TË VRASËSH NJË PANAIR

Nga Basilissa

 

If I sat down, I might not be able to stand up again. If I shed one tear, I might become Alice, swimming in an ocean of my tears.”  

Yiyun Li

Këtë lexova sot paradite, pasi ndoqa live çeljen e ceremonisë së përurimit të Panairit të 23-të të librit, Tirana 2020. Kaluan disa orë para se të ndërmerrja të shkruaja dy radhë. Fundja, në një periudhë të egër si kjo, mes krizës shëndetësore dhe asaj ekonomike, do t’i interesonte kujt t’i kushtonte vëmendje zhbërjes së një tradite kulturore, të shndërruar në institucion tashmë në Shqipëri? Në një Shqipëri që numëron gjithmonë e më pak tradita kulturore, e përherë e më shumë kulturë institucionale zyrtare?

Jo më larg se mbrëmë, në gjysmë errësirën e gongut policor, isha duke diskutuar me një mikun tim mbi humbjen e ndjeshmërisë së këtij qyteti për çdo gjë që del jashtë sferës ngushtësisht të mbijetesës; nuk është koha as për art, as për probleme sociale, as për muzikë, as për letërsi, as për Panair Libri. Kjo bjerraditje e diskursit publik nuk është asgjë më shumë se varfërimi i mendimit dhe, si rrjedhojë, dobësim i angazhimit qytetar… Kësisoj, këto shqetësime të paraqitura më poshtë janë një kundërpërgjigje ndaj kësaj kulture.

Sot u çel Panairi On-line i librit, duke përbërë këputjen e parë të hallkës së një tradite 23 vjeçare të Panairit të Librit. Panairi ka qenë padyshim ndodhia më e rëndësishme botuese në Shqipëri; me morinë e problemeve që paraqiste, të cilat shkonin nga mungesa e risive në administrimin e tij vit pas viti, e deri te shndërrimi në një pazar libri, ai mbeti një pikëtakim mes autorit dhe lexuesit, botuesit dhe lexuesit, botuesit dhe botuesit, përkthyesit dhe lexuesit, përkthyesit dhe botuesit, gazetarëve, publicistëve, autorëve që vinin nga jashtë. Kaq të madhe e kishte audiencën një event i tillë, sa do t’i përshtatej fare mirë shprehja italiane “Chi non muore si rivede”… në panair.

Këtë vit, për shkak të pandemisë botërore Covid-19 dhe distancës fizike që kushtëzon menaxhimi i kësaj krize, Pallati i Kongreseve nuk e mikpriti dot më ngjarjen më të rëndësishme librore të vitit, ndaj u mendua që ky organizim të zhvendosej on-line. Pyetja që ka llamburitur sadopak në kokën e kujtdo kaloi në Sheshin Skënderbej para 2 javësh qe: Pse një “panair” alimentarësh dhe jo një panair libri? U duk se s’pati asnjë përgjigje. Të ketë qenë më i fortë presioni i industrisë së qoftes, se ai i industrisë së librit? Në këto ditë të ngrohta nëntori mbase qytetarët e Tiranës mund ta kishin shijuar më së miri të endurit nga njëra stendë në tjetrën nën diellin që ende s’na ka braktisur. Megjithatë u zgjodh të bëhej on-line, po si?

Nëpërmjet zhvillimit të një platforme, nga ana e një televizioni privat (?!) që do të shërbejë si online retailing, pra njëlloj si kanë vepruar deri tani faqe ekzistuese si Shtëpia e Librit, apo Bukinisti. Faqja mban si komision një përqindje specifike për çdo shitje dhe bën lidhjen me shërbimin postar, në mënyrë që libri të mbërrijë në shtëpi. Pyetja që lind vetvetiu për këtë sistem është: Pse duhej zhvilluar një aplikacion nga fillimi, kur disponohen deja faqe të cilat kanë të hedhur në sistemet e tyre mijëra tituj? Kur prej kohësh kanë ngritur metadatat e tyre, duke e bërë më të lehtë kërkimin? Me çfarë procedure dhe me çfarë transparence u caktua ky zhvillues? Zhvillues i cili, si për ironi, me kjoskat e panumërta të çemçakëzave nëpër qytet ka zëvëndësuar pjesën më të madhe të bukinistëve historik, të peizazhit tiranas post ’90. Për të vazhduar më tutje me faktin se, çdo botues, për t’u regjistruar në sistem, duhet të paguajë një tarifë në Shoqatën e Botuesve, ndërsa kontratën e lidh me televizionin privat, si zhvillues i aplikacionit. Marrësi vetë pra lexuesi, kandiset me premtimin për çmime të ulëta, por nga ana tjetër për një porosi të vetme që përfshin libra nga shtëpi botuese të ndryshme, siç ndodh zakonisht, i duhet të paguajë kosto dërgese për secilën nga ato, pra nëse blen 5 libra në platformë nga shtëpi të ndryshme botuese kosto e dërgesës, e cila në këtë rast do të ishte 750 lekë, pak vend i lë përfitimit të atij 20% më pak. Pse kjo tollovi prej qofte-panairi?

Në ceremoninë e transmetuar sot on-line, ku nuk ekzistonte një libër i vetëm për be, qoftë dhe sa për fotografi a skenografi, u falënderua gjerësisht Bashkia e Tiranës, e cila, mesa duket, po përpiqet të rehabilitojë imazhin e shembur nga shembja e Teatrit Kombëtar duke mbështetur Panairin on-line të librit (panairin fizik, atë që garanton kontaktin real me njerëzit dhe shitjet reale nuk e kemi parë ta mbështesë më parë). U falënderuan përfaqësuesit e saj, të pranishëm dhe ata in absentia. Bashkia e Tiranës e ka mbështetur Panairin këtë vit me 25 milion lekë të vjetra, ndërsa Qendra Kombëtare e Librit me 7 milion. Por nëse botuesve, të cilët luftojnë për mbijetesë pas këtij vitit tërmetesh, izolimesh dhe krize ekonomike, u duhet të paguajnë për t’u regjistruar në këtë platformë, nëse kalendari me aktivitete mbështetet në masë dërrmuese nga botuesit vetë dhe nga kafet, libraritë, apo vendet e tjera ku zhvillohen këto aktivitete, atëherë lindin sërish pyetje “të errëta” mbi mënyrën se si menaxhohen këto para.

Zonja Diana Kastrati, pjesë e jurisë së Panairit, u shpreh entuziaste se Bashkia e Tiranës kishte instaluar në shesh disa ekrane led të mëdha, ku do të transmetoheshin 24 orë aktivitetet e ndryshme mbi librin, duke thënë se, pavarësisht se s’do të dëgjohet një dreq në ato ekrane (fjalët e mia këto), përsëri, besonte te përthithja “pasive” e librit… si të ishte marrëdhënia me librin dhe leximin një aktivitet i cili në vetvete nuk kërkon angazhim mendor. Ndërsa Nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, zonja Ristani, shkoi aq larg sa, në mënyrë “vetëdenoncuese” të përdorte termin instragramable për këtë edicion dhe këto zgjidhje gjeniale pasiviteti. (Dikush duhet t’i thotë zonjës se është propaganda ajo që përftohet dhe përthithet pasivisht, jo leximi, i cili supozohet të edukojë pikërisht të kundërtën, mendimin kritik). Zonja Ristani pikturoi një Tiranë ku mbaheshin radhë të gjata para librarive, duke lartësuar app-in e prodhuar si zgjidhje ndaj këtyre radhëve, dhe me keqardhje u shpreh mbi pamundësinë për të organizuar “panaire madhështore”… Sa keq që pak tezga në shesh do ta kishin përmbushur funksionin e tyre, pa qenë madhështore.

Zonja Margariti, nga ana tjetër, duke iu drejtuar një publiku prej 20 vetash (ku gjysma ishin operatorë televizionesh) u shpreh e kënaqur për pjesëmarrjen e gjerë dhe hodhi në tryezë opsionin e një panairi on-line edhe për vitet e ardhshme…

Nuk e dimë sa shitje do të ketë ky Panair. Dimë që platforma on-line e shitjeve do të vijojë deri në muajin prill. Pra, parimisht platforma nuk mbulon vetëm kohën e panairit, ajo është një platformë si çdo platformë tjetër (mbase dhe më e dobët), zgjidhje e cila ka ekzistuar dhe vitet e kaluara. Dimë se këtë vit ka 50% më pak botues pjesëmarrës në Panair, dhe se ata nga Kosova mungojnë thuajse fare. Aktivitete thuhet se janë rreth 60, por pjesa më e madhe e organizatorëve të tyre nuk kanë nevojë për asgjë nga ana e Shoqatës, pasi zhvillohen nga subjektet vetë. Gjithashtu, dimë se deri tani paratë kanë shkuar për të ngritur ekrane led në zonën e ish-bllokut apo në Sheshin Skënderbej, si dhe për të prenotuar salla luksoze tek Hotel Plaza për ndarjen e çmimeve, aktivitete pa asnjë lidhje  me lexuesin dhe pjesën kryesore të faktorëve të përfshirë në lëmin e letrave shqipe. Lexuesi, sakaq është kaq larg, sa as nuk e di që ka një app dhe që mund te blejë libra më lirë me të. Por kjo situatë është më e mirë për sponsorët, apo jo?