Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Semiotikë / Shah

KALI I BARDHË I MARILYNIT

Në artikullin “On Transitional Objects and Transference”, psikanalisti amerikan Ralph Greenson rrëfen një episod kurioz nga seancat e tij terapeutike me Marilyn Monroe-n, pak muaj para se aktorja e shquar të vdiste nga një mbidozë barbituratesh.

Pak ditë para se Greenson të largohej për një kongres ndërkombëtar në Europë, gjithnjë i shqetësuar se mos Marilyn-i do ta vuante mungesën e tij, meqë kish krijuar një marrëdhënie varësie me të, aktorja e lajmëroi se kish zbuluar një mënyrë, si ta përballonte mungesën.

Gjatë një udhëtimi në Meksikë Marilyn-it i kishin dhuruar një komplet shahu me figura fildishi të gdhendura, dhe – teksa po i shihte një natë gurët e vënë në rresht, përmes dritës bubërruese të një gote shampanjë – papritur iu duk se dr. Greenson-i i ngjante shumë kalit të bardhë në fushën e shahut. Dhe kjo i krijoi një ndjenjë komforti. Kali i bardhë do të ishte mbrojtësi i saj, dhe do të mund ta merrte me vete kudo që shkonte… Madje edhe gjatë shfaqjes që do të jepte, në Madison Square Garden, ku do t’i këndonte Happy Birthday to You presidentit John Kennedy. Do ta mbante të fshehur në shami ose në shall, dhe ishte e sigurt se kali do ta mbronte nga nervozizmi, ankthi dhe fati i keq.

Dhe ashtu ndodhi, për disa ditë. Pastaj Marilyn-i i telefonoi mjekut në panik, për t’i thënë se e kish humbur kalin e shahut, që po e përdorte si hajmali (angl. amulet)[1], që do ta mbronte ndaj fatit të keq. Nuk do ta merrte më veten, pas këtij aksidenti edhe simbolik, edhe të trishtuar.

Këtë histori pak shahistike e ndesha kur lexoja librin Il caso Marilyn M. e altri disastri della psicoanalisi, 2000 Editori Laterza, nga Luciano Mecacci[2]; të rrëfyer në italisht, ku kali i bardhë quhej – doemos – “cavallo bianco”; tek e fundit, njëlloj si në shqipe. Nuk po e shquaja dot menjëherë lidhjen intuitive mes kalit të shahut dhe hajmalisë së aktores; përveçse po të kish pasur vërtet ndonjë ngjashmëri fizike mes Greenson-it dhe gurit të shahut (kemi pasur një kushëri në familje, për të cilin vajza e tezes sime thoshte se është “si kalë shahu”, duke iu referuar mirëfilli pamjes së tij). Por besoj se ngjashmëria në atë rast kish të bënte me rolin “mbrojtës” të gurit.[3]

Dhe ashtu u kujtova që kalit të shahut, në anglishte, i thonë knight, fjalë e cila përndryshe ka kuptimin “kalorës”, jo “kalë” – dhe kjo pavarësisht nga forma që ka kjo figurë, si kokë dhe qafë e një kali. Metafora e kalorësit përdoret për ta emërtuar gurin në gjuhët gjermanike, por edhe në baskisht, në çekisht, në frëngjisht, në hebraisht, në irlandisht dhe në ndonjë gjuhë tjetër. Mendohet se kalimi nga kali te kalorësi, për të emërtuar gurin, ndodhi kur shahu filloi të luhej në oborret e mbretërve dhe në sallonet e aristokratëve të Europës; për arsye të ngjashme do të ketë ndodhur edhe kalimi nga “elefant” në “peshkop” (bishop) dhe “oficer”, për atë figurë që në shqipe e quajmë fil (e njëjta temë morfoleksikore që del edhe te fildish).

Ashtu kali i bardhë, në anglishten e Marilyn-it dhe të mjekut të saj, do të merte formën gjuhësore white knight; çfarë edhe ma sqaroi enigmën – meqë the white knight, ose “kalorësi i bardhë” në shqip, është në kulturën anglo-saksone figurë mitologjike dhe shifër narrative, që zakonisht përfaqëson një luftëtar heroik, që ndeshet me të keqen; dhe i kundërvihet the the black knight, ose kalorësit të zi.[4]

Personazhin e afrojnë edhe me një stereotip tjetër të narrativës mesjetare, kalorësin endacak: knight-errant në anglishte, që shkëputet nga bota e vet e origjinës, për t’u endur në botë, vënë të drejtën në vend dhe imponuar idealin e vet kalorësiak, zakonisht në emër të një gruaje. Modeli i këtyre kalorësve ishin heronjtë e Tryezës së Rrumbullakët të legjendave arturiane. Më pas, Cervantes-i, me Don Kishotin, do t’i vinte në punë këto legjenda për të depërtuar edhe më thellë në realitet.[5]

Në anglishten moderne, white knight është metaforë e shpëtimtarit, edhe pse kohët e fundit ka filluar të përdoret – sidomos në slang – edhe për ata burra që, gjithë duke treguar simpati për gratë dhe duke i mbrojtur nga rreziqe reale dhe imagjinare, përpiqen të sigurojnë prej tyre favore seksuale.

Kjo sqaron edhe pse Marilyn-it i duket psikanalisti i vet si “kalorës i bardhë” – sepse tek ai sheh njeriun që do ta shpëtojë nga kllapia e neurozës. Në anglishte ky përfundim funksionon vetvetiu, falë kuptimit që ka shprehja vetë; por kuptimi humbet gjatë kalimit nga white knightcavallo bianco. Nuk di të them nëse autori Luciano Mecacci, psikolog dhe profesor universitar, e ka këtë parasysh, kur komenton episodin në fjalë.

Në çdo rast, guri i shahut që Marilyn-i fillon të mbajë me vete, nuk më duket veçse prania simbolike e psikanalistit të saj mbrojtës, falë një marrëdhënieje që themelohet mbi poliseminë gjuhësore të emrit në anglishte. Për të njëjtën arsye, humbja e kësaj hajmalie do të shënjojë, njëlloj simbolisht, ndërprerjen e marrëdhënies me Greenson-in.

Çfarë më tërheq në këtë histori, është që sendi i simbolizuar si fetish, në trajtën e një figurine të gdhendur (skulpture miniaturë), është edhe ai vetë simbol, dhe – në rastin e kalit të shahut – mishërim i lojtarit në fushën e lojës[6], që ka ngjashmëri ikonike me një objekt a entitet real (në rastin tonë, kali). Mund të arsyetohet se kali, si figurë shahu, ka edhe marrëdhënie metaforike me kalin si kafshë, ngaqë “kërcen” sipër figurave të tjera; por kjo marrëdhënie, edhe në qoftë e konfirmuar, nuk luan asnjë rol në funksionin që ka kali, si figurë shahu, brenda lojës. Që në disa gjuhë ajo figurë quhet “kalorës”, dhe në disa të tjera “kërcyes”, kjo nuk ndikon në mënyrën si lëviz ajo në fushë (rregullën që dikton lëvizjen e saj).

I ndarë nga bashkësia e gurëve me tabelën, për t’u përdorur në funksione të tjera, p.sh. si ornament ose si hajmali, ose edhe si lodër në një lojë fëmijësh, ose si gur në një lojë dame, kali i shahut i humbet lidhjet që ka me figurat e tjera dhe rregullat e shahut, duke u dukur gjithnjë e më shumë si një kokë dhe qafë kali në miniaturë; dhe njëherazi, emri i saj, në anglishte knight, fillon të mbushet me kuptimet dytësore të fjalës. Kjo ngjashmëri ikonike ndërmjetëson edhe për kuptimin “white knight”, ose (ëngjëll) mbrojtës (të një gruaje).

Që të përdoret si hajmali, guri i shahut duhet “shkëputur” nga gurët e tjerë, tabela dhe krejt “konteksti” shahistik, duke u reduktuar në tiparet e veta metaforike: emri i materializuar në formën ikonike të kalit dhe mitologjia e “kalorësit të bardhë” e trupëzuar në gjuhë.

 

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me ndihmën e Midjourney.


[1] Ndryshe nga talismani, si objekt që i jep personit që e ka a e mban fuqi të mbinatyrshme, hajmalia (amulet, në angl.) supozohet që të ofrojë mbrojtje ndaj së keqes. Por shpesh këto dy fjalë, talisman dhe hajmali, përdoren si sinonime – meqë edhe mbrojtja që ofron hajmalia është një lloj fuqie e mbinatyrshme.

[2] Por edhe e kam verifikuar pastaj anglishten, nëpërmjet librit Marilyn Monroe: A Case for Murder, nga Jay Margolis, iUniverse 2011; ku citohet origjinali i artikullit të Greenson-it.

[3] Për t’u shënuar se atë gur në shqip e identifikojnë jo rrallë si kalë shahu, çfarë nuk ndodh me gurët e tjerë, meqë shprehje të tilla si mbret shahu, fil shahu, torre shahu etj. nuk ndeshen.

[4] Sipas Cirlot (A Dictionary of Symbols), në mitologjinë indoeuropiane por jo vetëm, “kali” është simbol i bartësit trupor, ndërsa “kalorësi” është Fryma (the Spirit). Edhe Kalorësi i zi, edhe Kalorësi i bardhë shfaqen rëndom në përrallat dhe legjendat mesjetare në Europë, dhe kundërvënia e së bardhës me të zezën i ka rrënjët në shkallën alkimike të ngjyrave. Cirlot e barazon Kalorësin e bardhë me Sir Galahad-in, “të zgjedhurin” e ungjillorëve, ose “të iluminuarin”, figurën që që del nga një periudhë errësire. Që këtej Kalorësia, si stil të jetuari, duhet parë si një lloj superior i pedagogjisë, që ndihmon për ta shndërruar (në kuptimin alkimik) njeriun e natyrshëm – pa kalë – në njeri spiritual. Këtu gjejnë vend edhe figurat e shenjtve padronë si Shën Gjergji, Santiago de Compostela ose Arkangjeli Mëhill. Do të shtoja këtu edhe Gandalf-in, te Lord of the Rings.

[5] Një version më modern i personazhit është i ashtuquajturi “knight in shining armor”.

[6] Kjo duket veçanërisht qartë në videolojërat, ku lojëtari mishërohet në lojë nëpërmjet avatarit të vet.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin