MENYJA ALBANOLOGJIKE (II)

Dëshiron të mësosh për historinë e gjuhës shqipe dhe të shqiptarëve, prejardhjen e tyre, origjinën e shqipes dhe marrëdhëniet me gjuhët e tjera – mendon t’i përvishesh albanologjisë.

Si ta fillosh, nga ta fillosh?

Sot sfida e kureshtarit albanologjik është si të zgjedhë nga moria e titujve që i ofrohen, në shqip dhe në gjuhë të tjera, në librari dhe online; pa folur pastaj për rekomandimet, nga autoritete të njohura dhe të panjohura.

Dikur filtrimin – për mirë a për keq – e bënte autoriteti politik, në marrëveshje me atë shkencor. Botimi i një libri, sinjalizonte njëherazi miratimin “nga lart”. Dukej sikur lexuesit i rrinte mbi kokë një mësues i padukshëm, që hiqte dhe vinte tituj në raftin e dijes personale.

Sot kureshtari është lënë në mëshirë të kureshtjes së vet, dhe e ndien veten “të lirë” për të zgjedhur.

E megjithatë, mensa albanologjike ofron gjellë të shumëllojshme, dhe jo për çdo stomak. Janë me mijëra titujt, studimet, monografitë, librat popullarizues që libraritë, bibliotekat dhe Interneti i vënë në dispozicion të lexuesit, në shqip dhe në gjuhë të huaja.

Kureshtari që zgjedh thjesht me intuitë, vetëm rrezikon t’i ekspozohet një ushqimi intelektual të patretshëm.

Si çdo fushë tjetër e dijes, albanologjia duhet përfytyruar si një proces, ku studiues të ndryshëm dialogojnë mes tyre në hapësirë dhe në kohë. Jo çdo hipotezë a teori mbijeton – përkundrazi, pjesa më e madhe e “arkivit” albanologjik, anembanë botës, tashmë është tejkaluar.

Një studim që dje mbahej si fjala e fundit, sot i shërben dijes kryesisht për të kuptuar se ku u gabua pikërisht.

U bënë gati 200 vjet që autorë të ndryshëm – historianë, gjuhëtarë, filologë, folkloristë – shkruajnë për temat që i interesojnë kureshtarit të sotëm. Por veprave të tyre, si rregull, nuk mund t’u afrohesh pa një përgatitje të specializuar.

Të marrim studimet që i kanë kushtuar historisë së shqipes dhe të shqiptarëve një numër arbëreshësh të shquar, nga shekulli XVII e këtej – të cilat studime tani mund të shfletohen online, falë përpjekjeve institucionale të lavdërueshme në Itali dhe gjetiu.

Këto studime kanë interes të veçantë për historianët e Rilindjes Kombëtare, veçanërisht të Rilindjes arbëreshe; për historianët e albanologjisë dhe të filologjisë arbëreshe; për historianët e mendimit intelektual arbëresh dhe shqiptar, gjatë shekujve të fundit.

Por kontributi i tyre në albanologji është pjesërisht i kapërcyer; dhe shumë gjëra që lexuesi gjen në këto libra nuk i kanë qëndruar kohës. Për këtë arsye, kureshtari që u qaset studimeve, të themi, të Kamardës ose të Vincenz Dorsës, pa një aparat kritik dhe pa mbajtur parasysh vjetrimin e tyre, do të marrë informacion të gabuar.

Ka edhe studiues të huaj që u kanë kushtuar vepra historike shqiptarëve dhe gjuhës së tyre – por shumë prej këtyre veprave tashmë kanë interes vetëm për historianin e albanologjisë, sepse hipotezat e sjella atje nuk i kanë qëndruar kohës.

Një libër i shekullit XIX, që flet për marrëdhëniet e shqiptarëve të sotëm me pellazgët e lashtësisë, ka nevojë të filtrohet, para se t’i sillet lexuesit të rrugës. Dhe me filtrim nuk kam parasysh censurën, por përditësimin e studimit, në raport me çfarë ka mbetur prej tij dhe është trashëguar nga dija që ka ardhur pas.

I njëjti arsyetim, në thelb, vlen edhe për veprat e historianëve të lashtësisë klasike – duke filluar nga Herodoti e Straboni, të cilët kanë shkruar për ilirët, trakët, pellazgët dhe popuj të tjerë të gadishullit tonë. Kureshtari i sotëm nuk mund të nxjerrë informacion me natyrë albanologjike, nga tekste të tilla, pa u ngatërruar me këmbët e veta.

Është veçori e dijes me natyrë historike, si albanologjia, që të përfshijë në vete edhe të shkuarën e vet; por në atë mënyrë që vetë përfshirja, të shërbejë edhe si filtër. Vetëm dijetarët e specializuar mund të ndajnë shapin nga sheqeri, dhe të vënë në dukje çfarë vlen nga një vepër e vjetër, duke e vendosur në kontekstin e duhur kritik.

Edhe një vepër klasike e albanologjisë, si Fjalori Etimologjik i Gustav Mayer-it, tashmë i përkthyer në shqip dhe në dispozicion të lexuesit, nuk mund të përdoret lirisht nga kureshtari – meqë një pjesë jo e vogël e zgjidhjeve etimologjike të atij autori kanë rezultuar më pas të pasakta dhe janë përmirësuar nga autorë të tjerë.

Sfida e madhe e kureshtarit albanologjik është si të ruhet, përballë menysë së pasur që i ofron tregu, biblioteka dhe Interneti, nga ushqimet e skaduara. Dhe këtu nuk e kam fjalën për lajthitjet dhe argëtimet që sjellin amatorët (pseudologët), por për vepra nga emra të njohur dhe të vlerësuar të dijes albanologjike.

E mira do të ishte që interesit kaq të shtuar për historinë e gjuhës dhe të popullit shqiptar institucionet e dijes – nga Akademia te Universitetet – t’i përgjigjeshin me një projekt veprash popullarizuese, të cilat t’u prezantonin kureshtarëve arritjet më solide të dijes në fushat përkatëse, duke e përgatitur edhe ndaj rrezikut për helmim ushqimor dhe diarre mendimi, që u kanosen.

Sa kohë që vepra të tilla mungojnë, qarkullojnë ende libra nga Eqrem Çabej dhe Shaban Demiraj, të cilave lexuesi mund t’u besojë, me bindjen se autorët kanë pasur interesat e lexuesit të përgjithshëm në mendje, duke kondensuar me kujdes dhe përgjegjësi të dhënat albanologjike themelore, e duke i parashtruar ato në formë të kapshme edhe nga jospecialistët.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin