QË REFORMAT TË MOS PËRSËRISIN VETEN

nga Arjan Shahini

Kur qeveria shpalli dokumentin përfundimtar të reformës së arsimit të lartë, kryetari i qeverisë e ilustroi pakënaqësinë ndaj sistemit aktual duke cituar temat e disertacioneve, të cilat ai i cilësonte qesharake që “gajasnin njerëz e kafshë”.

Por situata është serioze dhe diskutohet shpesh nëpër qarqet akademike, nga profesionistët e fushës. P.sh. janë ndeshur raste të plagjiaturës në doktorata, si ai i fundit në Universitetin Bujqësor të Tiranës, apo studime doktorate që i gjurmojnë fillesat e arsimit shqiptar prej periudhës ilire.

Edhe raportet e studiuesve vendas apo ndërkombëtarë, gjithashtu dëshmojnë për një situatë shqetësuese në sistemin e kërkimit shkencor. P.sh. një studim i Bankës Botërore (“Strategjia për Inovacion në Kërkim dhe Zhvillim për Ballkanin Perëndimor”, Tetor, 2013), i Tempus (“Mbi Menaxhimin e Burimeve Njerëzore”, 2012), apo raportet e nëpunësve të qeverive të mëparshme dhe së fundmi edhe analiza e grupit të reformës. Problemet nuk janë vetëm ato të zakonshmet për një vend në zhvillim e në periferi, si mungesa e burimeve financiare, infrastrukturore e njerëzore, por edhe probleme të etikës e integritetit të strukturave dhe proceseve rregulluese të komunitetit të akademik në vend.

P.sh. po i njëjti raport TEMPUS (2012) evidenton se procesi i rekrutimit në vendet e Ballkanit Perëndimor karakterizohet nga mungesa e transparencës, korrupsionit, nepotizmit dhe kuadri ligjor restriktiv. Sistemi i karrierës ofron pak mundësi për të ardhmen, mobilitet të ulët ndër institucione, mundësi të varfra trajnimi dhe mungesë motivimi e stimujsh. Ndërsa personeli punon në kushte të pafavorshme, ku mungojnë autonomia dhe mundësitë për hulumtim, ushtrohet trysni politike dhe personeli përballet me një volum të madh pune dhe detyra të shumëllojta.

Por edhe pse rajoni i qëndron larg treguesve të performancës së Bashkimit Evropian në volumin dhe cilësinë e kërkimit shkencor (matur nëpërmjet numrit të publikimeve dhe citimeve), Shqipëria ka si konkurrent kryesor Serbinë, por i qëndron mbrapa saj. P.sh. deri në vitin 2001 Serbia dhe Shqipëria kishin nivele të ngjashme të produktivitetit shkencor në fushën e mjekësisë, siç vërehet nga MEDLINE Database, por më pas Serbia (2000 artikuj për vitin 2013) e tejkalon disa herë Shqipërinë (103 artikuj për 2013). Ky ndryshim i madh nuk mund të shpjegohet vetëm me mungesën e burimeve financiare (Shqipëria shpenzon rreth 0.2% të GDP, Serbia rreth 0.8%), por edhe me politikat e burimeve njerëzore. P.sh. në rastin e Serbisë, ndër të tjera ndikues ka qenë edhe sistemi rigoroz i promovimit dhe i mbështetjes financiare të monografive në universitetet publike.

Për shkak të nivelit të dobët të konkurrueshmërisë në rrafshin ndërkombëtar, është i nevojshëm rishqyrtimi i metodave të vlerësimit të performancës dhe i sistemit të karrierës në akademi. Kërkesat për përmirësimin e sistemit të rekrutimit dhe promovimit janë parashtruar edhe në nivel evropian. Sipas Kartës Evropiane të Kërkuesve, shtetet anëtare duhet të ndërmarrin hapat e duhur për të siguruar që punëdhënësit apo financuesit e kërkuesve të përmirësojnë metodat e rekrutimit dhe sistemet e vlerësimit të karrierës për të krijuar një sistem rekrutimi të hapur, transparent, të barabartë e të pranueshëm në nivel ndërkombëtar.

Qeveria Rama është e treta qeveri që shpall një dokument strategjik për arsimin e lartë ku preken edhe çështje të organizimit të burimeve njerëzore (qeveria Berisha 1 & 2 miratoi strategjitë për arsimin e lartë 2008-13, atë të kërkimit dhe inovacionit 2009-2015 dhe Planin Kuadër të Veprimit 2011).

Plani i qeverisë në këtë prizëm, është të rrisë nivelin profesional të kërkuesve duke rregulluar sistemin e karrierës dhe përqendruar aspiratat e personelit në aspektin e kërkimit. P.sh. është propozuar të reduktohet numri i titujve akademik duke hequr titullin “docent” për të ardhmen. Ndërkohë që është vendosur të forcohet pozicioni i lektores me përvojë në kërkim. Periudha për promovimin nga një titull në tjetrin është sugjeruar të zgjatet, nga tre që ka qenë, në pesë vjet. Për titullin profesor parakusht është titulli profesor i asociuar, ndryshe nga vendimi i qeverisë së mëparshme (pika 2.3, VKM 467, 2007). Kriteret për promovimin do të bazohen mbi prodhimtarinë shkencore, mësimdhënien dhe kontributet në proceset institucionale. Vlerësimi për prodhimtarinë, sikur edhe më parë, është parashikuar të mbështetet në kritere bibliometrike, si publikimi në revista me faktor impakti. Promovimi akademik do të menaxhohet nga institucionet. Por, sikur aktualisht, shteti ka kompetencën për hartimin e kritereve dhe regjistrimin e titujve (5.4.37). Përgjegjësitë për menaxhimin e procesit të promovimit janë ndarë ndërmjet Senatit Akademik dhe Komisionit të Përhershëm. Institucionet gjithashtu duhet të plotësojnë disa kritere për të pasur të drejtën për promovim (p.sh. të kenë 10 vjet ekzistencë dhe 18 profesorë me kohë të plotë).

Sipas planit, qeveria po harton kuadrin rregullator që do të detajojë synimet e shpallura në reformën e vitit 2014. Por, nëse nuk do të merren parasysh dështimet në të kaluarën, edhe kjo reformë rrezikon të mos jetë e suksesshme.

Kriteret e përmendura më sipër nga reforma, në lidhje me kriteret e vlerësimit të performancës (p.sh. prodhimtaria shkencore në nivelin ndërkombëtar të konkurrimit) ishin edhe pjesë e kuadrit të mëparshëm ligjor, por ato nuk zbatoheshin me rigorozitet nga drejtuesit e universiteteve. Edhe kur është zbatuar, në formë selektive, ky kuadër ka krijuar një nivel të lartë formalizmi pasi promovimi ose është kryer vetëm mbi treguesit sasior të kornizës (VKM 467, 2007), ose korniza nuk ka përfshirë veçoritë e disiplinave të caktuara, nevojat e departamenteve dhe koston financiare.

Që reforma në burimet njerëzore të jetë e suksesshme, duhet të inkuadrojë disa parime planifikimi në ekzekutimin e saj. Parimi kryesor është që promovimi të lidhet me nevojat e fakultetit për profesorë, bazuar në një plan afatgjatë zhvillimor për diversifikimin apo specializimin e departamentit.

Deri më sot praktika e promovimit është formale dhe automatike. Pasi kalon nga departamenti, kandidati paraqet kërkesën pranë Këshillit të Profesorëve të universitetit apo fakultetit, i cili me miratimin e kërkesës ja përcjell ministrisë së arsimit për njohje dhe regjistrim. Universitetet nuk kanë sisteme kontrolli trasparente për të rregulluar aspiratat e personelit për tituj akademikë. Qeveria kontrollon vetëm numrin e personelit të punësuar me kohë të plotë, ndërsa i duhet të marrë parasysh se ka ende mungesa në plotësimin e kritereve ligjore për numrin minimal të personelit me tituj për fakultete dhe departamente të caktuara në universitetet publike.

Së pari, si universitetet, edhe qeveria, për të rritur konkurrencën, duhet që në nivelin makro të kontrollojnë disa parametra mbi numrin e përgjithshëm të personelit me tituj akademik. P.sh. në vendet që shquhen për numrin e madh të publikimeve, profesorët përbëjnë rreth 20% (Gjermani, Zvicër) deri në 30% (Angli, Austri) të personelit me kohë të plotë. Në vitin 2009, profesorët në sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri zinin rreth 15% dhe profesorët e asociuar 13%. Që prej vitit 2004 deri në 2010 numri i profesorëve dhe i atyre të asociuar u rrit me rreth 38%. Integrimi i kërkimit shkencor në mësimdhënie gjatë reformës së sistemit shkencor, gjithashtu dërgoi një numër të madh drejtuesisht të kërkimeve shkencore në universitete.

Së treti, universitetet dhe ministria duhet të shqyrtojnë kostot financiare të lidhura me promovimin dhe nevojën e departamentit. Ka një kosto financiare që përbëhet nga rritja e pagës së pedagogut dhe ulja e orëve të kontaktit me studentët (p.sh. orët e seminareve). Por edhe kostot jomateriale që rrjedhin nga mungesa e një plani afatgjatë janë të konsiderueshme, p.sh. mosangazhimi i profesorit në disiplinën e tij, prodhimtaria e dobët për mungesë fondesh dhe përshtatja e kurrikulës për ti gjetur orë mësimore “të papunit”.

Përshtatja me nevojat dhe mundësitë financiare të departamentit kërkon që rregullat për promovimin të jenë elastike për disiplina, fakultete e deri për departamente të caktuara. Vetëqeverisja e premtuar nga qeveria për aspektin e promovimit ndoshta do të mund arrijë të krijojë hapësira brenda fakulteteve që promovimi ti përshtatet politikave unike sipas nivelit qeverisës, nga rektorati në departament, çfarë kërkon zhvillimin e planeve strategjike nga universitetet. Kjo do të mund të shmangte konformizmin brenda fakulteteve, ku dosjet e promovimit fillojnë ti ngjajnë njëra-tjetrës për pasojë të synimit të përbashkët për të plotësuar kriteret e njëjta. P.sh. rregullat e promovimit të një departamenti jo shumë të specializuar, konkurrues dhe prodhimtar, nuk mund të jenë të njëjtë me atë të një departamenti me prodhimtari të ulët apo të fokusuar ngushtë në një hulli kërkimi. Kriteret për vlerësimin e performancës akademike duhet ti përshtaten kësisoj edhe kërkesave të departamentit për projektet e kërkimit, fushës së shpërndarjes brenda disiplinës dhe nivelit të përgjithshëm të kërkimit në departament. Një alternativë do të ishte që bateria e kritereve të përgjithshme nga qeveria apo në nivel universiteti, të plotësohej me kriteret e veçanta të fakulteteve apo departamenteve.

Duke ja lënë në dorë universiteteve rregullimin dhe menaxhimin e promovimit, me kusht që këto të jenë në përputhje me strategjinë e zhvillimit të universitetit, qeveria do të arrijë më në fund ti detyrojë universitetet të hartojnë dhe realizojnë plane afatgjatë. Kjo do të rriste autonominë e universiteteve, por njëkohësisht do të krijonte leva për të ndryshuar sjelljen e universiteteve. Së pari, këto strategji do të diskutoheshin gjerazi nga të gjithë aktorët e përfshirë në interes të publikut; e së dyti, ato do të përbënin bazën e vlerësimit të performancës së universiteteve publike dhe drejtuesve të lartë të tyre. Gjithashtu, edhe transparenca e universiteteve publike ndaj publikut do të rritet. Të dyja palët nuk janë transparent me publikun. Ministria ka tre vjet që nuk publikon të dhëna të hollësishme mbi personelin akademik të punësuar në sistemin e arsimit të lartë (përkatësisht në vjetarët 2011, 2012, 2013). Universitetet nuk publikojnë të dhëna mbi shpenzimin e buxhetit, personelin akademik, mbi promovimin, etj.

Zbatimi i kornizës ligjore ka rezultuar problematik edhe gjatë ndjekjes së procedurave për vlerësimin e performancës së personelit akademik në kuadër të promovimit.

P.sh. korniza e sotme ligjore, dhe ajo e propozuar nga grupi i reformës, ndër kriteret kryesore bibliometrike për vlerësimin e cilësisë së artikujve shkencorë për titujt profesorë ka vendosur matjen me treguesin ndërkombëtar të “faktor impaktit”. Nëpërmjet një formule matematikore, faktori i impaktit paraqet numrin e citimeve të revistës shkencore dhe të artikullit të shkruar për një periudhë të caktuar kohore. Indeksi i “faktor impaktit” organizohet dhe administrohet nga kompania  Thomson Reuters – Web of Knowledge. Rezultatet e faktorit të impaktit (Impact Factor Scores) publikohen në raportin vjetor të Journal Citation Reports® dhe me indeksin që quhet Science Citation Index (SCI).  Database në të cilin regjistrohen revistat për raportin e Journal Citation Reports është Web of Science. Web of Science është baza e të dhënave më e madhe në botë për citimet që prej vitit 1900. Të dhënat përfshijnë 12 000 revista të impaktit të lartë nga e gjithë bota, revistat me hyrje të lirë  (Open Access Journals) dhe mbi 150 000 kumtesa (Web of Science Factsheet 2012). Në raportin e 2013 të Journal Citations Report nuk gjendet asnjë revistë nga Shqipëria.

Vlerësimi i cilësisë së botimeve akademike nëpërmjet “faktorit të impaktit” është një praktikë e gjerë edhe në ato vende ku promovimi akademik është përgjegjësi e institucioneve. P.sh. në Serbi promovimi rregullohet e menaxhohet nga fakulteti. Universiteti i Beogradit, Fakulteti i Mjekësisë në statutin e tij, nenet 142-144 parashikon se ndër kriteret që duhen plotësuar për titujt profesor (dhe i asociuar) janë shprehimisht 6 ose 4 artikuj të cituar në Current Contents (CC, edhe ky një indeks nga Thomson Reuter që përfshin edhe faqe interneti) ose Science Citation Index (SCI) me faktor 2 në pesë vitet e fundit.

Por deri më sot, në shumë raste, performanca është vlerësuar vetëm për nga numri i publikimeve dhe jo për nga cilësia e tyre në bazë të faktorit të impaktit (VKM 467, 2007). Shpërfillja e kritereve të përcaktuar në vendimin e qeverisë ka shkaktuar një dyndje të shkencëtarëve shqiptarë në revista aspak serioze si p.sh. European Scientific Journal (Maqedoni), International Scientific Publications (Bullgari), International Journals of Engineering and Sciences (Pakistan). Vlerësuesit në Këshillat e Profesorëve janë mjaftuar me regjistrimin e këtyre revistave në indekse të paparashikuara në vendimin e qeverise dhe të panjohura nga komuniteti akademik botëror.

Faktori i impaktit është një norme e nevojshme për të vlerësuar performancën e personelit në nivel ndërkombëtar dhe për të nxitur mobilitetin e shkencëtarëve tanë. Prandaj edhe grupi i reformës i ka kushtuar të njëjtën vëmendje si edhe qeveria e mëparshme. Por ky kriter është i vështirë për tu realizuar në disiplina të caktuara. Në këto raste universiteteve duhet tu lejohen kritere të tjera, si p.sh. publikimi në revista shqiptare me traditë të hershme (p.sh. Studia Albanica) apo të kufizohen në lista të caktuara e mirëarsyetuara, me bord serioz editorial dhe në marrëdhënie me universitete ndërkombëtare. Indekset e Web of Science për lloje veprimtarish e disiplina të caktuara lejojnë indeksimin e revistave të reja, të cilave u përllogaritet faktori pas 3 deri në 5 vjetësh. Në çdo rast universitet duhet të parashikojnë që revistat, me apo pa traditë, të indeksohen.

Problematika janë vërejtur edhe në kriteret të tjera të vlerësimit të performancës së pedagogëve në kuadër të promovimit, si p.sh. në monografitë që jo pak herë kanë rezultuar plagjiatura. Në këtë rast, një mënyrë për të kontrolluar cilësinë e monografive është bashkëfinancimi nga universitetet ose nga agjencia përgjegjëse për kërkimin shkencor në nivel kombëtar, sikur praktikohet sot në Serbi ose Kosovë. Kur universiteti është bashkëpunëtor në një monografi, ai jo vetëm garanton cilësinë por edhe mbart mbi vete përgjegjësinë për cilësinë e kërkimit dhe të botimit. Sidomos në rastet kur hulumtimi financohet nga paratë publike, siç është veprimtaria e pedagogëve të angazhuar me kohë të plotë, duhet që universiteti të marrë pjesë qoftë edhe me shuma simbolike.

Vlerësimi i performancës në sistemin e karrierës së pedagogëve duhet të përmbajë edhe kritere subjektive, siç janë aftësitë shoqëruese dhe ato të integrimit në komunitetin akademik. Por për këtë nuk mund se të jenë vetë kolegët që nëpërmjet sistemit referencial vendosin për përshtatshmërinë e kandidatëve. Edhe pse jo pak herë rrjetet klanore brenda fakulteteve janë pengesë për zhvillimin e karrierave që ndryshe do të lulëzonin. Siç dëshmon rasti i fundit i një filozofi në Universitetin e Tiranës.

Në çdo rast, kriteret duhet të jenë transparente, të hapura dhe në përputhje me ato të Kartës Evropiane të Kërkuesve Shkencorë. Këshillat e Profesorëve duhet jo vetëm të zbatojnë parimin e meritës në vlerësimin e karrierave, por edhe të veprojnë sikur janë nën vëzhgimin ndërkombëtar e jo sikur çdo gjë kryhet në kontekstin e një pjese periferike të izoluar evropiane.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: