NDERIM PËR ATA QË NUK DININ

Si në çdo përvjetor të revoltave studentore të dhjetorit 1990, edhe këtë herë dëgjuam dhe lexuam për teoritë – hipotezat, dyshimet – se ajo lëvizje masive e atyre ditëve ishte e gjitha e dizajnuar në tavolinë nga regjimi Alia dhe Sigurimi i Shtetit, me synim tranzicionin “e butë” të pushtetit, sikurse edhe u vu pastaj në skenë nga regjisorët sekretë të shërbimeve informative; disa përmendin edhe të ashtuquajturën “Katovicë” (me siguri gati mistike), të tjerë i dekonspirojnë liderët e revoltës si asete të agjenturave sekrete, herët tonat herë të së tjerëve. Pavarësisht sa keq dhe sa rrejshëm po brohoritet ai dhjetor 1990, nga palë që duan të vazhdojnë ta mjelin politikisht, synimi i këtyre të tjerëve, që e lexojnë si “teatër”, është të imponojnë narrativën e tyre, se lëvizja mirëfilli antitotalitare në Shqipëri ka qenë e inskenuar.

Dhe kjo nuk mund të tolerohet. Madje edhe nga ata që janë gati të pranojnë, se lëvizjet në fushën politike të shahut, gjatë atyre muajve, ishin të gjitha të diktuara sipas një plani – që nga ngjarjet e ambasadave, te protestat e studentëve, te shpallja e pluralizmit politik, themelimi i PD-së etj., përfshi këtu edhe artikujt e “disidentëve” në mediat zyrtare dhe intervistat e “disidentëve” të tjerë te Zëri i Amerikës; madje ndonjë nuk lë jashtë këtyre paranojave as arratisjen e shkrimtarit Kadare dhe kërkesën e tij për strehim politik në Francë. Sipas këtyre konspiracistëve, e vetmja gjë rastësore, gjatë atyre muajve kaotikë, ka qenë moti (herë me diell, herë me shi, herë me vranësira të ndërrueshme).

Le të pranojmë, për hir të argumentit, se lëvizjet kanë qenë të planëzuara – dhe çdo veprim është kryer në bashkëpunim dhe marrëveshje me Sigurimin e Shtetit dhe Ramiz Alinë. Le të pranojmë edhe se krerët e Lëvizjes Demokratike, nga Sali Berisha te Azem Hajdari, ishin të gjithë “të emëruar” në atë detyrë nga organet përkatëse; ose të pilotuar për të marrë në kontroll tranzicionin. Le të pranojmë edhe se mungesa e dhunës, ose fakti që nuk pati viktima, as përplasje të armatosura, e dobëson shumë diskursin e tanishëm për heronj dhe për heroizma, sikurse ua liron bulonat statujave që janë ngritur në përkujtim të ngjarjeve.

Le t’i pranojmë të gjitha këto. Por kjo nuk e zhvlerëson gjë vendosmërinë e të gjithë atyre studentëve dhe qytetarëve që e morën në sy t’u bashkohen protestave në sheshe dhe veprimeve të tjera haptazi kundër pushtetit. Edhe sikur disa pak të vënë nga Sigurimi ta kenë ditur se bëhej fjalë për teatër dhe se nuk do të kishte as represion as të vrarë as të plagosur, masa e protestuesve, që kishin dalë në rrugë me shpresën për të sjellë një ndryshim epokal në politikë, NUK E DINTE këtë. Studentët që dilnin në protestë nuk e dinin që ndaj tyre nuk do të qëllohej me armë. Përkundrazi – shumë prej tyre, në mos shumica, mendonin se edhe mund të linin kokën, duke sfiduar kaq hapur regjimin shtypës më të egër që kish mbetur në Evropë.

Që nuk pati viktima, që protesta ishte pjesë e një plani sekret, që regjimi vendosi në krye të opozitës politike ata që donin – të gjitha këto fakte ose hipoteza ose teori konspirative nuk e pakësojnë as e cenojnë fisnikërinë e atyre që NUK DININ; ose që u nisën, me dyshimin e arsyeshëm se edhe mund të hanin një plumb, ose të përfundonin në qeli. Gjakimi i këtyre, ose i masës së qytetarëve që u rebeluan ndaj pushtetit, nuk duhet ngatërruar me manipulimet e fshehta dhe trukimet, që janë për t’u pritur në momente të këtilla, dhe aq më tepër nga një makinë represive policore si ajo e Sigurimit të Shtetit, që kish pasur mundësi të përgatitej më mirë se kushdo tjetër, për krizën. Edhe ata që dolën në shkurt 1991, me mijëra, për të rrëzuar statujën e Enver Hoxhës, nuk kishin asnjë garanci se nuk do të përfundonin nën zinxhirët e tankeve. T’u thuash atyre sot, se po bënin lojën e Ramiz Alisë dhe të “Katovicës”, është njëlloj si të vësh në piedestal zinxhirët dhe të pranosh se ai Tjetri, cilido qoftë, të ka ty gjithnjë në kontroll.

Prandaj, t’u japim respekt dhe mirënjohje të gjithë studentëve dhe qytetarëve që u ngritën në Dhjetor të 1990-ës, duke besuar se ashtu do t’i jepnin fund regjimit totalitar të Alisë dhe do të krijonin kushtet politike për një vendosje të drejtësisë dhe normalizim të jetës në Shqipëri. Sa më pak të kenë ditur, sa më pak të kenë dyshuar se po luanin në një skenë teatri, aq më fisnik rezulton gjesti i tyre, përballë intrigës, panikut, spiunllëkut, thikave pas shpine dhe manipulimeve agjenturore, që shoqëruan transformimet politike të kohës. Neve sot na mbetet të ndajmë brilantet nga balta dhe t’ua njohim haptazi fisnikërinë dhe, pse jo, edhe guximin të gjithë atyre që bënë ato ditë histori.

©2020, Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin