ASHENSOR

nga Ajkuna Dakli

2019

Dhe të mendosh që gjithë kjo filloi qëkur u shpik ashensori. Ndryshe nuk do mund të ngjiteshim aq lart” – thotë shoferi me anglishten e tij me aksent,  ndërsa unë zgjas kokën nga dritarja duke pritur me padurim që turma të kalojë rrugën.

Është mëngjes. Kam marrë uber për të kursyer kohë dhe megjithatë jam vonë. Na janë dashur plot 45 minuta për 10 km nga shtëpia ime deri në downtown. Një lumë makinash, rregullime aty-këtu të rrugëve, rikonstruksion i Gardiner-it, e vetmja autostradë që del në downtown në jug të Torontos, ndërtim i dy qiellgërvishtësve të rinj në York Street që ka bllokuar për muaj një nga daljet kryesore, dhe, pasi i kemi kaluar të gjitha pengesat, makina ka ngecur pas dritës së kuqe duke pritur që lumi i njerëzve që derdhet nga Union Station të kalojë kryqëzimin. Një turmë e njëjtë, po aq e madhe, vërshon në kalimin e nëndheshëm që, si një rrjetë merimange përshkon gjithë zonën e downdown në Toronto për kilometra të tëra.

Po” – them “lart” .

Në jetën tonë, të njerëzve të metropolit, të gjitha shigjetat tregojnë “lart” : Katet e qiellgërvishtësve që shtohen, pritshmëria financiare e bizneseve që i ndërtojnë dhe i shesin, pritshmëria financiare e bizneseve që do t’i popullojnë këto ndërtesa, pritshmëria financiare e atyre që do t’i drejtojnë këto biznese, ashensorët plot në mëngjes, pritshmëria e performancës profesionale për secilin prej nesh në kubikët ku kalojmë pjesën më të madhe të ditës e të jetëve tona.

Motoja e shoqërisë në metropolet e e Amerikës së Veriut është “Rritje”.

Janë qindra mijëra qeniet njerëzore si unë, grimca të një rrëkeje njerëzore që derdhet çdo mëngjes dhe çdo pasdite, ndërsa intervalin 8-9 orësh midis dy derdhjeve e kalojnë mbyllur në salla të mëdha duke punuar që të arrijnë më lart gjithnjë më lart.

Me përjashtim mbase të ndonjë ore në food-court në sheshet e nëndheshme veshur me pllaka mermeri ku hanë me ngut dhe bisedojnë me zë të lartë sepse tjetrin e kanë kaq afër, sa zërat përzihen në një gumëzhime të përgjithshme që e mbulon vendin si një avull pothuaj i dukshëm. Një skenë që më kujton një film me Charlie Chaplin –  punëtor fabrike të cilin mundoheshin ta ushqenin me anë të disa makinerive për të minimizuar kohën e drekës.

Kur fillova punë vite të shkuara në downtown, në katin e 20-të  të një qiellgërvishtësi me 25 kate,  më rastisi fati ta kisha kubikun pranë dritares nga ku shihja Liqenin e Ontarios . Pamja ishte shplodhëse dhe më jepte një ndjesi lirie dhe privatësie, më dukej se atë pjesë hapësire e kisha disi për vete.

Po vitet kanë bërë të tyren edhe me hapësirën vertikale. Nga ajo dritare liqeni nuk duket më sepse pamja është zënë nga dhjetëra ndërtesa të reja që kanë populluar gjithë bregun. Shumë nga ndërtesat që ngrihen në downtown janë më të larta . Të gjitha shpojnë qiellin, ndërsa hapësirat brenda ngushtohen.

Ndërtimi i rrugëve publike bëhet ngadalë, ato kushtojnë. Ndërkaq edhe rreth rrugës ekzistuese hapësira që popullohet me ndërtesa të bizneseve private ngushtohet duke e kthyer nga një autostradë nga e cila dikur shihej liqeni, në një korridor midis qiellgërvishtësve.

Apartamentet e banimit bëhen gjithnjë e më të vogla dhe kushtojnë gjithnjë e më shtrenjtë. Megjithatë blihen sepse konsiderohen “trendy” dhe “convenient“ . Nga njerëz që nuk kanë kohë për të shijuar hapësirën, familjen, për të cilët shtëpia është vetëm një qosh për të fjetur. Nga njerëz të tjerë që ndodhen përballë zgjedhjes midis hapësirës dhe kohës : një apartament pak më i madh do të thotë orë të tëra në trafik.

Toronto ka mbi 6 milion banorë. Popullsia rritet përditë. Rrëketë njerëzore që derdhen çdo mëngjes shtohen e ngjiten akoma më lart, hapësirat tona ngushtohen, koha rrudhet, betoni gërvisht qiellin, bizneset shesin më shumë, njerëzit punojnë më shumë për të paguar po ama, shtypin të tjerë butona dhe jeta u duket më komode.

Në ndërtesën ku punoj tani nuk jam aq lart – në kat të 11-të dhe ndërtesa është nga më të vjetrat në zonë e si rrjedhojë më të ulëtat vetëm 13 kate. Rrethuar nga tre anët me ndërtesa më të larta. Nganjëherë, shkoj disa minuta pranë njërës nga dritaret e dhe shoh sheshin përballë. Një shesh i vogël me disa statuja lopësh prej metali vendosur aty për t’i sjellë pak gjallëri turmës që mbush sheshin në pushim për të marrë një rreze diell kur bën ngrohtë. Por në dimër, statujat duken të ftohta dhe të braktisura.

Më duket, se po jetojmë një kohë, kur koncepti hapësirës dhe kohës shtrembërohet çdo ditë e më shumë . Për tu përshtatur, ngaqë nuk kemi zgjedhje, ose ngaqë tashmë u mësuam .

Bizneset shesin, ne blejmë një milion gjëra për të cilat nuk kemi nevojë, dhe punojmë që të blejmë më shumë, përpiqemi të shkojmë lart dhe nuk e vëmë re se kjo na e gëlltit jetën kafshate pas kafshate, çdo ditë rrotullohet gjithnjë e më shpejt si një karusel derisa zgjohemi pas dekadash dhe çdo gjë që  mbajmë mend është e “turmëzuar

Por jeta fizikisht, është më komode, butonat që shtypim për t’i pasur gjërat gati shtohen, dhe na duket se komoditeti dhe mundësia që t’i kemi të gjitha aty me një lëvizje të mollëzës së gishtit është ajo çka ka rëndësi .

Drita jeshile hapet më në fund dhe makina kalon kryqëzimin.  Jam vonë. Ora e ka kaluar 9-ën.

Rrëkeja njerëzore që vazhdon të derdhet është gjithashtu vonë. Kjo duket qartë te nguti për të kaluar rrugën vend a pa vend, duke shtypur ndërkohë butonat e celularëve, qenieve të reja teknologjike pas të cilave jemi lidhur pazgjidhshmërisht dhe pa të cilat nuk dimë më të jetojmë.

Kthej kokën dhe i buzëqesh shoferit “ Ja që te ashensorët nuk më kishte shkuar mendja

Po “ përsërit shoferi. “Ndryshe nuk do kishte qenë e mundur te ngjiteshim aq lart “.

Kujtoj padashur provat e zjarrit kur punoja në kat të 20-të. Morëm shkallët dhe na u deshën plot 20 minuta për të zbritur.

Ashensori është lehtësi e madhe. “- them – “ Vetëm se ka një problem të vockël : Kur ndodh diçka, nuk punon dhe duhet të marrësh shkallët. Dhe kur ngjitesh shumë lart nuk është aq lehtë për të zbritur .”

Ai qesh .- “ Sigurisht .  Kemi ndërtuar një botë gjigande mbi cingla . Nëse njëra prishet i gjithë sistemi bie. Ngjitemi e ngjitemi, pa menduar se sa më lart të ngjitesh aq më fort vritesh kur bie.”

Më në fund arrijmë. 50 minuta për 10.2 km. Makina ndalon. I them shoferit ditën e mirë dhe zbres. Nuk ka nevojë ta paguaj. Më duhet vetëm të shtyp një buton në telefon. Kafen gjithashtu e marr në vrap e sipër pa pasur nevojë të paguaj. Një tjetër buton në telefon.

Në ashensor, ndërsa ngjishem mes turmës që nxiton të ngjitet lart, ëndërroj  padashur një tjetër epoke, shumë vite më parë, një jetë që nuk rrotullohej kaq shpejt, jo kaq komode, më pak butona që ti sillnin gjërat gati po kur hapësira dhe koha kishin tjetër vlerë.

As ëndrra nuk zgjat shumë . Ashensorët janë te shpejtë. Shtyp një tjetër buton dhe dal. Ulem në tavolinën e punës. Dita duket me diell, po nuk e kuptoj në është një rreze mëngjesi që përvidhet nga jashtë, apo drita artificiale mbi kokën time.

2021

Është e pazakontë ndjesia që më le pamja e downtown pas kaq kohësh. Këta 18 muaj qenë të vështirë për shumë nga bizneset që popullojnë zonën. Arkitektura urbane e qytetit e ndërtuar mbi parimin e qendërzimit ishte e papërgatitur për një ngjarje të tillë .

Shumë nga zyrat e bizneseve financiare që popullonin dikur godinat e larta, janë akoma mbyllur ose punojnë me kapacitet të kufizuar, duke e lënë një pjesë të madhe të punonjësve të punojnë nga shtëpia. Restorantet, dikur të tej mbushura dhe plot zhurmë janë rihapur me kapacitet të kufizuar dhe janë pothuaj bosh. Nëpër dyqane raftet janë janë varfëruar dhe shitëset të këshillojnë të porositësh online.

Në rrugë ka pak njerëz dhe pothuaj askush nuk nxiton, kalimtarët duken qytetarë të ngeshëm që kanë dalë të shijojnë kohën.

Vetëm ndërtuesit punojnë njëlloj duke drejtuar të tjera shigjeta betoni drejt qiellit.

 

© 2021 Ajkuna Dakli. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin