ZYLOJA I KAPUR NË LIGJËRIM (III)

Si personazh në roman, Zyloja ndërtohet me dy teknika të ndryshme: (1) duke u vënë të eksplicitojë premisat e mëdha të arsyetimeve, të cilat shpesh janë truizma ose klishe dhe, si rregull, fraza të parafabrikuara; (2) dhe duke iu referuar, me këto premisa të mëdha, një botëkuptimi specifik, i cili shpesh është banal dhe herë tjetër inkogruent me kontekstin; por që, para së gjithash, mishëron një lloj filozofie materialiste të vulgarizuar, një lloj materializmi dialektik dhe historik “për masat”, i cili prej Bashkimit Sovjetik kish mbërritur deri në Shqipëri.

Kjo është filozofia e njeriut kapital më të çmuar, e kuadrit që zgjidh gjithçka, e materies primare ndërgjegjes sekondare, trurit materie e organizuar në shkallën më të lartë, komunizmit si socializëm plus elektrifikim, punës që e bëri njeriun njeri, ligjit të mohimit të mohimit, lëvizjes në formë spirali, spiralit si formë e progresit, unitetit dhe luftës së të kundërtave, kontradiktave antagoniste dhe jo-antagoniste dhe plot kisheve të tjera të ngjashme, të distiluara nga veprat e klasikëve të marksizëm-leninizmit dhe të gatuara si fast food filozofik për njeriun e ri.[1] Një Zylo real, në Shqipërinë e atyre viteve, do të kish përfshirë në to edhe citate dhe mendime të popullarizuara të Enver Hoxhës; por Enver Hoxha në gojën e Zylos është tabu në roman, për arsye të mirëkuptueshme.

Kështu, kur e shoqja e Zylos, Adila, kërkon të dijë më shumë për arsyet e transferimit të ish-kolegut të Zylos, Shemshedinit, Zyloja i përgjigjet kështu:

Këto… janë punë kuadri, kuadri është monopol i Partisë, mo-no-pol!

Që politika e kuadrit aso kohe ishte prerogativë e Partisë, kjo theksohej shpesh në kontekste formale – si në mbledhje dhe në konferenca. Çfarë e dallon Zylon, është që ky e ekspliciton këtë “parim” edhe në bisedë me të shoqen; dhe jo sepse është i shurdhër ndaj regjistrave të ligjërimit, por sepse nuk di mënyrë tjetër për t’u imponuar. Përndryshe, “kuadri është monopol i Partisë” tingëllon si parullë që mund ta shihje të afishuar në murin e një zyre kuadri, në një institucion; njëlloj si fotoja e detyruar e Enverit, edhe kjo frazë nuk kumtonte gjë tjetër, veç performativit – dhe pikërisht, duke shënjuar hierarkitë përkatëse. Klishe të tilla, në ligjërimin formal të burokratit nën totalitarizëm, i shërbenin riprodhimit të një rendi të caktuar; kuptimi i tyre i mirëfilltë, denotativ, e kish humbur rëndësinë. Që Zyloja, përkundrazi, i merr ato seriozisht madje i sjell si argument në bisedë me të shoqen, kjo kryesisht e ndihmon lexuesin të pikasë më mirë strukturën e ligjërimit zyrtar të kohës. Pa çka se Zyloja, si këtu si gjetiu, shpesh i shqipton këto gjëra për t’u dëgjuar nga një i tretë, që – falë edhe dinamikës së roleve në roman – qëllon të jetë ndihmësi i tij Demka; meqë ky lloj Zyloje, interpret i klisheve dhe truizmave të filozofisë dhe të sociologjisë marksiste, ka nevojë ai vetë që ta ndërtojë imazhin e vet në një mënyrë të caktuar. E megjithatë, nuk është vetëm Demka; sepse Zyloja i drejtohet këtij të treti abstrakt edhe kur është vetëm, duke e trajtuar si aftësues të pozitës së tij, të pushtetit të tij.

Ja edhe një monolog i Zylos (“fjalim” e quan Demka) gjatë një takimi me tre-katër vartës e vet, kur këta i kërkojnë të shkojë me pushime, për të bërë një ndërprerje të shkurtër nga puna:

Unë sapo kam ardhur në këtë sektor, ndaj kam vendosur që sivjet t’i heq vijë pushimit… Unë do të ndeshem me burokratët, me drejtorët, me shefat, me përgjegjësit, me kryetarët e kooperativave, të cilët u nxjerrin lloj-lloj pengesash grupeve artistike… Unë e shoh se kam për t’u përleshur me këta burokratë, por fitorja do të jetë nga ana jonë. Përveç këtyre ndeshjeve brenda vendit, mund të përleshemi edhe jashtë atdheut nëpër konferenca ndërkombëtare. Historia na ka thirrur në luftë dhe veprim për të mbrojtur kauzën e saj, që është edhe kauza jonë. Jemi pothuajse i vetmi vend që mbrojmë kauzën e drejtë të historisë, i vetmi vend i lumturisë së drejtë e të vërtetë të njeriut. Kurse ju më luti të bëj pushime. Jo, vëllezër! Interesi i përgjithshëm mbi ngushtësinë personale! Ky është parimi im! [f. 46]

Secila nga pjesët e nënvizuara do të qëndronte mirë si parullë e shkruar në mur; por Zyloja stolis me këto parulla dekorin e ligjërimit të vet, duke i lëshuar fjalët si punonjësit në parakalimin e 1 majit. Dhe sërish, si në parakalim, rrjedha e fjalëve është në shërbim të afishimit të këtyre parullave, të cilat prandaj edhe kanë përfunduar në këtë rol – duke u përsëritur gojë më gojë dhe tekst më tekst, fjalëkalime të pushtetit.

Por te ky monolog i mësipërm i Zylos përvijohet edhe një karakteristikë e dytë e ligjërimit të tij në roman, e cila e plotëson eksplicitimin e premisave të mëdha – dhe që shfaqet kur Zyloja fillon t’i thotë në vetën e parë shumës të gjitha ato pohime ose premtime, të cilat kanë të bëjnë me identitetin e tij publik, prej funksionari të lartë. Zyloja, si të thuash, kujdeset që gjithnjë të flasë në emër të një grupi, të cilit pretendon se i përket – dhe ku, në të vërtetë, pretendon të përfshihet thjesht nëpërmjet kësaj përftese të thëniezimit.

Vërejeni pasazhin më poshtë:

Unë e shoh se kam për t’u përleshur me këta burokratë, por fitorja do të jetë nga ana jonë. Përveç këtyre ndeshjeve brenda vendit, mund të përleshemi edhe jashtë atdheut nëpër konferenca ndërkombëtare. Historia na ka thirrur në luftë dhe veprim për të mbrojtur kauzën e saj, që është edhe kauza jonë. Jemi pothuajse i vetmi vend…[f. 46]

Zyloja e fillon në vetën e parë njëjës (unë), por pastaj thekson se fitorja do të jetë “nga ana jonë”, duke kaluar gati tinëzisht në vetën e parë shumës, me ndërmjetësimin edhe të klishesë “fitorja do të jetë jona”. Që këtej ai menjëherë vazhdon në vetën e parë shumës (përleshemi), tashmë anëtar i një çete imagjinare heronjsh, madje duke përmendur edhe “kauzën tonë”. Më në fund, kjo rrëshqitje përemrore përfundon me një notë solemne: identifikimin e Zylos me Shqipërinë: jemi pothuajse i vetmi vend – një fjali ku veta e parë njëjës kategorikisht përjashtohet. Një monolog që nis si parashtresë e gjërave që ka ndërmend të bëjë Zyloja në detyrën e re, përfundon në banalitet politik, çfarë i shërben Zylos për t’u komunikuar vartësve se ai i përket vetvetiu elitës drejtuese të Shqipërisë.

Kjo vetë e parë shumës, në ligjërimin e Zylos, vjen me nuanca të rëndësishme. Të vërehet çfarë thotë ai në skenën më poshtë, gjatë vizitës tek i ati i sëmurë në spital (duke iu drejtuar Taqit, një vartësi servil, i cili pastaj e rrëfen këtë si histori):

Pastaj edhe ata që ti i quan të mëdhenj, janë bij të dalë nga gjiri i masës dhe përfaqësojnë masën. Ja drejtori, – dhe i ra krahëve drejtorit të spitalit, – ky është një ndër ata bij të masës. Ne e rritëm, ne i dhamë shkollë…, – kështu tha shoku Zylo dhe unë dëgjoja e mendoja për mençurinë e tij, për zotësinë e kapjes së asaj hallke themelore, të cilën ne mezi e kapim. Nga ana tjetër unë vura re modestinë e shokut Zylo, që e ka pasur dhe e ka si parimin themelor në jetën e tij të përditshme. Të ishte ndonjë nga ne e të dëgjonte nga goja e babait një mburrje të tillë, nuk do t’i përgjigjej por do ta pranonte… [f. 67]

Në gojën e Zylos, që thotë “ne e rritëm, ne i dhamë shkollë” për drejtorin e spitalit, ne-ja është e natyrës ekskluzive, meqë ka kuptimin “unë (Zyloja) dhe të tjerët si unë, por jo ju (që më dëgjoni”; kjo është një ne që e rendit Zylon brenda një grupi që gëzon privilegje të merituara, si elitë në pushtet. Përkundrazi, ne-ja e Taqit është e natyrës inkluzive, “unë dhe ju të tjerët që më dëgjoni”, për të përftuar kështu një grup admiruesish, që veçohen nga Zyloja, sepse nuk i kanë as meritat, as privilegjet, as zotësitë e tij.

Siç e cekëm pak më lart, kjo ne inkluzive e lejon Zylon të flasë si të ishte udhëheqës i lartë. Sërish në spital, te shtrati i të atit të sëmurë:

Edhe mua m’u lut shoku Q. për ta dërguar babanë të shërohej në një spital në Vjenë, por e refuzova! – dhe ai vështroi mjekët. – Mjekët tanë janë duarartë. Është çështje tjetër ajo e të atit të shokut Q. Dhëmballa e tij jo vetëm që kishte shtatë çataj, por ia kishte infektuar edhe nofullën… [f. 69]

Inferoritetin karshi shokut Q., dhe qejfmbetjen pse nuk ia dërguan edhe atij të atin për t’u mjekuar jashtë, Zyloja e maskon me megalomani, duke lëvduar mjekët vendës dhe duke bërë një dallim qesharak midis dy pacientëve pleq. Si edhe herë tjetër, ligjërimi i Zylos shpreh atë çfarë ky ëndërron se është, jo atë që është në realitet.

(vijon)

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Kopjuesit do të përndiqen penalisht.


[1] Këtë mish-mash truizmash dhe banalitetesh, të qëmtuara poshtë e lart, Zyloja parapëlqen ta quajë fiLLozofi, madje e këshillon edhe Demkën që ta ndërrojë shqiptimin: “fjalën fillozofi mos e shkruaj me një l, por me dy. (f. 32)” Në fakt, kështu i shqiptonin fjalë të tilla brezi i vjetër i kuadrove në Shqipëri – përfshi edhe Enver Hoxhën vetë, i cili thoshte kllasa, pllani, sociollogjia, ideollogjia; shqiptimi i velarizuar (me ll) shërbente si shibboleth, duke përvijuar atë elitë të brendshme, së cilës Zyloja donte aq shumë t’i përkiste: funksionarë të lartë të kuadrit, dipLLomatë, ideoLLogë të Partisë, njerëz që e njihnin njëri-tjetrin me shenja, si frank-masonët.

4 Komente

  1. Ne shkrimin “Te jetosh i sheshuar”, zoti Vehbiu, ju keni te drejte kur thoni (megjithese eshte tipike per llojin e telenovelave ne pergjithesi, dhe jo vetem per ato turke) , citoj: “Nuk i sheh (personazhet, shen. im) kurre te hapin librin, te lexojne gazeten, te degjojne muzike, te shkojne ne teater, ne koncert, ne kinema a stadium, te luajne me njeri-tjetrin, te merren me sport ose me ndonje hobi tjeter; jeta e tyre pertej nderveprimit me njeri-tjetrin eshte zero”.
    E njejta gje vlen edhe per romanin e zotit Dritero Agolli. Ne kete aspekt, ai eshte nje thatesire e madhe. Kjo eshte tipike per letersine e soc-realizmit ne pergjithesi, por tek romani i zotit Agolli, kjo mungese eshte tejet e theksuar. Mjafton vetem kjo mungese, qe ia ben te pamundur vepres te hyje ne letersine e madhe.

    1. Kam frikë se nuk e keni lexuar romanin, ose e ngatërroni me ndonjë roman tjetër. Te “Zyloja” të gjithë veç japin e marrin me “kulturë”: shkojnë në teatër, lexojnë, diskutojnë për libra dhe shkrimtarë, shkruajnë libra. Pa çka se atje kultura është më shumë një ritual për ruajtjen dhe riprodhimin e elitës burokratike.

      Kam gjithashtu frikë se nuk po e kuptoni për çfarë po shkruaj te kjo seri. Sa më lart, është ese studimore për ligjërimin e Zylos në roman, jo vlerësim i romanit vetë dhe i vendit të tij në letërsinë shqipe (unë e vlerësoj lart romanin, gjithsesi). Autori, Agolli, duke e tipizuar Zylon, ka ndërtuar gjithashtu një model të diskursit burokratik në Shqipërinë e para 1973-shit, të cilin unë tani po e eksploroj.

      Nëse romani është i Realizmit Socialist apo jo, kjo mbetet shumë e diskutueshme (unë besoj se JO). Por nuk është këtu vendi për ta diskutuar. Këtu po flitet për tjetër gjë. Sikurse nuk është vendi për të diskutuar nëse romani hyn apo jo “në letërsinë e madhe”. E marr me mend që këto tema mbase ju interesojnë (mua jo). Gjithsesi, përpiquni të diskutoni për temën që kam hapur unë, jo për çfarë ju intereson juve.

  2. Zoti Vehbiu i lexova me vemendje te tre shkrimet tuaja. “Modeli i diskursit burokratik” eshte tema per te cilen ju terhiqni verejtjen per te debatuar. Jam shume i qarte ne kete pike. Mirepo verej qe, nga ketu, dilni ne pergjithesime, ku nuk eshte e veshtire te veresh nje mbivleresim te romanit, per mendimin tim natyrisht.
    Citimin qe ju bera per c’keni thene per telenovelat turke e solla te plote per te qene korrekt, sepse vetem fjalia e fundit , besoj, shpreh thelbin e asaj cka keni dashur te thoni : “jeta e tyre pertej nderveprimit me njeri-tjetrin eshte zero”.
    Ky lloj “nderveprimi” qe sipas jush nuk i mungon romanit te zotit Agolli, ne fakt nuk eshte ai nderveprimi per te cilin e keni fjalen ne shkrimin per telenovelat; perkundrazi, eshte nderveprim i thate, pa jete, skematik, ashtu sic do te duhej te ishte sipas skemes soc-realiste.

  3. Në vegzën e mëposhtme, keni “trailerin” e një filmi francez, qe eshte shume i ngjashem me romanin “Shkelqimi dhe renia e shokut Zylo”, madje do te thosha se regjisori ka prekur kufijte e plagjiatures.
    Kemi nje Zylo francez dhe nje Demke francez qe ia shkruan fjalimet, ndryshon vetem koha, gjuha dhe vendi…
    https://youtu.be/CmQPukA5S-w

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: