TEZEU NGA NORVEGJIA

magnus-carlsenDje më 22 nëntor përfundoi, në Chennai të Indisë, matçi për titullin e Kampionit Botëror në shah, midis kampionit në fuqi, indianit Vishy Anand, dhe sfidantit, norvegjezit Magnus Carlsen, i cili e fitoi këtë duel dhe u kurorëzua si kampion i ri i botës.

Diferenca në moshë – Anandi është 44 vjeç, ndërsa Carlsen vetëm 22; së bashku me diferencën në rendiment vitet e fundit, u pasqyruan edhe në ecurinë e matçit: Carlsen fitoi tre lojë dhe i barazoi të tjerat, pa qenë asnjëherë në rrezik të humbasë ndonjërën.

Edhe pse shumë e prisnin këtë humbje të Anandit, ky mund të kish zgjedhur të rrokullisej teposhtë pak më bukur.

E ndoqa me kërshëri matçin, siç kam bërë edhe herë të tjera në të shkuarën, me shpresë se do të sillja këtu, në blog, momente dramatike dhe lojëra tërheqëse; por të tilla nuk pati. Carlsen fitoi dy finale të mërzitshme me torre dhe pastaj një lojë të tretë, kur Anandi, i dëshpëruar, u hodh i tëri në një sulm sa patetik aq edhe grotesk kundër sfidantit, për të gabuar pastaj rëndë dhe për t’ia dorëzuar lojën papritur.

I vetmi virtyt që tregoi kampioni i ri, gjatë këtij dueli të pabarabartësh, ishte aftësia për të luajtur saktë; që nuk është pak, pa çka se prej një kampioni presim gjithnjë diçka më tepër.

Meqë e njoh disi historinë e shahut botëror, mund të them se ky ishte nga matçet më të mërzitshme që janë luajtur ndonjëherë; çfarë nuk e përligji dot interesin e jashtëzakonshëm të botës shahistike.

Carlsen është një gjeni, i cili tani pritet të mbretërojë derisa të mërzitet edhe ai vetë; ndryshe nga shumë kundërshtarë të tij, ai nuk shquhet për ndonjë ekspertizë në hapjet, por vetëm për aftësinë pothuajse diabolike, për të nxjerrë ujë nga guri, duke fituar edhe pozicione të cilat, 99% e kundërshtarëve të vet, do t’i kishin lënë përgjysmë, për të nënshkruar barazimin.

Dy fjalë edhe për Anandin; kolegu i tij, ish-kampioni Vladimir Kramnik, e konsideronte këtë gjeni dhe lojtarin më të mirë ekzistues; por e vërteta është se Anandi prej kohësh nuk po luante dot në nivel kampioni. Humbja e tij e tanishme, poshtëruese për mënyrën si ndodhi, dhe aq më tepër përballë publikut të vet në Indi, e mbylli pikëllueshëm karrierën e tij zbritëse, duke e shuar, si të thuash, në ujë, yllin e tij perëndues.

Vështirë të gjesh, në historinë e matçeve për titull kampion, një të tillë kur kampioni nuk tregoi asnjë shkëndijë prej shkëlqimit të tij të dikurshëm; aq sa të dukej si Minotauri i Borges-it, i cili mezi ç’priste sa të shfaqej Tezeu për ta vrarë dhe për ta shpëtuar nga tortura e ekzistencës.

Mjerimi i një kampioni bote: kush do ta kishte menduar? Në fakt, pak muaj para matçit, vetë Kramniku – edhe një herë ai – pat thënë se Anandi ka frikë nga Carlseni: si shahist gjeni, si forcë e natyrës, dhe si djalosh i veshur bukur; kampioni botëror i shahut kish kështu frikë nga dikush të cilin mediat prej kohësh po e trajtonin si kampionin e ri; pa folur për sukseset e njëpasnjëshme në turnetë e shumta dhe kopertinat e revistave, përfshi këtu edhe ato të modës.

Mjerimi i një kampioni bote – ose vetëdija se të pret vetëm humbja, poshtërimi dhe të gjitha metaforat e tjera të vdekjes, në mos vdekja vetë. Në mos gabohem, nga të gjithë kampionët e kurorëzuar të shahut, vetëm Alekhin-i vdiq duke qenë akoma i tillë; të tjerët e përjetuan të gjithë rrëzimin nga froni, prandaj këtu Anandi nuk bën përjashtim.

E veçanta këtu është se, si kurrë më parë, ky rrëzim i dhimbshëm nuk kish ndodhur në sytë e botës mbarë.

Shto këtu edhe se, duke gjykuar nga loja relativisht mediokre e indianit, këto 2-3 vjetët e fundit, shumë prej nesh veç po prisnin për rrëzimin e tij; pa çka se epërsia e Carlsenit ishte kaq totale, kaq e padiskutueshme, kaq e ftohtë, sa të na bënte të ndienim veç mëshirë për kampionin në fuqi.

Me kalimin e viteve, Anandi ishte shndërruar nga “ai që fiton” në “ai që ka fituar”; ose në një fitimtar në kohën e kryer, të cilit gjithçka përreth i duket si fundi i filxhanit, që ia parathotë rrëzimin. Aq sa të dukej sikur nevoja, qoftë edhe vetëm morale, për të qenë kampion deri në fund, ose për të shkuar me këmbët e veta te gijotina, ishin shpagimi, ose ndëshkimi hyjnor për kë kish guxuar dikur të fitonte gjithçka.

Të interesuarve do t’u këshilloja të mos humbnin kohë me lojërat e match-it; jeta është e shkurtër, ndërsa “vdekja” metaforike e Anand-it e gjatë dhe e mërzitshme. Kush kërkon të shijojë pak teatër shahistik këtë mëngjes, le të riluajë këtë dyluftim, dhe njëkohësisht dramë të nivelit më të lartë, nga matçi Fischer-Spassky i vitit 1972.

Nuk ka komente

  1. Po e ndiqja matçin. Anand m’u duk i fortë në barazime, por siç jepni të kuptoni dhe ju më sipër, kaq nuk mjafton për një kampion bote. Në humbje pastaj ishte e hidhur ta shikoje teksa kundërshtari i tij, që mund të ishte dhe i biri në moshë, arriti deri aty sa futi ushtarin e fundores për mbretëreshë të dytë në njërën nga ndeshjet!

  2. Pyetje qe s’kane lidhje me lojen e shahut ne vetvete.

    Une nuk di gje per shahun dhe nuk e kuptoj lojen, por ato qe lexova ne shkrim me sakelldisin ne nje tjeter drejtim. Me ben pershtypje fakti qe nje tjeter mendje gjeniale (nje shahist gjenial a eshte edhe nje mendje gjeniale??? Kam menduar gjithnje se duhet te jete keshtu.) e quan Anandin gjenial per shume vjet. Dhe pastaj ky i fundit per mese tre vjet tregon mediokritet total deri edhe ne ndeshjen e fundit. Nuk kuptoj cfare ka ndodhur. Kramnik u ngaterrua per gjenialitetin e Anandit? Eshte normale ne shah qe njerezit te konsiderohen gjeniale e pastaj te dale qe s’jane te tille? Anandi eshte i semure dhe keto jane shenja te nje zbythjeje te aftesive te trurit?

    1. Arsyet janë psikologjike: me sa duket Anandit i ka ikur dëshira për të fituar.

      Në nivele të larta, faktori psikologjik vjen e bëhet vendimtar: që të fitosh, duhet të kesh edhe shtysën e nevojshme për të fituar.

      Anandi mbetet ai që ka qenë si intelekt, edhe pse me moshën thonë se bie aftësia për kalkulime lëvizjesh.

      Megjithatë, siç e pranoi edhe ai vetë në konferencën e shtypit pas përfundimit të matçit, ai bëri disa gabime relativisht të pafalshme në momentet vendimtare të lojërave.

      Kjo shpjegon edhe pse Carlseni i fitoi këto lojëra pa bërë ndonjë gjë heroike, ose tepër artistike, në fushëbetejë: merita e tij ishte se luajti pa gabime.

      Po të shohësh listat e lëvizjeve të analizuara nga një makinë shahistike, të habit fakti që lëvizjet e Carlsenit janë pothuajse gjithnjë optimale.

      Tani, mund të pyetet se pse bën gabime Anandi. Mundet që të jetë lodhur, mundet që të mos jetë më në gjendje të përqendrohet si dikur.

      Mundet që frika nga një kundërshtar objektivisht më i fortë se ai, ose stresi përkatës, të sjellin shpërqendrim.

      Mundet, më në fund, që vetë preokupimi për të mos bërë gabime, ta ketë ndikuar për të luajtur në mënyrë të tillë, ku Carlseni ka marrë iniciativën dhe ka ushtruar trysni mbi të, në pritje të gabimit fatal – sa kohë që dikush që mbrohet ka më shumë gjasa të gabojë, se dikush që sulmon (kanë thënë se teknika e mbrojtjes në shah lë ende shumë për të dëshiruar; dhe se shumë lojëtarë të nivelit të lartë e kanë më vështirë të mbrohen sesa të sulmojnë).

      Carlseni, nga ana e vet, ka treguar këmbëngulje të pashoqe për të luajtur edhe në pozicione të mërzitshme, duke shndërruar në fitore lojëra të cilat kolegët e vet do t’i kishin lënë barazim menjëherë.

      Anandi e ka ditur këtë; dhe me siguri është ndier i kërcënuar në pozicione të tilla, në dukje të barabarta, ku Carlseni ka pasur një avantazh fare të lehtë pozicional ose material (p.sh. fil kundër kalit, etj.). Nga ana tjetër, kampioni në fuqi nuk guxoi veçse një herë – në fund të matçit – të krijojë pozicione të pabalancuara, me mundësi taktike shpërthyese; sepse këto janë edhe pozicionet ku mund të gabohet më lehtë.

      Për ata që e ndjekin shahun, do të thoja se Carlseni fitoi duke luajtur si Fischeri; ndërsa Anandi humbi ngaqë nuk arriti të luajë si Tali.

      1. Xha Xha, ndryshe nga sporte të tjera si futbolli, që komentohen drejtpërsëdrejti, shahu e ka lezetin e komentit në fund të ndeshjes, sepse ka dinamizëm tjetër si lojë, ndonëse nuk përjashtohen interpretimet gjatë lojës. Kënaqësia që më dha ky koment ka lidhje me faktin se shahu nuk është vetëm lojë kalkulimesh të ftohta matematikore. Ndeshja është edhe psikologjike, si edhe në loje të tjera natyrisht, por të tilla aspekte janë të vështira për t’u deshifruar në heshtjen tempullore të shahut. Dëshira për fitore ka gjithnjë rëndësi vendimtare. E kjo na bën ta shohim çështjen më gjerë, nëse shahu merret si metaforë e jetës.

  3. Xhaxha, duke ndjekur linkun (me rekomandimin tend) iu ktheva ndeshjes ne fjale Fischer-Spassky i vitit 1972. Po lexoja komentet dhe diku gjeta nje shenim “Note: just another source for mistakes appears en passant…”

    Me qelloi qe nje nga instruktoret e shahut, me konfidoi se e kishte mesuar kete levizje nga nje 12 vjecar.

    Dhe per nje qe mund te qelloje qe nuk ishte ne dijeni(i kishte shpetuar) te ketij rregulli “en passant” mund te ndodhet para nje surprize gjate nje ndeshje shahu, megjithese rregulli ka nja 500 vjet qe eshte vendosur e aplikuar per te evituar nje situate kur ushtari mundet qe heret te futet me nje levizje “te oborri i shtepise”.

    1. Një program i vogël (app) që përdor për të luajtur shah në celular, nuk ma pranon lëvizjen en passant, të paktën në disa pozicione (p.sh. kur ushtari im është në h5 dhe i ziu lëviz g7-g5). Gjëja më interesante, në këto app-e të thjeshta, janë gabimet që bëjnë.

    2. Kujt më ka pyetur ia kam shpjeguar si një pengesë për të shmangur kërcënimin në mes të lëvizjes me dy kuti. Është një nga inkoherencat e shahut, mbasi i jep dy tempo një lëvizjeje. Rasti tjetër është rokada kur lëvizja e mbretit është e kërcënuar në mes.

  4. Mua me ka qelluar nje situate e ngjashme me nje chess app nje dollaresh te Nook Color, kohe me pare, pavarsisht se sot kam hequr dore nga perdorimi i Nook Color, sepse nuk eshte shume ekonomik(dhe me hapsira literature me te ngushtuar) ne blerjen e librave krahasuar me Kindle.

    Selektiviteti ne aplikimin te nje en passant, pervec gabimit ne programim mund te jete ndoshta edhe pasoje edhe te ndonje “bug” ne program. Por shume kapen gafil para nje en passant, si pasoje e neglizhences, apo edhe mos njohjes se levizjes.

    Une kur e mendoj shtruar si levizje “it makes sense”. Imagjinoj ushtarin ne fushen e betejes, qe i vetem avancon me teper se cduhet.

    Atij qe i ka shkuar ndermend shekuj me pare te shtoje kete rregull/levizje e ka marre nga logjika reale e fushebetejes. Te avancosh i vetem(pa levizjen e priteshme sulmuese diagonale qe pastron terrenin) eshte thike me dy presa; t’ia dilje mbane ishte shume e veshtire.

    Kishte shume te ngjare, pritej(pritshmeria eshte e larte) qe nje kembesor/ushtar kundershtar t’ia behte/te ndodhej perbri dhe te te hiqte koken. Sakrifica dhe shkathtesia e ushtarit guximtar me nje hapje te tille nuk ia vlente.

    Humbja e ushtarit si pasoje e levizjes en passant te kundershtarit kthehet ne dizavantazh, sidomos kur ndodh ne fillimet e lojes/betejes.

    1. Nuk ka lidhje avancimi i vetem apo i mbrojtur ne en passant, pasi ushtari nuk merret ne pozicionin ku mberrin, por ne pozicionin ku kalon. Pra nuk eshte puna se avancon “me teper se c’duhet.” Ushtari avancon ne ate mase sa qe atje ku perfundon eshte i mbrojtur, avancon aq sa duhet dhe jo me teper. Problemi eshte se per te arritur ne pozicionin e duhur i duhet te kaloje ne rrezen e ushtarit kundershtar. Arsyeja e en passant nuk ka te beje edhe aq me logjiken e luftes se sa me logjiken e gradimit te ushtarit ne kutine e fundit. Ne mungese te en passant, mund te mjaftoje qe nje ushtar te hidhet dy kuti nga vendi, dhe rrugen per mbretereshe e ka teknikisht te hapur nga ushtaret kundershtare, nderkohe qe asnje nga ushtaret kundershtare mund te mos e kete te hapur. En passant e ben levizjen e ushtarit me dy kuti te pamjaftueshme.

      1. Ne shekullin e pesembedhjete kur eshte bere ky modifikim i fundit ne shah “en passant”, levizja/rregulli erdhi si nevoje per te dale nga problemi /avantazhi qe sillte lejimi i levizjes se pare(te hapjes) te ushtarit me dy kuti.

        Por nese u lejua kjo levizje per te krijuar me dinamizem te ri ne loje, duke shmangur merzitine (dullness) e shahut te ngadalte, te fortifikuar, pozicional, ishte e logjikeshme qe avantazhi i tjetrit te balancohet, pikerisht me kapjen e ushtarit “en passant”. Ai mund te jete “ne rrezen e ushtarit kundershtar”, por pa levizjen/rregullen “en passant” nuk ka cfare t’i beje.

        Te dyja rregullat(levizja dy kuti dhe kapja “en passant” ekzistojne per njera tjetren; te mos mbetemi ne nje rreth vicioz, sepse avantazhi i levizjes dykutishe, krijonte probleme te tjera, sic shpjegove vete.

        Te mos biem ne “fallacy” ku “the premise is used to prove the conclusion, and the conclusion used to prove the premise”. 🙂

  5. eshte shume interesante biseda e ju te gjitheve ne nje gjuhe qe mua me duket sikur i kuptoj cdo fjale, por ne fakt nuk kuptoj asgje. Kuptoj vetem se ju te gjithe jeni shume entuziaste, dhe kjo ne vetvete eshte shume e bukur. Gjithnje kam pyetur veten nese jane kryer te gjitha levizjet e kombinimet e mundshme ne shah, qofte edhe te paregjistruara, apo ka gjithnje te reja si ne perdorimin e gjuhes qe cdo dite pjell prodhime qe kurre nuk ishin kombinuar pikerisht ashtu me pare. Gjithashtu, a eshte shahu nje loje qe nje mendje brilante ne parashikim dhe tejshikim e zoteron dot pa mesuar si jane sjelle shahiste te njohur para saj apo para tij (me duket sikur ka vetem burra shahiste te njohur…) A ka vlere shkolla per nje shahist gjenial apo vetem per shahiste te zakonshem?

    1. Shahu është i fundmë (ndryshe nga gjuha), por fundi nuk i është nxjerrë, as teorikisht.

      Gjithnjë ka nga ata që quhen chess prodigies dhe që shquhen që të vegjël fare, por sot është e pamundur të luash shah në nivel shumë të lartë pa mësuar përmendsh një numër të madh variantesh të hapjeve.

      Përndryshe, kundërshtari që i ka memorizuar, del nga hapja me avantazh të madh ndaj teje dhe pastaj, me pak teknikë, mund ta konvertojë këtë avantazh në fitore.

      Prandaj sot është e pamundur të jesh shahist në nivelin e mjeshtrit edhe të FIDE-s (nën nivelin e mjeshtrit ndërkombëtar) pa studiuar hapjet me vite.

      Kompjuteri e ka shndërruar krejt qasjen ndaj lojës dhe trajnimit, sidomos sa u përket hapjeve dhe finaleve (ose asaj faze të lojës kur në fushë kanë mbetur pak gurë, e cila mund të analizohet tërësisht nga softueri).

      Megjithëse ka vende si Rusia (dhe më parë BS) dhe tani Kina që e kanë praktikuar masivisht shahun në femra, shahiste femra të tilla që të konkurrojnë ballazi me meshkujt në nivel kampionësh ende nuk janë parë.

      Kampionia e tanishme e botës, kinezja Hou Yifan, gjithnjë rrezikon të renditet diku nga fundi, në një turne mjeshtrash ndërkombëtarë të koeficientit ELO 2600-2700.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: