TA KUPTOJMË PARA SE TA KREMTOJMË

Pavarësisht nga mënyra si u arrit dhe si u imponua, kodifikimi i shqipes së njësuar, i sanksionuar me vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972 dhe dokumentet shoqëruese, është për t’u kujtuar si arritje e rëndësishme e përpjekjeve të shtetit të Shqipërisë, sistemit arsimor, punëtorëve të gjuhës shqipe dhe mbarë kombit, për t’i dhënë shoqërisë shqiptare një instrument sa modern dhe bashkëkohor aq edhe të domosdoshëm, të komunikimit publik.

Megjithatë, le të mos harrojmë se shqipja standard, me fjalorin drejtshkrimor, gramatikën normative dhe fjalorin normativ shpjegues, është para së gjithash një vegël që i ndihmon shtetit për të homogjenizuar dhe centralizuar komunikimin; dhe vegla gjithnjë duhet gjykuar, par së gjithash, nga efikasiteti i saj.

Dhe këtu ka vend për të reflektuar – sepse qytetarët dhe institucionet, edhe në Shqipëri edhe në Kosovë, sot ndeshin në vështirësi të mëdha, për ta përdorur standardin. Është praktikisht e pamundur të gjesh një dokument zyrtar, një ligj, një marrëveshje, një vendim gjyqi, një kontratë, një rregullore e kështu me radhë, që të jetë shkruar mirë në standard (deri edhe kontrollorët elektronikë të drejtshkrimit, si ai i Microsoft-it për shqipen, kanë gabime drejtshkrimore). E vetmja fushë ku standardi duket se zbatohet më mirë, është ajo që për standardin ka relativisht më pak nevojë: letërsia origjinale dhe e përkthyer.

Shkolla publike sot nuk arrin t’ua mësojë nxënësve standardin e shkruar; dhe mass mediat nuk arrijnë t’ua mbajnë gjallë. Në kontekstin e formave elektronike të komunikimit, miliona shqiptarë anembanë praktikojnë rregullisht një lloj shqipeje hibride, e cila mbetet shumë larg standardit. Shumica e qytetarëve në moshë të rritur e njohin standardin pasivisht, meqë mund të kuptojnë tekstet e shkruara, por nuk e përdorin dot, sepse nuk dinë.

Sot për sot, plani aq ambicioz i Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972 mund të gjykohet si i parealizuar. Ajo formë e shqipes së njësuar, e sanksionuar prej tij nën diktatin politik totalitar ekziston vërtet, por vetëm si hije që rëndon mbi komunikimin publik duke e delegjitimuar. Shteti, që duhej të impononte dhe të garantonte adoptimin dhe përdorimin e duhur të standardit, nuk arrin që ta bëjë – sepse nuk ka as fuqinë, as zotësinë, as mjetet dhe as dëshirën. Edhe pse, teknikisht, ajo shqipe që u sanksionua nga Kongresi – sado artificiale dhe arbitrare si çdo standard tjetër – ka provuar se i ka kapacitetet formale për të funksionuar mirë (dhe për të përballuar sfidat e globalizimit), në praktikë kjo nuk po ndodh më. Për pasojë, dy skajet madhore dhe të ndërsjellta të komunikimit publik – SHTETI dhe QYTETARI – nuk po arrijnë të konstituohen dhe as të riprodhohen normalisht.

Një tryezë e rrumbullakët për të diskutuar rreth këtij rreziku më duket sot shumë më e nevojshme, në momentin e tanishëm, se një tubim kremtues i një eventi vërtet shumë të rëndësishëm, por edhe gjerësisht të diskutueshëm, siç ishte Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972 (madje edhe pa shkuar deri tek efektet e tij përçarëse në kulturë, siç ishte mbytja e gegnishtes letrare në ujërat burokratike të vendimeve administrative dhe pa i dënuar ato efekte moralisht dhe politikisht).

Përndryshe, duket sikur, në pamundësi për ta përdorur si duhet e mirëmbajtur një vegël të nevojshme, po duam ta vëmë në kornizë dhe ta ekspozojmë si simbol, monument a vepër arti, për ta adhuruar.

Është fakt që shqipja standard në momentin e tanishëm nuk po zbatohet mirë – aq sa e ka njeriu të pamundur që të gjejë një dokument të vetëm zyrtar, që të ndjekë standardin.

Në të njëjtën kohë, me bekimin qeveritar, Akademitë nga Tirana dhe nga Prishtina mblidhen të festojnë 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972. I cili Kongres – nuk e fshehim dot – ishte edhe pjesë organike, në mos kulm, i politikave kulturore të një regjimi totalitar që e organizoi dhe e mbështeti fort.

Po dua të bëj këtë pyetje:

Si mund të festohet pafajësisht dhe aq më pak krenarisht përvjetori i sanksionimit të standardit (njësimit) të shqipes së shkruar, në një kohë kur ky standard sot nuk po funksionon?

(Le ta krahasojmë këtë me festimin – hipotetik – të ndonjë përvjetori të themelimit të sistemit hekurudhor shqiptar, i cili njëlloj ka pushuar së funksionuari: veprat e tij të artit sot hijeshojnë rrugët kombëtare, si të ishin rrënoja ujësjellësish pellazgë.)

A nuk do të ishte më mirë që, në vend të fishekzjarrëve (kombi ynë i paepur, bla-bla-bla, penda e Naimit), të mbështetej një diskutim serioz se pse nuk po funksionon standardi, me të njëjtët parametra si ato të diskutimit kombëtar që dikur i parapriu Kongresit të vitit 1972? Cilat struktura dhe institucione, që duhej të kujdeseshin për mirëmbajtjen e standardit, nuk e kanë bërë punën e tyre dhe pse?

Standardi gjuhësor, siç e shkrova tashmë, është vegël që i duhet një shoqërie të avancuar, për të komunikuar mes vedi; përfshi këtu edhe mënyrën si komunikon shteti me qytetarët dhe funksionimin e arsimit publik dhe të mediave.

Nëse kjo vegël nuk po punon mirë, atëherë duhet ndrequr – por në vend që të ulen dhe ta ndreqin, institucionet tona publike po e vënë tani në kornizë dhe po e adhurojnë si të ishte relike e shenjtë.

Natyrisht, këto kremtime dhe adhurime nuk i ndihmojnë standardit për asgjë, paçka se mund t’u ndihmojnë institucioneve përkatëse që të riprodhohen dhe të ruajnë relevancën e tyre, në një kohë kur prestigji i tyre ka rënë, sikurse ka rënë vetë prestigji dhe autoriteti i standardit.

Festimet dhe kremtimet dhe jubiletë maskojnë një problem alarmant për shoqërinë dhe kulturën.

Shteti – e kam fjalën për Shqipërinë – duhet të ishte alarmuar me degradimin e standardit, sepse, njëlloj si kanarina në minierë, ai lajmëron një krizë në raportet e qytetarëve me shtetin: humbje të besimit dhe të respektit, rrëgjim të autoritetit.

Një standard që nuk arrin të zbatohet, nuk ekziston, pavarësisht datës kur është sanksionuar dhe “burrave” që e kanë krijuar.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin