PROBLEM NË PASQYRË

Erion Temali kish nxjerrë në Facebook një problem shahu, që më vuri në punë. Me atë rast, po ndaj me ju edhe ca përsiatje.

Si formë argëtimi intelektual, problemi i shahut ka historinë e vet: ndryshe nga shahu, ku lojtarit i kërkohet të fitojë, problemi na jep një pozicion dhe na kërkon t’i japim zgjidhje, me kushtet që vë problemi.

Kompeticioni nuk është më me tjetrin, por me të vërtetën: duhet gjetur një lëvizje e caktuar.

Problemi i sjellë nga Temali ishte një mat me tre lëvizje, nga një Aleksandr Vasiljeviç Galickij, botuar në Shahmatnyj Zhurnal, në vitin 1900.

Mat me tre lëvizje

Kështu në vështrim të parë, duket sikur i ziu nuk ka asnjë lëvizje të mundshme, meqë ushtarin në g7 ia ka ngulitur fili i bardhë në a1; ushtarin në h7 ia mban të bllokuar kali i bardhë; ndërsa mbreti nuk shkon dot në g8, sepse tek ajo kuti do të ishte në shah nga kali.

Prandaj i bardhi duhet të lëvizë në mënyrë të tillë që t’ia japë të ziut një mundësi për të dalë nga situata e patit. Për shembull, po të lëvizë i bardhi me kalë në f5 ose në g4, i ziu mund të lëvizë mbretin në g8, ose të shtyjë përpara ushtarin në h7.

Nëse i bardhi zgjedh të lëvizë me mbret ose me fil përgjatë diagonales në fjalë, loja përfundon në pat.

Fili i bardhë, nga ana e vet, nuk largohet dot nga diagonalja a1-h8, për shkak të pozicionit që ka. I bardhi edhe mund ta falë filin në g7 (F:g7), por pasi i ziu ta ketë marrë filin me mbret, loja do të përfundojë me gjasë në barazim.

Objektivisht, lëvizjet me mbret dhe me kalë përjashtohen: lëvizja me mbret çon menjëherë në pat, ndërsa lëvizja me kalë e lejon të ziun të çlirohet, duke shtyrë ushtarin h dhe duke hapur një shteg për mbretin në h7.

Atëherë mbetet që i bardhi të bëjë një lëvizje me fil. Thamë që çdo lëvizje përgjatë diagonales (a1-e5) çon edhe ajo në pat të menjëhershëm; ndërsa falja e filit në g7 çon në barazim, sepse i bardhi nuk e fiton dot lojën vetëm me një kalë.

Mbetet lëvizja paradoksale, kundërintuitive, Ff6.

Kjo është edhe zgjidhja e vetme e problemit. Në pozicionin që krijohet, i ziu ka vetëm një lëvizje në dispozicion, të detyruar – të marrë filin me ushtarin në g7.

Ashtu krijohet ky pozicion:

Tani i bardhi e ka më të lehtë: afron mbretin nga e7 në f8:

Duke i lënë të ziut një dhe vetëm një lëvizje të ligjshme: avancimin e ushtarit nga f6 në f5. Ashtu i bardhi realizon matin, duke çuar kalin në f7:

Bukurinë problemi e ka te lëvizja çelës, Ff6.

Pozicioni fillestar në tabelë është megjithatë i tillë që, duke lëvizur me kujdes, i bardhi gjithnjë fiton: një kalë dhe një fil, në bashkëpunim me mbretin, mund t’i eliminojnë dy ushtarët e zinj dhe pastaj ta zënë mat mbretin kundërshtar.

Duke e kundruar, pyeta veten se çfarë mund të ketë lëvizur i ziu, për ta arritur pozicionin (kjo lloj analize, që ecën në kah të kundërt me lojën, quhet edhe retrograde).

Le ta shohim edhe një herë pozicionin fillestar:

Meqë radhën për të lëvizur e ka i bardhi, le të gjejmë se çfarë lëvizjeje ka bërë i ziu, për të arritur deri këtu.

Dy ushtarët, në g7 dhe në h7, janë në pozicionet e tyre fillestare; prandaj i ziu nuk mund të ketë lëvizur veçse me mbret; dhe e vetmja kuti, nga ku mbreti i zi mund të ketë shkuar në h8 është g8.

Prandaj, një lëvizje më parë, pozicioni do të ketë qenë kështu:

Por një pozicion me mbretin e zi në shah parakupton që të jetë paraprirë nga vetë lëvizja e të bardhit, që jep shah me kalë në h6. Ky kalë mund të ketë ardhur në h6 nga f7, f5 ose g4.

Prandaj arkeologjia e problemit na çon në një pozicion si ky më poshtë:

(Kali mund të ishte njëlloj në f7 ose në g4).

Këtu i bardhi do të lëvizë Kh6 shah, dhe i ziu do ta çojë mbretin në h8, për të mundësuar matin me tre lëvizje.

Por kjo analizë retrograde zbulon edhe “cenin” e këtij problemi: jo vetëm që i bardhi e kish lojën objektivisht të fituar pa qenë nevoja për akrobaci gjeniale me fil, por edhe lëvizjes së supozuar Kf6 shah i ziu mund t’i përgjigjej duke e marrë kalin me ushtarin në g6, dhe ashtu të siguronte barazimin.

Përmbysja

Duke qëmtuar për historinë e këtij problemi në Internet, zbulova edhe një kuriozitet të habitshëm: problemi funksionon, sërish si mat në 3 lëvizje, edhe tabelën të kthyer mbrapsht (flipped):

 

Mat me tre lëvizje

Në pozicionin e ri më lart, i ziu i ka shtyrë dy ushtarët në rreshtin e vet të shtatë: u mjafton edhe një lëvizje, për t’u graduar. Dinamika e këtij pozicioni është krejt e ndryshme nga ajo e problemit tjetër, por kjo nuk ndryshon gjë në rezultatin final (mat me tre lëvizje).

Si edhe në pozicionin origjinal, i ziu është në zugzwang, nuk mund të lëvizë asgjë – meqë kutinë b1 e mbulon kali në a3, ndërsa ushtari në b2 është i ngulitur nga fili në h8. I bardhi duhet të lëvizë në mënyrë të tillë, që t’ia lejojë të ziut lëvizjen, gjithë duke gatitur rrjetën e matit (por edhe duke shmangur rrezikun e një pati, p.sh. me Mc2 ose Md3, etj.).

E vetmja lëvizje e arsyeshme do të ishte me mbret në c3, për t’ia lejuar të ziut të gradojë ushtarin b, duke ia hequr ushtarit ngulitjen nga fili i bardhë në h8.

Këtu i ziu ka dy mundësi: ta gradojë ushtarin si damë (b1D) ose ta gradojë ushtarin si kalë, për t’i dhënë shah mbretit të bardhë.

Le t’i shohim të dyja.

Nëse i ziu e gradon ushtarin si damë (ose një figurë tjetër çfarëdo, veç kalit):

 

I bardhi përgjigjet duke dhënë shah me kalë në c2 (mat i menjëhershëm, po ta kish graduar i ziu ushtarin si torrë):

Dhe i ziu është i detyruar të përgjigjet duke e marrë kalin me damë (kjo vlen edhe sikur i ziu ta kish graduar ushtarin b si fil). I bardhi këtu e merr damën e zezë me mbret dhe jep mat:

Nga ana tjetër, nëse i ziu e gradon ushtarin b si kalë, duke dhënë shah:

I bardhi e sjell mbretin në c2 duke dhënë edhe ai shah (me filin në h8):

Dhe pasi i ziu ta ketë mbuluar shahun me një Kc3 të dëshpëruar, i bardhi jep mat trivial duke e marrë kalin me fil:

Analizën retrograde të këtij versioni me tabelë të përmbysur po ia lë lexuesit.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

(Shënim: mos u tregoni të pamëshirshëm me mua, po të gjeni ndonjë gabim në shënimet më lart. Problemi është fantastik, por nuk po pretendoj që edhe komenti im të jetë.)

 

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin