GJENERALI I CITUESHËM

Në ndërhyrjen e vet, në debatin e përgjithshëm gjatë sesionit të 74-t të OKB-së më 27 shtator 2019, të cilën mund ta ndiqni të plotë në anglishte këtu, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u ndal edhe në çështjet e sigurisë globale, ku ndër të tjera tha:

There is a saying, from a long-experienced army general if I am not mistaken that there are two sort of countries in the world: small countries and the countries that are not aware that at the end of the day they are still small.

(citati fillon në minutën 7:50 të regjistrimit)

Për të vazhduar pastaj me përgjegjësitë e Shqipërisë, si vend i vogël, në këtë kontekst.

Këtë pasazh Newsbomb.al e përcolli të përkthyer kështu:

E për sigurinë ka një thënie nga një gjeneral ushtrie me përvojë të gjatë, që “ka dy lloj vendesh në botë, vende të vogla dhe vende që nuk janë të vetëdijshme që në fund të fundit ende janë të vogla”.

Ndërsa TemA në anglishte e përmblodhi kështu:

There is a saying: Albania may be a small country, but it is aware of its responsibilities.

Yeah, a well known saying indeed.

Në epokën e motorëve të kërkimit, liderëve u dalin gjithnjë probleme me citimet dhe citatet; edhe pse gabimet i bëjnë, me gjasë, fjalimshkruesit e tyre. Ndonjëherë, liderët i lënë qëllimisht të kalojnë pasaktësi të tilla, për të verifikuar nëse ua dëgjon kush fjalimet.

U bëra kurioz për gjeneralin me përvojë, në fjalën e Ramës, dhe u vura ta kërkoj citatin në Google.

Por gjeta vetëm një thënie të qershorit 2017, nga ministri i financave të Danimarkës, Kristian Jensen, i cili, duke iu referuar Brexit-it, u pat shprehur kështu:

There are small nations and there are countries that have not yet realised they are small nations.

Jansen këtu e kish fjalën për Danimarkën e vet si small nation; dhe për Mbretërinë e Bashkuar, që nuk kish arsye të sillej si super-fuqi dhe që, si vend europian, mbetej edhe ajo vend i vogël, pa çka se nuk e kish kuptuar ende.

Nëse këtë e ka thënë edhe ndonjë gjeneral me përvojë të gjatë, këtë nuk e gjeta dot. Të tjerë më të zotët dhe më të duruar se unë mund ta gjejnë. Vetë Rama ngurroi, duke shtuar “if I am not mistaken” – i vetëdijshëm se kish diçka që nuk shkonte me citatin.

Në fakt, kështu siç u pretendua ta ketë thënë ky gjeneral me përvojë, por ende i paidentifikuar, citati nuk ka kuptim – në botë ka edhe vende të vogla edhe vende të mëdha. Tingëllon pak si e tepruar të thuash se vende si Kina, Rusia, India ose SHBA “nuk e kanë kuptuar ende që janë vende të vogla.”

Gjithnjë shpresoj në aftësitë bibliografike të fjalim-shkruesve të Ramës – dhe kushedi ka pasur vërtet ndonjë gjeneral që i ka kujtuar të gjitha vendet si të vogla. Por ky do të ketë ndonjë gjeneral që i ka pasë vënë dylbitë mbrapsht, prandaj edhe e meriton që të dallohet nga shokët.

Më ndihmoni të paktën për ta identifikuar gjeneralin.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara. Kopjuesit do të përndiqen me rrugë ligjore.

6 Komente

  1. Ja edhe një inxhi tjetër e TemA-s anglishte:

    Por Rama nuk tha kështu. Unë nuk e kap dot mirë se çfarë tha tamam, por qartazi nuk e lidh shkrirjen e ajsbergëve me ozonin.

    Më duket sikur thotë (minuta 4:00):

    We live under the ozone that is thickening, and a climate that is melting icebergs.

    Por edhe kjo meriton pak koment.

    Ma do mendja me “icebergs” Rama ka parasysh “glaciers” – sepse ajsbergët, që nga momenti që përftohen, nuk kanë të ardhme tjetër, përveçse që të shkrihen në ujët e oqeanit.

    Sa për “the ozone that is thickening”, kjo nuk po më tingëllon si problem dhe aq i madh, po të kemi parasysh se deri më sot jemi shqetësuar për hollimin (the thinning) e shtresës së ozonit… gjithsesi, pa shumë lidhje me ngrohjen globale.

    Po mbase fjalimshkruesit e Ramës kanë akses në të dhëna të tjera.

    1. Thjesht duke u perpjekur te ndjek “logjiken” e fjalimshkruesit, duhet ta kete pasur fjalen qe akujt qe po shkrijne ne pol krijojne ajsberget dhe ky proces po ndodh per shkak te ngrohjes globale. Kuptohet, ne anglisht i ka dale me kuptim pak si ndryshe, ashtu siç e interpretoni ju. Po keshtu Vrima e Ozonit, sic u emertua vite me pare, tashti eshte mbyllur fare dhe nuk ka ndonje lidhje me ngrohjen globale qe mendohet se per shkaktar kryesor ka leshimin ne atmosfere te disa gazeve qe perftohen nga veprimtari njerezore, ose edhe si procese natyrore, si psh gromesirat e lopeve. Cudi si nuk i paska permendur keto te fundit ne fjalim.

  2. Cifutet jane popull i vogel por me influence te madhe ne historine e njerezimit .fuqia e ideve thone eshte me e madhe se fuqia e perandorive .
    Per shqiptaret e sotem kontributi me I madh qe mund ti bejne botes eshte te mesojne te qeverisin vendin e tyre .

  3. Rama: “New efficiency standards in construction, a coming ban on non degradable plastic bags, a moratorium on hunting and lodging, tree planting campaign, are only part of our ambition to make Albania a leading example in a green agenda.”

    Do kishte qënë më mirë të thoshte: “let’s make Albania a leading talking point for Trump’s agenda… even above Venezuela.”

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin