në një shkëmbim të burgosurish mes Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë Naziste, por vetëm për të përfunduar në një kamp përqendrimi nazist për të burgosur politikë në Ravensbrück, nga ku ish liruar në fund të Luftës II.

Dëshmia e kësaj gruaje, që i kish provuar brenda pak vjetësh të dy format e terrorit totalitar, u kundërshtua ngë një prej avokatëve (komunistë) të palës së akuzuar, Les Lettres françaises, me argumentin se “vendbanimi” i Buber-Neumann-it në Siberi nuk paskësh qenë “kamp përqendrimi” – meqë barakat ku flinin të internuarit nuk ruheshin gjë me roje, as ishin të rrethuara me mur a me tela me gjemba.

Ky koment i jashtëzakonshëm, në mos cinik, i një apologjeti të stalinizmit, të cilin e ndesha në librin e Jean Sévillia, Le terrorisme intellectuel (éditions Perrin, 2004), më bëri të ulem dhe t’i shkruaj këto radhë; sepse më kujtoi menjëherë tregimthin e Borges-it, “Dy mbretërit dhe dy labirintet”, në të cilin mbreti i Babilonisë, i kapur rob, braktiset prej kapësit të tij në shkretëtirë – një labirint që “nuk ka as shkallë për të ngjitur, as porta për të shqyer, as korridore të gjata për të përshkuar, as mure për të penguar kalimin”; sepse çfarë ishte Siberia e gulagut sovjetik, në mos një burg që ruante veten, për shkak të gjeografisë? Ku do të kuturisej vallë i arratisuri?

Imazhi, i të internuarve në mes të shkretëtirës, që janë të detyruar të pranojnë se kampi i tyre i përqendrimit është edhe oaza që i mbron nga elementet dhe kërcënimet e tjera përjashta, e shpreh ndoshta në mënyrën më elokuente natyrën e represionit totalitar. Për të syrgjynosurit në Siberi, rolin e mureve të burgut e luante thjesht distanca nga qytetërimi; gjetiu për të njëjtën arsye janë përdorur të ashtuquajturit “ishuj burg” – mes të cilëve Alcatraz-i në SHBA, Elba dhe Shën Helena (ku e çuan Napoleonin), Ognenny Ostrov në BRSS, ishulli İmralı në detin Marmara, Rikers Island në NYC dhe, në analizë të fundit, një ishull-kontinent i tërë, Australia në vitet 1788-1868; pa folur për anijet burg. Me këto vende syrgjyni, roli i shkretëtirës i besohet një gjeografie po aq elementare por të kundërt: ujit, detit, oqeanit. Në fantashkencë, i njëjti koncept ka përftuar një numër planetësh burg (prison planets) dhe zgjidhjesh të ngjashme, ku të njëjtin rol e luan tashmë hapësira ndëryjore. Ndonjëherë edhe vetë Toka është përfytyruar si burg-oazë për njeriun, për shkak të vetmisë së shkretëtirës kozmike.

Në një farë mënyre, çdo shtet policor e krijon vetvetiu Siberinë e vet: në Gjermaninë naziste këtë funksion, gjeografikisht të pamundur, mbase e përmbushte burokracia super-eficiente, e cila kujdesej të mënjanonte çdo lloj hapësire lirie për të dënuarit. Njëlloj do duhet ta kërkojmë labirintin shkretëtirë të Borges-it edhe në Shqipërinë totalitare – pavarësisht “mangësive” gjeografike të kësaj të fundit, sidomos në raport me perandoritë dhe super-shtetet. Në fakt, Shqipëria e Hoxhës i përshtatej mirë transformimit në shtet-burg, mu për shkak të sipërfaqes të vogël, por edhe ngaqë kufiri ishte i rrethuar me male dhe i vështirë për t’u kapërcyer. Nëse distancat në hapësirën e shtetit të Hoxhës i matim jo nga fotot ajrore, por me orët që i duhen shtetasit për t’u zhvendosur nga pika A në B, Shqipëria vjen e rritet frikshëm si sipërfaqe; shto këtu edhe atë çfarë do të ndodhte, virtualisht, po ta sheshonim e ta shtrinim relievin e zhubrosur të vendit në një rrafsh dy-përmasor. Për më tepër, burgu politik dhe kampi i internimit, në Shqipëri, ishin të rrethuar edhe nga një shkretëtirë tjetër e pakapërcyeshme: vigjilenca, sa kohë që deri edhe fëmijët e kopshtit, në zonat “kufitare”, trajnoheshin për të pikasur dhe denoncuar “shkelësit.”

Makthi i një hapësire dy-përmasore me kufij të paarritshëm, më kujtoi një figurë gjeometrike të njohur si “disku i Poincaré-së”. Nuk jam në gjendje ta përshkruaj këtë matematikisht, por po sjell këtu mbresat e një banori imagjinar të një bote të tillë:

Ke dalë një ditë për shëtitje dhe befas përjeton një eksperiencë jashtë-trupit, duke e parë veten nga lart… Teksa ngrihesh mbi sipërfaqe, në fillim gjithçka të duket absolutisht normale, por kur arrin një lartësi të caktuar, trupi yt poshtë të duket sikur është në qendër të një rrethi perfekt, përtej të cilit nuk ka… asgjë! Ti e sheh veten duke ecur drejt buzës së rrethit. Në fillim duket sikur do ta arrish buzën shumë shpejt, por pastaj ndodh diçka e çuditshme: ti fillon të zvogëlohesh dhe shpejtësia jote ngadalësohet. Kur ke përshkuar gjysmën e distancës nga buza, po lëviz me ¾ e shpejtësisë fillestare… Mbase nuk do të mund ta arrish kurrë buzën?

Escher – Circle Limit III

Këto elaborime të gjeometrisë jo-euklidiane ia ngacmuan shumë imagjinatën Escher-it, i cili tërhiqej nga sfida për ta paraqitur pafundësinë në një rrafsh dy-përmasor, nëpërmjet mozaikëve hiperbolikë (hyperbolic tessellations). Te gravura Circle Limit III Escher-i besoi se kish ilustruar natyrën e diskut Poincaré, ku objektet vijnë e zvogëlohen sa më shumë që i afrohen buzës së diskut, edhe pse buza vetë mbetet e pa-arritshme.[1] Edhe të tjera gravura të serisë Circle Limit e ilustrojnë këtë koncept, që për mua e bashkëlidh lëvizjen centrifugale (le ta quajmë arratisje nga “qendra”) me zvogëlimin dhe pamundësinë për të arritur buzën – gjithë duke mbetur unë i vetëdijshëm se intuicioni im nuk i përgjigjet realitetit mirëfilli gjeometrik (meqë, besoj, brenda diskut Poincaré nuk ka kuptim të flasësh për “zvogëlim”).

Kjo gjeometri i ngjan asaj të përfytyruar në romanin Inverted World, nga Christopher Priest (1974); që gjithashtu bazohet në konceptin e një hapësire hiperbolike. Romani, që nga shumë kritikë konsiderohet si unik në llojin e vet – gjithë duke pasur parasysh birësinë konceptuale nga Flatland i Abbot-it – jo vetëm përshkruan një botë me një gjeometri dhe fizikë të jashtëzakonshme, edhe pse konsistente; por edhe ndërtohet mbi ndërveprimin midis kësaj gjeometrie hiperbolike dhe rendit social. “Kisha mbushur moshën gjashtëqind e pesëdhjetë milje”, thotë protagonisti, mu në fillim të kapitullit të parë të veprës. Gjithsesi, ndryshe nga Flatland-i, Inverted World nuk është satirë, por dramë e një qytetërimi imagjinar, që njëlloj si yni është i burgosur në “shkretëtirën” e vet.

Distanca që e ndan makthin hiperbolik i Botës së përmbysur të Priest-it nga shkretëtira e tregimthit të Borges-it dhe Siberia e gulagut sovjetik nuk duket, pra, aq e madhe; dhe të bën të mendosh, mes të tjerash edhe për fatalitetin e gjeografisë në jetën e njeriut: në kuptimin që, sikurse u projektua Siberia në natyrën e regjimit totalitar stalinist, ashtu do të jetë projektuar edhe mali shqiptar, në specifikën e totalitarizmit të Hoxhës; në vetvete, si habitat ekstrem dhe i thjeshtuar, por edhe në raport me hijen që lëshon mbi luginë dhe mbi fushë. Një vend ku përmasa e tretë, ose anti-graviteti nëse duam ta quajmë kështu, është pjesë e jetës së përditshme, do të priret – spekuloj unë – që ta organizojë pushtetin sipas vijave vertikale. Dhe, në të vërtetë, mali në Shqipëri ka qenë edhe burg, edhe mur burgu; me po aq lehtësi sa ç’ka qenë edhe habitat për të përjetuar lirinë (“doli në mal”, thuhej për dikë që, për çfarëdo arsyeje, i shkëputej sistemit të varësive dhe nënrenditjeve sociale).

Imazhi në kopertinë: Circle Limit I, nga Escher-i, i fraktalizuar.

 

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Natyra hiperbolike e vijave në gravurën e Escher-it është kundërshtuar nga matematikanët me argumente besoj bindëse, por pa relevancë për temën tonë. Një diskutim i hollësishëm për zanafillat dhe themelet gjeometrike të këtij cikli gravurash mund të lexohet këtu.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin